Montag, 8. Dezember 2014

Bexhet Asani - Ana e Gumenicës

        Këtu e tridhjetë vjet më parë të rejat e të rinjtë grekë studionin në Universitetin “ Shën Cirili dhe Metodi “ të Shkupit. Qeveria e atëhershme greke nuk ua njihte Diplomat atyre që studionin në Maqedoni, dihet edhe sot është ky kontekst shkaku i emrit – Maqedoni. Të rinjtë grekë si Universitet më të afërt zgjodhën Universitetin e Prishtinës. Disa studionin në gjuhën shqipe disa në gjuhën serbe. Studentët arvanitas ishin regjistruar nëpër fakultete me mësim në gjuhën shqipe, por, kishte edhe studentë grekë të cilët studionin në gjuhën shqipe. Meqë më kishte dalë emri si mësonjës i mirë i gjuhës shqipe për të huaj, rastisi që përveç amerikanëve, zvicëranëve, anglezëve, kroatëve, serbëve, brazilianëve etj., gjuhën shqipe t’ ua mësoja edhe tre të rinjve arvanitas. Emrat e të cilëve nuk do t’ i përmend, me qëllim që të mos u bëj keq pa dashje ish studentëve të mi arvanitas të, s’ ma nxë goja, por duhet ta them, të asimiluar!
         Në banesën time, “Rr. Aktash 3”, u futën dy vetë një grua dhe një burrë, të cilët atëherë mund të ishin afër 45-50 vjeçarë, pas tyre vinin dy djem të rinj. Ime shoqe si nikoqire e shkëlqyer edhe pse e re, e mbushi tryezën me lloj-lloj ushqimesh e frutash sa nuk nxinte më. Djemtë e tyre si petritë zunë një kënd poshtë minderit, sepse më të mëdha kishim zemrat sesa minderët në dhomën tonë të vogël, prej dymbëdhjetë metrash katrorë e që ishte dhomë pritjeje, kuzhinë e dhomë gjumi.
         Ana nëna e tyre jepte e merrte me neve, në një arvanitase të shkëlqyer. Caktuam kohën e mësimit: ditët dhe orët. Mësimin e mbaja në dhomë time të vogël. Të dy palët ishim të kënaqur, këtë e shprehte Ana orë e çast. Babai i tyre që me ndrojtje u prezentua si arvanitas nuk e di në foli ndonjë fjalë më shumë apo jo. Po Ana si Ana tha:
         -Ai është skipëtar, po nuk di skip!
         Ana, i shoqi, djemtë dhe më vonë vajza Marilena, hynin e dilnin, në banesën tonë si në shtëpinë e tyre. I ati i tare pas disa ditësh u kthye në Greqi sepse kishte punë.. Me fëmijët mbeti Ana. Ana u bë pjesëtare e pandashme familjes sonë të vogël. U mësuam mësuam dhe s’ rrinim dot pa të. Ana një konak e mbante me muhabet. Fliste shumë. Fliste pa dorëza. Si u njohëm mirë e mirë Ana tha:
        -Unë jam greke. Burri im është arvanitas, skipëtarë çë thoni juve. – unë dhe shoqja ime e shohim njëri – tjerin në sy. Bën shaka kjo me neve!
        -Ti greke dhe di shqip, e burri jot arvanitas dhe nuk di...!?
Ana me një çamërishte të shkëlqyer filloi të na sqarojë:
        -Po. Burri im është arvanitas, ai është çam. Dini ju kush është çamëria?
        -Po. – u përgjigjëm që të dy.
        -Burri im ka gjak skipëtari. Po, nuku di skip! Çish më shikon ashtu!?
        -Po ti si e ke mësuar skipen? – e pyesim që të dy me time shoqe.
        -Unë kam lindur dhe jam rritur në një katund arvanitas rrethi i Gumenicës. Aty e kam mësuar gjuhën skipe.
        Ana fliste një arvanitase, një çamërishte të pastër si loti. Unë dhe ime shoqe menduam se ajo kishte frikë të deklarohej si arvanitase. Por Ana si Ana, me gjuhën e saj shpatë, e kuptoi dyshimin tonë. Që të na bindë, se me të vërtetë ishte greke, ia nisi rrëfimit:
        -Kur u fejuam me burrin tim, motrat e tij e kishin kundërshtuar fejesën tonë sepse e dinin se unë isha greke. Ato dëshironin që vëllai i tare të merrte arvanitase, një nuse nga soji i vet! Atë ditë kur më morën, unë nusëroja te shtëpia e tyre, motrat afroheshin dhe thoshin:
       -Ë vëllai u martua me një palo greke !
       -Ato shpreheshin në gjuhën e mëmës së tyre, në gjuhën arvanitase, se unë isha greke dhe nuk do të mirrja vesh se çish (çfarë) thoshin ato! Kur morën vesh se unë e dija gjuuhën arvanitase, kunatat e mia tre vjet nuk më dolën përpara. Kishin turp.
       -Po tani keni muhabet?
       -Po, po tani shkojmë e vimë. Ato më kërkuan falje.
       -Ditën kur Ana do të nisej për në Greqi erdhi te neve që të përshëndetet dhe të na lavdërojë për mikpritjen që i bëmë familjes së saj. Pasi i uruam rrugë të mbarë. Ana foli me me një shqipe të pastër si loti:
       -Profesor për ty, Afërditën dhe Almën (atëherë e kishim vetëm Almën) dera e shtëpisë sonë do të jetë e hapur përgjithmonë.
        Ana iku e mallëngjyer. Ikën dhe fëmijët e saj me diplomat e Universitetit të Prishtinës nën sqetull. Kaluan tridhjetë vjet dhe nuk u pamë më, me Anën llafazane. Me Anën e lezetshme. Me Anën zemërmirë. Me Anën e dy djemve si petritë dhe vajzës Marilenë si shtojzovalle. Nuk dimë në rronë apo nuk rron! Ana e Gumenicës rron në zemrat tona.

Si më shpëtoj një çame nga policia

Nga Danel CANA

       Kjo është ngjarje e viti 1992. Në ato kohë isha me djalin e vogël në spitalin “Dhurudi” të Janinës. Nuk kisha akoma dokumenta që të shkoja në vënde të tjera të greqisë dhe për t’ju shmangur mbledhjes së policisë, e cila kapte sa refugjatë shikonte rrugës, apo në ambiente të tjera dhe i mblidhte në qëndrën e policisë, nga ku i nisnin për në Kakavijë.
       Kjo punë ishte e shpeshtë, kaq e shpeshtë saqë dëgjoje policat të bisedonin, sapo ngriheshin në mëngjez, duke pirë kafen e mëngjezit, thoshin: – Ika unë, se do dal për gjah tani!
       Kjo shprehje ishte bërë si batuta e ditës.
       Ato kohë një mbesa ime ishte e martuar me një grek, në qytetin e bukur të Çamërisë, në Parga.
       Meqënëse ajo kishte lindur fëmijën e parë, mendova të shkoja një xhiro andej, me atë rast shikoja dhe njerzit, familjen ku jetonte.
       Kishe dy rrugë të shkoje në Parga. Ose do shkoje  Janinë – Arta – Prevezë – Pargë ose rruga tjetër më e shkurtër ishte nga Gumenica. Autobuzi ishte për Gumenicë direkt, pastaj do merrje autobuzin Gumenicë – Parga.
       Për të shkuar shkova kollaj dhe nuk pata probleme, as kontrolle rrugës dhe as ndalesa.
       Parga ishte qytet bregdetar në gji të vogël, kishte një shtrirje të bukur, kodrat mbushur me ullinj shekullor dhe kokërr-madh që ishin edhe për vaj edhe për të ngrënë. Vjeljen e tyre e bënin me disa rrjeta plastike, të cilat i linin pothuajse të hapura gjatë gjith kohës.
       Atëherë  pata rastin të vizitoja për herë të parë edhe kalan e Pargës e cila ishte ndërtuar në kohën e sundimit Venecian dhe nga ana perëndimore binte thikë mbi det.
       Kishte një pozicion strategjik dhe një histori krenare për mbrojtjen e Pargës.
       Atë kështjellë e kishte blerë Ali Pasha Tepelena nga Anglezët, me flori në dorë dhe gjatë sundimit të tij kishte vendosur aty karakollin dhe garnizonin për mbrojtjen nga deti, me armatimin e kohës, me topa të rëndë, të cilët jan edhe sot si objekte muzeale.
      Aty ndëjta gati 15 ditë, mbasi djalin dhe gruan i nisa për në Tepelenë dhe do vinim përsëri për kurim mbas 20 ditësh në Janinë, kështu e bënim kurimin, me ndërprerje.
       Ato kohë në Kakavijë na lejonin të hynim me një vërtetim nga spitali dhe shkonim direkt pa problem, merrje firmën tek një doktoreshë që kishin çuar në doganën greke, e cila kontrollonte dokumentin e spitalit, nëse ishte i rregullt apo fallsifikim.
       Për t’u kthyer në Janinë do ndiqja përsëri rrugën Parga – Gumenicë – Janinë dhe që andej me autobuzin për Kakavijë.
       Kur i hipa autobuzit në Parga, nuk kishte shum pasagjerë . Stacioni i autobuzit ishte përballë  postës së policisë, por asnjë polic nuk të ngacmonte në ikje. Hipa në autobuz dhe zura vënd diku na mesi i autobuzit. Autobuzi kalonte nëpër 2-3 fshatra që mblidhte pasagjerë dhe një nga këto stacione ishte edhe fshati i dëgjuar i Paramithisë.
       Paramithia ishte qëndra e gjenocidit grek ndaj çamëve, më 1944-45. Shumica e çamëve u larguan nga fshati, të cilët ishin të parët përkrahësit e fesë myslimane, dihet historia, por kishte nga ata që nuk u larguan sepse ishin kthyer në fenë ortodokse.
       Autobuzi ndaloi përpara sheshit të fshatit dhe nga xhamat  dukej një pamje shum e bukur e fshatit në krahun e djathtë  të rrugës për Gumenicë.
       Në stacionin ku ndaloi autobuzi, ishte një grup prej 6 policësh, të veshur me uniformat e ndërhyrjes së shpejt, apo trupat e gatshme të sigurimit (asfalies) të cilët e kontrollonin autobuzin se mos kishte ndonjë refugjat shqiptar.
       Në fillim hipën pasagjerët që ishin për në Gumenicë, e mbaj mënd si tani ishin katër burra dhe dy femra. Njëra nga këto femrat i dëgjoj policat që flisnin për refugjat shqiptar dhe mbase më kishin parë mua nga xhami se isha në krah të tyre dhe ne dukeshim që nga një km. larg që ishim ndryshe.
       Ajo femra ishte rreth 35-40 vjeçe, me flok të shkurtëra dhe veshur me xhinse. E vendosi çantën e dorës mbi sediljen time dhe u ul pranë meje. Unë nuk po flisja, se edhe gjuhën nuk e dija mir atëherë.
       Njëri nga policat u shkëput dhe hyri në autobuz e po shikonte fund e krye. I ndali syt tek mua dhe ma bëri me gisht të zbrisja. Vajza çame në moment më hodhi dorën në qafë , si të ishte e dashura ime dhe i tha policit se isha me të. Polici u çudit por ajo me guxim i tha:
        - Shiko punën tënde miku im se ky është me mua dhe do shkojmë në Gumenicë.
        Unë u hutova për një moment por polici si për të vërtetuar më pyeti mua se ku shkoja. Në Gumenicë, ju përgjigja unë, sepse atje shkoja vërtet. Atëherë tundi kokën polici dhe zbriti.
        Kështu i shpëtova vuajtjeve, se kushedi sa do më mbanin brënda deri sa të shkoja në Kakavijë!
        Rrugës për në Gumenicë u njoha dhe u prezantova me vajzën. E flanderova ashtu si dija unë por ajo ma ktheu shqip, me një shqipe të bukur si arvanite, më tregoi se ishte nga ky fshat por familja kishte ikur në kohën e luftës në Gjermani. Ajo atje kishte lindur por kishte të afërm këtu dhe kishte disa vite që vinte shpesh, gati çdo vit, bënte edhe pushime në Parga.
       Gëzimi im ishte i dyfishtë dhe nuk e harroj atë gjest të asaj vajze. Më është fiksuar edhe një fjal e saj: Edhe andej nga ju, kemi shum nga tanët që ikën për t’i shpëtuar vdekjes.
       Po, i thash, e di dhe gëzohem që edhe ju e dini dhe kujtoni.
       Ne e dimë, ma ktheu vajza, por ata nuk duan ta dinë dhe ma bëri me kokë nga ana e policave,
d.m.th. shteti.
       U ndava me të në Gumenicë dhe as emrin nuk ja mësova, as  e pyeta dhe as më pyeti për emrin., sepse bëm të tjera biseda deri në mbrritje.