Samstag, 6. Dezember 2014

Kryengritja çame kundër myslimanizimit...

Pushtimi turk dhe islamizimi i dhunshëm shënon goditjen e parë të rëndë ndaj popullsisë çame në trojet e veta. Përballë kësaj situate tejet të vështirë, kjo popullsi u detyrua të ruaj me fanatizëm gjuhën shqipe, zakonet e traditat, duke u mobilizua dhe në kryengritje të armatosur në shtatorin e vitit 1611. 
Historiani Hajredin Isufi sjellë në vazhdim dokumente historike e dëshmi nga kjo qëndresë, e cila bëri që banorët të ruajnë të paprekur identitetin e tyre.


ISLAMIZIMI I ÇAMËRISË 

Islamizimi i dhunshëm, është goditja e parë ndaj çamëve në tokën e tyre amtare. Në vështrimin e parë të listave emërore të fshatrave që përmenden në dokumentet e kohës, vihet re se kthimi i të krishterëve në myslimanë është i papërfillshëm, si p.sh., në Gurrëz, Imlahor, Nehor etj, nuk figurojnë të krishterë të konvertuar. Ndryshe nga këta fshatra, fshati Koskë ka një dukuri tjetër. Në atë fshat defteri osman i vitit 1583 shënon 48 persona të islamizuar, të cilët në raport me popullsinë e fshatit përbënin 27 për qind të saj. Ndërsa fshati Gardhiq i Paramithisë nga gjithsej 112 kryefamiljarë, në regjistrimin osman shënohen vetëm dy prej tyre të kristianizuar. Në gjysmën e dytë të shek. XVI, në krejt zonën e Çamërisë, të krishterët përbënin mbi 90 për qind të numrit të përgjithshëm, kurse myslimanët nuk i kalonin as 10 për qind. Kështu, raporti i popullsisë kristiane me atë myslimane në përqindje ishte kryekëput në favor të të krishterëve.


PUSHTIMI OSMAN 

“Forcat osmane, – shkruan Dora d’Istria, – e shkatërruan Janinën në vitin 1424 dhe kthyen në skllevër një pjesë të banorëve të saj. Turakani ngriti para qytetit një piramidë prej dy mijë kokash. Megjithatë, Thesprotia e lashtë u ngrit mbi rrënojat e saj.(Burimi: Dora d’Istria, Rinia e një shqiptareje, Tiranë, 2002, f.3l). Pushtuesit osmanë pasi mposhtën rezistencën e vendasve, një pjesë të forcave nën komandën e Sulejman Haxhi Beut e dislokuan në kështjellën e qytetit të Paramithisë. Ishte në traditën e Perandorisë Osmane që sapo pushtohej një territor, për nder të sulltanit ngrihej një xhami në qendër të këtij territori. Kështu, në vitin 1490, në Paramithi, u ndërtua xhamia e parë e madhe që u pagëzua “Xhamia e Sulltan Bajazitit II. (Burimi: “Estia”, 1953, f. 163-165; Sp. Muselimi, vep. e përm., f.18). Ajo njihej edhe me emrin Xham-i Sherif (Xhamia e Shenjtë). Kjo ndërtesë kulti, fillimisht, do të shërbente për të kryer ritet fetare ushtria dhe oficerët turq të dislokuar në qytet dhe rrethina, por, nga pushtuesit e rinj, shihej në perspektivën e afërt dhe si një qendër fetare për të krishterët që do të ndërronin fenë në atë rajon. Ndërkohë, edhe në qytetin e Margëlliçit, një lagje, e banuar kryesisht nga ushtarë dhe jeniçerë osmanë, mori emrin “Lagja e Sulltan Bajazitit”. Pushtuesit osmanë në territoret shqiptare gjetën një popullsi të krishterë ortodokse e katolike. Predikuesit e fesë islame patën një terren të favorshëm edhe në zonën e Çamërisë. Ata nuk hasën ndonjë kundërpërgjigje të vendosur nga kleri dhe kisha.


SITUATA 

Të krishterët shqiptarë para e pas pushtimit osman të shek. XV-XVI, kishin një kler të papërgatitur e të paorganizuar për të përballuar presionet e pushtuesit. Gjithashtu edhe disiplina kishtare ishte e shthurur aq sa në faltore nuk kryhej asnjë ceremoni fetare.(Burimi: Historia e Shqipërisë, vëll.I, Tiranë, 1959, f. 366-367).
Dobësinë që manifestonte kleri dhe kisha në këtë kohë, studiuesi Ferdinand Braudel e shpjegon me faktin që, sipas tij, “krishterimi në këtë vend nuk kishte hedhur rrënjë të thella”.(Burimi: F. Brandel, Mesdheu dhe bota mesdhetare në kohën e Filipit të dytë, 1949 (cituar nga Sh. Delvina në librin “E vërteta mbi Epirin”, Tiranë, f.315).
Perandoria Osmane u përpoq të bënte sa më pasiv rolin e dobësuar të kishave ndaj çdo veprimi që do të merrte kundër kishave, manastireve dhe besimtarëve të tyre. Administrata osmane u dha të kuptonin priftërinjve dhe klerit të lartë se, po të afroheshin me qeverisjen e pushtetit osman, ata do të kishin mbështetjen e saj. Klerikët, duke mos pasur as forcë e as mbështetje për të kundërshtuar strategjinë e pushtuesit të ri, pranuan më mirë të bëheshin përkrahës të pushtetit osman dhe të gëzonin privilegjet që i ofronte ai, sesa të deklaroheshin kundërshtarë të tij. (Burimi: “Enkyklopedia Eleftheroundaqi”, vëll. V, f.306). Kleri i krishterë, jo vetëm që nuk reagonte, por përkundrazi, nisi të heshtë ndaj dhunës, e sidomos ndaj përpjekjeve të pushtuesit për islamizimin e popullsisë së krishterë përmes rrugëve të ndryshme si: vështirësitë ekonomike, presioneve etj. Madje, ai u bë propagandues i flaktë i nënshtrimit ndaj së keqes, duke iu drejtuar besimtarëve të tij “që ta pranonin pa keqardhje nënshtrimin dhe taksat e rënda”.(Burimi: J. Sarras, Isteria tis Igumenitsis, 1550-1950, Athinë, 1985, f. 39).Ndërkohë klerikët e krishterë të fshatrave e të rajonit të Çamërisë, sa herë që hasnin në qëndresën e fshatarëve për të mos paguar taksat që i detyroheshin kishës, për shkak të varfërisë së tyre, u drejtoheshin për ndihmë pushtetarëve osmanë, për mbledhjen me dhunë të tyre. (Burimi: P. Pipineli, Historia e Revolucionit Grek, 1928, f.42; J. Kordatos, Lulëzimi dhe dekadenca e Bizantit (materiali i përkthyer në AIH, Tiranë).


DHUNË FISKALE E BURGIME 

Administrata osmane vuri në zbatim një politikë diskriminuese fiskale, sidomos për të krishterët. Vendin kryesor të taksave në këtë kohë e zuri tributi i xhizjes. Xhizja ishte për kokë, detyrim që vihej në të holla vetëm për shtetas të krishterë fshatarë dhe qytetarë, kur me vendim të gjyqit lokal të Sheriatit një i krishterë kalonte në fenë myslimane, ai shkarkohej nga detyrimi për të paguar xhizjen. (Burimi: Historia e Popullit Shqiptar, vëll.l, 2002,f.592. Historia e Popullit Shqiptar…, vep. e përm., f.592). Popullsia e krishterë përballej me taksa të rënda, të cilat pushtuesi, gjatë fundit të shek. XVI e gjatë shek. XVIII, i rriste vazhdimisht. Shto këtu edhe faktin se shlyerja e taksave kërkohej të bëhej me flori, vështirësonte akoma shumë gjendjen ekonomike të shqiptarëve të krishterë. Kjo u ndie në mënyrë të veçantë nga popullsia e krishterë, që kishte të ardhura të pakta nga prodhimet bujqësore. Të krishterët, për të ruajtur fenë e tyre duhej të paguanin këtë taksë dhe, kush nuk e shlyente ose nuk ishte në gjendje ta paguante, burgosej menjëherë. Në se i krishteri e mohonte fenë e krishterë e kthehej në mysliman, barra e tatimeve i hiqej menjëherë.
Një nga format e qëndresës ndaj depërtimit të fesë së re ishte krishterimi i fshehtë (kriptokristianizmi). Ai përfaqësonte një gjendje kalimtare dybesimi, përmes së cilës, individë të krishterë e pranonin islamin vetëm formalisht, me qëllim që të shmangnin pagesën e haraçit dhe të gëzonin barazinë me popullsinë myslimane në jetën shoqërore. Në publik këta individë paraqiteshin si myslimanë që mbanin emra në besimin islam e shkonin në xhami, në familje, fshehtas, ushtronin ritin kristian.(Burimi: Historia e Popullit Shqiptar… Fq. 592). Në shumë raste, në një familje e pranonte fenë islame vetëm kryetari i saj, përfaqësuesi i familjes në marrëdhëniet me pushtetin osman, ndërsa pjesëtarët e tjerë mbeteshin kristianë.


PASHALLARËT E ÇAMËRISË 

Shteti osman kishte si parim bazë në strategjinë e vet sigurimin e nëpunësve dhe funksionarëve në të gjitha nivelet e administratës nga kontigjentet e islamizuara vendase që kishte, por të përgatitur në Stamboll (robër lufte, të kapur në beteja të ndryshme të ushtrisë osmane). Këta robër, pasi islamizoheshin, edukoheshin në kolegjet osmane me një frymë të lartë devotshmërie ndaj islamit dhe Sulltanit(Burim i cituar më lart). Të tillë kishte edhe nga krahina e Çamërisë. Këta, pasi kishin braktisur besimin e krishterë, hynin si drejtues të administratës osmane në Çamëri. Njëri prej tyre është edhe i krishteri nga fshati Vica i Zagorisë, djali i së krishteres së ve, Bunës. Ky djalë, i islamizuar dhe i përgatitur në kolegjet e Stambollit, ishte pagëzuar me emrin muhamedan Ali dhe në vitin 1580 ishte vendosur në një nga postet më të larta në Paramithi: shef i xhandarmërisë osmane. Në burimet e kohës përmendet me emrin Ali Pasha.

Në vitet që pasuan, dhe veçanërisht në fillim të shek.XVII, emrat e të islamizuarve, që kishin zënë poste të larta në administratën osmane, ishin shtuar edhe më shumë. Dy prej tyre në këtë kohë kishin marrë titullin e lartë Pasha: Osman Pasha dhe vëllai i tij Ali Pasha – të dy paramithiotë të islamizuar. Cili ishte Osman Pasha? Një i krishterë me origjinë nga fshati Zavrus ose Turkogranicë i Paramithisë. (Burimi: P. Xhufi, Dionis Filozofi dhe Kryengritja e Shqipërisë së Poshtme e vitit 1611, në “Studime historike”, Tiranë, 1997, nr.l-4,f.32; V. Krapsites, vep. e përm., f. 131; K.D. Merziou, në “Epirotika Hronika”, 1940, f.34, 89). Ai, në fund të shek.XVI, u emërua sanxhakbej(Komandant ushtarak) i Delvinës dhe i Paramithisë (Ajdonatit), ndërsa vëllai i tij, Aliu, u bë sanxhakbej i Vlorës. Osman Pasha, më 26 qershor të vitit 1606, u transferua në Vlorë për të zëvendësuar të vëllain, i cili kishte marrë një detyrë tjetër nga Porta e Lartë: të kryesonte një ekspeditë turke kundër forcave hungareze, ku mbeti i vrarë në vitin 1608. (Burimi: V. Krapsites, vep. epërm., f.l31-133; K.D. Merziou, në “Epirotika Hronika”, 1940, f.38; Sp. Mouselimi, vep. epërm., f 31-32). Osman Pasha dy vjet më vonë, në vitin 1610 emërohet qeveritar i Paramithisë, dhe në marsin e vitit 1611 transferohet në postin e sanxhakbeut të Janinës.


KRYENGRITJA E ARMATOSUR 

Në dhjetëvjeçarin e parë të shek. XVII, kur të krishterët dukeshin se nuk kishin më asnjë mbështetje, pati edhe klerikë të larte ortodoksë që dolën në mbrojtje të popullsisë së shtypur të krishterë si dhe për të kundërshtuar islamizmin, që kishte nisur dalë e ngadalë të shtrihej në çdo fshat e qytet të Çamërisë. Reagimet qenë të ashpra. Ato arritën deri në kryengritje të armatosur. Si vatra e qëndresës antiosmane ishte Paramithia, Margëlliçi dhe Suli. Dionis Filozofi nga Paramithia, asokohe kryepeshkop i Larisës dhe i Tërhallës, u bë vetë frymëzuesi dhe udhëheqësi i kryengritjes. Ajo nisi në ditët e para të shtatorit të vitit 1611 dhe arriti kulmin e saj më 10-11 shtator të vitit 1611. Vendi ku u zhvilluan ngjarjet e vjeshtës së atij viti ishte territori i Çamërisë, nga Bastia e Sajadhës, në bregdetin Jonian, në Paramithi e Margëlliç, duke përfshirë këtu edhe banorët e fshatrave të malësisë së Sulit. Sipas burimeve të kohës, ishin ngritur në këmbë rreth shtatëdhjetë fshatra dhe numri i kryengritësve arrinte në rreth 1100 vetë.(Burimi: P. Xhufi, art. i përm., f. 27; K.D. Mertziou, I epanastasis tou Dionisiou fhilosofous, iii’ “Epirotika Hronika”, nr.13, 1938, f.86). Kryengritja kishte tiparet e një lëvizjeje të gjerë popullore dhe mbështetej jo vetëm nga të krishterë, por edhe nga elementë vendas të islamizuar kundër dëshirës së tyre. Sanxhakbeu i Janinës, Osman Pasha, sapo mësoi se në Çamëri kishte shpërthyer kryengritja, i nisi një raport të gjatë Portës së Lartë në Stamboll, ku ndër të tjera akuzonte banorët e Çamërisë për rebelim, madje, sipas tij, kishin krijuar lidhje edhe me spanjollët kundër madhërisë së tij, Sulltanit. Së fundi, Osman Pasha kërkonte urdhër nga Stambolli se si të vepronte.(Burimi: “V. Krapsites, Oi mousoulmanoi tzamides tis Thesprotias, Athinë, 1986, f.18). Kuptohet se përgjigja nga Porta qe e shpejtë dhe e prerë: të shtypej me zjarr e hekur dhe kundërshtarët e Divanit të ndëshkoheshin ashpër që të merrnin mësim edhe banorët e tjerë të vendit.


NDËSHKIMI I KRYENGRITËSVE 

Osman Pasha u nis vetë nga Janina në krye të forcave të shumta osmane për të shtypur kryengritjen. Ai, marshimin drejt Çamërisë, e shihte si një inkursion me rreziqe të mëdha për atë dhe forcat e tij. Këtë frikë, që përjetonte pashai i islamizuar nga Paramithia, ia shprehu hapur njërit prej shoqëruesve të tij, duke i thënë se ishte rrezik i madh të udhëtojë nëpër këto vende për shkak të kryengritësve, që ishin ngritur me armë në dorë nëpër male dhe që kishin zënë të gjitha shtigjet dhe qafat. Përballë forcave të shumta osmane, dhunës dhe presioneve që ata ushtruan, kryengritja u shtyp. Kjo edhe sepse organizimi i kryengritjes nuk mundi t’i përgjigjej kësaj lëvizjeje, ndaj dhe masakrat e ushtrisë së Osman Pashës ishin çnjerëzore ndaj popullsisë së pafajshme. Rreth dyqind kryengritës i dogjën të gjallë, bashkë me udhëheqësin e tyre, Dionis Filozofin.(Burimi: K.D. Merziou, art. ipërm.,f.85; P. Xhufi, art. i përm.,f.29). Pas shtypjes së kryengritjes ai u kthye në Janinë si triumfator duke lënë pas një tmerr dhe përgjakje në popullsinë çame. Ndër kohë, vatrat ku kishte shpërthyer kryengritja: Margëlliçi, Paramithi e Pargë, u përforcuan me trupa të shumta ushtarake, ndërsa administrata e lartë osmane në Janinë dërgonte herë pas here inspektime për të vëzhguar nga afër situatën në rajonin e Çamërisë, që për disa vjet u mbajt nën një kontroll të fortë. Administrata osmane me seli në Janinë, kur u bind se qëndresa vendase ishte ulur ndjeshëm, largoi një pjesë të forcave nga Çamëria dhe emëroi në vitin 1624 si kryeadministrator të Çamërisë me qendër në Paramithi, Mehmet Pashën, një tjetër timariot të islamizuar nga rrethinat e Paramithisë.(Burimi: “Epirotika Hronika”, 1940, f.38; V. Krapsites, I istorija tis Paramithias…, f.134.

Është me interes të vihet në dukje se pushturdi osman në vendet e pushtuara, nuk përdori dhunë të organizuar e të drejtpërdrejtë shtetërore për të imponuar kthimin nga feja e krishterë në atë islame. Porta e Lartë, në strategjinë e vet, synonte të arrinte përhapjen e islamit, fesë zyrtare të shtetit osman, nëpërmjet presioneve dhe taksave. Megjithatë, raste të mirëfillta të dhunës së ushtruar nga administratorët vendas të islamizuar, nuk munguan. Kështu, për shembull, Mehmet Pasha, për t’u treguar eprorëve të tij në Janinë se ishte i suksesshëm në funksionet që kishte dhe besnik ndaj Sulltanit, nuk kursente asnjë mjet për t’i detyruar vendasit që t’i nënshtroheshin pushtetit osman. Madje për të kaluar nga feja e krishterë në atë islame, ai jo rrallë përdorte edhe dhunën.

Burimet e kohës tregojnë se, kur ai bëri një inspektim nëpër fshatrat e krishtera nga Paramithia në Pargë, kudo ku kalonte, me forca të shumta që e shoqëronin, bënte presione të shumta dhe ushtronte dhunë mbi të krishterët për f i detyruar të bëheshin muhamedanë.Nga statistikat e vitit 1875 del se shumica e fshatrave në Çamëri si Grava, Galbaqi, Karbunari, Rrëzanji, Kurtesi, Dramësi, Spatari, Koska, Lopsi e të tjera ishin islamizuar plotësisht. Ndërkohë, në Çamëri, i njëjti autor grek jep edhe raportin e besimeve (myslimanë e të krishterë) në qytetet kryesore. Kështu p.sh. qyteti i Filatit nga 600 familje që kishte, vetëm 100 familje ishin të krishtera, ndërsa në qytetin e Paramithisë nga 900 familje që kishte, vetëm 300 familje ishin të krishtera.


SHTIMI I TERRORIT 

Në Çamëri kishte dhe fshatra të përziera (laramane) si Grikohori, Njihori, Gurrëza, Picari, Minina etj. Ndërkohë kishte fshatra me popullsi të pastër të krishtera si Malluni, Rehania, Spasharati, Morfati, Shenica, 24 fshatrat e Fraritetj.(Burimi: B.SD Zatou Mollosos. Epirotikai Meletoi, Tom I, Athinë, 1875J.31, 37, 42, 57, 59). Është me interes të vihet në dukje se nga 189 fshatra që kishte Çamëria, në 124 prej tyre pa marrë parasysh besimin fetar flitej në familje vetëm gjuha shqipe, ndërsa vetëm në 55 fshatra flitej greqishtja. Dukuria e presioneve të individëve vendas të veshur me pushtet dhe të pasuesve të tyre të islamizuar fanatikë, u duk në çdo familje të krishterë. Në këto rrethana, elementi i krishterë, shkruan Pukëvili, për të mbijetuar e për të shpëtuar nga zgjedha e pronarëve muhamedanë dhe të fqinjëve të tyre, ndërruan fenë.(Burimi: Pouqueville. Voyage de la Grece. Vëll I, faqe 259). Ndërkohë, ata të krishterë, që tregoheshin të panënshtruar, ishin vënë nën presione të dhunshme. Kështu p.sh., në fshatin Smokovinë, një i krishterë, edhe pse u keqtrajtua publikisht në mes të fshatit, nuk pranoi të bëhej mysliman. Për këtë kokëfortësi që tregoi “kauri i pabindur” me urdhër të autoriteteve osmane u var te rrapi shekullor në qendër të pazarit të Paramithisë.(Burimi: “Epirotika Hronika, 1922, faqe 42”). Në vitet 30 të shek. XVI, spahinjtë shqiptarë, shkruan Aravantinoi, kishin mbushur radhët e taborëve osmanë. Ai përmend se në betejën kundër persëve, në radhët e ushtrisë osmane ishin mijëra spahinj myslimanë e të krishterë.


DEKRETI I SULLTANIT KUNDËR ÇAMËVE 

Sulltan Murati IV, për të shtyrë edhe më tej strategjinë e fushatës së islamizimit, nxori një dekret sipas të cilit spahinjtë shqiptarë, pavarësisht nga lidhjet që kishin treguar me pushtetin osman, për t’i mbajtur e trashëguar pronat e tyre, duhet të ktheheshin në islam. (Burimi: K. Lazaridis, Oi Furkai Spaides, “Estia”, 1952; V. Krapsites, I Istorija tis Paramithias…, f.27; J. Sarras, vep. epërm., f.31-32).

Ky dekret sulltanor jo vetëm që nuk gjeti kundërshtim te spahijtë vendas, por ata u treguan sa të bindur, aq dhe të vendosur në mbështetje të administratës osmane në realizimin e planeve të saj dhe në islamizmin e tyre pa ngurrim. Ndërkohë, spahinjtë jo vetëm që arritën të legalizojnë pronat që kishin fituar nga shërbimet që kishin kryer, por një pjesë e tyre, duke fituar pushtet, i zgjeruan pronat dhe morën shumë pushtet. Kështu p.sh., Shahin Beu nga Paramithia, në vitin 1642, arriti të bëhej një pushtetar i lartë në Paramithi dhe kishte nën administrimin e tij një territor që shtrihej nga Paramithia deri në Lefkade. Më pas, pushteti i tij, duke fituar besimin e Portës, u rrit edhe më shumë. Në vitin 1644 ishte një ndër titullarët e lartë të administratës osmane në brigjet e detit Jon dhe kontrollonte çdo lëvizje të anijeve veneciane në Korfuz, të cilat sapo ankoroheshin në brigjet e Frarit, menjëherë tatoheshin me një taksë arbitrare59.

Për Mehmet beun, të birin e Hysen Shahin beut, kryeadministrator i Paramithisë, thuhet se së bashku me të atin e tij, kishte marrë pjesë në luftën 20-vjeçare kundër Kretës që njihet në histori me emrin “Lufta veneto-turke”. (Burimi: K.D. Merziou në “Epirotika Hronika”, 1940, f.38; V. Krapsites, 1 Istorija tis Paramithias…, f. 131-133; Sp. Mouselimi, vep. epërm.,f 131-132). Ndër ushtarakët e lartë të islamizuar të Çamërisë përmendet edhe Bejko beu nga Paramithia. Ai rridhte nga një timariot i islamizuar nga rrethinat e Paramithisë qysh në shek. XVI. Emrin e Bejko beut e hasim për herë të parë në postin e ushtarakut të lartë në ndërmarrjen e forcave osmane për të pushtuar Pargën, që ishte nën zotërimin e venecianëve. Bejko beu, në krye të forcave turke, në vitin 1657, e rrethoi Pargën, por për shkak të një moti të keq që filloi në vjeshtën e tretë të atij viti, u detyrua të largohet për të filluar sulmin kundër venecianeve disa muaj më vonë, më 18 shkurt të vitit 1658, pasi mori edhe përforcime të shumta edhe nga garnizonet turke në Vlorë. Bejko beu organizoi e drejtoi operacione të suksesshme kundër venecianëve në Pargë, por u kap rob nga kundërshtarët e tij dhe që nga ky moment, mori fund karriera e tij ushtarake, edhe pse u lirua më pas nga venecianët. Mund të përmenden edhe individë të tj erë të cilët, duke përqafuar fenë islame, arritën të zënë në Çamëri pozita të rëndësishme administrative si dhe të shtojnë me shpejtësi pasuritë dhe pronat e tyre. Ndër individë të tillë mund të veçohet edhe Hysen Xhelepi, një i afërm i Osman Pashës. Ai, në burimet historike përmendet që në vitin 1612. Ishte ndër spahinjtë e parë të Paramithisë i islamizuar që në fund të shek.XV, Hysen Xhelepi, duke përfituar nga mbështetja që kishte nga dy funksionarë të lartë të farefisit të tij, vëllezërit Osman Pasha dhe Ali Pasha, sanxhakbej në Delvinë, Vlorë, Paramithi e Janinë, arriti të verë nën zotërimin e tij shumë prona jo vetëm të fshatarëve të krishterë, por edhe të manastireve. Ky spahi taksambledhës arriti që çifiigjet e tij t’i shtrijë deri në fshatin Koron të Frarit. Thuhet se Hysen Xhelepi, sapo mori nën zotërimin e tij çifligun në fshatin Koron, mobilizoi 200 të krishterë, mjeshtra e fuqi punëtore dhe ndërtoi një mur të gjatë rrethues me gurë për të kufizuar çifligun e tij nga fqinjët e tjerë çifligarë. Ndërtuesit punuan të detyruar si skllevër për afro pesë vjet për nxjerrjen e gurit, transportit si dhe ndërtimit të murit rrethues. Këta çifligarë të rinj si Hysen Xhelepi, Mujo Xhelepi dhe Bejko Pashai, të tre nga Paramithia, i përmend edhe Evlia Çelebiu, që me sa duket i ka njohur, kur ka vizituar Paramithinë në vitin 1670.


Huazuar nga Gazeta Dita 

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen