Mittwoch, 22. Juni 2016

Kamber Cano - Poezi për Çamërinë

Kamber Cano

E DUA ÇAMËRINË

Jam çam.
Me gjak ,
Me shpirt,
Me zemër.
Çamëria ma ka dhënë këtë emër.

Egzistoj.
Jetoj.
Luftoj.
Punoj.
Që Çamëria ime të mos mbetet thieshtë ëndërr.

Grek.
Nga ty kërkoj.
Babanë ,
mos m'a shaj.
Mos m'a ofendo.
Nuk të lejoj.

Jo .
Im atë,
nuk donte
as gjerman
as italian.
Ai donte vetëm shpirtin çam.

Ti grek.
Ngulite mirë në mënd:
Im atë e urente edhe dhunimin tënd.
E njoh mirë historinë.
Eshtë e imja...

ndaj e dua ....Çamërinë.




DUA...
(Dëshirë çame)

Çamëri!

O vënd prrallëllor.
O bukuri e artë.
Dua të të puth ballin hyjnor.
Të mar pak ngrohtësi nga zemra jote e zjarrtë.

Dua të shtrihem mes lëndinave të tua djerë.
Të prehem pak te pragu i shtëpisë sime.
Te ai prag ku gjyshrit dhe im atë kanë lerë.
Tek ato lëndina ku lozte kur ish vajzë nuja ime.

Dua të ulem e pushoj te gërmadhat e shtëpisë.
Ku dallandyshet pranverore kanë ndërtuar fole..
Dua të ngop sinë me bukuritë e Çamërisë.
Me shqipet dua të fluturoj përmbi re.

Dua të dehem në dasmën çame.
Ta pi verën e rakinë me kupën e argjëntë.
Ti them"T'u trashëgoftë djali"asaj nane.
Të hedh një valle burrërishte,ashtu rëndë-rëndë.

Dua të pi një kave te klubi posht rrapit shekullor
Me pleqtë çam të ulem e kuvëndoj për fshatin tim
Dua të mar draprin në dorë e grurin në ara të korr.
Me vashat flokëargjenda të shkoj të mbledh ullinjë.

Dua të shetis anës lumit Kalama me nipat i mi
Do t'u tregoj atyre si u mbyt aty një nuse me fëmijën
Të shkoj pastaj lart përmbi fshat te kodrat me ulli.
Te burimi me ujë të ftohtë të freskoj fytyrën.

Dua t'i mar nusë sime shamin e dorës me fije ar
T'u fshi sitë e lotuar gjithë nanave të Çamërisë
Boll më.Kanë një jetë të tërë duke qarë.
Tu jap shpresë se po agon mëngjezi i artë i lirisë.

Dua të zhytem në ujrat e ftohta të detit Jon
Të notoj,të qesh,të loz,të këndoj..të harroj ç'do hall
Dua...dua...dua....ah sa shumë gjera zemra më kërkon
Vëllezër...më eshtë përvëluar shpirti...nga gjithë ky mall

Çamëri.Dua o nanë të të vendos kokën te gjiri.
T'ja them ëmbël këngës çame....si birbili.




DUA TË TË JAP NJË PUTHJE ÇAMËRI

Dua të të jap një puthje Çamëri.
Mbi flokët e bardhë
Mbi ballë
Jam biri yt.
Jetim,
Me nanë gjallë
E di moj nanë
Me mua je mërzitur.
U thinje 
Duke më pritur.
Dua të të puth duart
E sytë e shkruar.
Ah moj Çamëri!
Një jetë të tërë të kam kërkuar.
Dje,
Më kërcënonin për të të mohuar.
Sot,
Më thonë:"nuk ke për t'a parë"
Të mohoj
Të mos shoh nanën??!!
Jo

S'ka për të ndosh kurrë, or të marrë?




KËNGA E FËMIJVE ÇAM

Me plis.fustanell e dullaman
Edhe ne jemi çam.

Me kostum kombëtar
jemi fëmijë shqipëtarë.

E duam Çamërinë
Se ishtë vendi inë.

Ashu si gjishrit tanë
E duam dhe ne vatanë.

Në Çamëri ne do vemi
Të lumtur ati do jemi.

Me flamurin kuq e zi
Do të vemi në Çamëri.

Ashtu si stërgjishi inë
Veli Gërra(1) burrë trim

Veliu me Smajlin(2) dorë më dorë
Ngritën flamurin në Vlorë.

Çamëri o bukuri e rrallë
Do të puthim ti në ballë

Çamëri o moj nanë
Ne të kemi shumë xhan.


(1) Veli Gërra -Delegat çam në Kuvendin e Vlorës më 28 Nëndor 1912 ku u ngrit flamuri e u shpall pavarsia.

(2)Smajli-plaku patriot Ismail Qemali që ngriti flamurin në Vlorë.

Myrteza Mara - Vargje për Çamërinë


ËNDRRA E BARDHË

Çamëri, o qiell i heshtur,
Rrënjëgurta përmbi gurë!
Çamëri buz'e paqeshur,
Thua "Nesër", s'thua "Kurrë".

Çamëri prushi në vatër,
Oxhakët s'po lëshojnë tym!
Çamëri, lulja e gjakut,
Nëna gjallë, ti jetim!

Çamëri amanet shpirti,
Endrra që mbeti e bardhë.
Çamëri po vjen një ditë,
Në mos, thuajse, ka ardhë!

Çamëri po qajnë gurët,
Duan të zotët që i mbollën.
Çamëri s'po çelin drurët,
"Kaq stinë-thonë-u lodhëm!"

Çamëri nuk mbyllet syri,
Nuk e tretin njëmijë zjarre.
Çamëri po të ndrinë ylli,
Osman Takja po ndez vallen!

Rrëmbeja shaminë nga dora,
Fustanella suferinë,
Hape derën, po troke Bota,
Vjen të ndreqi Historinë!

Mittwoch, 25. Mai 2016

Agim Bajrami - Bisedë me ullinjtë e vendlindjes

Poeti Agim Bajrami

Bisedë me ullinjtë e vendlindjes 

Ullinj të vendlindjes
Anë e kënd shpërndarë
Sa vite u bënë
Që jetojmë të ndarë?

Në dy harta dhimbjesh
Prej gardhi dhe kloni
M’u ka çarë shpirti
Zemra, më besoni!

Ballin larë nga shirat
Trupin vrarë nga shqota
Por sytë ju kanë ngrirë
Vetëm nga Qafë Bota.

Diç ju thotë në vesh
Dhe ju pëshpërit
Se zotërit e vjetër
Do kthehen një ditë.

Do vijnë me patjetër
Pa frikë e pa drojë
Se lumenjtë kur fryhen
S’ka digë t’i pengojë.

Përmbi krahë zogjsh
A mbi vetëtima
Bijtë e Pirro burrit
S’fshihen nëpër vrima.

Ende s’ju besohet
Ndaj pyesni veten
Ç’u bë vallë me etërit
Gjyshet ku u tretën?

Nën teh bajonetash
I shkuan të gjithë
Gjaku i Çamërisë
Ende klith e klith.

Rënë pranë njëri-tjetrit
Katërqind të vrarë
Ca me natë mbuluar
Ca me plagë acar.

Askush s’mund të ngrihej
T’ju jepte një dorë
Ishte vit demonësh
Pa datë dhe pa orë.

Kalendarët faqet
Çorrën të tmerruar
Përroi i Selanit
Golgotë e pashkruar.

Nën një hënë të verdhë
Të ftohtë si meit
Vetëm ju guxuat
Që t’ua mbyllnit sytë.

Dhe në trup i futët
Mes trungjesh i shkritë
Të ishit së bashku
Në gjithë historitë.

Ullinj të vendlindjes
Kronika prej gjethesh
Çamëria jonë
Ende djeg mes ethesh.

Samstag, 21. November 2015

Amaneti i nanës

Poezi nga Kamber Cano

(Këtë poezi ua dedikoj me dhimbje e respekt,gjithë nanave e baballarëve tanë çam,që ashtu si nana ime ,nuk mundën ta shifnin më Çamërinë)

Biri im.
Sa herë të kthehesh nga Çamëria
eja te varri im.
Edhe në më ka zënë gjumi,
të bëj rixha të më zgjosh.
Dua,
gjithçka të më tregosh.
Ç'bën Çamëria?
Buzëqesh 
a ende lotët nuk janë tharë?
Si janë njerëzit,
ullinjtë?
deti,
shtëpit,
retë.

Deri sa ajo tokë të jetë e ndarë.
nuk jam e qetë.

Kur të vijë dita e shënuar që Çamëria do jetë jona,
shko te shtëpia e vjetër.
Në sepete 
do gjesh dullaman
e shamin e kokës,
qëndisur në ar.
Meri me vete.
Dua të vishem nuse ate dite, me kostum shqiptar.
I thuaj edhe tyt eti
të vishet dhëndër.
Kam një jetë që e shoh këtë ëndër.

Dua te shoh Çamërin të qeshur,
të gëzuar,
të ëmbël,
të lirë
...është i vetmi amanet që kam o bir.

Çamëria ime, dashuria ime.

Poezi nga Hekuran Halili

Ipe ne flamur

Ipe egërsuar,Ipe me dy kokë
Njëra sheh nga Jugu, tjetra në veri
Me thonj e ke mbrojtur këtë pak tokë
Të prenë Kosovën, të prenë Çamërinë.

Ipe moj e zeza,që të prenë Atdhenë
Nga gjaku që rrodhi, e bëre flamurin
Egërsuar mbetesh, se ke bëre benë
Jug s’ësht’ Konispoli,Veri s’ësht’ Bajram Curri

Shihjani,shihjani gjuhën, Ipes me dy kokë
Dhe krahët e shtrirë, tej e tej Atdheut,
Ku jeni shqiptar, duket se ju thotë
Jeni apo s'jeni, bijt’ e Skënderbeut ?!

Po sytë e saj, që s’u mbyllën kurrë,
Njëri sheh Veriun, tjetri Çamerinë,
Kur e bëm Kosovën, se ç’i ra një nur
Sikur nuse bëmë, prapë Shqipërinë
Ipe e Epirit, ipe me dy kokë

Me dy krah të hapur, Atdheut fluturim
Një orë në Shqipëri, një orë në Kosovë
Çdo sekond t’rreh zemra, moj për Çamërinë

Shenim: Në Çamëri Ipe, thërritet Shqiponja.



Takim i përditshëm.

Përtej të përditshmes,
Përtej të zakonshmes,
Atje ku takohem
Me pragun e mallit,
Me pragun e ëndrrës
Kuquar nga gjaku,
Vaditur nga shpresa,
Piqem përherë
Me të madhërishmen.
Nënën time,
Çamërinë time ...

...Kështu përditë,
Kështu përjetësisht,
Bashkë ne të dy
Çamëria ime,
Dashuria ime...

...Përtej të zakonshmes,
Përtej të përditëshmes,
Tek fjala e besa e burrit,
Tek ëndrrat që s,vriten,
Tek e madhërishmja
Ku rron e rritesh,
Për ne të gjithë
Fillon e mbaron Ti 
Çamëria ime.
Dashuria ime !



Hënë e viseve te mia
( Variant)

…Vinte darka, më merrte uria
Ç,të më jepte e gjora nënë?..
Na kishin shkulur nga trojet .
Shkrrumë qenë bërë shtëpiat…
… Bukën e thatë ngjyente me hënë
Hënë e verdhë, si vezë nga Çameria
Hënë me bukë, bukë me hënë
Hënë e kafshuar nga unë…
...Hënë e viseve te mia…
…Hënë, zonjë hënë ,
Hënë nga Çameria…

Geni amë, moj Çamëri

Poezi nga Fran Ukcama

Sa herë unë kaloj në Artë,
Igumenicës, perlës së detit,
Janinën e ngre në qafë,
Ndej rënkimet e shpirtjetit...

Ndjej trazimet, gjysh pas gjyshi,
Fjaltë po m`vijnë, arnbnore, kthjellë,
Ah Çamëri ti moj dritë syni,
Ti shtojëzanë motit ke mbetë...

Sa do të mbilln në faqe ullinj,
Gjoksit tënd që rehat nuk gjën,
Aty poshtë gjakë arbnri lëvrin,
Aty s`shterr një amë, një gen...

Aty asht rrënja e shqiptarit,
Osman Takës, vallja në erë,
Ali Pasha, Marko Boçari,
Hasan Tasini në qiej del...

Nuk shuhet kurrë amaneti,
Trojet lypin shpirtin gjakun,
Kodra, fusha, mali, deti,
Presin kthim, bijtë te pragu!

Freitag, 20. November 2015

Fatime Kulli - Katër poezi


NË TOKAT E MIA DJERRË
(unë, jam çami më i vjetër)

Vitet ikin të prerë me thikë,
lulegjembat thonë: Prit, prit, prit!
Eh, po pres me torbë varur në shpirt 
dhe ti hije zuzare, shpresën mos ma vrit!

Oh, klithma ime fatzezë,
këmbëvrarë mbi malin e shkelur,
ofshamë tragjedie e kope e therur
lulebardhat çelin në pus të harrimit,
ullinj dhe klumusht gjirit.

Oh, dashuria ime e pashkelur,
psherëtimë në qiellzë të lotit...
Identitet varur n’bastun udhëkryqesh,
ku kryqëzohen dashuritë
…lulëzojnë ligësitë.

Oh, mëshirë e pamëshirshme,
në tokat e mia djerrë, 
Unë jam çami më i vjetër, 
mbi kufomën e gjunjëzimit, shkel.



PËR ERËN E MALIT

Shkel mbi malin e shkelur
dhe mbledh ofshama në erë
me këmbë varur në letër...

Sa mirë kur ofshama përplaset 
në faqet e malit të “fantazuar”, 
si ndër skenat e teatrove....

Sa keq,
kur shkel mbi malin e shkelur
dhe erërat më shpojnë 
në fushë të minuar tallazesh...

Barërat helmojnë ajrin e shpirtit,
dashuria ime në reanimacion
për erën e malit, për aromën e ujit
të lumit Kalama...



GUR I KONAKUT

Krahu i zemrës
më zgjoi nga dehja 
e shembjes së kullës së vjetër,
ngulur gozhdë e vjetër
thellë nën shkëmb...

Zemra e lotit
mbeti Rob nën çatinë e ullirit
më të lasht në Gumenicë,
klithmat me oii
dëgjohen ende 
te guri i konakut....



NDËR BUZË QËNDIS POEZINË

Jam gur i vdekur, rri strukur 
Nën ahet e zhveshura shekullore 
Ku dielli lind e perëndon me dritë të vakët 
Dhe vesa pikon gjak mbi gjethet e shkruara 
Ndër sirtarët e sharruar nga druvarët shenjtorë... 
E tinguj mortor rrëshqasin fletëve të zverdhura....

Jam gur varri, kam çelur hijeve dritë-verdha 
Në trupin tim kam veshur xhubleta me ojna dielli 
Të ndjell zgjoje bletësh në kohë stuhish... 
Ëndërrimtarët i zu trishtimi në qoshe të konakut, 
nga përgjumja dimërore, koha i kryqëzoi dashuritë...

Jam gur varri, fle dhe zgjohem në copëza shkretëtirash 
me gishtat e zgjimit mbështjell fytyrën 
për të lindur foshnjën në djep baladash 
që të këndojë këngën e përjetshme, në krahë të lirisë: 
"O sa mirë me ken shqiptar, o hej, o hej, o heeeej!"

Jam gur i vdekur, fryma m’lëshon zaaaaaaaaaaaaaa 
N’jele të historisë... 
IDENTITETIN ma lidhën me zinxhirë n’gijotinë, 
legjenda u përlot dhe veshi kostumin më të bukur 
me plagët e marra në telat e lahutës 
që shëtisnin honeve në vendet e qytetëruara.

Të gjitha sprovat i kanë bërë në trupin tim, 
por unë marr frymë me mushkri të reja dashurie, 
edhe pse ajri ashtë copëtua mes trëndafilash të plagosur, 
në dheun e ashpër dhe të dashur fisnikërisht, 
tingujt lëshonin dhe përthithnin hire drite...

Sot jetojmë me kohën, në botën moderne 
edhe pse mbi krye më valëviten dy flamuj, në një trung… 
Unë gjunjëzohem deri në amshim 
para flamurit tim ku më buzëqesh flokëbardhi, Ismail Qemali. 
e prapë jam gur i vdekur... që shoh, dëgjoj, ulërij e brohoras: 
"O sa mirë me ken shqiptar, o hej, o hej, o heeeej"

E tash, në shekullin e XXI 
buzëqeshim austradave të botës, me emrin emigrant 
jetojmë në kohë moderne, ajrin e arnojmë me fijet e diellit 
të mos zbulojë botën e hipokrizisë, 
bukurinë e gënjeshtër, mosmirënjohjen, marrëzitë…

Mbi kokën time dëgjoj hënën që lëngon 
duke parë shtojzovallet trotuareve të Evropës... 
Yjet kryqëzohen ngricave të traditës dhe moralit të pështirë 
që m’janë lidh për fyt si kocka të helmuara... 
dhe krekosen kurriz-shtrirë, 
se paraja është më e rëndësishme se identiteti dhe liria!

Jam gur i vdekur, frymoj në botën moderne, 
ndër buzë qëndis poezinë....

(Maj 2010)