Mittwoch, 9. Juli 2014

Te Guri i Prevezës

 
Prend BUZHALA:

OFSHAMA E ALI PODRIMJES
PËR LITARIN E KËPUTUR
NË PREVEZË
 
1.
E dëgjonim dhe e lexonim, gjatë viteve ’70 e ’80, ofshamën poetike të Podrimjes: “Oh ç’m’u këput litari te Guri i Prevezës”. Lektyra e etnisë nacionale, gjatë atyre viteve, e kuptonte këtë varg një si intertekstualitet që korrespondonte me vargun e Pashko Vasës, tek cenzurohej në botimet tona. Ish...
te njaj vargu vizionar i Podrimjes, që ta sugjeronte çështjen shqiptare ende të pazgjidhur, përmes figurës së Urës, e cila "Me një krah në qiell me tjetrin në mishin tim", vinte si jehonë plagësh. Si kurorë e kujtesës sonë poetike vjen një libër tjetër, i konceptuar nga ato poezi (ALI PODRIMJA: “TE GURI I PREVEZËS”, POEZI, BOTOI “ARBËRIA”, TIRANË 2003), në një kontekst tjetër kohor.

2.
Ishte cikli i poezive “Rekuiem për pyllin e prerë” i librit “Fund i gëzuar” (1988), i cili atëbotë lexohej si poetikë e pastër, që, diku në shtresat e ndërdijes sonë kolektive, të grishte për t’u futur në thellësitë e kujtesës sonë nacionale, tek do ta parandiente kërdinë e monstrumëve (aty gjendet edhe poezia “Monstrumi”), tashmë të shfaqur në horizontini e errët (serbian, millosheviçian), si shfaqeshin bajlozët e baladave. Te libri i përmendur, atëbotë, nëpërmes cikleve të tëra poetike, ai na i shtronte edhe pyetjet tjera dramatike: “A ju kujtohet”, “A ju dëgjon harrimi” (tituj poezish).
Dhe, poezia ishte e para ajo që i ringjallte ato imazhe kujtese, e, së andejmi, na e shpërfaq me semantikë të pasur jehonën tragjike të vargut lapidar të memories së pashuar nacionale
"Moj e bukura More". 

(PARANTEZË: ÇKA NA LIGJËRON HISTORIA?)

Data 27 qershor 1944 shënon ditën e holokaustit çam. Kujtesa historike nuk shlyhet. Historia na thotë: pellazgo-ilirët ishin banorët e hershëm të Çamërisë. Përmendet mbreti i parë, Therporti, me prejardhje pellazg, heroi i shquar Pirro, kurse vetë Çamëria ishte pjesë e Mbretërisë Ilire. Çamëria ishte pushtuar nga Mbretëria Osmane më 1449, e cila luftoi kundër ushtrisë osmane në vitet 1611 dhe 1803. Në betejat e fundit u shqua regjioni i Sulit. Duke qenë pjesë e Janinës, atëbotë ishin të njohur si luftëtarë, mësues dhe patriotë Luli Çapari, Marko Boçari, Hasan Tasini, Osman Taka, Çelo Mezani etj. Kësaj radhe, duke i përmbledhur këto të dhëna, në ndihmë na dalin shkrimet e gazetës “Çamëria”, shkrime të autorëve si prof.Hazir Shala, shkrimet e gazetës “Balli i Kombit” (Boston), të Agron Alibalit, dëshmi nga debati i Kongresit amerikan me grekët për çështjen çame, kërkuar nga Hilari Klinton; shkrime nga Miranda Vickers, Joseph Jakobs, Shef i Misionit Amerikan në Shqipëri dhe të publicistes e krijueses Vitore Stefa-Leka. Në fillim të shekullit XX Çamëria kishte 75.000 banorë etnikë. Suliotët kanë folur shqip. Edhe sot e kësaj dite kudo që janë në fshatrat e Frarit (Kastri, Kanallaq, Hajke) në Prevezë, Artë, Pargë e gjetkë. Qendrat kryesore të saj janë: Filati, Gumenica, Parga, Margëlliçi, Paramithia e Preveza. Në veri, kufijtë e saj mbërrijnë deri në zonën e Delvinës, në jug kufizohet me Gjirin e Artës (Prevezës), në perëndim laget nga deti Jon, kurse në lindje ndahet prej pellgut të Janinës nga malet e Oliçikës e të Llakës. Çamëria pushtohet nga Greqia më 23 shkurt 1913. Pushtimin e pasoi një valë krimesh, ekzekutimesh e terrori mbi popullsinë, veçanërisht mbi atë muslimane. Kufoma shqiptarësh të shfytyruara në mënyrën më të egër, skena mizore në qytete e fshatra e Paramithisë. Më 17 dhjetor 1913, i ashtuquajturi "Protokolli i Firences" sanksiononte përfundimisht vijën jugore të kufirit, i cili linte jashtë territorit shqiptar Çamërinë dhe vise të tjera të Shqipërisë. Tashmë çamët i kanë ditët e vitet e holokaustit, si dhe ato të gjenocidit grek. Më 1913 u krye masakra në përroin e Selamit (Paramithi) e 72 krerëve të Çamërisë dhe e qindra të tjerëve. Shqiptarët tjerë u degdisën në Anadoll, u rrëmbehen me mijëra hektarë tokë buke, sipërfaqe të mëdha me vreshta, qindra mijë rrënjë ullinj, të cilat u bënë prona të elementëve grekë; inkurajimi i kryqëzatave fetare. U ndalua me dhunë të flitej në gjuhën shqipe. Qeveria greke bëri çmos që të përçante popullsinë shqiptare çame, duke u përpjekur të kundërvejë të krishterët ndaj muslimanëve. Bëhet fushatë e re masakrash dhe krimesh nga më monstruozët kundër popullsisë shqiptare. Të burgosurit dhe të internuarit çamë u liruan vetëm mbas pushtimit të Greqisë nga ushtritë gjermane në një gjendje të rëndë shëndetësore dhe shpirtërore. Gjenocidi vazhdoi edhe mbas Luftës së Dytë Botërore. Çamëria përjeton njërën ndër tragjeditë më të mëdha të Evropës: në qershor të vitit 1944, u vranë dhe u masakruan mbrenda 24 orëve rreth 1400 shqiptarë. Kurse gjatë qershorit 1944 dhe marsit 1945, në Filat vriten 1286 shqiptarë, 192 në Gumenicë, 626 në Margellicë dhe Pargë, kurse mijëra të tjerë zhduken. Shënohet: se “në të njëjtën kohë, si rezultat i gjenocidit grek, 2900 të ri dhe të vjetër, 214 femra, 96 fëmijë qenë masakruar, 745 gra qenë dhunuar, 76 femra qene rrëmbyer, 32 fëmijë, 68 fshatra qenë shkatërruar me gjithësej 5800 shtëpi.” Ndërrohen emrat e qyteteve dhe të fshatrave për ta shkombëtarizuar këtë krahinë, përdoren tatimet e rënda, grabitja e tokës, përjashtimi i popullsisë nga pjesëmarrja në administratën shtetërore, ndalimi i dhunshëm i arsimit në gjuhën amtare, vrasjet, burgimet, dënimi me dhunë deri në masakrat e përgjakshme. Nga një popullsi prej 35000 vetësh që ishte para luftës, mbetën vetëm disa dhjetëra familje. Vetëm në tragjedinë e Filatit dhe të Paramithisë që u zhvillua në qershor dhe tetor të vitit 1944, rezultati ishte: 2000 të vrarë, gra, fëmijë, pleq dhe burra të paarmatosur, të masakruar në mënyrën më çnjerëzore nga bandat zerviste. Në fshatrat e Paramithisë, Gardhitës, Dhrahumit, Karbunarit, Veliat, Filatit, Galbaqit dhe Spatarit u pati grabitje të mëdha. Joseph Jakobs, Shef i Misionit Amerikan në Shqipëri (1945-1946) shkruan: "Në mars 1945 njësi të forcave të shpërndara të Zervasit, kryen një masakër ndaj çamëve në zonën e Filialit dhe praktikisht e spastruan atë nga pakica shiqptare. Simbas të gjitha të dhënave, që kam mundur të mbledh mbi çështjen çame, në vjeshtën e 1944-ës dhe gjatë muajve të parë të 1945-ës, autoritetet e Greqisë veriperëndimore kryen goditje të egra, duke dëbuar rreth 25.000 çamë - banorë të Çamërisë nga shtëpitë e tyre. Ata u ndoqën deri në kufi, mbasi iu grabitën toka dhe prona. Qindra meshkuj çamë të moshave 15 deri 70 vjeç u internuan në ishujt e Detit Egje. U dogjën ne total 102 xhami". Gazeta "Çamëria ", organ i shoqërisë politike -atdhetare "Çamëria", shkruan: të martën e 27 qershorit 1944 në Paramithi u vranë 1400 burra , gra e fëmijë; gjatë periudhës qershor 1944 - mars 1945 u vranë në Filat 1286 çamë; në Gumenicë u vranë 192 shqiptarë çamë; në Margjelikë dhe Parga u vranë 626persona; 2900 burra u masakruan; 214 gra dhe 96 fëmijë u vranë nga bandat e Zervas; 745 gra u përdhunuan , 76 të tjera u rrembyen; 32 fëmijë, më të vegjël se tre vjeç u masakruan; 86 fshatra u rrafshuan; 580 shtëpi dhe vende kulti u dogjën dhe u shkatërruan. Mbi 100 mijë çamë janë shpërndarë në qytetet e Shqipërisë dhe kërkojnë, mbas gjashtë dekadash eksodi, rikthimin ne tokat e tyre. Rikthimi vazhdon të kundërshtohet egërsisht nga autoritetet greke. Por ky rikthim ka filluar të kërkohet gjithnjë e më fuqishëm.

3.
Zëri i rebeluar i revoltës poetike të Podrimjes vinte tek lexuesi shqiptar i atyre viteve me dramatikën e thënies poetike; dramatikë që niste e soste me shqetësimet e krijuesit për Kosovën dhe për etninë... Nëse poetin e mujshon aq shumë heshtja e bardhë që shlyen emra, ngjarje masakrash e kohësh, ai dëshiron t'u japë zë pikërsht përmes verbit poetik, aty ku e sheh perspektivën e ligjërimit artistik:
 
  "Isha i vetëm me arabaxhinë
'i buzëqeshje të Bjeshkëve të Namuna kisha
dhe Flakën në sy"
(poezia "Ai që nuk të pa, Çamëri") 

  Personazhit, të cilit i zihet prita, nuk i dihet emri. Ai është i vetëm, duke e çuar, mbase, ndonjë kumt për librin a abetaren e botuar, a duke sjellë ndonjë shtypshkronjë në atdhe. Shfaqet thika mbas shpine a helmimi. Personazhi është i shumëzuar nëpër tragjeditë që kanë ndodhur. Vetë poeti i kishte vizituar ato vende çame gjatë atyre viteve '70 e '80. Pamjet shndërrohen në kujtesë të fortë, në imazhe poetike, sakaç.

4.
Aq shpesh e shpesh poeti zë e revoltohet kundër kësaj drame të harresës, kundër padrejtësive të djeshme e të sotme historike ndaj lirisë së shqiptarëve, sa i fshikullon të gjithë ata që sillen me indiferencë ndaj kësaj drame të masakrave:
 
“Oh Çamëri
ai që nuk të pa
vdiq në ëndërr”.

Poeti ka drojë për të ardhmen, nëse përsëritet kjo indiferencë a ky kob zhbërjesh, i paralajmëruar atëbotë si një monstrum në sfondin e ngjarjeve të viteve '80, që përgatnin tragjedi të reja kundër etnisë sonë. Tashmë poezia zë e endëzohet si një epikë dramatike mbi Çamërinë: ajo alegorizohet si vertikale poetike e lashtësisë sonë që lëshohet drejt nesh, si vetënjohje lirike e qenies sonë, si ftesë për vetëkthjellim. Prandaj krijuesi zë e i këndon zbulesat, anatemat a apokalipsat e tij të dhjatës poetike:

Oh ç'm'u këput litari te Guri i Prevezës
Joni ynë
Mjerë U'

(6 korrik 2014, shkëputje)

Sonntag, 29. Juni 2014

Sali Bollati - Si e pashë Çamërinë time


Si u riktheva dhe e pashë Çamërinë time

/ Yllyriapress.com  06/27/2014 - 12:18 AM /
 
U nevojitën mbi 66 vjet për t’u kthyer në vendlindje, në Paramithi të Çamërisë. Atëhere unë isha vetem 7 vjeç, ndërsa bashkëshortja ime Bule Pronjo 6 muajshe dhe djali i tezes Dr. Tahsin Demi ishte vetem 3 muajsh, kur humbem baballaret tane. Pra unë si më i madhi ende kam të pashuar në mendje vrasjet, masakrat dhe vuajtjet që shovinistat grekë ushtruan mbi gjyshin Muharrem 82 vjeçar, gjyshen-Rukije 72, babain Ibrahim 52, nënën-Betulla 36, vëllezërit Ferhat 13 vjeç Faruk 5 vjeç dhe motrën Makbule 2 vjeçe. Ato bashkë me mbi 600 paramithiotë të tjerë humbën jetën se ishin Shqiptarë. Ndërsa unë me motrën Qerime 10 vjeçare vuajtëm burgun deri në Dhjetor 1944 kur na përzunë me dhunë dhe ushtarët anglezë na transportuan për në Shqipërinë mëmë. Kështu do të përpiqem të tregoj se ku janë tokat ku prindërit tanë kishin ngritur kullat e sarajet e ku kishin lindur
Në Shtator të vitit 2010, vetëm në sajë të pashaportës Amerikane, ngase autoritetet greke nuk lejojnë akoma të marrin viza hyrje ata shqiptarë që kane lindur atje, na u bë e mundur bashkë me time shoqe Bulin të vizitojmë Çamërinë tonë. Me të kaluar Qafën e Botës, me lotë në sy, hymë në Tokën e Bekuar. Përshtypja që të bie menjëherë atje janë ullinjtë e pafund dhe për çudi ato mbanin më shumë kokrra ulliri se sa gjethe. Çamëria është një krahinë aq e pasur dhe bukur sa vetëm kodra të gjelbëra me ullinj e pemë frutore, livadhe ku kullosin bagëtia dhe det me ujë të pastër si kristali të zë syri në Filat, Paramithi, Prevezë, Margëlliç, Pargë, Gumenicë e ngado të shkosh.
Pushimin e parë e bëmë në Filat. Midis shumë shtëpive të porsa ndërtuara sheh shtëpia të vjetra, gjysëm të rrënuara. Aty në qendër, para gjimnazit në një lulishte të bukur ishte një kafene. U përpoqa të flas shqip, por kamarieri na thotë se nuk është vendas. Pastaj vamë në Paramithi. Shtëpia ishin ndertuar shumë, por Kulla e Bollatatëve qëndronte në krye të qytetit. Kjo Kullë mesjetare jo vetem se ishte rimëkëmbur, por është kthyer në Muze të Paramithisë. Fatekeqësisht atë ditë ishte e mbyllur. Pranë saj qëndronte shtëpia ku kam lindur, ende sot e banuar por nga banorë të paligjëshëm. Portali i lartë prej guri i derës së oborrit nuk ekzistonte më. Në vend të tij një derë hekuri e mbyllur me çelës. Asnjeri nuk dukej. Në livadhin ku luanim bashkë me moshatarët Rexhepin, Mitatin, Mihalin e Janin kanë mbirë shkure. Ndërsa ullinjve dhe fiqve të shumtë bashkë me kopshtin e zarzavateve që rrethonin shtëpinë tonë iu mungonte kujdesi dhe duart e ngrohta të dikurshme; janë kthyer në shkurre dhe ndërtesa.
Me Tahsinin shkuam te vendi që ishte shtëpia e lindjes se tij. E mbaj mend se ishte prane konviktit të gjimnazit. Aty dukeshin disa rrënoja murri të trashë, por ishte ngritur një shtepi e re që e zonja e saj na tha se ishte e ardhur në Paramithi e nuk dinte se e kujt ishte toka. Pyeta një plakë se ku banon Lefteri, djali i Spiro Muselimit që në librin e botuar më 1974 dhe 1997 “Vështrim historik nëpër Çamëri (Istoriko peripato ana tis Thesprotia)” shkruan se Dinejtë, Pronjatët, Bollatatët, Manoplejtë dhe Kasimatët në Paramithi ashtu si edhe Caparejtë e Rojbatët në Margëlliç janë familjet më të dëgjuara të bejlerëve dhe agallarëve në Çamëri. Fatkeqësisht edhe ajo plakë e zbritur nga fshatrat malore nuk pranoi të tregonte.
Ndërsa me ime shoqe Bulin kaluam në rrugën që ishin Sarajet e Pronjatëve, ato të Islam Pronjos që kishte luftuar bashkë me Gjo Lekën në malin e Melesinit kundër turqëve duke qenë vëllame dhe mbrojtes i Çamëve Suliotë. Në muret e shtëpive të vjetra që ende qëndrojnë janë të mbështetura ndërtime të reja, por nuk doli njeri për të pyetur. Në British Museum të Londrës para disa vjetësh gjetëm të shfaqura 19 skulptura bronzi të shekullit IV e.s., të cilat shoqëroheshin me fjalët: ”Në vitin 1792, disa fshatarë shqiptarë pranë Paramithisë zbuluan këto skulptura të mahnitshme”. U përpoqem të gjejmë në tokat e Pronjatëve në Libon vendin e quajtur “Gropa” ku ishin zbuluar ato skulptura, por nuk arritëm.
Kryexhelati i masakrave të Çamërisë, Napolon Zerva, kapardisej duke i shkruar më 1953 një bashkëbanditi të tij Niko Danit: “Duhet të krenohemi që zhdukem nga qafa e helenizmoit Shqiptarët moslemanë të Çamërisë”. Vazhda e kesaj ”krenarie” ishte e është zhdukja e gjurmëve dhe heshtja ndaj atij barbarizmi mesjetar. Të gjitha vorrezat e vjetra prane ish 9 xhamive të Paramithise (xhamia e fundit, ajo e Bollatateve është prishur më 1952 – vërteton Spiro Muselimi), janë shkatërruar duke ndërtuar shtëpia dhe rrugë. Ndërsa mbi gropën ku ishin hedhur trupat e mbi 600 viktimave të genocidit grek të Qershorit 1944 është shtruar një fushë basketbolli. Hidhërimi më i madh për njeriun e gjallë është kur nuk gjen vendin e prehjes së të parëve të tij, duke mos patur mundësi të vejë një tufë lule për prinderit e të dashurit që megjithëse të lindur e rritur në shtëpijat dhe pronat e tyre mijravjeçare nuk u lejohet një varr për pushim të përjetshëm. Me këtë brengë të madhe, plagë të pashëruar, u larguam për së dyti herë nga Paramithia jonë!
U nisëm për Pargë. Parga si qytet bregdetar ka një pamje të hatashme. Me shtëpijat ngjitur me njëra tjetrën dhe me rrugicat me kalldrëm nën kalanë e bukur mesjetare është mbushur me njerëz, vendalinj e turista. Darkuam në restorantin e Grigorit që bashke me vellain e tijë Thimion na flisnin shqip. Ashtu si gjuha që bisedonim edhe ushqimet e pijet që na shërbeniun na bënë të harrojmë sado pak Paramithinë e heshtur martire. Janë nga Rrapeza, fshat afër Pargës. Këtu jeta nuk pushon deri orët e para të mëngjesit.
Të nesërmen u ngjitëm pranë Kalasë në të ashtuquajturin Pazari Turk; aty nuk dallohen mirë dyqanet nga shtëpijat dhe njerëzit janë shumë të dashur e mikpritësa. Duke ecur e biseduar na afrohet një burrë i moshuar. “Unë jam Panua nga Shën Djella (sot e quajne Aja Qirjaqi), fshat këtu afër Pargës. U dëgjova që flisni gluhën tënë, e mirë se na keni ardhur”. Ne në fshat të gjithë këtë gluhë flasëm, bile edhe me priftin ashtu meremi vesh. Këtu m’u kujtua se Peshkopi i Çamërisë që më 1877 kishte përkthyer Dhjatën e re në shqip, meqenese të krishterët çamë nuk e kuptonin meshën në greqisht. Faktikisht në Çamëri, ashtu si edhe në krahinat e tjera si moslemanet ashtu edhe të krishterët ishim të gjithë shqiptarë. Bile jo vetëm që ishin shpesh herë vëllamë me njëri tjetrin por edhe martoheshin.
Kur e pyetëm Panon në se e kishte njohur një Veli Manzuranën këtu në Pargë, ai iu drejtua një gruaje edhe ajo e moshuar, në shqip. “Moj Vasilikë pa fole me këta se diçka duan të dijnë”. U afrua Vasilika dhe na përshëndeti. Kur e pyetëm ajo me mallëngjim të madh na u pergjegj: “Ç’më piesni, unë me Hysnijen motrën e Qamilesë, gruas se Veliut, kemi qenë shoqe të ngushta”. Dhe Vasilika na tregojë se si më 1944 Qamileja kishte vajtur dhe nxorri nga burgu i Paramithise dy motrat e saja me të vogla Feton e Dilen, të cilat me vonë u martuan me shqiptarë nga Korça, të ardhur enkas nga Australia. Por Qamileja e varfër, vazhdoi Vasilika, kujtonte gjithëmonë vëllain e shkretë Nelon, që e kishin vrarë grekërit në Paramithi dhe pati lënë nje djalë 3 muajsh. Duke e dëgjuar rrëfimin e Vasilikës, m’u rrënqethën mishtë dhe i tregova asaj se ky doktori i pashem pranë është ai djali 3 muajsh që e ruajti dhe e rriti nëna e tijë shumë e dashur dhe e nderuar, tezja ime Zybideja. U përqafua Tahsini me Vasilikën dhe u shtërnguan fort dhe ne me sytë plotë me lotë vështronim ata të mallëngjyer. Dhe kjo nuk është përrallë, por një e vërtetë që nuk mund të harrohet.
                                                  Kulla e Bollatatëve
 
                                                 Me Vasilikën në Pargë
 
                                                Me xha Panon në Pargë
 
                                                       Paramithia
 
                                                 Sali Bollatri, 28 nëntor
 
 Këtu e kuptuam se “harresa” dhe heshtja në Paramithi nuk mund të jetë e vërtetë. Kujtesa, dashuria dhe respekti popullor, pavarësisht nga zhdukja e varreve, qëndron e gjallë dhe nuk ka sesi të harrohet dhe do të vije koha që një ditë të vendosim edhe ne një tufe me lule për shpirt të prindërve të cilët jo për faj të tyre na lanë jetima rrugëve. Mikëpritja e parganjotëve nuk kishte fund. Duke dëgjuar bisedat, një grua tjetër hapi derën e na ftoi: “Hajdeni brena tu jap një liko që e kam përgatitur vetë me fiq të mirë”. Hymë dhe duke vazhduar bisedën se në fshatin e sajë Rrapëz flasin të gjithe gluhën shqipe, bile ka edhe të moshuar që nuk e kuptojne mirë gërqishten. Bie zilja e telefonit, Dhimitra e ngre dhe fletë: “Çu dive moj Parashqevi, a je me mire sot?” dhe mbasi përfundoi bisedën telefonike na shpjegoi se ishte motra e sajë që fliste nga fshati i tyre. Ajo na tha pak si me ndrojtje se sa mirë do ishte sikur të vinin këtu ndonjë ditë valltare e këngëtare çamë. Se na ka marrë shumë malli të dëgjojmë këngët tona shumë të ëmbëla e aqë më shumë të shihnim ato valle të trimave çamë! Nuk dinim se çfare përgjigje t’i jepnim. Biseda e ëmbël në gluhën e nënës, zgjati edhe ca, mbasi e falenderuam për dashurinë dhe respektin që tregoi ndaj nesh me likon shumë të shijshme, u larguam të mallëngjyer por edhe disi të turpëruar që nuk mundem t’i përgjigjeshim dëshirës së Dhimitrës për këngët e vallet çame.
U ngjitëm në Kalanë e Ali Pashës, siç emërtohet sot. Veç pamjeve mahnitëse tee bregdetit tee Pargees nee Muzeun qee kishin ngritur brenda sajee lashee sheenimin: “Ishte njee kënaqësi e veçantë të shikoje këtu trashëgiminë shqiptare të përfaqësuar edhe nga parganjotja e njohur Elena Gjika ose Dora D’Istria. E nenshkrova Sali Bollati, Paramithioti nga Nju Jorku”.
Duke zbritur një burrë na ndaloi pranë dyqanit të tij. Filloi shqip, por menjëherë e ktheu në greqisht. U përpoq të na bindi se në të vërtetë kemi jetuar pranë njeri tjetrit miqësisht, si vëllezër, veçse disa palo njerëz për të marrë pasuritë e të tjerëve bënë atë kërdi si në Paramithi edhe këtu në Pargë. Zbritëm poshtë dhe notuam në ujrat ngohta e të kristalta të plazhit të Pargës, bile duke “garuar” me njëri tjetrin se kush do ta prekte i pari me dorë gurin e madh të ishullit përballë. U larguam nga Parga mikpritëse me përshtypjet më të mira për në pjesën më jugore të Çamërisë.
Preveza, në gjirin e Artës është një qytet sa i bukur ashtu edhe historik. U përpoqëm të gjenim Sarajet e Dinejve, aty ku me 1879 Abedin Pashë Dino dhe Abdyl Frashëri iu drejtuan Kongresit të Berlinit që vilajeti i Janinës bashkëme gjithë Çamërinë të mos ndaheshin nga trojet e tjera shqiptare. Dhe kjo kërkesëe drejtë në sajë edhe të mbështejes se popullit të armatosur qëndroi në fuqi deri në Mars 1913 kur krahina shqiptare e Çamërisë u pushtua nga Greqia.
Kaluam nga Margelliçi me shumë ndërtesa të vjetra të rrënuara, por për çudi qëndronte vetëm një minare e një xhamije dhe shumë shtëpia të reja pranë sajë. Këtu, Dr. Ingridi, bashkëshortja e Tahsinit, na tregoi se si gjyshi i saj, atdhetari i mirënjohur Rauf Fico, kishte shërbyer si Kajmekan në Margëlliç dhe më vonë në rolin e Ministrit të Jashtëm të Mbretërisë Shqiptare e kishte ngritur dhe mbrojtur denjësisht çeshtjen e Çamërisë. Mbas Mazrekut plotë me ullishta dhe tre fabrika vaji, pimë kafe në Platare. Shkuam në Gumenicë e cila shtrihet e gjatë në bregun e detit ku shumë tragete e lidhin me botën mbarë.
Hypëm bashkë me makinen e Dr. Tahsinit në traget dhe u drejtuam për në Korfuz. Mbas afro dy orësh, duke soditur me mallëngjim nga larg bregdetin e Çamërisë, zbresim në Korfuz. Korfuzi me kalate dhe ndërtimet karakteristike i ngjan me shumë një qyteti europian. Në fakt aty pushojne turista nga e gjithë Europa dhe bota. Në restorantin që drekuam na shërbeu me kënaqësi një djal shqiptar i zgjuar dhe shume i përkushtuar në punën e tij. Të nesërmen, gjatë kthimit për në Gumenicë duke soditur përsëri bregdetin çam, na afrohen disa turistë grekë që kishin ardhur nga Selaniku. Ata me pyesin nga jemi se nuk e kishin dëgjuar ndonjëherë gjuhën që flisnim. Unë i them se jam nga Paramithia dhe jemi duke folur shqip. Njëri nga ata i çuditur thotë se Paramithia ndodhet larg nga kufiri, si është e mundur që flisni gjuhën e Shqipërisë. Mbasi u shpjegoj se jo vetëm Paramithia por e gjithë Çamëria, deri në Prevezë që ndodhet edhe më në jug, u pushtua nga Greqia vetëm më 1913, po ashtu si edhe Selaniku i juaj me 1919. Ata u larguan menjëherë, pa thënë asnjë fjalë. Zbritëm nga trageti dhe morëm rrugën e kthimit.
Nuk më ndaheshin nga mendja ata parganjotë që kërkonin të shihnin, të takonin dhe të gëzoheshin me më shume vellezër shqiptarë. Tregonin se tani që shqiptarët kanë ardhur për punë këtu e ndjejnë vehten më mirë. Bile xha Panua na tha se do ishte shumë e mirë sikur të hapej edhe ndonjë shkollë që fëmijtë të mos e harronin gluhën e perëndisë.
 

Samstag, 21. Juni 2014

Namik Selmani - Kur të shkoj në Çamëri

 
Kur të shkoj në Çamëri

Në një krua ku njomet buza
Do të pi ujë të bekuar
Do thërras zogj e pëllumba
Ditë e bardhë pa aguar.

Do të pi një verë agimi ...

Të papirë në jetë të jetëve.
Në s’më ngop një çast burimi,
do thërras në ndihmë dete.

Do ta tund në erë shaminë
Ku çerdhon një dallandyshe.
-Erdha prapë, mik’e mirë
mos m’i shih thinjat mbi krye!

Do ta shporr Gardhin e Shpirtit
T’i kthej malet në lendina.
Prush i nxehtë që fle të gjiri
Do blerojë bokërrima.

Do ta gdhij natën voliote
Sup më sup me Osman Takën
Në s’më gjeni në një breg
Do më gjen tek mbjell arën.

……………………………

Tri pranvera e vera bashkë
Çamëri,pret pa u ndalur.
Kush ta djeg zemrën e bardhë
Iu harroftë në shekuj pragu!

 
 
Amaneti i nënës
Motiv çam

Më lini të shkoj në male të Margëllëçit që të ndez furrën
Të pjek kulaçin për Dasmën e shpejtë Rikthimit!
Në gërmadhat e viteve dua të gjej leshin dhe furkën
Në bahçet e vetmuara të mbledh kokrrat shegëve e të ullirit.

Hingëllin një kalë i vetmuar në portën e drunjtë
Akoma rrëmih në tokë me këmbët pa patkonj.
Në varret dhefundosur ka gjarpërinj ferra dhe gurë
Në oda dasmat e vashazve dua prapë t’i shoh,.

Do shkoj dhe zbathur të mbjell borzilok dhe mannxuranë
Do vijnë krushqit e s’kam ç’t’u vë në duar
Në këmbët e detit të luaj me dallgë e me valë
E këngët e kurbetit dua që sot t’i shoh zgjuar.

Do të përkëdhel gurët e muret me dhimbje e mall
Të lyejcep më cep me gëlqere oxhakun dhe vatrën.
Do thërras trimat që vallen ta hedhin gjer na tavan
e fëmijëve e që do të lindin t’u jap me shpirt uratën.

Do të vete në Margëllëç, do të vete!!!

 
 
Kush ma shkruan amanetin
( Motiv çam)
 
Kush më merr sërish për dore
Të më bredhë prapë?
Çamëri, moj klumushtore
Djegur nga një mall.
Kush më njom buzët e thara
Nga etja shkrumbuar
Kush më mban një iso kënge
Gojë më gojë kënduar?

Kush ma tund valles mandilen
Të pikojë nga nuri
Të më hapë sëndyqet varg
Të kërrej flamurin?
Kush më fut nëpër ullishta
Kokrrat t’ua prek,
E t’u them ca fjalë malli
Si ninullë në djep?

Kush m’i thotë fjalët çamçe
që s’i fola dot.
Kush më jep në rrudha duarsh
Lule borzilok?
Kush me feks me dritë ballin
Nëpër terr të qiellit
Kush më ngre si një kala
Lapidar kujtimi?

Kush ma shkruan amanetin
Me fjalët prej zjarri?
Kur të hidhen plisa dheu
Ëndrrën jasht ma mbani!
Se do bëhem prapë dhëndërr
Që të dhëndërroj
Do të bëhem sqep shqiponje
Brigjesh të ndaloj.

Se do bëhem fyell Tane
Të zgjoj Çamërinë
Për ty , nënë, me thinja valësh
Mos paçim harrim.
Se do bënem frymë e gjallë
Që të zgjoj oxhaqet.
Se do bënem Verë e ngrohtë
Të çel manushaqet.

Vjen në fjalë si uratë
Kohë e kalëruar.
Na troket me gurë në portë
Me pishtar në duar.
Na kujton ca varre shkretë
Ca lule lëndine
Fshehur krojesh nëpër përrele
Në rrënjë të ullinjve.

Ç’them kështu, vëllezër, motra
Mos jam bërë përçart?
Dorën trupit të ma vini
Ballin e kam zjarr.
Do më jepni hak patjetër
Se na rrit një palcë.
Me vatanin brumëgatuar
Ngrohur-o në një buhar*

Buhar –(dialekt).-oxhak

Samstag, 17. Mai 2014

Vajtim çam


Rrahim Sadiku - Ajo Ҫamëria


Ajo Ҫamëria

Plagëve të shpirtit
dhembin kujtimet!
Ҫamëria mbetur horiont pa fund
shtigjeve frymëzuese.

Pehatur një vale nga deti...

një dege ulliri vizatuar,
një ere tek përkund lisat
shtruar ëndrrës,
madhëruar shpresës…

Një kohë do të hapet, o lot,
me hënën shpaluar qiellit,
me zemrën qetësuar drithërimeve!
E ajo, Ҫamëria,
me legjendën do të vijë
kllapuritjeve të liqenit
bregut të Jonit
veshur arbërisht
e re, si nuse…

Danel Cana - Çamëria

 
ÇAMËRIA

Unë do të jem i qetë,
Kur të shoh çamerinë,
Në vënd të saja të rrojë.
Edhe si njerëz të lirë,
Të qeshë edhe të gëzoj.
Ma do zemra që të bëhet,
Ajo që njeriu do.
Po ke zemër prej njeriu,
Nuk i thuhet zemrës Jo!
Kush ka zemër prej njeriu,
Nuk e bën tjetrin të vuaj!
Por dhe kur e sheh që vuan,
E ndihmon, e i jep shpresë!
Se dhe botën po t'më falin...
Çameria... do therresë!

Montag, 21. April 2014

Arben Kondi - Etnocidi grek ndaj Çamërisë

Sa herë që flitet për Çamërinë, gjëja e parë që të vjen ndër mend është gjenocidi grek i kryer ndaj popullsisë së saj. Në çast të shfaqet në sy, Napoleon Zerva, (sivëllai shpirtëror i Millosheviçit i padënuar ende si kriminel lufte) i kapardisur me spaletat e gjeneralit mbi skelete kufomash të pafaj. Ndërkohë që rrëzë kalasë së Artës, kryeqendrës së princit shqiptar Gjin Bue Shpata, monomenti i tij mbi kalë edhe sot u jep kushtrim lufte andartëve për drejt jugut të Shqipërisë.

Imazhi ngjethës menjëherë faneps Paramithinë. 27 Qershor i 1944-ës është Shën Bartolomeu i saj. Afro 600 çamë myslimanë u vranë e u prenë brenda një nate atje. Thjesht dhe vetëm pse ishin shqiptarë. S’u bë dallim mes tyre as në gjini e as në moshë. Nënave shtatëzana ju nxorrën foshnjet nga barku dhe u varën porsi flamuj majë bajonetave të përgjakura. Të rejat u përdhunuan. Pleqtë ulokë u dogjën në shtrat. Zjarri kaploi Karbunarin, Margëlliçin, Gumenicën, Pargën, të gjithë Çamërinë. Genocidi zervist i mbështetur fuqishëm prej Athinës zyrtare arriti pikun në Filat. Numri i të vrarëve po shkonte në afro 3000 vetë. Në këtë qytet çam, zervistët vranë mbi 1200 njerëz. Epilogu i gjëmës mbetet kufiri shqiptaro-shqiptar. Tashmë si në një film të vjetër bardhë e zi shfaqet kalvari i pafund i çamëve me foshnje e bohçe në duar që rropatet zbathur drejt Qafës së Botës. Në Kllogjer, për shkak të stërmundimeve, të stërlodhjes dhe sëmundjeve do mbyllin sytë po thuajse tre mijë çamë të tjerë. Pra, tragjedia më e re greke do ul siparin me rreth 6000 shqiptarë të pajetë.
 
 
Nga dhimbja ullinjtë e lashtë u përlotën, u kërrusën më shumë.

Por kjo nuk është e gjitha. Genocidi grek ndaj çamëve myslimanë është gjysma e së keqes. Si të thuash është njëra anë e medaljes. Është ajo faqe e historisë sonë, për të cilën ne të gjithë, kush më pak e kush më shumë kemi njohuri. Kurse faqja tjetër e saj, ajo më pak ose aspak e njohur prej nesh lidhet me Çamërinë e përtej kufirit, lidhet me vëllezërit tanë të një gjaku atje, pra me çamët ortodoksë. Historia e tyre është po ashtu e dhimbshme. Kjo jo vetëm pse pjesa më atdhetare e tyre e përjetoi genocidin zervist njësoj si çamët myslimanë, (këtu s’mund të harrojmë kurrë Spiro Çallukën, Sotir Këtupin, Spiro Nikoll Vëllazëroi, Vangjel Agjin etj), por sepse ata për afro 70 vjet rresht po përjetojnë etnocidin më të rëndë që po njeh Europa e pas Luftës së Dytë Botërore e që synon ligësisht t’ju çbëjë atyre nga shpirti këngën, doket, zakonet, vajet, vetë gjuhën amtare.


Po pse, do lartojë zërin ndonjë kritizer i yni, kaq të larë janë çamët ortodoksë në raport me gjenocidin zervist?! Pse s’ka pasur mes tyre bashkëpunëtorë?! Sigurisht që ka pasur. Kjo nuk mund të mohohet. Për dreq, shqiptarëve s’ju kanë munguar gjakprishurit. Ata, për ofiqe e për para kanë shitur jo vetëm vatanin, por edhe nënën e babanë. Ndërkohë që nuk duhet të harrojmë se me qindra familje çamësh të krishterë, jo vetëm hapën portat duke i fshehur brenda konakeve të tyre vëllezërit myslimanë, po një pjesë e mirë e tyre hodhën në kurriz rrezikun e madh duke i shoqëruar ata deri në kufi. Të mos harrojmë gjithashtu se pjesa dërmuese e ushtrisë së Napoleon Zervës përbëhej prej ardhacakëve grekë të Anadollit në Çamëri si dhe nga mercenarët kretjanë. Natyrisht kësaj force nuk mund të rrinin pa ju bashkëngjitur edhe banditët e batalioneve të vdekjes të Ponajotis Dertilisit që bënte ligjin jo thjesht në Athinë, por në të gjithë Greqinë.

Por le ti kthehemi etnocidit grek ndaj çamëve ortodoksë. Të përpiqemi të hedhim pakëz dritë mbi këtë mjegullnajë të dëndur që hera-herës na bën ti konsiderojmë ata si të asimiluar, si të paqënë. Janë disa arsye që dritësojnë realitetin e tyre të rëndë. Më kryesori është fakti se çamët ortodoksë kanë frikë të shprehen haptazi në gjuhën e tyre amtare, pasi grushti i egër i shtetit diktatorial- nacionalist grek do të binte mbi ta pa mëshirë porsi një çekiçi rëndë pneumatik. Pastaj është presioni survejues i ardhacakëve të Anadollit të cilëve ju vret veshin gjuha e tyre. Është edhe kisha, prifti, peshkopi, vetë kryepeshkopi i Athinës dhe i Tiranës. Për rrjedhojë, çamo-thesprotishtja e vjetër, apo gjuha e perëndive siç e cilësonte atë Arestidh Kola i madh bëlbëzohet brenda familjes apo fisit, si prej atij motakut që ende nuk ka zënë të ecë e po ashtu edhe prej atij plakut i cili nuk mund të çapë më tutje pasi këmbët e kanë lanë. Për arsimim apo për shkolla në gjuhën shqipe s’bëhet fjalë fare. Atyre pak që mbaheshin hapur me pahir deri në vitin 1944 ju vu kyçi fill pas genocidit ndaj çamëve myslimanë. Lëre më pastaj të mendosh për të hapur ndonjë gazetë, ndonjë kanal televiziv privat apo të botosh ndonjë libër në shqip. Një ide e tillë do të përbënte një herezi të vërtetë dhe do të dënohej me rreptësinë më të madhe. Prandaj studiues të njohur siç është rasti i pellazgollogut Niko Stillos (çam ortodoks nga rrethi i Prevezës) punimet e tyre i botojnë në Tiranë, në Shqipëri.

Por le të bëhemi realist. Të mos ua hedhim si rëndom fajin vetëm të tjerëve. Le të mësohemi të mbajmë përgjegjësi edhe mbi shpatullat tona. Për këtë arsye gjykoj se një ndër shkaqet kryesore të këtij etnocidi lidhet me vetë ne, me politikën inferiore të Shqipërisë ndaj fqinjit tonë të jugut. Paçka se pakica greke në vendin tonë gëzon standardet më të larta ndërkombëtare, shteti shqiptar vazhdon ta lërë ende jetim fatin e çamëve ortodoksë në Greqi. Kurse Europa sikur nuk para dëgjon mirë nga ai vesh. Personalisht nuk kujtoj asnjë rast kur qeveritarët tanë në takimet bilaterale me qeveritarët grekë ta kenë ngritur zërin në mbrojtje të të drejtave të tyre legjitime. Madje edhe ahere kur ata përmendin çështjen e çamëve myslimanë shprehen me zë të mekur. Siç duket tuten, pra kanë frikë se shtypi e mediat greke do i anatemojnë si nacionalist anti europian.

Ndërkohë vetvetiu më vjen ndër mend, një ngjarje e treguar kohë më parë prej mikut tim Andrea, (ish pjesëtar i Ansamblit të këngëve dhe valleve popullore) që lidhet direkt me sivëllezërit tanë çamë ortodoksë. “Kam qenë në Çamëri në të hyrë të viteve tetëdhjetë, - më kish thënë ai. Atëherë pati nisur një bashkëpunim kulturor mes Shqipërisë dhe Greqisë. Ansambli ynë do jepte një shfaqje në Gumenicë. Stadiumi i qytetit qe mbushur plot e për plot disa orë përpara fillimit të shfaqjes sonë. Si i thonë fjalës s’kishte vend ku të hidhje as edhe kokrrën e mollës. Kur nisi koncerti ynë, stadiumi u ngrit në këmbë. Duartrokitjet dhe brohorimat nuk kishin të sosur. Këndo ne në skenë, këndo populli në shkallë. Kur zumë vallet, njerëzia nuk u përmbajt dot. U dyndën në fushë. U bënë një me ne. Kërcenim së toku. Me lot në sy. Nuk do e harroj kurrë atë ditë. Ka qenë ndër më të bukurat, ndër më emocionueset në karrierën time”.

Aq domethënës e aq i dhimbshëm është ky tregim sa nuk ka nevojë për koment. Këta janë vëllezërit tanë çamë ortodoksë. Më një anë thjeshtër e me një anë jetim. Kokëulur, zëkëputur. E pastaj përse historian grek të sojit Ballciotis e të mos i konsiderojnë ata si një shtresë popullsie e padukshme, e pa rënë në sy në Çamëri. Veç e vërteta, realiteti i kësaj popullsie është krejtësisht ndryshe. Të padukshme, në mjegull këtë popullsi autoktone e thjesht shqiptare e bën platforma e Megalaidesë që e mbështetur fuqishëm edhe prej Patriakanës së Stambollit prej shekujsh ka vënë e po vë shenjën e barazimit mes shqiptarëve ortodoksë e grekëve, përfshi këtu çamët e krishterë. Në këtë këndvështrim, veç shtetit tonë, përgjegjësi jo të vogël mban edhe media, shtypi shqiptar, historianët tonë të cilët jo vetëm gjatë diktaturës, por edhe tani në demokraci po mbajnë një qëndrim të përgjumur ndaj kësaj çështje të rëndësishme.
 
Tiranë, 24. 07. 2013
_________ 
Huazuar nga pashtriku.org