Freitag, 16. Oktober 2015

Naxhije Doçi - Mall i pashuar Çamëri


MALL I PASHUAR ÇAMERI

Tokë e pikturimit të virgjër
në shteg dielli,
mall i pashuar - ÇAMËRI
me pirgje bujshmërie 
në bjëshkë e në vërri 
që nga fill i gjallërimit.

Lirë e dashurisë sime purpur
me legjenda urtësie ngjeshur
thellësive të gufuara, 
kurmi yt sfond i flakëruar
vrullesh të pathyera 
shkallë-shkallë 
krah i mbetur ende i ndarë.

Lashtësi e skalitur ndër breza
ÇAMËRI 
ëndërra dhe emërtimi im i ri
hirësuar në krah baladash
me uratën e dehur për diellin, 
zgërdhirja tinëzare e Kalit të Trojës
asaj fantome të verdhë
lëbyrje e pështyrë 
për pagëzimin
që përjetoi turbullirë.
Ndërgjegje e fokusimit tim mëtues 
orëve të vona 
me pagjumësi të përcëlluara
heshtja kalëron e mërdhirë, 
deri në brendësi më dërrmon
për përgjumjen tonë të patrazuar.
Kujtimet në vërshime të etura
horizontit tënd të dëlirë
rryer e gërryer nëpër mote trishti 
nga furtuna të krisura
e lodrime fantazmash të lagura.

Rrjedhës së deformuar nga tkurrjet
ende lukuni të përkryera 
me ironi të përkëdhelura
në shkafnjim përkufizimesh në harta
e tjetërsim ngjyrash të ylberit.
Mashtrimi syqen i vijëzimit mizor 
me lojërat mëkatare
të djajve të fshehur
edhe në këtë mijëvjeçar të tretë shpërthyes 
luajnë pafrenueshëm 
vallen me gjarpërinjtë e shkundur.

Profecitë ulërijnë me kafshime 
në zhveshje kujtese
për gjenezën e ruajtur me hirësi
me valëvitje flamujsh kuq e zi,
gjuhën e ligjërimit të dëlirë
pellazdo-ilir
harkuar denbabaden 
si traditë 
që nga perënditë.

Çamëri, 
sofër e bujarisë së ruajtur
përmasave virtuoze
me dashuri, 
agimeve të ndezura ritmike
shpresat melodi e komponuar
pranverë e ledhatuar 
me kthjelltësi të pamposhtura 
deri në pakufi,
për ty 
Çamëri!


Shaban Pllana - Ti Çamëri


TI ÇAMËRI

Ti Çamëri
Emrin dhembje e ke

Ta shoh atë emër
Në lotin tënd

Si s’tu nda loti
Ku të mbeti pranvera

Gjithnjë një zog i zi
Këndon në degët tua

Edhe kënga e tij del
Nga notat e një partiture dhembje

Mittwoch, 14. Oktober 2015

Nexhat Rexha - Çamëri


ÇAMËRI

Çamëri sa shumë beteja u shkrinë ne ty
Nëpër mote ia dole të ruaje votër
Marko Boçari  e shumë suljot
Atdheut i dolën gjithmonë Zot

Çamëri e jona Çamëri
Kurdoherë zemra loton për ty
Lidhim fate lidhim besë
Trung e degë frymojnë ndër vite

Çamëri kujtim ndër breza
Fletë e rënë në stinë  dhembjesh
Fryt i ruajtur në loqkë të zemrës
Fjalë kumbon në pikë të qiellit

Çamëri në atdhe  jehon këngë për ty
Moj e bukura More
Aromë e plagës mbulon mbi ne
Rrufe betejash famë për ne

Çamëri kohë e ligë të mbuloi ty
Ngushtuan rrugët në acarin e natës
Në libër mashtrim t`futën me ndredhi
Dëbuan fjalën shqipe pa kurorëzim

Çamëri lehon je ti
Shtat të bukur rrezon n`ardhmëri
Në hartën kombëtare kujtime ruan ti
Frymëmarrja raun emrin për liri

Haxhi Muhaxheri - Loti i çamit


LOTI I ÇAMIT

I bie gurit 
dhe e shpon

Damareve të tokës
merr udhë
drejt zemres 

Pastaj
mbijnë trëndafila të kuq
me shikim kah dielli
e aromë atdheu

14. 10. 2015 


Faruk Tasholli - Pikëllimi i Çamërisë


PIKËLLIMI I ÇAMËRISË 

Ku kish kullat Ali Pasha 
Qava çamin zemë-çarë, 
Ishte ai trup i  këputur- 
Apo unë shpirt i vrarë. 

Qava trupin e dëbuar 
Qava shpirtin e goditur, 
Tek bie pluhur ndryshk i thikës 
Lotit tim në sy përndritur. 

Ku kish kullat Ali Pasha 
Prapa vajit a gjakut nxi; 
Nën vërshimën e tragjikës 
Shtrin pikëllimin një Çamëri.