Dienstag, 6. März 2018

Fatime Kulli: TRUPAT - SKELETE ESHTRASH, KU JANË?


Fatime KULLI

TRUPAT - SKELETE ESHTRASH, KU JANË???

Atje, krejt në kufij me Greqinë,
në fshatin Qafë Botë
Engjëjt kanë lënë hijet 
në kafaz prej mermeri,
vetëm me EMRA….!
Po trupat - skelete eshtrash, ku janë???

Fryma e tyre e mpiksur 
me gjak në errësirën e përjetshme,
ku ende gjinkallat këndojnë përvajshëm
në sy të perëndisë, që s’i erdhi dot në ndihmë…..

Unë shkoj në çdo Qershor
e përkëdhel kafazin që qëndron stoik
para holokaustit (mortor) barbar…
….dhe fytyra më përplaset 
me spërkatjen e gjakut të pafaj
afro një shekullor,
që në heshtje akuzon
barbarinë çnjerëzore
dhe kërkon drejtësi hyjnore….!

Atje, tej në Qafë Botë
dëgjoj tinguj zogjsh zëmekur….
të qara fëmijësh, ulërima grash e pleqsh….
Dëgjoj amanetin e gjyshes sime 
në grahmat e fundit të frymës, 
me ia fshi gjakun në pelena,
foshnjës së saj...!

.......
Po kush jam unë?!
Një degëz ulliri, 
një boçe trëndafili
me farë Çamërie.
Frymova në Epokën e zinxhirëve,
u rrita në Epokën e dhimbjes, pa liri.
Sot jetoj në Epokën e hipokrizisë, 
servilizmit, babëzisë e ligësisë, 
me identitet varur në çengel të ndryshkur 
të EPOKËS së përgjakshme,
gjenocidit e barbarizmave çnjerëzore.
Hijen e gjakut frymë-ngrirë 
ma kanë ngritur MONUMENT
atje, tej në Qafë Botë.

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen