Montag, 15. Mai 2017

Çamëria - fidanishte e figurave të shquara

Mirela Kondi: Figura të shquara të Çamërisë, Tiranë, 2016

Shkruan: Adil FETAHU

Epiri dhe Çamëria, kjo krahinë më vitale e kombit tonë, gjatë historisë së bujshme të saj e deri në rilindjen e vonshme,  i ka dhënë kombit, po edhe Greqisë, Ballkanit, perandorive të kohës (Osmane, Bizantine, Romake), Evropës dhe Botës, dinasti e personalitete spikatura të strategjisë së luftës, të  fushës së arsimit, shkencës, artit, kulturës, fesë. Vështirë se mund të gjeni një vend e shembull tjetër në botë që, në proporcion me territorin dhe numrin e popullsisë, t’i ketë dhënë kombit e njerëzimit kaq shumë figura të shquara të fushave të ndryshme. Në nderim të atyre figurave, zonja Mirela Kondi, si një bletë punëtore, ka vjelë e mbledhë të dhëna historike, të një periudhe të gjatë kohore, për të kompletuar biografitë e 56  nga ato personalitete dhe u ka ofruar lexuesve në librin e saj me titull: “Figura të shquara të Çamërisë”.

Pas fjalës së redaktorit (Arben Kondit), libri fillon me prezantimin historik të biografisë së Mbretëreshës Olimpia, një nga gratë më të shquara e më të bukura të botës antike, e lindur në vitin 375 para epokës së re, prej familjes së fisit të Aikaidëve të Epirit, me rrënjë pellazge të Akilit legjendar. Nga martesa e saj me Filipin II, u lindën dy fëmijë: Aleksandri i Madh (ai nuk lindi i madh, por u bë i Madh) dhe Kleopatra. Olimpia mbeti në histori e njohur jo vetëm si nëna e Aleksandrit të Madh, por edhe si grua epirote e ngritur në fronin mbretëror. Libri vazhdon me Aleksandër Molosin, vllain e Olimpisë, i cili e zgjëroi mbetërinë e Molosve, me qendër në Dodonën e lashtë. Nën udhëheqjen e Pirros, Epiri arriti pikën më të lartë të lulëzimit ndër shekuj. Ai krijoi mbretërinë e tij, si një federatë e tre fiseve më të njohura ilire: molosve, kaonëve e thesprotëve.  Sot shumica e njerëzve për Pirron dinë vetëm nga thënia: “Fitore e Pirros”, por pakkush e di se si ka mbetur ajo thënie. Në vitin 280 p.e.r, në betejën e Erakleas dhe Askulit, Pirro doli fitimtar mbi ushtrinë romake dyherë më të madhe, por aty humbi aq shumë ushtarë e oficerë, sa që klithi: “Edhe një betejë (fitore) tjetër si kjo, dhe më duhet të kthehem në Epir”! Çamëria dhe Epiri kanë dhënë edhe shumë strategë luftarakë e komandantë trima, heronjë, në luftërat për lirinë dhe bashkimin kombëtar, por edhe për çlirimin e të tjerëve, në rend të parë për çlirimin e Greqisë. Mirëpo, ka pasur edhe mercenarë të rryer, të cilët janë ftuar në luftëra të ndryshme, për llogari të shteteve të kohës nëpër Evropë: Itali, Francë, Gjermani, Spanjë, që në ato beteja kanë korrë fitore mahnitëse, por edhe i kanë lënë kockat e ushtarëve të vet, si puna e Pirros, Merkur Bue Shpatës etj. 

Është e pamundur që në një vështrim si ky, të pasqyrohen të gjitha të bëmat dhe kontributi i personazheve të shumtë të librit. Cilin ta veçosh nga ata princa, ata strategë, luftëtarë trima e heronjë, duke filluar nga princër e luftëtarë: Pirro i Epirit,  Pjetër Losha, Gjin  Bue Shpata (për këtë princ e luftëtar të shquar,shkrimtari Arben Kondi ka shkruar e botuar romanin historik: Gjin Bue Shpata), Merkur Bua Shpata, Gjon Zenevishti, Dionis Filozofi, Gjergj Karaiskaqi, Ibrahim Pasha, Marko Boçari, Odhise Andruco, Haxhi Mehmet Dalani,  Muharrem e Haki Rushiti, Osman Taka, Daje Sako, Merrushe Nelo, Aziz Çami, Daut Hoxha, Rexho Plaku, Teme Sejko. Epiri i ka dhënë njerëzimit jo vetëm mbretër, princa e luftëtarë të njohur, po edhe klerikë të rangut më të  lartë, si Shën Eleuteri, Mihal Artioti, Dionis Filozofi (edhe klerik edhe prijës kryengritjesh), Atenagora i Parë. Gjithashtu, ka dhënë  figura brilante të arsimit, shkencës, artit e kulturës: Mihal Artioti, Muhamet Kyçyku-Çami, Haxhi Murat Çami, Mihal Anagnosti, Hasan Tahsini, Elena Gjika, Abedin, Rasih, Ali e Arif Dino, Rexhep e Musa Demi, Kolë Idromeni, Faik Konica, Abaz Dojaka, Niko Stilo, Bilal Xhaferri, etj.

Principata e Artës e princit Pjetër Losha shtrihej prej gjirokastre deri në Korinth. Në aleancë me princin Gjin Bue Shpata, në vitin 1358 e mundën ushtrinë bizantine të princit serb Niçifori II, në betejën e Akaleut, në të cilën u vra edhe vet princi serb. Gjin Bue Shpata ishte princi më i zoti, që zotëroi hapësirat më të mëdha të Epirit, përveç Janinës ku sundonte shqiptarovrasësi Toma Preluboviq, i cili ishte në aleancë me ushrinë osmane në luftë kundër princërve shqiptarë. Ai tiran ia kishte dërguar Gjin Bue Shpatës shportën me sytë e nxjerrur e vëshët e prerë të fëmijëve shqiptarë! Gjon Zenevishti, sundimtar i Principatës e cila shtrihej prej Gjirokastre në Luginën e Drinos dhe Delvinës. Ishte dhëndër dhe besnik i Gjin Bua Shpatës. Merkur Bua Shpata, fitoi beteja, tituj e shpërblime, me ushtrinë e tij të rryer në luftëra (stratiotët, mercenarë), sa herë u ftua për t’i ndihmuar në luftë Vendikut, Spanjës, Francës, Gjermanisë, gjithmonë doli fitues. I ftuar nga Franca, në vitin 1515 e theu ushtrinë zvicërane, e cila prej 1500 vjetësh nuk kishte njohur disfatë! Ibrahim Pasha, vezir i lartë e komandant sprem i ushtrisë osmane (i martuar me motrën e sultan Sulejmanit), e pushtoi Beogradin, Budapestin e Rodosin. Në vakëfet e tij në Bullgari (Razgrad), në tri fshatra janë vendosur ortodoks të Çamërisë, të cilët edhe sot e flasin “çamërishten”. Donis Filozofi, peshkop i Thesalisë, nxiti dy kryengritje të mëdha të shqiptarëve kundër osmanëve. Kur ushtria osmane e shtypi kryengritjen e dytë, zuri peshkopin, e rjepi për së gjalli dhe lëkurën e tij të mbushur me kashtë, bashkë me kokat e 200 kryengritësve ia dërgoi mbretit në Stamboll (asokohe osmanët masën e  suksesit të betejës e llogaritnin me numrin e kokave të prera)! Haxhi Mehmet Dalani nga Konispoli u bë guvernator i Libanit (1826) dhe si strateg ushtarak, me 800 kalorës e 3 anije luftoi për çlirimin prej Perandorisë osmane. Marko Boçari, kapiteni suliot, komandant i përgjithshëm, strateg e hero i revolucionit për çlirimin e Greqisë (1821), për artin ushtarak u edukua dhe aftësua në oborrin e Ali Pashë Tepelenës. Për këtë trim suliot është shkruar shumë (edhe shkrimtari Arben Kondi për këtë ka shkrua romanin historik: “Vrasja e dytë e Marko Boçarit”). Arben Rakipi, në një shkrim të vetin, me apo pa të drejtë (?) Boçarin e cilëson si vrasës të shqiptarëve myslimanë.  Marko Boçari u vra (1823) në luftë kundër ushtrisë së pashait të Shkodrës (Mustafë Pashë Bushatlia).  Odhise Andruco që i qëndroi besnik Ali Pashë Tepelenës më tepër se dy djemtë e pashait, dhe që në vitin 1824 luajti rol vendimtar në çlirimin e Athinës, por që në fund e vranë autoritetet greke, në mënyrën më mizore. Gjergj Karaiskaqi, që ishte zënë rob nga ushtria e Ali Pashës, u vu në shërbim të tij dhe i mbeti besnik pashait deri në fund, dhe bashkë me Andrucon si komandant luftoi për çlirimin e Greqisë, por Asambleja greke ia hoqi të gjitha postet dhe gradat, dhe vdiq nga plagosja në rrethana të dyshimta në betejën e Akropolit. Muharrem Rushiti ishte simbol i trimërisë dhe zgjuarsisë, i cili prej vitit 1902-1920 udhëhoqi njëqint beteja, kundër pushtuesit osman dhe andartëve grekë, në të cilat mori 12 plagë në trup (e quanin Isa Boletini i Çamërisë). Alush Take, bashkëluftëtar me Muharrem Rushitin, tërë jetën dhe pasurinë i vuri në shërbim të atdheut; ai i furnizonte me armë dhe i mbante me shpenzime të veta mbi 300 ushtarë. Daut Hoxha, i cili luftoi 27 vjet rresht, ishte tmerr për andartët grekë, sa që prefekti grek i Paramithisë i kishte thënë Jori Sulit: nëse djali i tij Koço, që ishte në çetën e Dautit Hoxhës, do ta vriste Dautin, qeveria do ta bënte kolonel e do t’i jepte të holla të shkojë e ta kalojë tërë jetën në Athinë, por Jori ishte përgjegjur: “Nëse ime shoqe Koçon e ka me mua, ai nuk vret Dautin, edhe sikur t’ia jepni tërë Greqinë dhe ta vëni në fronin e mbretit”. Kishte edhe shumë luftëtarë trima tjerë të Çamërisë, të cilët luftuan kundër pushtuesit osman, kundër bandave greke, por edhe kundër pushtuesve italian e gjerman; si oficeri  artilerisë komandanti Haki Rushiti, i cili pastaj kaloi në grupimin e Ballit Kombëtar, apo komandanti Rexho Plaku, i cili në kohën e komunizmit vuajti 33 vjet burgim, bashkë me shumë çamër tjerë. Në luftë kundër bandave greke, bashkë me trimat e Muharrem Rushitit morën pjesë edhe femra çame: Daje Sako, Merrushe Nelo etj.

Çamëria i ka dhënë edhe krishterizmit figura të shquara. Papa i trembëdhjetë me radhë ishte Shën Eleuteri,  papa i parë me origjinë shqiptare, nga Nikopoja e Çamërisë, i cili përhapi krishtërizmin deri në Angli. Sipas disa të dhënave, ai qëndroi në fron dhe kreu me sukses detyrën e papës 15 vjet (175-189), në një kohë të vështirë të luftës së kristianizmit me paganizmin. Shën Donati ishte një tjetër shenjëtor çam i Paramithisë (shekulli IV e.r.) i cili, pas mbarimit të studimeve në Butrint,  gjithë jetën shërbeu me titullin e peshkopit të dioqezës së Çamërisë. Për nderë të tij, qytetin e Paramithisë populli e quante Ajdonat. Mihal Artioti, nga qyteti i Artës, ishte një nga viganët e mendimit humanist të Rilindjes Europiane. I ftuar nga Cari rus (1515), përktheu librat e shenjtë nga greqishtja në rusisht. Ishte humanisti i parë në Rusi, që hapi shkollë humaniste italiane dhe shtypshkronjën e parë të rregullt. Për shkak të qëndrimit liberal ndaj fesë, u akuzua si heretik dhe qëndroi njëzet vjet i izoluar në një manastir. Ka më se 150 tituj vepra e punime të botuara në tema filozofike, etike e pedagogjike. 

Në periudhën e Rilindjes, nga Çamëria dolën personalitete të spikatura të shkencës, artit, kulturës, arsimit. Çdo komb do të krenohej ta kishte të vetin Hasan Tahsinin, të cilin mund ta quajmë kryerilindas i Evropës. Lindi në Ninat (1811). Si nxënës i medresës i kishte mahnitur mësuesit dhe nxënësit me zgjuarsinë e tij, dhe aty mori epitetin “Tahsin” (i shkëlqyeshëm), të cilin e mbajti dhe arsyetoi me meritë tërë jetën. Në Paris e Sorbonë qëndroi me studime e punë 12 vjet, ku doktoroi për shkencat fizike e natyrore. U emërua rektor i parë i Universitetit të Stambollit, por për shkak të pikëpamjeve liberale e demokratike u etiketua si “kaur” (pa fe) dhe u shkarkua nga posti i rektorit. Në institutin (medresën) që themeloi, nxënës-student të tij ishin: Pashko Vasa, Ismail Qemali, Konstandin Kristoforidhi, Jani Vreto, Sami e Abdyl Frashëri etj, të cilët i njohim si rilindas të spikatur të çështjes kombëtare. Burimet turke e kanë quajtur – njeriu më i ditur i kohës në Stamboll, ndërsa Sami Frashëri thoshte: “Njeri si Hoxhë Tasini i vjen Shqipërisë një herë në 1000 vjet”. Kur lexon për  Hasan Tahsinin, leximin duhet ta bësh me dorë në zemër, nga respekti për te, atëherë, sot e mot. Mihal Artioti, klerik e dijetar i shquar poliedrik. Muhamet Kyçyku-Çami, një arsimdashës, mësues, shkrimtar, përkthyes, autorë i shumë veprave. Poema e tij “Erveheja” (e përkthyer nga gjuha arabe) ishte lektyrë shkollore deri në ditët tona. Elena Gjika (Dora D’Istria), nga familja Gjika, me rrënjë nga Parga, nga udhëtimet, shkrimet dhe letërkëmbimet me personalitet më të njohura të kohës, u bë ambasadore e shquar e çështjes shqiptare. Ajo cilësohej si  njëra nga gjashtë gratë më të famshme të shekullit XIX. Abedin Dino, ministër i punëve të jashtme në Perandorinë Osmane, u angazhua që Çamëria të mos i shkëputej Shqipërisë, ka shkruar, përkthyer e botuar vepra të ndryshme. Osman Taka,  në saje të artit të valles “çamika” që luajti para valiut, shpëtoi nga dënimi me varje! Tahir Mete, përfaqësues i Çamërisë në Kuvendin e Lidhjes së Prizrenit, punoi për hapjen e shkollave dhe organizimin e shoqërive kulturore. Rexhep Demi gjithë jetën e shkriu për shkollën shqipe, mblodhi ndihma edhe për Normalen e Elbasanit. Sheh Sabri Preveza, në shkollat turke u mësonte nxënësve fshehurazi edhe shqipen. Kolë Idromeni ishte piktor duarartë. Faik Konica cilësohet si një ndër njerëzit më të ditur në kulturën shqiptare në kohën e tij, të cilin Noli e quante: “bibliotekë lëvizëse”. Tërë veprimtarinë e tij diplomatike e publicistike ia kushtoi çështjes kombëtare. Musa Demi, mësuesi i parë në shkollën e Filatit. Spiro Çalluka, avokat e intelektual i nivelit të lartë, mik i Ismail Qemalit, Nolit e Hasan Prishtinës. Ali Dino, piktor dhe një nga karikaturistët më të mirë në Evropë. Arif Dino poet, aktor, regjisor, skenograf, përkthyes i njohur në Turqi e Greqi, e shumë të tjerë e tjerë. Për të mësuar më shumë për jetën dhe veprat e të gjitha këtyre personaliteteve,  lexonie librin e Mirela Kondit “Figura të shquara të Çamërisë”.

Të gjithë ata princa, ata ushtarakë, dijetarë, filozofë, klerikë, ishin personalitete të njohura e të respektuara, të cilët lan gjurmë të pashlyeshme në shkallë kombëtare e ndërkombëtare, në kohë e  hapësirë dhe në rrethana të ndryshme. Shqiptarët në përgjithësi, dhe çamërit në veçanti, ishin populli më aktiv në luftën kundër pushtuesit osman, por ata kishin arritur suksese të admirueshme edhe në fushën e arsimit, shkencës, artit e kulturës. Ata sakrifikuan pasurinë dhe jetën, e për këto meritojnë lavdinë e përjetshme.

Me librin e saj, “Figura të shquara të Çamërisë”, Mirela Kondi ka kryer një akt simbolik të kujtimit dhe respektit për ato personalitete që janë për krenari. Po, përmes asaj galerie figurash të shquara, autorja ka paraqitur një mozaik procesesh e ngjarjesh të historisë së Çamërisë e më gjërë, në një periudhë të gjatë kohore. Leximi i librit “Figura të shquara të Çamërisë”, të krijon një ndjenje respekti për ato figura dhe krenarie që ato i përkasin kombit tonë dhe gjith përparimit të njerëzimit në fusha të ndryshme.

Ky është libri i dytë i Mirela Kondit, krejt i ndryshëm nga libri i parë, që ishte libër i lëmit të kulinarisë: “Kuzhina çame”, por që tregon se autorja është denjësisht e lidhur për trevën e Çamërisë. Sikur e thotë vet autorja, libri është një “sprovë historike-letrare…”, vazhdimin e së cilës e paralajmëron në fund të librit, sepse ka edhe shumë figura tjera të cilat meritojnë të kujtohen e të mos harrohen. Për hartimin e librit ka shfrytëzuar një bibliografi të pasur, prej afro 150 njësi bibliografike. Libri është shkruar me një gjuhë të pastër e stil të qartë e të rrjedhshëm, e me përdorimin aty-këtu të ndonjë shprehje karakteristike të çamërishtës, asaj “gluhe” e të folme të ëmbël, për të cilën poeti ynë Naim Frashëri (në poezinë “Dallëndyshe”) thotë:  “Eni vjen prej Çamërie / me ato milra fjalë / me atë gluhë perëndie/.