MALL I PASHUAR ÇAMERI
Tokë e pikturimit të virgjër
në shteg dielli,
mall i pashuar - ÇAMËRI
me pirgje bujshmërie
në bjëshkë e në vërri
që nga fill i gjallërimit.
Lirë e dashurisë sime purpur
me legjenda urtësie ngjeshur
thellësive të gufuara,
kurmi yt sfond i flakëruar
vrullesh të pathyera
shkallë-shkallë
krah i mbetur ende i ndarë.
Lashtësi e skalitur ndër breza
ÇAMËRI
ëndërra dhe emërtimi im i ri
hirësuar në krah baladash
me uratën e dehur për diellin,
zgërdhirja tinëzare e Kalit të Trojës
asaj fantome të verdhë
lëbyrje e pështyrë
për pagëzimin
që përjetoi turbullirë.
Ndërgjegje e fokusimit tim mëtues
orëve të vona
me pagjumësi të përcëlluara
heshtja kalëron e mërdhirë,
deri në brendësi më dërrmon
për përgjumjen tonë të patrazuar.
Kujtimet në vërshime të etura
horizontit tënd të dëlirë
rryer e gërryer nëpër mote trishti
nga furtuna të krisura
e lodrime fantazmash të lagura.
Rrjedhës së deformuar nga tkurrjet
ende lukuni të përkryera
me ironi të përkëdhelura
në shkafnjim përkufizimesh në harta
e tjetërsim ngjyrash të ylberit.
Mashtrimi syqen i vijëzimit mizor
me lojërat mëkatare
të djajve të fshehur
edhe në këtë mijëvjeçar të tretë shpërthyes
luajnë pafrenueshëm
vallen me gjarpërinjtë e shkundur.
Profecitë ulërijnë me kafshime
në zhveshje kujtese
për gjenezën e ruajtur me hirësi
me valëvitje flamujsh kuq e zi,
gjuhën e ligjërimit të dëlirë
pellazdo-ilir
harkuar denbabaden
si traditë
që nga perënditë.
Çamëri,
sofër e bujarisë së ruajtur
përmasave virtuoze
me dashuri,
agimeve të ndezura ritmike
shpresat melodi e komponuar
pranverë e ledhatuar
me kthjelltësi të pamposhtura
deri në pakufi,
për ty
Çamëri!
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen