Donnerstag, 17. September 2020

Kadri Ali: Çështja çame gjatë regjimit komunist ishte tabu


Nga Xhevahir Gradica

Kadri Ali: Çështja çame gjatë viteve të regjimit komunist në Shqipëri ishte tabu.

Shumëkush ndihet krenar për paraardhësit. Të tjerë për vlerat intelektule e krijuese të arrira në saj të sakrificës. Një pjesë ndihen krenar për të dyja: për të shkuarën dhe për të tashmen e tyre. Kadri Ali është një nga djemtë e Çamërisë që ka shumë për të treguar për babanë, gjyshin, fisin, Paramithinë e dashur, për gjithë trevën çame. Poeti, publicisti, studiuesi dhe prozatori Kadri Ali është lindur në Durrës, por në një mjedis tipik çam. Porsa ka ardhur në jetë është rrethuar nga ngrohtësia çame, këngët e vallet e trevës stërgjyshore, historitë plot lavdi dhe trishtim, vajet dhe jehonën e mbijetesës përtej njerëzore çame.Historia sa e trishtë aq edhe krenare e Çamërisë është rrënjosur thellë në ndjesinë e djaloshit Kadri Ali që në rininë e parë, atëherë kur nisi të gjykojë, të mendojë dhe të shkruajë rreth historisë së dheut të tij. Jeta dhe rrethanat e kohës e deshën që Kadri Ali të trokiste në shumë treva shqiptare, deri në skajin verilindor, deri në bujarinë e pashembullt dhe varfërinë e madhe të zonave të thella në Kukës. Atje e nisi jetën si mësimdhënës. Mësoi pambarimisht ngjarje, histori, data, episode të cilat nuk do i kishte mësuar ndoshta asnjëherë. Kanë kaluar 30 vite e megjithatë nga mendja e nga shpirti nuk i shqiten odat e burrave në Orgjost, Zapod, Kusharisht, Pakisht, Arrez, Kollovoz, Novesel, kuvendi me burra të fjalës e të besës. Ali krijoi një pas një: poezi, kujtime, publicistikë, materiale studimore, histori të pathëna, ngjarje të padëshmuara më parë, legjendja të gjalla. Solli në këto vite veç të tjerave jetën e gjallë të Çamërisë, peripecitë e mbijetesës së tyre, luftën për vetekzistencë, qëndresën dhe forcën çame për t’u ngritur mbi ndjesitë shovinistë greke në shërbim të civilizimit. “Jam çam, jam nga Çamëria”. Këto janë fjalët e para të prezantimit me këtë komunitet me tipare të forta e të shëndosha. Çdo gjë në familjen dhe fisin e tyre nis me ritet e zakonet çame. Kështu në gëzime e në hidhërime, në pritje e në përcjellje, në shtëpinë e tyre dhe të mikut. Pikërisht në këtë mjedis u edukua dhe u formua personaliteti i krijuesit Kadri Ali, emri i të cilit është bërë i njohur si ndër komunitetin çam, edhe në rradhët e intelektualëve dhe studiuesve. Veprat e tij janë domethënie e veçantë e tërë përkushtimit dhe frymëzimit për të ndihmuar sa më shumë në pasqyrimin e vlerave që ka pasur e që ka Çamëria.


