Samstag, 12. April 2014

Sergio Hizma - Vargje për Çamërinë

 
LLAVA E LOTËVE TË MALLIT PËR ÇAMËRINË
(Nga tregimi i një plaku)
 
Nëse të merr malli ti kthehesh në vendlindje
Shkon edhe puth dhe gurët e shtëpisë...

Kurse unë fatkeqi më bëhet dopjo dhimbje
Se nuk i shoh dotë bukurinë Çamërisë
 
As mall e as dhimbje, dot nuk i pushoj
Shtëpinë dhe bukurinë djajtë na i vodhën
Prej mallit dhe dhimbjes që kurrë si harroj
Sytë mu qorruan nga lotët që rrodhën
 
Sa vite na ikën që nuk e kam parë
Portën e shtëpisë shpirtin kam të vrarë
Mall o mall i djegur bashkë me zemrat tona
Zot i madh na i kthe atë që është jona

 

Remzije Zekolli - Çamëri...




Remzije Zekolli

ÇAMËRI MOJ
 
Fushat e Çamërisë në gjak
Në vaj nënash e fëmijësh cullak
-A ka zot,...

Të mbrojë një popull!?
Kokat ranë sikur gjethe
Të zverdhura në vjeshtë
Ranë ëndrrat dhe tapitë
Ranë fushat si shkumë deti
E klithjet u gëlltitën në pafundësi
Çamëri moj
Çamëri



MË DHEMB ÇAMËRIA

Valët e trazojnë shkëmbin
E ai ende nuk jepet
Erërat e trazojnë rrapin e vjetër
E gjethet ikin pa kokë qiellit
E bien në tokë të verdha
E unë qaj për Çamërinë...

E mua më dhemb Çamëria
Sesi vyshket dhe lulja e gjakut
Nga vesa e vet e verës së vonuar
Çamëri moj Çamëri

Mittwoch, 9. April 2014

Xhavit Gasa - Çamëria


ÇAMËRIA

Çmëria,
plagë që dhemb,
te çdo shqiptar...

Plagë,
që shërim pret,
sa më parë...

Plagë e hapur,
në sytë,
e Europës plakë...

Europa e ré,
e sheh,
e nuk e ve ré...

Çohu,
pra shpitar,
ti dhe shkundi

Politikanët,
dhe Europën,
zgjoi nga gjumi...

Donnerstag, 19. September 2013

Fran Ukcama: Çameria...

 
ÇAMERIA
FLATRA NË KRAH SHQIPONJE

Mund të ketë vija në harta,
ndarë pa pytun,
prej të forteve,...

brenda shpirtit Kombit Moçëm,
Çameria- krahu i Shqiponjes.

Mund të ketë absurd epoke,
të shpërngulen dhunshëm trojesh,
në Kujtesën e shpirtit çam,
rron sa jeta, zjarri i votres..

Mund të ketë, edha ka,
andrra që bahen zhganderr,
flas me mikun çam ketu pra,
do vijë dita,
shpresë me shpirt,
ti, nji ditë do të më presesh,
te oxhaku, i Tëpareve,
Jonit buzë, në Igumenicë!

Donnerstag, 16. Mai 2013

Bilal Xhaferri: BALADE ÇAME

 Bilal Xhaferri

BALADE ÇAME

Ylberi, si një përshëndetje e përlotur lamtumirë,
u zhduk matanë largësive,
mbi kreshtat e flakëve,
nëpër shi...

Matanë largësive u zhduk e përflakur Çamëria
dhe të gjitha rrugët tona shpien në veri.
Ulërin era e Mesdheut mbi trojet e lashta epirote,
mbi të shtrenjtat troje tona stërgjyshore.

Në kullotat e braktisura kullosin rrufetë.
Ullishtet e pavjelura gjëmojnë si dallgë nëpër bregore.
Dhe kudo toka çame,
mbuluar nga retë,
rënkon e mbytur në gjak e lot,
e mbetur shkretë,
pa zot.

Na e tregojnë drejtimin plumbat, që vërshëllejnë në errësirë.
Na e ndriçojnë rrugët flakët, që gjithë tokën kanë përpirë
Pas shpinave tona përplas tufani dyert e shkallmuara të shtëpive
dhe rrugët zgjaten e zgjaten si veri.

Ne, popull muhazhir, ecim nëpër shi...
Lamtumirë, Çamëri!



 NATË ÇAME

Ndali çapin kopeja e ulqve
Në errësirën e thinjur me flokë bore.
Ndali çapin pranë staneve të heshtura
Kopeja e egër e pyjeve çame.
S’dëgjohen të lehura, s’dëgjohen blegërima,
Nuk duken më zjarret ku dremitin çobenët.
Vetëm deti rreh bregdetin me dallgë pa pushuar,
Vetëm hëna porsi dele e ndarë nga kopeja
Nëpër shtigjet e reve baret e vetmuar.
Ndali çapin kopeja e ulqve
Dhe përgjon e uritur në errësirën thinjoshe.

Ku ini ju çobenë me gunat e bardha?
Ku i kini delet që blegërinin kullotave?
Ku i kini qiprat, ku këmborët si këmbana?
Ku i kini qent e staneve që ulurinin si luanë?
Murrot, balot, gudot – armiqtë tanë të vjetër?
Ku janë që t’u tregojnë me çatallet e hekurt
Se si në shesh të luftës luftohet për jetën?

Hesht në errësirë Çamëria shkretëtirë,
vetëm dallga rreh parreshtur shkëmbenjtë kryeulur
Dhe jehona e saj e gjerë nëpër natën joniane
Përzihet me ulurimen e ulqve të uritur.


U botua në revistën "Krahu i shqiponjës"
nr.2, 1997 me pseudonimin Kiman Halil Çami

Montag, 29. April 2013

Haxhi Muhaxheri: ÇAMËRIA

Haxhi Muhaxheri

ÇAMËRIA

Çamëria është
Lumë i Loteve që nuk shteron
Malli i të dëbuarve që përvelon
Kënga e Shpresës që gjallëron
Ora e lutjeve që nuk mbaron

Është ëndrra jonë e përnatshme
Amaneti i shenjtë i etërve
Emblema e krenarisë

Çamëria
Është damari i ngushtuar i atdheut
Tregimi më i drejtë për barbarinë
Plaga janë e pashëruar
Libri i papërfunduar i historisë

Çamëria
Është kodi i pazbërthyer i perëndisë

29.04.2013

Samstag, 27. April 2013

Sadik Krasniqi: NË ÇAMËRI


NË ÇAMËRI

Sa herë meteorët fluturojnë në Shqipëri
Thahet nga pikëllimi një ulli
Në Çamëri

Sa herë hëna përndizet
Në Çamëri
Hardhia hedh dhembje mbi dhe
Në bar bie rush si prush
E digjet ajo fushë

Sa herë qiellin e ndan vetëtima
Në Çamëri
Vala e Jonit bëhet jelë kali
Në shkamb varet nga malli