Freitag, 29. März 2013

Brahim Avdyli: ÇAMËRIA


Brahim AVDYLI:


 ÇAMËRIA

-Qamë o nënë
me lot të gjallë
që të këndellin
nga kolera e shfarojses!

-Qamë o nënë,
qamë pra sot
që po zvarritem
në themelet e hershme
të tempujve

kur zotërat më lanë
të braktisur
e të përgjakur
nën A-thinë!

Qamë nën-o,
se nuk qaj dot
duke pasë qenë
një rrenjë e lashtë
e I l i r i s ë-

djep trimërie,
sofër e shkelur
apo kokë e prerë
me dredhi!...

Donnerstag, 21. März 2013

Zyba Hysa: NA PRIT ÇAMËRI

 
NA PRIT ÇAMËRI

(Pjesë nga poema me të njëjtën titull)

O Qafë Botë!
O tokë!
O lot!
O prag!
O gjak,
I larë me gjak...
.............................

Thonë ,
Plagën që hap humbja e prindit,
Vitet mjekojnë,
Shterojnë dhembjen,
Vjen duke u mbyllur,
Natyrës i japim të drejtë...

Plagën e humbjes së birit e bijës,
Vitet s`kanë ilaç të mjekojnë,
Veç dhemb,
Mahiset... mahiset...
Sa vetë jetën tonë s`e durojmë...

Eh, plaga e humbjes së vatanit!
Plagë e pashërueshme
Që u transmetohet brezave,
E ndër vite e shekuj,
Hapur qëndron...!

Thonë,
Se vatan quhet dhe atje,
Ku shkon, punon,
Ha, pi dhe fle...

Thonë,
Mirë që thonë,
Por s`e thonë ata,
Që prej vatanit me dhunë i dëbuan,
Me armë pas koke,
Ku shqelmi i hasmit mbi portë,
U godiste shpirtin,
Sa hapa hidhnin drejt të panjohurës...

S`e thonë ata,
Që nga ankthi, tmerri,
E humbën toruan prej absurdes ,
Së dëbimit dhe dhunës grekofone,
Që ne vend të hidhnin thesin që rëndonte,
Për të vrapuar t`i shpëtojë plumbit,
Hodhi foshnjën nga ura,
E lumi e përpiu...

S`e thonë ata,
Që grekët,
Nuk u lani kohë ,
Të merrnin dhe fotot e kujtimeve...

S`e thonë ata,
Që dhe kokën nuk ua lanë të kthejnë,
T`u thonë vatrave: lamtumirë,
Tokave: na prisni,
Brigjeve:qëndroni,
Maleve:mos harroni...!

S`e thonë ata,
Që nga gjaku i gjakut tyre,
Lugina e Qafë Botës u bë lumë,
Një lumë,
Që zhurma e tij i mban zgjuar për jetë...

S`e thonë ata,
Që dhe pas kaq viteve,
E pse jetojnë mes vëllezërish,
Me pasuri dhe plot fёmijё,
Ëndrrat i shohin atje,
E ngrihen mes të natës...

Ata që bijve,
Amanet rikthimin u lanë...

Ata,
Që tek ritmi i valleve,
Tek hedhja e hapave,
Tek çdo tingull kënge,
tek çdo tik-tak zemre,
Të skalitën ty,
Si një mall të vjetër,
Si një mall të ri,
E përmallura,
Çamëri!

Çdo plak e plakë,
Që foshnjë qenë,
Kur ecën për herë të fundit,
Mbi truallin tënd, Çamëri,
Çdo burrë dhe grua,
Çdo i ri,
Sa kohë që s`mund të vijnë,
Për të hapur portat e ndryshkura nga koha,
Kotu, tek Qafë Bota do të vijmë,
Të kujtojmë,
Të qajmë,
Të marrim guxim,
Që pritja,
Të mos duket e gjatë,
O tokë e lashtë!...

O Qafë Botë!
O tokë!
O lot!
O prag!
O gjak,
I larë me gjak...
Pa shih sa kanë ardhur!
Nga Vlora, Tirana,
Nga Elbasani,
Diaspora...
Sy përlotur për ata që ranë,
Zjarr e flakë prej pa drejtёsisё,
Përmalluar, drithëruar,
Për pragun e shtёpisё...!

Po ka krim të madh,
Më i madh se dëbimi nga trojet s`ka,
Po ka kërkesë për drejtësi,
Me e drejtë se jona,
s`ka kurrsesi!
Po ka shpresë me shpresë,
E jona ,
S`do të vdesë!

Na prit Çamëri!
Na prit edhe pak,
Po mblidhen bijtë tu,
E do vijmë,
Jo për të parë,
As për të nxjerrë mall,
Por do të rrimë,
Kёmbёkryq,
Siç e ka zakon shqiptari,
Tek oda e vet!...

Zyba Hysen Hysa

Vlorë, 20.09.09