Namik Selmani |
Nga Fazli HAJRIZI
1. Autori
Namik Ibrahim Selmani lindi më 18 nëntor 1950, në fshatin Ninat të Konispolit, rrethi i Sarandës. Me origjinë është nga Çamëria. Të parët e tij janë dëbuar me dhunë nga vatrat e tyre stërgjyshore (Çamëria). Namiku (Namik, arab. - shkrimtar, ai që shkruan bukur), njëri ndër krijuesit tanë më prodhimtarë, është afirmuar tek pas fitores së demokracisë në Shqipëri. Hyri vrullshëm në poezinë tonë bashkëkohore si vokacion i veçantë. Ka mbaruar shkollën e mesme pedagogjike “Luigj Gurakuqi”më 1968 në qytetin e Elbasanit dhe më tej ka kryer studimet e larta në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë - Dega Gjuhë dhe Letërsi shqipe në Universitetin Tiranës. Ka punuar mbi dyzet e pesë vjet si mësimdhënës i gjuhës e letërsisë shqipe në disa shkolla të mesme të rrethit të Beratit, më gjatë në Shkollën e Mesme Pedagogjike“Kristo Isak” të qytetit.
Namik Selmani, i cili shquhet për ndjenjat e fuqishme dhe shpirtin shpërthyes, ka një krijimtari letrare shumë të pasur dhe të larmishme. Deri më tash ka shkruar dhe botuar dhjetëra vëllime me poezi, pastaj libra publicistikë, monografi, libra për kulturën e të folurit e të shkruarit në shkolla të mesme, vepra të karakterit fetar, etj. Me botimet e veta është përfaqësuar denjësisht edhe në disa vende të botës, si: në ShBA, në Zvicër, në Kosovë, në Maqedoni etj. Tematika, gjuha artistike, mesazhet që përcjellin veprat e tij, kanë bërë që ky autor të jetë shumë i pëlqyer dhe i lexuar në mbarë trojet shqiptare, pra jo vetëm në Shqipëri, por edhe jashtë saj. Poezitë e tij janë përfshirë në antologji të botuara në Kosovë, në Maqedoni e në Mal të Zi dhe kjo dëshmon se ai sot është njëri ndër shkrimtarët më të lexuar.
Namik Selmani ka botuar në organe të shumta të shtypit shqiptar e të huaj qindra shkrime të karakterit studimor, kryesisht të fushës së kulturës kombëtare, si dhe opinione për çështje të ndryshme. Në krijimtarinë e tij zë vend edhe publicistika. Disa vite me radhë ka qenë kryeredaktor i gazetës “E vërteta” në qytetin e Beratit. Bashkëpunon me disa gazeta kombëtare. Është treguar mjaft i suksesshëm edhe në lëmin e fotografisë artistike. Deri më tash ka hapur disa ekspozita vetjake në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoni, në Itali etj. Ka redaktuar dhjetëra libra të autorëve të ndryshëm. Është fitues i disa çmimeve kombëtare në letërsi e në publicistikë. Ka marrë pjesë në disa tubime krijuesish në shkallë kombëtare.
Namik Selmani është anëtar i kryesisë së Shoqatës Kulturore “Bilal Xhaferri”, i Institutit për Integrim të Kulturës Shqiptare, zëvendëskryeredaktor i revistës “Krahu i shqiponjës” etj. Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë dhe anëtar i Klubit të Shkrimtarëve “Konstantin Kristoforidhi” me qendër në qytetin e Elbasanit. Deri më tash ka botuar dhjetëra vepra, si: “Vatra e mallit” (poezi, 2000), “Zërat e brigjeve të mia” (poezi, 2003), “Dallëndyshet e Çamërisë”(proza, 2004), “Kroi i këngës çame” (poezi, 2005), “Trokitje në Dodonë” (proza, 2006), “Filizat e fjalës gjimnaziste” (botim pedagogjik, 2006), “Abaz Dojaka - Mjeshtër i Kulturës popullore” (monografi, 2006), “Fari çam” (poezi, 2006), “Kërkoj monumentet” (proza, 2007), “Shpirti çam” (antologji personale me poezi, 2007), “Dritaret e besimit” (poezi fetare për rininë islame, 2007), “Rruga e një shkolle” (monografi për shkollën mesme profesionale “Stiliano Bandilli”, Berat, 2007), “Arkivi i fjalës” (botim pedagogjik për kulturën e të shkruarit në shkollat e mesme, 2008), “Djepi i këngës” (poezi, 2009), “Portat e bashkimit” (proza)“Ujëvara e tingujve“ (botim folklorik 2009), “Rilindje” (proza, 2010) “Jam shqiptar” (proza, 2010), “Gjurmë më gjurmë” (proza, 2010) “Pesha e qiellit të vendlindjes” (poezi, 2010) “Rrënjët” (proza, 2011) “Dyert e hapur të vetvetes” (proza, 2011), “Gjuhëshqipja të zonjërojë” (botim kulturor për gjuhën amtare, 2012),“Një jetë me ëndrrën dhe lirinë” (botim monografik, 2013), “Bëj të zë, po të merr era” (poezi, 2013), “Një jetë mes zileve dhe shkronjës shqipe”, “Zjarri i kujtimit”(poezi lirike), “Kur fjala e mençur bashkon kombin”, “Baçua ynë”, “Borxhi i Ali Podrimjes” (poezi të zgjedhura), “Shqiptarisht”, (proza, 2015) “Parisi, si Parisi”(poezi dhe publicistikë), “Nostalgji dhe ardhmëri” (poezi dhe publicistikë, 2015), “Mjaltë shqiptarie në veprën e Baki Ymerit”, (studim kritik, Bukuresht, “Dielli i Gostivarit” (publicistikë), “Të jesh mësues” (në vend të një reflektimi për mësuesinë, 2015), “Gurra e Budit” (poezi), “Nën dritat e Bostonit” (mbresa udhëtimi, 2016), “Biri i Çamërisë Adem Zer Teme” ( 2017) etj.
2. Poezia dhe Çamëria
Namik Selmani lindi dhe u rrit në një familje me tradita atdhetare. Që nga fëmijëria ai u ushqye me dashurinë për krahinën e Çamërisë, e cila në vitin 1913, padrejtësisht iu shkoq organizmit kombëtar. Që nga kjo kohë popullsia e Çamërisë ka vuajtur shumë, ka përjetuar dhunë e terror të paparë nga ana e shtetit të Greqisë. Kjo gjendje tragjike kulmoi me masakrën dhe gjenocidin që u bë mbi këtë popullsi shqiptare pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore (qershori 1944 - shkurt 1945).
Namik Selmani është dëshmuar jo vetëm si mësimdhënës i pasionuar e profesionist, si patriot i flaktë, por edhe si shkrimtar i talentuar. Ai ka një krijimtari mjaft të begatshme, të cilën ia ka kushtuar çështjes kombëtare në përgjithësi, prandaj me të drejtë mund ta quajmë poet i etnisë. Për temat që trajton, ai është një zë i veçantë, është poeti i përkushtuar i vlerave, por edhe dhimbjeve dhe vuajtjeve të etnisë.
Vepra (poezia) e tij ka lidhje me traditën e madhe të letërsisë shqipe pararendëse, me letërsinë botërore dhe me folklorin tonë mjaft të pasur, sidomos me atë të krahinës së Çamërisë. Autori manifeston një besnikëri ndaj standardeve tradicionale, mirëpo ka arritur me sukses të përdorur teknikat e ligjërimit artistik bashkëkohor, ka arritur të asimilojë, të zgjojë e riciklojë mesazhe të fuqishme universale për brezat që do të vinë. Ndër temat më të preferuara të tij është jo vetëm Çamëria martire, me të cilën ai ka lidhje të forta gjenetike, por edhe viset tjera, si: Kosova e përvuajtur, Presheva, Medvegja, Bujanovci, Shkupi, Gostivari, Tetova, Ulqini, Tivari, Plava, Gucia etj. Pra, gjeografia e poezisë së tij përfshin gjithë hapësirën e trojeve ku jetojnë shqiptaret. Poeti pasqyron me art bukurinë e peizazhit të atyre vendeve, ëndrrat, aspiratat, luftën për liri, gjakun e derdhur, evokon ngjarje të shënuara të historisë së tyre, që janë pjesë e kujtesës historike dhe burim krenarie. Një vend të veçantë në poezinë e N. Selmanit zënë poezitë me temë historike. Në to ndihet toni i frymëzimit, zëri dhe uni i tij i veçantë, raporti intim dhe kolektiv, altruizmi, gatishmëria për të dhënë gjithçka të mirë të tjerëve pa menduar në shpërblime prej tyre. Ato lindin nga një frymëzim i caktuar, nga një kompleks ndjenjash reale, të mbështetura në tharmin e poezisë së gjallë të çamëve të tij, depërtojnë lehtë në psikikën e shqiptarit në raporte kombëtare e universale. Në poezitë e tij shprehet morali estetik, shpaloset nënteksti i mesazheve universale humane.
Për Çamërinë dhe popullatën çame, përveç Namik Selmanit, kanë shkruar shumë krijues tanë, si: Bilal Xhaferri, Arben Kondi, Namik Mane, Agim Bajrami, Enver Kushi, Shefki Hysa, Dritëro Agolli, Pano Taçi, Fatos Arapi, Ismail Kadare, Bedri Myftari, Azem Shkreli, Xhevahir Spahiu, Ali Podrimja, Adem Istrefi, Moikom Zeqo, Anton Papleka, Sabri Hamiti, Musa Ramadani, Musa Vyshka, Sali Bashota, Basri Çapriçi, Visar Zhiti, Qazim Shema etj[1]. Natyrisht, më të preokupuar në këtë drejtim janë poetët me origjinë nga Çamëria, të cilët në djepin e blertë përkundin ëndrrën e krushqve të parë të kthimit, janë të parët që iu “hipin kuajve të bardhë të kujtimit” dhe organizojnë festë poetike në Dodonë, në vendin ku filozofët ilirë janë ushqyer me damarët e burimeve thesprote. Dodona i vë ata në garë për të “shkruar elegji për Vdekjen e himne për Lindjen”. Është festa e kthimit që kujton kthimin e Odisesë për në Itakë[2].
Pas ngadhënjimit të demokracisë në Shqipëri në fillim të viteve ‘90, interesimi i poetit Namik Selmani për Çamërinë dhe njerëzit e saj që dikur jetonin atje, është rritur shumë. Poeti në këtë kohë e ka shkelur dhe shëtitur për herë të parë tokën e të parëve të tij, prandaj është emocionuar shumë, i është dridhur zemra e shpirti, është pikëlluar dhe lumturuar njëkohësisht. Poeti ka rrugëtuar drejt saj nga agimi në muzg e nga muzgu në agim. Rruga për në Çamëri është e gjatë: “Sa një poezi në buzët shkrumb të djalit poet/ sa një stinë në kapërcyell të Ndërrimit,/ sa një dallgë që lind e shuhet në det,/ sa një këngë në pragun e Zgjimit/ sa një agim në pragun e zbardhimit,/ sa një baladë në prag të jetësimit.../ sa një krismë dielli/ sa një hap kënge/ sa një fjalë fëmije/ sa një heshtje pendartë”. Megjithatë, edhe pse është rrugë e gjatë, me plot pengesa e ndërskamca, ajo është e bukur dhe e ëmbël. Shpirti i poetit është zog që nuk njeh doganë, është varkë, ndërsa Çamëria skela. (“Zëri i vendlindjes”, f. 41). Poeti e do Çamërinë deri në dhembje: “Ah, ç’më dridhet fjala, buza,/ dhimbja ime formon gurra”, shprehet ai.
Çamëria është kryefjalë e gjithë poezisë së Namik Selmanit, është fjalë mbi fjalë, këngë mbi këngë, fjongo e blertë në kujtesë brezash si antiharresa sublime, hijeshi e hijeshuar, vezullim i vezulluar, festë e bardhë e zbardhuar, dhimbje e madhe e lënduar, këngë me iso pambaruar, udhë e zonjëruar, hark i mallit ligjëruar, fatbardhë e uruar, një rrëfenjë e patreguar, kaltërsi e kaltëruar... Është Zanë që e puth Joni... Poezitë me motive çame kanë si sfond e gjendje të tyre dhembjen, vuajtjen, tragjedinë e Çamërisë. Emri i kësaj krahine, që u bë “det me dallgë e brenga, mal me halle e derte, pus e shpellë pa fund e krye, fjalë që gatoi shpirti, shteg e rrugë kujtimi, lule, syth e gjeth, lis djepi, arë e mbjellë, kurorëblertë mbi lavdinë”, vjen nga lumi Thiamis. Ajo për poetin është dritë e zjarr, lule behari, lis i patharë, ëndërr e patretur, sypërlotur nga malli (“Merrmë, o këngë”); është kështjellë “ku shkërmoqen gurët nga Prushi i Kujtesës”; dallëndyshe; “heshtje, kur fjala s’vlen më/ para foshnjës së shqyer në barkun e nënës/ para Murtajës me pamjen makabre të Antijetës”; përrallë “ku Kuçedrat hanë ullinj të lashtë,/ pinë dete me dallgë të larta” (Hesht, se fjala s’vlen më”, f. 58). “Kur Tokës i mungonin shkronjat e gjakosura, muzetë, reliktet e rralla”, në epose fustanellash Çamëria ishte përjetësisht Krushka e Parë, ishte fletë pavdekësie, që hapej “e ndrojtur si Hirushe përralle”. Tash është plagë e hapur dhe e përhershme, që ther sepse kullon gjak e mall, dhembje e shpresë, nostalgji e krenari. Njerëzit, të cilët janë çatdhesuar, pra janë përzënë forcërisht nga vatrat stërgjyshore, e kanë ruajtur në mendje e në zemër vendlindjen e tyre, duke ushqyer gjithmonë shpresën se e drejta do të ngadhënjejë dhe se një ditë do t’i gëzojnë pronat e vatrat e të parëve, ku do të kthehen dhe do të vazhdojnë jetën deri në amshim. Duke përvetësuar motive popullore dhe duke përdorur stilin shprehës të Ali Asllanit, poeti tregon pse e do kaq shumë Çamërinë. Ai, si çdo çam tjetër, e do për vallet e bukura e këngët që s’kanë mbarim; për ullinjtë degëblertë e lulet erëkëndshme, për trima e saj kapedanë të zot e për tokën e bekuar, për pragjet e ëmbla, për... Për atë që nuk e do Çamërinë dhe nuk çmon vlerat e saj, thotë poeti, do të bie mallkimi djalë pas djali e nip pas nipi. Malli i poetit për Jonin është i madh. Ai ka shumë dhembje, në këngët e tij gjëmon një det rënkimesh, por nuk e shembin sepse mbështetet në supet e ëndrrave që janë sa një mal i patundur. Dashuria për dheun e të parëve të tij e tërheq shumë dhe nuk e lë të qetë, sidomos kur kujton kohën zezonë: “Stan i zbrazur dyershqyer/ blegërimën ma përcjell/ gur i pragut me gjak ngjyer/ si një foshnjë më përkëdhel”; dhe “Jon i blertë mbet lehonë/ kur e lamë kish flakë e krisma/ gjoksi ynë u bë Dedonë/ ku kërcejnë pëllumba, nimfa” (Malli për Jonin”, f. 126). Edhe lotët e vajzës ia bëjnë zemrën gërmadhë. Poeti kujton burrat e shquar nga Çamëria, si Daut Hoxhën kapedan, të cilit i drejtohet që edhe nga varri t’ua zgjasë dorën pasardhësve kudo që janë shpërndarë nëpër botë se “kjo tokë na do të gjithëve me sy si stralli”; “do të fshehim shkronjat e fundit të shqipes thengjillzjarr/ e gjurmë më gjurmë, brazdë më brazdë,/ t’u sjellim të gjithëve aromë nga Çamëria”. Edhe mjeshtrit të kulturës popullore, Abaz Dojaka, autori, përveç librit monografik, i ka kushtuar një poezi plot frymëzim. Ai ishte i lidhur me shpirt e zemër për Çamërinë. Nëpër udhëpërgjakurat e Çamërisë, si vogëlush i përjetshëm, shkonte e vinte i malluar; në këngëtoren shqiptare vetëm dora e tij e gjen, madje edhe në natën e sterruar, filizin e blertë; sofrën e mbushur të Odës bukuria e tij zbukurohet në lumturi e trishtim. Pas vdekjes së tij, nuk mund ta gjesh dot fjalën e urtë në Lëndinën e jetës. Megjithatë, ai “shtrëngon në duart e valles Osman Takën” e “Dielli i Mirënjohjes/ mbi supet e zjarrtë hedh në hone natën”.
Këtu në Çamëri, thotë poeti: “Liria ka çmimin e jetës së gjallë varrosur/ çmimin e një këpuce në një këmbë të therur/ çmimin e një kokrre gruri nga flakët shkrumbuar/ pamjen e një nëne shtatzënë/ ku foshnja e palindur goditet nga plumbi e thika egër”. (“Bijtë e Paramithisë”, f. 74). Pragjet janë mbushur tërë gjak, thirrjet e klithmat shurdhojnë edhe qiellin dhe asnjë kartë nuk mund ta shkruajë gjëmën e zezë (“Ikje”, f. 116). Shkaktarë të kësaj tragjedie janë bandat e egra kriminale greke, kalorës të apokalipsit të udhëhequr nga gjakësori Napolon Zerva, që u vërsulën mbi popullatën duarthatë e të pambrojtur shqiptare në Çamëri, duke i masakruar pa mëshirë, madje edhe gratë, fëmijët e pleqtë:
“Nëpër hell shkonte fëmija,
Nëpër pragje shkrihej guri,
Lulet erë barot nxirrnin,
Digjej djepi, digjej gruri”.
Dante Aligieri le të heshtë, thotë poeti, “para ferrit të Çamërisë sime/ kur pushkët/ në gjokse nënash e ndër ullishte mbillnin vdekje”.“Kush ka më shumë ftohtë, pyet poeti, të gjallët e Çamërisë, apo të ikurit nga Bota?” Ata që i shpëtuan plumbit e thikës, u detyruan të lënë plëng e shtëpi për të gjetur strehim në Shqipëri e gjetiu:“As thika nuk ka më vend për goditje/ një lumë njerëzish nëpër udhë malesh bredh”. Çamëria për njerëzit e saj që u detyruan t’ia kthejnë shpinën, ishte djepi dhe varri, lumturia dhe fatkeqësia, kujtesa dhe harrimi:
“Mbeti brumi i ngrohtë në magje,
Mbetën lulet pa vaditur,
Kush do marrë një valle dasme
Sup më sup si gurët lidhur?”
(“O qershor, mos ardhsh kurrë!”, f. 48)
Shteti grek bëri gjenocid të paparë në Çamëri, derdhi lumenj gjaku e lotësh, shkaktoi eksodin biblik nga kjo krahinë, pra bëri spastrimin etnik të saj me qëllim që të përvetësojë tokat dhe të zhdukë etnosin shqiptar nga ajo hapësirë. Të dëbuarit a të çatdhesuarit çamë të kujtojnë atmosferën e shpërnguljeve biblike, shkretimin e tokave ilire në antikë. Çamët, për të shpëtuar shpirtin, kanë pasur mundësi të marrin me vete vetëm fitoren morale dhe të drejtën për të shpresuar se një ditë do të kthehen në vatrat e tyre. Kjo tregon se çamët, edhe pse janë persekutuar dhe përzënë nga trojet e tyre stërgjyshore, shpirti i tyre liridashës nuk është shuar krejtësisht asnjëherë. Çamët janë shkoqur fizikisht nga dheu i të parëve, por me mendje, zemër dhe me shpirt kanë qenë gjithmonë atje, sepse një pjesë e qenies së tyre e kanë lënë përgjithmonë në vendlindje që i thërret vazhdimisht për t’u kthyer sërish. Kujtesa është ajo që njerëzve, bashkë me dhimbjen e pafashitur për vendlindjen, ua mbajti të gjallë edhe shpresën. Janë varret e të parëve e pragjet e shtëpive, janë legjendat e përrallat, janë këngët, zakonet dhe imazhet e papërsëritshme, gati parajsore të tokës çame: kaltërsia dhe ndriçimi i qiellit nga dielli i jugut, dallgët e Jonit që puthin brigjet e saj, blerimi i ullinjve dhe portokajve, është Zana e Jonit që, “si vajza e valëve pret buzë detit që të riçelin portokallet/ të kokërrmbushen ullinjtë e lashtë, të rizgjohet shpirti i paepur i qëndresës”. Dhe një ditë Zana (Zëra – figurë mitologjike), që simbolizon mbrojtësen e shpirtit të këtyre njerëzve, do t’i njoftojë se ka ardhur koha e kthimit. “Janë thinjur gurët e varreve dhe deti duke pritur, është ngrirë gjaku sa s’mund ta ngrohin as njëqind zjarre të ndezur” (“Ulu mal të shoh Kastrinë”, f. 24). Poeti është i gatshëm që të shndërrohet në fyell Tane që të zgjojë Çamërinë; “të rinis dallëndyshet të ngrenë fole në gërmadhë!” (Ëndërr”, f. 50). Sipas poetit, shekulli XXI është i shqiptarëve sepse shpirti i tyre i paepur po rizgjohet. Ata janë si vetë dielli që re arkivash, traktatesh, paçavuresh historie s’ua mbushin syrin e bukur. Ka ardhur koha t’i thajmë lotët e mallit, të mbyllim porta e Harresës; në “një garë mençurie t’ia hapim Dritëkalimin kujtesës së historisë”:
“Çamëri, moj, fshiji lotët!
Nëpër sythe s’vdes kujtesa,
Nuk varrosen ëndrrat tona,
Flakërijnë nëpër breza”.
(“O qershor, mos ardhsh kurrë!”, f. 49)
Zëri i Çamërisë është sokëllimë, tramundanë e drithërimë, puthje deti, ninananë, dashuri që nuk thinjet nga stuhia, sy i ngrohtë, urim nëne, fjalë e mençur, amanet që s’e djeg zjarri, dritë mëngjesi, det që skuqet nga flamuri, zjarr që djeg, vullkan, breg i artë, dritë magjie, kurorë që nuk than lulet, hark që diellit sulet... Poeti nuk e ndalon hapin në Muzeun e Klithmave të Përgjakura. Ai numëron hapat e të parëve të tij: “Në m’u ngatërrofshin numrat,/ detin e gjerë do ta thërras./ rruga në m’u ngatërroftë,/ Hënës ilire ndihmë do t’i kërkoj”.
Poeti ka regjistruar situata dramatike nga jeta e çamëve jo vetëm në Çamëri prej nga u dëbuan me dhunë, por edhe në vende të ndryshme të Shqipërisë, ku u sistemuan nëpër vendbanime të ndryshme. Në Sarandë është formuar një Çamëri e vogël nga “shqiponja ardhur nga shtatë qiej Çamërie” (“Çamëria ime e vogël”, f. 76). Njerëzit e Çamërisë, “buzëtharët e Udhës së Gjakut” tërë jetën kanë shpresuar se një ditë do të kthehen në vendlindjet e tyre (Filat, Versele, Paramithi, Pargë), që i lanë mes plumbash, prandaj kanë shumë etje, shumë mall, shumë kujtime të hidhura. Çami është dhembja vetë, “është karvanar që kërkon rrugë/ si qiri që s’dizet kurrë”. Ai ka mbetur me djepe e farë në krah, duke u përpjekur të zgjojë ninullat thellë gërmadhës për të mos lënë që të ftohet palcë e vlagës, i shndërruar “në sy e vesh, nga një male nga një breg, duke pritur Ditën, buzë agimit që të puthë Dritën” (“Dhimbje çame”, f. 118). Poeti i ngre lart, i himnizon nënat shamibardha çame -“arkitekte të Gëzimit të Munguar të botës memece”. Ato, të kërrusura si pjergullat e rrushit kokërrngarkuar, me flokët praruar të lidhur me shami të bardha qëndisur me lule Çamërie, ua lënë mbesave amanet gjilpërën, qëndismën e furkën, sofrën, këngën, ninullën e djepit, urimin... Ato ua mësuan nipave e mbesave fjalët e para çamçe të stërgjyshërve. Në detin e dashurisë së tyre spiranca kurrë nuk ndërroi liman, prandaj “mirënjohja për to asnjëherë nuk e gjen të zbrazur çerdhen”(“Shamibardhat nënat tona”, f. 144).
Çamët janë shpërndarë kudo nëpër botë. Ata, në shenjë kujtimi për Çamërinë, me emrin e saj kanë pagëzuar pasardhësit, rrugët, sheshet... Plaga e Çamërisë është plagë e organizmit kombëtar që e ndiejnë të gjithë shqiptarët e vërtetë, kudo që janë, në veri e në jug, në lindje e në perëndim. Poeti Jakup Ceraja e ka pagëzuar njërën nga vajzat e tij me emrin Çamëri. Poeti Namik Selmani shkruan njërën ndër poezitë më të bukura të tij kushtuar Çamërisë së Mitrovicës. Shumë çamë që sot jetojnë në Shqipëri e në vende të ndryshme perëndimore, kujtojnë amanetin e parardhësve të tyre që të shkojnë në Çamëri, të marrin një pagure me ujë Kroi të Koskës, të vizitojnë varret e panumërta të gjyshërve e gjysheve, eshtrat e të cilëve janë shtrirë në palcë të asaj toke që do të quhet përjetësisht Çamëri... Çamët, kudo që janë, vazhdojnë të angazhohen dhe të kontribuojnë për çështjen kombëtare. Një ndër ta është edhe kryetari i Shoqatës “Çamëria” në Firencë, Agim Xhemali, i cili punon në drejtim të sensibilizimit të çështjes së Çamërisë. Angazhimi i Shoqatës “Çamëria” është një dëshmi se “fara e kujtesës kurrë nuk thahet dhe Ëndrra e Rikthimit asnjëherë nuk gjen prehje”. Besimi është i madh: “Ylberët e atdheut, fitimtarë le t’i presim!”
Çdo vizitë e poetit në Çamëri është një rilindje shpirtërore për të. Në Filatin e fundosur nga kaltërsia e diellit, thotë poeti, “përjetova prekjen e bukës së ëmbël të nënës” (“Më fal nëna ime e mirë”, f. 53). Nga Preveza shkruan letër (kupto vargje të frymëzuara) dhe tregon se është duke dasmuar nëpër rrugët e saj, është duke i puthur pëllumbat postierë “që shpërndajnë farë lirie nga shkëmbinjtë e diellzuar”; ulur këmbëkryq/ mbi jelë të panumërta dallgësh me mbresa, pret ortekun rrëzëllitës të Diellit/ që lind e ngryset në pëllëmbën e rreshkët/ si një pyll drurëshumë/ ku kurrë nuk thahet e vyshket fleta”. Kështu, që nga fillimi i viteve ‘90 Namik Selmani vazhdon të merret intensivisht me ngjarjet dhe problemet e Çamërisë. Historia e Çamërisë dhe e njerëzve të saj të persekutuar dhe të dëbuar nga vatrat e tyre stërgjyshore është bërë preokupim i përhershëm i tij. Tema çame është bërë, të thuash, obsesion, ankth, të cilin e ka mbajtur përherë në mendje, në shpirt dhe në zemër. Historia për këtë popull gjithherë ka qenë njerkë, prandaj poeti shpreh jo vetëm dhembjen, por edhe revoltën e zemërimin. Drama e shpërnguljes është një nga aktet më tragjike të çamëve. Drama shumakatëshe e Çamërisë dhe e popullit të saj, përveç anës tragjike, ka edhe atë heroike. Kështu, poeti është krenar për të kaluarën e popullit të tij të këtij mjedisi të tjetërsuar. E kaluara, përveç dhembjes, ngjall edhe ndjenjën e krenarisë. Ai është njëri ndër intelektualët e parë, i cili, përmes artit dhe fjalës së mençur e të bukur, ka sensibilizuar e milituar çështjen e Çamërisë. Që nga viti 2000 e këndej ai ka botuar dhjetëra vëllime me poezi, ku në qendër të preokupimeve të tij është Çamëria: “Vatra e mallit”, “Zërat e brigjeve të mia”, “Dallëndyshet e Çamërisë”, “Kroi i këngës çame”, “Fari çam”, “Shpirti çam”, Djepi i këngës”, Pesha e qiellit të vendlindjes” etj. Në mijëra vargje poeti ka derdhur fjalën e ëmbël shqipe. Në to rrahë pulsi i atdhetarit të kulluar e krijuesit të talentuar. Në to sjell dramën e çamëve, temperamentin dhe shpirtin e tyre të dëlirë. Ato i përshkon fryma e theksuar lirike, prandaj edhe dominon nota e dhembjes, e pikëllimit, ndjenja e zemërimit, melankolisë.
Krijimtaria letrare e Namik Selmanit shquhet për vlerat e larta ideo-artistike, për bukurinë e gjuhës e larminë e motiveve, për filozofinë e thellë dhe mesazhit polivalente që përcjell. Në poezitë e tij ballafaqohet e mira me të keqen, drejtësia me padrejtësinë, humanizmi me barbarinë, patriotizmi me shovinizmin, dashuria me urrejtjen. Poeti afirmon të mirën, të drejtën e gjithçka është e zdritshme e njerëzore, ndërsa stigmatizon të keqen, padrejtësinë dhe çdo gjë që është e ligë, e keqe, e ulët e çnjerëzore. Namik Selmani është poet i gjykimeve të thella. Mesazhet që përçojnë vargjet e poezive të tij, janë të kapshme e të zbërthyeshme nga lexuesit. Ato janë artikuluar shpesh me ndjenjën e ligjshme të zemërimit, mirëpo mbajnë anën e së mirës. Në njërën anë urrejnë dhe përbuzin bartësit e së keqes, ndërsa në anën tjetër forcojnë bindjen se padrejtësitë historike do të ndreqen një ditë. Çamëria pret duarhapur njerëzit e saj të kthehen: “Djersën për ta tharë/ Zemrën për ta shplodhur/ dhimbjen për ta mundur/ lotin për ta fshirë/ djepin për ta tundur.” (“Kohë që flasin”, f. 81).
3. Dhimbja për tokën e tjetërsuar
Poezia e Namik Selmanit ka relievin e Çamërisë, ku bien në sy fushat e ullishtat, krojet dhe sokakët, shtëpitë me pragje të gurta, kodrat me majat e larta, malet, shkëmbinjtë, deti... Në veprën e tij kushtuar Çamërisë ka shumë dhimbje njerëzore, ka vuajtje pa fund, prandaj lexuesit ia lëkundin zemrën, e tronditin, e bëjnë të mendojë e meditojë shumë, të përjetojë thellë në vetëdije fakte e ndodhi historike, të cilat poeti i ka transponuar mirë artistikisht, pra i ka pasqyruar me artin e mirëfilltë. Duke lexuar poezitë e tij, të cilat janë shkruar me art dhe me shumë dashuri, kuptojmë se haraçi i gjakut të derdhur për Çamërinë martire ka qenë shumë i lartë dhe se themelet e çdo kombi mbruhen me gjak. Toka është mbushur me varre e nënqielli me klithma të njerëzve. Dy vargjet e N. Selmanit “E vetmuar ka dalë hëna/ e vetmuar po kullot!” na kujtojnë ato të Bilal Xhaferrit, i cili thotë se në fushat e livadhet e Çamërisë “kullosin vetëm rrufetë...”. Në poezinë “Monolog” tregon për dramën e popullit të tij, për dhembjen kolektive, prandaj atë e karakterizon një sintaksë fjalësh në planin semantik e figurativ, që kushtëzohet nga përjetimi dhe rrëfimi dramatik i poetit: “Me shuplakë ma goditën historinë/ Në qilarë të fshehur/ Firma gjaku hodhën mbi truallin e gjyshit./ E dhimbja i bëri sa një grusht fushat,/ E deti i shtoi lotët e kripur,/ e qiellit brinjët iu thyen nga goditja./ Gjallimin e lisit mendova/ E shpirtin ma bekoi Rilindja. Me kërbaç ma goditën gjoksin, këmbën/ Me një hell të skuqur ma qorruan syrin/ Për të mos parë rrugën e kthimit./ Kockëthyer mes ngërçit nuk qava/ Me dorën cung të prerë/ Dhe me dhëmbë Flamurin nga sepetet e nxora/ E Zotit në qiellin e sterruar iu fala”(Shpirti çam, poezia “Monolog”, f. 31).
Për çamët dhe eksodin e tyre biblik ka shkruar më përpara poeti i etnisë, Bilal Xhaferri, i cili vdiq në Amerikë. Namik Selmani, bashkëvendës i tij gjithashtu i këndon Çamërisë dhe njerëzve të saj në mënyrën e tij. Ai ka shumë mall e dhembje për dheun e të parëve të tij, Çamërinë “klumshtore”, “dallëndyshe”, “lis i patharë/ ëndërr e patretur”. Shumë nga poezitë e tij i përshkon ndjenja e thellë e dhembjes dhe e pikëllimit, malli, nostalgjia, trishtimi etj. Ato janë krijime të realizuara poetike. Vargjet e tyre ngërthejnë ngarkesë të madhe emocionale. “O, ç’pe me sytë e tu, moj Paramithi!/ Nga flakët e tmerrit edhe deti u thinj!”Vetëm kënga (poezia), ia shuan prushin që i djeg zemrën e shpirtin, ia heq mallin dhe si ilaç e rinon”. Atij i fanitet poeti udhëbredhur si lypës historie, duke kaluar telagjëmbat me një brengë Çamërie zgjuar, me jetën peng te liria, duarhapur, këmbëzbathur “për të ringritur kështjella të reja këngësh, për të rindezur zjarrin e lirikës së trazuar”, duke thirrur syzgjuar: “Çamëria ime, sa afër je! Sa larg! Sa larg!” Poeti dëgjon dhe përjeton thellë në shpirt zërat e njerëzve të Çamërisë, “ofshamat e nënave e piskama e burrit që edhe palcën e dheut dysh e çan”, sidomos klithjet e fëmijëve në djepe. Atij i shfaqen para sysh djepet e fëmijëve që ecin dhe dritësojnë si yje në qiellin e errët buzë Jonit; “shqiponja në flamur gdhendur te djepi i foshnjës fjalën e kthen në sokëllimë” (“Eksod çam”, f. 29). Poetit i bëhet sikur sheh udhët që ktheheshin në varr “pa lule, pa emër/ pa tinguj mortore në marshin funebër/ pa fjalë besimtarësh” dhe “gurin që prekej në thepa lotin e rëndë e nxirrte”; dëgjon të qarat e foshnjave: “Nata s’e mbyste dot/ një ortek të qarash të një porsalinduri”(Shpirti çam, poezia “Mbijetesë çame”, f. 30). Poezitë e tij me motiv nga Çamëria tingëllojnë si një rrëfim i sinqertë, i thjeshtë dhe njëkohësisht tronditës për fatin e çamëve. Poeti arrin të transponojë artistikisht idenë e qëndresës dhe pathyeshmërisë së popullit tonë. Ai është i hapur ndaj botës, natyrës dhe shoqërisë, prandaj është i lidhur ngushtë me jetën e të parëve të tij, çamëve të Çamërisë, dhe kështu në poezinë e tij ai identifikohet plotësisht me ta. Me drithërimë zemre dëgjon se ç’thotë Çamëria në kufi të ëndrrës. Ai është optimist se ditët e mira do të vinë edhe për Çamërinë e çamët:
Mund të djegësh gurin, të bësh tym hambarët,
Mund të thash burimet si lubi vrastare,
Mund të djegësh lulet, bagëtitë në stane,
Mund të ngrohësh duart në flakë abetareje.
Mund t’u ndërrosh emrat krojeve, lëndinave,
Mund të thash dhe përrenjtë që shkojnë drejt mullinjve,
Po nuk shuhet ëndrra dhe pse ia gjakose,
Po nuk ndal pranvera që zgjon palcë toke”
(“Zëri i vendlindjes”, poemë, f. 36-41)
Çamëria sintetizon ngrohtësinë e diellit, gjerësinë e qiellit, bukurinë e fushës, pushtetin e pafund të shpresës, madhështinë e lirisë, po edhe ngjyrën e lulëkuqes, simboli i së cilës i rri pranë atij të gjakut. Fari (feneri) i fjalës dehur nga liria ia ndrit rrugën poetit, prandaj lë amanetin si farë për ugar. Derisa Filatin, Verselenë, Paramithinë, Pargën e vende tjera nënat çame i kujtojnë me dashuri e nostalgji, me dhembje e krenari, Mitilina, që ua kalon Mathauzenit e Aushvicit, u zgjon ndjenjë tmerri e trishtimi. Sa herë kujtojnë Mitilinën, ku grekët kishin internuar mijëra djem shqiptarë, “nënat çame gëlltisin bukën me lotin pikëngrirë”. Atë e kujtojnë për të keq, sepse u solli shumë lot e kob, prandaj e mallkojnë: “Dita t’u verboftë, Mitilinë!/ Udha t’u glemboftë, Mitilinë!/ Emri t’u harroftë, Mitilinë!/ Zoti të mallkoftë, Mitilinë!”
Namik Selmani është poet i veçantë, i cili ka ruajtur me xhelozi lidhjet shpirtërore me vendlindjen e të parëve të tij – Çamërinë, ngjyrat dhe karakterin e saj autokton, gjithnjë i vetëdijshëm se pa lokalen dhe nacionalen nuk mund të arrihet marrëveshja në art. Zëri i tij është zëri i çamëve të përzënë e të masakruar, të hequr keq e të përmalluar për vendin e stërgjyshërve. Atë e ka frymëzuar vallja e Osman Takës, zëri i poetit çam, Bilal Xhaferri, mençuria e dijetarit nga Ninati, Hoxhë Tahsini, urtia e plakave e pleqve, natyra e bukur plot ullinj e gjelbërim. Në poezitë e tij kushtuar Çamërisë ai ofron informacione për të kaluarën historike të Çamërisë, për dhunën e terrorin grek, pasqyron gjendjen shpirtërore e psikologjike të popullatës çame, duke dhënë kështu detaje të vërteta psikologjike. Në këtë mënyrë ai përpiqet të ndikojë në vetëdijen e lexuesit, në formimin e tij i ideor dhe estetik. Vargjet e shumë poezive të tij që marrin motivin nga Çamëria, simbolizojnë rrugën historike nëpër të cilën ka kaluar populli shqiptar, në përgjithësi, dhe çamët në veçanti.
Siç theksuam edhe më lart, Namik Selmani ka shkruar dhe botuar dhjetëra vepra zhanresh të ndryshme, mirëpo është afirmuar më shumë si poet. Në përcaktimin e vlerave të një poeti, pra edhe të N. Selmanit, nuk është tregues vetëm ana sasiore, por edhe cilësore. Tek ai bie në sy lirizmi, prirja e figurshmërisë, përpjekja për t’u larguar nga pasqyrimi i objekteve, sendeve, gjithnjë duke parapëlqyer depërtimin tek njeriu, tek vetvetja, pra në thellësinë e psikikës dhe botës emocionale të njeriut. Në pjesën më të madhe të krijimtarisë së tij poetike ai i këndon Çamërisë. Libri antologjik “Shpirti çam” përmbledh kryesisht lirikat e tij me motiv nga Çamëria të botuara më herët në vëllimet poetike “Vatra e mallit”, “Zërat e brigjeve të mia”, “Kroi i këngës çame” dhe “Fari çam”. Për poetin N. Selmani poezia kushtuar Çamërisë është balsam kundër harresës. Ajo kujton të kaluarën e dhembshme e krenare, pasurinë etnokulturore të popullit çam.
4. Poezi përkushtimi
Një vend të veçantë në krijimtarinë letrare të Namik Selmanit zënë poezitë kushtuar atdhetarëve, trimave, dëshmorëve të lirisë, personaliteteve të shquara çame e kombëtare si dhe kolegëve të tij poetë. Poeti ka lindur dhe është rritur në Ninat të Konispolit, në tokën e ëmbël dhe e të bekuar të këtij fshati që ka rritur dhe ushqyer rilindësin e shquar Hasan Tahsinin, shkrimtarin Bilal Xhaferri si dhe shumë patriotë të tjerë dhe luftëtarë të çështjes shqiptare. Poeti ka arritur të vizatojë me penelata transparente e fluide si në akuarel[3] disa personalitete nga Çamëria e më gjerë. Për të vizatuar portretin epik të heroit lirik, përveç detajeve heroike, autori gjen edhe ndonjë tjetër, gati aheroik. Ai iu ka ngritur përmendore me fjalë gjysheve e nënave çame, bujare, të nurshme, fisnike, të urta, të dashura, të dhembshura deri në amshim; Hasan Tahsinit të mençur “trëndafil i pavyshkur i diturisë”; Bilal Xahaferrit, poet e prozator të pakundshoq; Osman Takës, valltar i përkryer; Sali Çekës nga Filati i Çamërisë, mësues i devotshëm e “arkitekt i blerimit të shpirtrave të dëlirë”; Daut Hoxhës kapedan, Abaz Dojkës, “kalorës i palodhur në shtigje eposesh e sinorë legjendash”; Xh. G. Bajronit, poeti i shtegtimeve të Haroldit, poetëve çamë bashkëkohës të poetit, të tubuar në amfiteatrin e Dodonës pellazgjike, ku në djepin e blertë të kujtimit përkundin ëndrrën e parë të kthimit; “vashave të bukura si drita, të buta si vita dhe djemve si petrita”.
Hasan Tahsini me zemër të etur për dituri, “ka mbetur përjetë shqiponjë lirie, urë vigane, piedestal miqësie, shatërvan dashurie mes detit të pafund të çdo zemre”. Përmallimi dhe brenga për Çamërinë nuk janë fashitur kurrë. Ata që lindën në Çamëri, por që u shpërndanë gjithandej nëpër botë, ua lan amanet brezave që mos ta harrojnë dheun e të parëve. Prindërit e çdo brezi ua mëkojnë fëmijëve dhe nipave të tyre dashurinë për vendin e të parëve. Kështu, nuk shuhet as kujtimi, as dhembja, as shpresa se një ditë do të vije ora e fatit për t’u kthyer në viset amtare. Vuajtja e dhembja, shpresa dhe dashuria e çamëve gurgullon pa reshtur në vargjet e poezive të Namik Selmanit në disa vëllime, si: “Vatra e mallit”, “Zërat e brigjeve të mia”, “Kroi i këngës çame”, “Fari çam” etj. Poezitë më të mira të këtyre vëllimeve që marrin motivet nga Çamëria, janë përmbledhur në librin antologjik “Shpirti çam”. Ky vëllim antologjik është një enciklopedi poetike, ku janë pasqyruar qytetet e magjishme buzë detit, si: Preveza, Parga, Gumenica, Arpica, Vola, qyteti i Janinës, Marglliçit dhe Filati, janë fshatrat piktoreske të mbushura me gjelbërimin e ullinjve, si: Nista, Koska, Kastria, por me pamjet e dhimbshme të rrënojave dhe braktisjes së shtëpive: “Supmbështetura në shekuj,/ si dy vogëlushë të përjetshëm në lojën e tyre,/ si dy pleq me duar mbi kokë mbledhur,/ si dy lule që s’i than asnjë erë mali,/ si dy nëna duarzbardhur nga mielli në magje”. Studiuesit Resmi Osmani, Enver Kushi, Murat Gecaj e të tjerë theksojnë me të drejtë se në poezinë e Namik Selmanit “shpirti çam, i cili ka shumë fluiditet, dritë, qetësi, kolor, aroma dhe ca gjëmime të thella si të thellësive të detit, është pjesë e pandarë me shpirtin shqiptar, me të cilin e lidhin mijëra fije. Shpirti i paepur çam është ngjizur dhe sintetizuar në poezinë e N. Selmanit. Ai ka mbetur i gjallë dhe i lirë, i papërkulshëm dhe i përjetshëm. Kriminelët e dënuan shpirtin çam. E nxorën në shesh. Kishin bërë gati gijotinën stolisur me gjethe dafine. Gijotina dhe dafina simbolizojnë dy gjëra të kundërta; e para krimin, ndërsa e dyta lavdinë). Xhelatët mbanin sëpatat në duar dhe prisnin urdhrin e kryexhelatit zëngjirur. Shpirtit çam “nuk ia gjetën sytë t’ia lidhnin me fasho të zezë”/ e qafën s’ia preknin dot/ ku tehe sëpatash të ngulnin gjaketur!” “Sëpatat kishin fluturuar në krahët e zogjve”, ndërsa shpirtin çam kishte ikur drejt kaltërsisë që e priste.
Në poezinë “Mos”, poeti, përmes figurës së eksklamacionit, i drejtohet pëllumbit të Çamërisë “Që për paqen gugat mes tufanesh”, mos t’ia shuajë cicërimën brenda shpirtit të vrarë, sepse “Vendlindja e largët/ lapidar pa lule do të kthehej... prapë...” Tri pikat e këtij vargu janë pika të heshtjes, të vuajtjes, kur i humb fuqia e fjalës. Megjithatë, ato nuk janë pika të zbrazëta të përfundimit të fatit të lënë në duart e rastit. (“Shpirti çam”, f. 8).
Një nënë çame, e cila ka mëkuar të fëmijët e saj, tek nipat e mbesat dashurinë për Çamërinë, tërë jetën ka ushqyer shpresën se një ditë do të kthehet në shtëpinë e vet, prandaj poeti e lut vdekjen që të presë pak sepse gjyshja “ka lënë pa vaditur lulet në vazon e vjetër, pa kënduar ninullën në shtratin e bardhë, pa puthur nipat sybukur, pa e futur në furrë kulaçin e festës së Çamërisë”. Megjithatë, bistakët e ëndrrës që ka mbjellë, si një tufë të bukur me trëndelina, do t’ua japin fëmijëve që do të lindin. (“Një nënë çame”, f. 9).
Subjekti lirik i poezisë së Namik Selmanit është kryesisht njeriu i Çamërisë. Poeti dëgjon dhe përjeton thellë në shpirt zërin e njerëzve të Çamërisë, klithjet e tyre. Gjaku çak është simbol i identitetit shqiptar. Namik Selmani ia ka kushtuar tri poezi shkrimtarit Bilal Xhaferri: “Te varri i poetit”, “Baladë e re për poetin Bilal Xhaferri” dhe “Qëndresa”. B. Xhaferri për të është balada, drama, poezia. Atë e quan udhëbredhës si lypës i historisë, “me një brengë Çamërie zgjuar me jetën peng te liria”, “varkë pa vela në oqeane, dete, bredhës këmbëzbathur në dy kontinente”. Misioni i tij ka qenë “për të ringritur kështjella të reja këngësh, për të rindezur zjarrin e lirikës së trazuar” (Te varri i poetit, f. 10). Poeti “i nëmur”, edhe pse i vdekur, sytë ka nga Parga dhe “nxjerr nga shpirti mjaltë lirike”. “Mbreti i mallit dhe i fjalëve”, duke mërmëritur vargje baladash, ecën si flamurtar mes flamurtarësh drejt Dodonës (amfiteatër i lashtë në Çamëri), që e pret me mall e krenari. Kur vjen nata, Çamëria ia mbështet birit të saj kokën te gjiri, ndërsa, “kur vjen dita brigjesh Joni/ zgjohen pragjet në Ninat/ nuk mjaftojnë të gjitha malet/ për t’i bërë piedestal”. (“Baladë e re për poetin Bilal Xhaferri”, f. 71-73)
Poezia e tretë me titull “Qëndresa”, është ngritur mbi bazën e motiveve të veprës së poetit Bilal Xhaferri. Ajo, pa dyshim, është njëra ndër krijimet më të realizuara artistikisht të këtij lloji. Për poetin liria është gjëja më e shtrenjtë dhe më e shenjtë, prandaj edhe kur sosen drutë e malit për të bërë shigjeta, edhe kur hasmi sulmon pas shpine e mbjell vetëm dhembje e vdekje (mandata), edhe kur shterin krojet; ne, thotë ai, “do të kërrejmë mushkëritë nga gjokset, të zbardhojnë netët e gjata”, “do të shkulim brinjët një nga një t’i kalisim porsi shpata”; “gratë tona ballëdrita do t’i presin gjithë kocat (gërshetat) që shigjeta larg të shkojë; në mbarofshin gjithë shigjetat, do t’u çajmë fëmijëve djepat e pa ninulla le të mbesin; në rrënjët e shkëmbinjve do të hapim ngastra toke që të bëhet det me vreshta e grunore; do t’i bëjmë prapë shandanë sy e zemra, si prush vatre vetëm e vetëm që, kënga e fyellit të mos ndalet, që në agim të gdhijmë te stanet e të ndalim te një shkronjë për të ndezur prapë qirinjtë që do të ndriçojnë sa një diell... Vargjet e strofës së fundit rrumbullakojnë gjithë idenë e dhe çojnë mesazhin atje ku duhet: “Kur të gjitha të mbarohen/ në një fund që s’është fund/ thellë dheut një Lis Dodone/ ëndrrën tonë do të përkundë” (Qëndresë”, motiv nga poeti B. Xhaferri, f. 159). Kjo poezi na kujton atë të Xhevahir Spahiut titulluar “Histori”: “Gjaku pikoi e hodhi rrënjë mbi gurë/ gjakun prej shpatave e fshimë me shajak/ kur s’patëm armë/ ne prej trupit shkulëm/ njërën nga brinjët dhe e bëmë shpatë...”
Poezia “Kalorësi i lirikave”, kushtuar poetit çam, Hekuran Halili, autori N. Selmani, që ka si misioni qytetar dhe atdhetar artin e vërtetë poetik, jep mesazhin e kujtesës e shpresës, dashurisë e besimit: “Në u thaftë ulliri i fundit i Çamërisë sime,/ Do të mbetet një filiz i fundit te zemra jote/ Për ta rimbjellë në trojet martire.../ Në u harroftë vargu i baladave thesprote,/ këngët e shpirtit tënd do t’i hedh në pentagram/ le të më kenë zili Odisetë e Antetë e gjithë botës/ për diellin e viseve suljote./ Do të ringrehem me Hekuranin në krahë/ qoftë edhe si Konstandin baladash, përjetësisht i gjallë/ t’u tregoj të gjithëve udhën drejt agimeve të zjarrtë...”Namik Mane është një poet tjetër çam, i cili ka mbështetur kokën te gjiri i Çamërisë kapedane, “ka ngrohur vargun në zjarrin e mallit, te pragu, ku gurët duan diellin më të ngrohtë” (“Mos u kthe”, f. 101)
Poezia “Hajde, hajde Osman Taka”, e cila është shkruar në frymën e këngëve popullore çame, portretizon me pak penelata trimin e luftëtarin e paepur të Çamërisë. Ai është dënuar me vdekje, mirëpo nuk i trembet shpatës së saj. Kur xhelatët i kërkuan që të shprehte një dëshirë para se t’ia merrnin shpirtin, ai, në vend që t’u përgjërohej e t’u lutej t’ia falnin jetën, zgjodhi vallen çame, ta hedhë atë për herën e fundit me zjarr shpirti e dashuri zemre. Populli e çmoi këtë vendim të “fizlizblertit të legjendës”, prandaj vallen e tij flamurshkruar, herë pëllumb i shkruar, herë dallgë e herë tufan, që “uli në gjunjë perandorinë” dhe “flamur të huaj i bëri copë e i hodhi në hon”, e pagëzoi “Vallja e Osman Takës”. Në poezinë “Vallja e Osman Takës” poeti e portretizon edhe më mirë këtë trim, urtak e valltar. Gjoksi i tij është sofër, ku miqtë marrin polenin e forcës gurmbrujtur; fytyra e tij është diell, ku të ngrohen duarftohurit e Dimrave të gjatë; hapat e tij trokasin në porta ku kurrë nuk gjen Fytyrën e Vdekjes; vallja e Osman Takës kur puth tokën e s’ngopet, përul në gjunjë mbretërit, ata që drejtojnë mbretërinë me thesare...
Ka edhe poezi të tjera kushtuar personaliteteve të ndryshme. Në Festën poetike në Dodonë janë ftuar të gjithë “djemtë e nënat që u kacavarën trarëve të djegur”, poetët anonimë pellazgë zëbajrakë për të shkruar elegji për Vdekjen e Himne për Lindjen, Vajza e Valëve, Bukuroshja Dora D’Istria me origjinë nga Parga, që “kreh flokët në pasqyrë ujëvarash”, deh me musht kënge, e me fjalë krenarie; De Rada dyqindvjeçar, “më i thinjur se të thinjurit”, me trasten plot vargje të reja për Çamërinë. Në sytë e arvanitasit Aristidh Kola poetit i bëhet sikur “edhe statujat e lashta, edhe bari flasin shqip/ shumë më thekshëm se në monologjet eskiliane”. Atij i duket sikur në Dodonë sheh profesor Hasan Tahsinin “në supe ngarkuar me shkronja”; mbretin Pirro që “ka lënë një çast në mill shpatën trimërore”; Bajronin ulur këmbëkryq, duke pirë një kafe shqiptarçe. Malet e Sulit janë bërë miq me të, oda e mençurisë shtron mikpritjen e duhur, suljotët bëjnë garë princërore; “burimet e kalatë i japin një libër të ri historie/ e gjoksit i mbjellin farë të re vetëtimash”, ndërsa ai i thotë fjalët e pathëna për Sulin; Bilal Bukurinë “se si plagët ia than melhemi i poezisë” (“Bajroni në Sul”, f. 85; “Festë poetike në Dodonë”, f. 111).
5. Natyra, folklori, dashuria
Natyra e Çamërisë si peizazh është mjaft e pranishme në poezinë e Namik Selmanit. Dashurinë për të ai arrin ta transmetojë me një ton të natyrshëm lirik. Në poezinë e tij janë të pranishme sidomos fushat me ullishta. Pasqyrimin e këtyre pamjeve të larmishme është një galeri e pasur pikturash mbresëlënëse, që kanë aromë ullinjsh dhe frymë jete çamërie. Namik Selmani është mjeshtër në dhënien e peizazhit. Peizazhi në poezinë e tij është funksional dhe i gërshetuar me gjendjen shpirtërore të heroit lirik. Ai, për ta bërë më shprehës heroin lirik, jep pamje të natyrës të gërshetuar me gjendjen shpirtërore të heroit lirik.
Namik Selmani e vlerëson folklorin si një organizëm unikal estetik. Në vetëdijen estetike të tij raporti me folklorin është mjaft aktiv. Në poezinë e tij ai ka ndier mrekullinë e magjepsjes frymëzuese të folklorit të pasur (lirikat e baladat virtuoze), prandaj atë shpesh e sheh si pikë referimi. Një numër i konsiderueshëm i poezive të tij kanë marrë motivin nga letërsia popullore. Ai i eksploron me mjeshtëri vlerat emocionale të folklorit gjithnjë në përshtatje me individualitetin e tij krijues, duke vlerësuar vizionin filozofik, lakonizmin e ligjërimit, polivalencën e fjalës. Në poezitë e tij bie në sy begatia e kontrasteve, urtia paqësore, rimarrja (riciklimi) e motiveve folklorike me nuanca të lehta emocionale e stilistike. Riciklimi i motiveve nga letërsia popullore është një dukuri e pranishme në poezinë e N. Selmanit. Kjo është në logjikën e shqyrtimit refleksiv, ku zotëron ideja se nuk ka gjëra të zgjidhura përfundimisht. Për poetin të krijuarit është një lloj pune e ngjashme me parimin e palimpsestit, shkrim e rishkrim mbi motive të caktuara, duke degëzuar diçka të re, por gjithnjë rreth një “trungu” të përbashkët kuptimor. Disa kanë subjekt epiko-lirik dhe shprehin ndjenjat e heronjve, duke ngacmuar gjithnjë kureshtjen e lexuesve për të njohur të kaluarën heroike dhe historinë e Çamërisë. Ato kanë veçoritë e tyre dalluese. Bota e heroit lirik lidhet ngushtë me natyrën e peizazhin ose bashkëjetesa e natyrës me poetin. Vjershat kushtuar natyrës japin gjithashtu mesazhe të rëndësishme. Në to është e pranishme edhe alegoria, pra kanë edhe dykuptimësinë e tyre sepse shprehin një mësim e moral universal. As natyra nuk e duron dhunën. E pastrove atë nga njerëzit, domethënë e vrave edhe atë. Popujt, dihet, nuk e durojnë dot shtypjen, ata e urrejnë diktaturën. Ndëshkimi ndaj këtij mëkati shekullor nuk vonon shumë. Autori, për të mos i shprehur mendimet në mënyrë të drejtpërdrejtë, përdor të shprehurit alegorik. Për të kapur a kuptuar thelbin alegorik, mendimet e shprehura me një stërhollim fjalësh e situatash, duhet lexuar me kujdes shumë të madh.
Namik Selmani i këndon dashurisë pa emfazë, por me nota himnizuese të ndjera artistikisht me alternime e hove lirike. Duke kujtuar kohën e shkuar, pra moshën e rinisë, heroi lirik mbulohet nga nostalgjia e hollë dhe kërkon me një delikatesë sikur t’ia kthejë flladin e ëmbël poezisë. Shumicën e poezive të tij i karakterizon lirizmi i sinqertë dhe përjetimi i thellë. Poezitë “Mall”, “Ulu mal të shoh Kastrinë”, “Kush ma shkruan amanetin”, Gur, mos u thinj nga malli”, “Do të bëhem krua kënge”, “Kush ta qepi xhamadanin”, “Ku ta gjej varrin e gjyshes”, “Dil potis Vaselikuan”, “Janinës ç’i panë sytë”, Do të bëhem lëng i blertë”, “Me ngadalë vallen-o”, “Fari i fjalës çame” etj. janë thurur sipas motiveve të poezisë popullore çam. Ato i ka shkruar në frymën e këngëve popullore, ku spikat gjuha e thjeshtë dhe e qartë. Poeti ka ditur të përfitojë nga poezia popullore çame dhe nga ajo e traditës. Në to ka emocione të thella, dhembje e vuajtje, durim e qëndresë, çiltërsi shpirtërore...
6. Gjuha dhe stili
Poezinë e Namik Selmanit e karakterizon fjalori poetik dhe metaforika e saj. Fjalori poetik i tij mbështetet mbi një fond fjalësh të tipit: ulli, gur, det, thinjë (gur i thinjur, det i thinjur), eksod, mal, fushë, krua, kockë, varr, zë, ëndërr, qafë, palcë, hënë, diell, ylber, mall, far (fari i fjalës), flutur etj. Atë shquajnë mjetet e ligjërimit, procedimi poetik, logjika e fjalës së thënë, trajtat e zgjedhura poetike etj. Gjuha e poezisë së tij është e zgjedhur me kontraste e mjedise shqiptare. Poezia e tij shquhet për ngjyrimin e theksuar emocional, arsenalin leksikor, fondin e shprehjes dhe teknikës, rimën e pasur, mjetet e llojllojshme stilistike, vargun, rimën, ritmin, intonacionin, figuracionin. Në poezinë e tij bie në sy begatia gjuhësore. Poeti është i përkushtuar nga vetëdija e kultit të gjuhës shqipe. Ai aktivizon një fjalor të përdorshëm, duke futur fjalë e konstrukte me forcë ekspresive. Gjuha e tij është e pasur dhe e pastër, e seleksionuar, sidomos kur shkruan për dhembjen dhe dashurinë. Preferon të përdor fjalë dhe konstrukte të burimit dialektor. Arkaizmi gjuhësor tek ky poet është një fazë e ndërmjetme drejt standardit të shqipes. Ajo tregon për ndërgjegjen gjuhësore të tij. Poeti është i prirë që të krijojë vetë fjalë të reja (neologjizma), sidomos kompozitat. Në këtë drejtim, vepra e tij është një atllas gjuhësor, pra vetëdije gjuhësore. Vetëm në antologjinë “Shpirti çam” që është një përzgjedhje e poezive nga vëllimet: “Vatra e mallit”, Zërat e brigjeve të mia”, “Kroi i këngës çame” dhe “Fari çam” kemi evidentuar me dhjetëra kompozita, si: shurdhmemec, theqafje, vendlindje, sybukur, gërshetshpleksur, supmbledhur, duarzbardhur, udhëbredhës, dritarehapur, këmbëzbathur, syzgjuar, telagjemba, ballëdritë, flamurshkruar, filizblertë, duarzbardhur; flamurshkruar, sypërlotur, krahëforcë, dritëkalim, funddet, kokërrmbushur, flokëbardhë, kockëthyer, shkumëbardhë, thinjëbardhë, sypafjetur, plisngrohtë, symbyllur, ëndërrbardhë, gushëflorinjtë, gojëmbël, sytmerruar, kryelundërtar, ëndërrvrarë, fatbardh, hallemadh, qelqebardhë, tumanebardhë, cipërreqethur, kryexhelati, zëngjirur, faqebardhë, purtekëargjendë, faqekartë, faqehënë, kryeqytet, kryeshqiponjë, ngjyrëkaltër, flatrahapur, pulëbardhë, koceshpleksur, pulëbardhë, shtatzënë, gjunjëulur, buzëdredhur, kryerash-i, sypurtekë, ngjyrëndezur, sydlirë, majëmprehtë, fjongoblertë, lulegdhendur, gjunjëmbledhur, gjëmëzi, zëmandatë, syshkëndijë, gushëflorinjtë, vajzësydëlirë, krahëlehtë, lulegdhendur, erëmirë, buzëtharë, gojëkyçur, shkumëbardhë, këmbadoras, dritëbar, besëprerë, ngjyrëmargaritar, flokëthinjur, gjimbushur, zëëmbël, dritëndezur, zëbajrak, këmbëkryq, syprushëruar, puthador, tehgjakosur, zburim, magjiujdisur, kurrizvrarë, puplalagur, gushëbardhë, buzëqeshje, faqeblertë, qershikuqe, dyershqyer, pendëshkulur, pulëbardhë, ditëlulëzuar, ujëkristal, ullinjmbushur, supargjend, ballukeprerë, sydritë, udhëkryq, plisngrohtë, mustaqepadirsitur, qafëflutur, gonxhehapur, ballësedef, gurmbushur, halëbardhë, drurëshumë, halëbardhë, duarngritur, duarzgjatur, zjarrndezur, buzëqeshje, shamibardhë, udhëpërgjakur, këngëkroje, ballëdrita, gjoksburri, fletëguri etj. Kështu, për të depërtuar e për të kuptuar më mirë shpirtin e poetit është me interes të gjejmë fjalët më frekuentuese të veprës së tij që i përmendëm pak më lart. Në poezinë e tij gjejmë emra konkretë e abstraktë, emra gjeografikë, përkatësisht toponime që shpalojnë fushën e interesimeve tematike të poetit që ngjyrosin emocionalisht shprehjen dhe disponimin e tij poetik. Shumica prej këtyre luajnë rolin e fjalëve-figura ose fjalët çelës për të interpretuar poezitë.
Poezitë e Namik Selmanit i karakterizon elementi i figuracionit piktural. Disa prej tyre janë piktura të bukura që flasin. Figuracioni i dendur stilistik, njësitë ligjërimore në poezinë e N. Selmanit çlirojnë një shumësi kuptimesh. Ai në poezinë e tij përdor figurat, si: epitetin, krahasimin, epitetin, metaforën, alegorinë, antitezën, hiperbolën, metoniminë, simbolin, ironinë dhe figura të tjera të njohura në poezinë tonë popullore e tradicionale, por që arrin t’u japë tingëllim e forcë të re emocionale. Për të sintetizuar karakteristikat themelore të banorëve të Çamërisë, pra për të ndërtuar portretin çamëve, për të përgjithësuar artistikisht historinë e tyre: shpirtin e tyre liridashës e të qëndresës, dramën e tyre shekullore në mes jetës e vdekjes, në mes dashurisë e urrejtjes, në mes ëndrrës e zhgjëndrrës, autori gjen figura të bukura e funksionale, shërbehet me mjete dhe rekuizita të marra në poezinë popullore “vasha të bukura si drita, të buta si vita dhe djem si petrita”; “Më janë tharë buzëqeshjet/ porsi lisi flakëshkrumbuar”; “Vajzë sydritë/ vallja jote ujë kristali”. Sintagma “gur i thinjur”, sintetizon tiparin kryesor të natyrës dhe të karakterit të çamit, i cili gjithmonë është ballafaquar me furtunat e egra jetësore, por ka arritur të ruajë drejtëpeshimin shpirtëror dhe dritën e arsyes.
Në poezinë e Namik Selmanit gjejmë krahasime të bukura dhe përjetime të thella autentike të fenomeneve dhe të emocioneve të tij. Poeti përdor krahasimin (“Shtëpitë si dy vogëlushë të përjetshëm,/ si dy pleq me duar mbi kokë mbledhur/ si dy nëna”; “Si lastar fidani”; “Te ky hap si pendë e lehtë”; “Qerpik i syrit si portë prilli”; si një udhë e zonjëruar”; “vasha të bukura si drita, të buta si vita dhe djem si petrita”; “si prush vatre”, “sup më sup si gurët lidhur” etj.), që nxit imagjinatën dhe zgjon emocion tek lexuesit. Ai krijon metafora të bukura e virtuoze. Metafora zë kreun e vendit dhe ngjan me një ujëvarë. Më të preferuarat janë: ullinjtë, yjet, hëna, ylberi, lulet...
Namik Selmani, për të arritur efekte ideoemocionale, në poezitë e tij, ka përdorur mjaft shpesh aliteracionin, përsëritjen e bashkëtingëlloreve: “me plagë plaguar”; “paqe e paketuar” (f. 15); “mbyllja portën Portës së Harresës” (Zana e Jonit”, f. 22), “gjaku çurg i çurgoi” (Kosovë-Çamëri, f. 33), “mjaltë mbi mjaltin e mjaftuar” (Dhentë e mia kush i do, f. 79), “borëruar me brymë”, “më i thinjur se të thinjurit”; “rreze t’ua rrezojë”, “syrin plumbi ma plumboi”, “zjarri dhëmbët m’i zjarrmoi”, “gjysh i gjyshëruar”; “syth i sythuar në degë pranvere”; “vezullim i vezulluar”; “kaltërsi e kaltëruar”; “kalë i bardhë i kalëruar” etj.
Në poezitë e N. Selmanit hasim edhe këso shprehjesh figurative” “timpani i zemrës”; “ylberi i diellit”; “kohë buzëplasur”, “sa një krismë dielli”; “sytë e mençurisë së thinjur”; “fara e kujtesës”etj., që zgjojnë emocion tek lexuesi. Çamët i quan “maratonomakë diellorë” (“Zërat e brigjeve të mia”, f. 19).
Është me interes të theksojmë edhe faktin se poezinë e N. Selmanit e karakterizon edhe metaforika zoomorfike, leksiku dhe figuracioni i botës shtazore. Edhe epiteti është një figurë e preferuar e poetit. Kështu metafora, alegoria, krahasimi, simboli, epiteti, personifikimi etj. në poezinë e këtij krijuesi dalin spontane, të bukura e sugjestive. Këto figura të gjetura dhe të përdorura me mjeshtri ai i vë në shërbim të idesë. Kështu, Zerva del si simbol universal i dhunës dhe tiranisë. Poeti shpesh bën konceptimin antonimik të jetës, e cila është plot kontradikta. Personifikimi është figurë stilistike a trop që autori e përdor për t’u dhënë dukurive të natyrës veti njerëzore. Edhe antropomorfizmin ose animizmin ai e përdor për t’iu atribuuar veti njerëzore objekteve a gjërave të pashpirta.
Namik Selmani nuk është fanatik i rimave, pra nuk respekton me përpikëri rregullat e ligjet e metrikës. Vargu i tij shpesh nuk u përmbahet skemave tradicionale të metrikës përkitazi me numrin e caktuar të rrokjeve, theksave metrikë, strofave, rimave. Disa vjersha që kanë huazuar motivet popullore çame, janë shkruar në bazë të sistemit strofik, me varg të matur, me ritëm e me rimë. Mirëpo ndodh që rima e mirëfilltë zëvendësohet nga rima apofonike, asonanca dhe konsonanca. Ai, edhe kur përdor vargun e lirë, në përgjithësi, është shumë i kujdesshëm dhe nuk del i paorganizuar e stihik. Kështu, poezitë kanë ritmin e brendshëm. Strofat e disa poezive të tij përfaqësojnë një ndërtim të rrallë në poezinë tonë, një formë kjo e pëlqyer me intonacione sintaksore të ligjërimit poetik. Kjo i ka dhënë mundësi autorit që të përshkruajë emocionet, ngjarjet, imtësitë, personazhet, natyrën (peizazhin) etj.
Gjatë leximit të poezisë së Namik Selmanit lexuesi has në dhjetëra urime e mallkime që përdoren edhe në popull. Ato burojnë nga një moment i caktuar emocional. Urimet zakonisht u drejtohen atyre që bëjnë vepra të mira, ndërsa mallkimet kanë shërbyer në funksion të parandalimit dhe dënimit të keqbërësve. Ato kryejnë aktin e gjykimit të të këqijave dhe të keqbërësve: “Vuv u bëftë kush prek flamurin,/ prush u bëftë, e djegtë zjarri!” “Veshi t’u shurdhoftë! “Zoti të bekoftë!” Goja mos m’u thaftë”; “Dita t’u verboftë, Mitilinë!/ Udha t’u glemboftë, Mitilinë!/ Emri t’u harroftë, Mitilinë!/ Zoti të mallkoftë, Mitilinë!”
7. Vlerësimet për poezinë e Namik Selmanit
Studiuesit tanë e vlerësojnë Namik Selmanin si poet me imagjinatë të pasur dhe talent të spikatur, i cili ka sjellë ndryshime të dukshme në fjalorin poetik. Të gjithë ata që janë marrë me poezinë e tij, vejnë në pah dinamizmin e thellë e kompleks, sintezën universale mbi jetën e njeriun, figuracionin befasues e të guximshëm, motivet e larmishme, vargëzimin, rimën, metrin etj. Kritikët vlerësojnë se ai e ka transformuar poezinë tonë në pikëpamje të gjerësisë e cilësisë, duke e pasuruar atë me elemente të reja ideoartistike. Për veprat letrare të Namik Selmanit, sidomos për dhjetëra vëllime poetike të botuara deri më tash, studiues e shkrimtarë janë shkruar kritika e recensione, ku, në përgjithësi, janë vlerësuar mirë. Të gjithë ata që janë marrë me poezitë e këtij autori, kanë vënë në pah forcën e madhe ideo-emocionale, elementet e reja ideoartistike dhe vlerën e konsiderueshme artistike, siç janë: tematika e gjerë, fryma lirike, figuracioni i larmishëm e sugjestiv. Megjithatë, poezia e poetit flet më mirë për vetveten se ç’flasim ne për të, sepse është një organizim ritmik, metrik, eufonik, ku zgjedhjen, radhitjen, përsëritjen e tingujve, të strofave, kombinimin dhe këmbimin e fjalëve poeti e ngarkon me funksion kuptimor – semantik, por edhe muzikor-melodik. Agim Mehqemeja (poet e studiues) vlerëson punën plot pasion të autorit, forcën shpirtërore dhe këmbëngulësinë për të realizuar qëllimet që i ka vënë vetes. Atë e quan kërkues, gërmues në histori dhe në jetën e përditshme. “Poezia e Namik Selmanit mban lirizmin e kohës, shqetësimet e saj. Kap me nerv nyellin ku lulëzon sythi e që më pas do të nxjerrë lastarin e ri dhe ku do të lidhin edhe kokrra...” Simon Vrusho (poet) vë në pah stilin e Namik Selmanit, i cili, sipas tij, “është i ngrohtë, sjell ngjyrime, nuanca të tjera nga bota jo vetëm e Çamërisë, por edhe nga trevat e trojet shqiptare”. “Kur je i mangët në informacion për Çamërinë, thotë Ilmi Qazimi (poet), librat poetikë të poetit Namik Selmani të thithin me pjalmin e tyre poetik... Janë një tufë perlash... Janë libra gurrë që sjellin aromën e trëndafiltë të Çamërisë, figuracion të spikatur, ide të mençura e të lidhura me fatin e jetës...” Enver Kushi (prozator e kritik), duke folur për poezinë e Namik Selmanit, ndër të tjera, thotë: “Namik Selmani në poezinë e tij ribën Çamërinë, qiellin dhe relievin e saj të papërsëritshëm, ribën erërat, stinët, qytetet dhe fshatrat çame e historinë e saj dramatike dhe botën e madhe shpirtërore të njeriut çam... Poezia e tij është si dallëndyshja e engjëllit mbrojtës të shqiptarëve. Duke lexuar poezinë e tij, unë filloj të mbaj Çamërinë në shpinë, ashtu si ruaj Shpirtin në shpirt”. Kadri Kuka (kritik arti) vë në pah se “poezia e N. Selmanit kërkon që të krijojë një zinxhir të fuqishëm të brezave të Çamërisë, që nga ata që nuk jetojnë më e deri tek ata që nuk kanë lindur akoma e që do të kenë fatin të bëhen pjesëtarë të një ëndrre tragjike për të parë e prekur tokën e të parëve të tyre. Këtë zinxhir e mbajnë fort metaforat e goditura që të mbjellin në qenien tënde njëherësh krenari, dhembje, revoltë, protestë”. Prof. Dr. Resmi Osmani shkruan në mënyrë mjaft afirmative për poetin Namik Selmani, duke konstatuar se “poeti i këndon dashurisë dhe ndjenjave të thella njerëzore, gëzimit dhe bukurisë së këngëve e valleve, miteve dhe legjendave, ngjarjeve historike dhe dhimbjes që ka përmasat kozmike: braktisjes së detyruar të krahinës. Në gjithë këtë larushi motivesh nga bota çame rrah e shndrit fisnikëria dhe bukuria e pafashitur e shpirtit të njerëzve të kësaj krahine. Ai shpirt ka gjithnjë ritmin e gjallërisë si në gëzime, ashtu edhe në hidhërime, vuajtje e mjerime, si në luftë, ashtu edhe në paqe. Muza e poetit, ka mbledhur nektarin në gjithë hapësirën çame dhe ka mbushur me ambroz hojet e vargjeve, që për lexuesin të jenë si pija hyjnore e perëndive pellazgjike. Janë afro njëqind poezi dhe mbi dymijë e gjashtëqind vargje. Në çdonjërën poezi përmendet, të paktën, një herë Çamëria. Nga figurat artistike që e veshin, emri Çamëri kthehet në metaforë dhe për lexuesin mbetet i afërt e i dashur, një lajtmotiv melodioz, me një tingëllim dhe muzikalitet të ëmbël, edhe kur motivi është i dhimbshëm... Imazhet dhe përjetimet e marra nga mjedisi i të parëve të tij, i ka veshur me figuracion të pasur dhe ndjeshmëri të hollë të poetit, i ka hedhur në vargje, të cilat i janë ofruar lexuesit plot freski, të vërteta, emocionuese dhe me kumtin e tyre historik, narrativ apo filozofik[4].” Arben Kondi (shkrimtar) e vlerëson lart poezitë e vëllimin antologjik “Shpirti çam” të N. Selmanit, të cilat janë ninulla “që ëmbëlsojnë jetën, ditën edhe kur je i rritur dhe e ke lënë ninullën në sinorët e nostalgjisë së moshës tënde fëmijërore. Metafora poetike e librit të tij e ka bërë edhe Çamërinë si një Djep që mbeti udhëve të dhembjes... Poezitë kanë motive të epizimit e lirizmit të jetës shqiptare të të gjitha trojeve”. Remzi Basha, në parathënien për librin “Pesha e qiellit të vendlindjes” (2010), N. Selmanin e quan “poet të Fjalës së Mençur” i cili ka sjellë në krijimtarinë e tij frymën çame, “atë që na ka munguar në magjet dhe sofrat tona të Kosovës”. Zejadin Ismajli (studiues i letërsisë, muzikës dhe arteve tjera) vështrimin e tij për librin “Shpirti çam” e mbyll me këto fjalë: “Arti që e krijon dhe e kultivon Namik Selmani, është bukuria e shpirtit dhe dritëmendja e së sotmes dhe e së ardhmes sonë. Ai do t’u flasë vazhdimisht gjeneratave të sotme dhe atyre që do të vijnë mileniumeve, të cilët gjithsesi do të ndjehen të lumtur dhe krenarë për paraardhësit e tyre të vyer”. Për veprat e Namik Selmanit kanë shkruar edhe Mevlud Buci (poet), Vasil Premçi (shkrimtar), Fatime Kulli (gazetare), Pandeli Koçi (kritik letrar), Murat Gecaj (studiues), Lirim Deda (shkrimtar), Eduarda Llangozi, Briseida Shehu (studiuese), Gëzim Ajgeraj (poet) e shumë të tjerë. Të gjithë i kanë vlerësuar lart poezitë e tij, sidomos ato që ua ka kushtuar Çamërisë dhe çamëve. Të gjithë vlerësojnë se poezia e N. Selmanit shquhet për polifonizmin universal, se ajo ka vlera njohëse dhe edukative, estetike e filozofike, historike dhe etnografike.
Shënim- Kjo temë studimore është paraqitur në Sesionin Shkencor të organizuar në Gjirokastër në muajin qershor 2016 nga Shoqata Kulturore “Trojet e Arbërit”
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen