Samstag, 16. August 2014

Roli i hoxhallarëve në shpërnguljen e shqiptarëve

SHOKUESE: Për të katandisur shqiptarët myslimanë të ikin në Turqi, autoritetet greke kishin blerë dhe bërë për vete klerin mysliman, hoxhallarët dhe myftinjtë shqiptarë. Këta bënin propagandë në popull për të mërguar në Turqi.


Më 31 tetor 1923, 22 përfaqësues të krahinave të ndryshme të Çamërisë (Margëlliçit, Filatit, Paramithisë, Gumenicës) i kërkonin qeverisë shqiptare të ndërhynte pranë qeverisë turke për të mos pranuar në Turqi shqiptarë të mashtruar nga propaganda e këtyre klerikëve të shitur.

“Kur qeveria greke (nën presionin e Lidhjes së Kombeve – red), urdhëroi të deklarojmë racën tonë – thoshin përfaqësuesit në fjalë – çamët vrapuan të deklarojnë racën e tyre të vërtetë (shqiptare – red), por si u pa ky sulm, doli myftiu u Filatit, Mehmet Zeqiraj dhe ish myftiu i Gumenicës, Halil Hilmiu, duke gënjyer popullin që të mos rrëfejnë se janë shqiptarë”.»

Përfaqësues nga krahina të ndryshme të Çamërisë kërkojnë nga qeveria shqiptare ndërhyrje pranë qeverisë turke për të mos pranuar çamët në Turqi.
 
Athinë, 31 tetor 1923

Vendimi i paqes në Lauzan (për – red) përjashtimin e shqiptarëve nga ndrim i njerzvet gëzoj gjithë popullin Çam.

Qeveria Greke, pas nomit të ndrimit ndaloj shitjen e niqasjen nga gjithë myslimanët pa ndarë shqiptarët, të cilët s’janë në këtë nom. Kërkuam nga qeverria përjashtimin t’onë nga ky nom me që jemi shqiptarë e për këtë duhelt të jemi të lirë si dhe të tjerët. Mbi këtë, qeverria dha një urdhër që myslimanët e Çamërisë të deklarojnë zyrtarisht racën t’onë (duke) mare parasysh që të gjithë Çamët flasin vetëm shqip. Çamërit vrapuan të deklarojnë racën e vërtetë të tyren, po si u pa ky sulm, dolli Myftiu i Filatit, Mehmet Zeqiraj dhe ish Myftiu i Gumenicës Halil Hilmiu duke gënjyer popullin që mos të rrëfejnë se janë shqiptarë se kush të thotë shqiptar e të mbetet këtu, greku do i djegij dhe na që do të vemi në Turqi do marrim pallate e shumë mallra që ne mot mot do bëhemi miljonerë duke dhënë në besën përpara e shtrëgimet e qeverisë me nomin e ndrimit zunë njerëzia të ftohen.

Me këshillat q’u dhanë popullit të paditur se këto që u thanë hoxhët janë propagandë për të përzënë Çamët nga vatrat e tyre. Na që do të mbetemi do rojmë më të lirë se sa kemi rojtur dhe gjithë të drejtat tona dot na mbrohin nga Lidhja e Kombeve e cila ishte e detyruar për këtë që të mbrojë të drejtat e pakicave që rojnë nënë shtete të huaja qe më këto njerëzia zuri të kuptojë të drejtën veç ata që janë muhaxhirë që sot.

Mësojmë që se tanë q’erdhi komisioni Turk në Athinë për të vënë në zbatim nomin e ndrimit, të përmëndurit Mehmet Zeqirja e Halil Hilmin erdhën në Athinë si Komisjon të dërguar nga Çamëria që të gënjejnë turqit se Çamët duan të venë në Turqi që për këtë komision kemi protestuar më telegram ndanë qeverrisë greke si dhe komisjonin që të mos mirren parasysh ankimet e këtyre se nukë përfaqësojnë gjithë popullin Çam veç një pakicë që janë sot refygjat pa mall veç nga një kalive që kanë, dhe dy të përmëndurit nuk dijnë nga janë të paguar ose më mirë s’mundin të rrëfejmë.

Për këtë lutim qeverinë Shqiptare që një or’ e më parë të marin anë ndanë qeverrisë Angorës që të mos meren parasysh e në bisedim propagande e të tillëvet se si këta kanë prishur dhe Turqinë akomi dhe Çamët s’janë dhe një popull i përparuarë më mjeshtri, bujqësi etj që Turqisë të sillen mirësin e vendit, veç prishen e Çamëris dhe humbjen e enteresës s’onë për kohën e pritme për këtë s’kemi dushim që qeverria Turke jo që nukë do pranojë të tilla ankime por edhe do t’na ndihmojë për qindrimin t’onë në vendin ku kemi lindurë.

Prandaj Z. Ministër lusim prapë qeverrinë shqiptare që sa më shpejt të mirni çapat miqësore ndanë qeverrisë Turke për shpëtimin e Çamërisë e të mjerit popull Çam të paditur, akoma të meren dhe masat ndaj qeverrisë greke, për të mos njohur zot n’ mallërat t’onë me nomin e ndrimit kur na s’jemi në këtë nom me që jemi shqiptarë.

Me përunjësi në emër të Çamërisë ose të Margëllëçit, Filatit, Paramethi e Gumenice

(vijojnë emrat e përfaqësuesve)

Shkrim nga: Luan Malltezi.

Malltezi-Delvina, Mid’hat Frashëri, ministër fuqiplotë në Athinë, çështja çame, Via Egnantia, Tiranë 2013.

Huazuar nga TheAlbaTimes

Montag, 4. August 2014

Çamëria… klithmë e mbytur (I)

Një roman orgjinal për Çamërinë
 
Nga Fatmir Mingulli

Shënime për romanin “Çamëria… klithmë e mbytur” të shkrimtarit Kadri Ali, pjesa e parë
 
 Libri më i ri, romani “Çamëria … klithmë e mbytur” e shkrimtarit Kadri Lutfi Ali që u botua ditët e fundit, tashmë siguron vazhdimin e një kolane të romanit historik që trajton tërësisht çështjen e madhe të popullit të Çamërisë. Shkrimtari i njohur K...adri Ali e nisi këtë kolanë jo pa dashje, ndonëse shumëkush e di që në vitin 1994 ai botoi librin e tij të parë, të vogël si vëllim por madhështor në poezitë e tij të fuqishme e me titullin domethënës “S’e kam nxjerrë në ankand Çamërinë”. Ishte një prelud i bukur për të hyrë në thellësitë e shpirtit të popullit çam, një prelud për vetë autorin, i cili hodhi gjithçka kishte në zemër në ato poezi delikate e impresionuese.

U deshën vite të tëra përpjekjesh të shumëanshme që shkrimtari Kadri Ali të kthehej rishtas në botimet e librave të tjerë për Çamërinë. Brenda periudhës 2007-2011botoi tre libra me publicistikë, tregime dhe romanin e parë historik të tij të titulluar “Labirinthi i një tranzicioni”. Duke u nisur pikërisht nga këta tre libra në prozë dhe sidomos nga suksesi i romanit “Labirinthi i një tranzicioni”, shkrimtari Kadri Ali arrin të na japë romanin e ri “Çamëria… klithmë e mbytur“, pjesën e tij të parë.

Ky roman, krejt i veçantë, është i pasur me një bagazh të madh personazhesh, ngjarjesh e vendesh të ndryshme, çka përbëjnë një rekuizitë të një teatri të ri në dukje, por të vjetër për kohën që paraqet. Të mësuar deri tani me librat e udhëtarëve apo konsujve të huaj që kanë shkruar apo pikturuar për tokat e Çamërisë, si me Fransua Pukëvil, Eduard Lir, si edhe me shkrimtarë shqiptarë si Sabri Godo që përmend tabllo çame nëpërmjet librit për Ali Pashë Tepelenën, kur lexon romanin e ri të Kadri Ali përpara ke paraqitje të tjera të botës çame, paraqitje që do të lenë gjurmë në letërsinë shqiptare.

Romani “Çamëria… klithmë e mbytur”, që në titull na jep problemin psikologjik të çështjes çame, problem që ngërthehet në ngjarjet e dhimbëshme të popullit çam të luftës së dytë botërore. Ky roman për nga mënyra e narracionit është i vetmi deri tani, që nxjerr në pah të plotë artin stilistik dhe talentin në prozë të shkrimtarit Kadri Ali.

Ky roman mëton të pasqyrojë me artin e prozës, të vërtetën e pamohueshme të popullsisë çame, mëton që të tregojë ato që kanë ndodhur me të vërtetë, mëton të largohet nga slloganet e politikës të të gjithë ngjyrave. Në roman ndjehet rrahja e pulsit të një patrioti të ndershëm, të ndjeshëm por dhe të fuqishëm që di të përballojë dhimbjen dhe pasojat e saj.

