Samstag, 6. Dezember 2014

Çamët në mbrojtje të gjuhës dhe identitetit

përballë shtetit e klerit grek

Sulmi shtetëror mbi gjuhën shqipe, shoqëruar me pengesa ligjore e ndëshkime, ishte pjesë e skenarit të shtetit helen për nënshtrimin dhe asimilimin e popullsisë çame në trojet e tyre autoktone shqiptare. Në këtë skenar që do të kurorëzohej në fund me gjenocid e shpërngulje masive, u përfshi dhe kleri vendas. Por përballë këtij sulmi, çamët e ruajtën me fanatizëm gjuhën e tyre të nënës, zakonet e traditat e të parëve.
Në vazhdim, historiani Hajredin Isufi sjellë dokumente e dëshmi të përpjekjeve heroike të banorëve të Çamërisë për ruajtjen e gjuhës shqipe, pavarësisht kostos që mbajtën mbi supe.



GJUHA 

Çamërishtja ruan një ndër të folmet periferike të toskërishtes jugore, një gjendje të hershme të gjuhës shqipe. Ajo bën pjesë në të folmen periferike të toskërishtes jugore. Çamërishtja është pjesë e pandarë e truallit gjuhësor kompakt të shqipes, që ruan akoma deri në ditët tona, format origjinale të grupeve kl, gl. (klumësht, klishë, kleshe, klaj, gluhë, glisht, gluhë, i glatë, glemb, etj). Çamërishtja, si një nga të folmet e gjuhës shqipe, është mbizotëruese në të gjithë hapësirën çame dhe ruan dëshmi me vlerë për autoktoninë e shqiptarëve në viset e Çamërisë. Këtë dukuri absolute e kanë vërejtur dhe kanë qenë të detyruar ta pranojnë edhe kategoria e atyre studiuesve, që nuk kanë qenë dashamirës të shqiptarëve. Kështu p.sh. Pukëvili shkruan në fillim të shekullit XIX: “Si është e mundur të jetë shuar raca greke në Thesproti dhe Kaoni, ku shqiptarët shihen që janë vendas.(Burimi: Pouqueville, Voyage…, vep. epërm., vëll. 2, f.103. Pukëvili në këtë rast flet për shqiptarët jo vetëm muhamedanë, por edhe të krishterë: “Banorët e fshatrave në të djathtë të Thjamit që kam numëruar nga Sarkovica, shkruan ai, janë shqiptarë të krishterë të gjuhës çame”.(Po aty).


DËSHMI TË HISTORIANËVE 

Në vitin 1880, në kohën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, studiuesi anglez Valentino Chirol (Çajrëll), bëri një vizitë të gjatë nëpër fshatrat e qytetet e Çamërisë. Në veprën e tij ai ka përshkruar edhe mbresat që i kishte lënë e folmja e çamërishtes. Ai lidhur me këtë shkruan: “Në hapësirën e Çamërisë, që shtrihet nëpërmjet detit Jon e lumit Kalama, nga njëra anë dhe ujërave të Vuvos nga ana tjetër, e që formojnë një trekëndësh të brendshëm, është një gjuhë e pastër shqipe”.(Burimi: Valentine Chirol, Tëixt Greec and turk Joçings duringa journey through Thesali Macedonia and Epirus, in the Crutumu of 1880, London MDCCC, LXXXl). Po ky autor vijon më tej të tregojë se banorët e këtij vendi janë puro çamë, një emër që rrjedh thjeshtë nga emërtimi i vjetër i lumit Kalama-the Thiames- prej nga vjen prejardhja e fisit shqiptar të çamëve, që është një nëndarje e Toskërisë. Ata janë vendosur këtu që në kohë që s’mbahen mend.(Po aty). Njoftimeve të pasura që përmban vepra e Çajrëllit, u shtohen edhe pohimet e gjeografit greko-epiriot A.Psalidha. Në “Gjeografinë” e vet të shkruar në çerekun e parë të shekulit XIX, ai e konsideron Epirin deri në gjirin e Artës (Ambrakisë) një tokë shqiptare, ku flitej gjuha shqipe. (Burimi: A.Psalidha, në: “Geographia Albanias kai Epireou”, Janinë 1964, f.49.). Po sjellim shembuj të tjerë: Historiani rumun, Kostandin Burileano, i shoqëruar nga profesori italian, Antonio Baldaci, në vitin 1906 bënë një udhëtim nëpër viset e Çamërisë dhe arritën deri në periferi të fshatrave të Janinës. Qëllimi i rumunit në këtë udhëtim ishte studimor. Ai hulumtonte se sa ishte e pranishme në hapësirën çame elementi i popullsisë baritore vllahe. Burileano mendonte se në mungesë të burimeve dokumentare, do të siguronte informacion rreth objektil të temës së tij nga kontaktet me banorët vendas çamë. Kjo e shtyu studiuesin rumun që të kalonte bashkë me profesorin italian fshat më fshat e stan më stan. Ata ndryshe nga parashikimet e tyre, hasën në vështirësi serioze në komunikimin me banorët vendas, qofshin këta myslimanë apo të krishterë. Dy të huajt nuk arrinin të komunikonin as në gjuhën greke, as në gjuhën rumune e as në gjuhën italiane. Çdo banor çam, të cilit i flitej në njërën nga këto gjuhë, ngrinte supet, rrudhte buzët dhe nuk jepte asnjë përgjigje. Të huajt mbetën të shtangur përballë kësaj dukurie. Këtë befasi, që Burileano vuri re në Çamëri, e shprehu me këto fjalë në veprën e tij: “Mbeta memec se nuk gjeta asnjë njeri të fliste gjuhë tjetër, veç shqipes”.(Burimi i cituar më lart). Autori rumun e ka vizituar për qëllime studimi këtë krahinë, prandaj njoftimet e tij duhen konsideruar të sakta.


HISTORIANËT GREK PËR ÇAMËRINË 

Edhe “Enciklopedia e madhe greke” pohon se banorët e Çamërisë flasin shqip, por me një shqipe që ka një dialekt të veçantË.(Burimi: “Megale Ellenike Encyklopedia”, Vëll.XXIII, 1933). Një ide të njëjtë për të folmen shqip të popullsisë së Çamërisë, ka edhe historiani grek Jani Kordhato, në veprën e tij disavëllimëshe. Ai, kur bën fjalë për të folmen e suliotëve të krishterë, thotë: “Suliotët ishin të krishterë nga raca e çamëve dhe nuk e dinin fare greqishten. Ata, kur donin të këmbenin korrespondencë me Ali Pashën dhe me parinë helene, u drejtoheshin shkruesve që dinin të shkruanin e ta lexonin greqishten”. Dhe për ta ilustruar mendimin e vet, autori shkruan: “Marko Boçari, kapedani i Sulit, filloi të mësonte greqisht në vitin 1809 në Korfuz dhe aty hartoi edhe një fjalor greqisht-shqip”. (Burimi:Jani Kordhatos, Historia e Greqisë, vëll.9, f. 405). Në lidhje me ato që shqyrtuam më sipër, e shohim me vend të përmendim sa për ilustrim edhe disa burime të tjera historike: P.A. Sallabanda ka shkruar: “Burrat e parë të Sulit ishin racë shqiptare”. Udhëtari francez, Zhak Puzhad ve në dukje: “Suliotët flasin vetëm shqip. Shqipja është gjuha e tyre dhe ata e quajnë veten shqiptarë. Edhe Mendelson Bartoldi, pohon: “Suliotët janë pasardhës të krishterë nga kombësia çame”.(Burimi: P.A. Psalidha, To Souli, vep. E përm., Athinë, 1880, f. 411). Paradoksal, krejt i pavërtetë, është pohimi i studiuesit grek Lambros Baliçiotis se suliotët na paskan qenë greqishtfolës. Madje ky autor të folmen shqipe në Çamëri e kufizon nga Konispoli në Filat, vazhdon deri në qytetin e Paramithisë, e shtrin atë në të gjithë pjesën e brendshme të Çamërisë, duke përjashtuar nga e folmja e shqipes “grekofonët historikë të Pargës” dhe “grekofonët e Sulit”. Në vijim autori sjell “të dhëna statistikore” për Epirin, përfshirë këtu edhe Çamërinë, e sipas tij, popullsia e Epirit nuk i kalonte 50.000 banorë dhe se popullsia myslimane shqiptare në Çamëri, sipas tij, në vitin 1920 ishte 21.000 banorë që flisnin gjuhën shqipe, si dhe 4200 myslimanë në periferi të Janinës e të Prevezës, që gjuhë amtare kishin greqishten.

Autori i këtyre pohimeve, që na i servir si “fakte”, me sa duket nuk i njeh bashkë kombasit e tij grekë, që janë marrë me studime në këtë fushë e që janë më realistë, si në problemin e statistikave të popullsisë shqiptare, ashtu edhe në shtrirjen e të folmes së gjuhës shqipe në atë krahinë. Njeri prej tyre, P. Aravantinos në veprën e ti(P. Aravantinos, Chronographia tes Epiroi, tom. 11)  na sjell njoftime të hollësishme për strukturën etnike dhe fetare të popullsisë së vilajetit të Janinës, ku bënte pjesë edhe Epiri historik. Këtu janë renditur të gjitha vendbanimet e vilajetit të Janinës të ndara në kaza, fshat ose qytet, numri i shtëpive, fenë e banorëve dhe gjuhën që flitej prej tyre…


PAVDEKSIA E GJUHËS NË KËNGË 

Deri në ditët tona në More dhe në Greqinë e Veriut është ruajtur një këngë shqipe, ku midis të tjerash thuhet: Kjo gluha arbërishte/ është gluhe trimërishte/ E flit Navarko Miauli/ Boçari dhe gjithë Suli.

Dhe për ta përfunduar çështjen e të folurit të gjuhës shqipe nga shqiptarët në Epir, përfshirë edhe Çamërinë, po sjellim një dëshmi të kryeministrit grek Venixellosit. Ai duke qenë kryetari i delegacionit grek në Konferencën e Paqes në Paris në vitin 1919, nën presionin e fortë të rretheve patriotike shqiptare dhe të delegacionit shqiptar, me dashje ose pa dashje, u detyrua të deklaronte më 24 shkurt 1919 përpara Kryetarit të Konferencës së Paqes se në qeverinë e përkohshme që ai pat krijuar në Selanik, ishin gjenerali Danglis dhe admirali Kunderjoti, që të dy me origjinë shqiptare. E më pas deklaroi se Kunderjoti “përdorte gjuhën shqipe kur shkonte tek e ëma, sepse kjo flet vetëm shqip”.(Burimi: A. Puto, Çështja shqiptare në aktet ndërkombëtare pas Luftës I Botërore, Vëll. III, Tiranë, 2001, f. 143).
Konkluzioni që del nga kjo deklaratë e kryeministrit grek, nuk kërkon shumë komente për të treguar sesa pa baza janë përpjekjet e qarqeve shoviniste greke, për t’i konsideruar ortodoksët shqiptarë helenë.


SULMI GREK MBI GJUHËN SHQIPE 

Qeveria greke bëri shumë përpjekje për të penguar gjuhën e shkollën shqipe në Çamëri. Përpjekjet e rretheve patriotike çame për të hapur klube patriotike dhe shkolla shqipe, qeveria greke i pa si një rrezik serioz, që i kanosej Greqisë nga ana e shqiptarëve. Qarqet shoviniste greke në këtë kohë, deklaronin hapur se për shkrimin e gjuhës shqipe duhej përdorur alfabeti i greqishtes, që kishte shkruar veprat Homeri i madh. Reaksioni grek shkonte edhe më tej, duke deklaruar se shqipja nuk ishte tjetër veçse një dialekt i gjuhës greke.(Burimi: Gazeta “Shqiptari” nr. 49, datë 31 gusht 1899, gazeta “Drita”, Sofje, nr. 38, datë 5 dhe 18 gusht 1904). Kleri ortodoks grek mohonte krejtësisht kombin shqiptar dhe gjuhën shqipe, duke propaganduar se të gjithë ortodoksët janë helenë, se gjuha shqipe s’është gjuhë e Perëndisë, është e mallkuar nga Zot.(Burimi: Gazeta “Drita”, Sofje, nr. 15, gusht 1902). Athina , ashtu siç kishte vepruar në shek. XIX kundër gjuhës shqipe tek arvanitasit në Peloponez, në të gjithë Salaminën, në një zonë të Egrinës si dhe tek shqiptarët që ishin në Laoni, Vardhasi, në fushën Elios etj, ndërmori një sulm frontal edhe kundër ortodoksëve shqiptarë, që flisnin gjuhën amtare shqipe në Çamëri për ti detyruar të flisnin greqisht dhe të deklaroheshin helenë. Qeveria greke, në bashkëpunim me Patriarkanën e Stambollit, në fshatrat ortodokse në Çamëri si dhe në fshatrat laramane (të përziera), kishte filluar të hapte shkolla greke qysh në vitin 1850. Në fshatin Grikohor, një fshat i madh me 150 familje të përziera, myslimane e të krishtera dhe ku në të dy besimet, shkruan Zotos Mollossos, flitej vetëm gjuha shqipe, në çerekun e fundit të shekullit XIX, u hap një shkollë greke, e cila po i helenizonte ortodoksët. (Burimi: Z. Mollossos, Dhromologon, Tom 4).


QEVERIA MBYLL SHKOLLAT SHQIPE 

Pas vitit 1881 qeveria greke u përqendrua në një veprimtari propagandistike në gjirin e popullsisë shqiptare të Shqipërisë së Poshtme, që synonte në rradhë të parë të çrrënjoste shqiptarizmin në atë trevë dhe të mbillte urrejtjen dhe përçarjen midis vetë shqiptarëve të krishterë e myslimanë. Në pararojë të kësaj veprimtarie vazhduan të qëndrojnë si gjithmonë kisha dhe shkolla greke, të cilave pushteti osman dhe vetë sulltani i kishte siguruar status të veçantë.

Edhe shtypi grek në këtë kohë villte vrer kundër shkollës shqipe. Gazeta greke “Ipiros”, në një nga numrat e saj, shkruante: “Epirotët që flasin pa përjashtim gjuhën greke, nuk mund të lejojnë futjen në shkollat e tyre të gjuhës shqipe me alfabetin shqiptar”. Zyrtarët e Athinës e shihnin me shqetësim faktin, që siç shpreheshin ata: “Gratë dhe fëmijët e fshatrave ortodokse shqiptare në Çamëri flisnin vetëm shqip”. Frekuentimi i shkollave shqipe që ishin hapur pas vitit 1909 në shumë qendra e fshatra çame, si dhe mësimi në to i ortodoksëve shqiptarë, e shtyu Athinën të dendësonte punën për të minuar hapjen e shkollave shqipe dhe për të hapur kudo shkolla greke. Greqia kërkonte me ngulm që shkollat e saj të ndiqeshin në radhë të parë nga vajzat, nënat e ardhshme, nga të cilat do të varej shartimi i gjuhës greke tek elementi shqiptar ortodoks i Çamërisë. Në këtë drejtim u shqua veçanërisht kleri grek, i cili u bë zëdhënës më i besuar i politikës greke për helenizimin e trojeve shqiptare dhe aneksimin më vonë të tyre. Kështu, p.sh. mitropoliti i Paramithisë, Neofiti, në një raport zyrtar të datës 27 korrik 1909 mbi gjendjen e shkollave nën juridiksionin e mitropolisë së tij në fshatrat e krishtera, ngulte këmbë që “të mos dërgoheshin mësues shqipfolës në fshatrat e mitropolisë së tij ku flitej shqip, se ata nuk mund të kontribuonin në mësimin e gjuhës greke, siç është qëllimi i çdo shkolle”.(Burimi: V. Krapsites, I istoria tes Paramithias, vep. f. 94).


KLERI GREK KUNDËR ÇAMËVE 

Mitropoliti Neofiti u angazhua me zell të madh për hapjen e arsimit grek tek popullsia shqiptare në fshatrat e Frarit, Paramithisë, Margëlliçit, veçanërisht tek vajzat. Arsyen e kësaj përzgjedhjeje e shpjegon vetë ai në një letër të datës 2 shtator 1909, kur sapo qe emëruar mitropolit, ku i porosiste shqiptarët e krishterë të juridiksionit të tij f i dërgonin vajzat e tyre në shkollat greke. “Në këtë mënyrë këto vajza, që nesër do të jenë nëna, do të kontribuojnë që gjuha greke të futet edhe në familje”, sqaronte me cinizëm mitropoliti grek. (Burimi: V. Krapsites, I istoria tes Paramithias, vep. f. 94). Priftërinjtë grekë shkonin nëpër fshatra ku flitej vetëm gjuha shqipe e u lexonin të krishterëve shqipfolës liturgjinë dhe lutjet greqisht48. Ortodoksët, nën Patrikanën greke, konsideroheshin si pionierë të kulturës, ndërsa myslimanët shqiptarë si turq të egër49.

Feja nisi të mbjellë përçarje midis dy komuniteteve . Misionarë të kësaj fushate u bënë klerikët dhe kishat. Në Çamëri midis myslimanëve dhe të krishterëve synohej të krijohej një hendek i madh. Sharjet, fyerjet, shpifjet nga ana e propagandës greke ishin poshtëruese dhe shumë prej tyre popullarizoheshin e bëheshin publike në gazetat e botimet greke. Grekët predikonin se “myslimani sa kohë është gjallë, mban erë turku dhe kur vdes nuk kalbet në varrin e tij, por ngjallet e bëhet derr… Ai i krishterë që merr grua një myslimane, kisha i mohon vajin që e ka kunguar prifti gjatë pagëzimit dhe gruaja e martuar me mysliman kudo që shkon gjatë gjithë jetës së saj, do të mbajë njollën e turpit”.(Burimi: V. Krapsites…, vepra e sipërpërmendur).

Kjo urrejtje patologjike kundër shqiptarëve e shtyu Athinën që të koordinonte veprimet me xhonturqit kundër shkollës e gjuhës shqipe dhe Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Çdo përpjekje që bënin shqiptarët për hapje shkollash e klubesh, për sigurimin e librave shqip, qarqet shoviniste greke i propagandonin pranë zyrtarëve të lartë të vilajetit në Janinë “si përpjekje të shqiptarëve për një Shqipëri të Madhe”, në të cilën do të përfshihej krejt vilajeti i Janinës deri në Prevezë.(Burimi: E.Nikollaidhu, Alvaniqi qinisisto vilajeti Janinou qe i simvoli telezmou stin anaptiksi, tis (1908-1912), Janinë 1964, faqe 25-26). Kreu i lartë grek në Janinë villte vrerë kundër shqiptarëve në përpjekjet e tyre për të realizuar ato të drejta që i lejonte kushtetuta xhonturke e vitit 1908, duke i fryrë çdo vit në vesh edhe komiteteve xhonturke se shqiptarët kanë për qëllim të shkëputen nga Perandoria Osmane.Mitropoliti grek në Athinë akuzat ndaj shqiptarëve ia bëri prezent edhe Portës së Lartë në Stamboll. Ai për ta bindur Portën e Lartë se ishte një mik i saj besnik dhe se do të luftonte çdo orvajtje që do të dëmtonte Perandorinë Osmane, i deklaroi Portës dhe Valiut të Janinës se ai do të mbante anën e Portës, duke u bashkuar me xhonturqit kundër shqiptarëve.Siç shihet, Athina dhe Stambolli, u bënë dy aleate kundër Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Kleri grek, duke luftuar kundër shkollës shqipe në Çamëri, u mohonte ortodoksëve shqiptarë kombësinë, kur dihej se në 90 për qind e ortodoksëve të kazasë së Filatit, Paramithisë dhe Margëlliçit flisnin shqip në familje. Kisha dhe propaganda greke bënte presion jo vetëm që të mos shkonin në shkollë shqipe, por të mos e flisnin gjuhën shqipe as në shtëpi dhe as në rrugë. Gazeta “Zgjimi i Shqipërisë” njoftonte në editorialin e saj: “Në Llakën e Sulit disa fshatra të krishtera, që flisnin gjer dje gjuhën shqipe, mësojmë se me nxitjen e kishës dhe më shumë të komiteteve të Megali Idesë, iu ndalua të flisnin gjuhën shqipe”.(Burimi: 54Gazeta “Zgjimi i Shqipërisë”, Janinë, nr. 69, datë 22 shkurt 1909)


GREKËT NISIN SPASTRIMIN ETNIK 

Në vitet që pasuan, Athina nisi t’i intensifikojë veprimet e saj për pushtimin e Çamërisë me forca ushtarake dhe përpjekjet për spastrimin etnik të shqiptarëve nga Çamëria. Ndërkohë qeveria greke, për të shuar e zhdukur çdo gjurmë të etnisë shqiptare në Çamëri, mendoi të ndryshojë toponiminë e emrave të fshatrave, një pjesë e mirë e të cilëve shpjegohen me Ijalë të leksikut të shqipes. Po përmendim disa prej tyre si Gurrëz, Vreshta, Ledhëz, Rrapez, Grika, Rrezanj, Grikohor, Arpicë, Arvenicë, Mazerrek, Varfanj, Lopës, Gardhiq, Morfat, Spatharat, Sharat, Nëneshat. Fshatit Gurrëz ia ndryshuan emrin në Paleokastër e sipër, fshatit Picar në Aetos, Koriqanit në Ahllahvija, Skupicës në Kestrinë, Lopsit në Asproklisi, Spatari në Trikorfo, Galbaqit në Elaia, Dolanit në Jeroplatanos, fshatit Vreshta në Andelia, Salicës në Llaka, Peshtani në Kriovrisi, Smokovina në Sikohor, Kuçi në Poliner-i, Arvenica në Argirotopos, Nista në Faskomilia, Arpica në Perdhika, Vola në Sivota, Rrapeza në Anthusa, Vrastova në Paleokastro, Kurtesi në Mesovuni, Minina në Nerajdha, Curila në Kalithea, Rezanji në Shën Aji, Ledheza në Ladhohor, Varfanji në Parapotam, Koshovica në Shën Maria, Luarati në Katavothër etj. etj.

Por përtej këtyre përpjekjeve duhet thënë se në Çamëri si në të gjithë Shqipërinë haset mbaresa at si për shembull Progonat, Dukat, Jorgocat, Morfat, Luarat, Sharat, Neneshat, Ninat, Markat, Spatharat e plot emra të tillë. Gjuhëtarët kanë arritur në përfundimin se elementi fjalëformues at lidhet me prapshtesën ates, e cila takohet në emra fisesh ilire si Labeates Dockleates etj. Autoktoninë e shqiptarëve në krahinën e Çamërisë e shprehin edhe toponimet e shumta, që janë me origjinë shqiptare si p.sh. Ledhëza (fshat në Gumenicë), Rrapëza (fshat në Pargë). Në fshatin Kastri të Gumenicës edhe sot e kësaj dite në kujtesën e banorëve ruhen toponimet: Bregu, Gropa, Gura, Driza, Guri i Glate, Shkalla e Manoles, Gropa e Jorgaqit, Grava e Demit, Palo Vreshtat, Lisi i Lorit, Prroi i Thellë, Gropa e Madhe, Bira e Vllahut.

Në fshatin Shulash të Gumenicës po veçojmë disa toponime: Guri i Bardhë, Bota e Bardhë, Gropa e Nasho Ligorit, Burimet, Gropa e Fëlliqur, Bregu i Angjelit, Mulliri i Fikut, Shegëza, Kodrëza, Vidhet etj. Sado që të përpiqet administrata lokale greke për f i zëvendësuar emrat e fshatrave me origjinë shqiptare me emra greke, banorët autoktonë të Çamërisë i kanë transmetuar gjurmët e lashta të autoktonisë së tyre nga brezi në brez deri në ditët tona. Kështu p.sh. kur pyet sot një çam dhjetëvjeçar se nga je, ai të përgjigjet menjëherë se jam nga fshati Lopës, ose nga Picari, ose nga Vreshtat, ose nga Spatari. Është kjo arsyeja që pavarësisht me ç’emër të ri është pagëzuar ky ose ai fshat shqiptar në Çamëri, brezi i dytë ose i tretë, që kanë lindur në Shqipëri, pa asnjë vështirësi gjejnë rrugë e shtigje për të shkuar në fshatrat e tyre, të përkëdhelin me duar shtëpitë rrënoja, të kalojnë nëpër plantacionet me ullinj e livadhet, të cilët i dinë me saktësinë më të madhe se ku janë dhe pasi kthehen në Shqipëri, u tregojnë gjyshërve dhe gjysheve, mbresat nga fshati i të parëve. Është ky mall i madh për vendin e të parëve, që sa vjen e po shtohet tek brezat e rinj të çamëve.

Huazuar nga Gazeta Dita 
 

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen