Mittwoch, 30. September 2015

Kultura çame



Identiteti kulturor çam

Çamëria përbëhet nga një popull me vazhdimësi territori etnik. Elementet e identitetit mvishen me një tis historik si në rastin e këngës çame, e cila përcjell një lloj melankolie që rrjedh nga historia e popullit. Organizimi patriarkal është shumë i fortë dhe familja është solide. Duke qenë një popullsi e rrezikuar nga asimilimi, rrjedhimisht shtylla e mbijetesës është gjendur tek familja, lidhjet fisnore kanë qenë shumë të forta.



Veshja çame

Sipas Faik Konicës, çdo krahinë përfaqësohet nga një kostum. Vizitorët e huaj që kanë shëtitur Shqipërinë e Poshtme, kanë mbetur të befasuar nga kostumet e bukura popullore shqiptare. Nuk mund të lihet pa përmendur Çajrëlli i cili në vitin 1880 ka qëndruar mes çamëve të Margëlliçit. Në përshrimet që ai i ka bërë kostumit kombëtar çam në librin e tij, e vë theksin tek kontrasti i ngjyrave, veçori kjo që e bën veshjen çame të duket edhe më madhështore.

Nisur nga kjo, në citimin e tij, shkruan: “Grupet piktoreske të malësorëve, kësulat e fustanellat e tyre, bënin kontrast me livadhin e gjelbër e me armët e tyre të çuditshme, që vezullonin në diell… Shqiptarët dalloheshin pikërisht nga këmishat e kollarisura, nga shkëlqimi i xhaketave dhe madhështia e brezave, në të cilat kamat e pistoletat ishin të vëna në një nemur të madh, që nuk dalloheshin dot.”

Por nuk mund të lihet pa përmendur përshkrimi që Pukëvili i bën veshjes çame dhe hijeshinë që kjo e fundit u jepte banorëve të krahinës: “…Udhëtari që do të shikojë ata çamë, që do të kenë shpëtuar nga sundimi feudal i sovranit të Janinës dhe një rënie mortaje, do të njohë me vështirësi ata burra të bukur, me ato qëndisma të bukura lara-lara të veshur me kostume të shkëlqyer dhe të ngarkuar me ar të çmueshëm, që ngjajnë sikur të ishin një koloni ushtarësh të Pirros, të pasur me plaçka të Trojës, që kanë zbarkuar sërish në Epir…”

Veshja shqiptare në Çamëri, ashtu si në mbarë viset shqiptare, nuk ishte gjithnjë një veshje uniform. Kostumet kombëtare, që kërkonin copa të shtrenjta dhe punim të hollë artistik, për shkak të gjendjes ekonomike, ishin në gjendje t’i përballonin vetëm klasat e pasura, bejlerët dhe agallarët e Paramithisë, të Margëlliçit, të Filatit, të Luaratit, të Konispolit, Prevezës, Pargës etj. Shtresat e ulëta nuk mund të përballonin një veshje të kushtueshme.



Këngët polifonike çame

Krijimtaria muzikore popullore e Çamërisë mbetet sa origjinale edhe krahinore, si edhe pjesë e trungut të repertorit muzikor tradicional shqiptar. Ndër të parët, shkrimatri Ismail Kadare, ka konstatuar se: “… në këngët popullore të Çamërisë vizatohet e plotë fuqia kolektive e një popullsie heroike, të talentuar, jashtëzakonisht vitale, të zgjuar, aktive dhe plot kolorit. Në to jepet jeta e tyre e përditshme dhe ditët e tyre e veçanta, gëzimet dhe hidhërimet e tyre, luftërat, vuajtjet dhe së fundmi, tragjedia e tyre e dhimbshme.’

Këngët popullore patriotike të Çamërisë zënë një vend të rëndësishëm në trashëgiminë shpirtërore të popullit shqiptar, duke i shndërruar ato në një lloj autobiografie të shkruajtur në vargje dhe tinguj. Në popull ato i gjejmë të përcaktuara edhe si këngë trimash, këngë burrërie, kapedanësh dhe kaçakësh. Këngët çame u këndohen trimave si: Abedin Dino, Rexhep Demi, Abedin Madan Muharremi.

Të krijuara nga rapsodët popullorë çam, nga përjetuesit dhe pjesmarrësit e drejtpërdrejtë të ngjarjeve historike, me qëllim që të përcjellin mesazhin e tyre, këto këngë vënë në dukje unitetin e popullit tonë.



Vallja çame

Në librin “Greqia” të Paul Hellander, citohet dinjiteti dhe krenaria e valles çame: “Vallja, shpeshherë karakterizon nuancat dhe natyrën e atyre që e kercejnë, dhe s’ka si të ndodhë ndryshe edhe në Çamëri, aty ku kërcehet vallja (çamiko) me një dinjitet dhe burrëri, thua sikur u ngjan maleve që ka përreth për nga madhështia.”

Një ndër vallet më të njohura është “Vallja e Osman Takës”, e cila është një valle tradicionale çame, me të gjithë elementet çame. Kërcehet me shumë elegancë. Ajo është valle epike, por brenda këtij epizmi ka një lirizëm, ka një lirshmëri që i tërë trupi kërcen në organikë me shpirtin e atij që e kërcen vallen, por edhe me ata që i bien veglave muzikore. Këtë valle e luajnë edhe grekët, maqedonasit, bullgarët, jugosllavët, por të gjithë e quajnë “Vallja e Osman Takës.”

Marrë nga: Instituti Për Studimet Çame.

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen