Donnerstag, 16. Februar 2017

Një libër i ri për çamët nga Namik Selmani

Nga Luan Çipi

Këto ditë doli në qarkullim një libër i ri i shkrimtarit Namik Selmani me titull “BIRI I SHQUAR I ÇAMËRISË, ADEM ZER TEME”.

Namik Selmani ka lindur më 18 Nëntor të vitit 1950 në fshatin Ninant të krahinës së Çamërisë, që përfshihet në rrethin e Sarandës dhe është shkrimtar e gazetar i spikatur e mjaft produktiv.

Ka kryer Shkollën e Mesme Pedagogjike “Luigj Gurakuqi” në qytetin e Elbasanit dhe studimet e larta në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë, në Degën Gjuhë-Letërsi Shqipe, pranë Universitetit Shtetëror të Tiranës. Ka punuar mbi 35 vjet si mësues i gjuhës e letërsisë shqipe në disa shkolla të mesme, kryesisht në rrethin e Beratit dhe më gjatë po atje, në Shkollën e Mesme Pedagogjike “Kristo Isak”.

Krijimtaria letrare e tij është shumë e pasur dhe e larmishme. Ai ka shkruar gjashtë vëllime me poezi, disa libra me publicistikë, monografi, libra për kulturën e të folurit e të të shkruarit në shkolla të mesme, libra të karakterit fetar, etj., gjithsej 40 libra. Ka botuar gjithashtu me qindra shkrime të karakterit studimor, kryesisht të fushës së kulturës kombëtare, opinione të ndryshme në organe të shumta të shtypit shqiptar e të huaj, etj.

Namik Selmani prej disa vitesh është një autor i njohur, që me botimet e tij është përfaqësuar denjësisht edhe në disa vende të botës si në ShBA, Zvicër, Maqedoni, Kosovë, etj.

Në krijimtarinë e Namik Selmanit zë vend edhe publicistika. Për disa vjet ai ka qenë kryeredaktor i gazetës “E vërteta” në qytetin e Beratit, si edhe bashkëpunëtor i disa gazetave kombëtare. Ka pasur shumë suksese edhe në lëmin e fotografisë artistike, duke hapur disa ekspozita vetjake në Shqipëri, Itali, Maqedoni, Kosovë, etj. Është fitues i disa çmimeve kombëtare në letërsi e në publicistikë dhe ka marrë pjesë e është ballafaquar me sukses, në disa tubime krijuesish në shkallë kombëtare.
Namik Selmani është anëtar kryesie në Shoqatën Kulturore "Bilal Xhaferri" dhe zëvendëskryeredaktor i revistës “Krahu i shqiponjës”. Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë dhe anëtar i Klubit të Shkrimtarëve “Konstantin Kristoforidhi” në qytetin e Elbasanit, etj.

Libri i ri monografik, për veprimtarin e shquar çam, Adem Teme, është një kulm i ri letrar e artistik i autorit, një vepër e mirëfilltë studimore e krijuese, ku paraqiten bukur të vërteta historike, kombinuar me kujtime, tregime, poezi, dokumente, fotografi e reportazhe. Libri është botuar nga “Mirgeeralb” Tiranë dhe ka 224 faqe.

Librin e ri me aromë krejt çame, diku edhe me të folmen karakteristike çame, e lexuam “me një frymë”, si unë dhe ime shoqe, (ish mësuese gjuhë letërsisë dhe mikeshë e hershme me bijat e protagonistit të nderuar të librit, Adem Teme).

Ne, që i njihnim direkt personazhet (xhaxhi Ademin, teto Eminenë dhe thuajse gjithë të tjerët), duke lexuar me shumë përqendrim, nostalgji e dashuri, kaluam çaste të bukura ngacmimesh të vjetra, që shpesh na përlotën dhe gjithë kohës na përmallën, në kujtim të ngjarjeve interesante e të paraqitura bukur, që na kaluan para sysh si në ekran filmi. Kujtuam gjithë çamët e mirë të Vlorës, tragjedinë dhe rrugëtimin heroik dhe përpjekjet e tyre titanike e legjendare për mbijetesë me punë, vendosmëri, krenari e dinjitet.

Autori thotë për ta, që për mbijetesë i ndihmoi UNRA. Ndihma e UNRAS dhe e Shtetit Shqiptar të posa krijuar e të varfër, sipas meje dëshmitar okular, ishte minimale dhe simbolike. Ata i ndihmoi më shumë qëndrimi i tyre pa qibër, me dashuri për çdo lloj pune (mandej për më të vështirat). Çamët e Vlorës dhe të gjithë Shqipërisë edhe pse të tronditur e të leqendisur nga masakra e barbaria greke, në Shqipëri zgjodhën të jetonin në kushtet të përafërta si në trojet e tyre, sa më afër detit, ullinjve dhe portokallieve. Ata punuan më së shumti si peshkatarë në det dhe si bujq e blegtorë, në vazhdim të traditës, në përjetim të mallit për vendlindjet e tyre të paharruara, të begata dhe me bukuri përrallore. Ata ushtruan profesionet e bujkut, blegtorit, peshkatarit, karroxhiut, qoftë dhe të punëtorit të thjeshtë të krahut në ndërtim, komunale e transport. Ata shumë shpejt i arritën dhe diku i kaluan mikpritësit dashamirë vendas, duke e përkrahur dhe mbështetur fort njëri-tjetrin, për të manifestuar kështu shkallën e tyre tradicionale të solidaritetit, fisnikërisë dhe të besës. Ata e ruajtën dhe përtërinë folklorin e tyre të bukur, duke kërcyer me patos vallen e veçantë madhështore e të paharruar çame, duke kënduar me nostalgji këngën polifonike karakteristike të tipit Çelo Mezani, apo këngën qytetare erotike të ëmbël çame. Ne, që i kemi parë e përjetuar, nuk i shlyejmë dot nga mendja ndër shekuj përshtypjet e pakontestueshme se, kur kërcejnë dhe këndojnë çamët, në festat apo dasmat e bukura dhe me shumë harxh që organizojnë, ata duken të tjetërsuar, duke shpërthyer dhe duke nxjerrë në shesh gjithçka që kanë thithur, brumosur dhe mbajtur në thellësinë e qenies dhe të shpirtit të tyre vital. Dhe në këto raste, si vëllezër të një gjaku, ata ngjajnë më shumë shqiptarë, mollos e thrako-ilir, njësoj si ne, ndaj dhe s’ka pse mos t’i duash më shumë. Prandaj thuajse pa përjashtim, çamët që erdhën me shumicë në qytetin e Vlorës kryesisht, po edhe rreth saj, imponuan te vendësit mirëkuptim, krijuan dhe ofruan dashurinë dhe përkrahjen pa rezerva të vlonjatëve dhe gjithandej të shqiptarëve, të njëjtë me ta në gen, mirësi e gjak.

Familjen e Adem Temes e ndihmoi dhe fati, që takoi dhe u strehua te shtëpia dhe kafeneja e atdhetarit të mençur Qamil Tushe, (babai i heroit të Topanasë, Barjam Tushe dhe gjyshi i sociologut zëmadh Gëzim Tushe) po dhe vet prezenca, urtësia, zotësia, ëmbëlsia, korrektesa dhe përvoja amerikane e Ademit buzagaz, ashtu si e ka përshkruar me besnikëri e vërtetësi, disa herë, autori i librit.

Adem Zer Teme, ishte për 18 vjet emigrant ekonomik në Amerikë. Pjesëmarrja atje në veprimtari atdhetare në gjirin e Shoqërisë famëmadhe Vatra, lidhja me Shqipërinë dhe ndihmat monetare për të, kthimi në vendlindje dhe qëndrimi ndihmëtar e human në Çamëri, veprimtaria atje si Kryeplak i fshatit të tij Mazrek dhe në mbrojtje të tyre nga gjenocidi grek, si dhe më vonë përpjekjet për përshtatjen e mirë e të shpejtë dhe sidomos për mirërritjen, edukimin dhe arsimimin e pesë fëmijëve të vetë në Shqipëri, tregojnë për një figurë të shquar gjurmëlënëse.

Veç babë Ademit, unë kam njohur direkt në punë për shumë vjet djemtë e tij. Me Niaziun, teknik i mesëm elektrik, kam punuar në një zyrë, në Uzinën Mekanike Vlorë për pesë vjet rresht. Nuk gjeje nëpunës më të devotshëm e rezultativ se ai! Gjithnjë i gatshëm dhe i papërtuar, që kur nuk tërhiqej para asnjë vështirësie, pa pyetur për orar pune dhe gjithnjë i qeshur dhe dashamirës me të gjithë. Me Abedinin, vëllain më të madh, thuajse moshatar me mua, kemi punuar për gati dhjetë vjet në aparatin e Komitetit Ekzekutiv, ku ai ka kryer disa detyra në pozicionin e agronomit të rrethit të Vlorës për më shumëse 40 vjet. Ku shkonte Abedini ishte puna konkrete dhe e ndershme me nivel shkencor, zgjidhja praktike më optimale e problemit, mbështetur përherë në qëndrimin korrekt dhe dashamirës. Ishin të dy djemtë, kopje e babait të tyre, Adem Zer Teme, me shumë punë dhe pak fjalë.

Personalisht kam simpati dhe dashuri për Çamët dhe duke qenë në moshë mbi 80 vjeç, në punën 40 vjeçare shtetërore në administratën lokale, në bujqësi, industri e ndërtim dhe si mësues e pedagog mbi 30 vjeçar, kam pasur miqësi e njohje me qindra kolegë, miq, shok e nxënës çam, për të cilët jam krenar, se i kam ndër dashurit e zgjedhura. Shpreh dëshirën të veçoj, të cilësoj e të përfshij në këtë listë nderi: Etem Suljotin, Emin Sejkon, Ali Hoxhën, Ismail Nuhun, Osmane Izet Rexhon, Nail Çamin, Sulo dhe Jakup Sulejmanin, Abedin Elmazin, Mersin Zenelin, Damin Sejkon, Abedin e Namik Xhemalin, Bido Hamitin, Mamo Habibin (me këta dy të fundit, miq stërgjyshëror), Jasin Balon, Mustafa e Remzi Suljotin, Abdulla Iljazin, Namik Veipin, Saqe Geran, Haki e Tajar Bardhin, Niazi e Mamo Brahimin, Skënder Beqirin me vëllezër e motra, Esat Hasanin, etj.

Duke shprehur kënaqësi për librin, do veçoja punën krijuese personale të autorit Namik Selmani, ngaqë kam mendimin se plotësimet nga të tjerët, janë ndenë nivelin e tij cilësor dhe them edhe të pa nevojshme e diku përsëritje, mandej që edhe mund të përjashtoheshin.

Mendoj se një thellim në origjinën më në lashtësi të fisit “TEME” edhe të vet fshatit Mazrek, të krahinës Marglliçit dhe krejt Çamërisë, do ishte me interes dhe bukuri, kështu mund të kishte dhe shpjegimet më të plota për arsimimin, punësimin dhe jetën e tanishme në Amerike për këtë familja kaq të madhe (ikën 65 dhe tani mund të jenë mbi 100), po edhe disa përsëritje të tjera panevojshme mund të evitoheshin, etj.

Vepra letraro biografike “BIRI I SHQUAR I ÇAMËRISË, ADEM ZER TEME, më se dinjitoze, është e autorit Namik Selmani dhe përfundimisht mendoj se është një arritje e dalluar për llojin e vet, si monografi. Unë si lexues, shpreh kënaqësi dhe uroj për vepra të tjera me vlerë, të mirëpritura dhe të nevojshme për çdo familje shqiptare! Ndërkohë, kërkoj falje për sugjerimet, krejt personale e dashamirëse, jo si mangësi të librit, po që mund të shërbejnë për monografitë e ardhshme.

Tiranë, 10.02.2017

Çamëria nuk lypë shpagë, por liri dhe paqe...

