Dienstag, 5. Juli 2016

Çamëria - ndërgjegjja e vrarë e shqiptarëve.

Shkruar nga Gani MEHMETAJ

Të vrarë e të dëbuar nga grekët, të fyer e të sharë jo rrallë nga bashkëkombësit, të shpërfillur nga pjesa tjetër e kombit jashtë kufirit, të shpërfytyruar nga hallet e shumta, të pambështetje nga institucionet evropiane, shqiptarët e Çamërisë e ruajtën gjuhën, traditën e kulturën shqiptare si askush tjetër.

Kur Armando Sadiku, lojtari i kombëtares shqiptare e dha golin kundër rumunëve, dhjetë milion shqiptarë u gëzuan si asnjëherë më parë. Të gjithë u bëmë shqiptarë krenarë, të gjithë nxituam të mburremi që jemi nipërit e Gjergj Kastriotit. Euforia zgjati tërë natën. Por të nesërmen gdhiu një portal i cili e bëri Armando Sadikun tabelë qitje, sepse qenka çam, ndërsa shqiptarët e Çamërisë u bënë objekt i fyerjeve nga më të pistat që kam lexuar ndonjëherë në gjuhën shqipe. Grekët- xhelatët e shqiptarëve të Çamërisë nuk u përmenden më asnjë fjalë. Krimi i tyre fshihej, amnistoheshin, kurse shaheshin viktimat.

Shqiptarët e Çamërisë janë kaptina më e dhimbshme e historisë sonë kombëtare. Një krahinë të tërë gati sa Kosova e shkombëtarizuan grekët dhe e bënë pronë të tyre. Gur mbi gur nuk lanë në qytete e katunde. Shqiptarët e Çamërisë pinjoll të njërit ndër fiset më të vjetra ilire, i shndërruan me 1945 në kolona të pafundme refugjatësh. Çamëria e sotme ishte Thesprotia e lashtë ilire, luftëtarë të përkushtuar të çështjes shqiptare, ushtarë trima të Gjin Bua Shpatës e princërve të tjerë arbëror të jugut, sot bredhin dyerve të botës nga Konispoli deri në kufinjtë më të skajshëm të Anadollit, në Eskisheher, pa të drejtën elementare-kthimin në tokat e veta.

Të vrarë e të dëbuar nga grekët, të fyer e të sharë jo rrallë nga bashkëkombësit, të shpërfillur nga pjesa tjetër e kombit jashtë kufirit, të shpërfytyruar nga hallet e shumta, të pambështetje nga institucionet evropiane, ata megjithatë e ruajtën gjuhën, traditën e kulturën shqiptare si askush tjetër, kanë muzikë e këngë që të mrekullojnë, kanë valle që të mbajnë pezull, ndërsa përpiqen ta tregojnë tragjedinë -gjenocidin e përmasave biblike, por që jo rrallë tragjedia e tyre bie në vesh të shurdhër.


Papa duhet të zbresë në Çamëri

Çamëria nuk është vetëm ndërgjegjja e vrarë e Evropës, Çamëria është edhe ndërgjegjja e vrarë e shqiptarëve. Papa duhet të zbresë një ditë në Çamëri e t'ua qajë hallin, shqiptarët duhet t'i mbështesim më shumë se sa deri me tash.

Greqia i masakroi dhe i dëboi nga territori etnik, bëri gjenocid ndaj tyre, krimin më të madh në shekullin XX, Shqipëria nuk i mbështeti, komunizmi i vuri nën dyshim e karantinë, i nëpërkëmbi e përbuzi, Kosova e kishte hallin e vet, po edhe egoizmin e madh, Turqia, ish pushtuesi mizor, i përdori për kthim resto sikurse të gjithë shqiptarët myslimanë: të jep grekët e armenët e Anadollit, i tha Greqisë, më jep shqiptarët myslimanë të Çamërisë, dhe jemi të larë. Ushtria greke i dëboi shqiptarët e Çamërisë të besimit myslimanë në Turqi, shqiptarët ortodoks i shpërndau më kërcënime më thellë në kontinent apo ua këputi gjuhën. Për njëqind vjet gati i shkriu më shkombëtarizim, pra i vriste në heshtje, ata që nuk arriti t'i vriste më pushkë a më bajoneta. Të tjerët i detyroi të deklaroheshin grekë.

Sa herë më ka rastisur mua dhe turistëve të tjerë nga Kosova të takojmë, apo të banojmë në shtëpitë e çamëve ortodoks, të cilët na prisnin aq përmallshëm deri në përlotje, kujdeseshin si askush tjetër ndaj nesh, pikërisht sepse ishim të gjakut të tyre, na e rrëfenin tragjedinë e tyre, por gjithnjë më një sy në dritare se mos i përgjonte kush, apo me veshët nga dera se mos futej ndonjë policë i fshehtë grekë. Shqiptarë ortodoks të Çamërisë për herë të fundit kam takuam më 1991.

Ndërkaq, shqiptarë të dëbuar të Çamërisë kam takuar pas vitit 1992, kryesisht në Shqipëri, por edhe në Francë e Turqi. Sa brengos fakti që greku nuk i lejon të kthehen në krahinën shqiptare, po aq brengosëse është pse një pjesë e bashkëkombësve nuk ua dinë hallin, i përbuzin e përçmojnë si të gjithë të dëbuarit, sepse ashtu i mësuan në kohën e Enver Hoxhës, ashtu po i mësojnë shtrembër edhe në kohën e demokracisë. Lobi i fuqishëm grekë në Shqipëri ka shtrirë rrënjë kudo dhe nuk i lë të ngrehin kokë, zëmër ngushtësia provinciale shqiptare është armiku tjetër, që i nxit shqiptarët kundër shqiptarëve, ashtu sikurse i nxiste dikur lobi serb shqiptarët kundër "kosovarëve".

Shqiptarët e Çamërisë ishin tragjikë në dy plane. Shqiptarët ortodoks që shpëtuan nga masakrat greke, i shkriu dhunshëm pushteti i Athinës, duke ua prerë gjuhën e traditën kombëtare, duke i kërcënuar se po dhanë shenja ringjallje do ta pësonin; shqiptarët myslimanë Greqia i dëboi një herë në Turqi, duke ua humbur farën, ndërsa pjesën tjetër i dëboi në Shqipëri, pasi masakroi pjesën më të madhe të popullatës, gra e fëmijë. Grekët nuk bënë dallime fetare, ata bënë gjenocid ndaj shqiptarëve në Çamëri.

Gjenocidi grekë është i pashembullt, vetëm gjenocidi turk kundër armenëve mund t'i afrohet, ndërsa vetë shqiptarët nuk e ngrehin zërin kundër këtij gjenocidi, ose reagimet janë të flashkëta, shpesh të pasinqerta. Kryesisht reagojnë shqiptarët e Çamërisë, por nuk reagojnë ose fare pak reagojnë shqiptarët e Kosovës, të Maqedonisë, Preshevës e Bujanovcit. Secili e ka futur kokën në zhguallin e breshkës dhe nuk i intereson çfarë ngjet jashtë katundit të vet.


Si arsyetoheshin krimet greke?

"Çamët duhet të kenë bërë diçka, prandaj i dëbuan", më tha më 1991 Llaqi, një ish pjesëtar i strukturave të Enver Hoxhës. Më la pa fjalë se si i arsyetonte krimet greke, ndërsa i fajësonte viktimat çame. Arsyetimin cinik të gjenocidit grek kundër shqiptarëve të Çamërisë e kam dëgjuar dhjetëra herë në Tiranë. Një arsyetim që s'ta kapte mendja. Gjenocidi arsyetohej me kinse bashkëpunimin më fashistët. Grekëve u lejohej bashkëpunimi më nazistët, kurse shqiptarët duhej të vriteshin e të dëboheshin. Faktet tregojnë se ishin grekët kombi më bashkëpunues më pushtuesin gjermanë në Gadishullin Ilirik. Nuk e di a e kanë shikuar mbrojtësit e gjenocidit grek kundër shqiptarëve të Çamërisë, filmin "Mediteraneo", ku vajza e dëlirë greke, ua fal dëlirësinë e vet njëkohësisht dy ushtarëve italianë.

Janë dhjetëra filma që e paraqesin këtë bashkëpunim greko-italian, apo greko-gjerman edhe në instanca më të larta dhe në shtrirje më të gjëra se sa në dashuri. Megjithatë strukturat komuniste anti kombëtarizmin e qyqarin ndaj çamëve e mbulonin me ideologji, pra çamët ishin armiq, sepse ishin bashkëpunëtorë të nazizmit, nuk i ndihmuan sepse u mbetej hatri serbëve e rusëve.

Në demokraci ka zëra e grupe që i sulmojnë e fyejnë, sepse po bashkëpunuakan më Turqinë e Arabinë Saudite, ndërsa citojnë deklarata të kreut të partisë çame. Nuk e di a duhej të formohej partia çame në Shqipëri, por duket që shpërfillja e pafalshme e shtetit ndaj çamëve mund të ketë ndikuar në formimin e partisë krahinore, ndërsa nuk përjashtohet që kjo shpërfillje cinike t'i ketë hedhur në prehrin e Turqisë e islamizmit, gjë që do të ishte tragjike për këtë komunitet. Nuk ishte më i mirë pushtuesi turk nga ai grek, prandaj është kriminale nëse i afrohen Turqisë. Po ashtu, sulmi kundër Armando Sadikut, u nis, sepse një portal shkruan që ai qenka takuar më një hoxhë - korb islamik.

Takimi i një sportisti më një islamik që e ngreh gishtin si antenë televizori në një shtet laik është i dëmshëm për uniformën kuq e zi e për emrin e mirë të kombit të tij, kurse bashkëpunimi apo ndihma turke për shqiptarët e Çamërisë do të ishte fatale, sepse do t'u jepte shkas grekëve të refuzojnë çdo kërkesë çame, madje s'do ta kenë as mbështetjen perëndimore. Kush u garanton përfaqësuesve të çamëve që nuk ka marrëveshje të fshehtë greko-turke për tregtimin e interesave çame. Do t'i shes Turqia interesat e çamëve sikurse i shet limonin e kontaminuar të bregdetit mesdhetar.

Marrë nga botapress.info

Mittwoch, 22. Juni 2016

Kamber Cano - Poezi për Çamërinë

Kamber Cano

E DUA ÇAMËRINË

Jam çam.
Me gjak ,
Me shpirt,
Me zemër.
Çamëria ma ka dhënë këtë emër.

Egzistoj.
Jetoj.
Luftoj.
Punoj.
Që Çamëria ime të mos mbetet thieshtë ëndërr.

Grek.
Nga ty kërkoj.
Babanë ,
mos m'a shaj.
Mos m'a ofendo.
Nuk të lejoj.

Jo .
Im atë,
nuk donte
as gjerman
as italian.
Ai donte vetëm shpirtin çam.

Ti grek.
Ngulite mirë në mënd:
Im atë e urente edhe dhunimin tënd.
E njoh mirë historinë.
Eshtë e imja...

ndaj e dua ....Çamërinë.




DUA...
(Dëshirë çame)

Çamëri!

O vënd prrallëllor.
O bukuri e artë.
Dua të të puth ballin hyjnor.
Të mar pak ngrohtësi nga zemra jote e zjarrtë.

Dua të shtrihem mes lëndinave të tua djerë.
Të prehem pak te pragu i shtëpisë sime.
Te ai prag ku gjyshrit dhe im atë kanë lerë.
Tek ato lëndina ku lozte kur ish vajzë nuja ime.

Dua të ulem e pushoj te gërmadhat e shtëpisë.
Ku dallandyshet pranverore kanë ndërtuar fole..
Dua të ngop sinë me bukuritë e Çamërisë.
Me shqipet dua të fluturoj përmbi re.

Dua të dehem në dasmën çame.
Ta pi verën e rakinë me kupën e argjëntë.
Ti them"T'u trashëgoftë djali"asaj nane.
Të hedh një valle burrërishte,ashtu rëndë-rëndë.

Dua të pi një kave te klubi posht rrapit shekullor
Me pleqtë çam të ulem e kuvëndoj për fshatin tim
Dua të mar draprin në dorë e grurin në ara të korr.
Me vashat flokëargjenda të shkoj të mbledh ullinjë.

Dua të shetis anës lumit Kalama me nipat i mi
Do t'u tregoj atyre si u mbyt aty një nuse me fëmijën
Të shkoj pastaj lart përmbi fshat te kodrat me ulli.
Te burimi me ujë të ftohtë të freskoj fytyrën.

Dua t'i mar nusë sime shamin e dorës me fije ar
T'u fshi sitë e lotuar gjithë nanave të Çamërisë
Boll më.Kanë një jetë të tërë duke qarë.
Tu jap shpresë se po agon mëngjezi i artë i lirisë.

Dua të zhytem në ujrat e ftohta të detit Jon
Të notoj,të qesh,të loz,të këndoj..të harroj ç'do hall
Dua...dua...dua....ah sa shumë gjera zemra më kërkon
Vëllezër...më eshtë përvëluar shpirti...nga gjithë ky mall

Çamëri.Dua o nanë të të vendos kokën te gjiri.
T'ja them ëmbël këngës çame....si birbili.




DUA TË TË JAP NJË PUTHJE ÇAMËRI

Dua të të jap një puthje Çamëri.
Mbi flokët e bardhë
Mbi ballë
Jam biri yt.
Jetim,
Me nanë gjallë
E di moj nanë
Me mua je mërzitur.
U thinje 
Duke më pritur.
Dua të të puth duart
E sytë e shkruar.
Ah moj Çamëri!
Një jetë të tërë të kam kërkuar.
Dje,
Më kërcënonin për të të mohuar.
Sot,
Më thonë:"nuk ke për t'a parë"
Të mohoj
Të mos shoh nanën??!!
Jo

S'ka për të ndosh kurrë, or të marrë?




KËNGA E FËMIJVE ÇAM

Me plis.fustanell e dullaman
Edhe ne jemi çam.

Me kostum kombëtar
jemi fëmijë shqipëtarë.

E duam Çamërinë
Se ishtë vendi inë.

Ashu si gjishrit tanë
E duam dhe ne vatanë.

Në Çamëri ne do vemi
Të lumtur ati do jemi.

Me flamurin kuq e zi
Do të vemi në Çamëri.

Ashtu si stërgjishi inë
Veli Gërra(1) burrë trim

Veliu me Smajlin(2) dorë më dorë
Ngritën flamurin në Vlorë.

Çamëri o bukuri e rrallë
Do të puthim ti në ballë

Çamëri o moj nanë
Ne të kemi shumë xhan.


(1) Veli Gërra -Delegat çam në Kuvendin e Vlorës më 28 Nëndor 1912 ku u ngrit flamuri e u shpall pavarsia.

(2)Smajli-plaku patriot Ismail Qemali që ngriti flamurin në Vlorë.

Myrteza Mara - Vargje për Çamërinë


ËNDRRA E BARDHË

Çamëri, o qiell i heshtur,
Rrënjëgurta përmbi gurë!
Çamëri buz'e paqeshur,
Thua "Nesër", s'thua "Kurrë".

Çamëri prushi në vatër,
Oxhakët s'po lëshojnë tym!
Çamëri, lulja e gjakut,
Nëna gjallë, ti jetim!

Çamëri amanet shpirti,
Endrra që mbeti e bardhë.
Çamëri po vjen një ditë,
Në mos, thuajse, ka ardhë!

Çamëri po qajnë gurët,
Duan të zotët që i mbollën.
Çamëri s'po çelin drurët,
"Kaq stinë-thonë-u lodhëm!"

Çamëri nuk mbyllet syri,
Nuk e tretin njëmijë zjarre.
Çamëri po të ndrinë ylli,
Osman Takja po ndez vallen!

Rrëmbeja shaminë nga dora,
Fustanella suferinë,
Hape derën, po troke Bota,
Vjen të ndreqi Historinë!

Mittwoch, 25. Mai 2016

Agim Bajrami - Bisedë me ullinjtë e vendlindjes

Poeti Agim Bajrami

Bisedë me ullinjtë e vendlindjes 

Ullinj të vendlindjes
Anë e kënd shpërndarë
Sa vite u bënë
Që jetojmë të ndarë?

Në dy harta dhimbjesh
Prej gardhi dhe kloni
M’u ka çarë shpirti
Zemra, më besoni!

Ballin larë nga shirat
Trupin vrarë nga shqota
Por sytë ju kanë ngrirë
Vetëm nga Qafë Bota.

Diç ju thotë në vesh
Dhe ju pëshpërit
Se zotërit e vjetër
Do kthehen një ditë.

Do vijnë me patjetër
Pa frikë e pa drojë
Se lumenjtë kur fryhen
S’ka digë t’i pengojë.

Përmbi krahë zogjsh
A mbi vetëtima
Bijtë e Pirro burrit
S’fshihen nëpër vrima.

Ende s’ju besohet
Ndaj pyesni veten
Ç’u bë vallë me etërit
Gjyshet ku u tretën?

Nën teh bajonetash
I shkuan të gjithë
Gjaku i Çamërisë
Ende klith e klith.

Rënë pranë njëri-tjetrit
Katërqind të vrarë
Ca me natë mbuluar
Ca me plagë acar.

Askush s’mund të ngrihej
T’ju jepte një dorë
Ishte vit demonësh
Pa datë dhe pa orë.

Kalendarët faqet
Çorrën të tmerruar
Përroi i Selanit
Golgotë e pashkruar.

Nën një hënë të verdhë
Të ftohtë si meit
Vetëm ju guxuat
Që t’ua mbyllnit sytë.

Dhe në trup i futët
Mes trungjesh i shkritë
Të ishit së bashku
Në gjithë historitë.

Ullinj të vendlindjes
Kronika prej gjethesh
Çamëria jonë
Ende djeg mes ethesh.