Donnerstag, 19. September 2013

Fran Ukcama: Çameria...

 
ÇAMERIA
FLATRA NË KRAH SHQIPONJE

Mund të ketë vija në harta,
ndarë pa pytun,
prej të forteve,...

brenda shpirtit Kombit Moçëm,
Çameria- krahu i Shqiponjes.

Mund të ketë absurd epoke,
të shpërngulen dhunshëm trojesh,
në Kujtesën e shpirtit çam,
rron sa jeta, zjarri i votres..

Mund të ketë, edha ka,
andrra që bahen zhganderr,
flas me mikun çam ketu pra,
do vijë dita,
shpresë me shpirt,
ti, nji ditë do të më presesh,
te oxhaku, i Tëpareve,
Jonit buzë, në Igumenicë!

Donnerstag, 16. Mai 2013

Bilal Xhaferri: BALADE ÇAME

 Bilal Xhaferri

BALADE ÇAME

Ylberi, si një përshëndetje e përlotur lamtumirë,
u zhduk matanë largësive,
mbi kreshtat e flakëve,
nëpër shi...

Matanë largësive u zhduk e përflakur Çamëria
dhe të gjitha rrugët tona shpien në veri.
Ulërin era e Mesdheut mbi trojet e lashta epirote,
mbi të shtrenjtat troje tona stërgjyshore.

Në kullotat e braktisura kullosin rrufetë.
Ullishtet e pavjelura gjëmojnë si dallgë nëpër bregore.
Dhe kudo toka çame,
mbuluar nga retë,
rënkon e mbytur në gjak e lot,
e mbetur shkretë,
pa zot.

Na e tregojnë drejtimin plumbat, që vërshëllejnë në errësirë.
Na e ndriçojnë rrugët flakët, që gjithë tokën kanë përpirë
Pas shpinave tona përplas tufani dyert e shkallmuara të shtëpive
dhe rrugët zgjaten e zgjaten si veri.

Ne, popull muhazhir, ecim nëpër shi...
Lamtumirë, Çamëri!



 NATË ÇAME

Ndali çapin kopeja e ulqve
Në errësirën e thinjur me flokë bore.
Ndali çapin pranë staneve të heshtura
Kopeja e egër e pyjeve çame.
S’dëgjohen të lehura, s’dëgjohen blegërima,
Nuk duken më zjarret ku dremitin çobenët.
Vetëm deti rreh bregdetin me dallgë pa pushuar,
Vetëm hëna porsi dele e ndarë nga kopeja
Nëpër shtigjet e reve baret e vetmuar.
Ndali çapin kopeja e ulqve
Dhe përgjon e uritur në errësirën thinjoshe.

Ku ini ju çobenë me gunat e bardha?
Ku i kini delet që blegërinin kullotave?
Ku i kini qiprat, ku këmborët si këmbana?
Ku i kini qent e staneve që ulurinin si luanë?
Murrot, balot, gudot – armiqtë tanë të vjetër?
Ku janë që t’u tregojnë me çatallet e hekurt
Se si në shesh të luftës luftohet për jetën?

Hesht në errësirë Çamëria shkretëtirë,
vetëm dallga rreh parreshtur shkëmbenjtë kryeulur
Dhe jehona e saj e gjerë nëpër natën joniane
Përzihet me ulurimen e ulqve të uritur.


U botua në revistën "Krahu i shqiponjës"
nr.2, 1997 me pseudonimin Kiman Halil Çami

Montag, 29. April 2013

Haxhi Muhaxheri: ÇAMËRIA

Haxhi Muhaxheri

ÇAMËRIA

Çamëria është
Lumë i Loteve që nuk shteron
Malli i të dëbuarve që përvelon
Kënga e Shpresës që gjallëron
Ora e lutjeve që nuk mbaron

Është ëndrra jonë e përnatshme
Amaneti i shenjtë i etërve
Emblema e krenarisë

Çamëria
Është damari i ngushtuar i atdheut
Tregimi më i drejtë për barbarinë
Plaga janë e pashëruar
Libri i papërfunduar i historisë

Çamëria
Është kodi i pazbërthyer i perëndisë

29.04.2013

Samstag, 27. April 2013

Sadik Krasniqi: NË ÇAMËRI


NË ÇAMËRI

Sa herë meteorët fluturojnë në Shqipëri
Thahet nga pikëllimi një ulli
Në Çamëri

Sa herë hëna përndizet
Në Çamëri
Hardhia hedh dhembje mbi dhe
Në bar bie rush si prush
E digjet ajo fushë

Sa herë qiellin e ndan vetëtima
Në Çamëri
Vala e Jonit bëhet jelë kali
Në shkamb varet nga malli

Freitag, 29. März 2013

Brahim Avdyli: ÇAMËRIA


Brahim AVDYLI:


 ÇAMËRIA

-Qamë o nënë
me lot të gjallë
që të këndellin
nga kolera e shfarojses!

-Qamë o nënë,
qamë pra sot
që po zvarritem
në themelet e hershme
të tempujve

kur zotërat më lanë
të braktisur
e të përgjakur
nën A-thinë!

Qamë nën-o,
se nuk qaj dot
duke pasë qenë
një rrenjë e lashtë
e I l i r i s ë-

djep trimërie,
sofër e shkelur
apo kokë e prerë
me dredhi!...

Donnerstag, 21. März 2013

Zyba Hysa: NA PRIT ÇAMËRI

 
NA PRIT ÇAMËRI

(Pjesë nga poema me të njëjtën titull)

O Qafë Botë!
O tokë!
O lot!
O prag!
O gjak,
I larë me gjak...
.............................

Thonë ,
Plagën që hap humbja e prindit,
Vitet mjekojnë,
Shterojnë dhembjen,
Vjen duke u mbyllur,
Natyrës i japim të drejtë...

Plagën e humbjes së birit e bijës,
Vitet s`kanë ilaç të mjekojnë,
Veç dhemb,
Mahiset... mahiset...
Sa vetë jetën tonë s`e durojmë...

Eh, plaga e humbjes së vatanit!
Plagë e pashërueshme
Që u transmetohet brezave,
E ndër vite e shekuj,
Hapur qëndron...!

Thonë,
Se vatan quhet dhe atje,
Ku shkon, punon,
Ha, pi dhe fle...

Thonë,
Mirë që thonë,
Por s`e thonë ata,
Që prej vatanit me dhunë i dëbuan,
Me armë pas koke,
Ku shqelmi i hasmit mbi portë,
U godiste shpirtin,
Sa hapa hidhnin drejt të panjohurës...

S`e thonë ata,
Që nga ankthi, tmerri,
E humbën toruan prej absurdes ,
Së dëbimit dhe dhunës grekofone,
Që ne vend të hidhnin thesin që rëndonte,
Për të vrapuar t`i shpëtojë plumbit,
Hodhi foshnjën nga ura,
E lumi e përpiu...

S`e thonë ata,
Që grekët,
Nuk u lani kohë ,
Të merrnin dhe fotot e kujtimeve...

S`e thonë ata,
Që dhe kokën nuk ua lanë të kthejnë,
T`u thonë vatrave: lamtumirë,
Tokave: na prisni,
Brigjeve:qëndroni,
Maleve:mos harroni...!

S`e thonë ata,
Që nga gjaku i gjakut tyre,
Lugina e Qafë Botës u bë lumë,
Një lumë,
Që zhurma e tij i mban zgjuar për jetë...

S`e thonë ata,
Që dhe pas kaq viteve,
E pse jetojnë mes vëllezërish,
Me pasuri dhe plot fёmijё,
Ëndrrat i shohin atje,
E ngrihen mes të natës...

Ata që bijve,
Amanet rikthimin u lanë...

Ata,
Që tek ritmi i valleve,
Tek hedhja e hapave,
Tek çdo tingull kënge,
tek çdo tik-tak zemre,
Të skalitën ty,
Si një mall të vjetër,
Si një mall të ri,
E përmallura,
Çamëri!

Çdo plak e plakë,
Që foshnjë qenë,
Kur ecën për herë të fundit,
Mbi truallin tënd, Çamëri,
Çdo burrë dhe grua,
Çdo i ri,
Sa kohë që s`mund të vijnë,
Për të hapur portat e ndryshkura nga koha,
Kotu, tek Qafë Bota do të vijmë,
Të kujtojmë,
Të qajmë,
Të marrim guxim,
Që pritja,
Të mos duket e gjatë,
O tokë e lashtë!...

O Qafë Botë!
O tokë!
O lot!
O prag!
O gjak,
I larë me gjak...
Pa shih sa kanë ardhur!
Nga Vlora, Tirana,
Nga Elbasani,
Diaspora...
Sy përlotur për ata që ranë,
Zjarr e flakë prej pa drejtёsisё,
Përmalluar, drithëruar,
Për pragun e shtёpisё...!

Po ka krim të madh,
Më i madh se dëbimi nga trojet s`ka,
Po ka kërkesë për drejtësi,
Me e drejtë se jona,
s`ka kurrsesi!
Po ka shpresë me shpresë,
E jona ,
S`do të vdesë!

Na prit Çamëri!
Na prit edhe pak,
Po mblidhen bijtë tu,
E do vijmë,
Jo për të parë,
As për të nxjerrë mall,
Por do të rrimë,
Kёmbёkryq,
Siç e ka zakon shqiptari,
Tek oda e vet!...

Zyba Hysen Hysa

Vlorë, 20.09.09

Mittwoch, 9. Januar 2013

Ymer Nurka: KËNGA E ÇAMES

 
KËNGA E ÇAMES...

Zura një mike, Suliote,
Naze-naze, puna jote…
Populli

 Siç ma kishte ënda, bëra asaj ane,
Renda për ty renda, moj e bukur çame,
Lule t’ergjënda, feksur mbi tumane,
Ç’ëndërr fshihet brenda, mos e thuaj xhane…!

Mos e thuaj xhane, ç’ëndërr brenda fshihet,
Dy a tre nishane, si drita mbi hijet…
Një raki prej thane, pij e nuk me pihet
Një tingull kambane, tutje seç po ndihet…

Me dy a tri nota, ajo diç më thotë:
- Sa hire fsheh bota, djal-o, s’i sheh dot,
Sa hëna të plota, gjysma duken sot…?!
Sa fjalë të kota, thënkemi më kot…

Me shtatin e gjatë, si Selvi -Janine,
Me gjinj të begatë, sumbulla-rubine,
Njomet buz’e thatë, njomet mbi burime,
Që rrjedhin nga lartë, pikëz e thërrime…

Ç’zemër-dashuruar, nuk deshi të lozi,
Moj gushëz-praruar, porsi abanozi,
Moj buz'-ëmbëlsuar, si mjaltë –ambrozi?!
Syri yt i shkruar, ç’më treti, ç’më sosi…
 


 


 KENGA E ÇAMES…
(variant i permbysur)

Zura një mike, Suliote,
Naze-naze, puna jote…
Populli

Bëra asaj ane, siç ma kishte ënda,
Moj e bukur çame, renda për ty renda,
Feksur mbi tumane, lule t’ergjënda,
Mos e thuaj xhane, ç’ëndërr fshihet brenda,!

Ç’ëndërr brenda fshihet, mos e thuaj xhane!
Si drita mbi hijet, dy a tre nishane,
Pij e nuk me pihet, një raki prej thane,
Tutje seç po ndihet, një tingull kambane…

Ajo diç më thotë, me dy a tri nota,
- Djal-o, s’i sheh dot, sa hire fsheh bota,
Gjysma duken sot, sa hëna të plota,
Thënkemi më kot, sa fjalë të kota…

Si Selvi –Janine, me shtatin e gjatë,
Sumbulla-rubine, me gjinj të begatë,
Njomet mbi burime, njomet buz’e thatë,
Pikëz e thërrime, që rrjedhin nga lartë…

Nuk deshi të lozi, ç’zemër-dashuruar,
Porsi abanozi, moj gushëz-praruar,
Si mjaltë–ambrozi, moj buz’-ëmbëlsuar?!
Ç’më treti, ç’më sosi, syri yt i shkruar…