Kadri Ali sublimon maksimalen e fuqisë së tij krijuese, duke shkelur në “troje“ të panjohura të narracionit artistik. Mënyra e të shkruarit të këtij romani ka stilin e “përroit” që zhurmon, pak të ngjashëm me “përroin” e Prustit, por që zhurmën e kthen në një qetësi shpirtërore jo vetëm për lexuesin por dhe vetë autorin e tij.
 
Ja si e fillon këtë roman autori:

“Eshtë tjetër të gjallosh në hapsirën e një qyteti e tjetër të ndjehesh zot në të. Këtë kishin dëshirë t’i kumtonin vetes banorët e qytetit të Paramithisë, sa herë e shihnin mëngjezeve, Fuat Ajdhonatin, të shkelte me hapin e rëndë kalldrëmeve, për të shkuar në kafenenë në qendër të qytetit.”

Megjithëse është një roman historik dhe është vetëm pjesa e parë e tij, mbasi pjesa e dytë do të botohet së shpejti, romani “Çamëria …klithmë e mbytur”, është një intersektim emocional i shumë personazheve gati realë me ngjarje që nuk janë shumë të njohura nga bota shqiptare në letërsi e më gjërë. Kompleksi emotiv i autorit duket se është në shërbim të eleminimit të “klithmës së mbytur”, ai kërkon shpërthimin përfundimtar të së vërtetave të panjohura, prandaj romani është një pamflet gjigant që thërret e thërret…

Tek lexon faqe të këtij romani të duket sikur lexon librat që komentojnë e përshkruajnë ditët e apokalipsit total, ku skenat makabre janë dhënë krejt pa doreza keqardhjeje,të dhimbshme për lexuesit por plot besueshmëri.

* * *
Kadri Ali, duke qenë një shkrimtar skrupuloz në drejtim të shpalosjes së artit të tij narrativ, ai është njëkohësisht dhe një atdhetar me ndjenja të larta, gjë që e ka treguar me impenjimin e tij me vite të tëra në shtypin shqiptar. Me origjinë të familjes nga Paramithia e Çamërisë ai është shfaqur para lexuesit shqiptar si një shkrimtar i revoltës për të drejtat çame. Kjo nuk ndodh sot, kur janë shtuar tribunat e partive të ndryshme që përfaqësojnë problemin çam, por shumë më herët. Ai ka një ekperiencë të madhe që e ka mbajtur mbi supe, duke drejtuar gazetën për Çamërinë, e duke shkruar me qindra artikuj pa pushim, për çështjen çame që nga viti 1990.

Me një vetmohim të pashoq, shoqëruar me një “heshtje” burrërore ai boton librat njeri pas tjetrit e duke i dhënë botës shqiptare gjithçka të sinqertë, pa zbukurime e me një origjinalitet prej shkrimtari sqimatar. Kohët e fundit ai ka hapur dhe shtëpinë botuese K.Ali& Juenjo që i shërben më së miri ideve përparimtare të tij.

Kohët e fundit Kadri Ali ribotoi dhe librin e tij të parë, poetik të tij, “emblemën poetike” të tij “S’e kam nxjerrë në ankand Çamërinë “.

Do ta quaja këtë libër pemën e parë që mbolli Kadri Ali në kopshtin e shkrimtarisë të tij, kopësht që është shumë i gjërë, që nga Durrësi ku ai vetë jeton dhe punon në biznesin e tij modest, e deri në qytetin e origjinës së tij, Paramithi. Frutet e këtyre pemëve po i shijojnë lexuesit shqiptarë , por vetë autori kërkon më shumë. Ai thotë se: “Jo se nuk i pëlqej promovimet e librave, por ato nuk plotësojnë kërkesat e mia si autor. Dëshira ime është që libri të lexohet jo vetëm në Shqipëri, por dhe në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi e në diasporë.”

Autori ka të drejtë sepse ai është kundër slloganeve dhe fjalimeve boshe, ai është mik me metaforat dhe metonimet, me format e reja të stilit narrativ të personalizuar, në luftë për të ndërtuar struktura të reja, ndryshe nga të tjerët, në fund të fundit të jetë një zë i veçantë në fushën e prozës.
* * *
Romani “Çamëria…klithmë e mbytur” e nis subjektin e tij me personazhin e parë të tij, fisnikun nga Paramithia, Fuat Aidhonati dhe familjes së tij. Kadri Ali ka ditur që këtë familje ta trajtojë si trungun e një lisi që përfaqëson shpirtin atdhetar çam, ndërsa të gjithë personazhet e tjerë vinë si degë të fuqishme të kësaj peme shekullore. Nëpër faqet e romanit, patjetër që gëlojnë hijet e zeza të andartëve grekë e të shëbëtorëve të tyre.

Figura e Fuat Aidhonatit dhe tre bijve e vajzës së tij është krejt e pa trajtuar në letërsinë shqiptare e aq më tepër kur flitet për historinë e popullit çam.

Tek lexon ngjarjet rënqethëse në këtë roman tronditës, mendja të shkon se ata piktorë të huaj veçse kanë paraqitur veshjet dhe vallet e çamëve e jo tabllo masakrash që janë bërë ndër shekuj. Ndoshta i vetëm është piktori italian Françesko Hayes që realizoi tabllon e fuqishme “Refugjatët e Pargës”, e që është një solidarizim i piktorit me atë dhimbje të madhe të popullit shqiptar në vitet e fundit të shekullit të 19-të.

Janë ditë të vitit 1941.

Dega e parë e lisit janë djemtë e mëdhej të Fuatit të cilët janë angazhuar me forcat e EAM-it, Baliu dhe Bako si dhe i vogli Ago që përjetoi masakrën që andartët grekë i bënë familjes së tij. Pastaj vinë me radhë vëllami Dhimitër Toka me trimin e tij Kiço Nikën, Koli Xhima e Mitro Beko, Çako Daliani e Nasho Toka. Midis këtyre personazheve të spikatur degën kryesore të lisit e merr ngadalë-ngadalë Dhimitri, natyrisht mbas vdekjes heroike të Fuat Aidhonatit. Ngjarjet gërshetohen me mjeshtri nga autori dhe lexuesi nga faqja në faqe ndeshet me skena luftimesh të ashpra me andartët grekë . Dallon negativi Jorgo Pandazi që bashkëpunon me Zervën, i cili jepet me një qartësi përshkuese të bindshme.

Autori ka futur aspekte të ndryshme të jetës së popullsisë çame duke mos harruar At Foto Gjinika, Met Xhodin, prijës i Aleancës çame për qëndresë, Stavri Patihagas, komandant i divizionit të EAM-it për Epirin, fisin e madh të Dinajve, Taho Seikon në ngjarjet e Shqipërisë së jugut, përfshirë dhe qëndrimin e Enver Hoxhës në atë kohë, e shumë të tjerë. Subjektet e këtij romani janë treguar me një frymë, me një “nxitim“ narrativ, krejt të një lloi më vete, që i përshtaten ngjarjeve; autori duket sikur ka qenë me të vërtetë në ato vite në Paramithi e më tej. Këtë narracion e zbukurojnë me madhështi retrospektivat e viteve 1913 e të tjera ngjarje ku një vend të veçantë zë arsimimi i shumë djemve në gjimnazin Zosimea, apo internimet e shqiptarëve në ishullin Hios të Greqisë.

Ky roman për herë të parë, mendoj se jep fenomenet e besimeve që kishin shqiptarët e Çamërisë, në myslimanë e në ortodoks e ku autori me mjeshtëri jep mardhëniet e mira midis tyre. Jo vetëm kaq por si në film shfaqen skena të panjohura siç janë besëlidhjet midis tyre, ku të shkon mendja tek vetitë më të mira që shkrimtarët e Rilindjes kanë dhënë për besëlidhjen. I paharrueshëm mbetet episodi i marrjes në përkrahje të Agos, djalit të vogël të Fuatit, nga miku i tij i hershëm Sotir Nika dhe nga arbëreshi Mitro Kristuli. Ja si i shprehet Mitro Sotirit për Agon, djalin e mikut të tij:

“Sado të bëj për të, nuk lahem kurrë unë me atë familje bujare, ndaj gjithë vlerën e mallit përdore për çfarë i duhet, Agos. Është djalë i veçantë, që po të arsimohet , bëhet shpresë për Atdheun! Të lutem bëj gjithçka për të, se e ndjej se ai do bëj të pamundurën, që haku i çamit të vej në vend!”

Romani “Çamëria… klithmë e mbytur” rikthen Baiun dhe Bakiun si dhe shumë personazhe të tjerë luftarakë për të vazhduar çështjen çame, pavarësisht se në cilat formacione ishin të ingranuar.

“Nga Veri - Lindja, forcat greke të EAM-it , ishin në gatishmëri që nën preteksin e luftës kundër gjermanit, të qëllonin mbi cilindo çam, që hidhte armët në sup për t’u mbrojtur…Të vetëm, mes armiqve, por në të drejtën tonë!” - kështu shprehet Baliu, djali i fisnikut Fuat Aidhonati, duke dhënë kështu dhe mesazhin e pjesës së parë të këtij romani.

Romani ka dhe pjesën e tij të dytë.

Kam bindjen se autori do të dijë të vazhdojë me mjeshtrinë e tij të tregojë më shumë për gjëra që kanë ndodhur por që nuk dihen të gjitha. Atëhere ky roman nuk është më vetëm historik!

Çamëria… klithmë e mbytur (II)

Saga e Ajdhonatëve,
klithma e një populli martir.

Nga Fatmir Minguli

Shënime për pjesën e dytë të romanit “ Çamëria… klithmë e mbytur “ të shkrimtarit Kadri Ali

Sapo fillon të lexosh faqet e para të pjesës së dytë të romanit “Çamëria… klithmë e mbytur “ sikur ndjehesh në romanin e parë. Eshtë patjetër mjeshtëria e autorit që me pak faqe të para të sjell ndërmend gjithë ato veprime monstruo...
ze që ushtroi makineria shtetare greke mbi popullsinë çame të Paramithisë , Pargës e shumë qyteteve të tjerë shqiptarë.

Siç dihet , personazhi kryesor në romanin e parë është Fuat Ajdhonati i cili vdiq duke lënë mbrapa tre djem dhe një vajzë. Ai vdiq por la famën e madhe të tij që së bashku me të jatin luanin rol kryesor në jetën e Paramithisë deri sa ndodhën mënxyrat e papara dhe të përshkruara me fantazi realiste nga shkrimtari Kadri Ali.

Në pjesën e dytë të romanit “Çamëria…klithmë e mbytur “ ,autori na sjell vazhdueshmërinë e jetës së popullit çam, po kësaj here në një jetë tjetër , jetë jashtë tokës amtare, tokës së të parëve të tyre.

Tre janë djemtë e Fuat Ajdhonatit ,Baliu, Baki dhe Ago, të cilët vazhdojnë të ndërtojnë jetën e tyre pikërisht jashtë mureve të atdheut.

Në këtë pjesë të dytë, mjeshtrisht tregohet se si çanë në jetë Baliu dhe Ago, ndërsa për vëllanë e tyre Bakiun, nuk kemi asnjë lloj rrëfimi, veçse një pasazh të shkurtër pothuaj efemer ku diçka flitet se edhe ai është gjallë…Ndoshta ,autori e ka lënë për pjesën e tretë të këtij romani sa tërheqës aq dhe i ndertuar strukturalisht me një artificë të veçantë në trajtimin e temës çame.

Pra , kemi të bëjmë me një trilogji, një sagë që të kujton herë romanet e historive kalorsiake të mesjetës por dhe ato të kohëve moderne . Pikërisht këtu qëndron dhe një nga fenomenet artistike që Kadri Aliu, i shfaq sa papritmas aq dhe besueshëm, duke e bërë lexuesin që të ndjekë me kureshtje çdo faqe të romanit.

Tek lexoj librin e dytë të kësaj trilogjie më vinë ndër mend disa shprehje të nobelistit italian Luixhi Pirandelo ku diku thotë:

“ Do mësosh… se në rrugëtimin e jetës tënde do takosh shumë maska dhe pak fytyra.” Ky përcaktim që mua më pëlqen shumë, është dhe laitmotivi i romanit trilogjik të Kadri Aliut “ Çamëria… klithmë e mbytur” .

Njeri nga djemtë e Fuatit, Bali Ajdhonati në ato ditë të fundit të dëbimit të çamëve myslimanë nga tokat e tyre, sistemohet në Palzhin e Durrësit dhe fillon jetën si një djalë i ri i mbetur fillikat.Vëllai tjetër Ago ,mbas shumë peripecishë të mëdha shkon e sistemohet në Amerikë. Këto janë dhe dy linjat kryesore të pjesës së dytë të romanit.

Kadri Ali, si një shkrimtar tashmë i sukseshëm , me një përvojë të gjatë , ka ditur që të injektojë në këtë roman dhe tharmin e veprave të tij të mëparshme të shkruara në prozë, ku ndjehen aromat e figurave dhe sfondeve të romanit “Labirinthi i tranzicionit”, të vëllimit me tregime “Qorollepsja e të shtirurve” dhe librit të bukur publiçistik që pati një jehonë të madhe “Çamëria …sfidë pro paqes – 2007”. Ajo që është më intriguese për një lexues që e njeh letërsinë e Kadri Aliut , konsiston në faktin se fryma artistike e këtij shkrimtar ndihet me të njejtin pulsim, dhe shumë më fortë se shkrimet preçedente.

Si asnjë shkrimtar tjetër , Kadri Ali përshkruan jetën e Bali Ajdhonatit në jetën e tij tashmë durrsake, jetë e ngjashme me qindra çam që u sistemuan në Plazhin e Durrësit dhe në qytetin e Durrësit në përgjithësi. Autori duke treguar rritjen, vazhdimin e jetës së Balitut automativisht bën dhe historinë e qytetit të Durrësit sidomos atë të Plazhit dhe atë të Shkozetit.

Një paraqitje spektakolare e bregdetit durrsak dhe një përshkrim madhështor për peshkatarët vendas të sjellë bindshëm te plaku Cuf Dedja e bëjnë romanin tepër interesant kur ndjen mirësinë e këtyre njerëzve të thjeshtë, peshkatarëve emblematikë durrsakë .

Rrjedhja e jetës bën që Baliu të marrë pozicione pune të ndryshme në punëra të zakonshme por njëkohësisht përveç fytyrave të shohë dhe maska të shumta, që frymonin ajër negativ, që merrnin në qafë jetë njerëzish të pafajshëm. Por Kadri Ali si një romancier i shkathët , duke ndjekur instiktin pindarik di të ndërtojë skena sa të vërteta aq dhe të besueshme për ndonjë lexues të sotëm .

Rishfaqja e grekut Stavri Patihagisit në zyrat e sigurimit shqiptar, propozimi për një bashkëpunim të çamëve të sjellë në Shqipëri, me grekët në vitin 1949, është një nga skenat më intriguese të romanit, skenë e sjellë me mjeshtri narrative. Oferta e tij drejtuar Baliut si një përfaqësues i komunitetit çam në Durrës për t’u bashkuar me forcat greke të EAM – it nuk u pranua me bindje të thellë nga Baliu.

Nëpërmjet figureës stoike të këtij protagonisti ,Kadri Ali , arrin të bëjë analiza të holla të virtuteve të popullit çam, një qëmtim i disa vetive të pashprehura në letërsinë shqiptare , një vështrim mbi botën shpirtërore të këtij populli që u dëbua nga trojet e veta, një popull që ishte dhe është dëshmi e gjallë që rrëzon me mijra dokumenta të kancelarive të Europës.

Në mënyrë të papritur, me një befasi intriguese autori hidhet në linjë e dytë kryesore të kësaj pjese të dytë të romanit, në rrugën plot mundime por dhe të suksesshme të vëllait të Baliut , Agos.

I ndodhur në Amerikë para dëbimit masiv të njerëzve të tij , duke mos ditur asgjë për fatin e vëllezërve të tij, ai fillon jetën e zakonshme të emigrantit që në moshë tepër të njomë. I vetëm, bëhet boksier , fiton azil politik, kryen Universitetin e Harwardit, inkuadrohet në formacione ushtarake që e çojnë drejt CIA – s e deri sa bëhet kuadro i saj shumë i lartë.

Si një degë e pemës gjenealogjike së fisit famëmadh të Ajdhonatëve , jeta e Ago Ajdhonatit është një krenari për popullin e tij dhe jo vetëm për familjen , e cila ishte shkërmoqur nga andartët grek.

Në këtë libër , si në asnjë libër tjetër lexuesi do të gjejë ngulmimin e karakterit çam, përzjerë me krenarinë e vendlindjes. Aty do lexohen shumë faqe për përpjekjet e mëdha të Agos për të grumbulluar sa më shumë dokuemente origjinale që demaskojnë veprimtarinë kriminale të Napolon Zervës dhe përkrahësëve të tij.

Ardhja e Agos në tokat greke në vitet ’80 – ’90 si nënshtetas amerikan është një panoramë aventurash të bukura ku agjentura përzihet me shpirtin e madh të popullit çam, në kërkim të së drejtës sublime.

Autori luan me figurat kistorike ku në një sfond të qartë duken kapacitetet e mëdha të fantazisë të shkrimeve të Kadri Ali. Një stil elastik narrativ, i ngjashëm me grushtimet e boksierit me famë në Amerikë, Ago Ajdhonati, sjell në faqet e romanit ngjarjet e jetës së Agos në Amerikë, ngjarje që lexuesi do t’i gjejë tepër të këndëshme në shoqëri me shkencëtaren Parga Kuqi dhe të jatin e saj. Gjetja e bukur letrare, metaforike “grushtmbajtës “ si boksier e Agos është njëkohësisht dhe durimi i madh i popullit çam, që ashtu si në një ndeshje madhore boksi prêt fitoern e vet të pashmangëshme.

Dhe shkrimtari me penelatat e tij herë të shpejta e herë të ngadalta pikturon tabllo durrsake ,duke i kaluar vitet e pushtetit komunist deri në fundin e tij të pashmangshëm. Në këto tabllo kalojnë si pjesë filmore ndërrmarjet e Durrësi ku punuan dhjetë fëmijtë dhe nipërit e mbesat e të shumta të Baliut, kalojnë ngjarjet e puçeve politikë ku një rëndësi e madhe i kushtohet dy figurave çame Teme Seiko dhe Tahir Seiko.

Kalimi në dy linjat e pjesës së dytë të trilogjisë , herë të Baliut dhe herë të Agos e bën romanin shumë interesant ku me të vërtetë beson se ky roman do të tërheqë shumë lexues dhe do të jetë “ pre “ e kritikës, çka do të tregojë se letërsisë shqiptare i vjen një roman krejt i veçantë e për aq më shumë një trilogji e vërtetë.

Çamëria… klithmë e mbytur (III)

Një sagë që firmos romanin e parë për çështjen çame.
 
Nga Fatmir Minguli
 
(Shënime kritike për romanin e shkrimtarit Kadri Ali “Çamëria… klithmë e mbytur” pjesa e tretë.)
 
Tek përfundon së lexuari pjesën e tretë të këtij romani, tashmë tepër të njohur ndër lexuesit shqiptarë, ndoshta të shfaqet ideja se romani do të ketë atë mbylljen klasike që në përgjithësi kanë trilogjitë. Po nuk ndodh fare ky përfundim. Kur e mbaron së lexuari pjesën e tretë ,automatikisht, libri të mbetet i hapur në dorë edhe pse je i impresionuar nga mendimet por edhe pse pret diçka tjetër…
Ky roman është realizimi i qëllimit madhor të autorit për të bërë një roman për Çamërinë. Me arritjen e këtij qëllimi, autori theu i pari ndër shkrimtarët çam dhe jo çam, tabunë e romanit të parë të plotë për jetën e popullit çam. Mbas 70 vjetësh zbërthen jo vetëm artistikisht dhimbjen e madhe të popullit të vet, por me një trill artistik të veçantë arrin të na japë figura të jashtëzakonshme , personazhe që do t’i kishin zili shumë shkrimtarë. E të mos harrojmë që pranë trillit artistik qëndron guximi i gazetarit, ish boksierit, biznesmenit të sukseshëm, kryetarit të familjes , autorit të poezive dhe tregimeve me aromë nga Çamëria etj.
Fisi namëmadh i Ajdonatëve në romanin e Kadri Ali – ut është në lulëzim të vazhdueshëm, falë shpirtit dhe gjakut të pastërt çam. Janë breznitë e e këtij fisi që ndërtojnë jo vetëm pallate me emrin e tyre por ndërtojnë diçka më të madhe se pallatet. Janë me dhjetra bij e bija, mbesa e nipër, nuse e dhëndurë të nderuar me mbiemrin e madh të Ajdonatëve që bëjnë të pabërën për ngacmimin, evidentimin dhe shpërthimin real të çështjes çame.
Këtu qëndron dhe një nga meritat e mëdha që shkrimtari Kadri Ali tek e ka strukturuar subjektin e këtij romani me ngjarjet më të fundit të jetës së shqiptarëve e në veçanti të popullsisë çame.
Këto merita çojnë në realizimin e një sage të rrjedhshme, plot kolorit, jetë në lëvizje, jetë plot me peripeci por me një qëllim të përcaktuar mirë. Kadri Ali i është shmangur rrëfimit zvarritës , ai përdor si dhe në pjesën e dytë të kësaj sage “narracionin grusht”, domethënë dhënjen e rrëfimit direkt, pa e mërzitur lexuesin.
Kjo mënyrë të shkruari të kujton gazetarin e shumë viteve më parë, po këtë Kadri që shkruante artikuj publiçistikë në gazetat e asaj kohe si “Çamëria” etj.
Çuditërisht këtë alterego të tij e gjejmë në këtë pjesë të tretë të romanit në personazhin e gazetarit të lirë amerikan të ditëve tona Edmond Kerljus. Veprimtaria e këtij gazetari avangardist është në sinkron me lëvizjet e mëdha patriotike të Ago Ajdonatit dhe fëmijve të tij, të krushqisë së tij, të studentëve të bashkuar shteteve të Amerikës dhe të Europës për të ndriçuar në sy të botës çështjen çame.
Jo më kot theksova më lart “Narracionin grusht”. Nuk është thjeshtë një mënyrë të të shkruari nga ana e shkrimtarit Kadri Ali. Eshtë vetë natyra e një boksieri të vërtetë, janë skenat me shoqërinë e boksierëve “Ajdonati”, janë ndeshjet e ringjet e ndryshme të boksit me të huaj, që aq bukur trashëgohen nga i madhi Ago Ajdonati, i biri i Fuatit të parë. 

 
Shkrimtari Kadri Ali

Kemi të bëjmë me një parabolë të fuqishme letrare ku fuqia dhe zgjuarsia e boksierëve do të triumfojë mbi kundërshtarët e çështjes çame. Por nuk është vetëm kjo parabolë që përdor shkrimtari Kadri Ali edhe në këtë pjesë të tretë të lkësaj trilogjie.
E kam fjalën për pavionin e ekspozimit të relikeve të botës çame në katin e parë të ndërtesës , pallatit të Ajdonatëve në Durrës. Sjellja në këtë pavion e shumë aristëve nga qytetet e ndryshme të Shqipërisë si dhe nga diaspora e gjërë e shqiptarëve është një gjetje mbresëlënëse artistike që e ngre nivelin e veprës shumë lart.
Pikërisht këto gjetje i japin freski të jashtëzakonshme sepse në fund të fundit secila gjetje e autorit çon në bindjen e madhe që ka populli çam në gjenezën e vet, dhe kur kjo gjenezë pasqyrohet në dokumenta të kohës, në veprat e atij skulptori me origjinë çame që kompozon pa rreshtur buste e përmendore , atëhere kemi të bëjmë më shumë se me një roman historik.
E kam theksuar dhe në shkrimin tim kritik për pjesën e dytë të kësaj sage se ky roman do të bëjë një jehonë në botën lertare shqiptare, boll që të organozohet një propagandim sado modest.
Përputhem kështu me idenë e botuesit të këtij romani, përfaqësuesit të “2M Company “ që pa tjetër që ky roman nuk do të jetë më një trilogji, po do të ketë një pjesë të katërt. Një pjesë e katërt që do të sjellë të tjera prurje sa artistike aq dhe problematike në gjërësimin e mëtejshëm të gjetjes së zgjidhjes përfundimtare të të drejtave të popullit çam, ashtu siç popullsia kosovare e arriti dhe sot gëzon lirinë pa pushtues të huaj.
Sjellja e një rinie të arsimuar në shtete të ndryshme të botës nga autori në këtë roman e bën atë shumë të besueshëm duke na sjellë imazhe të figurave të ndritura të botës së kulturës çame si i madhi Hoxha Tahsim etj.
Ringjallja në këtë pjesë të tretë të trilogjisë të personazheve tashmë të njohur për lexuesin si Bejto Hyseni me të vëllezërit ë tij Memeçin dhe Manin si shembëllim të djalit tjetër të Ajdonatëve, Bakiut, i jep një frymëmarrje të gjërë romanit.
Jo vetëm kaq, por shkrimtarit Kadri Ali i takon dhe merita e futjes së shumë bijve të ditur të dinastisë së Dinojve dhe jo vetëm të Abedin Pashë Dinos, por edhe të djalit të Rasih Dinos, grafistit me nam Ali Dino, ish deputet në parlamentin grek (1933 – 1936).
Me këto ndërthurje të formave të një kolazhi të lehtë, shkrimtari Kadri Ali duket qartë dhe bindshëm se ka hedhur mbi këtë roman historik, mbi këtë trilogji të jetës çame, gjithë arsenalin e tij dituror dhe jetësor.
Në fund të kësaj trilogjie lexohet:
“ Fill pas ceremoniesë të dekorates, mes duartrokitjeve të bashkëqytetarëve, Ajdonatët u vunë në udhë për në Sul, bashkë me vëllamët Toka - jat. Muzgun e asaj mbrëmje, ashtu siç e kishin ënëdërruarqë në çastin e nisjes nga Durrësi, dëshironin t’a shijonin në një cep të “Shkëmbit të Fajkojve”, aty ku bardët deklamonin vargje të frymëzuara nga shpirti i madh i shqiptarit liridashës. Aty Ajdonatët shpresonin të haseshin dhe me Bako Ajdonatin, Nasho Tokën, Memeç Hysenin, Mani Hysenin, që humbën në shtigje të thepisura betejash, për t’u shfaqur here pas here në tinguj këngësh e vargje poemash…”
A ka mbyllje më të bukur se sa kjo poezi e shkruar në vargje? Apo një elegji për ata që nuk do të kthehen më?
Jo, një poezi optimiste për një bashkim të shpejtë me të gjithë njerëzit e dashur në tokën e tyre të dashur.
Prandaj jam dakort me mendimin e shumë studjuesve që romani i Kadri Ali mbi Çamërinë është i vetmi në lloin e vet. Ai është një risi në letërsinë shqipe, që vjen jo vetëm në kohën e duhur, por vjen dhe si domosdoshmëri në botën që jetojmë sot.
Në shkrime të tjera kritike për veprat e Kadri Ali – ut e kam krahasuar punën e tij vetmohuese në letërsi si puna e Martin Idenit, një punë këmbëngulëse pa pyetur për rrethanat. Kësisoj Kadri Ali merr vetinë e shkrimtarit i cili punon pa autoçensurë, shkruan ato që ka menduar një jetë të tërë dhe që kaq hijshëm i hedh në faqet e kësaj trilogjie krejt të veçantë.
Në librin trilogjik “Çamëria…klithmë e mbytur” marrin pjesë me qindra personazhe, çka të kujton Tolstoin, punën e tij gjigante për “lëvizjen “ e personazheve në fushat e jetës. Janë tre brezni të cilat përfaqësohen me pjestarët e familjeve të tyre deri sa vimë në ato dhjetra e dhjetra djem e vajza të reja jo vetëm të fisit të Ajdonatëve por dhe të familjeve të tjera, të krushqive apo dhe të miqësive .
Mendoj se ky roman duhet të kalojë duke u vënë re sepse përbën një jetë të tërë të shqiptarëve andej e këndej Shqipërisë. Nuk e di sepse duke gjykuar mbi çka jep shkrimtari Kadri Ali në këtë trilogji , më kujtohet JakovXoxe me “Lumin e vdekur”…

Mittwoch, 9. Juli 2014

Te Guri i Prevezës

 
Prend BUZHALA:

OFSHAMA E ALI PODRIMJES
PËR LITARIN E KËPUTUR
NË PREVEZË
 
1.
E dëgjonim dhe e lexonim, gjatë viteve ’70 e ’80, ofshamën poetike të Podrimjes: “Oh ç’m’u këput litari te Guri i Prevezës”. Lektyra e etnisë nacionale, gjatë atyre viteve, e kuptonte këtë varg një si intertekstualitet që korrespondonte me vargun e Pashko Vasës, tek cenzurohej në botimet tona. Ish...
te njaj vargu vizionar i Podrimjes, që ta sugjeronte çështjen shqiptare ende të pazgjidhur, përmes figurës së Urës, e cila "Me një krah në qiell me tjetrin në mishin tim", vinte si jehonë plagësh. Si kurorë e kujtesës sonë poetike vjen një libër tjetër, i konceptuar nga ato poezi (ALI PODRIMJA: “TE GURI I PREVEZËS”, POEZI, BOTOI “ARBËRIA”, TIRANË 2003), në një kontekst tjetër kohor.

2.
Ishte cikli i poezive “Rekuiem për pyllin e prerë” i librit “Fund i gëzuar” (1988), i cili atëbotë lexohej si poetikë e pastër, që, diku në shtresat e ndërdijes sonë kolektive, të grishte për t’u futur në thellësitë e kujtesës sonë nacionale, tek do ta parandiente kërdinë e monstrumëve (aty gjendet edhe poezia “Monstrumi”), tashmë të shfaqur në horizontini e errët (serbian, millosheviçian), si shfaqeshin bajlozët e baladave. Te libri i përmendur, atëbotë, nëpërmes cikleve të tëra poetike, ai na i shtronte edhe pyetjet tjera dramatike: “A ju kujtohet”, “A ju dëgjon harrimi” (tituj poezish).
Dhe, poezia ishte e para ajo që i ringjallte ato imazhe kujtese, e, së andejmi, na e shpërfaq me semantikë të pasur jehonën tragjike të vargut lapidar të memories së pashuar nacionale
"Moj e bukura More". 

(PARANTEZË: ÇKA NA LIGJËRON HISTORIA?)

Data 27 qershor 1944 shënon ditën e holokaustit çam. Kujtesa historike nuk shlyhet. Historia na thotë: pellazgo-ilirët ishin banorët e hershëm të Çamërisë. Përmendet mbreti i parë, Therporti, me prejardhje pellazg, heroi i shquar Pirro, kurse vetë Çamëria ishte pjesë e Mbretërisë Ilire. Çamëria ishte pushtuar nga Mbretëria Osmane më 1449, e cila luftoi kundër ushtrisë osmane në vitet 1611 dhe 1803. Në betejat e fundit u shqua regjioni i Sulit. Duke qenë pjesë e Janinës, atëbotë ishin të njohur si luftëtarë, mësues dhe patriotë Luli Çapari, Marko Boçari, Hasan Tasini, Osman Taka, Çelo Mezani etj. Kësaj radhe, duke i përmbledhur këto të dhëna, në ndihmë na dalin shkrimet e gazetës “Çamëria”, shkrime të autorëve si prof.Hazir Shala, shkrimet e gazetës “Balli i Kombit” (Boston), të Agron Alibalit, dëshmi nga debati i Kongresit amerikan me grekët për çështjen çame, kërkuar nga Hilari Klinton; shkrime nga Miranda Vickers, Joseph Jakobs, Shef i Misionit Amerikan në Shqipëri dhe të publicistes e krijueses Vitore Stefa-Leka. Në fillim të shekullit XX Çamëria kishte 75.000 banorë etnikë. Suliotët kanë folur shqip. Edhe sot e kësaj dite kudo që janë në fshatrat e Frarit (Kastri, Kanallaq, Hajke) në Prevezë, Artë, Pargë e gjetkë. Qendrat kryesore të saj janë: Filati, Gumenica, Parga, Margëlliçi, Paramithia e Preveza. Në veri, kufijtë e saj mbërrijnë deri në zonën e Delvinës, në jug kufizohet me Gjirin e Artës (Prevezës), në perëndim laget nga deti Jon, kurse në lindje ndahet prej pellgut të Janinës nga malet e Oliçikës e të Llakës. Çamëria pushtohet nga Greqia më 23 shkurt 1913. Pushtimin e pasoi një valë krimesh, ekzekutimesh e terrori mbi popullsinë, veçanërisht mbi atë muslimane. Kufoma shqiptarësh të shfytyruara në mënyrën më të egër, skena mizore në qytete e fshatra e Paramithisë. Më 17 dhjetor 1913, i ashtuquajturi "Protokolli i Firences" sanksiononte përfundimisht vijën jugore të kufirit, i cili linte jashtë territorit shqiptar Çamërinë dhe vise të tjera të Shqipërisë. Tashmë çamët i kanë ditët e vitet e holokaustit, si dhe ato të gjenocidit grek. Më 1913 u krye masakra në përroin e Selamit (Paramithi) e 72 krerëve të Çamërisë dhe e qindra të tjerëve. Shqiptarët tjerë u degdisën në Anadoll, u rrëmbehen me mijëra hektarë tokë buke, sipërfaqe të mëdha me vreshta, qindra mijë rrënjë ullinj, të cilat u bënë prona të elementëve grekë; inkurajimi i kryqëzatave fetare. U ndalua me dhunë të flitej në gjuhën shqipe. Qeveria greke bëri çmos që të përçante popullsinë shqiptare çame, duke u përpjekur të kundërvejë të krishterët ndaj muslimanëve. Bëhet fushatë e re masakrash dhe krimesh nga më monstruozët kundër popullsisë shqiptare. Të burgosurit dhe të internuarit çamë u liruan vetëm mbas pushtimit të Greqisë nga ushtritë gjermane në një gjendje të rëndë shëndetësore dhe shpirtërore. Gjenocidi vazhdoi edhe mbas Luftës së Dytë Botërore. Çamëria përjeton njërën ndër tragjeditë më të mëdha të Evropës: në qershor të vitit 1944, u vranë dhe u masakruan mbrenda 24 orëve rreth 1400 shqiptarë. Kurse gjatë qershorit 1944 dhe marsit 1945, në Filat vriten 1286 shqiptarë, 192 në Gumenicë, 626 në Margellicë dhe Pargë, kurse mijëra të tjerë zhduken. Shënohet: se “në të njëjtën kohë, si rezultat i gjenocidit grek, 2900 të ri dhe të vjetër, 214 femra, 96 fëmijë qenë masakruar, 745 gra qenë dhunuar, 76 femra qene rrëmbyer, 32 fëmijë, 68 fshatra qenë shkatërruar me gjithësej 5800 shtëpi.” Ndërrohen emrat e qyteteve dhe të fshatrave për ta shkombëtarizuar këtë krahinë, përdoren tatimet e rënda, grabitja e tokës, përjashtimi i popullsisë nga pjesëmarrja në administratën shtetërore, ndalimi i dhunshëm i arsimit në gjuhën amtare, vrasjet, burgimet, dënimi me dhunë deri në masakrat e përgjakshme. Nga një popullsi prej 35000 vetësh që ishte para luftës, mbetën vetëm disa dhjetëra familje. Vetëm në tragjedinë e Filatit dhe të Paramithisë që u zhvillua në qershor dhe tetor të vitit 1944, rezultati ishte: 2000 të vrarë, gra, fëmijë, pleq dhe burra të paarmatosur, të masakruar në mënyrën më çnjerëzore nga bandat zerviste. Në fshatrat e Paramithisë, Gardhitës, Dhrahumit, Karbunarit, Veliat, Filatit, Galbaqit dhe Spatarit u pati grabitje të mëdha. Joseph Jakobs, Shef i Misionit Amerikan në Shqipëri (1945-1946) shkruan: "Në mars 1945 njësi të forcave të shpërndara të Zervasit, kryen një masakër ndaj çamëve në zonën e Filialit dhe praktikisht e spastruan atë nga pakica shiqptare. Simbas të gjitha të dhënave, që kam mundur të mbledh mbi çështjen çame, në vjeshtën e 1944-ës dhe gjatë muajve të parë të 1945-ës, autoritetet e Greqisë veriperëndimore kryen goditje të egra, duke dëbuar rreth 25.000 çamë - banorë të Çamërisë nga shtëpitë e tyre. Ata u ndoqën deri në kufi, mbasi iu grabitën toka dhe prona. Qindra meshkuj çamë të moshave 15 deri 70 vjeç u internuan në ishujt e Detit Egje. U dogjën ne total 102 xhami". Gazeta "Çamëria ", organ i shoqërisë politike -atdhetare "Çamëria", shkruan: të martën e 27 qershorit 1944 në Paramithi u vranë 1400 burra , gra e fëmijë; gjatë periudhës qershor 1944 - mars 1945 u vranë në Filat 1286 çamë; në Gumenicë u vranë 192 shqiptarë çamë; në Margjelikë dhe Parga u vranë 626persona; 2900 burra u masakruan; 214 gra dhe 96 fëmijë u vranë nga bandat e Zervas; 745 gra u përdhunuan , 76 të tjera u rrembyen; 32 fëmijë, më të vegjël se tre vjeç u masakruan; 86 fshatra u rrafshuan; 580 shtëpi dhe vende kulti u dogjën dhe u shkatërruan. Mbi 100 mijë çamë janë shpërndarë në qytetet e Shqipërisë dhe kërkojnë, mbas gjashtë dekadash eksodi, rikthimin ne tokat e tyre. Rikthimi vazhdon të kundërshtohet egërsisht nga autoritetet greke. Por ky rikthim ka filluar të kërkohet gjithnjë e më fuqishëm.

3.
Zëri i rebeluar i revoltës poetike të Podrimjes vinte tek lexuesi shqiptar i atyre viteve me dramatikën e thënies poetike; dramatikë që niste e soste me shqetësimet e krijuesit për Kosovën dhe për etninë... Nëse poetin e mujshon aq shumë heshtja e bardhë që shlyen emra, ngjarje masakrash e kohësh, ai dëshiron t'u japë zë pikërsht përmes verbit poetik, aty ku e sheh perspektivën e ligjërimit artistik:
 
  "Isha i vetëm me arabaxhinë
'i buzëqeshje të Bjeshkëve të Namuna kisha
dhe Flakën në sy"
(poezia "Ai që nuk të pa, Çamëri") 

  Personazhit, të cilit i zihet prita, nuk i dihet emri. Ai është i vetëm, duke e çuar, mbase, ndonjë kumt për librin a abetaren e botuar, a duke sjellë ndonjë shtypshkronjë në atdhe. Shfaqet thika mbas shpine a helmimi. Personazhi është i shumëzuar nëpër tragjeditë që kanë ndodhur. Vetë poeti i kishte vizituar ato vende çame gjatë atyre viteve '70 e '80. Pamjet shndërrohen në kujtesë të fortë, në imazhe poetike, sakaç.

4.
Aq shpesh e shpesh poeti zë e revoltohet kundër kësaj drame të harresës, kundër padrejtësive të djeshme e të sotme historike ndaj lirisë së shqiptarëve, sa i fshikullon të gjithë ata që sillen me indiferencë ndaj kësaj drame të masakrave:
 
“Oh Çamëri
ai që nuk të pa
vdiq në ëndërr”.

Poeti ka drojë për të ardhmen, nëse përsëritet kjo indiferencë a ky kob zhbërjesh, i paralajmëruar atëbotë si një monstrum në sfondin e ngjarjeve të viteve '80, që përgatnin tragjedi të reja kundër etnisë sonë. Tashmë poezia zë e endëzohet si një epikë dramatike mbi Çamërinë: ajo alegorizohet si vertikale poetike e lashtësisë sonë që lëshohet drejt nesh, si vetënjohje lirike e qenies sonë, si ftesë për vetëkthjellim. Prandaj krijuesi zë e i këndon zbulesat, anatemat a apokalipsat e tij të dhjatës poetike:

Oh ç'm'u këput litari te Guri i Prevezës
Joni ynë
Mjerë U'

(6 korrik 2014, shkëputje)

Sonntag, 29. Juni 2014

Sali Bollati - Si e pashë Çamërinë time


Si u riktheva dhe e pashë Çamërinë time

/ Yllyriapress.com  06/27/2014 - 12:18 AM /
 
U nevojitën mbi 66 vjet për t’u kthyer në vendlindje, në Paramithi të Çamërisë. Atëhere unë isha vetem 7 vjeç, ndërsa bashkëshortja ime Bule Pronjo 6 muajshe dhe djali i tezes Dr. Tahsin Demi ishte vetem 3 muajsh, kur humbem baballaret tane. Pra unë si më i madhi ende kam të pashuar në mendje vrasjet, masakrat dhe vuajtjet që shovinistat grekë ushtruan mbi gjyshin Muharrem 82 vjeçar, gjyshen-Rukije 72, babain Ibrahim 52, nënën-Betulla 36, vëllezërit Ferhat 13 vjeç Faruk 5 vjeç dhe motrën Makbule 2 vjeçe. Ato bashkë me mbi 600 paramithiotë të tjerë humbën jetën se ishin Shqiptarë. Ndërsa unë me motrën Qerime 10 vjeçare vuajtëm burgun deri në Dhjetor 1944 kur na përzunë me dhunë dhe ushtarët anglezë na transportuan për në Shqipërinë mëmë. Kështu do të përpiqem të tregoj se ku janë tokat ku prindërit tanë kishin ngritur kullat e sarajet e ku kishin lindur
Në Shtator të vitit 2010, vetëm në sajë të pashaportës Amerikane, ngase autoritetet greke nuk lejojnë akoma të marrin viza hyrje ata shqiptarë që kane lindur atje, na u bë e mundur bashkë me time shoqe Bulin të vizitojmë Çamërinë tonë. Me të kaluar Qafën e Botës, me lotë në sy, hymë në Tokën e Bekuar. Përshtypja që të bie menjëherë atje janë ullinjtë e pafund dhe për çudi ato mbanin më shumë kokrra ulliri se sa gjethe. Çamëria është një krahinë aq e pasur dhe bukur sa vetëm kodra të gjelbëra me ullinj e pemë frutore, livadhe ku kullosin bagëtia dhe det me ujë të pastër si kristali të zë syri në Filat, Paramithi, Prevezë, Margëlliç, Pargë, Gumenicë e ngado të shkosh.
Pushimin e parë e bëmë në Filat. Midis shumë shtëpive të porsa ndërtuara sheh shtëpia të vjetra, gjysëm të rrënuara. Aty në qendër, para gjimnazit në një lulishte të bukur ishte një kafene. U përpoqa të flas shqip, por kamarieri na thotë se nuk është vendas. Pastaj vamë në Paramithi. Shtëpia ishin ndertuar shumë, por Kulla e Bollatatëve qëndronte në krye të qytetit. Kjo Kullë mesjetare jo vetem se ishte rimëkëmbur, por është kthyer në Muze të Paramithisë. Fatekeqësisht atë ditë ishte e mbyllur. Pranë saj qëndronte shtëpia ku kam lindur, ende sot e banuar por nga banorë të paligjëshëm. Portali i lartë prej guri i derës së oborrit nuk ekzistonte më. Në vend të tij një derë hekuri e mbyllur me çelës. Asnjeri nuk dukej. Në livadhin ku luanim bashkë me moshatarët Rexhepin, Mitatin, Mihalin e Janin kanë mbirë shkure. Ndërsa ullinjve dhe fiqve të shumtë bashkë me kopshtin e zarzavateve që rrethonin shtëpinë tonë iu mungonte kujdesi dhe duart e ngrohta të dikurshme; janë kthyer në shkurre dhe ndërtesa.
Me Tahsinin shkuam te vendi që ishte shtëpia e lindjes se tij. E mbaj mend se ishte prane konviktit të gjimnazit. Aty dukeshin disa rrënoja murri të trashë, por ishte ngritur një shtepi e re që e zonja e saj na tha se ishte e ardhur në Paramithi e nuk dinte se e kujt ishte toka. Pyeta një plakë se ku banon Lefteri, djali i Spiro Muselimit që në librin e botuar më 1974 dhe 1997 “Vështrim historik nëpër Çamëri (Istoriko peripato ana tis Thesprotia)” shkruan se Dinejtë, Pronjatët, Bollatatët, Manoplejtë dhe Kasimatët në Paramithi ashtu si edhe Caparejtë e Rojbatët në Margëlliç janë familjet më të dëgjuara të bejlerëve dhe agallarëve në Çamëri. Fatkeqësisht edhe ajo plakë e zbritur nga fshatrat malore nuk pranoi të tregonte.
Ndërsa me ime shoqe Bulin kaluam në rrugën që ishin Sarajet e Pronjatëve, ato të Islam Pronjos që kishte luftuar bashkë me Gjo Lekën në malin e Melesinit kundër turqëve duke qenë vëllame dhe mbrojtes i Çamëve Suliotë. Në muret e shtëpive të vjetra që ende qëndrojnë janë të mbështetura ndërtime të reja, por nuk doli njeri për të pyetur. Në British Museum të Londrës para disa vjetësh gjetëm të shfaqura 19 skulptura bronzi të shekullit IV e.s., të cilat shoqëroheshin me fjalët: ”Në vitin 1792, disa fshatarë shqiptarë pranë Paramithisë zbuluan këto skulptura të mahnitshme”. U përpoqem të gjejmë në tokat e Pronjatëve në Libon vendin e quajtur “Gropa” ku ishin zbuluar ato skulptura, por nuk arritëm.
Kryexhelati i masakrave të Çamërisë, Napolon Zerva, kapardisej duke i shkruar më 1953 një bashkëbanditi të tij Niko Danit: “Duhet të krenohemi që zhdukem nga qafa e helenizmoit Shqiptarët moslemanë të Çamërisë”. Vazhda e kesaj ”krenarie” ishte e është zhdukja e gjurmëve dhe heshtja ndaj atij barbarizmi mesjetar. Të gjitha vorrezat e vjetra prane ish 9 xhamive të Paramithise (xhamia e fundit, ajo e Bollatateve është prishur më 1952 – vërteton Spiro Muselimi), janë shkatërruar duke ndërtuar shtëpia dhe rrugë. Ndërsa mbi gropën ku ishin hedhur trupat e mbi 600 viktimave të genocidit grek të Qershorit 1944 është shtruar një fushë basketbolli. Hidhërimi më i madh për njeriun e gjallë është kur nuk gjen vendin e prehjes së të parëve të tij, duke mos patur mundësi të vejë një tufë lule për prinderit e të dashurit që megjithëse të lindur e rritur në shtëpijat dhe pronat e tyre mijravjeçare nuk u lejohet një varr për pushim të përjetshëm. Me këtë brengë të madhe, plagë të pashëruar, u larguam për së dyti herë nga Paramithia jonë!
U nisëm për Pargë. Parga si qytet bregdetar ka një pamje të hatashme. Me shtëpijat ngjitur me njëra tjetrën dhe me rrugicat me kalldrëm nën kalanë e bukur mesjetare është mbushur me njerëz, vendalinj e turista. Darkuam në restorantin e Grigorit që bashke me vellain e tijë Thimion na flisnin shqip. Ashtu si gjuha që bisedonim edhe ushqimet e pijet që na shërbeniun na bënë të harrojmë sado pak Paramithinë e heshtur martire. Janë nga Rrapeza, fshat afër Pargës. Këtu jeta nuk pushon deri orët e para të mëngjesit.
Të nesërmen u ngjitëm pranë Kalasë në të ashtuquajturin Pazari Turk; aty nuk dallohen mirë dyqanet nga shtëpijat dhe njerëzit janë shumë të dashur e mikpritësa. Duke ecur e biseduar na afrohet një burrë i moshuar. “Unë jam Panua nga Shën Djella (sot e quajne Aja Qirjaqi), fshat këtu afër Pargës. U dëgjova që flisni gluhën tënë, e mirë se na keni ardhur”. Ne në fshat të gjithë këtë gluhë flasëm, bile edhe me priftin ashtu meremi vesh. Këtu m’u kujtua se Peshkopi i Çamërisë që më 1877 kishte përkthyer Dhjatën e re në shqip, meqenese të krishterët çamë nuk e kuptonin meshën në greqisht. Faktikisht në Çamëri, ashtu si edhe në krahinat e tjera si moslemanet ashtu edhe të krishterët ishim të gjithë shqiptarë. Bile jo vetëm që ishin shpesh herë vëllamë me njëri tjetrin por edhe martoheshin.
Kur e pyetëm Panon në se e kishte njohur një Veli Manzuranën këtu në Pargë, ai iu drejtua një gruaje edhe ajo e moshuar, në shqip. “Moj Vasilikë pa fole me këta se diçka duan të dijnë”. U afrua Vasilika dhe na përshëndeti. Kur e pyetëm ajo me mallëngjim të madh na u pergjegj: “Ç’më piesni, unë me Hysnijen motrën e Qamilesë, gruas se Veliut, kemi qenë shoqe të ngushta”. Dhe Vasilika na tregojë se si më 1944 Qamileja kishte vajtur dhe nxorri nga burgu i Paramithise dy motrat e saja me të vogla Feton e Dilen, të cilat me vonë u martuan me shqiptarë nga Korça, të ardhur enkas nga Australia. Por Qamileja e varfër, vazhdoi Vasilika, kujtonte gjithëmonë vëllain e shkretë Nelon, që e kishin vrarë grekërit në Paramithi dhe pati lënë nje djalë 3 muajsh. Duke e dëgjuar rrëfimin e Vasilikës, m’u rrënqethën mishtë dhe i tregova asaj se ky doktori i pashem pranë është ai djali 3 muajsh që e ruajti dhe e rriti nëna e tijë shumë e dashur dhe e nderuar, tezja ime Zybideja. U përqafua Tahsini me Vasilikën dhe u shtërnguan fort dhe ne me sytë plotë me lotë vështronim ata të mallëngjyer. Dhe kjo nuk është përrallë, por një e vërtetë që nuk mund të harrohet.
                                                  Kulla e Bollatatëve
 
                                                 Me Vasilikën në Pargë
 
                                                Me xha Panon në Pargë
 
                                                       Paramithia
 
                                                 Sali Bollatri, 28 nëntor
 
 Këtu e kuptuam se “harresa” dhe heshtja në Paramithi nuk mund të jetë e vërtetë. Kujtesa, dashuria dhe respekti popullor, pavarësisht nga zhdukja e varreve, qëndron e gjallë dhe nuk ka sesi të harrohet dhe do të vije koha që një ditë të vendosim edhe ne një tufe me lule për shpirt të prindërve të cilët jo për faj të tyre na lanë jetima rrugëve. Mikëpritja e parganjotëve nuk kishte fund. Duke dëgjuar bisedat, një grua tjetër hapi derën e na ftoi: “Hajdeni brena tu jap një liko që e kam përgatitur vetë me fiq të mirë”. Hymë dhe duke vazhduar bisedën se në fshatin e sajë Rrapëz flasin të gjithe gluhën shqipe, bile ka edhe të moshuar që nuk e kuptojne mirë gërqishten. Bie zilja e telefonit, Dhimitra e ngre dhe fletë: “Çu dive moj Parashqevi, a je me mire sot?” dhe mbasi përfundoi bisedën telefonike na shpjegoi se ishte motra e sajë që fliste nga fshati i tyre. Ajo na tha pak si me ndrojtje se sa mirë do ishte sikur të vinin këtu ndonjë ditë valltare e këngëtare çamë. Se na ka marrë shumë malli të dëgjojmë këngët tona shumë të ëmbëla e aqë më shumë të shihnim ato valle të trimave çamë! Nuk dinim se çfare përgjigje t’i jepnim. Biseda e ëmbël në gluhën e nënës, zgjati edhe ca, mbasi e falenderuam për dashurinë dhe respektin që tregoi ndaj nesh me likon shumë të shijshme, u larguam të mallëngjyer por edhe disi të turpëruar që nuk mundem t’i përgjigjeshim dëshirës së Dhimitrës për këngët e vallet çame.
U ngjitëm në Kalanë e Ali Pashës, siç emërtohet sot. Veç pamjeve mahnitëse tee bregdetit tee Pargees nee Muzeun qee kishin ngritur brenda sajee lashee sheenimin: “Ishte njee kënaqësi e veçantë të shikoje këtu trashëgiminë shqiptare të përfaqësuar edhe nga parganjotja e njohur Elena Gjika ose Dora D’Istria. E nenshkrova Sali Bollati, Paramithioti nga Nju Jorku”.
Duke zbritur një burrë na ndaloi pranë dyqanit të tij. Filloi shqip, por menjëherë e ktheu në greqisht. U përpoq të na bindi se në të vërtetë kemi jetuar pranë njeri tjetrit miqësisht, si vëllezër, veçse disa palo njerëz për të marrë pasuritë e të tjerëve bënë atë kërdi si në Paramithi edhe këtu në Pargë. Zbritëm poshtë dhe notuam në ujrat ngohta e të kristalta të plazhit të Pargës, bile duke “garuar” me njëri tjetrin se kush do ta prekte i pari me dorë gurin e madh të ishullit përballë. U larguam nga Parga mikpritëse me përshtypjet më të mira për në pjesën më jugore të Çamërisë.
Preveza, në gjirin e Artës është një qytet sa i bukur ashtu edhe historik. U përpoqëm të gjenim Sarajet e Dinejve, aty ku me 1879 Abedin Pashë Dino dhe Abdyl Frashëri iu drejtuan Kongresit të Berlinit që vilajeti i Janinës bashkëme gjithë Çamërinë të mos ndaheshin nga trojet e tjera shqiptare. Dhe kjo kërkesëe drejtë në sajë edhe të mbështejes se popullit të armatosur qëndroi në fuqi deri në Mars 1913 kur krahina shqiptare e Çamërisë u pushtua nga Greqia.
Kaluam nga Margelliçi me shumë ndërtesa të vjetra të rrënuara, por për çudi qëndronte vetëm një minare e një xhamije dhe shumë shtëpia të reja pranë sajë. Këtu, Dr. Ingridi, bashkëshortja e Tahsinit, na tregoi se si gjyshi i saj, atdhetari i mirënjohur Rauf Fico, kishte shërbyer si Kajmekan në Margëlliç dhe më vonë në rolin e Ministrit të Jashtëm të Mbretërisë Shqiptare e kishte ngritur dhe mbrojtur denjësisht çeshtjen e Çamërisë. Mbas Mazrekut plotë me ullishta dhe tre fabrika vaji, pimë kafe në Platare. Shkuam në Gumenicë e cila shtrihet e gjatë në bregun e detit ku shumë tragete e lidhin me botën mbarë.
Hypëm bashkë me makinen e Dr. Tahsinit në traget dhe u drejtuam për në Korfuz. Mbas afro dy orësh, duke soditur me mallëngjim nga larg bregdetin e Çamërisë, zbresim në Korfuz. Korfuzi me kalate dhe ndërtimet karakteristike i ngjan me shumë një qyteti europian. Në fakt aty pushojne turista nga e gjithë Europa dhe bota. Në restorantin që drekuam na shërbeu me kënaqësi një djal shqiptar i zgjuar dhe shume i përkushtuar në punën e tij. Të nesërmen, gjatë kthimit për në Gumenicë duke soditur përsëri bregdetin çam, na afrohen disa turistë grekë që kishin ardhur nga Selaniku. Ata me pyesin nga jemi se nuk e kishin dëgjuar ndonjëherë gjuhën që flisnim. Unë i them se jam nga Paramithia dhe jemi duke folur shqip. Njëri nga ata i çuditur thotë se Paramithia ndodhet larg nga kufiri, si është e mundur që flisni gjuhën e Shqipërisë. Mbasi u shpjegoj se jo vetëm Paramithia por e gjithë Çamëria, deri në Prevezë që ndodhet edhe më në jug, u pushtua nga Greqia vetëm më 1913, po ashtu si edhe Selaniku i juaj me 1919. Ata u larguan menjëherë, pa thënë asnjë fjalë. Zbritëm nga trageti dhe morëm rrugën e kthimit.
Nuk më ndaheshin nga mendja ata parganjotë që kërkonin të shihnin, të takonin dhe të gëzoheshin me më shume vellezër shqiptarë. Tregonin se tani që shqiptarët kanë ardhur për punë këtu e ndjejnë vehten më mirë. Bile xha Panua na tha se do ishte shumë e mirë sikur të hapej edhe ndonjë shkollë që fëmijtë të mos e harronin gluhën e perëndisë.
 

Samstag, 21. Juni 2014

Namik Selmani - Kur të shkoj në Çamëri

 
Kur të shkoj në Çamëri

Në një krua ku njomet buza
Do të pi ujë të bekuar
Do thërras zogj e pëllumba
Ditë e bardhë pa aguar.

Do të pi një verë agimi ...

Të papirë në jetë të jetëve.
Në s’më ngop një çast burimi,
do thërras në ndihmë dete.

Do ta tund në erë shaminë
Ku çerdhon një dallandyshe.
-Erdha prapë, mik’e mirë
mos m’i shih thinjat mbi krye!

Do ta shporr Gardhin e Shpirtit
T’i kthej malet në lendina.
Prush i nxehtë që fle të gjiri
Do blerojë bokërrima.

Do ta gdhij natën voliote
Sup më sup me Osman Takën
Në s’më gjeni në një breg
Do më gjen tek mbjell arën.

……………………………

Tri pranvera e vera bashkë
Çamëri,pret pa u ndalur.
Kush ta djeg zemrën e bardhë
Iu harroftë në shekuj pragu!

 
 
Amaneti i nënës
Motiv çam

Më lini të shkoj në male të Margëllëçit që të ndez furrën
Të pjek kulaçin për Dasmën e shpejtë Rikthimit!
Në gërmadhat e viteve dua të gjej leshin dhe furkën
Në bahçet e vetmuara të mbledh kokrrat shegëve e të ullirit.

Hingëllin një kalë i vetmuar në portën e drunjtë
Akoma rrëmih në tokë me këmbët pa patkonj.
Në varret dhefundosur ka gjarpërinj ferra dhe gurë
Në oda dasmat e vashazve dua prapë t’i shoh,.

Do shkoj dhe zbathur të mbjell borzilok dhe mannxuranë
Do vijnë krushqit e s’kam ç’t’u vë në duar
Në këmbët e detit të luaj me dallgë e me valë
E këngët e kurbetit dua që sot t’i shoh zgjuar.

Do të përkëdhel gurët e muret me dhimbje e mall
Të lyejcep më cep me gëlqere oxhakun dhe vatrën.
Do thërras trimat që vallen ta hedhin gjer na tavan
e fëmijëve e që do të lindin t’u jap me shpirt uratën.

Do të vete në Margëllëç, do të vete!!!

 
 
Kush ma shkruan amanetin
( Motiv çam)
 
Kush më merr sërish për dore
Të më bredhë prapë?
Çamëri, moj klumushtore
Djegur nga një mall.
Kush më njom buzët e thara
Nga etja shkrumbuar
Kush më mban një iso kënge
Gojë më gojë kënduar?

Kush ma tund valles mandilen
Të pikojë nga nuri
Të më hapë sëndyqet varg
Të kërrej flamurin?
Kush më fut nëpër ullishta
Kokrrat t’ua prek,
E t’u them ca fjalë malli
Si ninullë në djep?

Kush m’i thotë fjalët çamçe
që s’i fola dot.
Kush më jep në rrudha duarsh
Lule borzilok?
Kush me feks me dritë ballin
Nëpër terr të qiellit
Kush më ngre si një kala
Lapidar kujtimi?

Kush ma shkruan amanetin
Me fjalët prej zjarri?
Kur të hidhen plisa dheu
Ëndrrën jasht ma mbani!
Se do bëhem prapë dhëndërr
Që të dhëndërroj
Do të bëhem sqep shqiponje
Brigjesh të ndaloj.

Se do bëhem fyell Tane
Të zgjoj Çamërinë
Për ty , nënë, me thinja valësh
Mos paçim harrim.
Se do bënem frymë e gjallë
Që të zgjoj oxhaqet.
Se do bënem Verë e ngrohtë
Të çel manushaqet.

Vjen në fjalë si uratë
Kohë e kalëruar.
Na troket me gurë në portë
Me pishtar në duar.
Na kujton ca varre shkretë
Ca lule lëndine
Fshehur krojesh nëpër përrele
Në rrënjë të ullinjve.

Ç’them kështu, vëllezër, motra
Mos jam bërë përçart?
Dorën trupit të ma vini
Ballin e kam zjarr.
Do më jepni hak patjetër
Se na rrit një palcë.
Me vatanin brumëgatuar
Ngrohur-o në një buhar*

Buhar –(dialekt).-oxhak