Mittwoch, 18. November 2015

Mazar Dino

Vëllezërit Nuri dhe Mazar Dino, janë patriotë dhe atdhetarë të shquar të lëvizjes për bashkimin kombëtar, pjesёmarrës dhe firmëtarë në shumë peticione e memorandume dërguar qeverisë greke për të drejtat e munguara të shqiptarëve të Çamërisë. Ata luajtën rol tepër patriotik në kohët më të vështira të Çamërisë, ndihmuan e ndërgjegjësuan me logjistikë, komunitetin e shqiptarëve të Çamërisë gjatë marrëveshjes së Lozanës, ku rrezikohej boshatisja e Çamërisë nga popullsia e saj, ku autoritetet greke të kohës, me anë të presioneve nga më çnjerëzoret, detyronin popullsinë vendase të braktiste trojet e saj për në Turqi.

Mazar Dino, jetoi prej vitit 1932 në Magnezi të Turqisë, vizitonte shpesh atdheun e tij. Me fillimin e pushtimit Italian (maj 1941 u vendos i ligjshëm në Paramithi, si udhëheqës politik suprem në Çamëri. (V. Krapsiti) Grupimi nacionalist, i cili vepronte në Çamëri gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe si platformë të tij, kishte “Bashkimin e Çamërisë me Shqipërinë”. Në dokumentet gjermane Nuri dhe Mazar Dino figurojnë si udhëheqës të forcave çame për vetëmbrojtjen e tokave të Çamërisë. Detyra e vetme e tyre, ka qenë mbajtja e rregullit dhe qetësisë në funksionin administrativ dhe ruajtja e popullsisë çame nga ndëshkimet e grekëve. (Niko Stilos)

Gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore luajti rol të rëndësishëm edhe lëvizja e
nacionalistëve çame, të cilët aspironin hapur bashkimin e Çamërisë me Shqipërinë. Këtë lëvizje e drejtonte Këshilli i Përgjithshëm i Mbrojtjes. Në krye të Këshillit për anën politike – administrative u zgjodh Mazar Dino, kurse nënkryetar i Këshillit të Përgjithshëm dhe drejtues i mbrojtjes së rendit u zgjodh i vëllai i tij, Nuri Dino. Këshilli Krahinor kryente në një farë mënyre detyrat e qeverisjes, siç ishin mbajtja e rregullit dhe qetësisë, zgjidhja e mosmarrëveshjeve, hapja e shkollave etj.

Marrëveshja e Libanit më 22 maj 1944 dhe më vonë marrëveshja e Kasertas më 26 shtator 1944, lejuan Zervën të kishte nën kontroll Epirin nga Preveza e lartë. Kështu fati i Çamërisë mbeti plotësisht në Duart e Zervës. Në këtë kohë, i vëllai i Mazarit, Nuri Dino i bëri një letër Shefqet Peçit, të cilit i bënte thirrje në emër të nacionalizmit: “Mjaft u bëmë heronj e dëshmorë duke luftuar njëri- tjetrin. Ka ardhur koha të bashkohemi për hir të Shqiperisë”.

Në Çamëri, myftinjtë ishin të vetmit përfaqësues të komunitetit çam në shtetin grek, këta ishin nëpunës civil grekë, sipas një përfaqësuesi shqiptar, Myftiu merrte një rrogë prej 18000 dhrahmi (Rrogë shumë e madhe, shën. im) nga autoritet helenike. Këta u kthyen në agjentë të mundshëm, të bashkëpunimit me shtetin grek që prej viteve ‘20. Një numër korrespodentë në rrethet patriotike shqiptare, akuzonin elitën e myftinjve për informacione keqdashëse, se gjoja çamët dëshironin të shkëmbeheshin dhe të emigronin në Turqi, se atje do të merrnin pallate dhe do të bëheshin shumë të pasur, ndërsa po të qëndronin këtu, do të vriteshin nga greku. (“Zëri i Çamërisë” nga Georgia Kretski , mars 2015).

Për të mënjanuar rrezikun zervist, që i kanosej Çamërisë, dhe për të realizuar aspiratat e tjera të tyre, nacionalistët çamë bënë përpjekje për t’u lidhur me Shtabin Aleat të Mesdheut. Nuri Dino, si përfaqësues i Këshillit i paraqiti Shtabit Aleat kërkesën që edhe fuqia e kryesuar prej tij, të vihej në krah të Lidhjes, me kusht që kjo lidhje të bëhej dorëzënëse për të ardhmen e Çamërisë. Sipas raporteve, gjermanët vërenin se ky grup (nacionalistët) ishte gati të lidhej me këdo, mjaft që të arrinte të bashkonte Çamërinë me Shqipërinë.

I ndodhur përpara masakrave çnjerëzore të gjeneral Zervës kundër popullsisë civile, Nuri Dino, si përfaqësues i Këshillit, parashtroi para tij kërkesën për dëbimin e pakicës grek- folëse brenda shtetit shqiptar dhe vendosjen në fshatrat e tyre të çamëve mysliman, që ndodheshin në shtetin grekë, por ky propozim i tij nuk u mor parasysh. Këshilli ishte njoftuar për grackën e përgatitur nga grekët, pasi Zerva kishte thënë: “Çamërve duhet t’u afrohemi dhe t’i marrim me të mirë, që të mos na ikin nga duart, derisa të zëmë kufirin. Pasi t’i kemi mbyllur si në vathë, jo vetëm nga njerëzit që nuk do lëmë njeri në këmbë, po do të shkojmë në thikë edhe macet e tyre”. Brenda datës 10 qershor 1944, erdhën shumë informata që njoftonin, se grekët u afruan tek dera dhe kanë vendosur të na shuajnë.

U vendosën dy kundërshtarët kryesorë: Myftitë, Hasan Abdullahu, Sali Hafizi, Hafiz Abdulla Himi, Abedin Dako etj, që ngulmonin për të mos u shpërngulur dhe Mazar Dino, nga ana tjetër, që këshillonte zhvendosjen përkohësisht, të paktën në fshatrat më në thellësi dhe të mbrojtur, si Mazreku, Kurtesi etj. Meqë askush nuk lëshoi pe, Mazari u tha: -Ju, bëni haptazi punën e grekut, por një punë edhe më të rrezikshme, që s’e bëjnë as vetë grekët. Myftiu iu përgjigj: -Ti, po e pe keq, kërcet e ikën, po populli s’ka nga vete. Kam 31 vjet që kam vazhduar këtë udhë vetëm dhe vetëm për të shpëtuar njerëzit nga therja dhe zhdukja. Këshilli arrestoi Myftinë dhe disa nga mbështetësit e tij më të rëndësishëm në tërë Çamërinë, si: Qazim Rexhepi nga Paramithia, Isuf Izeti nga Varfanji, Shuaip Mete nga Filait etj. Pati ndërhyrje te komandanti gjerman, i cili detyroi këshillin t’i lëshonte të burgosurit. Çdo ditë që kalonte, mendimet për të ikur shtoheshin dhe për të ndaluar shpërnguljen u Përdor dinakëria greke. U ftuan në takim myftiu i Paramethisë Hasan Abdullai, Sali Hafëzi dhe Qazim Rexhepi. Takimi u bë në fshatin Popovë, afër Paramithisë. Pala greke kryesohej nga Lefter Shtrungari dhe dy oficer anglezë, që bashkëvepronin me Zervën. Se çfarë u tha, nuk u bë e njohur asgjë, vetëm përflitej për kërkesat e palës greke si: Njerëzia të mos ikë! Ju japim fjalën e nderit, se nuk preket kush as me një lule. Myftitë, si agjenta grekë, besuan në “fjalën e nderit” të tyre, por Mazari u tha: “Në qafë paçi veten! Por ç’faj kanë të tjerët”. Kur u pa se forcat zerviste po afroheshin, luftëtarët e batalionit kishin zënë pozicionet e luftimi dhe kishte filluar lufta në disa pika. Në këtë moment, myftinjtë me peshkop Dorothenë e Paramithisë shkuan në pozicjonet e luftëtarëve për të ndaluar rezistencën. Fjala e Myftive ka qënë vulë zbatimi, urdhër: “Ndaloni luftën në emërin tim dhe të Zotit, duam paqen, na kanë dhënë fjalën e nderit, do jetojmë në vllazëri, largohuni nga pozicionet shkoni në shtëpi”. Në dilemën e luftëtarëve, midis Myftinjve dhe Mazar e Nuri Dinos, fitoi besimi nga miopia e myslimanëve çam, te myftinjtë dhe të pabesët, ku dominonte paraja, korupsioni, që pas disa orëve do t’u pritej koka. Te “Masakra”, Pukëvili, thotë “Kush mposhtet nga dëshira që të ndodhë ashtu si i pëlqen atij, e lejon veten të gënjehet”.

Mazar Dino në fillim të vitit 1945, ishte kthyer nga Jugosllavia. Meqenëse shumë shqiptarëve u kishte shpëtuar jetën dhe ishte mik personal me Dr. Omer Nishanin, i vajti atij në shtëpi për ta ndihmuar, që të mos i bënte gjë Enver Hoxha. Dr. Omer Nishani u tregua burrë dhe i tha: “Nuk të ndihmoj dot në këtë situatë të rëndë që është krijuar. Më mirë largohu nga Shqipëria”. Por Mazari kishte shkuar te miku i tij Isuf Musaj në Shijak dhe në banesën e tij e arrestuan. Në kohën që Mazarin po e çonin për ta varur te rrapi në Delvinë, rrugës i binin me domate, me vezë, me sharje nga më të poshtrat. Pra, një opinion i organizuar me një dezinformim për “tradhtarin” Mazar Dino. Në kohën para varjes ai tha:”Nuk më vjen keq që më ekzekutojnë vëllezërit e mi shqiptarë. Të më vriste greku do të më vinte shumë herë më keq” Mazari nuk pranoi t’i mbulonin sytë dhe t’i hiqnin stolin nga këmbët, por e hoqi vetë duke i rënë me këmbë. Mazar Dino u ekzekutua në shtator të vitit 1945.

Ashtu si edhe në momentet më të vështira për kombin shqiptar edhe gjatë Luftёs së Dytë Botërore, një kontribut të rëndësishëm kanë dhënë anёtarët e familjes Dino. Të ndodhur përball dy rreziqeve, shovinizmit grekë dhe Myftinjve tradhtarë të Paramithisë dhe nazi – fashizmit nga ana tjetër, ata u përpoqën që me të gjitha mënyrat dhe mjetet e mundshme, t’i shërbejnë vendit të tyre. Si interes të tyre primar kishin vendosur gjithmonë çështjen kombëtare dhe për këtë zgjedhje të tyre, ata shpesh herë edhe pa të drejtë janë cilësuar si tradhtarë e bashkëpunëtor me pushtuesin. “Bashkëpunimi i tyre në momente të caktuara me italianët dhe gjermanët e kishte burimin në shtypjen e rëndë nacionale nga shteti grek. Por si mund të cilësohet tradhtar dikush, që mbi gjithçka vendos kombin e lirinë e vendit të vetë, të cilën mundohet ta fitojë me çdo mënyrë. Në qoftë se këta persona i quajmë tradhtar atëherë ç’emër mund t’u vinim tradhtarëve të vërtet”. (Fatbardha Demi)
______________________
Huazuar nga pashtriku.org

1 Kommentar:

  1. Isuf musai jetonte ne Tirane te rruga e Kavajes dhe jo ne shijak. Me sa me kane treguar Omer nishani i dha fjalen se nuk do ti behej gje dhe s a mberriti ne shtepi e arrestuan forcat partizane. Mazari 6 muaj ka ndejtur ne burg ne tirane pastaj e cuan ne delvine dhe e varen per ti bere qejfin grekut dhe anglezit sipas marreveshje qe kishin

    AntwortenLöschen