Fran UKCAMA

Poemë për Çamërinë, miqtë e mi çam dhe për vete

Unë nuk mund ta ndal kronin e lotit,
Synit tim të shkrumue,
kënka tha,
asht kthye në gur, në zall.
Unë s` mund të rri pa ngritë një gjamë,
Pellazgjike, me grushta mbi krahnuer, bam, bam,
Drasën e gjoksit me shkallmue,
faqet me thonj shqiponje me i varrë

Se shpirti më vuan,
Se shpirti më dhëmb,
për pleq të therun si berre, si dele, si desh galan,
per plaka sakatueme,
në prag të shtepive
brënda avllive,
te kroni, te pusi, te furri,
për nënat e djegura në magje,
për kodrat e fëmijve te shkyem në bark,
për bukën lane sofër, për pëllumbin, qingjin e vogël.
Për këngën kthye në mort,
Lojrat e fëmijve si peshq të thamë në tym.
Për apokaliptin e diellin e nximë,
Mënxyrë,
zorrtë e nxjerruna sokakeve,
për qytete e katunde, tym e flakë,
për varganin si milingonja deshë e dathë,
shpresë vrarë, bark bosh,
prej Arte në Prevesë. Paramithi, Qafë Botë...
për Çamrinë Martire, si gjergj Elez Alinë me nëntë varrë..
kjaj, kjaj, kjaj e qaj,
qaj pa lot, se lot s` ka ma,
jo vetëm mue
por edhe qiellit iu kanë tha...

Çamria nuk ka dekë,
Çamria është gjallë,
unë i ndjej dhimbjet e saj,
si një Doruntinë rend mbi kalë,
unë jam vllam, ne jemi vllamë,
unë ndjej renkimet e t` meturve pa kallë,
pa shipi, pa oxhak, pa varr..
Tokës i shikoj plasaritjet, skaj e më skaj,
Ky termet i thellë, ky vullkan..
Shatëdhjetë vite plague,
Shtatëdhjetë vite plumbi pa dalë,
Shtatëdhjetë vite legjendë e gjallë,
në shpirtin shkrumb,
në shpirtin valë,
Çamria rënkon, Çami kërkon, kënga jehon,
Osman Taka kputet tokës, fluturon,
Asht kthyer në mit,
asht kthye një shqiponjë..

Ani, pse miq në Greqi kam,
me zemer i nderoj
E di shumë më kuptojnë,
Se nuk mund të rri pa vikatë,
Se edhe deti kërrleshet,
Se edhe Joni ngre dallgë,
Grekërit e sotem, moderrnit s` kanë faj,
Por t` parët me kanun i lanë në gjak,
Çamëria nuk lyp shpagë,
A keni pa, degën e ullinit kanë në ball,
Çamëria lyp votër,
Lyp oxhak, lyp zjarr,
Lypë oborr, lyp det, qiell dhe varr,
të pa varrosunit ku menë, ku vanë..
Çamëria lyp gurin amë,
Unë nuk e mbaj lotin,
Çerpikut tani, krypë e bardhë,
Jo se jam dobsuar e shpirt lodhur,
Por fëmijtë si turr drushë sobe stivosur,
oh gjamë e pa parë,
Oh makabër,
Ma ngrenë cunamin tetë ballë..

Çamëria lyp votër, drejtesi. Liri dhe paqë,
O zot, a n` gjumë ishe ato ditë,
O zot, n` andrra ishe at natë ,
Jepu drejtësi pelegrinve të lirisë,
Jepu dritë, jepu frymë, të kthehen në tokën e begatë,
në Dheun, ku lanë Mëmë e At`..
Çamria nuk kërkon shpagë,
Çamria lyp drejtësi, liri dhe paqë,
Ajo shtat e plague
Sfiniksja ullinin ka mbi ballë..
Dodona e perkryme mbi qiejt therret pa pra,
Hëna asht e plotë,
Ardhmënia, ka nisë
Ardhmënia në udhë asht..
Po vjen..ka dale në Qafë Botë,
Ogur i bardhë,
erna te reja po fryjnë,
pranverë shpejt ka me ardhë,
ka dalë edhe një yll i ri mbi mal..
Çameri ti gjak, ti plagë, ti deje, ti asht Kombëtar...