Formimi atdhetar

Kadri Ali u lind në Durrës në gjirin e një familje dhe shoqërie me kulturë dhe tradita të forta çame. Prindërit e tij, Lutfi e Hatixhe janë lindur në Paramithi, seli e komunës së Sulit, kryeqendër e Çamërisë. Ata erdhën në vitin 1954 në Durrës dhe u vendosën në lagjen numër 1 të qytetit bregdetar. I ati shërbeu si berber, kurse e ëma ishte shtëpiake. Familja Ali ishte shumë e madhe. Ishin plot nëntë fëmijë, një pjesë të lindur në zemër të Çamërisë, e të tjerë në Shqipëri. Në jetë erdhën një pas një: Nazmie, Qerime, Shaban, Elma (të gjithë të lindur në Çamëri), Selfura, Qazim, Zybide, Kadri, Asllan. Fëmijët shpesh herë ishin i vemti gëzim për prindërit të cilët jo rrallë zhyteshin në mallin e pashuar për Çamërinë, për trojet, vendin ku lindën, varret e gjyshërve. Çamët lindin shumë fëmijë. Atëherë në Çamëri dhe sot ngado që janë. Ky komunitet i dhanë shumë historisë së kombit. Pjesmarrës në të gjitha ngjarjet historike, ngjarjet e shënuara në kalendarët e zhvillimeve me peshë europiane. Pashallarët e Parathinisë, Dinej, luftuan deri në flijim kundër pushtimit turk. U renditën në anën e luftëtarëve që organizuan e mbrojtën Pavarësinë më 1912. Pronat e sarajet e kësaj dinastie atdhetare shtriheshin deri në Artë. Për dekada me rradhë çdo tubim kishte jo vetëm pjesmarrës, por edhe krerë. Kështu Çmaria pati zërin e vet të fortë në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit. Abedin Dino kryesonte bashkimin e luftëtarëve në luftë për mbrojtjen e territoreve shqiptare, çamët ishin mburojë dhe krah i fortë i Selam Musait në luftën e 1920. Një nga dijetarët më të mëdhenj të të gjitha kohravë Hoxha Tashin hapi epokë të re për dijen dhe integritetin kombëtar shqiptar. Me të njëjtën peshë dhe vend të merituar qendrojnë edhe emrat e dinastisë Dinej, Ali Demi… Mihal Grameno kryengritës dhe luftëtar i pashoq ka deklaruar se u strehua në familje çame e cila, siç rezulton të jetë shprehur vet luftëtari “Ishte më patriot se ne”. Kadri Ali përmes aktivitetit të tij letrar shfaq në mënyrë të qartë ndjesinë kombëtare shqiptare. Por gjithëherë dëshiron të identifikohet si çam, kudo: në lagje, rrugë, shoqëri, krijimtari…Në moshën 31-vjeçare krijon familjen e tij. Njihet dhe martohet me vajzën çame, Mimoza të trungut Azemi, nga Shqefari Çamërisë. Ka tre fëmijë: Julian, Joana, Eneida. Të tre të martuar me çam. Vajza Joanës e ka emrin Çamëria. Gjithandej në shtëpitë e tyre vjen aromë Çamërie: në të folur e të kuvenduar, në të kënduar e në vaje; në të gatuar e të qëndisur… Historitë për të parët, luftëtarët, trojet, begatinë e zonës, miqtë dhe armiqtë vinë shpesh e shpesh, sa herë që rreth tryezës mblidhen të gjithë, djem e vajza, nipër e mbesa.


Rrugëtimi në Veri…

Kadri Ali u arsimua në Fakultetin e Gjuhës shqipe dhe letrësisë në vitin 1974. Të drejtën e studimit e fitoi në saj të përgatitjes cilësore gjatë viteve të gjimnazit tek “Gjergj Kastrioti” në Durrës. Si çdonjëri bashkëmoshatar edhe ai e priti me jo pak ethe emërimin i bindur dhe i ndërgjegjësuar se do të përfundonte në një nga skajet e Shqipërisë. Siç ndodhte asokohe, i bëjnë të ditur se emërimi tij në Kukës do të ishte për një periudhë 3-vjeçare, ndërkohë që kishte dëgjuar nga të tjerë se kjo ishte sa për të thënë pasi nuk do i dihej asnjëherë fundi viteve të qëndrimit larg nga familja. Ndërsa troket në derën e seksionit të arsimit në qytetin verior të Kukësit, mëson se shkolla e tij ishte në zonën e thellë të Orgjostit. Larg, shumë larg nga qendra qytetit. Për të arrirë atje duhej nisur në mëngjes herët për të mbërrirë në mbrëmje. Nuk kishte makina që kalonin andej nga gryka Vanave. I bindur se nuk kishte tjetër rrugë dhe i mbushur me vullnet e pasion për të shërbyer në arsim iu përvesh punës. Orgjosti, Zapodi, Pakishti, Kusharisthi dhe Arrëza ishin zona të thepisura, me fare pak tokë buke, me klimë shumë të ashpër në dimër. Bora e të ftohtët niste në mesin a në fundit e tetorit për të mos u shqitur deri në mesin e prillit. Temperaturat e ulta dhe reshjet e dendura të borës izolonin zonën për muaj të tëra nga pjesa tjetër. E ëma i pati përgatitur një jorgan të madh e të trashë për të përballuar temperaturat e ulta që shkonin deri në minus 18 gradë e minus 20 gradë. Mësuesi çam ruan shumë mbresa nga mikëpritja, bujaria, qëndresa dhe besnikëria e asaj treve. Bashkë me të në Orgjost kishte edhe të tjerë mësues “jabanxhinj” si mësuesi i Histori-Gjeografisë Agim Berisha, mësuesi Bio-kimisë Ramazan Reka. Fillimisht u vendosën në një shtëpi të braktisur, në kushte shumë të papërshtatshme. Kjo i nxiti të protestonin ndaj nuk vonoi edhe përshtatja e një klase si fjetinë në shkollë. Kadriu kujton se varfëria atje ishte në ekstrem, ndërkohë që nuk guxonte njeri të ngrinte zërin. Ishte koha e tufëzimit të bagëtive, veprim që synonte të zbuste disi skamjen e pashembullt. Mësuesi mban mend se ka parë brigadierin duke ngrënë fshehurazi bukë misri thatë, pa asgjë, fshehur, për të mos e parë të tjerët. Skamja ishte ulur këmkryq. “Ndonëse ishin të varfër ku nuk shkonte më, mikpritjen e tyre nuk e zbehte dot fukarallëku”,-kujton Ali. Ata madje ftoheshin në dasmat e djemve të fshatit. Kadriu mban mend martesën dhe gëzimin që ka përjetuar në dasmën e Enver Përllakut nga Novesela i cili mori nusen në Kollovoz. Fshati i donte dhe i respektonte mësuesit dhe një pritje e tillë këmbehej me punë këmbëngulëse nga mësuesit. Banorët ishin dashamirës ndaj arsimit dhe kishte shumë nxënës me inteligjencë, të mprehtë e të mbushur me pasion për shkollim. Fshati nuk kishte dritë në pjesën më të madhe të vitit ndaj mësimin dhe përgatitjet i bënin me dritën e zjarrit. Mësuesit e fshatit të thellë të Kukësit shkonin në shtëpitë e tyre dy-tri herë në vit. Ndodhte që me rradhë të merrin leje për festat e nëntorit, ndërsa për Vit të Ri dhe në pushimet e prillit vizitonin për pak ditë familjet dhe çmalleshin. Kështu ikën vitet. Nga tre të tilla në tetë. Para se të transferohet nga veriu, kërkon karakteristikën e punës të cilën e merr me plot lëvdata për seriozitetin, përkushtimin dhe emrin shumë të mirë të krijuar ndër vatrat e malësorëve të Gorës së Kukësit. Në vitin 1983 Kadri Ali transferohet në Durrës. Emërohet mësues në Rostej, malësi e Rrogozhinës. Këtë herë emërimi nuk pritet fare mirë. Ali kishte mbushur 30 vite. Ishte ende beqar. E përballoi me shumë saktificë atë periudhë të vështirë, por tani kishte ardhur koha të mendonte për të krijuar familje. Protesta e organizuar prej tij ishte provë e vështirë dhe me pasoja pasi asokohe askush nuk guxonte të bojkotonte punën dhe të ngrinte zërin kudër shtetit qoftë edhe për padrejtësitë që bëheshin. Megjithatë Ali vendosi të e bojkotojë punën. Proteston dhe u bën të qartë funksionarëve të shtetit se nuk do të shkojë në Rrogozhinë. Një vit e gjysmë pa punë. Me kalimin e kohës emërohet mësues në Armath të Manzës ku ndenji katër vite dhe më pas transferohet për të kaluar afro dy vite në shkollën e Luzit të Vogël në Kavajë. Fillimet e demokracisë e gjejnë Kadri Ali mësues në shkolën “Bajram Curri” në Durrës.


Krijimtaria…

Pranvera e vitit 1992 që përkon edhe me ardhjen e demokracisë në Shqipëri e gjen Kadri Ali në pozitat e redaktorit te gazeta “Çamëria”, jehona e së cilës kishte marrë përmasa të mëdha. 

Janë të shumtë poetët, prozatorët, publicistët, gazetarët, historianët që i kanë kushtuar vend kyç në shkrimet dhe librat e tyre Çamërisë. Një pjesë janë me gjak çam, të tjerë njohës e studiues të mirë të historisë dhe kulturës çame. 

Çamëria ka qenë kryefjalë në shumë e shumë përpjekje shkrimore të krijuesve: Aristidh Kola, Bilal Xhaferri, Moikom Zeqo, Hajredin Isufi, Agim Bajrami, Fatmir Muja, Agim Mato, Agim Desku, Ahmet Mehmeti, Nexhip Ejupi, Keidi Seidini, Anila Dahriu, Bedri Myftari, Bilall Maliqi, Brahim Avdyli, Fatime Kulli, Fatmir Terziu, Ali Podrimja, Gëzim Ajgeraj, Visar Zhiti, Gjokë Beci, Rudi Berisha, Haxhi Muhaxheri, Petraq Risto, Iliriana Sulkuqi, Laureta Petoshati, Kolec Traboini, Mehmet Ismail Sejko, Muhamet Luma, Mujo Buçpapaj, Murat Gashi, Naim Kelmendi, Namik Mane, Petraq Kote, Qerim Skenderaj, Rajmonda Mojsiu, Rita Saliu, Shaip Emërllahu, Shaip Beqiri, Sheremet Prokshi, Shqipe Hasani, Tafil Duraku, Valbona Hajro, Vasil Tabaku

Gazeta u bë një nga mundësitë më të mira për këta e të tjera zëra që jo vetëm në mënyrë letrare, por edhe me shkrime historike përcillnin gjithçka që kishte të bënte me të kaluarën historike të Çamërisë. Gazeta fillesat e saj i ka shumë vite më parë, që më 1945, por për shkak të rrjedhojave historike pati dekada “pushimi” e heshtjeje. Gazeta nisi të botohej në Tiranë dhe kryeredakot i saj qe Bashkim Kuçuku, ndërsa me interes ndiqeshin shkrimet sidomos të Agim Shehut. Nuk kaloi shumë kohë dhe Kadri Ali do të krijojë shtëpinë botuese “Juenio” (Julian, Eneida, Joana, duke u marrë atyre vetëm dy shkronjat e para). Shkrimet e para të Kadri Ali nisin në vitin 1974 tek “Drita” në moshën 23-vjeçare. Fillimisht poezi. Në vitin 1988 përpiqet të botojë librin për Çamërinë të cilin e dërgoi në shtëpinë botuese “Naim Frashëri”. Libri kalon në dorën e Bashkim Kuçukut i cili e miraton, ndërsa nuk botohet ngase nuk merr miratimin e personit të dytë. Ali, nisur jo vetëm nga kjo ndodhi, po edhe nga episode të shumta e të pafund, ka arritur në konkluzionin se gjatë kohës së komunizmit në Shqipëri çështja çame dhe Çamëria ishin tabu. Nuk guxonte njeri të merrej seriozisht me këtë çështje dhe as nuk kishte botime të lira. “Asnjë rresht, asnjëfjalë nuk shkruhej. Çdo gjë kalohej nën censurë të ashpër, të rreptë sa herë që flitej për Çamërinë. Regjimi komunist çështjen çame e kishte kthyer në tabu”,-arsyeton krijuesi e studiuesi Kadri Ali. Me arsyetimet e tij shkon edhe më tej duke thënë se batalionit “Çamëria” ia ndërruan emrin qëllimisht në qershorin e vitit 1944 duke i vënë emrin e një minoritari. Ali i ashpërson kritikat ndaj regjimit të asaj kohe dhe shkon deri në demaskimin e figurës së Enver Hoxhës lidhur me lënien qëllimisht të çështjes çame në harresë dhe mëshirë të fatit. “Enver Hoxha dërgonte luftëtarë për çlirimin e Vishegradit, në një kohë që popullësia çame masakrohej nga grekët”,-sjell ndërmend hisotrinë Kadri Ali. Këto e të dhëna të tjera krijuesi i ka bërë objekt në disa vepra të tij një pjesë në formën letrare e të tjera si dëshmi e dokumente historike. Ai e quan fat të madh dhe nder për gazetën “Çamëria” e cila pati bashkëpunëtorë si Agim Shehu, Abdi Ballta, Sherif Delvina, Fatos Merorapaj. Kadri Ali ka nxjerrë në qarkullim disa libra dhe konkretisht : “S’e kam nxjerrë në ankand Çamërinë” (poezi), “Çamëria, sfidë pro paqes” (artikuj kritik e shkencor, kumtesa), “Labirinthi i një tranzicioni” (roman), “Çorollepsja e të shtirurve” (tregime), “Honet s’i mbush askush” (poezi), “Çamëria…klithmë e mbytur” (roman me tri pjesë, i promovuar së fundi)…Në vitin 1976 panë dritën e botimit cikël me poezi të Kadri Ali në gazetën “Drita” në këndin e zërave të rinj. Që në atë kohë u njoh si krijues. Gjatë viteve të qëndrimit të tij në zonat më të thella të Kukësit iu përkushtua shumë krijimtarisë. Shkruante e sistemonte për t’i botuar më pas të plota me kalimin e viteve. Poeti e studiuesi çam ka një sërë subjektesh në tru. Si me shaka thotë se do e kapërcejë Floberin. Natyra e tij dashamirëse e rebele, këmbëngulja për të mos u tërhequr për asgjë dhe në asnjë rast, forca që ka në vetvete provokojnë ditë pas dite në ndjesitë e tij shpërthimin e një tematike për ta bërë objekt krijimtarie. Aktualisht Kadri Ali ka në botim dramën “Trimat që iu tremben shtriganët”. Ali ka qenë në Çamëri. Udhëtimi tij ka qenë i gjatë pasi ka marrë tragetin nga Ankona në Igumenicë dhe që andej në Paramithi. Është takuar me miq të të atit, Lutfiut. Ka biseduar me musliman e ortodoks. Miqtë e kanë pritur me shumë dashamirësi, por edhe me panik e frikë për shkak të ndjesisë shoviniste greke që ka kapluar sidomos njerëzit të cilët kanë kontakte me çamët. Pati mundësi të takonte mikun e shtëpisë, Kosta Kaliva, vizitoi sarajet e prindërve dhe gjyshërve, dyqanin e padëmtuar, themelet e kullave çame, tokat e livadhet. 24 orët e qëndrimit në tokën e babës e të nënës, të gjyshit e të fisit ishin të bollshme për të qetuar shpirtin e trazuar të një poetit, të një djali, nipi e stërnipi çam.


Për miqtë e Aliut

Të nderuar pjesëmarrës, në këtë aktivitet letrar, duke ju falenderuar për zemërsisht për praninë tuaj në këtë sallë, më lejoni t’u përcjell falenderime të veçanta organizatorve të kësaj pasditeje letrare dhe konkretisht, drejtueses së bibliotekës publike, znj Mirela Ylli, si dhe moderatores së talentuar, zonjës Teuta Dhima. Më lejoni gjithashtu të përshëndesh me mirënjohje ata që ndihmuan në mbarvajtjen e këtij aktiviteti dhe konkretisht, Agjensinë detare “Erled”. Shpk. Durrës, me administrator z. Gëzim Serenaj, si dhe administratorin e shtëpisë botuese “2M Company”, z. Aristark Osmani. Përshendetje të sinqerta meritojnë kryetari i shoqatës “Çamëria”, dega Durrës z.Artan Sulejmani si dhe zj. Merita Thartori, që bëri të mundur recitimin me aq ndjenjë të poezive të mija nga nxënësit. E po të vazdhojë me përshëndetje vargu i atyre që unë i përshëndes çiltërsisht është i pafund. Por koha e limituar s’më lejon ta bëj këtë.
Por theksoj, se do të kisha dal nga vetja, po të mos vija në dukje se përshëndetja më drithëruese, që më emocionon, që më bën të përjetoj krenari i takon çdo individi në këtë sallë me prejardhje nga trevat e Çamërisë, që ka ruajtur me fetiçizëm “të qënit çam”. Se kjo ndjesi sublime e të qënit çam, më nxiti mua të shkruaj ato vepra, që me krenari theksoj se janë të vlefshme për çdo çam, për të kuptuar ai, se i takon asaj pjese të popullsisë shqiptare, që është çcrtifikuar nga armiqtë e shqiptarizmit,si garda më e pathyeshme, më e paepshme, më determinjanta e fatit të shqiptarzimit, sot e mot më mot. E për t’ju vertetuar se ne camtë si komunitet u dalim në ëndërr armiqve të shqiptarizmit, u prishim gjumin, i bëjmë të jetojnë çdo minutë me frikën tonë…, i bëjmë të harxhojnë milarda euro për të shpërqëndruar vëmëndjen e opinionit botëror nga e drejta jonë legjitime për t’u kthyer si zot në trojet tona të lashta; Po ju bëj të njohur një lajm. Këtë lajm ma dërgoi këto ditë si mesazh, një cami ynë, që po bën një udhëtim turistik me korçere.

Po citoj tekstin e këtij mesazhi:

     “Kur anija turistike me 3000 turist nga mbarë bota u ankuruan në portin e Gumenicës, nga qendra e zërit dëgjuam përshëndetjen e kryetarit të bashkisë së Gumenicës, e cila, tekstualisht ishte kjo:
      - Mirëserdhët në qytetin e Gumenicës!
      -Mirë se erdhet në qytetin që më 27 qershor të vitit 1944 u shkatërrua nga rrënjët nga bandat shqiptare, muslimane, të cilat bashkëpunuam me fashizmin!”
     Pra ja, vëllezër, ç’shpifje, ç’partupësi bën hasmi ynë…Por këto shpifje, por këto paturpësi të armiqve tanë, po aq sa ne, duhet t’i ndërgjegjsojë dhe ligjëvënësit shqiptarë, që të shkundin shkujdesjen! Të shkundin shkujdesjen, ose të lënë çamin të bëj me efikasitet avokatinë e tij!
     E që çami të bëjë avokatin e tij, duhet tëjetë i pranishëm si titullar në krye të bashkive, në krye të ministrive e pse jo dhe në krye të shtetit.
     Vëllezër çam, jemi 400.000 frymë e kombit shqiptar ia kemi borxh t’i kujtojmë se nuk vdes jo shqiptarizmi! Jo! Jo! Jo!
     Nuk shuhet shqiptaria gjersa do të marrë frymë mbi dhe çami i fundit…!
     E në mbyllje të këtij falenderimi, auditorit të kësaj salle, i bëj të njohur se pas pak ditësh, do të kenë në duar skenarin e një drame të shkruar nga unë me të cilin, në një formë konfirmoj se unë po aq sa çam, jam dhe qytetar i denjë i qytetit ku kam lindur.

      Ju faleminderit Kadri Ali


Marrë nga bulevardionline.com

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen