Mittwoch, 17. Juni 2015
Odise Plaku - AMANETI
A M A N E T I
(Monodramë)
Shahini, i moshuar. Me veshjet e spitalit, një palë pizhame burrash, me shapka në këmbët e tij.
Koha: Një mëngjes
Ngjarja zhvillohet në një dhomë spitali. Shahini është një moshatar që ka ardhur në Shqipëri në moshën pesëvjeçare. Rrugën për në Shqipëri e ka bërë së bashku me një moshataren e tij, një fëmijë me të cilën ka qenë i lidhur ngushtësisht, pasi kanë jetuar pranë njeri-tjetrit. Ajo vdes me një brengë të madhe në zemër. Ndërkohë që Shahini jeton ëndrrën, se një ditë do të kthehet përsëri në trojet e tij, në Çamëri. Është dhe një amanet që ia ka lënë mikja e tij më e mirë që ka patur rëndësinë më shumë se një motër e herë-herë dhe të një nëne. Gjatë mjekimit të tij në spital ai takohet me vajzën e saj e cila është mjeke. Pasioni i tij është piktura. Dhe pse vitet kanë kaluar shumë e shumë kohë ka rrjedhur ai përsëri vazhdon të pikturojë. Në kohën e qëndrimit në spital ai bën portretin e mjekes e cila ka një ngjashmëri shumë të madhe me nënën e saj. Ajo që i bën të dallueshme është vetëm një nishan në vetullën e majtë. Shahini i lë amanet mjekes që nëse nuk arrin të vizitojë Çamërinë duhet që ajo të plotësojë amanetin e tyre.
Zhvillimi
(Një dhomë spitali. Një komedinë dhe mbi të një tufë me lule. Një kanë me ujë, një gotë. Një shtrat. Një varëse rrobash në të cilën është vendosur kostumi i Shahinit, xhaketë, pantallona. Shahini shtrirë në krevat. Kupton që dikush i ka hapur derën e dhomës. Ngrihet gjithë nevrik. Shkon drejt derës)
Larg të them. Mos mu afro, se shpirtin do ta marrë. Me këto dy duart e mia do të mbys. Në burg do të vete. Mos eja afër meje, kurrë më. Mos u përpiq të më prekësh me ato kthetrat e tu. Dëgjove. Palo burrë. Ti je i vdekur dhe jo unë. Dëgjove? Për herë të fundit po të them. Mos iu lut Tanatosit të më vijë e të më marri. Nuk ka punë ai me mua. Edhe mbrëmë të dëgjova kur e hape derën time si hajdut. Ke dëgjuar që gjumi është vëllai i vdekjes dhe mban sytë të më gjesh kufomë të ngrirë. Përse ike si frikacak. U trembe mos të lija të vdekur në vend. E çfarë prisje more iu shkalluar, të më shikoje kështu. (Shtrihet. Ecën këmbadoras. Mbështetet në gjunjë.) Të më shikoje zvarrë, duke dhënë shpirt. Të më shikoje të jargavitur,të shpërfyturuar. Të dëgjoje agoninë time. Si do më dilte xhani, këtë doje të shikoje? Ah, po mu afrove dhe një herë. Trutë në ajër do të hedh. Mos të shikoj të më marrsh më erë si puna e atij qenit. Shpreson të vijë erën e vdekjes? Do ti nxjerr ata sytë e bardhë. Me dhëmbë do të ha po mu avite dhe një herë. Unë e di që do të vdes një ditë, po jo para syve të tu. O i mallkuar, nga dreqi të pruri zoti në këtë spital. Apo të ka mësuar njeri të më ndjekësh. Çfarë qëllimi ke? Më thuaj në je burrë. O kufomë njeri. Çfarë do, që më qepesh korridoreve të këtij spitali si një fantazmë. Si një djall me brirë që nuk më lë të qetë. Ik prej meje sa nuk është vonë se do të bëjë ndonjë hata që të mos harrohet kurrë. O shtrigan njeri, o shpirtzi. Guxo të më hapësh dhe një herë këtë derë po nuk të lashë të vdekur në vend. Ti do vdesësh dhe jo unë. Dëgjove? Dëgjova thuaj sa nuk është vonë.
(Kujtohet për diçka. Reagon befas. Shumë i alarmuar. Kontrollon me duar nëpër xhepa. Në xhepin e këmishës. Hap me shpejtësi sirtarin e komodinës.
Ku dreqin i futa. Mos më kanë rënë aty ku bëra kontrollim. Jo, këtu nuk i paskam. Mos i kam lënë poshtë jastëkut. (E ngre me shpejtësi jastëkun. Kontrollon poshtë krevatit. Ngre të gjitha shtresat.) Mos m’i ka marrë mbrëmë ai kur erdhi në dhomë. I kisha me vete më duket.
(Me vrap e shkon te komedina dhe kontrollon. Shkon te varësja e rrobave dhe kontrollon me duar xhaketën që e ka të varur. Merr xhaketën në dorë. Shikon majtas e djathtas. Sigurohet që është vetëm. Nxjerr nga xhepi një tip portofoli.)
(Merr frymë i lehtësuar.) Uh, shyqyr. Këtu qenkan. Më hoqët trutë e kokës. Vetëm këto mos të m’i marrin. (I peshon në dorë.)
Kjo është gjithë jeta ime. Është pasuria ime. Kam një shekull që i ruaj. Të m’i marrin tani, më rroftë gjithë ai mund.
(E merr përsëri pakon dhe fut në xhep. E vendos në komedinë. Pastaj ndërron mendjen.)
Po unë e bëj dhe kështu. (Merr një këpucë. I heq lidhësen. E bën kryq mbi portofol. Pastaj merr lidhësen tjetër dhe e bën si lak. E vendos tashmë portofolin në qafë.)
Ja, kështu, po. Tani ti marrin të keq doktoresha dhe ato të tjerat. Vetëm në më heqin kokën do ma marrin këtë.
(Ulet në krevat. Përpiqet të mbushet me frymë. Në krah ka pikturën që ka nisur. )
Nuk mundem. Ajo më trajton si të isha fëmijë. Nuk e kuptoj çfarë kërkon nga unë. Në mëngjes vjen e më kontrollon si bebe. Si kam fjetur. Sa herë jam zgjuar natën. Në cilën anë kam fjetur. (Përplas duart) Jo, po duhet ta kisha mbajtur krahun kështu. Pse nuk e kisha mbuluar mirë supin se dhe mund të ftohem. Pa le kur më merr duart dhe më kontrollon gishtërinjtë. Më kërcet thonjtë. Mirë këto, por kur më thotë të nxjerr gjuhën. Të shikoj lart në drejtim të llambës. Më rrotullon sa majta e djathtas dhe asnjë fjalë. Vetëm i ka mbetur në majë të gjuhës fjala. “Mirë. Mirë më dukesh sot. Goxha përparime”. Po ku dreqin i shikon këto përparime. Ku se, po më luan nga truri e kokës.
Të më japë një shpjegim . E di që pleqëri jam dhe mosha bën të veten, por kam dhe unë shpirt. Pa le, si më urdhëron. “Nuk dua të më mbash asnjë të fshehtë. Dëgjove. Asnjë një gjë. I dua të tëra fije e për pe. Edhe një kollitje për mua është e rëndësishme.” (Me tallje).
Jo, po edhe ndonjë pordhë. Punë e madhe... Nuk më pëlqen kjo gjë. Mos i dukem si i metë dhe kërkon tashmë të bëj dhe ndonjë eksperiment me mua. Ej, dreq o punë. (I afrohet dritares. Fërkon kokën me dorë. Hedh sytë nga rrobat që i ka të varura në varëse. Shkon tek ato dhe i merr.)
Do iki. Do zhdukem një orë e më parë. Nuk dua ti shoh sytë askujt në këtë vend. As asaj shushkës që buzëqesh vetëm e vetëm ti japësh dy mijë lekëshin e vjetër. As kësaj nursëzës që një amita doja t’i jepja dhe gati më mbyti me ulërima. “Pije vetë, se ti ke nevojë. Mos më qajë hallin mua.” Nuk rri më këtu. Po ndenja më shumë do më sëmurin më keq. Ku jam mësuar unë të rri në vende si këto. Këtu të merret fryma. Unë dua ajër. Nuk dua të shoh vdekjen me sy. Opo vdekja më merr të keqen mua. Po çfarë ti bëj që më sollën pa të ishte për mua kurrën e kurrës nuk shkelja në këtë dhomë.
(Heq bluzën e pizhameve. Vesh këmishën e bardhë. Matet të heq dhe pantallonat. I merret fryma. Vendos dorën në kraharor. Ndërron mendje. Ulet në krevat)
Po sikur të më bjerë prapë të fiktë. Do kem më sy e faqe të vijë këtu. Hajde dëgjoji dënglat e saj. E pikë e zezë çfarë më gjeti. Hajde merru me këta të luajturit këtu. Ku dreqin më ra dhe mua të fikët në mes të sheshit. Sa turp! E dreq, o punë. Hajde Shahin, hajde. Gjithë ai burrë dhe më rrezohesh në tokë si ato pulat kur i zë flama. E pleqëri që të turpëron kur se ke mendjen. (Shikon anas e përqark.) Nuk duroj dot më. Dua të dal nga kjo dhomë. Tek e fundit nëse kam për të vdekur, më mirë në shtëpinë time. Nuk jam njeri pa njeri. Dy njerëz i kam në këtë jetë sa të më ndodhen pranë. Jo, jo nuk dua të rri më këtu. Do ta pres atë sa të vijë në dhomë dhe do t’i them. (Bën sikur i drejtohet mjekes) Do të dal dhe mos më pengo më! Kështu do t’i them.
( Në dorë merr një gazetë.) Po sikur të më thotë përsëri të njëjtën përgjigje. Atë që më tha radhën e parë.
(E imiton me tallje) “Do të dalësh? Urdhëro, je i lirë. Shko. Nëse dëshiron mund të telefonojmë edhe ndonjë taksi që të çojë deri te shtëpia.”
Pa, pa, pa, sa e hidhur që është. E prerë, e ftohtë. Kështu më duket. Por të gjithë pacientët lënë kokën për atë. “Doktoresha njëri, doktoresha tjetri”.
(Perdja vazhdon dhe valëvitet. Ai e hap me dorë dhe flladi i përplaset në fytyrë. Duket se ajo i sjellë një kënaqësi. E përjeton dhe e shtyn në të tjera kujtime. Mbyll sytë ngadalë.)
Eh, moj pleqëri virane si vjen në këtë botë dhe na kap e luan me ne. Na shushat e bën të flasim me vete. Pak kemi vuajtur në këtë jetë, tani na duhet të heqim dhe nga ty. Na mbërthen dhe nuk na lëshon. Na vërtit sa majtas e djathtas, sa lart e poshtë, e kur të mbushet mendja të shuk përtokë. Qesh e lumturohesh me dhimbjen tonë, o pleqëri virane, që askush nuk të do në jetën e tij. Dhe unë plaku sot jam në duart e kësaj kokëmushkës, që më thotë të bindem si një fëmijë. (E imiton sërish) “Ulu këtu, Ja, më shiko drejt. Hajde mbushu me frymë. Mbaje të lutem. Mbaje më shumë. Ashtu. Nxirre tani. Duhani! Po, po. Duhani të ka bërë blozë, të ka bërë. Dhe sa paketa ke pirë në ditë? Të vërtetën më trego. Dëgjove.” Dhe sikur mos të mjaftonte me këto: Urdhër. “Më dëgjo me kujdes. Asnjë cigare në buzë. Po të zura me cigare, jashtë nga spitali!”
Dhe unë rri si matuf dhe e dëgjoj. Dua të bërtas e ulëras, po nuk mundem, se ajo të mbyt me fjalë. Pa. pa. pa. Se ku i gjen gjithë ato fjalë dhe gjithë atë frymë. Pale si më tha. “E mos më rri si dhëndër në këmbë. Të dua shtirë. Regjim absolut.” E kush pa. Unë që një minutë nuk e kam dashur këtë shtrat, se më duket se më ha. Tani vetëm bebelinat më kanë mbetur pa më ndërruar.
(Rregullon ngadalë shtratin. Merr jastëkun në dorë dhe e vendos mbi komedinë. Heq çarçafët një e nga një dhe i lë mbi komedinë.
Më mirë po shtrihem se kush e dëgjon përsëri po erdhi këtu. Ja zëre se erdhi.
(Vendos dhe jastëkun mbi shtrat. E rregullon me dorë. Nxjerr prej portofolit një fotografi.)
Më tronditin sytë e saj. Ajo bluja e thellë që vetëm një herë i kam parë në jetë. Janë po ata flokë të zinj si pendët e korbit. Po ato buzë të kuqe sikur ende të vazhdojnë të puthen. Vetëm se kjo doktoresha ka një nishan mbi vetullën e majtë që nuk i dallohet se ia mbulojnë flokët. Sikur të jenë nënë e bijë duken. Të jetë vallë bija ime që kam kërkuar kaq vite e vite me radhë. Më duket e gjeta.
(Përqendrohet një çast. Mendohet)
Çfarë thua o rradake. Kë do të gjeje këtu? Atë? Ëhë, më duket paske rrjedhur keq. Po sa vite bëjnë që nuk e ke më në këtë jetë. Avash-avash do shkosh dhe ti atje. Në atë botë që trupi të gjen qetësinë e fundit. Atje do ta takosh, jo në këtë botë. Ajo, eh ajo... që më iku nga kjo botë sikur të mos kishte qenë kurrë.
( E fshin me kujdes fotografinë. E vështron. )
Atëherë ishim të rinj. Të bukur. Shumë vite kanë kaluar që atëherë. Shumë. Rrodhën si ujët e përroit që kalonte mbi shtëpitë tona. Atje buzë përroit, nën lofata ishte dhe shtëpiza jona. Sa e bukur që ishte. Ja kështu.
(Merr komedinën dhe e lëviz pak nga vendi.) Këtu kishim oxhakun, kurse këtu vendosnim enët e gatimit. Kurse këtu... (Merr karrigen dhe e çon diku në mes të dhomës.) Hahaha. Këtu ishte vendi ku ulesha unë, i zoti i shtëpisë. Kurse ajo me një cipëz të bardhë mbi krye, me një përparëse të vogël përpara fillonte dhe gatuante gjellët e drekës. Vetëm drekë gatuanim në shtëpizën tonë. Natën e braktisnim. Jo se nuk donim, por ishin kohë të këqija. Prindërit, sa vinte muzgu fillonin dhe thërrisnin emrat tanë. Na mblidhnin ku ishim e nuk ishim. Si puna e çobanit që mbledh bagëtinë e i fut në vath. Në atë shtëpizë të vogël ishte e gjitha bota jonë.
(Qesh me vete)
Mendoja se i kisha harruar. Ku dreqin i paskam ruajtur kaq mirë në mendje. Nuk thonë kot që njeriu harron të moshës së madhërisë, kurse të fëmijërisë nuk ia fshijnë dot.
Dale se po më kujtohen dhe ca të tjera.
Kur vija nga ullinjtë me ndonjë zog në dorë që e vrisja me llastika. Ja rrija te dera me zogun kapur nga krahu. (Ngrihet dhe me një shami në dorë në vend të zogut, pak serbes thërret.)
O grua, dil moj e prite burrin. Të erdhi nga gjahu moj e uruar dhe ti brenda që brenda. Nuk u mësove një herë me kollën time dhe me hapin tim. Po jam burrë që kur eci dridhet toka. Hajde merre. Dua të ma bësh një tavë me salcë të kuqe. Mos ma harron në furrë. Dua ta pi një filxhan raki sonte. Do që të ftojmë dhe tim vëlla? (Qesh përsëri me vete)
Ja një copë vend sa ky këtu ishte parajsa jonë. Ishte e gjithë bota për ne. Nuk na lejonin prindërit të largoheshim jashtë oborreve. Ishte kohë e keqe. Pas çdo ulliri mund të fshihej një armë që të merrte jetën në çast. Pas çdo kaçubeje mund të ishin me dhjetëra ushtarë që të çanin kraharorin me urrejtje. Nuk kishin mëshirë, ndaj nuk na linin prindërit të iknim jashtë asaj avllie. Vetë na çonin në shokë dhe vetë na merrnin. Kështu ishte jeta jonë atëherë. Fëmijëri me frikë në zemër.
(Nga jashtë dëgjohet një shpërthim fishekzjarrësh. Del në dritare.)
Janë fishekzjarrë gëzimi. Ndonjë ditëlindje a dasmë. Ose dhe ndonjë miting partish. Janë në modë tashmë. Kurse në zemrën time një shpërthim, si ky tani, ther shumë dhe më bën të më dridhet mishi dhe zemra të më lëviz nga vendi.
(Kujton)
Edhe atëherë ishim duke luajtur. Ishte një ditë shumë e bukur. Një çast dëgjuam disa të shtëna dhe më pas ulërima. Gjëmime dhe thirrje për të ikur. Kujtoj vetëm duart e nënës që na rrëmbyen. Rendim me vrap. Mijëra njerëz iknin. Lebetitje. Thirrje pa fund. Njerëz që iknin dhe vetëm iknin. Plumbat fishkëllenin nëpër natë. Kudo klithma dhe rënkime. Humbnin jetë njerëzish. Ne ecnim. Pa patur kohë për ujë, për bukë. Nga pas kishim lënë shtëpitë tona.
Kur mbërritëm në majë të një kodre nëna klithi plot vaj: “Nuk na vdisni dot për së gjalli. Oh zot na ndihmo të kthehemi përsëri në këtë rrugë. Kurrë mos e pafshi dritën e diellit në shtëpitë tona. Në trojet tona. Kurrë themelet mos iu qëndrofshin në lëndinat tona. Na ndihmo, o zot të kthehemi në këtë tokë”.
Atëherë kur mendonim se kishim shpëtuar atëherë vdekja rënkoi mbi trupat tanë. E humba të dashurën e jetës time, nënën time. Thirra mbi trupin e saj. Gishtat e mi kërkonin zemrën e saj. Kërkoja të ndjeja përsëri rrahjet. Me aq dhimbje dhe një stërmundim ajo hoqi varësen dhe ma vuri në dorë. Mbylli sytë, ndërsa nga kraharor iu shkëput një rënkim që sot më ngjan me atë të një mali. Kisha mbetur vetëm. Dhe ndiqja atë karvan që nuk e di ku shkonte. Nëpër atë rrugë të gjatë, që një zot e di ku do të kishte të mbaruar. Vetëm në veshët e mi arrinin fjalët “Edhe pak! Kujdesuni për fëmijët! Merreni në krah atë fëmijë! I ka këmbët gjak!”
(Vazhdon rrëfimin)
Të dy ecnim kapur për dore. Këmbët e saj ishim si të miat. Të gjakosura. Sytë e saj ishin të kuq si qershizat e majit. Ishte gjaku që kishte mbushur atë hapësirë. Kishte qarë, sa vetë ajo e dinte. Në atë fytyrë të vogël dhe të rrumbullakët si një mollë frika kishte zënë vend. I shtrëngoja dorën. E tërhiqja pas vetes. Mbi kokat tona ende dëgjoheshin të shtënat. I lutesha.
“Mos qaj. Dhe pak dhe mbërrijmë, do shpëtojmë”. Unë isha bërë si një burrë i madh në atë kohë. Kur vetë isha një fëmijë.
(Përplas duart me njëra-tjetrën)
Eh moj doktoreshë çfarë më bëre.
(Vazhdon të rrëfejë)
Ne ishim dy fëmijë të ardhur nga larg. U rritëm të uritur, të paveshur. Ne rriteshim dhe zbukuroheshim. Dukej sikur ne ishim dy të dashuruar. Kështu thoshin të gjithë rreth e qark nesh. Unë isha pak muaj më i madh se ajo. Por shtati im që mori përpjetë bënte që unë të dukesha shumë vjet më i madh se ajo. U bëra burrë më shpejtë se sa duhej. E di çfarë bënte. Në anë muri afër derës kishte vendosur shenjat e rritjes tonë. E saj ishte shënuar me një laps të kuq. Sa inat i vinte kur shikonte që kishte mbetur në vend. “Hajde matemi përsëri. Çoji këmbët afër murit. Mos u ngri në majë të gishtave.” Zgjatej mbi kokën time të vinte shenjën. "Mos i lëviz këmbët. Posi ore, do të rritesh me pahir. Ja kaq ke mbetur. Nuk je rritur. Pa më mat mua. Mos e ço më poshtë shenjën se të vrara. Hileqar je. Nuk je zgjatur fare. Posi ore posi. U rrite pesë centimetra ti brenda javës.
Ja matemi ndryshe. Afrohu këtu. Mos u ngri në majë të gishtave ore. Te supi. Ja të kam arritur dhe e kam kaluar supin tënd. Urra. Jam zgjatur dhe unë.
Rriteshim dhe ndjenjat tona bëheshin akoma më të bukura. E di si më tha një ditë. Ti duhet të martohesh. Unë? E përse të shkoi në mendje. Ti kërkon të më shikosh dhëndër? Po si mund të jem kur nuk kam nuse. Pastaj unë e dua nusen të jetë e bukur si ty, të ketë të gjitha gjërat si të tuat. Po nuk i pati nuk e marr. Ha,ha,ha,ha.
Çfarë? Çfarë?
Ti do të më gjesh një vajzë, më të mirë se vetja jote?
Po më premton se do të më çosh një yll në krah. Ha, ha, ha. Mos më gënje. Do të dalësh me qiri në dorë ta kërkosh. Si do bësh? Si i thonë atij që kërkoi njeriun. Hë, ma thuaj se nuk më vjen në mend. Hë pra. Diogjeni. Ashtu do të dalësh dhe ti? Me fener në dorë? Po ti nuk ke mjekër të bardhë. Do lodhesh kot! Nuk ka, po të them. Mos më kundërshto. Tjetër nuk ka në botë. E di që është vetëm një. Do ta dish kush është? Je vetëm ti. Dhe unë veç teje nuk marr asnjë për nuse. Por nuk e gëzova.
(Befas bie në heshtje. I thelluar në heshtjen misterioze rri pranë dritares dhe shikon natyrën. Asgjë nuk e tërheqë, as pamja e bukur e kësaj vjeshte e asgjë tjetër.)
Nuk ishte e lehtë për mua të përballesha me atë vdekje. Nuk kishte për mua as lumturi, as kënaqësi, as gëzim. U shuan, u tretën si një re dhe mjegulla mbuloi gjithçka. Gjithë thellësitë e shpirtit tim. Atëherë kur vdekja të mori ty. (I drejtohet shtratit që ka në dhomën e tij. Mbi shtrat ka lënë edhe pikturën e nisur.)
Unë nuk arrita të të hidhja një grusht me dhe. Unë kisha vdekur para teje. Më kishin futur në arkivol dhe varrosur për së gjalli. Unë ta shkatërrova jetën. Unë. Pas më le një fëmijë që kurrë nuk e mësova ku ishte. Kush e mori? Cila dorë e përkëdheli më pas? Çfarë emri i dhanë? (Dialogon me portretin) A e di sa e kam kërkuar? Të jam përgjëruar dhe te varri të më thoje një fjalë nëse e dije. Ku ishte vajza jonë. Vajza ime. Nuk thonë kot që fati i prindërve ndjek dhe fëmijën. Jetimë u rritën ne, jetime dhe ajo. Kushedi në çfarë befortofe e kanë çuar. Kushedi ku ka përfunduar. Oh, zot vetëm fatin e zi nuk ia kam dashur bijës time. (I drejtohet portretit) Më thua mos ta ndëshkojë veten? Gabohesh. E kam gur në zemër jetën e saj. Na e morën jetën, na e shkatërruan më keq sesa mund ta rrënojë flaka dhe plumbi. Më keq sesa bomba atomike që mund të kishte rënë në shtëpinë tonë. Unë do të mbyll sytë me brengën më të madhe që mund të ketë njeriun në jetën e tij. Ty që nuk tu gjenda në orët e fundit të jetës tënde. Dhe atë vajzë që me sy nuk e pashë asnjëherë të vetme. Sepse më kishin futur në atë arkivolin e zi.
(Mbështet kokën mbi shtrat. E përkëdhel portretin mbi shtrat. Përkulet mbi portretin dhe krijon marrëdhënie njerëzore)
Përse më tradhtove? Përse ma bëre me hile. Mos vallë ishe mërzitur me mua? Më thua të mos derdh lot? A e di sa e madhe është dhimbja këtu në shpirtin tim? Kurrë nuk e besoja se ti nuk ishe më në jetë. Që t’i treteshe nën atë tokë.
(Fshin lotët. E merr portretin në dorë. Fillon dhe punon mbi portret. Në këtë çast mund të përdoret dhe videoprojektori në të cilin tregohet puna dhe pasurimi i portretit me detaje të mëtejshme. Shton disa vijëza te flokët dhe te pjesa e qiellit. Ndërkohë që ende nuk janë ravijëzuar sytë dhe buzët. E lë mënjanë dhe merr në dorë përsëri fotografinë.)
Jam bërë si fëmijë. Nuk jam më ai që ke njohur dikur. Jam vetëm në këtë jetë. I tradhtuar. Ne dhamë fjalën që kurrë nuk do ta braktisnim njeri-tjetrin. I shpëtuam atyre plumbave dhe u betuam që do të ishim bashkë në jetë, deri në vdekje. Më tradhtove. Ike më parë se unë. Më le pas në vuajtje. Më shikon si jam bërë. Një palo plak që zihem me vete. Që mërzit të tjerët me fjalë koti. Që ankohem për gjënë më të vogël. Më dhemb këtu, më dhemb aty. Tani jam shtirë në këtë krevat. Më më marrin gjak. U mbush shishet me urinë. Më ka dalë cipa. Jam shushatur. Më dëgjon, nuk jam më ai burri që ke njohur.. Jo, jo. Mos kundërshto kot. Jam bërë si bebe. Më dëgjon, si be-be.
(Bie zilja e një alarmi. Shahini ngrihet dhe merr tabletat një e nga një dhe fillon ti pijë. Mbush gotën me ujë përsëri. Mban një kokërr të fundit në dorë. Para se ta pijë i flet.)
Më bëre të kujtoj dhe një herë jetën time. Ndoshta nuk do të kem kohë t’i kujtoj herë tjetër gjithë këto vite. Më lodhe sot, moj doktoreshë, dhe pse më thua shpesh “Të lutem mos e lodh veten me mendime koti”. Por a janë këto që flas mendime koti? Është jeta ime, o doktoreshë. Është jeta e të dashurve të jetës time.
(Nga jashtë vjen një muzikë. Shahini kthen kokën nga dritarja. E hap pak. E shijon për pak çaste, pastaj e mbyll sërish. )
Janë tinguj të bukur, por unë ka një kujtim të keq. Këtë këngë dëgjoja dhe atëherë. Me këtë valle kërcente dhe atë natë nëna ime. (Nxjerr varësen) Sa herë të kam parë në ëndërr me këtë varëse në gushë. Bëja vite që të kërkoja të më vije një natë në ëndërr. Po, po të jam lutur dhe më erdhe. Më kishte marrë malli të shihja qoftë dhe për pak çaste. Ta kam treguar si ta pashë por edhe mund ta kesh harruar. Me kostumin e festave ishe veshur. Ti gjithmonë ke qenë më e bukura ndër grari. Po edhe babai ishte. Ishte festë o nëno? Të thashë që e ke harruar. Ti ishe në krye të valles atë ditë. Ti e hiqje vallen përsëri. Pa le mandilin si ma rrotulloje. Ja, kështu. Atë të riun kishe në dorë. Më të bukurin kishe zgjedhur. Jo, jo nuk dukeshe e lodhur. Ti kërceje më bukur se të gjithë. Të bëj qejfin thua? TË betohem që nuk të gënjej. Atë ditë ti rrotulloje belin dhe harkonte trupin gati të prekje tokën. Të dëgjohej shumë e qeshura. Si gjithmonë. Bëje shaka dhe hopa vazhdoje vallen. Sa njerëz që kishte atë ditë. Po, po, atje ishit mbledhur, te Lëndina e trëndelinave. As vetë nuk e di nga kishin ardhur ata njerëz. E di sa varg i madh që ishte bërë në valle. Mijëra njerëzish që shtoheshin e shtoheshin. Sa bukur që ishte atë ditë. Rreth e rrotull lule, gjelbërim, flutura që përziheshin me njerëzit, zogj që nuk pushonin nëpër degët e pemëve. Oh, zot sa shumë njerëz në atë valle. Të gjithë këndonin pareshtur. Po përse atë ditë këndonin vetëm atë këngë. Këtë nuk kuptoja. Thuaj se ata njerëz dinin vetëm atë këngë. Njerëzia vazhdonte të këndonin “Tumankuqen”. Por me ty nuk e di se çfarë ndodhte nënoke. Beli yt sa vinte dhe bëhej akoma dhe më i hollë. Ti dukeshe se kërceje në ajër. Këmbët e saj nuk preknin më tokë. Ti mban mend që poshtë lëndinës një greminë. Po ti pse shkoje andej. Babai zgjati duart të merrte në krahët e tij. Të largonte nga ajo valle. Se buzë asaj gremine vdekja kishte folenë. Befas, në një rrahje qepalle ti u shkëput nga kreu i valltarëve. Fluturove drejt atij honi si një re e bardhë, si një flutur krahëhapur. (Bërtet) Mosssssssssssss. Të gjithë bërtitën, kurse mua më zgjoi zëri yt: “Bir mos e harro amanetin”. (Psherëtin dhe vendos dorën në zemër. Duket që ka një shqetësim. Merr një gotë dhe pi pak ujë. Më pas lag një shami dhe freskon ballin. I nxjerrë gjërat që ka brenda. Çibukun e babait. Një shami të bardhë.) Edhe babain e kam dashur të vijë në ëndrrat e mia. E kërkova dhe atë vite me radhë. Nuk më erdhe. (Me çibukun e tij në dorë)
Më ka marrë malli të shikoj tymin që dilte nga buzët e babait. Kur përdridhej nëpër ajër dhe unë përpiqesha ti kapja në duart e mia ato re herë të bardha dhe herë kaltëroshe. Më merr malli dhe për zërin e tij. Më mbeti larg. Atë ditë e pashë për herë të fundit në jetën time.
(Tund çibukun në dorë. E vë në buzë. Bën sikur e thith dhe nxjerr tymin.)
Dhe për çudi ky çibuk më mbeti edhe mua në dorë. Atë ditë kur tim at e sollën të vrarë në shtëpinë tonë. E vendosën mbi gurin e madh të oborrit. Aty i ra. Aty e mbështolla dhe unë në dorën time. Ja, e kam edhe sot. Por nuk kam kujt tia lë amanet të ma ruaj. Sa shumë amanete kam për të lënë në këtë jetë. Shumë.
(Kalon varësen nëpër duar.) Ja, edhe ky. Është një amanet që duhet çuar deri në fund. Po do ta rrijë vallë? Vitet po më mblidhen si litari në çikrik dhe uji i pusit sa vjen e po më shteron. Po sikur të mos vete andej? Amanetin thonë nuk e tret as dheu.
Nuk e di as sa do të rri këtu në spital. Të paktën të kisha folur me ndonjë nga shokët. Ata do ma gjejnë një rrugë për të më çuar qoftë një herë të vetme andej. Të paktën ti prek me duart e mia për herë të fundit. Pa,pa,pa,pa. Sa punë më prishi kjo doktoresha. Nuk i marr vesh as ilaçet që po më jep për të pirë. Ore mos mban sytë për ndonjë lekë ajo. Bën interesanten dhe mbase pret që t’ia fus në xhep pa u ndjerë. Po edhe këtë e bëjë. Vetëm e vetëm të më nxjerrë sa më parë nga kjo dhomë. Më mirë po vete ta takojë vetë.
Sa lekë ti jap. Ja të shoh sa kam me vete. Kaq boll i ka. Nëse i merr këto do të thotë që e dashka lekun. U pa puna. Do ti jap dhe të tjera. Nuk ka mbetur kot ajo fjala po nuk u lye rrota nuk ecën qerrja. (Matet te vesh një bluzë lart mbi atë të pizhameve.)
Ta vesh dhe këtë se po më pa hollë, hajde kush ia duron ulërimat. “Ku vete ti kështu. Më rroftë mua që kujdesem për ty. Tani më duhet të mjekoj dhe për ftohmë.” Bobo. Çfarë njeriu që e ka bërë zoti.
(Shikon veten në pasqyrë. Fillon dhe kreh flokët. Rregullohet) Si më tha? Qenke dhe plak simpatik. Epo ku u bë dhe ajo të tallet me mua. Çfarë të bëj që më zuri në këtë moshë se ta tregoja unë simpatikun ty.
(Troket dera e dhomës së tij. )
Epo nuk thonë kot. Kujto qenin bëj gati shkopin. Erdhi vetë. Vetëm ajo i bie derës kur futet në dhomë. Kurse këto të tjerat sikur futen në stallë lopësh.
(Bie dera përsëri)
Hyr! (Nuk futet njeri. Përsëri troket dera.) Hajde të them. Ohu. (Shkon ta hapë.)
(Shtanget.) Ti? (Mbyll derën me forcë.) Mos t’i pafsha sytë.
Kthehet në dhomë. Ulet në krevat. Futë gishtërinjtë nëpër flokë. Kap kokën me dy duart më pas. Tepër i shqetësuar.
Ke ditë që më je qepur. Nga dreqin të njoha. Po pse nuk po më ndahesh? Të thashë. Nuk dua të më shikosh në këtë dhomë. Me këto rroba. Kurrë.
Tani po që do të iki!
(Fillon dhe mbledh gjërat e tij një e nga një. I merr të gjitha me radhë.)
Ai pret grahmat e fundit të jetës time. I pëlqen kur njerëzit japin shpirt. Është i sëmurë nga truri e kokës dhe merr dhomat një e nga një. Çfarë dreq njerëzish mban kjo tokë mbi vete. Ankohet tjetri se është sëmurë. Se është duke vdekur, por nuk ikën pa marrë dhe të tjerë me vete. Do iki nga sytë këmbët. Nuk duhet ta katandis veten deri këtu. Po më erdhi tani do ia thyejë kokën me këtë varëse rrobash.
Ja kështu... (Merr varësen e rrobave dhe qëllon mbi krevat fort, fort).
Kështu kam dashur ta qëllojë fort një herë të vetme dhe atë. Atë që më nxiu jetën dhe më bëri një grusht njeri.
(Kujton)
Atëherë isha ushtar në një repart tankesh. Si tani e kam para syve atë ditë. Shoku komandat jam gati për pilotim. Po, po dhe tanku është pastruar në çdo drejtim? Çfarë? Nuk jeni i kënaqur me pastrimin e zinxhirëve? Unë u përpoqa dhe them se kam bërë më të mirën shoku komandat. Ka akoma për t’u pastruar më në thellësi? Po aty vetëm një furçë mund të futet.
(Me te qeshur)
“Mbase vërtetë nuk është pastruar, por do një furçë prej mustaqeve të Stalinit dhe të bëhet fare xixë dhe në zinxhirë”.
Shaka bëra shoku komandant. Më beso që shaka bëra. Nuk e kisha me të keq. Të betohem për shpirt të nënës.Po nuk e dëgjoi njeri-tjetër. Ja vetëm, unë dhe ti jemi. Si? Unë armik? Çfarë është kjo fjalë që po më thoni shoku komandant. Të lutem komandant mos u nxeh kaq shumë. Të betohem për eshtrat e prindërve që po i tret dheu. Nuk është e vërtetë që vetëm lëkurën kemi për këtë vend, kurse kokën dhe zemrën për ata matanë kufirit. Po çfarë më thua komandant. Andej ma masakruan nënën dhe babain. Atje motrën ma përpinë flakët. Qindra fëmijë, pleq, burra e gra u bënë copë e çikë nga plumbat në atë fillim qershori. Në fshatin tim gjaku arriti në gju. Ti e di shumë mirë se çfarë ndodhi me ne komandant.
Nuk jam armik! Askush nuk do ta besojë këtë që thoni. Ju më arrestoni por dijeni se po bëni një veprim të nxituar. Shok përse heshtni. A më keni dëgjuar të shajë ndonjëherë këtë vend? Nuk jam i pabesë komandat. “Unë erdha nga andej, por Shqipërinë e dua”.
(Vazhdon rrëfimin me dhembjen më të madhe)
A e dini ku kam jetuar? Në një katror ja kaq sa kjo tryezë. Asnjë rreze drite. Errësirë.
(Kujton)E dini çfarë më kanë bërë. Më kanë lidhur në një karrige, si kjo këtu. Këmbë e dorë. Më pyesnin nëse kisha dhe bashkëpunëtor të tjerë. Sigurisht që kam? Doni ti dini cilët janë? Është një listë e madhe për të shënuar. Bashkëpunëtorët e mi që më kanë ndihmuar të dua këtë vend janë prindërit e mi. Motrat dhe vëllezërit. Janë shokët e shoqet e lagjes. Të shkollës. Janë shokët e mi këtu në këtë repart ushtarak.
Nuk kam se si ta harroj atë ditë gjyqi. Përballë meje komandanti dhe dy-tre ushtarë të kërcënuar me fatin tim. Me kokën ulur më akuzonin se isha armik dhe urreja këtë vend. I shihja me dhimbje ata shokë me të cilët kisha ndarë dhe kafshatën e bukës. Kishim veshur edhe bluzat e njeri-tjetrit. E njihnim dhe erën e djersës së njeri-tjetrit. Unë isha bërë armik i rrezikshëm. Kur mbaruan së foluri komandanti dhe ushtarët e tjerë në këmbë u ngrit ai, prokurori.
Kundërshtova. Jo prokuror! Gaboheni dhe ju si komandanti im. Si këta shokët e mi që i detyruan të jenë në këtë sallë. Se kjo është toka ime që më ka rritur. Edhe pse koka më ka rënë atje, ky vend është atdheu im, nëna ime. Nuk kam sesi të jem i shitur dhe kurrë nuk do të pranoj ta bëjë në jetën time. Shoku prokuror! Dua të them edhe një fjalë. Mendoni vërtetë se jam i shitur? Plagët e mia ende janë të pambyllura. Nuk e di ku është varri i nënës dhe babait. Për këtë e kemi kokën të kthyer pas. Plumbat e kanë bërë shpirtin tim të kullojë gjak. Më dëgjon prokuror. Nuk kam si të jem i shitur. Unë e dua këtë vend, ndoshta edhe më shumë sesa ti”.
Unë, armiku, u dënova me pushkatim. Por plumbat këtë herë nuk erdhën te unë. Vetëm vite burgu. Aty mësova pikturën. Në birucën time i kisha të gjithë të mitë edhe ato: motrën dhe gruan time. Atje nuk mi morën dot. I kisha më mendje dhe zemër, i ruaja në sytë e mi. Sa e sa herë kur më merrte malli e shuaja duke filluar portretet e tyre nga e para. Pastaj i flisnim njeri-tjetrit dhe shuanim atë detin e mallit që na përvëlonte shpirtin.
(Ka mbledhur thuaj të gjitha rrobat kur fillon përsëri sinjali që e lajmëron përsëri të pijë ilaçet.)
Helm më mirë. Mos të mbetem më në këtë faqe dheu. (E merr aparatin në dorë dhe e shikon me inat).
E përsëri duhet ti marrë këto ilaçe. Përse? E për çfarë më duhet më jeta. Të vuaj. Të më shkelin me këmbë këta që kalojnë korridoreve, si dikur. Për çfarë më duhet më jeta. Më thuaj. (E hedh mbi krevat.)
Mos ta dëgjoj më cicërimën. Nuk më duhesh më. (Vazhdon të mbyllë çantën. Matet të lidhë këpucët. Në çastin e ngritjes ndjen një therje të fortë. Lëshon një zë.)Ouuuuuuuuuu.
(Çon dorën sërish në zemër dhe duke u mbajtur anas krevati kërkon të guitjen mbi të, por rrëzohet përtokë. Një rënie dhe pozicionim që të kujton një të vdekur. Një fikje dritash që nënkupton humbjen e vetëdijes së tij. Më pas një ardhje gradualisht e ndriçimit në dhomë dhe më pas trupi i tij që lëviz ngadalë. Përpiqet të ngrihet dhe të zërë vend në krevat.
(Dëgjohet një fëshfërimë në dhomë. Ajri mbushet me cicërima zogjsh. Me hapa njerëzish. Në sytë e plakut shfaqet vdekja. Me kosën në dorë që pret jetë njerëzish. Më pas e qeshura e saj plot piskama dhimbje. Ai i drejtohet me nervozizëm dhe urrejtje.)
Erdhe? Kaq shpejt? Apo ishe prapa derës dhe më përgjoje? Ti më dëgjon sesi mbushem me frymë? Apo me veshët në mure përpiqesh të dëgjosh të rrahurat e zemrës time. Ja, vendose dorën. Këtu, këtu. Në kraharor. E shikon që jam akoma gjallë. Zemra më rreh ende. Ti shpreson të më marrësh pa çuar në vend atë amanet?
(E kundërshton plot inat)
Harroje, po, po harroje. Shporru. Dil jashtë që këtu. Jashtë të them. Si nuk do të falësh. Epo atëherë po të nxjerr unë. Ja prej lesh koke do të kap. Të kapa, mizorja e poshtër. Nuk më tremb me këtë kosë që mban në dorë. Ty të them. Nuk ta kam frikën. Dil të them. (Bën sikur shtyn dikë. Përleshet.)
Nuk dorëzohem! Vërtetë jam plak, por jo aq sa të më vësh ti poshtë. Kur të dua unë. Kam akoma rrugë për të bërë. Vërtetë këmbët më dhembin, por jo aq sa të mos lëviz nga vendi. A nuk e shikon se sa rrugë kam për të bërë. Moj qorre. Virane. E shpëlarë që të shpëlaftë dreqin në ato humnera nga fut kokën. Ah sa jetë ke sterrosur. Por mua, jo. Nuk ta lë lëndinën akoma ta presësh sipas qejfit tënd. Ja, dhe një herë. (Përleshet sërish.) Të zhduka. Dhe mos guxo të kthehesh në dhomën time. Nuk ka vdekje për mua këtu. Shpirti do të më dalë atje, atje ku dua unë dhe jo ku do ti.(Tregon me gisht) Atje. Se më presin. Andej nga po shkojnë të gjithë këta të tjerët. Do të nisem dhe unë për rrugë. Atje u lindën, këtu u rritëm, por duam që shpirti të na prehet ku qamë për herë të parë. A nuk e shikon që të gjithë janë nisur për tokën e tyre. Nuk ka më forcë që ta ndali. Erdhi ajo ditë që çdo zemër e donte. Nuk ka më kufij!
(Dëgjohet sërish një tjetër zhurmë. Plaku mblidhet dhe fërkon dorën.)
Ou... (Vdekja është kthyer befas dhe kërkon ta godasë dhe ti marrë jetën) Ah moj e pabesë. U ktheve sërish. Gjithmonë para krahëve je mësuar të godasësh. Por prapë nuk më more dot me vete. Kosa jote gjithmonë kështu pret, tinëz. Por jo këtu te unë plaku. E mua jo. (Fërkon dorën.) Nuk u ngope asnjëherë me gjakun tim.
(Kujton përsëri)
Kështu rridhte dhe gjaku i atij. Erdhën nga Kosova. Kishin shpëtuar nëpër errësirë dhe mbërritën gjallë në këtë tokë. Edhe ata kishin lënë pas gjithçka. Kishin lënë shtëpitë e tyre, por kishin lënë dhe njerëzit e zemrës që plumbi iu kishte marrë jetën. I mblodha në shtëpinë time. Dhjetë frymë në një shtëpi të vogël. Atje i mbajta ata njerëz. Për muaj me radhë. Trupat e tyre ishin gjithë plagë.Dhe ai ishte përleshur me vdekjen. Ia mjekoja çdo ditë dhe gëzohesha që i shërohej. U mësova me ata njerëz dhe e dini sa kam qarë kur ikën. Ikën se vendi i tyre ishte i lirë. Shtëpitë e tyre vërtetë i kishte shkrumbuar flaka, por themelet i kishin në vend. Nuk thonë kot që historia përsëritet.
(Shikon dhomën anës e përqark.)
Çfarë po ndodh me mua në këtë dhomë. Mos vallë më sollën enkas këtu për të matur kujtesën time. (Fillon dhe kontrollon muret me duar)
T’i kenë futur ndonjë pajisje në mure që ngacmojnë kujtesën.
(Hipën mbi karrige. Kontrollon edhe në llambën.) Jo këtu nuk ka asgjë. Ku dreqin ta kenë fshehur. Nuk ka mundësi që truri im të çakordohet dhe të shkarkojë gjithë këto kujtime. Po ajo atje, çfarë të jetë. (Tregon më dorë në një tjetër qoshe të dhomës) Më duket e gjeta.
(E merr karrigen dhe shkon në qoshe të dhomës.)
Çfarë ti ketë këto fletë. Më duket si helikë. Të jenë kështu kamerat përgjuese. Jo. Kamerat janë me një sy në mes. Ato ta vjedhin gjithë jetën.
(Zbret nga karrigia)
E kujt i duhet jeta ime tani. Në këtë moshë. Me këto palo kujtime që vetëm lodhje kanë brenda tyre. (Tregon përsëri me gisht.) Hajde mendje, haje. Ajo lart nuk është kamerë. Po shpërndan ujin në rast zjarri në dhomë.
Ha-ha-ha-ha! E po të bjerë zjarr tani. Punë e madhe se u dogja brenda. Nuk më dhimbset më kjo jetë.
(Kërcet dera ngadalë. Plaku ngrihet. Egërsohet)
Po prapë ti more? Zhduku more palo njeri. Nuk më gjen gjë. Nuk e jap shpirtin tim në këtë dhomë. Dëgjove? Shko dhe thuaja dhe atyre që të kanë dërguar. Nuk vdes këtu! Do të bësh pazar me vdekjen time. Patjetër që je sekser i varrimeve. Të lënë ndonjë lekë ata të funeraleve ti lajmërosh të sjellin arkivolin këtu në spital. Pa do të fitosh dhe nga kostumi që do më veshin. Nga këpucët. Dhe nga brekët po mi veshën të reja, do të nxjerrësh fitim. (Pështyn plot nerveri dhe urrejtje në drejtim të derës) Kafshë me fytyrë njeriu.
(I tronditur. Me duart që i kalon nëpër flokë. Vjen vërdallë nëpër dhomë.)
Nuk kam për të vdekur këtu. Kurrë. Jo këtu, nuk më del xhani. Mos mbani sytë.
(I kthehet sërish portretit)
E shikon se çfarë po bëjnë me mua. Po më poshtërojnë. Si the? Të mos dorëzohem? Se jam burrë i vërtetë. Një mut jam. Ja kështu si të them unë. Ti do ishe çmendur me këto që po më bëjnë këtu. Pa le ajo që më hyn e del orë e çast në këtë dhomë. Nuk e di në e ka vërtetë merakun për shëndetin tim. Apo e ka zënë meraku për ato që kam me vete. Ose i kanë thënë që rrënjët i kam nga andej dhe kushedi çfarë plani thur me veten e saj. Kushedi çfarë mendon se ka brenda kësaj kutie. Ndoshta ndonjë hartë ku janë fshehur pasuritë. Janë bërë njerëzit qenar të lekut sot. Iu desh shpirti për të qenë të pasur. Nuk ka më sinqeritet sot. Vetëm mashtrues dhe zhvatës. Nuk kanë moral. Iu qan syri për pasuri.
(Vendos dorën në gush. Prek portofolin.)
Po, po. Për këto e ka zënë meraku. Nuk ka si të ndodhë ndryshe.
(Peshon qesen me gjërat që ka brenda) Dhe i vdekur të jem me vete do ti kem përsëri. Po, po se është jeta ime brenda tyre.
(I kthehet sërish portretit)
Të qetësohem? Po ku ka qetësi për mua tani. Vetëm kur të vijë pranë teje do më bjerë shpirti në qetësi? Si? Kam një rrugë për të bërë? (Mendohet)
Po, po e vërtetë. E kam një rrugë për të bërë. E kishe lënë amanet me gojën tënde. Atje do t’i mbledhim eshtrat tona. Të premtoj që do të shkoj edhe në grahmën e fundit të jetës po të jem.
(I drejtohet portretit sërish) A më dëgjon o zemra ime. Është jeta jonë andej. Atje nga dielli nxjerr synë e tij. Kemi lënë arat, livadhet, trojet, malet, luginat e gurrakrojet… Atje do të shkoj. Atje ku vallen e jetës nuk e ndërprenë as plumbat, as flakët. (I drejtohet përsëri portretit të saj)
Se vallja jonë mbeti brez pas brezi. Se gjuhën tonë as vdekja nuk e zhbëri. Këtë mos harro, zemra ime. Se nuk ka vdekur toka jonë, që të vdesim edhe ne, zemra ime. (I drejtohet portretit)
Ngrehu jeta ime dhe ma kërce vallen tonë!
(Ngrihet dhe bën një lëvizje të valles. Kërcen...)
Ho-opa. Ho-opa.
(Përsëri çon dorën në zemër. Si duket ajo ka rrahur në aritmi përsëri)
Por, ti zemër nuk do më tradhtosh.
(Vendos përsëri dorën në zemër)
Të paktën derisa të lindë dielli. Duhet të shkojmë andej nga erdhëm.
(Vazhdon dialogun me portretin)
E kujton e dashur sa herë më thoshe me sytë të kthyer atje kur era sillte jehonën e zërave tanë të lashtë.
A e kujton sa herë më pëshpëritje “Ja atje. Atje është toka jonë. Është gjaku ynë. Është gjuha jonë. Janë eshtrat e të parëve tanë që një ditë presin të dëgjojnë zërin tonë. Kur do të shkojmë? Kur do të prekim sërish ato pragje? Më thuaj?” Më flisje t’i zemër. Dhe unë dorën vendosja te ty, ja si sot.
(Ia vendos dorën në sup, aty në portretin e përfunduar)
Të besova zemër. Nuk ta tradhtova asnjëherë ëndrrën tënde të bukur. Ëndrrën tënde të shenjtë. Ja, atje nën ata ullinj do të ulem sërish. Do të më dhëmbin gjunjët nga rruga e gjatë. Djersët do të më mbulojnë. Është e gjatë rruga kjo e jona.
Atë rrugë askush nuk arriti ta fshinte nga zemra ime, nga shpirti im. Nga mendja ime. Ajo mbeti udha e ardhjes dhe e kthimit. Sa e sa herë kam ecur nëpër atë rrugë. Me një fëmijën të vogël zënë prej dore që më thoshte “Ja këtu do të ecim”, dhe shtrinte dorën përpara. Ja, këtu do të pushojmë pak . Por nuk ishte pushim, nuk ishte shlodhje. Në atë vend nëna kishte dhënë shpirt. Aty ishte varri i saj. Aty buzët e saj kishin shqiptuar për herë të fundit emrin e atij djali të vogël. Ishte i vogël, por lodhje nuk kishte. Më merrte prej dore, mua burrin e madh dhe më tregonte se ku dihet të vija këmbën. Se ku duhet të mos ktheja kokën. Dhe unë e ndjeja atë fëmijë brenda vetes. Sa rrugë e bukur që ishte. E gjatë. Me dritë. Me duar që zgjateshin të më takonin pafundësisht. Që gëzonin dhe pëshpëritnin vetëm fjalët “Erdhët! Erdhët! Oh sa qenkeni rritur”. Dhe djali i vogël më rrotullohej rreth e qark. Mes gëzimit marramendës përplaste duart e tij të vogla. Hidhej përpjetë me tërë fuqinë e tij fëminore. Gati thërriste në kulmin e gazmendit të tij “Erdhe! Erdhe dhe ti!” Më gëzonte mua, burrit të madh, ai djalë i vogël që nuk e kishte harruar kurrë atë rrugë. Që e kishte bërë për herë të parë kur ishte fëmijë. Dhe tani e bënte me këtë burrë të madh. E kuptoja që ai fëmija i vogël isha unë. Unë dhe ju të gjithë. Që zemrat i kishim lënë peng në atë tokë që përzhitja e rilindi më të bukur. E bëri më të fortë, më krenare. Ishte amaneti që më merrte në krahët e tij dhe më çonte me dhjetëra e mijëra herë në atë tokë. Në atë shtëpi.
a ime.
(Hap sytë dhe përsëri i drejtohet portretit)
Nuk do ta lë amanetin tënd pa e çuar deri në fund. Se nuk është vetëm i yti. Është amaneti ynë. Unë mbeta këtu për të mos tradhtuar kurrë atë fjalë. Kurrë nuk zhbëhet fjala që të kam dhënë. Unë e di që zemra po më tradhton. Por nuk do të më braktisë. Dhe kur, sot?
(Shoqërohet me pamje filmike nga natyra. Bregdet, ullinj, qiell, diell. Pamje piktoreske në lëvizje.)
Në këtë kohë kur era fryn nga kthimi ynë. Unë kam vite që e pres këtë kohë. Këtë mot. Kam vite që e kam bluar mallin tim në shpirt.
(I drejtohet zemrës përzëri. Vendos dorën në kraharor)
Jo tani zemër. Tani nuk do të më lëshosh. Tani do të bëhesh dhe më e fortë, se më duhesh.
(Nga dritarja e dhomës fryn një erë që valëvit perdet)
Ne asnjëherë nuk e kemi braktisur njeri-tjetrin. Ne do të shkojmë të dy së bashku zemër, atje në tokën tonë të lashtë. Dhe zvarrë do të hiqem. Me thonj do të eci vetëm që të prehem atje, në tokën time. Dhe nëse nuk mundem, amanet do ta lë për atë ditë. Nëse nuk do mundem të shkojë i gjallë, eshtrat e mia le të prehen nën atë kurorë ullinjsh, ku janë dhe të prindërve të mi. Atje ku gjaku im kurrë nuk është bërë ujë. Atje dua të jem. Me duart tuaja të më çoni. Dhe nëse gjallë do të jem atë ditë. Atëherë... Ah, atëherë!
(I drejtohet përsëri zemrës së tij në kraharor ku edhe vendos dorën fort.)
Atje zemër do të kërcejmë dhe këndojnë nën diellin tonë dhe me fuqinë e zemrës do të themi:
“O dashuria e madhe e jetës tonë. O tokë e diellit dhe e hënës.
Sa na kishte marrë malli o toka jonë!”
(Muzikë. Një erë e fortë fryn akoma nga dritarja. Një dritë e fortë ndriçon dhomën, pastaj fiket menjëherë. )
Fund
Abonnieren
Kommentare zum Post (Atom)
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen