Sonntag, 29. Juni 2014

Sali Bollati - Si e pashë Çamërinë time


Si u riktheva dhe e pashë Çamërinë time

/ Yllyriapress.com  06/27/2014 - 12:18 AM /
 
U nevojitën mbi 66 vjet për t’u kthyer në vendlindje, në Paramithi të Çamërisë. Atëhere unë isha vetem 7 vjeç, ndërsa bashkëshortja ime Bule Pronjo 6 muajshe dhe djali i tezes Dr. Tahsin Demi ishte vetem 3 muajsh, kur humbem baballaret tane. Pra unë si më i madhi ende kam të pashuar në mendje vrasjet, masakrat dhe vuajtjet që shovinistat grekë ushtruan mbi gjyshin Muharrem 82 vjeçar, gjyshen-Rukije 72, babain Ibrahim 52, nënën-Betulla 36, vëllezërit Ferhat 13 vjeç Faruk 5 vjeç dhe motrën Makbule 2 vjeçe. Ato bashkë me mbi 600 paramithiotë të tjerë humbën jetën se ishin Shqiptarë. Ndërsa unë me motrën Qerime 10 vjeçare vuajtëm burgun deri në Dhjetor 1944 kur na përzunë me dhunë dhe ushtarët anglezë na transportuan për në Shqipërinë mëmë. Kështu do të përpiqem të tregoj se ku janë tokat ku prindërit tanë kishin ngritur kullat e sarajet e ku kishin lindur
Në Shtator të vitit 2010, vetëm në sajë të pashaportës Amerikane, ngase autoritetet greke nuk lejojnë akoma të marrin viza hyrje ata shqiptarë që kane lindur atje, na u bë e mundur bashkë me time shoqe Bulin të vizitojmë Çamërinë tonë. Me të kaluar Qafën e Botës, me lotë në sy, hymë në Tokën e Bekuar. Përshtypja që të bie menjëherë atje janë ullinjtë e pafund dhe për çudi ato mbanin më shumë kokrra ulliri se sa gjethe. Çamëria është një krahinë aq e pasur dhe bukur sa vetëm kodra të gjelbëra me ullinj e pemë frutore, livadhe ku kullosin bagëtia dhe det me ujë të pastër si kristali të zë syri në Filat, Paramithi, Prevezë, Margëlliç, Pargë, Gumenicë e ngado të shkosh.
Pushimin e parë e bëmë në Filat. Midis shumë shtëpive të porsa ndërtuara sheh shtëpia të vjetra, gjysëm të rrënuara. Aty në qendër, para gjimnazit në një lulishte të bukur ishte një kafene. U përpoqa të flas shqip, por kamarieri na thotë se nuk është vendas. Pastaj vamë në Paramithi. Shtëpia ishin ndertuar shumë, por Kulla e Bollatatëve qëndronte në krye të qytetit. Kjo Kullë mesjetare jo vetem se ishte rimëkëmbur, por është kthyer në Muze të Paramithisë. Fatekeqësisht atë ditë ishte e mbyllur. Pranë saj qëndronte shtëpia ku kam lindur, ende sot e banuar por nga banorë të paligjëshëm. Portali i lartë prej guri i derës së oborrit nuk ekzistonte më. Në vend të tij një derë hekuri e mbyllur me çelës. Asnjeri nuk dukej. Në livadhin ku luanim bashkë me moshatarët Rexhepin, Mitatin, Mihalin e Janin kanë mbirë shkure. Ndërsa ullinjve dhe fiqve të shumtë bashkë me kopshtin e zarzavateve që rrethonin shtëpinë tonë iu mungonte kujdesi dhe duart e ngrohta të dikurshme; janë kthyer në shkurre dhe ndërtesa.
Me Tahsinin shkuam te vendi që ishte shtëpia e lindjes se tij. E mbaj mend se ishte prane konviktit të gjimnazit. Aty dukeshin disa rrënoja murri të trashë, por ishte ngritur një shtepi e re që e zonja e saj na tha se ishte e ardhur në Paramithi e nuk dinte se e kujt ishte toka. Pyeta një plakë se ku banon Lefteri, djali i Spiro Muselimit që në librin e botuar më 1974 dhe 1997 “Vështrim historik nëpër Çamëri (Istoriko peripato ana tis Thesprotia)” shkruan se Dinejtë, Pronjatët, Bollatatët, Manoplejtë dhe Kasimatët në Paramithi ashtu si edhe Caparejtë e Rojbatët në Margëlliç janë familjet më të dëgjuara të bejlerëve dhe agallarëve në Çamëri. Fatkeqësisht edhe ajo plakë e zbritur nga fshatrat malore nuk pranoi të tregonte.
Ndërsa me ime shoqe Bulin kaluam në rrugën që ishin Sarajet e Pronjatëve, ato të Islam Pronjos që kishte luftuar bashkë me Gjo Lekën në malin e Melesinit kundër turqëve duke qenë vëllame dhe mbrojtes i Çamëve Suliotë. Në muret e shtëpive të vjetra që ende qëndrojnë janë të mbështetura ndërtime të reja, por nuk doli njeri për të pyetur. Në British Museum të Londrës para disa vjetësh gjetëm të shfaqura 19 skulptura bronzi të shekullit IV e.s., të cilat shoqëroheshin me fjalët: ”Në vitin 1792, disa fshatarë shqiptarë pranë Paramithisë zbuluan këto skulptura të mahnitshme”. U përpoqem të gjejmë në tokat e Pronjatëve në Libon vendin e quajtur “Gropa” ku ishin zbuluar ato skulptura, por nuk arritëm.
Kryexhelati i masakrave të Çamërisë, Napolon Zerva, kapardisej duke i shkruar më 1953 një bashkëbanditi të tij Niko Danit: “Duhet të krenohemi që zhdukem nga qafa e helenizmoit Shqiptarët moslemanë të Çamërisë”. Vazhda e kesaj ”krenarie” ishte e është zhdukja e gjurmëve dhe heshtja ndaj atij barbarizmi mesjetar. Të gjitha vorrezat e vjetra prane ish 9 xhamive të Paramithise (xhamia e fundit, ajo e Bollatateve është prishur më 1952 – vërteton Spiro Muselimi), janë shkatërruar duke ndërtuar shtëpia dhe rrugë. Ndërsa mbi gropën ku ishin hedhur trupat e mbi 600 viktimave të genocidit grek të Qershorit 1944 është shtruar një fushë basketbolli. Hidhërimi më i madh për njeriun e gjallë është kur nuk gjen vendin e prehjes së të parëve të tij, duke mos patur mundësi të vejë një tufë lule për prinderit e të dashurit që megjithëse të lindur e rritur në shtëpijat dhe pronat e tyre mijravjeçare nuk u lejohet një varr për pushim të përjetshëm. Me këtë brengë të madhe, plagë të pashëruar, u larguam për së dyti herë nga Paramithia jonë!
U nisëm për Pargë. Parga si qytet bregdetar ka një pamje të hatashme. Me shtëpijat ngjitur me njëra tjetrën dhe me rrugicat me kalldrëm nën kalanë e bukur mesjetare është mbushur me njerëz, vendalinj e turista. Darkuam në restorantin e Grigorit që bashke me vellain e tijë Thimion na flisnin shqip. Ashtu si gjuha që bisedonim edhe ushqimet e pijet që na shërbeniun na bënë të harrojmë sado pak Paramithinë e heshtur martire. Janë nga Rrapeza, fshat afër Pargës. Këtu jeta nuk pushon deri orët e para të mëngjesit.
Të nesërmen u ngjitëm pranë Kalasë në të ashtuquajturin Pazari Turk; aty nuk dallohen mirë dyqanet nga shtëpijat dhe njerëzit janë shumë të dashur e mikpritësa. Duke ecur e biseduar na afrohet një burrë i moshuar. “Unë jam Panua nga Shën Djella (sot e quajne Aja Qirjaqi), fshat këtu afër Pargës. U dëgjova që flisni gluhën tënë, e mirë se na keni ardhur”. Ne në fshat të gjithë këtë gluhë flasëm, bile edhe me priftin ashtu meremi vesh. Këtu m’u kujtua se Peshkopi i Çamërisë që më 1877 kishte përkthyer Dhjatën e re në shqip, meqenese të krishterët çamë nuk e kuptonin meshën në greqisht. Faktikisht në Çamëri, ashtu si edhe në krahinat e tjera si moslemanet ashtu edhe të krishterët ishim të gjithë shqiptarë. Bile jo vetëm që ishin shpesh herë vëllamë me njëri tjetrin por edhe martoheshin.
Kur e pyetëm Panon në se e kishte njohur një Veli Manzuranën këtu në Pargë, ai iu drejtua një gruaje edhe ajo e moshuar, në shqip. “Moj Vasilikë pa fole me këta se diçka duan të dijnë”. U afrua Vasilika dhe na përshëndeti. Kur e pyetëm ajo me mallëngjim të madh na u pergjegj: “Ç’më piesni, unë me Hysnijen motrën e Qamilesë, gruas se Veliut, kemi qenë shoqe të ngushta”. Dhe Vasilika na tregojë se si më 1944 Qamileja kishte vajtur dhe nxorri nga burgu i Paramithise dy motrat e saja me të vogla Feton e Dilen, të cilat me vonë u martuan me shqiptarë nga Korça, të ardhur enkas nga Australia. Por Qamileja e varfër, vazhdoi Vasilika, kujtonte gjithëmonë vëllain e shkretë Nelon, që e kishin vrarë grekërit në Paramithi dhe pati lënë nje djalë 3 muajsh. Duke e dëgjuar rrëfimin e Vasilikës, m’u rrënqethën mishtë dhe i tregova asaj se ky doktori i pashem pranë është ai djali 3 muajsh që e ruajti dhe e rriti nëna e tijë shumë e dashur dhe e nderuar, tezja ime Zybideja. U përqafua Tahsini me Vasilikën dhe u shtërnguan fort dhe ne me sytë plotë me lotë vështronim ata të mallëngjyer. Dhe kjo nuk është përrallë, por një e vërtetë që nuk mund të harrohet.
                                                  Kulla e Bollatatëve
 
                                                 Me Vasilikën në Pargë
 
                                                Me xha Panon në Pargë
 
                                                       Paramithia
 
                                                 Sali Bollatri, 28 nëntor
 
 Këtu e kuptuam se “harresa” dhe heshtja në Paramithi nuk mund të jetë e vërtetë. Kujtesa, dashuria dhe respekti popullor, pavarësisht nga zhdukja e varreve, qëndron e gjallë dhe nuk ka sesi të harrohet dhe do të vije koha që një ditë të vendosim edhe ne një tufe me lule për shpirt të prindërve të cilët jo për faj të tyre na lanë jetima rrugëve. Mikëpritja e parganjotëve nuk kishte fund. Duke dëgjuar bisedat, një grua tjetër hapi derën e na ftoi: “Hajdeni brena tu jap një liko që e kam përgatitur vetë me fiq të mirë”. Hymë dhe duke vazhduar bisedën se në fshatin e sajë Rrapëz flasin të gjithe gluhën shqipe, bile ka edhe të moshuar që nuk e kuptojne mirë gërqishten. Bie zilja e telefonit, Dhimitra e ngre dhe fletë: “Çu dive moj Parashqevi, a je me mire sot?” dhe mbasi përfundoi bisedën telefonike na shpjegoi se ishte motra e sajë që fliste nga fshati i tyre. Ajo na tha pak si me ndrojtje se sa mirë do ishte sikur të vinin këtu ndonjë ditë valltare e këngëtare çamë. Se na ka marrë shumë malli të dëgjojmë këngët tona shumë të ëmbëla e aqë më shumë të shihnim ato valle të trimave çamë! Nuk dinim se çfare përgjigje t’i jepnim. Biseda e ëmbël në gluhën e nënës, zgjati edhe ca, mbasi e falenderuam për dashurinë dhe respektin që tregoi ndaj nesh me likon shumë të shijshme, u larguam të mallëngjyer por edhe disi të turpëruar që nuk mundem t’i përgjigjeshim dëshirës së Dhimitrës për këngët e vallet çame.
U ngjitëm në Kalanë e Ali Pashës, siç emërtohet sot. Veç pamjeve mahnitëse tee bregdetit tee Pargees nee Muzeun qee kishin ngritur brenda sajee lashee sheenimin: “Ishte njee kënaqësi e veçantë të shikoje këtu trashëgiminë shqiptare të përfaqësuar edhe nga parganjotja e njohur Elena Gjika ose Dora D’Istria. E nenshkrova Sali Bollati, Paramithioti nga Nju Jorku”.
Duke zbritur një burrë na ndaloi pranë dyqanit të tij. Filloi shqip, por menjëherë e ktheu në greqisht. U përpoq të na bindi se në të vërtetë kemi jetuar pranë njeri tjetrit miqësisht, si vëllezër, veçse disa palo njerëz për të marrë pasuritë e të tjerëve bënë atë kërdi si në Paramithi edhe këtu në Pargë. Zbritëm poshtë dhe notuam në ujrat ngohta e të kristalta të plazhit të Pargës, bile duke “garuar” me njëri tjetrin se kush do ta prekte i pari me dorë gurin e madh të ishullit përballë. U larguam nga Parga mikpritëse me përshtypjet më të mira për në pjesën më jugore të Çamërisë.
Preveza, në gjirin e Artës është një qytet sa i bukur ashtu edhe historik. U përpoqëm të gjenim Sarajet e Dinejve, aty ku me 1879 Abedin Pashë Dino dhe Abdyl Frashëri iu drejtuan Kongresit të Berlinit që vilajeti i Janinës bashkëme gjithë Çamërinë të mos ndaheshin nga trojet e tjera shqiptare. Dhe kjo kërkesëe drejtë në sajë edhe të mbështejes se popullit të armatosur qëndroi në fuqi deri në Mars 1913 kur krahina shqiptare e Çamërisë u pushtua nga Greqia.
Kaluam nga Margelliçi me shumë ndërtesa të vjetra të rrënuara, por për çudi qëndronte vetëm një minare e një xhamije dhe shumë shtëpia të reja pranë sajë. Këtu, Dr. Ingridi, bashkëshortja e Tahsinit, na tregoi se si gjyshi i saj, atdhetari i mirënjohur Rauf Fico, kishte shërbyer si Kajmekan në Margëlliç dhe më vonë në rolin e Ministrit të Jashtëm të Mbretërisë Shqiptare e kishte ngritur dhe mbrojtur denjësisht çeshtjen e Çamërisë. Mbas Mazrekut plotë me ullishta dhe tre fabrika vaji, pimë kafe në Platare. Shkuam në Gumenicë e cila shtrihet e gjatë në bregun e detit ku shumë tragete e lidhin me botën mbarë.
Hypëm bashkë me makinen e Dr. Tahsinit në traget dhe u drejtuam për në Korfuz. Mbas afro dy orësh, duke soditur me mallëngjim nga larg bregdetin e Çamërisë, zbresim në Korfuz. Korfuzi me kalate dhe ndërtimet karakteristike i ngjan me shumë një qyteti europian. Në fakt aty pushojne turista nga e gjithë Europa dhe bota. Në restorantin që drekuam na shërbeu me kënaqësi një djal shqiptar i zgjuar dhe shume i përkushtuar në punën e tij. Të nesërmen, gjatë kthimit për në Gumenicë duke soditur përsëri bregdetin çam, na afrohen disa turistë grekë që kishin ardhur nga Selaniku. Ata me pyesin nga jemi se nuk e kishin dëgjuar ndonjëherë gjuhën që flisnim. Unë i them se jam nga Paramithia dhe jemi duke folur shqip. Njëri nga ata i çuditur thotë se Paramithia ndodhet larg nga kufiri, si është e mundur që flisni gjuhën e Shqipërisë. Mbasi u shpjegoj se jo vetëm Paramithia por e gjithë Çamëria, deri në Prevezë që ndodhet edhe më në jug, u pushtua nga Greqia vetëm më 1913, po ashtu si edhe Selaniku i juaj me 1919. Ata u larguan menjëherë, pa thënë asnjë fjalë. Zbritëm nga trageti dhe morëm rrugën e kthimit.
Nuk më ndaheshin nga mendja ata parganjotë që kërkonin të shihnin, të takonin dhe të gëzoheshin me më shume vellezër shqiptarë. Tregonin se tani që shqiptarët kanë ardhur për punë këtu e ndjejnë vehten më mirë. Bile xha Panua na tha se do ishte shumë e mirë sikur të hapej edhe ndonjë shkollë që fëmijtë të mos e harronin gluhën e perëndisë.
 

Samstag, 21. Juni 2014

Namik Selmani - Kur të shkoj në Çamëri

 
Kur të shkoj në Çamëri

Në një krua ku njomet buza
Do të pi ujë të bekuar
Do thërras zogj e pëllumba
Ditë e bardhë pa aguar.

Do të pi një verë agimi ...

Të papirë në jetë të jetëve.
Në s’më ngop një çast burimi,
do thërras në ndihmë dete.

Do ta tund në erë shaminë
Ku çerdhon një dallandyshe.
-Erdha prapë, mik’e mirë
mos m’i shih thinjat mbi krye!

Do ta shporr Gardhin e Shpirtit
T’i kthej malet në lendina.
Prush i nxehtë që fle të gjiri
Do blerojë bokërrima.

Do ta gdhij natën voliote
Sup më sup me Osman Takën
Në s’më gjeni në një breg
Do më gjen tek mbjell arën.

……………………………

Tri pranvera e vera bashkë
Çamëri,pret pa u ndalur.
Kush ta djeg zemrën e bardhë
Iu harroftë në shekuj pragu!

 
 
Amaneti i nënës
Motiv çam

Më lini të shkoj në male të Margëllëçit që të ndez furrën
Të pjek kulaçin për Dasmën e shpejtë Rikthimit!
Në gërmadhat e viteve dua të gjej leshin dhe furkën
Në bahçet e vetmuara të mbledh kokrrat shegëve e të ullirit.

Hingëllin një kalë i vetmuar në portën e drunjtë
Akoma rrëmih në tokë me këmbët pa patkonj.
Në varret dhefundosur ka gjarpërinj ferra dhe gurë
Në oda dasmat e vashazve dua prapë t’i shoh,.

Do shkoj dhe zbathur të mbjell borzilok dhe mannxuranë
Do vijnë krushqit e s’kam ç’t’u vë në duar
Në këmbët e detit të luaj me dallgë e me valë
E këngët e kurbetit dua që sot t’i shoh zgjuar.

Do të përkëdhel gurët e muret me dhimbje e mall
Të lyejcep më cep me gëlqere oxhakun dhe vatrën.
Do thërras trimat që vallen ta hedhin gjer na tavan
e fëmijëve e që do të lindin t’u jap me shpirt uratën.

Do të vete në Margëllëç, do të vete!!!

 
 
Kush ma shkruan amanetin
( Motiv çam)
 
Kush më merr sërish për dore
Të më bredhë prapë?
Çamëri, moj klumushtore
Djegur nga një mall.
Kush më njom buzët e thara
Nga etja shkrumbuar
Kush më mban një iso kënge
Gojë më gojë kënduar?

Kush ma tund valles mandilen
Të pikojë nga nuri
Të më hapë sëndyqet varg
Të kërrej flamurin?
Kush më fut nëpër ullishta
Kokrrat t’ua prek,
E t’u them ca fjalë malli
Si ninullë në djep?

Kush m’i thotë fjalët çamçe
që s’i fola dot.
Kush më jep në rrudha duarsh
Lule borzilok?
Kush me feks me dritë ballin
Nëpër terr të qiellit
Kush më ngre si një kala
Lapidar kujtimi?

Kush ma shkruan amanetin
Me fjalët prej zjarri?
Kur të hidhen plisa dheu
Ëndrrën jasht ma mbani!
Se do bëhem prapë dhëndërr
Që të dhëndërroj
Do të bëhem sqep shqiponje
Brigjesh të ndaloj.

Se do bëhem fyell Tane
Të zgjoj Çamërinë
Për ty , nënë, me thinja valësh
Mos paçim harrim.
Se do bënem frymë e gjallë
Që të zgjoj oxhaqet.
Se do bënem Verë e ngrohtë
Të çel manushaqet.

Vjen në fjalë si uratë
Kohë e kalëruar.
Na troket me gurë në portë
Me pishtar në duar.
Na kujton ca varre shkretë
Ca lule lëndine
Fshehur krojesh nëpër përrele
Në rrënjë të ullinjve.

Ç’them kështu, vëllezër, motra
Mos jam bërë përçart?
Dorën trupit të ma vini
Ballin e kam zjarr.
Do më jepni hak patjetër
Se na rrit një palcë.
Me vatanin brumëgatuar
Ngrohur-o në një buhar*

Buhar –(dialekt).-oxhak

Samstag, 17. Mai 2014

Vajtim çam


Rrahim Sadiku - Ajo Ҫamëria


Ajo Ҫamëria

Plagëve të shpirtit
dhembin kujtimet!
Ҫamëria mbetur horiont pa fund
shtigjeve frymëzuese.

Pehatur një vale nga deti...

një dege ulliri vizatuar,
një ere tek përkund lisat
shtruar ëndrrës,
madhëruar shpresës…

Një kohë do të hapet, o lot,
me hënën shpaluar qiellit,
me zemrën qetësuar drithërimeve!
E ajo, Ҫamëria,
me legjendën do të vijë
kllapuritjeve të liqenit
bregut të Jonit
veshur arbërisht
e re, si nuse…

Danel Cana - Çamëria

 
ÇAMËRIA

Unë do të jem i qetë,
Kur të shoh çamerinë,
Në vënd të saja të rrojë.
Edhe si njerëz të lirë,
Të qeshë edhe të gëzoj.
Ma do zemra që të bëhet,
Ajo që njeriu do.
Po ke zemër prej njeriu,
Nuk i thuhet zemrës Jo!
Kush ka zemër prej njeriu,
Nuk e bën tjetrin të vuaj!
Por dhe kur e sheh që vuan,
E ndihmon, e i jep shpresë!
Se dhe botën po t'më falin...
Çameria... do therresë!

Montag, 21. April 2014

Arben Kondi - Etnocidi grek ndaj Çamërisë

Sa herë që flitet për Çamërinë, gjëja e parë që të vjen ndër mend është gjenocidi grek i kryer ndaj popullsisë së saj. Në çast të shfaqet në sy, Napoleon Zerva, (sivëllai shpirtëror i Millosheviçit i padënuar ende si kriminel lufte) i kapardisur me spaletat e gjeneralit mbi skelete kufomash të pafaj. Ndërkohë që rrëzë kalasë së Artës, kryeqendrës së princit shqiptar Gjin Bue Shpata, monomenti i tij mbi kalë edhe sot u jep kushtrim lufte andartëve për drejt jugut të Shqipërisë.

Imazhi ngjethës menjëherë faneps Paramithinë. 27 Qershor i 1944-ës është Shën Bartolomeu i saj. Afro 600 çamë myslimanë u vranë e u prenë brenda një nate atje. Thjesht dhe vetëm pse ishin shqiptarë. S’u bë dallim mes tyre as në gjini e as në moshë. Nënave shtatëzana ju nxorrën foshnjet nga barku dhe u varën porsi flamuj majë bajonetave të përgjakura. Të rejat u përdhunuan. Pleqtë ulokë u dogjën në shtrat. Zjarri kaploi Karbunarin, Margëlliçin, Gumenicën, Pargën, të gjithë Çamërinë. Genocidi zervist i mbështetur fuqishëm prej Athinës zyrtare arriti pikun në Filat. Numri i të vrarëve po shkonte në afro 3000 vetë. Në këtë qytet çam, zervistët vranë mbi 1200 njerëz. Epilogu i gjëmës mbetet kufiri shqiptaro-shqiptar. Tashmë si në një film të vjetër bardhë e zi shfaqet kalvari i pafund i çamëve me foshnje e bohçe në duar që rropatet zbathur drejt Qafës së Botës. Në Kllogjer, për shkak të stërmundimeve, të stërlodhjes dhe sëmundjeve do mbyllin sytë po thuajse tre mijë çamë të tjerë. Pra, tragjedia më e re greke do ul siparin me rreth 6000 shqiptarë të pajetë.
 
 
Nga dhimbja ullinjtë e lashtë u përlotën, u kërrusën më shumë.

Por kjo nuk është e gjitha. Genocidi grek ndaj çamëve myslimanë është gjysma e së keqes. Si të thuash është njëra anë e medaljes. Është ajo faqe e historisë sonë, për të cilën ne të gjithë, kush më pak e kush më shumë kemi njohuri. Kurse faqja tjetër e saj, ajo më pak ose aspak e njohur prej nesh lidhet me Çamërinë e përtej kufirit, lidhet me vëllezërit tanë të një gjaku atje, pra me çamët ortodoksë. Historia e tyre është po ashtu e dhimbshme. Kjo jo vetëm pse pjesa më atdhetare e tyre e përjetoi genocidin zervist njësoj si çamët myslimanë, (këtu s’mund të harrojmë kurrë Spiro Çallukën, Sotir Këtupin, Spiro Nikoll Vëllazëroi, Vangjel Agjin etj), por sepse ata për afro 70 vjet rresht po përjetojnë etnocidin më të rëndë që po njeh Europa e pas Luftës së Dytë Botërore e që synon ligësisht t’ju çbëjë atyre nga shpirti këngën, doket, zakonet, vajet, vetë gjuhën amtare.


Po pse, do lartojë zërin ndonjë kritizer i yni, kaq të larë janë çamët ortodoksë në raport me gjenocidin zervist?! Pse s’ka pasur mes tyre bashkëpunëtorë?! Sigurisht që ka pasur. Kjo nuk mund të mohohet. Për dreq, shqiptarëve s’ju kanë munguar gjakprishurit. Ata, për ofiqe e për para kanë shitur jo vetëm vatanin, por edhe nënën e babanë. Ndërkohë që nuk duhet të harrojmë se me qindra familje çamësh të krishterë, jo vetëm hapën portat duke i fshehur brenda konakeve të tyre vëllezërit myslimanë, po një pjesë e mirë e tyre hodhën në kurriz rrezikun e madh duke i shoqëruar ata deri në kufi. Të mos harrojmë gjithashtu se pjesa dërmuese e ushtrisë së Napoleon Zervës përbëhej prej ardhacakëve grekë të Anadollit në Çamëri si dhe nga mercenarët kretjanë. Natyrisht kësaj force nuk mund të rrinin pa ju bashkëngjitur edhe banditët e batalioneve të vdekjes të Ponajotis Dertilisit që bënte ligjin jo thjesht në Athinë, por në të gjithë Greqinë.

Por le ti kthehemi etnocidit grek ndaj çamëve ortodoksë. Të përpiqemi të hedhim pakëz dritë mbi këtë mjegullnajë të dëndur që hera-herës na bën ti konsiderojmë ata si të asimiluar, si të paqënë. Janë disa arsye që dritësojnë realitetin e tyre të rëndë. Më kryesori është fakti se çamët ortodoksë kanë frikë të shprehen haptazi në gjuhën e tyre amtare, pasi grushti i egër i shtetit diktatorial- nacionalist grek do të binte mbi ta pa mëshirë porsi një çekiçi rëndë pneumatik. Pastaj është presioni survejues i ardhacakëve të Anadollit të cilëve ju vret veshin gjuha e tyre. Është edhe kisha, prifti, peshkopi, vetë kryepeshkopi i Athinës dhe i Tiranës. Për rrjedhojë, çamo-thesprotishtja e vjetër, apo gjuha e perëndive siç e cilësonte atë Arestidh Kola i madh bëlbëzohet brenda familjes apo fisit, si prej atij motakut që ende nuk ka zënë të ecë e po ashtu edhe prej atij plakut i cili nuk mund të çapë më tutje pasi këmbët e kanë lanë. Për arsimim apo për shkolla në gjuhën shqipe s’bëhet fjalë fare. Atyre pak që mbaheshin hapur me pahir deri në vitin 1944 ju vu kyçi fill pas genocidit ndaj çamëve myslimanë. Lëre më pastaj të mendosh për të hapur ndonjë gazetë, ndonjë kanal televiziv privat apo të botosh ndonjë libër në shqip. Një ide e tillë do të përbënte një herezi të vërtetë dhe do të dënohej me rreptësinë më të madhe. Prandaj studiues të njohur siç është rasti i pellazgollogut Niko Stillos (çam ortodoks nga rrethi i Prevezës) punimet e tyre i botojnë në Tiranë, në Shqipëri.

Por le të bëhemi realist. Të mos ua hedhim si rëndom fajin vetëm të tjerëve. Le të mësohemi të mbajmë përgjegjësi edhe mbi shpatullat tona. Për këtë arsye gjykoj se një ndër shkaqet kryesore të këtij etnocidi lidhet me vetë ne, me politikën inferiore të Shqipërisë ndaj fqinjit tonë të jugut. Paçka se pakica greke në vendin tonë gëzon standardet më të larta ndërkombëtare, shteti shqiptar vazhdon ta lërë ende jetim fatin e çamëve ortodoksë në Greqi. Kurse Europa sikur nuk para dëgjon mirë nga ai vesh. Personalisht nuk kujtoj asnjë rast kur qeveritarët tanë në takimet bilaterale me qeveritarët grekë ta kenë ngritur zërin në mbrojtje të të drejtave të tyre legjitime. Madje edhe ahere kur ata përmendin çështjen e çamëve myslimanë shprehen me zë të mekur. Siç duket tuten, pra kanë frikë se shtypi e mediat greke do i anatemojnë si nacionalist anti europian.

Ndërkohë vetvetiu më vjen ndër mend, një ngjarje e treguar kohë më parë prej mikut tim Andrea, (ish pjesëtar i Ansamblit të këngëve dhe valleve popullore) që lidhet direkt me sivëllezërit tanë çamë ortodoksë. “Kam qenë në Çamëri në të hyrë të viteve tetëdhjetë, - më kish thënë ai. Atëherë pati nisur një bashkëpunim kulturor mes Shqipërisë dhe Greqisë. Ansambli ynë do jepte një shfaqje në Gumenicë. Stadiumi i qytetit qe mbushur plot e për plot disa orë përpara fillimit të shfaqjes sonë. Si i thonë fjalës s’kishte vend ku të hidhje as edhe kokrrën e mollës. Kur nisi koncerti ynë, stadiumi u ngrit në këmbë. Duartrokitjet dhe brohorimat nuk kishin të sosur. Këndo ne në skenë, këndo populli në shkallë. Kur zumë vallet, njerëzia nuk u përmbajt dot. U dyndën në fushë. U bënë një me ne. Kërcenim së toku. Me lot në sy. Nuk do e harroj kurrë atë ditë. Ka qenë ndër më të bukurat, ndër më emocionueset në karrierën time”.

Aq domethënës e aq i dhimbshëm është ky tregim sa nuk ka nevojë për koment. Këta janë vëllezërit tanë çamë ortodoksë. Më një anë thjeshtër e me një anë jetim. Kokëulur, zëkëputur. E pastaj përse historian grek të sojit Ballciotis e të mos i konsiderojnë ata si një shtresë popullsie e padukshme, e pa rënë në sy në Çamëri. Veç e vërteta, realiteti i kësaj popullsie është krejtësisht ndryshe. Të padukshme, në mjegull këtë popullsi autoktone e thjesht shqiptare e bën platforma e Megalaidesë që e mbështetur fuqishëm edhe prej Patriakanës së Stambollit prej shekujsh ka vënë e po vë shenjën e barazimit mes shqiptarëve ortodoksë e grekëve, përfshi këtu çamët e krishterë. Në këtë këndvështrim, veç shtetit tonë, përgjegjësi jo të vogël mban edhe media, shtypi shqiptar, historianët tonë të cilët jo vetëm gjatë diktaturës, por edhe tani në demokraci po mbajnë një qëndrim të përgjumur ndaj kësaj çështje të rëndësishme.
 
Tiranë, 24. 07. 2013
_________ 
Huazuar nga pashtriku.org

Agim Mato - Udhëtim në pyjet e këngëve çame

Ese

Gjatë gjithë ekzistencës populli ka ngritur malet e pasurive të veta shpirtërore. Këngët janë si katet e pyjeve që i veshin këto male. Secili kat ka dëndësinë e tij të këngëve. Shikoni majën çame të rrahur nga erërat e mëdha të kohrave. (Shqipëria është e mbushur me maja të tilla). Atje ka drurë që u kanë rezistuar shakullimave, këngët e moçme për bëmat e Pirros dhe Skënderbeut , legjendat dhe baladat e fuqishme që zenë vend nderi në fondin e artë të poezisë sonë popullore. Dëndësia në këtë lartësi nuk është e madhe sepse përjetësia kërkon hapsirë. Pyjet e dendura fillojnë poshtë majës. Ahishtat, pishnajat përzihen me mjegullat. Këto nuk janë mjegulla po tymi i luftrave epike dhe historike. Në këto pyje baresin heronjtë kombëtarë dhe krahinorë. Pastaj vijnë  pyjet e dëndura të mbushura me firarët e maleve, me pyjet e brengave dhe të nizamëve. Një tis i hollë i argjentë i mbulon këngët e dashurisë dhe të dasmave. Ato janë në një pllajë tërë diell ku ka kroje dhe lëndina. Po ndodh  që edhe lulet e këtyre lëndinave t’i spërkatë gjaku. Më poshtë, në ultësirat e ditëve tona kanë mbirë këngët e një malli të çuditshëm për varret e të parëve, për shtëpitë gërmadha, të shoqëruara të gjitha me ofshama që drithërojnë atmosferën e sa e sa festivaleve. Një pyllnajë që rritet përditë. Pyjet dhe këngët kanë jetën  e vet. Siç ka drurë qindravjeçarë ka edhe këngë qindravjeçare. Siç ka pyje që degradohen dhe në vend të tyre mbijnë të rinj, ka edhe këngë që vdesin dhe vendin e tyre e zënë të ra. Eqerem Çabej thotë: “Poezia popullore është një organizëm i gjallë ... Ajo bën jetën e saj organike, shkon pas frymës së kohës dhe ndërron bashkë me të. “Më poshtë: ” Këngë të moçme zhduken, të vjetra krijohen, shpesh herë këto përzihen dhe shkrihen me njera tjetrën “. ( E.Çabej “Për gjenezën e literaturës shqipe”)
   Kushdo që dëshiron të udhëtojë nëpër hapësirat e pamata të folklorit të Çamërisë, duhet të marrë për udhërrëfyes Fatos Mero Rrapajn dhe duhet të ketë me vete biblën e tij voluminoze: “Këngë popullore nga Çamëria” Garant për këtë bëhet Ismail Kadare, që e ka shoqëruar këtë bibël me një përcjellje, ku e quan: “Një enciklopedi poetike, të plotë e të gjerë”.
   Interesimi i menjëhershëm që ngjalli në opinion dhe hutimi i Institutit të Folklorit, i kushtohet si lëndës së re, gati të panjohur, ashtu dhe vlerave të mëdha artistike që mbart kjo trashëgimi e paçmuar popullore. Mendja të shkon menjëherë tek “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos, babait të folkloristikës sonë, që gjeti tek Fatosi një nga pasuesit më të zellshëm të këtyre  dekadave të fundit. Do të duhej shumë vend për të folur për peripecitë mbi 40 vjeçare të këtij mbledhësi të apasionuar, për endjet plot durim, vullnet e këmbëngulje në të  gjitha trevat ku janë shpërndarë sot mbartësit çamë  të shpërngulur nga dherat e tyre. Kjo e bën edhe më domethënëse misionin e tij të madh për të shpëtuar këto vlera nga rreziku i humbjes shkallë shkallë në kushtet e një shpërndarjeje të tillë heterogjene. Gjithashtu, gjithshka që jeton e konservuar në kujtesën e të moshuarve bën një firasje të pallogaritshme  gjatë kalimit në brezin tjetër. Momenti që gjeti folkloristi ynë i zellshëm për këtë qe vendimtar.
   Përmbledhja, është vetëm një pjesë e arkivit të hartuesit të saj. Hojet e këtij arkivi janë të mbushura me qindra mijëra vargje, faqe proze e materiale gjuhësore, historike e etnografike, të qëmtuar me kujdesin prej shkencëtari në të gjithë territorin e Shqipërisë. Nga pasuria autentike, nga larmia e shumëanshme tematike e gjinore, libri në fjalë është deri më sot thesari më i plotë i artit oral çam.Të mos harrojmë se edhe Mitkoja, edhe Spiro Dineja, me ndërgjegje ose pa ndërgjegje kanë futur në materialet e mbledhura prej tyre këngë popullore çame. Edhe ato nuk janë pak, po me dhjetra.
Si hyri kënga çame në “Bletën shqiptare” dhe në “Valët e detit“? Shumë thjeshtë. Në parathënien e librit të tij Spiro Dineja thotë: “ ... atë kohë, ndodheshin edhe shumë shqipëtarë në Egjypt, ngado të shkoje do të piqje shqipëtarë. Karakollët e Kajros qenë plotë gegë e toskë. Këngët e vallet nuk reshtnin ... prandaj gjeta kohë të mbledh nga të dy anët (dialektet)”. Çamët nuk mungonin kursesi këtu, qoftë si nizamë, qoftë si kurtbellinj. Ky fenomen në folkloristikën  tonë mendojmë se ka një rëndësi të posaçme studimore për motërzimet ndërkrahinore. Mbartësit e këtyre krahinave jetonin vite të tëra sëbashku në shërbimin ushtarak osman. Shpirti shqiptar, muza shqiptare, aty, në vetminë e shkretëtirave, duket se vinte në provë përjetësinë dhe madhështinë e vet. Këngët e krahinave  të ndryshme ushqenin njera tjetrën, merrnin dhe jepnin. E kundërta ndodhte me këngët e reja që krijoheshin aty, ato të brengave, të nizamllëkut, kurbetit, etj. Me kthimin në atdhe ato fillonin një jetë të veçuar krahinore, gjersa shndërroheshin në motërzime të motiveve bazë. Këto motërzime janë si barometra që matin presionet e lëvizjeve të gjera shoqërore, halleve dhe brengave që përfshinin krahina të tëra. Në rastin konkret motërzimet çame, flasin për atë se sa të lidhura kanë qenë këto treva me fatet e kombit në të gjitha etapat e historisë sonë.
Tani le të hipim përsëri në majën e këtij mali imagjinar të populluar me pyjet e këngëve çame, tek këngët dhe legjendat për Pirron dhe Skënderbeun. Sa të vjetra janë? Vargjet e bardha dhjetërrokëshe të hedhin larg dhe kjo të ngazëllen. Mendo se këto janë ngritur mbi trungjet e lashta, kur kjo metrikë praktikohej në eposet. Elementët bizantinë janë të dukshme. Po ashtu edhe ato zakonore vendase që mbijetojnë edhe sot.  Fjala e vjetër “ipè” për shiponjë haset dëndur tek këto këngë. Epirin (nga epeiros- gr.vjetër) çamët e quajnë tek këto këngë Iperi dhe veten iperotë.( Vetëm më vonë fillon të vihet në përdorim fjala çamërjot). Ç’lidhje mund të ketë për këngëtarin e dikurshëm rrënja “ipè” (shqipe) me Iperì (Shqipëri)?  Të jetë vetëm rastësi apo një kalk analog i periudhave kur nis formimi i kombit, duke i ndërruar kuptimin termit antik të imponuar nga jashtë? Epiteti ”Burri” që i bashkëngjitet emrit të Pirros, sipas dëshmive, dikur zëvendësonte në Çamëri e gjetkë vet emrin e tij. Thuhej Burri dhe nënkuptohej Pirroja. A nuk është një fakt ky se kujtimi i tij ka mbijetuar në kujtesën e popullit? Po kujtesa më e mirë është kënga dhe legjenda. Sigurisht, kur ndodh që figura e tij merr ngjyrim të theksuar historik, kënga ka huajtur nga historiografia. Kjo është në dëm të vjetërsisë sepse është një shtresëzim i mëvonshëm. Gjithashtu edhe gjuha është e mbartësve të mëvonshëm të saj, një fatkeqësi kjo e kushtëzuar nga koha kur janë mbledhur. Një gjë është e sigurt, që këto legjenda nuk janë  më pak të vjetra se ato të Urës së Nartës dhe të Dhoqinës, me të cilat kanë ngjashmëri stilistikore apo metrike. Tek kënga “Krujë trime n’atë vetull mali” flitet edhe për jehonën e fitoreve të Skënderbeut në Iperì:

Iperiotët valle kanë hjedhur
dhe çdo natë zjarre kanë dhezur

 Tek Barleti do të gjesh të përshkruar gëzimin popullor pas fitoreve, që shndërrohej në një festë  të vërtetë. Ai merret shpesh me këtë fakt në veprën e tij të njohur për Skënderbeun. Kënga në fjalë dëshmon vërtetësinë e Barletit dhe, për analogji, hershmërinë e vet.
   Mbi tërë hapsirën e motiveve të këtij libri ngrihen lart dy ndjenja dhe veti sublime të shqiptarit: atdhedashuria dhe shpirti liridashës. Shpesh të dyja këto ndjenja nënkutojnë njera tjetrën dhe shndërrohen në një lejmotiv :

                              U shkrinë për liri,
                              për flamurin kuq e zi

   Pasqyrimi në këngë i luftrave dhe i luftëtarëve të panumërt të kësaj treve është bërë në kompleksitet me kontraditat, planet, diplomacinë dinake dhe intrigat e diplomacive, pa lënë mënjanë as qëllimet dhe pikësynimet e hapura apo të fshehta politike dhe ekonomike të tyre.

                              Që në Prevez’ e Janinë,
                              shqiptarët luftë po bijnë,
                              Kordha jonë vringëllet,
                              me të dia anët pret,
                              s’pjesim krale e sulltanë,
                              se kemi hall për vatanë,
                              edhe pa buk’do të rrojmë,
                              me të shtatë do lëftojmë,
                              vendin tonë s’e lëshojmë.

   Tema për mbrojtjen e trojeve nga intervencioni i huaj është shumë e përhapur në këngën çame. Më 1807 trupa të Napoleon Bonapartit pushtojnë Prevezën. Kapedani Hasan Çapari me pesëqind vullnetarë u sul për çlirimin e  qytetit:
                 
                              Napolonit s’ju përule,
                              galëtë(francezët) të gjallë i zure.

    Një shekull më vonë, më 1911, po në bregdetin çam, përpiqet të zbarkojë edhe Entelia (Italia), po çamët, edhe pse pa “topa e xhepane“ qëndrojnë si trima dhe s’lejojnë kënd t’i bëjë “Urë” dhe “raje”. Duke thënë “Urë” këngëtari popullor kishte parasysh rëndësinë e pozitës së trojeve të veta për brendësinë e gadishullit ballkanik. Shqiptari gjithmonë mbrojtjen e tij e ka vënë edhe në funksion të mbrojtjes së popujve fqinj. Tek kënga në fjalë, rapsodi, duke parë pamundësinë për të ndjekur armikun në det, i drejtohet me sfidën e tij:

                              Del steresë moj dhe ti,
                              ta shohç shqipon si për si

   Në shumë këngë bëhet fjalë për mbrojtjen nga luftëtarët çamë të Volës, Petrovicës, Njihuarit, Filipjadhës, përleshjen trup me trup në Gribovë, për qëndresën heroike shqiptare në Bezhan të Janinës, Mali i Bezhanit indetifikohet me vet mbrojtësit:

                              O Bezhan, i zi Bezhan,
                              gjashtë muaj n’istikam,
                              i pakart i pa duhan,
                              buk’ edhe fai s’të dhanë,
                              po lufton në këmbë e mban.

   Një mal që për muaj me radhë nuk  ka kartë për të dredhur  një cigare!
   Dhe fakti që s’ka duhan duket më i rëndë se fakti që nuk ka bukë, (zë vendin e dytë në radhitje ) sepse dhimbja shpirtërore për fatin e atdheut e kapërxen  çdo dhimbje tjetër. Mali këmbëngul të rrezistojë ashtu siç rrezistojnë malet. Një epos i vërtetë qëndrese ky!
   Vargu i heronjëve popullorë është i gjatë. Marko Boçari, Ali Farmaqi, Bubulina, Zejnel Hasa, Maksut Veliu, Tahir Meta, Sabri Preveza, Spiro Çakëlla, Alush Taka, Muharrem Rushiti, të ndjekur këta nga firarët e maleve apo kaçakët si Lul Manka, Met Shoti, Zeqo Kipa, Mehmet Hyseni, Lul Çapari, pa përmendur bilbilenjtë labë apo Shemo Gjirokastritin  për të cilët muza çame s’u kursye edhe për faktin se trualli i saj ishte shpesh teatri i veprimeve të tyre. E marrë në rendin kronologjik, kënga çame derdh një galeri të tërë personazhes që nga Ali Pashë Tepelena e këtej. Vet Aliu portretizohet edhe me ngjyrimin legjendar edhe historik, pa fshehur të vërtetën mbi figurën komplekse të tij. Tek “Hanko kur bëre Alinë” ngjyrimi është legjendar:

                              Vallë ti, moj, i dhe sisë,
                              që të dolli yll me dritë?
                              Apo mos ta kanë rritë
                              tij ato zërat e malit
                              edhe ujët e spitharit?

   Në këngën tjetër “Medet për Vezir Alinë” sundon qortimi i hidhur i vënë në gojën e Marko Boçarit:

                              Medet për Vezir Alinë
                              që s’dëgjoi Boçarinë
                              të mblidhej me Bushatllinë
                              për të bërë Shqipërinë.
                              Marko Boçari i tha:
                              -Dëgjomë, Ali pasha,
                              po s’u bëmë me ata,
                              Shqipëri për ne nuk ka,
                              do grihemi lakëra ,
                              do këndojë quqeja”.

   Ky është ndoshta një nga motivet më të hershëm, që bën fjalë për domosdoshmërinë e uniteit kombëtar, për të cilën s’mund ta ndërmernin vezirët dhe baballarët po puna e madhe e rilindësve tanë. Ky unitet shtrohet me forcë sidomos në këngët e periudhës së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, periudhë në të cilën Çamëria njohu shumë veprimtarë. Ata e zgjidhën drejt çështjen e bashkimit të kombit dhe njësisë së territoreve që viheshin në rrezik. Në dobi të këtij bashkimi ose më mirë nën presionin direkt të këtij ideali ishte lufta për prishjen e hasmërive dhe pajtimin e gjaqeve që ndërmerrnin atdhetarë si Ibrahim Parga, nën parrullën “Çdo hasm ta bëjmë vëlla”, apo Lul Repani që ka parasysh ndarjet fetare “S’e vret vëllai vëllanë,/ gjithë jemi shqiptarë”.
   Në këngët që i bëjnë jehonë luftës së përbashkët të shqiptarëve dhe grekëve kundër të njëjtit armik ndjehet respekti i veçantë për popullin fqi. Vet Marko Boçari, i brumosur si luftëtar pranë Aliut u bë një nga heronjtë më legjendarë të revolucionit grek, një nga internacionalistët më të mëdhenj që e konsideronte luftën e popullit fqi si luftën e popullit të vet:

                              Ngreu, o Marko trimëria,
                              të dërgon kartë Greqia
                              - Eja, o Marko Shqipëria,
                              se na zu frymën Turqia.

   Katër vargje sa për një monument. Historia shkroi faqe të lavdishme për këtë “Çamërjot”, figura e tij frymëzoi shumë shkrimtarë e piktorë gjenialë të shekullit të kaluar në Europë. Tufa e këngëve çame për të janë lulet e vendlindjes së tij, të identitetit të tij, ato që s’vyshken kurrë në panteonin e popujve. Dhe Markoja nuk është i vetëm, por njëri  nga ajo plejadë heronjsh si Xhavella, Bubulina, etj. Një nga shembujt më domethënës të një qëndrimi të gjerë dhe gati deri në një konceptim ideal të fqinjësisë është kënga “Ballkize, moj kapedane”. Ballkizja dhe motra tjetër Gjulia janë bija të patriotit Musa Demi. Të dyja partizane. Ballkizja në repartet e Elasit grek dhe Gjylja në një nga brigadat tona partizane. Dy motra në dy ushtri kundër të njëjtit armik. Lidhjen e Ballkizes me partizanët grekë rapsodi e ngre si një vëllazërim popujsh:

                              Bashkë me fqinjët tanë,
                              lidhur si vëllau me vllanë,
                              grekër dhe shqiptarë,
                              për të lëftuar dushmanë.

   Rapsodi është i ndërgjegjshëm  dhe i zhveshur nga çdo paragjykim kur bën konkluzionin e aktit të saj:

                              E dhe jetën për lirinë,
                              për miqësinë me fqinjë,
                              zbukurove historinë.

   Në këngët për shpërnguljen me forcë të çamërve nga trojet e tyre në asnjë rast nuk ngatërrohet populli grek me masakrat e gjeneralit fashist Napoleon Zerva. Do thënë që ky është kapitulli më i dhimbshëm në poemën popullore çame. Ai zë fill më herët, qëkurse bëheshin përpjekje dhe shpërnguleshin për në Turqi po me forcë masa të tëra nën pretekstin se ishin turq. Ngatërrimi i fesë me kombin në kurriz të fatit të popullit tonë  është i njohur. Në një këngë thuhet:

                              Çish të ikim nga shtëpia?
                              Çish t’i lëm gjushrit në varre,
                              me kurmet pa tretur fare?

   Çdo koment do ta varfëronte efektin tronditës të këtyre vargjeve. Tani mendoni një anije të mbushur me familje çame që lundron përmes Egjeut drejt Turqisë së panjohur, e largët për ta. Sipër tyre fluturojnë zogj, që kënga mund t’i pyesë sipas traditës për atdheun që ngeli pas. Mirëpo kraharori i zogjve është tepër i brishtë për të mbajtur peshën e madhe të dhimbjes dhe mallit të tyre. Anieja e zgjat distancën nga atdheu, kur ja, zënë e duken avionët në qiell. Këta po, vendos t’i pyesë muza e plagosur:

                              Uluni, o ju ballona
                              t’u pjesë për shtëpitë tona

    dhe përgjigja :

                              Na habere nuku kemi,
                              se ka ato vende s’jemi

    Shpresë e kotë. Asnjë nuk i qëllonte të ulej në atdheun e tyre të mjeruar. Ja një motërzim tjetër:

                              Shkon ballona në heva,
                              pijet motra për vëlla.
                              -Ne kah ato vende s’jemi,
                              ka vëllai yt habere s’kemi.
                              Zdrigju ti ballon mbërdhe,
-    Do zdrigjem në Pllatare,
të pi një filxhan kahave.
  
   Tabloja tjetër, po aq e dhimbshme, e ndjekjes drejt kufirit shtetëror shqiptar me djepet në krahë dhe me tymin e ullinjve të tyre të djegur në mushkri, është regjistruar me të gjitha pejzat e muzës popullore:

                              Çamët duke ikur
                              e duke luftuar
                              ngarkuar me plaçka
                              dhe foshnjat në duar,
                              hedhin sitë prapa:
                              shtëpitë përvëluar,
                              ka gjulet e topit
                              ullinjtë të copëtuar.
                              Çamëri e shkretë
                              shumë u përvëlove
                              çdo pëllëmbë tokë,
                              me gjak e mbëlove.

   Në shumë këngë, rapsodi çam, si të ishte ndonjë studiues sociolog, burimin e fatkeqësisë e gjen tek fashizmi, që është stimuluesi më i egër i nacionalizmit:
     
                              Si kulshedrat në Greqi
                              u vendos fashizmi i zi.

   Këto kulçedra ju sulën në radhë të parë Çamërisë, popullsisë së saj fatkeqe:

                              E pa dinjaja me si,
                              ç’bë Zerva në Çamëri.
                              mbilli njerzit në shtëpi,
                              i therri si bagëti.
                              Dhe grave  që ishin me barrë,
                              me thikë në bark u ranë,
                              ua nxorrën jenët gjallë,
                              dhe ata me thikë i vranë

   Mirëpo poetin popullor nuk e lë të qetë ndërgjegja për gjithshka ndodhi në të kaluarën. Ai bën bilancin e historisë së tij dhe për këtë do të jetë sa më objektiv, të jetë “shahist” tek e vërteta. Ai e nis gjykimin ng argumenti i kundërt:

                              Çamëri, o zëmëra ime,
                              ...a mos vall pate gabime?

   Përgjigja vjen menjëherë, pa pikë hezitimi:

                              -As gabime, as të metë,
                              dëshmon historia vet.

   Duke bërë një eskursion në pyjet e këngëve popullore çame të mbushen mushkritë me ozonin e tyre të pastër dhe aromën e veçantë. Hapësira ndjesore e tyre është e pakufishme, e përmasave universale. Ky libër, që mbushet me rrëkera gati të padukshme ritualesh, lodra fëmijësh, nina nana, këngë argëtimi e dashurie, rite e valle dasmash, vaje, këngë humoristike  e satirike, për të kaluar pastaj tek legjendat e baladat, tek këngët për ngjarje të njohura e të panjohura historike, për heronj të mëdhenj kombëtarë, për luftëtarë e martirë, tërë kjo plotëri tematike e gjinore, shpalos vizionin e gjerë të Çamërisë në të gjithë ekzistencën mijravjeçare të saj. Në këto këngë janë regjistruar si në një  sizmiograf të ndjeshëm që nga tërmetet e mëdha, siç janë vithisjet e perandorive, e gjer tek dridhjet e jelekëve të vajzave të shkaktuara nga vështrimet e djemve. Duke ndjerë në to temperamentin dhe konstitucionin shpirtëror të popullsisë çame, pozitën nevralgjike dhe hobetë e kohërave që u vërvitën parreshtur mbi fatin e saj, nuk do të duket aspak i habitshëm gjithë ky vitalitet dhe kjo begati poetike. Në thelb, tërë struktura e poezisë çame është e pandashme me poezinë popullore në përgjithësi, kurse në vaçanti ajo ka marrëdhënie e pleksje me këngën labe. Plasticitetit të prerë e të fuqishëm lab, që edhe kënga çame e ka në thelb, ajo i jep fytyrën e vet e tone më të buta e më lirike, siç është vet realiteti i Çamërisë. Afërsia gjeografike, dendësia e komunikimit në të kaluarën e kanë kushtëzuar këtë ngjashmëri. rapsodi lab dhe ai çam, kur kanë kënduar për të njëjtët heronj dhe për të njëjtat ngjarje, duket sikur planin botëkuptimor janë marrë vesh me njeri tjetrin për qëndrimet dhe vlerësimet që kanë bërë. Kjo flet për atë ndjeshmëri të lartë dhe kthjelltësi para çdo situate, sado e ngatërruar qoftë.
   Kënga çame duket se e nxjerr tërë dufin që ka njeriu brenda. Ajo nuk mban rezerva për hir të ndonjë etikete apo kanuni të vjershërimit. I vetmi kanun për të është që të mos i ndahet të vërtetës. Ajo shënon vetëm ato hollësi që i duhen përjetësisë. Sensi i kursimit në vargje nuk e cënon tërësinë e ngjarjes dhe të fenomenit që ka marrë përsipër të na rrëfejë. Dhe rrëfimi është sa i shtruar  aq dhe energjik, sa i besueshëm, aq dhe realist. Kalimi nga elementet realiste në ato legjendare bëhet me një lehtësi të çuditshme. Lul Çapari është person historik, që ka jetuar, por njëkohësisht ai mbështillet shpesh me një mjegull legjendarizmi. Kjo nuk ia humb vërtetësinë figurës por plazmon në të gjithë përfytyrimin që ka populli për jetën e kaçakëve të mbushur me të papritura:

                              Lul Agai ja hipi atit,
                              çajti malet e Morfatit,
                              Lul Agai ja hipi divit,
                              çajti malet e Marglliçit.

 ose:
                              Lul Agai hipën shkallatë,
                              xhelati trohis pallatë.

Në këto këngë rrëfimi poetik kalon pa u ndjerë nga tonet epike në ato lirike dhe anasjelltas:

                              Foli një zë kaha malit.
                              Të ikij Lul Çapari,
                              Luli mori një të rëpjetë,
                              ju mbush sharkëza me vesë.

   Aftësia për të hedhur tablo përgjithësuese nuk i ka munguar kurrë folklorit. Kënga çame, duke anuar nga një sens më lirik, i ka më për zemër këto tablo të mbushura me elemente të natyrës dhe të jetës fshatarake. Natyra mendojmë se ka gjetur vend në këngët çame dhe ajo ka shtuar sensibilitetin dhe e ka bërë më të afërt. Ajo është një sfond që paralajmëron, është atmosferë, si tek vargjet e mëposhtme:

                              Ne ulliri në sohor,
                              frin një erë e bin një borë,
                              shkon një trim vetullahollë,
                              me martinizën në dorë

Kjo dhe shumë të tjera të kujtojnë këngët popullore arbëreshe dhe është e kuptueshme se, nga brigjet çame, kanë ikur masa të tëra arbëreshësh për në Itali. Forca përgjithësuese e tablosë nuk mbështetet në elemente të mëdha në vetvete, përkundrazi, detajet më të zakonshme, nëpërmjet një shkallëzimi poetik, arrjnë të japin në më pak se dhjetë vargje atë që do të duheshin faqe të tëra. Ja një shembull:

                              Kur dola në Mal të Zi,
                              klaj, moj, klaj për Çamëri,
                              pashë gratë nën ulli,
                              pashë nuset pa stoli,
                              burrat shkuan eksori ( internim) .
                              Kafshët mbenë pa bari,
                              lehte qëni në shtëpi,
                              bukë nuk i hidh njeri.

E thënë me një frymë, e vizatuar me një përpikmëri të habitshme, ajo ka brenda edhe shkretimin, edhe gjëmën, edhe dhimbjen gjer në një lloj shurdhimi të jetës. Por pas gjithë këtyre vjnë dy vargje:

                              gratë me dhën e me dhi,
                              gratë venë në mulli”.

Pra, nuk ka marrë fund çdo gjë, jeta vazhdon në sajë të stoicizmit të gruas.
   Lirika çame është e ndezur, me një imagjinatë dhe forcë abstraguese të madhe, që të krijon gjendje emocionale dhe situata shpirtërore të vërteta. Vajza për rapsodin e kësaj treve është “Nerënxë”, “ Thëllënxë”, është “ Thellukë (lundër) e bukurisë”, “Trëndafil në bokërrimë”. Ajo nuk ta bën të lehtë fitoren që do të arrish, ajo është “ xhinde”, është

                              Ngjala që llomis në det,
                              ta zësh me dorë të shket

Le pastaj po t’i vardiset ndonjë i moshuar, si do ta qesëndisë:

                              more plaku faqezi,
                              mor të zëntë gjarpëri,
                              u s’kam mbeturë për ti,
                              se jam vajzë farfuri.

Kur bie vet brënda ndjenjës së bukur të dashurisë, asaj i “digjet jeleku” nga “ zjarret e gjirit”. Ajo është besnike, tërë finesë, ajo duket sikur ta fshinë shtëpinë me një dorë trëndelinë”, kaq bukur është të jetosh me të. Djali vizatohet me temperament, i gatshëm të bëjë çdo sakrificë për të vluarën e tij. Ai i dorëzohet tërësisht ndjenjës. Kaq e fortë është kjo sa që në ndonjë këngë duket sikur sundon përçatja e tij, alogjizmi po në të vërtetë është ndjenja e fuqishme që depërton në shtresa të tilla të fantazisë, që e afron atë me ëndrrën:

                  Këndova sa u ça shkëmbi,
ndjeu e bukura e u drodh vendi.
Ndjeu e bukura përbrenda,
hapi penxheret e ergjënda.
Fluturova e hira brënda.
më vu bukë e djathë e hëngra.
Më shtroi stromën, rashë e fjeta,
kur u ngreç ati s’e gjeta.

         Dhe më poshtë:
                                    Zura udhën e stratoit,
                                    poqa Lejmonin në udhë,
                                    - O lejmon, a i zi lejmon,
                                    mo më pe të bukurën?
                                    Këtu drejt më shkoi prëmë,
                                    ku ta dija ta kesh zënë.
                                    Kollauz t’u kesh bënë,
                                    në dorë ta kesh dhënë.

   Vizioni poetik është i befasishëm të shumë krijime. Kënga “Abedin Madanë e vranë” nis me një uverturë:

                              Gjem’i zi e kali i bardhë,
                              hingëllit nëpër pazarë,
                              kërkon Abedin Madanë

   Kjo tablo, me ankthin e rrufeshëm që të përpin, nuk të shqitet nga kujtesa, ashtu si skenat shekspiriane. Intuita gjeniale e popullit i ka brenda vetes tërë ligjësitë e artit për të na dhënë pasazhe të tilla të papërsëritshme. Ja dy vargje energjike që paralajmërojnë dramë, me të cilat fillon një këngë tjetër :

                              Ditën që zuri bora,
                              mora shallin edhe dolla.

Aftësia e popullit për ta koncentruar esencën e motivit në dy a tre vargje, bën që ato grumbullojnë në vetvete energji të mëdha poetike ashtu si bërthama e një atomi. Një motre i vrasin të vëllanë për hiçgjë dhe ajo ngjesh armët, merr hakun dhe i drejtohet të vdekurit:

                              ...po të bij shok me vëllanë,
                              tok ta pini duhanë!

Energjia këtu gjeneron nëpërmjet nëntekstit si një reaksion zinxhir. Ja dhe dy vargje të tjera:

                              Na dhanë rrobat e ngushta,
                              jemi djem na zë angusa.

Këtu nuk është vetëm shqetësimi për rrobat e ngushta të nizamëve por për njëmijë halle që burojnë prej kësaj, për personalitetin dhe lirinë e humbur, për rregullat e rënda të jetës ushtarake osmane. Kjo angusë, kjo zënie fryme është pastaj për tërë atdheun, djemtë e të cilit i çonin “ Në Jemen si qetë”.
   Në asnjë këngë nuk mund të gjesh qoftë edhe një mjet poetik që të vihet si stoli apo qëllim më vete. Vjershëtori anonim nuk kërkon t’i imponohet kujt. Tek kjo përmbledhje nuk gjen as formulimet e standartizuara të bukurisë në femrën në përgjithësi që gjetkë e has. Kur thotë për vajzën se është vetullnakatosur, këngëtari vizaton më shumë gjendjen e saj të trazuar. Epitetet buzëlule, ballëdiell, ballësulote, armëpishë, e shumë të tjera, para se të shprehin kategorinë e së bukurës, shprehin një veti, një anë të karakterit. Pasuria e leksikut çam me fjalët e rralla e plot tingëllim ndihet në të gjitha këngët. Le të shënojmë këtu disa fjalëformime me ngjyrim poetik si leshbozhure, dhëmbëqelqe, lumare, vajrëkimë, dhënëbukëpakëza (njerka), dhënëbukëshumëza (nëna), parahënë, rrungalë, mespurtekergjenda, bythpuloshi (gishti i vogël, thikënëngunëza (e pabesa) etj. Apo nuanca kuptimore si buka e lumit, që nënkupton grykëderdhjen me llum të tij. Ndoshta më shumë se për çdo fushë tjetër populli e ka ngritur furrën e fjalëve të reja për të ushqyer poezinë e tij.
Nuk mund të mos përmend këtu disa thërmia të papërsëritëshme të këtij folklori, për të dhënë sadopak diçka nga madhështia e tij:

Ç’u mplaksh e këmba më mbet,
djalërinë kush ma jep?
Ta blej një milë e dyzetë,
dhe vetëm për një sebep,
për Mirushen që s’më flet
po shkon si pampor në det.
***
Këta ujt’e rrëzave
si misht e thëllëzave,
këta ujt’e maleve,
si djathët e staneve,
gjumë i ëmbël i Pargës,
portokallja e Nartës.
***
U dolla, dielli leu,
dolli nepërka nga dheu.
Besëqenia më gënjeu.
Gënje moj qëne, gënje,
në të zënça me hile
në vathë të bletëve...
***
shkon furtuna ndënë koshtë,
me qelq farfuri në dorë
e potis vasilikonë.
Shkon furtuna dikue klarë,
çish kërkon? Kërkon beharë,
kërkon prill, e kërkon majë
djalënë për veten e saj.
***
Kur të bën pruf-pruf fustani,
si në det kur shkon tufani;
kur të bën pruf-pruf shamia,
si në det kur shkon gjemia.
***
Sulltani hordhitë i pruri,
digju ti, Janinë nuri!
***
Këto kusuret tona,
s’kanë të sosur akoma,
lëshojnë gjethe të njoma.
Shkoni, moj të liga, shkoni,
shkoni mbi mua, kaptoni,
se jam i mësuar, i gjori.
***
Ne ulliri në sohor,
frin një erë e bin një borë,
shkon një trim vetullahollë
me martinëzën në dorë.
***
Fati im i gremisur,
vallë ç’ditë është nisur.
A mos e ka zënë gjumi,
apo e ka marrë lumi;
a mos e ka zënë ledhi,
a vallë mos i dhëmb mezi.
...Qysh i vogël kam bredhur në lëndinat e këngëve çame. Mblidhja farat e fjalëve të rralla, toponimet, vargjet brilante që i ruaja si petalet e luleve, dengje lirikash të shkurtëra me të cilat mbushja blloqet, fjalët e urta. Këto ishin arkivi im i parë sëbashku më këngët popullore arbëreshe që i ktheja me durim në shqipen e sotme dhe habitesha se sa ngjanin me ato të krahinës sime. Pastaj u fut brënda meje De Rada dhe Mitrush Kuteli. me  hambarin e pashoq të leksikut të tij, me të cilin krijoja fjalorin tim. Dhe çuditërisht, gjithmonë, kënga popullore çame, ajo arbëreshe, poezia e De Radës dhe shqipja e përkryer e Kutelit, përziheshin për të mbrujtur kulaçin e vërtetë të poetikës që ëndërroja të kisha.
                                                                 
Shkruar 1986. Hyn në shtyp në revistën “Nëntori” dhe hequr nga shtypi me porosi të KQ të PPSH.
 
_________
Huazuar nga joniane.blogspot.com