Donnerstag, 16. Februar 2017

Çamëria nuk lypë shpagë, por liri dhe paqe...

Fran UKCAMA

Poemë për Çamërinë, miqtë e mi çam dhe për vete

Unë nuk mund ta ndal kronin e lotit,
Synit tim të shkrumue,
kënka tha,
asht kthye në gur, në zall.
Unë s` mund të rri pa ngritë një gjamë,
Pellazgjike, me grushta mbi krahnuer, bam, bam,
Drasën e gjoksit me shkallmue,
faqet me thonj shqiponje me i varrë

Se shpirti më vuan,
Se shpirti më dhëmb,
për pleq të therun si berre, si dele, si desh galan,
per plaka sakatueme,
në prag të shtepive
brënda avllive,
te kroni, te pusi, te furri,
për nënat e djegura në magje,
për kodrat e fëmijve te shkyem në bark,
për bukën lane sofër, për pëllumbin, qingjin e vogël.
Për këngën kthye në mort,
Lojrat e fëmijve si peshq të thamë në tym.
Për apokaliptin e diellin e nximë,
Mënxyrë,
zorrtë e nxjerruna sokakeve,
për qytete e katunde, tym e flakë,
për varganin si milingonja deshë e dathë,
shpresë vrarë, bark bosh,
prej Arte në Prevesë. Paramithi, Qafë Botë...
për Çamrinë Martire, si gjergj Elez Alinë me nëntë varrë..
kjaj, kjaj, kjaj e qaj,
qaj pa lot, se lot s` ka ma,
jo vetëm mue
por edhe qiellit iu kanë tha...

Çamria nuk ka dekë,
Çamria është gjallë,
unë i ndjej dhimbjet e saj,
si një Doruntinë rend mbi kalë,
unë jam vllam, ne jemi vllamë,
unë ndjej renkimet e t` meturve pa kallë,
pa shipi, pa oxhak, pa varr..
Tokës i shikoj plasaritjet, skaj e më skaj,
Ky termet i thellë, ky vullkan..
Shatëdhjetë vite plague,
Shtatëdhjetë vite plumbi pa dalë,
Shtatëdhjetë vite legjendë e gjallë,
në shpirtin shkrumb,
në shpirtin valë,
Çamria rënkon, Çami kërkon, kënga jehon,
Osman Taka kputet tokës, fluturon,
Asht kthyer në mit,
asht kthye një shqiponjë..

Ani, pse miq në Greqi kam,
me zemer i nderoj
E di shumë më kuptojnë,
Se nuk mund të rri pa vikatë,
Se edhe deti kërrleshet,
Se edhe Joni ngre dallgë,
Grekërit e sotem, moderrnit s` kanë faj,
Por t` parët me kanun i lanë në gjak,
Çamëria nuk lyp shpagë,
A keni pa, degën e ullinit kanë në ball,
Çamëria lyp votër,
Lyp oxhak, lyp zjarr,
Lypë oborr, lyp det, qiell dhe varr,
të pa varrosunit ku menë, ku vanë..
Çamëria lyp gurin amë,
Unë nuk e mbaj lotin,
Çerpikut tani, krypë e bardhë,
Jo se jam dobsuar e shpirt lodhur,
Por fëmijtë si turr drushë sobe stivosur,
oh gjamë e pa parë,
Oh makabër,
Ma ngrenë cunamin tetë ballë..

Çamëria lyp votër, drejtesi. Liri dhe paqë,
O zot, a n` gjumë ishe ato ditë,
O zot, n` andrra ishe at natë ,
Jepu drejtësi pelegrinve të lirisë,
Jepu dritë, jepu frymë, të kthehen në tokën e begatë,
në Dheun, ku lanë Mëmë e At`..
Çamria nuk kërkon shpagë,
Çamria lyp drejtësi, liri dhe paqë,
Ajo shtat e plague
Sfiniksja ullinin ka mbi ballë..
Dodona e perkryme mbi qiejt therret pa pra,
Hëna asht e plotë,
Ardhmënia, ka nisë
Ardhmënia në udhë asht..
Po vjen..ka dale në Qafë Botë,
Ogur i bardhë,
erna te reja po fryjnë,
pranverë shpejt ka me ardhë,
ka dalë edhe një yll i ri mbi mal..
Çameri ti gjak, ti plagë, ti deje, ti asht Kombëtar...

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen