Mittwoch, 25. Mai 2016

Agim Bajrami - Bisedë me ullinjtë e vendlindjes

Poeti Agim Bajrami

Bisedë me ullinjtë e vendlindjes 

Ullinj të vendlindjes
Anë e kënd shpërndarë
Sa vite u bënë
Që jetojmë të ndarë?

Në dy harta dhimbjesh
Prej gardhi dhe kloni
M’u ka çarë shpirti
Zemra, më besoni!

Ballin larë nga shirat
Trupin vrarë nga shqota
Por sytë ju kanë ngrirë
Vetëm nga Qafë Bota.

Diç ju thotë në vesh
Dhe ju pëshpërit
Se zotërit e vjetër
Do kthehen një ditë.

Do vijnë me patjetër
Pa frikë e pa drojë
Se lumenjtë kur fryhen
S’ka digë t’i pengojë.

Përmbi krahë zogjsh
A mbi vetëtima
Bijtë e Pirro burrit
S’fshihen nëpër vrima.

Ende s’ju besohet
Ndaj pyesni veten
Ç’u bë vallë me etërit
Gjyshet ku u tretën?

Nën teh bajonetash
I shkuan të gjithë
Gjaku i Çamërisë
Ende klith e klith.

Rënë pranë njëri-tjetrit
Katërqind të vrarë
Ca me natë mbuluar
Ca me plagë acar.

Askush s’mund të ngrihej
T’ju jepte një dorë
Ishte vit demonësh
Pa datë dhe pa orë.

Kalendarët faqet
Çorrën të tmerruar
Përroi i Selanit
Golgotë e pashkruar.

Nën një hënë të verdhë
Të ftohtë si meit
Vetëm ju guxuat
Që t’ua mbyllnit sytë.

Dhe në trup i futët
Mes trungjesh i shkritë
Të ishit së bashku
Në gjithë historitë.

Ullinj të vendlindjes
Kronika prej gjethesh
Çamëria jonë
Ende djeg mes ethesh.

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen