Freitag, 18. April 2014

Hamit Taka - Ne viset e Çamërisë


NË VISET E ÇAMËRISË

Te këto vise të arta, nuk vij si kureshtar,
Jam lumë dashurie nga viset veriore!
Të ujis varret e zhuritur, livadhet e tharë,
Çdo rrënjë peme, çdo plis e çdo spore;

Në çdo hap mledh lule të thara kujtimesh,...
Prek tegele shkronjash në trungjet e ullinjve…
Dikur, në kohë paqeje dhe dëfrimesh,
Etërit u mësonin shkrimin fëmijëve;

Ngrejnë kokën kodrat dhe pllajat e heshtura,
Zgjohen befas nga ëndërra të frikshme;
Nga planimetria e lojës ca shënja të mbetura
Më joshin hareshëm me gjeste të magjishme;

Si një brengë e kaltër në burimet e fjetura,
Zgjohen zanat e thinjura, qajnë me dënesa;
Të vetmet gjurmë e shenja të paprekura
Mes gjurmësh mizore, goditjesh të pabesa;

 
PEIZAZH

Nëpër fëshfërima trëndafilash, jaseminësh
Ia ndiej frymëmarrjen kësaj toke bujare,
Lumi Kalamas mes dredhash, gurgullimash
Këndon ende këngët e vjetra krenare;

Para meje habitet udhëtari i devotshëm
I etur për thesare e trille natyrore,
Aroma mandarinash e qitrosh e joshin,
E ndeh kthjelltësia e të kaltrës jugore;

E ndjellin këto limane piktoreske
Me miklime të qeta, të arta hënore
Askund s’ka dëgjuar ai këngë kaq prekëse
Se kjo që vjen nga ullishtet valëzore;

I mahnitur hedh hapat ngadalë, i befasuar,
Me krahët e kureshtjes përfshin këto troje,
Dhe më thotë se “Kopsht i mrekullueshëm”
Nuk është thjesht një fjalë goje;

Mes legjendash e mitesh-Thesprotia hyjnore
Kumton amanetin dhe brengën e të parëve…
Ky kopsht i natyrës në trojet stërgjyshore
Jo, nuk mund t’u përkasë akoma barbarëve…
O JU ERERA…

O ju erëra të vendlindjes,
Ç’më risillni moshën e fëminisë!
Sikur të isha mes refleksesh hënore
Mbi lulebardhat e qershisë;

Sikur fyelli i bariut të ma mëkonte
Shpirtin me ëndërra dhe idile,
Dhe Hëna nga lart të vështronte
Siluetën e plepit ngjyrë lile;

Në livadhin me ngjyra brilante
Si ylber të rrija sonte shtrirë,
Sa do doja të ndjeja kësaj nate
Tufa yjesh skërmoqur në çair;

Edhe zogun do doja ta zgjoja
Te foleja në një shkurre gjetheartë
Dhe brengën e mallit t’ia çoja
Zotit në fronin e qiellit lart;

A e di vallë Zoti ç’është malli,
Ç’është largësia, ç’është dëbimi?...
Ai më thotë se duhen të tëra:
Malli, brenga dhe trishtimi;

Donnerstag, 17. April 2014

Bisedë me Çamen fisnike znj. Kadrije Pronjo

 
Nga Kozeta Zylo 
 
Çamja fisnike në moshën 86 vjeçare Znj.Kadrije Pronjo rrëfen me lot në sy tmerret që pa nga genocidi grek.
Nga ai mallkim nuk mbeti pa u ndëshkuar as plaku, as i riu, as gruaja, as fëmija.
 
  • Ju keni lindur ne Çamëri, sot në vitet e pleqërisë, c’mund të kujtoni nga jeta për atë koh...ë në qytetin tuaj të lindjes dhe në gjithë Çamërinë?
 
Po e filloj me qytetin tim të lindjes që quhet Paramithi që në shekujt e mëparshëm quhej Ajdonat. Është një Qytet i vendosur në shpatin e Malit Kurilla, mbrapa të cilit shtrihet edhe pjesa tjetër shqiptare, ajo e Sulit. E vlen të kujtoj se bejlerët Çamë veçanërisht Pronjatë ku isha martuar, mbanin gjithmonë miqësi me Suliotët.
Që në kohën e Ali Pashait ata ishin bërë vllamë me Suliotët dhe i kanë ndihmuar vazhdimisht ata.
Kjo është dhe arsyeja, që mbesa e Ali Pashait, u martua në Pronjatët, e cila ishte një zonjë e vërtetë, ndaj dhe njerëzit e respektonin dhe e donin për dashurinë dhe mëncurinë që ajo shfaqte në komunikim me ta.
Në majë të malit janë ende rrënojat e Kështjellës së Ajdonatit prej nga duket qartë madhështia dhe bukuria e qytetit. Shtëpitë e bardha me dy ose tre kate, të ndërtuara me gure dhe me oxhaqe të larta tregojnë fisnikerine e banoreve te saj.
Në shumë nga ato shtepi kishte pjesë që quheshin sellamllëqe. Aty strehoheshin fshatarët që vinin për të bërë pazarin.
Ata gjenin aty mikpritje e ngrohtëesi, bile kishte raste që i zoti i konakut as nuk i njihte se kush hynte e dilte në ato selamllëqe. Oborret e shtëpive ishin të shtruara me pllaka guri anash dhe të lyera me qëlqere të cilat ishin mbushur me vazo lulesh me aromë që edhe sot nuk më hiqet nga mendja. Shpesh në to mbilleshin lule tipike të krahinës sonë si Manxurana dhe Vasilikoja. Rrugët e shtruara me kalldrëme nuk mbanin as shi as borë dhe gjithmonë shkëlqenin nga pastërtia
Ato rrugë dhe ato shtëpi llamburisnin si brenda dhe jashtë nga nikoqiret çame, unë kështu e mbaj mend atë qytet si 25 vjecare kur jam dëbuar me dhunë nga Genocidi Grek!
 
  • Kur u larguat nga Çamëria dhe pse u larguat?
 
Ah, si erdhi ajo kohë e mallkuar e vitit 1944 që rrënoi ëndrrat dhe shpresat e një krahine të tërë shqiptare. Nga ai mallkim nuk mbeti pa u ndëshkuar as plaku, as i riu, as gruaja, as femija.
Ishte luftë në gjithë botën, por jo tek ne, lufta bëhej larg atë e bënin të mëdhenjtë Gjermani, Inglizi, Rusi dhe jo ne. Ne me të krishterët ishim në vëllazëri, bile një nga ne i ndjeri A. Pronjo ishte i martuar me një të fesë së tyre. Kanë lënë edhe dy fëmijëe.
Por kisha greke së bashku me qeveritarë na kishin halë në sy.
Ata përveç rrëmbimit të pronave tona mijëera vjeçare mbanin gjithmonë të ndezur urrejtjen dhe mezi pritën rastin e luftës për të na dëbuar nga shtëpiat e pronat tona.
 
  • Cilat jane disa nga pamjet më tmerruese që i keni akoma para sysh në ato vite të Genocidit Grek?
 
 Nuk më hiqet nga mendja ndarja me Zonjën Asije Hanëmin, vjehrrën time.
Duke më përqafuar e shtrëguar qante me lot dhe më këshillonte që të shpëtonja vajzën disa muajshe Makbulen duke më thënë nuse në xhenet do piqemi.
Mu rrënqeth mishi dhe i gjithë trupi më dridhej, ndërsa vajza qante me dënesë.
Me vajzën në krahë dhe një bohce ndërresash për të, vrapova tek babai, shtëpitë ishin prane.
Babait i kishte rënë nje tis i verdhë, ishte bërë si meit, mezi qëndronte në këmbë, kërkoi t’i marr pak erë kokës leshverdhë të mbesës së tij.
Tmerr i pa harruar është kur djalit 4 vjeçar të kunatit tim, Z. J.Pronjos zervistat deshën t’i prisnin kokën. Por për fat komshiu ynë Nikolla Sotiri, një njeri shumë I nderuar e shpëtoi, megjithëse deri vonëi mbeti shenja e thikës në fyt.
Po një tmerr që ështe vështirë të përshkruhet, megjithëse nuk mund të harrohet, i ndodhi komshijes Znj.Heteme, ishte e ere , andartet e zerves, mbasi ja shqyen rrobat me bajonetë dhe e bënë lakuriq sic e kishte bërë nëna, e morën me vehte dhe mbas disa orësh e nxorrën jashtë për ta vrarë.
Këtu del komshia e saj, e shoqja e Cavos dhe ua shkëputi nga dora duke u thënë, ma lìni mua se do ta marr nuse për djalin tim Mitron.
 
  • A keni pasur të vrarë, të masakruar nga familja juaj, apo miqtë tuaj?
 
Babain tim të shkretë Avdon., një burrë i mencur e trim e vranë duke e qëlluar mbas shpine në oborrin e shtëpise dhe bashkë me të edhe tezen time Hadife.
Vjehrren time, kur morën vesh se ishte Pronjate, nje familje fisnike shumë e nderuar që i ka dhënë Çamërisë shqiptarë trima e udhëheqës të njohur si Mustafa e Islam Pronjon,
(në Gjirokastër përmendet një shprehje për Pronjatet: “Ua mos u mbaj aq larte, sikur je nga Pronjatë.”) duke e goditur me tyta pushkësh në kokë i kërkonin se ku ishin fshehur florinjtë e shumtë.
Mbas vuajtjesh të pa pëshkruara së bashku me vajzën e saj Fatimen vdiq në burgun e Paramithisë.
 
  • Kush ju strehoi kur erdhët në Shqipëri dhe cilat ishin momentet e para të takimit?
 
Mbas udhëtimeve natën mbërritëm në periferi të Korçës së bashku me familje të tjera
Çame.
Në burime freskoheshim , pinim ujë dhe piqnim ndonjë misër nga arrat e
pakorrura . Në Korçë gjetëm një shtëpi me qira ku u strehuam tre familje.
Qyteti ishte i pastër, shumë mikpritës dhe i kamur, aty gjetëm çfarë na duhej për të jetuar. Njerëzit ishin shumë të sjelleshëm, na ndihmonin e na trajtonin si miq te vërtetë.
Mbasi morëm vesh se Anglezet, kishin shpëtuar mbas shumë muajsh vuajtje në burgun e Paramithisë shumë gra e fëmijë, burri im me shumë mundime, bashke me çamë të tjerë, kaluan rrugë pa rrugë për të takuar njerëzit e tyre që mund të kishin shpëtuar nga tmerri shovinist.
Por fatkeqësisht nëna dhe motra e tij nuk ishin më ndër të gjallët.
Ai në kushtet e dimrit u sëmur rëndë dhe mbas spitalit në Vlorë e sollën në atë të Tiranës. Me gjithë kujdesin e treguar, nga mungesa e ilaçeve por edhe e ushqimeve ai nuk rezistoi, dhe vdiq ne moshen 33 vjecare.
Kështu që mbeta e ve me vajzën time disa muajshe .
Pra jeta ime u nxi nga shovinistët grekë dhe u detyrova së bashku me vëllezërit e mij të punoj për të jetuar.
Vite shumë të vështira në kalvarin komunist që e kemi kaluar së bashku me gjithë vëllezërit shqiptar.
 
  • Ju keni toka, shtëpi e varret e prindërve në Çamëri, a keni pasur mundësi t’i vizitoni ato?
 
Atje kam një pasuri të pafund, kam varret e të parëve te mij; por fatekeqësisht, me gjithë dëshirën nuk më është lejuar asnjëherë per t’i vizituar më, as mua as ndonjë çami tjetër. Kjo bëhet nga grekët, per t’i treguar botës se atje nuk ka më shqiptarë.
Vetëm kështu ata mund të kërkojnë pretendime të padrejta për atë pakicë minoritarësh që i kemi mbajtur me bukë për të na punuar çifliqet tona.
Por dua të ndalem pak në këtë pikë.
Mbasi erdhi demokracia në Shqipëri, aty nga viti 1992, nje diëe për çudi, më vinë për vizitë në shtëpi disa gra të krishtera nga Paramithia.
Ishte Popi, vajza e H.Paskos bashkë me dy shoqe të tjera te vajzërisë sime të hershme.
U bë një takim shumë i përmallshëm, kaluam së bashku një ditë duke kujtuar fëmijërinë dhe rininë tonë, këmbyem dhurata dhe u ndamë si mikesha të vërteta që ishim.
Pronat e Pronjatëve si vreshta, ullishte, livadhe janë të shumta, bile para disa vitesh kur vajza ime ishte për turnė në Europe, në British Museum te Londrës, gjeti të ekspozuara disa statuja bronxi me shumë vlerë “të zbuluara më 1792,
nga fshatarë shqiptarë pranë Paramithisë në vendin e quajtur Gropë” edhe kjo pronë e tyre.
 
  • Ju në një moshë madhore patë me sytë tuaj një emigrim të dytë kur erdhët në Amerikë; c’ju detyroi që emigruat përsëri, dhe cili është ndryshimi midis emigrimeve që keni kaluar?
 
Ah, ju lutem mos ma quani kete emigrim, këtu gjeta një atdhe tjetër të vërtetë.
U largova nga Shqipëria sepse atje filogrekët nuk duan dëshmitarë okularë të spastrimit etnik që bënë me ne në Çamërinë tonë Shqiptare.
Nga ato pak gjëra që marr vesh, grekërit duan të marrin edhe Shqipërine e Jugut.
Këtu e kanë qëllimin e mohimit të Çamërisë sonë.
Dhe për turpin e tyre, heshtje për problemin Çam mbajnë dhe qeveritarët që janë vendosur me ndihmën e grekëve.
 
  • Si po e kaloni kohën këtu në Amerikë, dhe cila është rutina e përditshme?
 
Ju thashe edhe më parë, këtu gjeta një atdhe të vërtetë në kuptimin e plotë të fjalës. Megjithse në Shqipëri punova afro 30 vjet më japin nje pension afro 100 $ në muaj(faktikisht ato ja kam lënë nipit në Tiranë), këtu me pensionin që më japin mund të ha e të vesh cfarë të dua e të gjezdis ku të mundem.
Pra nuk më mungon absolutisht asnjë gjë. Për këtë i falem Amerikës per natë.
Është vend me të vërtetë i bekuar nga Zoti madh..
Për këtë duhet ta falënderojne gjithë shqiptarët. Me sa ndigjoj
Amerikanët po ndihmojnë vëllezërit tanë të Kosovës, inshallah një ditë të ndihmojnë edhe ne Çamët për të drejtat tona. Inshallah!.
 
Për mbesat e mia Betullën dhe Albën, do të them vetëm që janë shumë te mira dhe në jetë shumë të suksesshme. Stërnipi im , Lisi dhe stërmbesa Dea, që janëe lindur këtu, flasin gjuhën tonë shumë bukur dhe recitojnë vjersha në shqip.
Ata do të bëhen njerëz të mirë dhe do ta duan si Amerikën ashtu edhe Shqiperinë e vertete!
 
  • Ju urojmë pleqëri të bardhë dhe ju faleminderit për intervistën!
 
Staten Island, New York

______________
SQARIM: Biseda është publikuar më parë edhe ne gazetat “Illyria”, "Dielli", "Shekulli", kurse për webfaqen tonë e dergoj autorja Kozeta Zylo.

Si u urdhërua zhdukja e dosjeve të çamëve?

Kryeprokurori i Janinës:
"Më urdhëruan të zhduk dosjet e çamëve"

Zbulohet dokumenti tronditës në Arkivën sekrete të Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë. Në Greqi, në vitin 1976, u urdhërua shfarosja e të gjitha dosjeve për popullatën çame. Ish-kreu i akuzës së Janinës, Vasilios Xhavellas, e ka konfirmuar këtë fakt.

 


Të gjitha dosjet gjyqësore të popullsisë së dëbuar çame nga Greqia duhej të asgjësoheshin, - këtë fakt e ka konfirmuar Vasilios Xhavellas, ish-kryeprokurori i Janinës, gjatë një letërkëmbimi që ka patur në vitin 1976 me Ministrinë e Brendshme të Greqisë. Njëra prej letrave ka rënë në duart e shtetit shqiptar dhe i është dorëzuar Ministrisë së Jashtme të asaj kohe. Sot “Albania” boton të plotë kopjen e përkthyer të siguruar në Arkivën e Ministrisë së Jashtme ( e klasifikuar me vulë si dokument koefidencial), ndërsa është e qartë se në duart e shtetit shqiptar mund të ekzistojë edhe ndonjë kopje e dokumentit origjinal të shkruar në gjuhën helene.

I pari që e ka trajtuar një skandal të tillë ka qenë publicisti Mentor Nazarko, i cili, në librin “Lufta e fundit”, e ka bërë të qartë se shteti grek ka urdhëruar shkatërrimin e dosjeve të popullsisë çame. “Albania” boton sot dokumentin e siguruar në Ministrinë e Jashtme të Shqipërisë në radhët e të cilit fshihen ngjarje dhe zhvillime krejt të panjohura më pare, të cilat duken se mbartin një informacion të dorës së parë dhe shumë domethënës në rrafshin kombëtar. Dokumenti Më 29 shtator të vitit 1976, kryeprokurori i Janinës, Vasilios Xhavellas, në emër të Gjykatës së Diktimit në Janinë, me anë të shkresës me Nr. Prot. 1837, në kuadër të një korrespondence zyrtare intensive të atyre kohëve, i ka kthyer përgjigje Ministrisë së Rendit Publik të Greqisë. Kjo përgjigje vinte pas shkresës zyrtare që Drejtoria e Shërbimeve Kriminale e Ministrisë së Rendit në Greqi i dërgoi ish-kryeprokurorit Xhavellas duke i kërkuar këtij të fundit që t’i vinte në dispozicion të gjitha dosjet me çështjet penale që shteti grek kishte hartuar ndaj popullsisë çame.

Pasi është njohur me këtë kërkesë, nga ana e tij Xhavellas ka dërguar shkresën që botohet sot në “Albania” duke pranuar se me urdhër të Ministrisë së Drejtësisë së Greqisë këto dosje ishin zhdukur! Ish-kryeprokurori i Janinës ka specifikuar në këtë letër se ka qenë urdhri Nr.17835/1976 i Ministrisë së Drejtësisë që e ka detyruar atë të shkatërrojë dhe të zhdukë përgjithmonë atë dokumentacion. Ish-kryeprokurori Xhavellas arsyetonte se në bazë të urdhrit që kishte marrë nga ana e Ministrisë së Drejtësisë kishte për detyrë të “avullonte” të gjitha dosjet e proceseve gjyqësore penale :1) të atij të diktimit 5 dhe 3-anëtarësh të Janinës deri në vitin 1970, 2) të Gjykatës Penale të Kolaboracionistëve të Janinës, Artës, Prevezës deri edhe në vitin 1950, 3) si edhe të Gjykatës Speciale të Janinës për kolaboracionistët. Nga ç’mund të kuptohet nga krahasimi i urdhrave del se kërkesa për të zotëruar dokumentacionin nga ana e Ministrisë së Brendshme vinte fill pas urdhrit që Ministria e Drejtësisë helene kishte dhënë për asgjësimin e këtyre dosjeve....

Arsyet e zhdukjes Kryeprokurori i Janinës, në përgjigjen që i ktheu kërkesës së Ministrisë së Rendit, e sqaronte se këto dosje ishin asgjësuar për shkak se Ministria e Drejtësisë mendonte se ato nuk kishin më vlerë dhe se të gjithë të akuzuarit (çamët që ndodheshin në Shqipëri) nuk rezultonin fajtorë tashmë që kishin kaluar shtatë vjet nga marrja e këtyre vendimeve, pasi gjatë kësaj periudhe këta të akuzuar nuk ishin njoftuar për prezencën në gjyq apo nuk ishin vënë në dijeni për vendimin e marrë nga gjykata ndaj tyre. “Duke i konsideruar këto vendime si asnjëherë të komunikuara dhe që nuk kanë qenë aspak në fuqi si të tilla ( të zbatuara), pra si jopërfundimtare”, - shkruhet në përgjigjen që ish-kryeprokurori i kthen Ministrisë së Rendit të Greqisë. Më tej, në përgjigjen e tij, ai e mbështet këtë arsyetim (për të zhdukur dosjet) në Nenin 549 të së Drejtës së Vjetër Penale.

Ky pohim i ish-kryeprokurorit të Greqisë duket se “hedh në erë” një pretendim shumëvjeçar të Athinës Zyrtare, e cila e ka konsideruar popullatën e përndjekur dhe të dëbuar të Çamërisë si kolaboracioniste të fashizmit. Sakaq, diferenca mes pretendimit që shpreh Ministria e Drejtësisë Greke dhe Diplomacia e këtij vendi është absolutisht kontradiktore, pasi të paktën vetëm nga ky dokument, ish-kryeprokurori i Janinës artikulon qartazi se vendimet e marra nga gjykatat greke ndaj popullsisë çame nuk mund të konsiderohen si përfundimtare për shkak të moszbatimit të disa parimeve themelore gjatë gjykimit të çështjes. Asgjësimi Përtej përplasjes serioze që konstatohet mes institucioneve të drejtësisë greke dhe diplomacisë së saj, duket se vendimi për të asgjësuar këto dosje ngre pikëpyetje të tjera.

Kjo pasi të gjitha dosjet e gjykimit të popullsisë çame në mungesë maksimalisht do të përbënin një argument të fortë juridik në të ardhmen ose minimalisht do të manifestonin një material të denjë për arkivat e historisë e më gjerë. Kësisoj, minimalisht Ministria e Drejtësisë Greke në vitin 1976 ka eliminuar mundësinë e një transparence në lidhje me gjykimet që i janë bërë popullsisë came, e cila u prezumua si bashkëpunëtore me nazizmin. Edhe kësaj here duket se qeveria greke ka treguar kujdesin e duhur ndaj “pastërtisë” së arkivave të saj. Gjithnjë shteti grek është treguar shumë i rreptë në kontrollin që i bënte arkivave në lidhje me çështjen e përndjekjes dhe dëbimit të popullsisë çame. Një shembull i qartë që e vërteton këtë gjendet në librin “Lufta e fundit”, në të cilin del qartë se nga referimet që autori Nazarko i ka bërë një studiuesi grek të çështjes, ky i fundit pohon se “është tmerrsisht e vështirë dhe thuajse e pamundur” që të sigurohen dokumente në arkivat shtetërore greke.

Nga cdodite.com

Hasan Çapari, luani i Çamërisë

 
 Nga : Abedin Rakipi

Lindi në Margëllëç. Themeluesi i derës së lavdishme Çapari. Vasil Krapsiti në “Istoria tu Margatiu” gabohet kur shkruan se ishte i ardhur, aziatik. Gojëdhënat e shumta të bashkëqytetarë ve të tij vërtetojnë katërcipërisht se ai pati dalë nga familja e madhe margëllëçase, Amaràti. Prijësi luftarak më i zoti dhe më i dëgjuari jo vetëm në Çamëri, që po se po, por edhe shumë më përtej, shpatarak i rrallë, gjeneral i shquar kalorie dhe diplomat i dalluar. Admirali rus, Ushakov, komandanti i flotës së Detit të Zi, i cili asokohe vepronte në detin Jon, në shkresat dërguar oborrit carist, Hasan Çaparin e quante një ndër komandantët e rëndësishëm të armatës alipashiane. (P. Aravantinoi, G.LL.Arsh dhe I.M.Qafëzezi. ). Sipas dëshmitarëve ngjarjepërshkrues të kohës dhe gojëdhënave të shumta ai kishte një trup të bëshëm e lastar si qiparis, tërheqës e tejet të fuqishëm. Tejet i pashëm: fytyrëkalesh(paksa ezmer), syfilxhan, vetulltrashë e flokëzi si pendë korbi. Thuhet, gjithashtu, se ishte gjysmë njeri e gjysmë “xhinì”(hyjni) dhe se kishte dashnore një zërë(orë, zanë); thuhet edhe se ajo i ishte shfaqur në gjumë edhe vet të shoqes së Hasanit. Sipas gojëdhënave të mbartura nga brezi në brez çeta cubash sulotë “nuk linin dy gurë bashkë”. Që nga çerdhet e veta në brinjat e thepisura të humbëtirave të Sulit – sipas I. M. Q.- ato derdheshin tatëpjetë fshatrave të vendeve të ulta të Çamërisë Jugore, tmerronin banorët e tyre dhe grabisnin gjithçka që gjenin në to; madje disave prej fshatrave të afërta me ta u vinin edhe detyrime të përvitshme. Të gjitha veprimet ushtarake osmane kundër tyre kishin qënë të padobishme; dhe ç’ishte edhe më keq. ata kishin mundur të ngrenin edhe një nyjë tejet të fuqishme në malin Flùar, mal në të majtë të rrjedhës së mesme të Lumit të Zi, e cila u kishte dhënë edhe më tepër dorë për grabitëri në vendbanimet e krahinës Çamofshatra;ndë rkaq, ai që pastaj u quajt me mbiemrinÇapâr, kishte arritur në dallgë të tij. Për t’u ndalur grabitqarëve hovin dhe për t’u prerë përgjithmonë udhën etyre dëmebërëse, prijës e trima nga Janina, Margëllëçi, Narta, Paramithia e Préveza kundër tyre ngrinin prita të shumta dhe bënë me to luftime të herëpasherëshme shumë të rrepta e tejet të përgjakshme; gjithësaherë i zmbrapsnin dhe i zbonin deri në strofkat e tyre të çelura nëpër faqet e pjerrta thikë të maleve të veta. Njëri prej atyre prijësave e kordhëtarëve me emër ishte edhe Hasan Amarati. Gjatë vitit 1772 ai me trimat e vet –sipas Ilo Mitkë Qafëzezit- disa nga çetat në fjalë “që rripnin fshatrat e ultësirave” i dërrmoi disa herë dhe më në fund i shkatërroi tërësisht. Gjatë një nate kur kapedan Xhavàrra(a Zhavàrra) me cubat e vet po kalonte nga fshati Koçonopull i Poshtëm për në fshatin fqinjë, Muzhakë, papritmas hasi në njësinë luftarake të prirë nga Hasan Amarati. Në përfytjen e bërë në shtratin e rrjedhës së epërme të lumit Lur, gjatë dyluftimit ndërmjet të dyprijësve, Hasani e vrau Xhavarrën dhe si shenjë mundjeje i mori sharkën e zezë me shirita të bardhë anëve; këta lloj shiritash në Çamëri –si edhe ata të llambave me vajguri- i quajnë çaparë. Shiritat e asaj gune u bënë shkak që andej e pas Hasan Amarati të quhej Hasan Çapari.(Rrëfime të Abdul Kup Gjuzelit, Hasan Velo Çaçanit dhe Mete Faslli Ballës nga Margëllëçi). I.M.Q. thotë se përleshja në fjalë u bë në fshatin Bodàr; dikush tjetër thotë se u bë në Zharrovìnë, edhe këta të dy vendbanime në Çamofshatra. Po, po të mbahen parasysh vendndodhjet e këtyre fshatrave dhe mundësia për t’u vërtitur çetat në fjalë, mund të thuhet pa mëdyshje se rrëfimi i tre margëllëçasve të sapopërmendur është plotësisht bindës, pra dhe i besueshëm.Që kur vrau kapedan Xhavarrën, emri i Hasan Amaratit –tanimë me mbiemrin Çapari- mori dhenë; krahas tij edhe kamja e fuqia u ngjitën mbi ata të deriatëhershmit. Duke e ndjerë veten me peshë të veçantë, H. Ç. u vetëmërgua nga dera mëmë në Margëllëç dhe shkoi e u vendos në Luarat, fshat fqinjë në perëndim të Margëllëçit. Aty ngriti gërbjen e vet madhështore, të quajtur “Sarajet e Çaparénjet”, muret e të cilave qëndrojnë ende tërësisht në këmbë. H. Ç., pra, u bë themeluesi i një dere të re prijëse, e cila shumë shpejt u bë derë parësore që vuri në hije jo vetëm derën mëmë të Amaràtëve, që po se po, po mënjanoi mjaft edhe dyert e mëparshme prijëse të Çamërisë së Mesme Perëndimore: të Hùsëve, të Aliut, të Gravës, të Mùrtos, të Rùsëve e deridiku edhe të derës së hershme feudale, të Prronjàtëve. Madje H. Ç. me veprimet e gjalla ushtarake e diplomatike krahinore,ndërkrahinore e ndërshtetërore bëri që plot historianë bashkëkohës: anglezë, francezë, grekë, rusë etj. ta rendisnin –sipas historianit sovjetik G.LL.Arsh dhe atij francez, Belêr(J.P.Bellaire) “të parin” ndër të 3 sundimtarët më të përmendur dhe më të fuqishëm të Çamërisë: Islam Prronjon e Mahmut Dalanin.Bashkëqytetarë t e H. Ç.: Haxhi Vejsel Karametua(dtl. 1912), Mehmet Faslli Balla(dtl. 1895) dhe Rexhep Muhamet Abduli(dtl. 1895), tregojnë se kur A. p. T. vendosi ta zbonte njësinë ushtarake franceze napoloniane nga Préveza, pyeti H. Ç. se si mund të arrihej një gjë e tillë. A. p. T. e dinte se francezët Prévezën e kishin bërë të “pamarrshme”. Në pjesën më të ngushtë të rripthit tokësor që lidhte qytetin me trungun, ata kishin çelur një kanal shumë të gjerë dhe shumë të thellë, gjë që kishte ndërprerë kalimin lirshëm për në qytet; në të mund të shkohej vetëm nëpërmjet një ure, e cila ruhej rreptësist me ushtarë të shumtë, topa e armatime të tjera. Hasan Çapari, i cili e dinte fare mirë vështirësinë që paraqiste marrja e Prévezës, nuk i dha atij asnjë mendim e s’iu zotua për asgjë; u mjaftua vetëm me një “ta shohim”. A. p. T. që e njihte H. Ç. sa edhe veten e vet, nuk e shtyufjalën më tej. Pa humbur kohë Hasan Çapari arriti në Margëllëç dhe, pasi mblodhi të madh e të vogël, u tha: – Kush isht burrë, të ngjeshinj armët e të vinjë me mua të vemi të marrim Prévezën. Kush nuk isht, të veshinj tumene e të mbillet bërna në shtëpi me grât.Aty për aty dolën 500 kalorës dhe 300 këmbësorë margëllëças e fqinjarë, luftëtarë nga më trimat; ndër ta edhe më të tërbuarit: Beqo Novalli, Hamit Gomarja, Sulo Bali e Zejnel Hara. Me të dalë përtej Shkallës së Kallodhìqit, qitën shpatat dhe thyen këllëfët e tyre. Kjo do të thoshte: “Ja fitore, ja vdekje!”.I.M.Q. thotë se në mesnatën e 12.X.1798 ushtria alipashiane iu afrua ish-qytetit Nikopol, në gumburadhat e të cilit kishte zënë vend një njësi ushtarake franceze. Të nesërmen në mëngjes njësia ushtarake shqiptare e prirë nga H. Ç. u vërsul mbi njësinë franceze; gjatë një luftimi trup me trup e qiti nga hendeqet, por ajo u përqëndrua në mbeturinat e amfiteatrit. Kapiten Riçmonti kundërsulmoi me bajonetë mbërthyer, po 20 shqiptarë e plagosën dhe e mbërthyen për fyti, gati për t’i prerë kokën; e shpëtoi zëri gjëmues “mos” i H. Ç. Brenda pak minutave njësia ushtarake francezeu asgjësua dhe ai që dikur ishte qytet, u ripërmblodh në sundimtarinë shqiptare. Përfundimin e përleshjes atje Napoleon Koracini në veprën e vet “Grecia ed Albania, appunti e rivelazioni ”, Milano, 1886, fq. 204, e tregon kësisoj: “Rrethuar nga 500 kalorës shqiptarë të udhëhequr nga Hasan Çapari prej Margëllëçit, Gabori u vërvit me bajonetëmbërthyer të çelte shteg, po ra i vdekur me të dalë nga gërmadhat e ish-teatrit; ushtarët pak nga pak u vranë të gjithë. Riçmonti mori në krah kufomën e zëvendësit të tij dhe me shpatë zhveshur u turr të delte jashtë murit të rrethuesve, po s’mundi. I plagosur keq, u ul mbi njërin gju dhe u ra luftëtarëve që e sulmuan të parët, deri sa arriti me vrap mbi kalë vet Hasan Çapari; si armik fisnik, i doli mbrojtës me krahërorin e tij. Urdhëroi ushtarët të ndërprisnin goditjet kundër Riçmontit dhe e tërhoqi atë me të gjitha kujdesitë…i lidhi plagët dhe eliroi”. Sipas Françesk Tajanit, Napoleon Koracinit dhe I. M. Q. më 13.X.1798 ushtria shqiptare alipashiane iu derdh njësisë ushtarake franceze të vendosur në Prévezë, të komanduar nga gjeneralët Hottei dhe La Salcette. Kur këmbësorët po i afroheshin hendekut – kallëzojnë të 3 tregimtarët e lartpërmendur dhe bashkëqytetari i tyre, Abdul Kup Gjuzeli- 300 margëllëças e fqinjarë prenë nga një strósë(deng) me dru të njomë. Si arrinë tek hendeku-det, vërvitën në të dengjet me dru dhe bënë kështu urëkalimin. Prej andej tok me këmbësorë të tjerë iu derdhën francezëve, shkatërruan fortesën e tyre pranë urës dhe iu sulën francezëve të tjerë aty afër e deri në qytet. H. Ç., me të dhënë veziri shenjën e caktuar, çau vetëtimthi nëpër francezët që kishin zënë vende luftimi nëpër qytet dhe iu lëshua grupimit kryesor që po mbahej këmbëngulthi nëpër lundrat anëdetare. Nuk u desh shumëkohë që ajo nyjë aq e fuqishme kundërshtarësh të bëhej e paqënë. Megjithatë –edhe pse në perëndim e sipër- qëndresa e francezëves’ishte asgjësuar përfundimisht. Napoleon Koracini thotë se kapiteni Tissot me 35 bombahedhës që prej 4 orësh po mbahej ende në kishën e shën Harallambit i rrethuar nga 200 luftëtarë shqiptarë, të drejtuar nga Muhtar bej Ali Pasha Tepelena. U desh vërvitja e fluturimtë e H. Ç. dhe e kalorësve të vet që të shuhej edhe kjo qendër qëndrese dhe qyteti të kalonte përfundimisht në duar të alipashianëve. Historiani anglez, Th. C. Huges(II,219) , duke bërë fjalë mbi rrufeshmërinë dhe madhështinë e H. Ç. në luftimet për dëbimin e njësisë ushtarake franceze nga Nikopoli dhe Préveza, vëren :”The famous Hasan Zapari of Margariti” kur po derdhej mbi njësinë ushtarake franceze, të dy cepat e pelerinës ia fluturonte era në përngjasim me krahët e një shqiponje gjigande qëturret seprash. Me t’u çliruar Préveza, A. p. T. prej andej, më 19.X.1798 H. Ç. e dërgoi të plotfuqishëm në Pargë. Ai duhej të bindte parësinë pargarite, që qyteti i tyre të shkëputej nga sundimtarët francezë dhe të kalonte paqësisht brenda vilajet-shtetit shqiptar të A. p. T., detyrë që H. Ç. bëri çmos që ta përmbushte me shumë maturi dhe ndershmëri.(Shih Parga). Vasil Krapsiti në veprën e vet “I Istoria tu Margaritiu”, Athinë, 1992, fq. 28, për H. Ç. shkruan: “Gjatë gjithë jetës së vet u dallua për heroizmin e tij, për urtësinë dhe veprimtarinë ushtarake me të cilat shtoi rëndësinë, ndikimin dhe pasurinë e vet.”. Kur po kthehej nga Préveza në Margëllëç, në kruan e fshatit Lijé i zbriti kalit dhe u përkul të pinte ujë. Koburja që mbante në silah rrëshqiti dhe, duke u përplasur për tokë shpërtheu dhe e la të vdekur.(tregime të bashkëqytetarë ve të vet: Abdul Kup Gjuzeli,Mehmet Faslli Balla dhe Rexhep Çaçani...
 
Burimi: cameriaime.com

Figura të ndritura të Çamërisë

 
Nga Nexhat Merxhushi

Në jubileun e 100-vjetorit të Pavarësisë, na mbetet vetëm të kthejmë sytë edhe nga Çamëria, kjo krahinë e martirizuar, që mbeti jashtë tokës amë. Më 28 Nëntor të motit 1912, Çamëria ishte pjesë e panteonit të nënshkrimit të aktit të madh të pavarësisë edhe nga firmëtarët e saj, të paharruarit, Veli Gerra nga Gumenica, Jakup Veseli nga Margëlliçi, Rexhep Demi nga Filati dhe Aziz Tahir Ajdonati (Çami) nga Paramithia. Këta nënshkruan aktin solemn që përgatitën patriotët çamë.


Abedin Pashë Dino (Preveza)

Ëndrrën për ta parë Shqipërinë të pavarur, nuk arriti ta përjetojë kjo figurë e shquar, që dha kontributin e tij të madh, gjatë rrugëtimit për realizimin e saj. Por aktiviteti i tij njihet aq pak, sa edhe ne shqiptarët e sotëm, nuk mund t’ia përkujtojmë jo ditën, por as vitin e vdekjes. Na vjen çudi që është injoruar aktiviteti politik dhe atdhetar i Abedin Prevezës dhe është vlerësuar vetëm si një patriot me përmasa lokale. Ai vendosi gurin e parë në jug të Shqipërisë në rilindjen e kombit shqiptar, që do të përfshinte gjithë shqiptarët myslimanë dhe të krishterë drejt qytetërimit europian.

Abedin Preveza lindi në Prevezë më 5 prill 1843. Ishte i biri i Ahmet bej Dinos (1785-1849) që kishte marrë pjesë në kryengritjen kundër Tanzimatit më 1847, nga ku doli kërkesa për vetëqeverisje, siç thotë Sami Frashëri. I ati, më vonë, u internua në Konjë të Anadollit, ku dhe ndërroi jetë. Në biografinë e shkruar nga vetë Abedin Pasha, më 25 qershor 1888, ai krenohet që “i përkiste njërës prej familjeve fisnike të Shqipërisë, që i takonte popullsisë çame të saj.” E ëma, Saliheja, i përkiste familjes së mirënjohur atdhetare nga Margëlliçi, Çapari. Sipas prof. doktor Hasan Kaleshit, filloren e kreu në vendlindje, në Prevezë. Të mesmen në Janinë, në gjimnazin e mirënjohur “Zosimea”. Shkon në Stamboll, por prapë kthehet në vendlindje me detyrë ndihmës i mytesarifit dhe i kajmekanit të qytetit. Ishte politikan dhe poet. Ka shkruar prozë dhe poezi në gjuhën turke dhe ka botuar në gazetën greke të Stambollit, “Neo Logos” ( Hasan Kaleshi, “Jeta dhe vepra” fq. ‘92-‘93). Krijoi Komitetin e Vetëmbrojtjes në të katër vilajetet shqiptare.

Më 30 maj 1987, krijoi Komitetin Qendror për Mbrojtjen e të Drejtave të Kombësisë Shqiptare, ku morën pjesë patriotë të mëdhenj, si Abdyl e Sami Frashëri, Vaso Pasha, Zija Prishtina dhe Jani Vreto. Në krye të veprimeve në jug qëndronte Abedin Dino. Komiteti u ngrit mbi bazën e një parimi të vetëm: shpëtimin e Shqipërisë nga copëtimi, duke shpallur katër vilajetet shqiptare, si autonome, ku në gurë të themelit qëndronte, “Ne duam të rrojmë në paqe me fqinjët. Jemi krejt të vendosur për të mbrojtur deri në fund çdo gjë që është e jona. Toka shqiptare t’u lihet shqiptarëve”. Për këto vlera të shquara, Abedin Dino caktohet nga kryesia e Lidhjes, krahas Abdyl Frashërit, Iljaz Pashë Dibrës, Hasan Pashës, Mihal Kristos, Mehmet Ali Vrionit, Mustafa Tetovës, Mustafa Pashë Vlorës dhe Sabri Beut, për t’i paraqitur qeverisë osmane memorandumin, ku kërkohej njohje e Shqipërisë si vilajet autonom. Lidhur me këtë, Abedin Dino, më 1877, organizon në Janinë “Komitetin e Shpëtimit Ushtarak”. Në biografinë e Sami Frashërit thuhet: “Nga mesi i vitit 1877, u ktheva në Janinë dhe nisa të punoj si sekretar i Komitetit Ushtarak, të kryesuar nga Abedin Dino.”

Avdyl Frashëri, në letrën e 20 dhjetorit 1878, dërguar nga Janina, Iljaz Pashë Dibrës thotë: “Shkova në Prevezë, Abedin Dino si edhe të tjerë bejlerë të parisë së Çamërisë, u gëzuan fort për bashkëpunimin e plotë dhe për vendimet e Lidhjes”. Më 20 qershor 1877 disa personalitete shqiptare të Stambollit dhe midis tyre edhe Abedin Dino, i dërguan një memorandum proteste Kryeministrit gjerman, Bismak, Andrashit (përfaqësues austro-hungarez), Vandingtonit (përfaqësues i Francës) ku ndër të tjera thuhet: “Do të fillonim të flisnim, për histori, për gjuhën dhe etnografinë, për të provuar ekzistencën e Shqipërisë, por ne mjaftohemi të tregojmë këtu, kufijtë e Shqipërisë që fillojnë nga Tivari, Shkodra, me të gjithë malet e banuara nga katolikë: Peja, Kurmushlia, Leskovaci, Vranja, Manastiri, Follorina, Kosturi, Grebeneja, Pindi, Kalarita, Narta dhe mbarojnë në Gjirin e Ambrakisë dhe nuk lejojmë aneksimin e këtyre trojeve nga cilado forcë e fqinjëve dhe jemi gati të biem fli të gjithë”.

Konsulli francez në Selanik, Krajevski, tregon se kjo veprimtari nuk është e fshehtë: “Të gjithë janë në dijeni se është një nga krerët e Lidhjes Shqiptare, Abedin Dino”. Memorandumi përfundon me fjalët: “Populli Shqiptar proteston para Europës kundër aneksimit qoftë dhe të pjesës më të vogël të territorit të vet, prej një kombësie tjetër cilado qoftë dhe deklaron se është gati që të bëjë fli të gjitha forcat e veta jetike dhe ushtarake për mbrojtjen e këtij vendimi të lartë, gjë që e quan një detyrë të shenjtë, …nga e drejta e vet dhe nga nderi i vet kombëtar”. (Politisehes Arehiv des Auswartingen Amts. Aktet e kongresit Berlinit, 1878, dok. Nr. 86).

Ndërsa Anastas Kullorioti, arvanitasi rilindës, shkruante në gazetën e tij “Zëri i Shqipërisë” që botohej në Athinë: “Abedin Dino është shpirti dhe zemra e Lidhjes. Është thjesht shqiptar nga zemra. Nuk bën asnjë dallim në mes shqiptarëve myslimanë dhe ortodoks, i quan të gjithë vëllezër. Abedin Dino dhe Sami Frashëri janë një shembull i madh i përparimit të shqiptarëve në qytetërim. Kurse atdhetari Dervish Hima, pas vdekjes të këtij patrioti të madh, shkruante në revistën e tij, “Shqiptari i Ilustruar”, se “I ndjeri Abedin Dino, nga paria e Çamërisë, përfaqëson një nga figurat më të nderuara të popullit fisnik shqiptar. Kur “qeveria shoveniste greke e Harrilla Trikupit, organizoi një zbarkim nga Korfuzi me 760 andartë grekë, dhe u orvatën të ngrinin në Lëkurës të Sarandës flamurin grek, nga 12 shkurti deri me 23 shkurt 1878, u ballafaquan me forcat e Abedin Dinos prej 400 trima çam e lebër dhe u shpartalluan”. (Tiso-Athinë, janar 1879)

Në komisionin tre anëtarësh për caktimin e kufijve, shpirti i bisedimeve ishte Abedin Dino. Hasan Kaleshi citon: “Në fund të vitit 1878, Abedin Dino dërgohet në Shqipëri si komisar i komisionit për të vënë në jetë vendimet e Kongresit të Berlinit, duke i dhënë Greqisë territore shqiptare. Por ai së bashku me Abdyl Frashërin, Mehmet bej Vrionin etj., mblodhi rreth vetes prijësit shqiptarë me 30 mijë forca, për të penguar dhënien e territoreve shqiptare. Në këtë kohë, vilajeti i Janinës nuk iu bashkëngjit Greqisë. Në fillim të qershorit 1880, Abedin Dino thirret në Stamboll dhe i jepet titulli Vezir. Më 10 qershor të këtij viti, emërohet në postin e ministrit të Punëve të Jashtme të Turqisë. Të gjithë dyshuan për këtë emërim, sepse ai njihej si një nga krerët kryesorë të Lidhjes. Në notën e 26 korrikut 1880, dërguar fuqive të mëdha, ai, midis të tjerave thotë: “Turqia nuk mund të pranojë vendimet e konferencës, se nuk do të ishte në gjendje t’i zbatonte, pasi Lidhja kishte fuqi të armatosura e s’donte t’ia dinte për vendimet e saj”. (Xhaferr Begu “Lidhja e Prizërenit, fq. 160”). Në fund të jetës së tij, Abedin Dinon e hoqën nga Rodosi për ta ngarkuar në Kryeministri. Në vitin 1905 vdiq papritur në Pallatin e kobshëm të Jelldizit. (Dervish Hima “Shqiptari i Ilustruar”.)

Gazeta “Dielli”, në prill 1909, shprehet me ironi të hidhur se Abedin Dino ka “pirë kafen në Jelldiz Qoshk”. Emri i Abedin Dinos ka zënë vend në disa gazeta në diasporë. Emri i Abedin Dinos ka zënë vend në enciklopedi të huaja, si turke, greke etj. Vetëm në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar, emri i tij nuk figuron! Populli i Margëlliçit dhe Arpicës i këndon dhe i ka thurur vargje këtij atdhetari.


Hasan Tahsini

Një figurë e ndritur, por në një linjë tjetër, shumë të rëndësishme është edhe Hasan Tahsini (Hoxhë Tahsini). Çami intelektual, u përfshi në krijimin e alfabetit të përbashkët të shqipes, themelues i shoqërisë së të shtypurit të shkronjave shqipe në Stamboll, frymëzuesi kryesor i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, rektor i parë i Universitetit të Stambollit, mik i ngushtë i vëllezërve Frashëri, Jani Vretos, Ismail Qemalit dhe njëkohësisht mësuesi i tyre. Vetë Sami Frashëri do të shprehej: “Njerëz si Hoxhë Tahsini, 1 në 1000 vjet i vijnë Shqipërisë”.


Sabri Preveza

Financuesi i gazetave që botoheshin jashtë vendit, në mbrojtje të interesave kombëtare si “Drita” e Sofjes, “Liria” e Selanikut etj., ishte dhe Sabri Preveza. Kur u caktua mësues në gjimnazin turk të Prevezës, ishte ndër të parët që dha mësim në gjuhën shqipe. Me shpalljen e Pavarësisë u vendos në dispozicion të qeverisë së asaj kohe.


Asaf Ajdonat (Çami)

Veprimtar i shquar i arsimit shqiptar (1888-1965). Lindi në Paramithi, ku qysh në vogëli u rrit me ndjenja patriotike. Kreu studimet e larta për mjekësi (kirurgji). Ngriti klubin e Paramithisë dhe Margëlliçit, së bashku me patriotin Spiro Çalluka. Organizoi qëndresën heroike në Shkallë të Paramithisë, kundër forcave pushtuese greke, më 1913. Pas pushtimit të Çamërisë nga Greqia, Asafi u vendos në Konispol, ku shërbeu si mjek në dobi të banorëve, pa pagesë. Ngriti shoqërinë “Vëllazëria Çame” ku u zgjodh kryetar i saj. Më 23 qershor 1921 i dërgon një letër sekretarit të Përgjithshëm të Lidhjes së Kombeve, nga “Përfaqësuesit e Komiteteve të Bashkuara Shqiptare, Kryengritës të krahinave të veriut, të Shkodrës, Kosovës, Çamërisë dhe Janinës”. Kjo letër është në mbrojtje të interesave kombëtare, nga synimet grabitqare të fqinjëve. Është firmosur nga Asaf Çami, Bedri Pojani, Kol Batri (marrë nga shoqata kulturore shqiptare, “Migjeni”, Ljubjanë 1990). Shok i Muharrem Rushitit, Riza Cerovës, Salih Çekës, Omer Nishanit.


Musa Demi

Figurë e rëndësishme e Rilindjes Shqiptare, i cili krahas patriotëve të tjerë të Çamërisë, si Mehmet Zeirai, Mehmet Sejko etj., morën pjesë në kryengritjet e organizuara nga Çerçiz dhe Bajo Topulli. Ky grupim u quajt “Klubi i Filatit”, ku më vonë u lidh me Klubin e Manastirit dhe të Paramithisë, të kryesuar nga Rasim Dino.


Spiro Calluka

Lindi në fshatin Potam të Paramithisë, më 1887. Më vonë u vendos me familjen në Paramithi. Kreu studimet për drejtësi në Athinë. Pas studimeve, filloi punë si avokat në këtë qytet. Kishte njohje me Ismail Qemalin, Fan Nolin, Hasan Prishtinën etj., bashkë me patriotë të tjerë ortodoks çamë, nga fisi i konomenjve, i Gliqisq, Papejtë nga Kastria, Gogozotët nga Rrapëza, që dolën në mbrojtje të tokave shqiptare nga copëtimi dhe lakmia greke. Luftoi përkrah patriotëve Damin e Tahir Mete nga Mazreku, Haxhi Braho, Iljaz Haxhiu, kundër Anadollisë.


Abedin Bako

Abedin Bako lindi në Paramithi dhe së bashku me të vëllain, Spiro Callakën dhe patriotë të tjerë, luftuan për ruajtjen e identitetit shqiptar të popullsisë çame, nëpërmjet arsimit shqip. U vra nga bandat e Zervës më 1944-n. Edhe shumë patriotë të tjerë shqiptarë çamë, me penë, me pushkë dhe duke shkrirë pasurinë e tyre, punuan dhe luftuan për të mos humbur emrin shqiptar, për të qenë krenarë për emrin e tyre, duke u ndeshur dhe në përpjekje me forcat shoveniste greke, në përpjekje për të krijuar një shtet në kufijtë natyrorë, dhe kur Pavarësia erdhi në Shqipëri, kërkonin bashkimin me të, duke e quajtur xhexhe (gjyshe) ose xhexhe–xhaxheshë-xhajë, pra babë-atdhe. Pavarësia nuk erdhi në atë pjesë të martirizuar të Çamërisë.

Veprimtaria atdhetare dhe sakrificat supreme të shqiptarëve të Çamërisë, sollën një ndihmesë të vyer për pavarësinë e Shqipërisë.  Ndonëse përpjekjet e tyre në mbrojtje të trojeve shqiptare nuk u realizuan, si dhe ndodhi edhe për pjesë te tjera të tokave tona që çuan në copëtimin e Shqipërisë, lufta e tyre qe jo e vogël dhe sakrificat e gjaku i derdhur ndihmuan në këtë Shqipëri që kemi sot. Ne krenohemi me kujtimin e atyre burrave të guximshëm, që me vëllezërit e tyre shqiptarë, si në Veri, ashtu dhe në Jug, dhanë dijet e tyre, burrërinë dhe jetën, për të parë ditë të bardha të një kombi të bashkuar.

Burimi: Gazeta-shqip.com

Ku shtrihet Çamëria?

Nga Bilal Xhaferi

Çamëria shtrihet në pjesen veriperëndimore të Greqisë me një sipërfaqe prej 10. 000 km2. Pellasgo-Ilirët ishin banorët e hershem të Çamërisë, kurse mbret i parë ishte Therporti me prejardhje Pellazge. Fiset ILIRE ishin Molosët,Dodonët, Kasopianet, Efyrianet etj. Çameria ishte pjesë e Mbretrisë ILIRE. Heroi Pirro ishte heroi i shquar i Çamërisë,sukseset në luftëra e derguan atë dhe ushtrine e tij deri ne Itali. Besohet që Pirro të jetë i afërm i Aleksanderit. Gjatë pushtimit Bizantin, fise te reja erdhen në Çamëri, siq ishin Gothet,Ostret,Sarakenet dhe Norset. Me 1449 Çameria u pushtua nga perandoria Osmane. Ne shekujt 16 dhe 17,Cameria u kthye ne arene te revoltave te ashpra kunder sundimit osman. Populli
Çamë luftoj kundër ushtrisë Osmane në vitet 1611 dhe 1803, ku në betejen e fundit u shqua regjioni i Sulit (qendra e Sulit ishte Paramithia, më Shqiponjën dy krershe). Me 1750 regjioni i Sulit perbëhej prej 60 fshatrave dhe kishte 25000 banor. Gjatë pushtimit Osman, Çameria ishte pjesë e Janinës, njëra nga katër vilajetet Shqiptare.

Shqiptaret e njohur si luftëtar, mësues, dhe patriot ishin: Luli Çapari, Marko BoÇari, Hasan Tasini, Osman Taka, Çelo Mezani dhe të tjerë. Në shekullin 18 fillon procesi i islamizimit me force-pjese e popullsise se Sulit dhe Parges largohen per ne ishujt greke per ti shpetuar shnderrimit. Gjate viteve 1820- 1850, krahina merr pjese perseri ne kryengritjet kunder Perandorise Osmane. Ne vitet 1854 dhe 1877, popullsia i reziston me sukses sulmeve te Andarteve Greke. Gjate luftrave Ballkanike,trupat greke hyjne ne Cameri. Per te ndihmuar popullin came qeveria e (perkohshme) e Vlores dergoi trupa ushtarake atje,por vendimi i Konferences se Ambasadoreve i dha Camerine Greqise. Mbas Luftes se Dyte Boterore, qeveria greke deboi me force mijera shqiptare myslimane ne Turqi me preteksin qe ato ishin per shkak te fese se tyre. Me fundin e Luftes se Dyte Boterore, terrori i ushtruar ndaj popullsise vendase, detyroi 25.000 Came te besimit mysliman te lene atdheun e tyre dhe tekerkojne strehim te perkohshem ne Shqiperi.


PREJ NGA RRJEDH FJALA ÇAMERI?

Fjala çam eshte nje evoluim i termit “t’chiam” dhe perkon me emrin e nje lumi te vjeter qe kalonte permes krahines se Çamerise. Fjala “T’chamis” haset ne shume harta te vjetra romake dhe helene, duke na treguar se emri “Chameria”eshte me i vjeter se Epiri dhe eshte perdorur vetem nga popullsia shqiptare nder shekuj. Ajo qe eshte me e rendesishme te
thuhet ketu eshte se, popullsia çame ka nje etnitet, tradite dhezakone te mirefillta shqiptare.


KU SHTRIHET EPIRI?

Meqë në afishimin e mësipërm u përmend Epiri, ne vijim po ju sjelli nje historik te shkurter lidhur me kete fis ilir. Epiri eshte krahinë dhe një nga shtetet e Ilirisë së Jugut, që shtrihej nga malet e Vetëtimës (Akrokeraunet antike) dhe rrjedhja e mesme e Vjosës në Veri, deri në gjirin e Ambrakisë në Jug, dhe nga malet e Pindit në Lindje, deri në brigjet e detit Jon në Perëndim. Emërimi Epir për këtë krahinë (në greqishte do të thotë stere, tokë), ka qenë përdorur në fillim nga autorët grekësi një emër i përgjithshëm që përcaktonte pozitën kontinentale të saj përballë Greqisë ishullore. vetëm nga fundi i shek. VI p.e. r. ai mori edhe kuptimin të përcaktuar politik.

Epiri banohej nga shumë fise, ndër të cilët më kryesorë ishin tesprotët, kaonët dhe molosët. Me gjith disa veçori të jetës kulturore e politike, këto fise ishin etnikisht të një trungu me ilirët, me të cilët i lidhte gjatë gjithë periudhave të historisë së tyre, një fond i gjerë i përbashkët traditash, që ndryshonin nga ato të Greqisë antike. Në të tretën e fundit të shek. V p.e.r.fiset epirote kishin arritur të organizoheshin në bashkime federative të njohura me emrin koine (bashkësi) të cilat kishin sisteme të ndryshme politike. Koinoni i molosëve sundohej nga mbretër të dinastisë së Aikidëve, ndërsa kaonët dhe tesprotët qeveriseshin nga dy magistart të lartë (prostatë), të cilët zgjidheshin çdo vit nga rrethe aristokratike. Këto bashkësi dolën në skenën e historisë si forma politike më vete në kohën e luftës së Peloponezit (432-404 p.e.r.),kur ushtritë e kaonëve, të tesprotëve dhe molosëve, me sundimtarët e tyre në krye, morën pjesë më 429 p.e.r.në ekspeditën kundër qytetit Strato të Akranonisë, në anën e Spartës.

Që nga ajo kohë molosët të sunduar nga Tarypa e pasardhësit e tij filluan të fitojnë epërsi mbi fiset e tjera dhe e vunë Epirin në rrugën e bashkimit të tij ushtarak e politik. U krijua një organizim shtetërorë më i gjerë, i njohur me emrin Lidhja e Molosëve, që përfshinte popullsi tjera epirote, nën hegjemoninë e fisit që i jepte emrin bashkësisë. Kjo përbënë etapën e parë në procesin e krijimit të shtetit federativ të Epirit. Pas mesit të shek. IV. p.e.r. Lidhja e Molosëve hyri në sferën e ndikimit maqedon, megjithatë sundimatarët e saj e vazhduan politikën e bashkimit të vendit. Zgjerimi i mëtejshëm i lidhjes,sidomos pas përfshirjes në gjirin e saj të koinonit të rëndësishëm të tesprotëve, që u krye në kohën e sundimit Aleksandrit Molos (342-331 p. e. r. ), çoi në krijimin e një forme të re shtetërore me karakter gjithnjë federativ,por me përmbajtje të re kushtetuese, e quajtur Aleanca e Epirotëve, në të cilën gjithë pjesmarrësit kishin të drejta të barabarta. Ajo përbënte etapën e dytë në procesin e bashkimit politik të Epirit. Etapa e tretë u realizua në kohën e sundimit të mbretit të dëgjuar epirot, Pirros (307-272 p.e.r.). Pirroja arriti të sundonte për një kohë jo vetëm mbi Epirin, por edhe mbi një pjesë të madhe të Maqedonisë dhe të T në Lindje, si dhe mbi krahinat greke të Ambakrisë, Amfilokisë dhe Akarna-nisë në Jug etj. Gjat sundimit të Pirros, shteti i Epirit u bë një nga fuqitë e rëndësishme ushtarako-politike të kohës , që luajti rol të shënuar në zhvillimin e ngjarjeve në Maqedoni, Greqi e Itali.

Pas Pirros shteti monarkik epirot filloi të humbasë fuqinë e mëparshme derisa në kohën e përfaqsueses së fundit të dinastisë së Aikidëve, Deidamesë, në vitet 30 të shek. III p.e.r. U kthye në një bashkim shtetërorë republikan me emrin Lidhja Epirote. Gjat kësaj kohe (232-168 p.e.r.) Epiri kaloi sistuata të vështira, të shkaktuara nga pleksja e interesave të mëdha të kohës: shtetit ilir, atij maqedon dhe Romës. E gjetur në vorbullin e kontradiktave dhe lufërave midis këtyre fuqive Lidhja Epirote nuk qe në gjendje të luaj një rol të dukshëm. Në vitin 167 p. e. r. ajo ra nën sundimin romak dhe pas vitit 148 p. e.r. Epiri u bë pjesë e provincës maqedone, kurse kurse në fund tüe shek. II p.e.r. formonte një provincë më vete. Me reformën administrative të Dioklecianit në fund të shek. III emërtimi Epir ushtri edhe në trevat në Veri të Vjosës, të cilat formuan provincën Epirit i ri; për t’u u dalluar nga kjo, trevat tradicionale të Epirit u quajtën provinca e Epirit të vjetër.

Këto emërtime vazhduan të përdoren gjat mesjetës nga autorët eurodit, sipas traditës klasike, ndërsa administratashtetërore bizantine njihte vetëm themat e Nikopojës dhe të Durrësit. Në trevën e Epirit të Vjetër u shtri nga fillimi i shek. XIII një formacion i ri shtetërorë feudal, i cili për këtë shkak u quajt nga shkenca Despotat i Epirit. Nën ndikimin e autorëve të vjetër dhe të paqartësisë së caqeve teritoriale gjeografike, sidomos autorët humanist të shek. XV-XVI, midis të cilëve edheMarin Barleti, e përdorën termin Epir, pa e dalluar në të Vjetër e në të Ri, për mbarë trevat shqiptare, që në të vertetë përputheshin vetëm pjesërisht me shtrirjen e Epirit. Që nga shekulli XI,lidhur me afirmimin e shqiptarëve si faktor politik,u afirmua dhe u përtgjithësua emri etnik i vjetër Albanon e Arbanon, i trashëguar nga antikiteti ilir. Ishte ky emër që pasqyronte relitetin etnik, i cili u përgjithësua duke përfshirë në shek. XIV një pjesë të trevave të banuara nga një popullsi homogjene etnike, arbëreshët.
______________________
Burimi: CAMERIAIME.COM

Sonntag, 13. April 2014

Ismet Aliu: KUJTESË

Ismet Aliu

KUJTESË

Një pjesë Trupi na e prenë...
Perënditë në Olimp heshtën

Pa shih Qyqët
Si e mbajkan kokën ulur

Tash sa kohë
Dhembja na e ha mëlçinë
Si Promotheut indiferenca

Syri Mall i Plasur
Çmallet me Bubulinën,
Dhe pi Etjen, dhembjen
Në Kroin e Boçarëve

Medet
Sa shumë digjka kujtesa…