Samstag, 6. Dezember 2014

Genocidi dhe shpërngulja e dhunshme e çamëve

Edhe pse Ballkani ishte në luftë, për popullsinë shqiptare çame në trojet autoktone, nisi genocidi dhe shpërngulja e dhunshme. Nisën kërcënimet, arrestimet, vrasjet e djegie masive të fshatrash. E vetmja rrugë për banorët e pa mbrojtur ishte largimi me kokën prapa, drejt thellësisë së Shqipërisë. Nis një kalvar biblik i pa parë. Veçanërisht, ky genocid ushtrohej ndaj popullsisë myslimane. Në këto kushte, çamët e dy besimeve iu gjendën pranë njeri-tjetrit, në mënyrë që të zvogëlonin sado pak përmasat e këtij genocidi.
Në vazhdim historiani Hajredin Isufi sjellë dokumente e dëshmi të të moshuarve, të mbijetuar nga ky genocid.


SHPËRNGULJA E DHUNSHME E ÇAMËVE 

Largimi i çamëve për t’i shpëtuar terrorit të bandave kishte filluar. Ata linin pas, të pushtuar nga tmerri, shtëpitë e djegura, kufomat e të afërmve të pavarrosur. Rruga e tërheqjes për banorët e krahinës së Pargës, Margëlliçit e Gumenicës për në kufirin shqiptar ishte Gumenicë-Kastri-Rai-Kalama-Smertë e që të çonte drejt e në kufirin shqiptar. Në shumë fshatra shqiptare, që ishin më pranë kufirit, ata hezitonin të lëviznin më në thellësi të vendit me shpresën se mund të ndryshonte gjendja dhe të mos e merrnin kalvarin e dhembshëm dhe tragjik të emigrimit. Në këto momente të vështira për popullsinë çame, një pjesë e madhe e të krishterëve iu gjendën pranë dhe u përpoqën me të gjitha mënyrat për t’u ardhur në ndihmë. Strati Vrisi, nga fshati Grikohor, arriti menjëherë në fshatin Rëzanj, tek vëllami i tij Xheviz Isufi, që iu kishte gjendur në ditë të vështira dhe i kishte shpëtuar jetën. Stratiu qëndroi vetëm një natë tek miku i tij dhe propozoi që Xhevizi me familjen e tij të shkonte për strehim tek familja e Strati Vrisit, që në atë kohë ishte në Janinë. Xhevizi e falenderoi dhe i shprehu mirënjohjen e tij të thellë me ijalë zemre, por i tha se nuk mund të ndahej nga të afërmit dhe bashkëfshatarët e tij. Stratiu, duke parë hezitimin e mikut të tij për t’u shpërngulur për në Janinë, i propozoi që të largohej menjëherë nga fshati e të ndiqte rrugën, që kishin nisur bashkë kombasit e tij, duke ia bërë të qartë se sapo të pushtohej vendi nga forcat e Zervës, çdo familje shqiptare rrezikohej të zhdukej. Ndërkohë u përhap lajmi ndër çamët e rrethit të familjes së Selfo Muhos nga fshati Dolan, se në shtëpinë e tij kishte shkuar vëllami i krishterë nga Pjadhuli dhe e kishte paralajmëruar që të nisej një orë e më parë, se jeta e çdo çami rrezikohej nga forcat zerviste, që kishin marshuar drejt Çamërisë. Shihej qartë se situata tepër e tensionuar, që ishte krijuar në këtë kohë në Çamëri, kishte bërë që asnjë i krishterë, sado dashamirës që të ishte me myslimanin, nuk kishte mundësi t’i garantonte jetën, apo ta merrte në mbrojtje në shtëpinë e tij.


HISTORIANËT PËR GENOCIDIN 

Rreth kësaj situate, që shpreh dashamirësinë e të krishterëve ndaj myslimanëve në ato vite, na jep të dhëna me interes historiani Jani Sarras. Në një nga veprat e tij, ai ndër të tjera shkruan se në Kastrizë jetonin dy familje myslimane: e Lile Rustemit dhe e Hasan
Sulçes, që kishin vdekur. Ata kishin qenë në marrëdhënie mjaft miqësore me bashkëfshatarët e tyre të krishterë. Ata i donin dhe i respektonin të krishterët pa paragjykime fetare, pa hipokrizi.(Burimi:J.Sarras, vep. f.670). Djali i Lile Rustemit, Rexhepi, vazhdon më tej autori, dhe pjesëtarja tjetër e familjes, Mineja, ashtu si i jati i tyre, nuk nguronin të shfaqnin dashurinë dhe respektin për të krishterët. Gjatë pushtimit të vendit nga fashizmi, Rexhepi mbajti një qëndrim tepër korrekt dhe nuk krijoi asnjë ngacmim. Ai çdo lajm të keq që mësonte për ndonjë veprim, që do të ndërmerrej ndaj të krishterëve nga fashistët, i lajmëronte menjëherë të krishterët, që të merrnin masa mbrojtëse’. Rexhepi, që e ndjente veten shumë të pastër si edhe të parët e tij, kishin shkuar me të krishterët si vëllai me vëllanë prandaj kur emigruan çamët, ai nuk luajti nga fshati i tij. Ai me të vëllanë Arifin, 14 vjeç, të shoqen Hanon, dy djemtë e tij: Rustemin 4 vjeç dhe Lilen 9 muajsh, si dhe Hasani me të bijën e tij Minen, që kishin një djalë, Skënderin 3 vjeç dhe ishte shtatzanë njëmuajshe, qëndruan në shtëpinë e tyre në Kastrizë. Personalisht, shkruan Sarras, duke qenë se nuk kisha mundësi t’i merrja në mbrojtje, kur më pyetën sesi të vepronin: të qëndronin apo të largoheshin, u thashë që të iknin, por ato vendosën të mos lëviznin. (Burimi, ai i sipërcituar).

Autori vazhdon më tej se kur hynë edeistët në fshatin Kastri, Rexhepi ishte strehuar në shtëpinë e bashkëfshatarit të krishterë Miho Petro. Ditën e parë forcat zerviste nuk e prekën, por të nesërmen shkuan dhe e thërritën gjoja për ta marrë në pyetje dhe prej andej e shpunë në Shkallën e Manoles, ku e vranë bashkë me të vëllanë e tij. Ndërkohë edeistët, me familjen e pambrojtur të Rexhepit, filluan të silleshin në mënyrë çnjerëzore. Ata i përdorën të tri gratë e asaj familjeje për të kënaqur instiktet e tyre shtazarake dhe pasi i përdhunuan, i masakruan së bashku me fëmijët e tyre të mitur.( Burimi:J.Sarras, vep. f.670).


UNITETI ÇAM PËRBALLË SHOVINIZMIT 

Në vazhdim të fakteve, që flasin për dashurinë dhe respektin reciprok që kishin dy komunitetet në Çamëri dhe dhembjen që ndjenë ata të krishterë të ndershëm për vrasjet, plaçkitjet e fshatrave e shtëpive të myslimanëve, që po e kthenin Çamërinë në një shkretëtirë të Vërtetë, nuk duam të lemë pa përmendur këtu aktin e lartë të fisit të madh e të respektuar të Vrisëve nga Grikohori, ndaj bashkëfshatarit të tyre Hizdar Ahmetit (Taipit) në vitin 1944. Hizdar Ahmeti i përket një familjeje të njohur çame nga myslimanë e të krishterë në Grikohor dhe në të gjithë Çamërinë, si derë e madhe dhe njeri fisnik e me besë. Kur nisën shpërnguljet e familjeve çame nga trojet e tyre, ai dhe të afërmit e tij, vendosi të kalojë në Shqipëri nëpërmjet Janinës, si një rrugë që paraqiste më pak rreziqe nga bandat greke. Hizdar Ahmeti në Janinë ra në kontakt edhe me shumë të krishterë të zonës së Çamërisë, që ishin strehuar kohët e fundit në Janinë. Aty takoi edhe bashkëfshatarin e tij Strati Vrisin, me familjen e të cilit e lidhte një miqësi e vjetër. Ata të dy kalonin orë të tëra bashkë në kafenetë e Janinës dhe bisedonin për kaosin, që kishte përfshirë Çamërinë dhe gjithë Greqinë. Një natë, tregon Hizdar Ahmeti, më erdhi një i krishterë në shtëpinë ku banoja me familjen dhe të afërmit e mi dhe në emër te Strati Vrisit, më ftonte në një darkë, ku sipas fjalëve të tij, ishin edhe miq të tjerë të krishterë nga fshatrat e Çamërisë që i njihja dhe më njihnin. Vendosa të shkoja me kënaqësi, tregon Hizdra. Prisja të nisesha rreth orës 20. Ndërkohë që çami nga Grikohori qëndronte në shtëpinë e tij, shkon Eleni, e shoqja e Strati Vrisit dhe i thotë Hizdar Ahmetit: “Aga! Ke të fala shumë nga Stratiu. Sonte mos lëviz nga shtëpia ti dhe të afërmit e tu, se kundër jush është përgatitur një plan i keq, që rezikon jetë njerëzish”. Këto fjalë tha shpejt e shpejt e shoqja e Strati Vrisit dhe u largua menjëherë andej nga erdhi.


DËSHMI TË BESËS ÇAME 

Kaluan vitet dhe në Shqipëri nisën të vinin si turistë të krishterë çamë nga Çamëria. Shumë prej tyre shkuan edhe tek miqtë e vjetër, çamët myslimanë shqiptarë. Edhe Hizdar Ahmeti pati shumë takime me ta. Në vitin 1986 i bëri një vizitë vëllai i Strati Vrisit, i ndjeri Petro Vrisi. Petrua i tregoi mikut çam në Tiranë një brengë dëshpërimi të Strati Vrisit, që kishte ndërruar jetë tre vjet më parë. Çishte kjo brengë, që e kishte brejtur Strati Vrisin për vite të tëra, derisa ndërroi jetë. Petrua nisi të tregojë sesi vëllait të tij, Stratiut, kur ishte në Janinë në vitin 1944, i kishin shkuar në shtëpi disa të krishterë nga fshatrat e Çamërisë dhe nën kërcënimin me armë jo vetëm për jetën e tij, por edhe të familjes, kërkuan me këmbëngulje që atë natë të lajmëronte Hizdër Ahmetin të shkonte tek ai për darkë. Strati Vrisi, nën presionin e forcës e në prani të tyre, e fton Hizdar Ahmetin për darkë. Plani ishte që para se të arrinte në banesën e Strati Vrisit, ta rrëmbenin çamin dhe për lirimin e tij të jepej një shumë e madhe të hollash. Strati Vrisi i kuptoi planet djallëzore të xhelatëve dhe vendosi ta shpëtojë mikun e tij mysliman, që shumë herë kishte shpëtuar e marrë në mbrojtje me dhjetëra të krishterë, duke sakrifikuar dhe rrezikuar edhe jetën e tij e të familjes së tij. Strati Vrisi, edhe në ato momente të vështira e kritike, e gjeti rrugën e zgjidhjes për të mos prerë në besë mikun e tij: ai e paralajmëroi Hizdar Ahmetin me anën e të shoqes së tij, Lenit. Enigmën e Janinës, pas afro katër dekadash, e zbardhi Petro Vrisi dhe vëllai i tij që kishte ndërruar jetë i qetë se nuk e tradhtoi mikun, edhe kur jeta e tij ishte në rrezik.


MBROJTJA E KLERIKËVE NGA GENOCIDI 

Qëndrimi i Strati Vrisit dhe përpjekja e tij për të shpëtuar myslimanët, nuk ishte rasti i vetëm. Kështu hoxha i fshatit Kuç me të afërmit e tij, që ishin larguar në Janinë, kur kishte filluar dhuna e terrori grek në Çamëri, u morën në mbrojtje nga të krishterët dhe më pas, kur u qetësua gjendja, u kthyen në fshatin Kuç. Kur flasim për qëndrimin e vendosur të krishterëve në mbrojtje të myslimanëve, nuk mund të lemë pa përmendur edhe një rast në fshatin Mavrudh, kur i krishteri Gaqo Sholiu, shpëtoi nga thonjtë e vdekjes Nusret Sulon nga fshati Shulash si dhe shumë familje të tjera myslimane në fshatin Lopës, që më pas u stabilizuan në Sajadhë, ku jetojnë edhe sot.

Shumë prej këtyre fakteve nuk i gjejmë të shkruara në dokumente historike, por në dëshmitë e njerëzve, që përbëjnë një burim autentik për të hedhur dritë për lidhje të vjetra shpirtërore midis çamëve myslimanë e të krishterë në Çamëri… Njëri nga pjesëtarët e fisit të tij Veli Gerra, ishte delegate i Çamërisë në Kuvendin historik të Vlorës, që shpalli pavarësinë e Shqipërisë më 28 Nëntor 1912. Familja e Gerrave ishte edhe pronare e madh tokash në Pllatare dhe në Vris. Tahir Gërra, kur bashkë me çarsë e tjerë mori rrugën e emigrimit për në Shqipëri, ka treguar njw episod, që meriton të vihet në dukje. Ai në atë kohë ishte i moshuar, i kishte kaluar të shtatëdhjetat. Plaku i mençur dhe të mirë Tahir Gërra, ndërsa largohej duke lënë pas Vrohorar e tij të dashur, krahas pafuqisë që ndiente në atë rrugëtim i dhembshëm dhe pasurisë së madhe, që i linte pas, e brengosi edhe diçka tjetër e madhe. Herë-herë kërkonte të ndalej dhe kthente kokën pas. Buza i dridhej dhe sytë i përloteshin. I mbetej si ëndërr Vrohonai, varret e të parëve. Por pas mbeteshin edhe miqtë e tij të krishterë.

Do ta merrte malli për Vrohonain, por edhe për vëllezërit e një gjaku, të krishterë të Pllataresë, Vrisit dhe të fshatrave të tjerë. Me ata kishte kaluar gëzime e hidhërime. O Zot! O Zot, pëshpëriste me vete plaku. Ç’është kjo hata! Mallkuar qofshin ata që na bënë këtë gjëmë! Mallkuar qoftë – Zervë qeni! Edhe në varr mos pastë derman!

Dhe pjesëtarët e familjes Gërra tregojnë se kur ishin larguar nga shtëpitë e tyre, tërë gjënë e pasurinë ia kishin lënë në përkujdest e me kujdestari mikut të tyre të krishterë Kozma Zoit, nga fshati Vris. Kur familja e Tahir Gërrës gjendej në fshatin Spatar, bashikë me shumë familje çame, Kozmai ishte nisur nga Vrisi me dy vetë të fisit të tij, për të takuar e parë Tahir Gërrën dhe familjen e tij km që të ishin. Ai i gjeti në fshatin Spatar, nën një tendë të madhe të sajuar të një çadre. Na gjeti aty, tregon Nuri Gerra, djali i Tahi Gerrës. Na përqafoi si vëllai-vëllanë dhe derdhi lot dhembje duke i thënë babait tim dhe ne sa ishim atje, burra gra, fëmijë: “Na prishi lufta, or vëlla. Zoti na shpëtoftë ju dhe ne” dhe nuk qemë në gjendje ta vazhdonte bisedën, se një ngashërim dëshpërimi ia bllokoi zërin e tij, që shqiptonte fjalë zemre. Atë natë, tregon Nuriu, miku i shtëpisë sonë, i krishteri nga Vrisi, e gdhiu natën bashkë me ne, në atë çadër. Të nesërmen, kur gdhiu dita dhe miqtë e krishterë do të ndaheshin, Tahir Gërra, duke iu hedhur në qafë, i tha Kozma Zoit: “Kam marrë nga tufa e lopëve të mia 7-8 lopë me vete, për të ushqyer fëmijët rrugës, por tani e shoh që as unë jam për to dhe as ato për mua. Duan kullotë e përkujdesje, që nuk mund t’ua siguroj, prandaj me gjithë zemër merri me vete dhe i paç hallall”! Pastaj iu drejtua të birit, Ruhiut: “Merri lopët dhe silli t’i marrë Kozmai”. Kozmai me njerëzit e tij dhe tufën e lopëve përpara, u kthye në Vris, ndërsa të nesërmen Tahir Gerra me fisin e tij kaloi kufirin.


REALITETI NËPËRMJET NJË LETRE 

Këto të dhëna, që përmendëm nuk do të ishin të plota pa përmendur edhe një rast tjetër tipik: është një letër që mban datën 22 shkurt 1945, që një i krishterë paramithjot, ia nis bashkëqytetarit të tij Riza Kalit, që ndërkohë kishte lënë shtëpinë e pasurinë në Paramithi dhe kishte marrë rrugën e emigrimit, për të shpëtuar jetën e pjesëtarëve të familjes, që i kishin shpëtuar nga maasakra e përgjakshme e 27 qershorit 1944. Miku i tij paramithjot, Kristo, i shqetësuar për fatin tragjik të mikut, vëllait të tij Riza Kalit dhe shumë shqiptarëve të tjerë paramithiotë, në atë letër shprehte dashuri dhe dhembje për tmerrin, që përjetuan shqiptarët çamë të pafajshëm dhe fatin tragjik, që ata i priste duke marrë rrugën e mërgimit pa ditur se për ku po shkonin dhe duke lënë pas pjesëtarë të familjeve të tyre të masakruar nga paramilitarët zervistë. I krishteri paramithjot, si për ta ngushëlluar Riza Kalin dhe gjithë paramithiotët e tjerë, që mund të njiheshin me përmbajtjen e kësaj letre, i bënte të ditur se edhe ai e shumë bashkëqytetarë të tjerë të krishterë paramithiotë ishin vrarë, ndjekur e persekutuar nga bandat nacionaliste të Napoleon Zervës, midis tyre edhe vetë Kristua ishte burgosur. Kur e lexojmë këtë letër, sot pas gjashtëdhjetë vjetësh, konstatojmë se drama e dhembshme, që ndodhi në Çamëri në vitet 1944-1945, u shkaktua nga qarqe të caktuara shoviniste në qeverinë e Athinës, duke hapur shumë plagë e dhembje si tek myslimanët, ashtu edhe tek të krishterët. Lufta e egër ndaj elementit shqiptar krijoi jo vetëm plagë të rënda, por edhe një ndarje të padrejtë nga pronat e pasuritë e tyre si dhe nga vëllezërit e krishterë, që kishin bashkëjetuar në harmoni të plotë si një familje mes tyre. Kjo është edhe ideja që e përshkon letrën, që i adresohet Riza Kalit nga vëllami i tij i krishterë paramithjot.
 
Huazuar nga Gazeta Dita
 

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen