Samstag, 10. Juni 2017

"Flamuri i Shqipërisë". kundër aneksimit të Epirit

Gazeta politike e shoqërore, organ kombetar i shqiptareve te Rumanise, me 1 qershor 1916, kishte botuar nje shkrim te gazetarit te njohur amerikan Anthony Arnoux, i cili i bente nje veshtrim kritik aneksimit te Epirit nga ana e shtetit grek. Nga permbajtja e tekstit, shihet se sa ishte thelluar autori ne argumentimin e padrejtesise se shtetit grek kur e kishte pushtuar dhe aneksuar Epirin. Autori thekson padrejtesine e aneksimit, duke argumentuar nga aspekte historike, politike, etnike e juridike. Ai verene se Evropa po e toleron aneksimin per hire  te njefar sentimenti te pakuptimte ndaj kultures antike helene, por qe greket e tashem nuk jane pasardhes te heleneve te antikes, vecse jane gjak sllavi i perzier me ate te pushtuesve tjere qe gjate historise kane sunduar mbi Greqine. Epiri kurre nuk ka qene Greqi, as nga lidhjet politike as etnike. Bene verejtje, perse fuqite e medha po e tolerojne Greqine te shkele te drejten nderkombtare duke aneksuar Epirin. Teksti i botuar ne gazeten „Flamuri i Shqiperise“, ne te folmen e asaj kohe, eshte paksa  veshtire te kuptohet nga lexuesit e tashem, por cmoj se ia vlene te botohet e lexohet, per permbajtjen konstruktive ne mbrojtje te argumentuar te te drejtes se Shqiperise mbi Epirin, dhe natyrisht Camerine ne kuader te saj.

Ketu ma poshte, lexonie artikullin e gazetarit Anthony Aroux, botuar ne gazeten „Flamuri i Shqiperise“, e cila botohej ne Konstance, tri here ne muaj, me moton: „Kudo qe vete, kudo qe te jesh, mendjen per Shqiperine ta kesh“.



TË ANEKSUARIT E SHQIPËRISË SË JUGËS PREJ GREQISË

Prej Anthony Arnoux

Kritikonjës militar i “Boston Jurnal”, zhurnalist europiean prej shumë kohe kritikonjës military
 – Një nga parëpunëtorët në “Daylly Mail” dhe “Temps” të Parisit dhe kontributor në “L’indipentencen Belge”.

Kujtojmë se është e tepër të shtojmë gjë për rëndësinë e këtij shkrimtari, që ka punuar dhe punon në gazetat më të mëdha të botës. Andaj këndoni me vërejtje (vemendje,a.f.) këtë artikull.

Tani shpejt kabllot  e Evropës na lajmëruan se greku, duke përfituar nga lufta dhe shtrënga që mbretëron aty, ndryshoi pushtimin military të Shqipërisë së Jugës, që ka mbajtur prej ca kohe me anën e aneksatës. Greqia prej shumë kohe ka treguar me të tepërtë ç’mund të thuhet si  një uri e pangopur për vend, një dëshirë të pa rreshtur për të zgjeruarit e tokës së vet nëpër gjithë anët dhe ka lëftuar dy here për të mbushur dëshirat e saja. Lufa e pare s’qëllon kaq mire, por fitoi shumë vise në Evropë më të dytën, me gjithë që me këtë kohë shtonte borxhin e saj dhe përfundja është që sot, me gjithë që ka fituar vise, Greqia në praktikë ka dhënë falimenton, edhe në qoftë se janë të vërteta lajmet e ardhura për të se s’është e zonja t’u dale të priturave të qeverisë së vet.

Por me gjithë kushtet e dobëta financiare, dëshira e Greqisë për të marrë vise mbetet po ajo, dhe ajo po vazhdon të ëndërrojë me gjithë zemër ditën kur se ajo do të jetë fuqi e madhe e Evropës nga Jugëlindja, një imperatori që do të zgjatet nga bregdetet e Adriatikut, gjer në Det të Zi, duke patur dhe buzdetin e Asiës nga Mesdheun.

Evropa simpatizon këto ambicie gjer më një shkalllë, duke përzjerë gabimisht grekërit e sotmë me të partë, të cilët dallojnë fare me grekërit sllavë, që rrinë sot në Hellas. Përveç kësaj, e ushqyer fort mirë dhe e bërë hesap me vërejtje (vemendje,a.f.) të madhe, më shumë nga ana e fesë kundra ndenjësvet muslimanë të Turqisë dhe Asiës së Vogël ka ndihmuar grekërit për të fituar simpatinë e perëndimit.

Me që konditat e sotme të Evropës s’janë si kudo, favorabile për të zgjenuarit nga ana e lindjes, Greqia u vërtit nga Veriu, ku mundesh të ngopë urinë e pa nginjur për aneksimin e Shqipërisë së Jugës.

Edhe nga pikëpamja e historiës, pretensioni i Greqisë mbi këtë vend s’ka themel. Grekërit i shikonin ndenjësit e Epirit, që u quajt prej syresh herën e parë kësisoji, si gjysmë barbarë. Lidhjet politike të vetme midis Epirit dhe Greqisë janë disa koloni të hershme si Ambracia, kolonia e Korinthit, që u filluar në viset e Epirit, edhe të pranuarit e Dodonës si vendi i shenjtë i fesë greke.Por që në kohët e vjetëra këto lidhje u çanë, edhe që më 450 pr.K, epirotët nën dinastinë e Mollosëve, ishin një më vehte (independent), me një politikë të shquar (distinkte) edhe shumë herë ishin kundra grekëvet, kjo mbajti gjer sa romanët u bënë plotësisht të zotët e vendit, më 195 pr.K. Që atëherë, Epiri u bë një krahinë romane, gjer sa u prish kjo mbretërië. Si shkoi nënë shumë duar, më në fund, unji kryen nënë turkun gjer më ditët e fundit. Me gjithkëtë kohë, 2250 vjet, Epiri s’ishte lidhur kurrë politikërisht me Greqinë.

Nga ana e kombësisë (lidhja) midis Greqisë dhe Epirit është më e dobëtë se sa e historiës dhe politikës. Përsa i përket nëse grekërit e parë dhe epirotët kanë afërsi nga raca, është jashtë logjikës. Grekërit e sotmë kanë kaqë marrëdhënje me grekërit e kohës së Perikliut, sa inglizi i sotëm me ndenjësin e ingleterës në kohën e pushtimit të romës. Si Inglitera edhe Greqia këto 2000 vitet e fundit janë shkelur prej dallgësh që vinin njëra pas tjetrës, prej pushtonjësvet, gjer sa ndenjësit e parë u shuan më  shumë se sa banonjësit e parë të albionit. Përfundimi i kësaj është se, me që ka  më shumë nga pushtonjësit e shekujve të fundit, greku i sotmë është më shumë sllav nga gjaku.

Epirotët s’kanë qenë kurrë nën influencë ndryshim-prurëse racore gjer më atë shkallë. Me që, nga njëra anë kanë qenë hequr dhe vendi i tyre s’ka qenë i pasur që të heqë lakminë e fitimtarit për një vend kaq të larkmë, nga tjetra anë, ka rrëfyer një kundërshtim më të madh në racëthëthimin. Andaj greku dhe epiroti i sotmë s’ka ndonjë lidhje kombiare. Kësisoji, pra Greku s’ka të drejtë të aneksojë Epirin as nga ana e historiës, as e kombësisë. As që mundet qeveria greke të mbahet plotësisht duke thënë se nevojat militare e ngutnë me këtë gjë, me që në asnjë mënyrë pushtimi i Epirit s’bën frontin e V. (veriut,a.f.)më të lehtë ose më të sigurt për mbrojtjet; e kundërta ngjanë më shumë.

Kështu, pra merret vesh që, kjo aneksatë lipset të gjykohet si një lëshim i grekut në passion të vet për të fituarit e më shumë tokave, vetëm për të marrë më shumë vend pa marrë nër sy vleftën e këtij vëndi vetvetiu mbase merret, ose të mos nderuarit të drejtat e pa dyshuarshme të të tjerëve edhe të rregullave më elementare të nomit ndërkombëtar.
Por çështja është më e rëndë kundra grekut, sa për aneksatën e Shqipërisë së Jugës, e po të mos shkeleshin principet e përgjithshme dhe të pa shkrojtura, me që veprimi i saj është kundra, drejtpërdrejt dhe fare sheshit tratatevet, të cilat u formuan nënë ato cirkumstancat më të  rëndësishme dhe të mbajtura prej saj gjer në kohën kur ajo pushtoi dhe ankesati Epirin.

Kur u ndreq puna e Ballkanit në Londër nënë udhëheqjen e Fuqivet të Mëdha, u krijua ajo gjendje politike, që u quajt Shqipëri si një shtet independent e i paisur me gjithë funksionet e duhura të një Qeverie. Mbi këtë fuqitë dhanë fjalën në mes të tyre, sa mund të mbajnë këtë shtet të rishkrijuar independent, e t’a ruajnë nga mësymjet e hueja. Mbretëria e Greqisë vuri dorën në këtë tratat dhe duke shkelur këtë aneksati Epirin, një vend të Shqipërisë.

Pyetja, pra më e rëndësishme sot, për shqiptarët dhe miqtë e Shqipërisë është se me ç’sy do t’a shikojnë këtë veprim Fuqitë e Mëdha dhe ç’veprim do të marrin, në kanë për të marrë, që të mbajnë fjalën e tyre zyrtare kundrejt Shqipërisë?

Duket sheshazi që hë për hë ç’do veprim i përbashkët ose i veçantë prej fuqive është jashtë çështjes, me që janë zënë në lufën në të cilën të gjitha kanë marrë pjesë. Por kjo luftë s’do të mbajë gjithënjë, edhe atëherë kur fuqitë do të kenë kohën të shikojnë rrotur, do të vepërojnë me një mënyrë të sigurtë dhe do ta bëjnë grekun ta lëshojë Epirin. Më duket e kotë që të mendoj njeriu ndryshe, se atëherë do të besoja që gjithë Fuqitë e Evropës do ta shndërronin vehten, gjë që s’duhet zënë gojësh.

Disa vërejtës, me gjithkëto, thonë se Greqia aneksoi Epirin mbase me lejen e Britanisë dhe të Francës, duke pranuar Greqia këtë si një shpërblim të visevet që kanë zaptuar këto dy fuqi nga ajo. Por kjo s’mund të merret nër sy dhe s’ka kah të mbahet, me që këto dy fuqi shpesh herë kanë prokllamuar se kanë marrë pjesë në luftë që të detyrojnë të tjerët të nderojnë detyrat e tratateve, kësisoj pra s’mund të pandehim kaqë lehtazi se  ndonjë anë s’ka për të mbajtur një tratat me të cilën është detyruar vet…”
“Flamur i Shqipërisp”, Konstancë, 1 qershor 1916.
Autor: Anthony Arnoux”
(Shkrimin e autorit Anthony Arnout, për këtë botim, e morëm nga libri i Hajredin Isufit: “Çamëria nepërmjet kronikave të kohës 1902-1940”, fq.205-208).

                          Adil FETAHU

Montag, 15. Mai 2017

Çamëria - fidanishte e figurave të shquara

Mirela Kondi: Figura të shquara të Çamërisë, Tiranë, 2016

Shkruan: Adil FETAHU

Epiri dhe Çamëria, kjo krahinë më vitale e kombit tonë, gjatë historisë së bujshme të saj e deri në rilindjen e vonshme,  i ka dhënë kombit, po edhe Greqisë, Ballkanit, perandorive të kohës (Osmane, Bizantine, Romake), Evropës dhe Botës, dinasti e personalitete spikatura të strategjisë së luftës, të  fushës së arsimit, shkencës, artit, kulturës, fesë. Vështirë se mund të gjeni një vend e shembull tjetër në botë që, në proporcion me territorin dhe numrin e popullsisë, t’i ketë dhënë kombit e njerëzimit kaq shumë figura të shquara të fushave të ndryshme. Në nderim të atyre figurave, zonja Mirela Kondi, si një bletë punëtore, ka vjelë e mbledhë të dhëna historike, të një periudhe të gjatë kohore, për të kompletuar biografitë e 56  nga ato personalitete dhe u ka ofruar lexuesve në librin e saj me titull: “Figura të shquara të Çamërisë”.

Pas fjalës së redaktorit (Arben Kondit), libri fillon me prezantimin historik të biografisë së Mbretëreshës Olimpia, një nga gratë më të shquara e më të bukura të botës antike, e lindur në vitin 375 para epokës së re, prej familjes së fisit të Aikaidëve të Epirit, me rrënjë pellazge të Akilit legjendar. Nga martesa e saj me Filipin II, u lindën dy fëmijë: Aleksandri i Madh (ai nuk lindi i madh, por u bë i Madh) dhe Kleopatra. Olimpia mbeti në histori e njohur jo vetëm si nëna e Aleksandrit të Madh, por edhe si grua epirote e ngritur në fronin mbretëror. Libri vazhdon me Aleksandër Molosin, vllain e Olimpisë, i cili e zgjëroi mbetërinë e Molosve, me qendër në Dodonën e lashtë. Nën udhëheqjen e Pirros, Epiri arriti pikën më të lartë të lulëzimit ndër shekuj. Ai krijoi mbretërinë e tij, si një federatë e tre fiseve më të njohura ilire: molosve, kaonëve e thesprotëve.  Sot shumica e njerëzve për Pirron dinë vetëm nga thënia: “Fitore e Pirros”, por pakkush e di se si ka mbetur ajo thënie. Në vitin 280 p.e.r, në betejën e Erakleas dhe Askulit, Pirro doli fitimtar mbi ushtrinë romake dyherë më të madhe, por aty humbi aq shumë ushtarë e oficerë, sa që klithi: “Edhe një betejë (fitore) tjetër si kjo, dhe më duhet të kthehem në Epir”! Çamëria dhe Epiri kanë dhënë edhe shumë strategë luftarakë e komandantë trima, heronjë, në luftërat për lirinë dhe bashkimin kombëtar, por edhe për çlirimin e të tjerëve, në rend të parë për çlirimin e Greqisë. Mirëpo, ka pasur edhe mercenarë të rryer, të cilët janë ftuar në luftëra të ndryshme, për llogari të shteteve të kohës nëpër Evropë: Itali, Francë, Gjermani, Spanjë, që në ato beteja kanë korrë fitore mahnitëse, por edhe i kanë lënë kockat e ushtarëve të vet, si puna e Pirros, Merkur Bue Shpatës etj. 

Është e pamundur që në një vështrim si ky, të pasqyrohen të gjitha të bëmat dhe kontributi i personazheve të shumtë të librit. Cilin ta veçosh nga ata princa, ata strategë, luftëtarë trima e heronjë, duke filluar nga princër e luftëtarë: Pirro i Epirit,  Pjetër Losha, Gjin  Bue Shpata (për këtë princ e luftëtar të shquar,shkrimtari Arben Kondi ka shkruar e botuar romanin historik: Gjin Bue Shpata), Merkur Bua Shpata, Gjon Zenevishti, Dionis Filozofi, Gjergj Karaiskaqi, Ibrahim Pasha, Marko Boçari, Odhise Andruco, Haxhi Mehmet Dalani,  Muharrem e Haki Rushiti, Osman Taka, Daje Sako, Merrushe Nelo, Aziz Çami, Daut Hoxha, Rexho Plaku, Teme Sejko. Epiri i ka dhënë njerëzimit jo vetëm mbretër, princa e luftëtarë të njohur, po edhe klerikë të rangut më të  lartë, si Shën Eleuteri, Mihal Artioti, Dionis Filozofi (edhe klerik edhe prijës kryengritjesh), Atenagora i Parë. Gjithashtu, ka dhënë  figura brilante të arsimit, shkencës, artit e kulturës: Mihal Artioti, Muhamet Kyçyku-Çami, Haxhi Murat Çami, Mihal Anagnosti, Hasan Tahsini, Elena Gjika, Abedin, Rasih, Ali e Arif Dino, Rexhep e Musa Demi, Kolë Idromeni, Faik Konica, Abaz Dojaka, Niko Stilo, Bilal Xhaferri, etj.

Principata e Artës e princit Pjetër Losha shtrihej prej gjirokastre deri në Korinth. Në aleancë me princin Gjin Bue Shpata, në vitin 1358 e mundën ushtrinë bizantine të princit serb Niçifori II, në betejën e Akaleut, në të cilën u vra edhe vet princi serb. Gjin Bue Shpata ishte princi më i zoti, që zotëroi hapësirat më të mëdha të Epirit, përveç Janinës ku sundonte shqiptarovrasësi Toma Preluboviq, i cili ishte në aleancë me ushrinë osmane në luftë kundër princërve shqiptarë. Ai tiran ia kishte dërguar Gjin Bue Shpatës shportën me sytë e nxjerrur e vëshët e prerë të fëmijëve shqiptarë! Gjon Zenevishti, sundimtar i Principatës e cila shtrihej prej Gjirokastre në Luginën e Drinos dhe Delvinës. Ishte dhëndër dhe besnik i Gjin Bua Shpatës. Merkur Bua Shpata, fitoi beteja, tituj e shpërblime, me ushtrinë e tij të rryer në luftëra (stratiotët, mercenarë), sa herë u ftua për t’i ndihmuar në luftë Vendikut, Spanjës, Francës, Gjermanisë, gjithmonë doli fitues. I ftuar nga Franca, në vitin 1515 e theu ushtrinë zvicërane, e cila prej 1500 vjetësh nuk kishte njohur disfatë! Ibrahim Pasha, vezir i lartë e komandant sprem i ushtrisë osmane (i martuar me motrën e sultan Sulejmanit), e pushtoi Beogradin, Budapestin e Rodosin. Në vakëfet e tij në Bullgari (Razgrad), në tri fshatra janë vendosur ortodoks të Çamërisë, të cilët edhe sot e flasin “çamërishten”. Donis Filozofi, peshkop i Thesalisë, nxiti dy kryengritje të mëdha të shqiptarëve kundër osmanëve. Kur ushtria osmane e shtypi kryengritjen e dytë, zuri peshkopin, e rjepi për së gjalli dhe lëkurën e tij të mbushur me kashtë, bashkë me kokat e 200 kryengritësve ia dërgoi mbretit në Stamboll (asokohe osmanët masën e  suksesit të betejës e llogaritnin me numrin e kokave të prera)! Haxhi Mehmet Dalani nga Konispoli u bë guvernator i Libanit (1826) dhe si strateg ushtarak, me 800 kalorës e 3 anije luftoi për çlirimin prej Perandorisë osmane. Marko Boçari, kapiteni suliot, komandant i përgjithshëm, strateg e hero i revolucionit për çlirimin e Greqisë (1821), për artin ushtarak u edukua dhe aftësua në oborrin e Ali Pashë Tepelenës. Për këtë trim suliot është shkruar shumë (edhe shkrimtari Arben Kondi për këtë ka shkrua romanin historik: “Vrasja e dytë e Marko Boçarit”). Arben Rakipi, në një shkrim të vetin, me apo pa të drejtë (?) Boçarin e cilëson si vrasës të shqiptarëve myslimanë.  Marko Boçari u vra (1823) në luftë kundër ushtrisë së pashait të Shkodrës (Mustafë Pashë Bushatlia).  Odhise Andruco që i qëndroi besnik Ali Pashë Tepelenës më tepër se dy djemtë e pashait, dhe që në vitin 1824 luajti rol vendimtar në çlirimin e Athinës, por që në fund e vranë autoritetet greke, në mënyrën më mizore. Gjergj Karaiskaqi, që ishte zënë rob nga ushtria e Ali Pashës, u vu në shërbim të tij dhe i mbeti besnik pashait deri në fund, dhe bashkë me Andrucon si komandant luftoi për çlirimin e Greqisë, por Asambleja greke ia hoqi të gjitha postet dhe gradat, dhe vdiq nga plagosja në rrethana të dyshimta në betejën e Akropolit. Muharrem Rushiti ishte simbol i trimërisë dhe zgjuarsisë, i cili prej vitit 1902-1920 udhëhoqi njëqint beteja, kundër pushtuesit osman dhe andartëve grekë, në të cilat mori 12 plagë në trup (e quanin Isa Boletini i Çamërisë). Alush Take, bashkëluftëtar me Muharrem Rushitin, tërë jetën dhe pasurinë i vuri në shërbim të atdheut; ai i furnizonte me armë dhe i mbante me shpenzime të veta mbi 300 ushtarë. Daut Hoxha, i cili luftoi 27 vjet rresht, ishte tmerr për andartët grekë, sa që prefekti grek i Paramithisë i kishte thënë Jori Sulit: nëse djali i tij Koço, që ishte në çetën e Dautit Hoxhës, do ta vriste Dautin, qeveria do ta bënte kolonel e do t’i jepte të holla të shkojë e ta kalojë tërë jetën në Athinë, por Jori ishte përgjegjur: “Nëse ime shoqe Koçon e ka me mua, ai nuk vret Dautin, edhe sikur t’ia jepni tërë Greqinë dhe ta vëni në fronin e mbretit”. Kishte edhe shumë luftëtarë trima tjerë të Çamërisë, të cilët luftuan kundër pushtuesit osman, kundër bandave greke, por edhe kundër pushtuesve italian e gjerman; si oficeri  artilerisë komandanti Haki Rushiti, i cili pastaj kaloi në grupimin e Ballit Kombëtar, apo komandanti Rexho Plaku, i cili në kohën e komunizmit vuajti 33 vjet burgim, bashkë me shumë çamër tjerë. Në luftë kundër bandave greke, bashkë me trimat e Muharrem Rushitit morën pjesë edhe femra çame: Daje Sako, Merrushe Nelo etj.

Çamëria i ka dhënë edhe krishterizmit figura të shquara. Papa i trembëdhjetë me radhë ishte Shën Eleuteri,  papa i parë me origjinë shqiptare, nga Nikopoja e Çamërisë, i cili përhapi krishtërizmin deri në Angli. Sipas disa të dhënave, ai qëndroi në fron dhe kreu me sukses detyrën e papës 15 vjet (175-189), në një kohë të vështirë të luftës së kristianizmit me paganizmin. Shën Donati ishte një tjetër shenjëtor çam i Paramithisë (shekulli IV e.r.) i cili, pas mbarimit të studimeve në Butrint,  gjithë jetën shërbeu me titullin e peshkopit të dioqezës së Çamërisë. Për nderë të tij, qytetin e Paramithisë populli e quante Ajdonat. Mihal Artioti, nga qyteti i Artës, ishte një nga viganët e mendimit humanist të Rilindjes Europiane. I ftuar nga Cari rus (1515), përktheu librat e shenjtë nga greqishtja në rusisht. Ishte humanisti i parë në Rusi, që hapi shkollë humaniste italiane dhe shtypshkronjën e parë të rregullt. Për shkak të qëndrimit liberal ndaj fesë, u akuzua si heretik dhe qëndroi njëzet vjet i izoluar në një manastir. Ka më se 150 tituj vepra e punime të botuara në tema filozofike, etike e pedagogjike. 

Në periudhën e Rilindjes, nga Çamëria dolën personalitete të spikatura të shkencës, artit, kulturës, arsimit. Çdo komb do të krenohej ta kishte të vetin Hasan Tahsinin, të cilin mund ta quajmë kryerilindas i Evropës. Lindi në Ninat (1811). Si nxënës i medresës i kishte mahnitur mësuesit dhe nxënësit me zgjuarsinë e tij, dhe aty mori epitetin “Tahsin” (i shkëlqyeshëm), të cilin e mbajti dhe arsyetoi me meritë tërë jetën. Në Paris e Sorbonë qëndroi me studime e punë 12 vjet, ku doktoroi për shkencat fizike e natyrore. U emërua rektor i parë i Universitetit të Stambollit, por për shkak të pikëpamjeve liberale e demokratike u etiketua si “kaur” (pa fe) dhe u shkarkua nga posti i rektorit. Në institutin (medresën) që themeloi, nxënës-student të tij ishin: Pashko Vasa, Ismail Qemali, Konstandin Kristoforidhi, Jani Vreto, Sami e Abdyl Frashëri etj, të cilët i njohim si rilindas të spikatur të çështjes kombëtare. Burimet turke e kanë quajtur – njeriu më i ditur i kohës në Stamboll, ndërsa Sami Frashëri thoshte: “Njeri si Hoxhë Tasini i vjen Shqipërisë një herë në 1000 vjet”. Kur lexon për  Hasan Tahsinin, leximin duhet ta bësh me dorë në zemër, nga respekti për te, atëherë, sot e mot. Mihal Artioti, klerik e dijetar i shquar poliedrik. Muhamet Kyçyku-Çami, një arsimdashës, mësues, shkrimtar, përkthyes, autorë i shumë veprave. Poema e tij “Erveheja” (e përkthyer nga gjuha arabe) ishte lektyrë shkollore deri në ditët tona. Elena Gjika (Dora D’Istria), nga familja Gjika, me rrënjë nga Parga, nga udhëtimet, shkrimet dhe letërkëmbimet me personalitet më të njohura të kohës, u bë ambasadore e shquar e çështjes shqiptare. Ajo cilësohej si  njëra nga gjashtë gratë më të famshme të shekullit XIX. Abedin Dino, ministër i punëve të jashtme në Perandorinë Osmane, u angazhua që Çamëria të mos i shkëputej Shqipërisë, ka shkruar, përkthyer e botuar vepra të ndryshme. Osman Taka,  në saje të artit të valles “çamika” që luajti para valiut, shpëtoi nga dënimi me varje! Tahir Mete, përfaqësues i Çamërisë në Kuvendin e Lidhjes së Prizrenit, punoi për hapjen e shkollave dhe organizimin e shoqërive kulturore. Rexhep Demi gjithë jetën e shkriu për shkollën shqipe, mblodhi ndihma edhe për Normalen e Elbasanit. Sheh Sabri Preveza, në shkollat turke u mësonte nxënësve fshehurazi edhe shqipen. Kolë Idromeni ishte piktor duarartë. Faik Konica cilësohet si një ndër njerëzit më të ditur në kulturën shqiptare në kohën e tij, të cilin Noli e quante: “bibliotekë lëvizëse”. Tërë veprimtarinë e tij diplomatike e publicistike ia kushtoi çështjes kombëtare. Musa Demi, mësuesi i parë në shkollën e Filatit. Spiro Çalluka, avokat e intelektual i nivelit të lartë, mik i Ismail Qemalit, Nolit e Hasan Prishtinës. Ali Dino, piktor dhe një nga karikaturistët më të mirë në Evropë. Arif Dino poet, aktor, regjisor, skenograf, përkthyes i njohur në Turqi e Greqi, e shumë të tjerë e tjerë. Për të mësuar më shumë për jetën dhe veprat e të gjitha këtyre personaliteteve,  lexonie librin e Mirela Kondit “Figura të shquara të Çamërisë”.

Të gjithë ata princa, ata ushtarakë, dijetarë, filozofë, klerikë, ishin personalitete të njohura e të respektuara, të cilët lan gjurmë të pashlyeshme në shkallë kombëtare e ndërkombëtare, në kohë e  hapësirë dhe në rrethana të ndryshme. Shqiptarët në përgjithësi, dhe çamërit në veçanti, ishin populli më aktiv në luftën kundër pushtuesit osman, por ata kishin arritur suksese të admirueshme edhe në fushën e arsimit, shkencës, artit e kulturës. Ata sakrifikuan pasurinë dhe jetën, e për këto meritojnë lavdinë e përjetshme.

Me librin e saj, “Figura të shquara të Çamërisë”, Mirela Kondi ka kryer një akt simbolik të kujtimit dhe respektit për ato personalitete që janë për krenari. Po, përmes asaj galerie figurash të shquara, autorja ka paraqitur një mozaik procesesh e ngjarjesh të historisë së Çamërisë e më gjërë, në një periudhë të gjatë kohore. Leximi i librit “Figura të shquara të Çamërisë”, të krijon një ndjenje respekti për ato figura dhe krenarie që ato i përkasin kombit tonë dhe gjith përparimit të njerëzimit në fusha të ndryshme.

Ky është libri i dytë i Mirela Kondit, krejt i ndryshëm nga libri i parë, që ishte libër i lëmit të kulinarisë: “Kuzhina çame”, por që tregon se autorja është denjësisht e lidhur për trevën e Çamërisë. Sikur e thotë vet autorja, libri është një “sprovë historike-letrare…”, vazhdimin e së cilës e paralajmëron në fund të librit, sepse ka edhe shumë figura tjera të cilat meritojnë të kujtohen e të mos harrohen. Për hartimin e librit ka shfrytëzuar një bibliografi të pasur, prej afro 150 njësi bibliografike. Libri është shkruar me një gjuhë të pastër e stil të qartë e të rrjedhshëm, e me përdorimin aty-këtu të ndonjë shprehje karakteristike të çamërishtës, asaj “gluhe” e të folme të ëmbël, për të cilën poeti ynë Naim Frashëri (në poezinë “Dallëndyshe”) thotë:  “Eni vjen prej Çamërie / me ato milra fjalë / me atë gluhë perëndie/. 

Donnerstag, 16. Februar 2017

Një libër i ri për çamët nga Namik Selmani

Nga Luan Çipi

Këto ditë doli në qarkullim një libër i ri i shkrimtarit Namik Selmani me titull “BIRI I SHQUAR I ÇAMËRISË, ADEM ZER TEME”.

Namik Selmani ka lindur më 18 Nëntor të vitit 1950 në fshatin Ninant të krahinës së Çamërisë, që përfshihet në rrethin e Sarandës dhe është shkrimtar e gazetar i spikatur e mjaft produktiv.

Ka kryer Shkollën e Mesme Pedagogjike “Luigj Gurakuqi” në qytetin e Elbasanit dhe studimet e larta në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë, në Degën Gjuhë-Letërsi Shqipe, pranë Universitetit Shtetëror të Tiranës. Ka punuar mbi 35 vjet si mësues i gjuhës e letërsisë shqipe në disa shkolla të mesme, kryesisht në rrethin e Beratit dhe më gjatë po atje, në Shkollën e Mesme Pedagogjike “Kristo Isak”.

Krijimtaria letrare e tij është shumë e pasur dhe e larmishme. Ai ka shkruar gjashtë vëllime me poezi, disa libra me publicistikë, monografi, libra për kulturën e të folurit e të të shkruarit në shkolla të mesme, libra të karakterit fetar, etj., gjithsej 40 libra. Ka botuar gjithashtu me qindra shkrime të karakterit studimor, kryesisht të fushës së kulturës kombëtare, opinione të ndryshme në organe të shumta të shtypit shqiptar e të huaj, etj.

Namik Selmani prej disa vitesh është një autor i njohur, që me botimet e tij është përfaqësuar denjësisht edhe në disa vende të botës si në ShBA, Zvicër, Maqedoni, Kosovë, etj.

Në krijimtarinë e Namik Selmanit zë vend edhe publicistika. Për disa vjet ai ka qenë kryeredaktor i gazetës “E vërteta” në qytetin e Beratit, si edhe bashkëpunëtor i disa gazetave kombëtare. Ka pasur shumë suksese edhe në lëmin e fotografisë artistike, duke hapur disa ekspozita vetjake në Shqipëri, Itali, Maqedoni, Kosovë, etj. Është fitues i disa çmimeve kombëtare në letërsi e në publicistikë dhe ka marrë pjesë e është ballafaquar me sukses, në disa tubime krijuesish në shkallë kombëtare.
Namik Selmani është anëtar kryesie në Shoqatën Kulturore "Bilal Xhaferri" dhe zëvendëskryeredaktor i revistës “Krahu i shqiponjës”. Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë dhe anëtar i Klubit të Shkrimtarëve “Konstantin Kristoforidhi” në qytetin e Elbasanit, etj.

Libri i ri monografik, për veprimtarin e shquar çam, Adem Teme, është një kulm i ri letrar e artistik i autorit, një vepër e mirëfilltë studimore e krijuese, ku paraqiten bukur të vërteta historike, kombinuar me kujtime, tregime, poezi, dokumente, fotografi e reportazhe. Libri është botuar nga “Mirgeeralb” Tiranë dhe ka 224 faqe.

Librin e ri me aromë krejt çame, diku edhe me të folmen karakteristike çame, e lexuam “me një frymë”, si unë dhe ime shoqe, (ish mësuese gjuhë letërsisë dhe mikeshë e hershme me bijat e protagonistit të nderuar të librit, Adem Teme).

Ne, që i njihnim direkt personazhet (xhaxhi Ademin, teto Eminenë dhe thuajse gjithë të tjerët), duke lexuar me shumë përqendrim, nostalgji e dashuri, kaluam çaste të bukura ngacmimesh të vjetra, që shpesh na përlotën dhe gjithë kohës na përmallën, në kujtim të ngjarjeve interesante e të paraqitura bukur, që na kaluan para sysh si në ekran filmi. Kujtuam gjithë çamët e mirë të Vlorës, tragjedinë dhe rrugëtimin heroik dhe përpjekjet e tyre titanike e legjendare për mbijetesë me punë, vendosmëri, krenari e dinjitet.

Autori thotë për ta, që për mbijetesë i ndihmoi UNRA. Ndihma e UNRAS dhe e Shtetit Shqiptar të posa krijuar e të varfër, sipas meje dëshmitar okular, ishte minimale dhe simbolike. Ata i ndihmoi më shumë qëndrimi i tyre pa qibër, me dashuri për çdo lloj pune (mandej për më të vështirat). Çamët e Vlorës dhe të gjithë Shqipërisë edhe pse të tronditur e të leqendisur nga masakra e barbaria greke, në Shqipëri zgjodhën të jetonin në kushtet të përafërta si në trojet e tyre, sa më afër detit, ullinjve dhe portokallieve. Ata punuan më së shumti si peshkatarë në det dhe si bujq e blegtorë, në vazhdim të traditës, në përjetim të mallit për vendlindjet e tyre të paharruara, të begata dhe me bukuri përrallore. Ata ushtruan profesionet e bujkut, blegtorit, peshkatarit, karroxhiut, qoftë dhe të punëtorit të thjeshtë të krahut në ndërtim, komunale e transport. Ata shumë shpejt i arritën dhe diku i kaluan mikpritësit dashamirë vendas, duke e përkrahur dhe mbështetur fort njëri-tjetrin, për të manifestuar kështu shkallën e tyre tradicionale të solidaritetit, fisnikërisë dhe të besës. Ata e ruajtën dhe përtërinë folklorin e tyre të bukur, duke kërcyer me patos vallen e veçantë madhështore e të paharruar çame, duke kënduar me nostalgji këngën polifonike karakteristike të tipit Çelo Mezani, apo këngën qytetare erotike të ëmbël çame. Ne, që i kemi parë e përjetuar, nuk i shlyejmë dot nga mendja ndër shekuj përshtypjet e pakontestueshme se, kur kërcejnë dhe këndojnë çamët, në festat apo dasmat e bukura dhe me shumë harxh që organizojnë, ata duken të tjetërsuar, duke shpërthyer dhe duke nxjerrë në shesh gjithçka që kanë thithur, brumosur dhe mbajtur në thellësinë e qenies dhe të shpirtit të tyre vital. Dhe në këto raste, si vëllezër të një gjaku, ata ngjajnë më shumë shqiptarë, mollos e thrako-ilir, njësoj si ne, ndaj dhe s’ka pse mos t’i duash më shumë. Prandaj thuajse pa përjashtim, çamët që erdhën me shumicë në qytetin e Vlorës kryesisht, po edhe rreth saj, imponuan te vendësit mirëkuptim, krijuan dhe ofruan dashurinë dhe përkrahjen pa rezerva të vlonjatëve dhe gjithandej të shqiptarëve, të njëjtë me ta në gen, mirësi e gjak.

Familjen e Adem Temes e ndihmoi dhe fati, që takoi dhe u strehua te shtëpia dhe kafeneja e atdhetarit të mençur Qamil Tushe, (babai i heroit të Topanasë, Barjam Tushe dhe gjyshi i sociologut zëmadh Gëzim Tushe) po dhe vet prezenca, urtësia, zotësia, ëmbëlsia, korrektesa dhe përvoja amerikane e Ademit buzagaz, ashtu si e ka përshkruar me besnikëri e vërtetësi, disa herë, autori i librit.

Adem Zer Teme, ishte për 18 vjet emigrant ekonomik në Amerikë. Pjesëmarrja atje në veprimtari atdhetare në gjirin e Shoqërisë famëmadhe Vatra, lidhja me Shqipërinë dhe ndihmat monetare për të, kthimi në vendlindje dhe qëndrimi ndihmëtar e human në Çamëri, veprimtaria atje si Kryeplak i fshatit të tij Mazrek dhe në mbrojtje të tyre nga gjenocidi grek, si dhe më vonë përpjekjet për përshtatjen e mirë e të shpejtë dhe sidomos për mirërritjen, edukimin dhe arsimimin e pesë fëmijëve të vetë në Shqipëri, tregojnë për një figurë të shquar gjurmëlënëse.

Veç babë Ademit, unë kam njohur direkt në punë për shumë vjet djemtë e tij. Me Niaziun, teknik i mesëm elektrik, kam punuar në një zyrë, në Uzinën Mekanike Vlorë për pesë vjet rresht. Nuk gjeje nëpunës më të devotshëm e rezultativ se ai! Gjithnjë i gatshëm dhe i papërtuar, që kur nuk tërhiqej para asnjë vështirësie, pa pyetur për orar pune dhe gjithnjë i qeshur dhe dashamirës me të gjithë. Me Abedinin, vëllain më të madh, thuajse moshatar me mua, kemi punuar për gati dhjetë vjet në aparatin e Komitetit Ekzekutiv, ku ai ka kryer disa detyra në pozicionin e agronomit të rrethit të Vlorës për më shumëse 40 vjet. Ku shkonte Abedini ishte puna konkrete dhe e ndershme me nivel shkencor, zgjidhja praktike më optimale e problemit, mbështetur përherë në qëndrimin korrekt dhe dashamirës. Ishin të dy djemtë, kopje e babait të tyre, Adem Zer Teme, me shumë punë dhe pak fjalë.

Personalisht kam simpati dhe dashuri për Çamët dhe duke qenë në moshë mbi 80 vjeç, në punën 40 vjeçare shtetërore në administratën lokale, në bujqësi, industri e ndërtim dhe si mësues e pedagog mbi 30 vjeçar, kam pasur miqësi e njohje me qindra kolegë, miq, shok e nxënës çam, për të cilët jam krenar, se i kam ndër dashurit e zgjedhura. Shpreh dëshirën të veçoj, të cilësoj e të përfshij në këtë listë nderi: Etem Suljotin, Emin Sejkon, Ali Hoxhën, Ismail Nuhun, Osmane Izet Rexhon, Nail Çamin, Sulo dhe Jakup Sulejmanin, Abedin Elmazin, Mersin Zenelin, Damin Sejkon, Abedin e Namik Xhemalin, Bido Hamitin, Mamo Habibin (me këta dy të fundit, miq stërgjyshëror), Jasin Balon, Mustafa e Remzi Suljotin, Abdulla Iljazin, Namik Veipin, Saqe Geran, Haki e Tajar Bardhin, Niazi e Mamo Brahimin, Skënder Beqirin me vëllezër e motra, Esat Hasanin, etj.

Duke shprehur kënaqësi për librin, do veçoja punën krijuese personale të autorit Namik Selmani, ngaqë kam mendimin se plotësimet nga të tjerët, janë ndenë nivelin e tij cilësor dhe them edhe të pa nevojshme e diku përsëritje, mandej që edhe mund të përjashtoheshin.

Mendoj se një thellim në origjinën më në lashtësi të fisit “TEME” edhe të vet fshatit Mazrek, të krahinës Marglliçit dhe krejt Çamërisë, do ishte me interes dhe bukuri, kështu mund të kishte dhe shpjegimet më të plota për arsimimin, punësimin dhe jetën e tanishme në Amerike për këtë familja kaq të madhe (ikën 65 dhe tani mund të jenë mbi 100), po edhe disa përsëritje të tjera panevojshme mund të evitoheshin, etj.

Vepra letraro biografike “BIRI I SHQUAR I ÇAMËRISË, ADEM ZER TEME, më se dinjitoze, është e autorit Namik Selmani dhe përfundimisht mendoj se është një arritje e dalluar për llojin e vet, si monografi. Unë si lexues, shpreh kënaqësi dhe uroj për vepra të tjera me vlerë, të mirëpritura dhe të nevojshme për çdo familje shqiptare! Ndërkohë, kërkoj falje për sugjerimet, krejt personale e dashamirëse, jo si mangësi të librit, po që mund të shërbejnë për monografitë e ardhshme.

Tiranë, 10.02.2017

Çamëria nuk lypë shpagë, por liri dhe paqe...

Fran UKCAMA

Poemë për Çamërinë, miqtë e mi çam dhe për vete

Unë nuk mund ta ndal kronin e lotit,
Synit tim të shkrumue,
kënka tha,
asht kthye në gur, në zall.
Unë s` mund të rri pa ngritë një gjamë,
Pellazgjike, me grushta mbi krahnuer, bam, bam,
Drasën e gjoksit me shkallmue,
faqet me thonj shqiponje me i varrë

Se shpirti më vuan,
Se shpirti më dhëmb,
për pleq të therun si berre, si dele, si desh galan,
per plaka sakatueme,
në prag të shtepive
brënda avllive,
te kroni, te pusi, te furri,
për nënat e djegura në magje,
për kodrat e fëmijve te shkyem në bark,
për bukën lane sofër, për pëllumbin, qingjin e vogël.
Për këngën kthye në mort,
Lojrat e fëmijve si peshq të thamë në tym.
Për apokaliptin e diellin e nximë,
Mënxyrë,
zorrtë e nxjerruna sokakeve,
për qytete e katunde, tym e flakë,
për varganin si milingonja deshë e dathë,
shpresë vrarë, bark bosh,
prej Arte në Prevesë. Paramithi, Qafë Botë...
për Çamrinë Martire, si gjergj Elez Alinë me nëntë varrë..
kjaj, kjaj, kjaj e qaj,
qaj pa lot, se lot s` ka ma,
jo vetëm mue
por edhe qiellit iu kanë tha...

Çamria nuk ka dekë,
Çamria është gjallë,
unë i ndjej dhimbjet e saj,
si një Doruntinë rend mbi kalë,
unë jam vllam, ne jemi vllamë,
unë ndjej renkimet e t` meturve pa kallë,
pa shipi, pa oxhak, pa varr..
Tokës i shikoj plasaritjet, skaj e më skaj,
Ky termet i thellë, ky vullkan..
Shatëdhjetë vite plague,
Shtatëdhjetë vite plumbi pa dalë,
Shtatëdhjetë vite legjendë e gjallë,
në shpirtin shkrumb,
në shpirtin valë,
Çamria rënkon, Çami kërkon, kënga jehon,
Osman Taka kputet tokës, fluturon,
Asht kthyer në mit,
asht kthye një shqiponjë..

Ani, pse miq në Greqi kam,
me zemer i nderoj
E di shumë më kuptojnë,
Se nuk mund të rri pa vikatë,
Se edhe deti kërrleshet,
Se edhe Joni ngre dallgë,
Grekërit e sotem, moderrnit s` kanë faj,
Por t` parët me kanun i lanë në gjak,
Çamëria nuk lyp shpagë,
A keni pa, degën e ullinit kanë në ball,
Çamëria lyp votër,
Lyp oxhak, lyp zjarr,
Lypë oborr, lyp det, qiell dhe varr,
të pa varrosunit ku menë, ku vanë..
Çamëria lyp gurin amë,
Unë nuk e mbaj lotin,
Çerpikut tani, krypë e bardhë,
Jo se jam dobsuar e shpirt lodhur,
Por fëmijtë si turr drushë sobe stivosur,
oh gjamë e pa parë,
Oh makabër,
Ma ngrenë cunamin tetë ballë..

Çamëria lyp votër, drejtesi. Liri dhe paqë,
O zot, a n` gjumë ishe ato ditë,
O zot, n` andrra ishe at natë ,
Jepu drejtësi pelegrinve të lirisë,
Jepu dritë, jepu frymë, të kthehen në tokën e begatë,
në Dheun, ku lanë Mëmë e At`..
Çamria nuk kërkon shpagë,
Çamria lyp drejtësi, liri dhe paqë,
Ajo shtat e plague
Sfiniksja ullinin ka mbi ballë..
Dodona e perkryme mbi qiejt therret pa pra,
Hëna asht e plotë,
Ardhmënia, ka nisë
Ardhmënia në udhë asht..
Po vjen..ka dale në Qafë Botë,
Ogur i bardhë,
erna te reja po fryjnë,
pranverë shpejt ka me ardhë,
ka dalë edhe një yll i ri mbi mal..
Çameri ti gjak, ti plagë, ti deje, ti asht Kombëtar...