Samstag, 6. Dezember 2014

Vëllamëritë dhe martesat, forconin kompaktësinë çame.

Në luftë për nder e vatan i madh e i vogël, ndërsa në festën e fitores me këngë e valle! Kështu e kanë përcaktuar jetën dhe qëndresën e Çamërisë ndër dekada e shekuj historianë vendas dhe të huaj. Se pushtuesit nga Anadolli, më pas qarqet shoviniste greke, nuk e lanë kurrë të qetë në trojet e veta shqiptare këtë popull trim e fisnik. Si pasojë e kësaj gjendje terrori e lufte të përhershme, banorëve të Çamërisë iu desh të kondicionojë të gjitha ritualet e jetës së përditshme, në funksion të nderit e dinjitetit të kërcënuar. “Nuk mund të kuptohet qëndresa dhe heroizmi i Çamërisë e banorëve të sajë pa njohur e ‘prekur’ një sërë vetish e virtytesh brilante. Kështu, vëllamëria mes çamëve(për shkak të forcës së qëndresës ndaj kërcënimit), ishte më e përhapur se në trojet e tjera shqiptare. Që fëmijë, çamët njiheshin e rriteshin me psikologjinë e luftës kundër pushtuesit, e ndaj në luftë shkonin të bashkuar i madh e i vogël, e fitoren e festonin me këngë e valle. E në kontekstin e qëndresës, kanë rolin dhe misionin e tyre veshja, bestytnitë, vallet karakteristike, gëzimi, zija e morti…” – pohon mes të tjerave historiani i njohur Hajredin Isufi. Në vazhdim, ai sjell dokumente e dëshmi të riteve e zakoneve çame në shekuj.


VËLLAMËRIA NË ÇAMËRI 

Në Çamëri fisi nuk ishte krejt i mbyllur për anëtarët e fiseve të tjerë. Ata pranonin anëtarë nëpërmjet vëllamërisë. Vëllamëria, shkruan Edith Durham, ishte zakon shumë i vjetër i përhapur gjerësisht në Shqipërinë e Veriut e të Jugut.(Burimi:E. Durham, Brenga Ballkanike dhe vepra të tjera për Shqipërinë, Tiranë 1990, f.155). Vëllamëria në Çamëri ishte shumë e përhapur edhe mes myslimanëve e të krishterëve çamë. Bëheshin dy vëllemër, kur kishin të njëjtën moshë, kishin qenë më parë shumë miq dhe mbi të gjitha e çmonin shumë njëri- tjetrin.(Burimi: K. Kritovasili, Souliotes kai Labides, Athinë 1905, f. 11). Pasi plotësoheshin këto kushte, si dhe dëshira e të dy palëve për t’u bërë vëllemër, duhej marrë dhe miratimi i kryetarëve të familjes, plakut të shtëpisë. Kur këto formalitete mbaronin, vinte çasti i ceremonisë: Dy vëllezërit lidhnin gishtin e vogël të dorës me spango deri sa të ënjtej paksa, e shponin pakëz mollëzën e gishtit, e linin të kullonte gjaku, pastaj merrnin pak sheqer, lyhej me gjakun e njërit prej vëllemërve dhe hahej me lugë kafeje. Vëllemërit, pasi merrnin pak gjak nga gishtat e njëri-tjetrit dhe e hanin me sheqer, betoheshin: “Zemra ime është zemra jote, jeta ime është jeta jote”. Më pas përqafoheshin me njëri-tjetrin, shtrëngoheshin fort e putheshin. Edhe pjestarët e dy familjeve të vëllemërve, që ishin prezent, përqafoheshin dhe putheshin dhe uronin njeri- tjetrin me shtrëngime duarsh e fjalët “për hajër na kloftë” e më pas zbraznin pushkë në ajër. Në atë ceremoni të improvizuar, vëllemërit shkëmbenin dhurata simbolike ndërmjet tyre si çorape e triko, të punuara me mjeshtëri nga nënat e motrat e tyre. Që nga ky çast vëllemërit konsideroheshin të një gjaku dhe familjet e tyre këto lidhje të reja gjaku i festonin me këngë e vallë e mishra të pjekura të shoqëruara me pije. Gostia mes vëllemërve e të afërmve të tyre vazhdonte tre ditë. Mes dy familjeve e fisit të vëllemërve nuk mund të bëheshin krushqi. Vëllamëria midis myslimanëve e të krishterëve në Çamëri, shkruan Niko Zhango, ishte shumë e përhapur. (Burimi: Nik. G.Ziagkos, I antistasi ton Soulioton kai o Llmbro Xhavellas, Athinë, 1968). Ai tregon se një mysliman në Margëlliç i quajtur Omer Velija, ishte vëllam me një suljot nga një fis i shquar. Në kujtesën e popullit çam ruhen lidhjet vëllamërore e pjesëtarëve të familjeve të mëdha të parisë së Çamërisë: të Pronjatëve, të Çaparenjve, Dematëve e Sejkatëve, Daljanenjve të Konispolit, Kleftateve të Varfanjit, Hidret e Gardhiqit të Paramithisë, Gërret e Vrohonjatëve, Husot, Haxhinjtë e Kasëmet e Margëlliçit dhe shumë familje të përmendura çame, që kishin vëllemërit e tyre të krishterë jo vetëm në fshatrat e qytetet e tyre, por edhe në zonat e thella si në Sul e gjetkë. Kështu p.sh. Pantazenjtë e Sulit ishin në lidhje vëllamërie me fisin e madh të Xhematëve myslimanë në Sollopi të Filatit. Vëllamë me të krishterë ishte dhe Avdulla Kasemi nga Margëlliçi me një të krishterë nga Shenica, Jasin Sadiku (Haxhiu) me Nikollë Manon nga fshati Rrapes, Teofik Qemali nga Karbunari, ishte vëllam me Andon Naçon, Abedin Kupe Xhemali me bashkëfshatarin e tij Vangjel Kaçilin nga Shulashi e qindra të tjerë, që po t’i rendisim do të bëhej një varg i gjatë. Me interes të ndalemi në lidhjen e vëllamërisë që kishte Islam Pronjua i Paramithisë, me një nga fiset më në zë të Sulit, Xhavellenjtë dhe prijsin e tyre, Foto Xhavellë. (Burimi: Sp. Melas, To lintari…, vep. E përm.,f. 73-97)


ÇAMËT NË BETEJA 

Studiuesit e huaj kanë vënë re një dukuri interesante të shqiptarëve çamë në veprimet luftarake. Ishte zakon se kur shkoje në luftë kundër armikut, në më të shumtën e rasteve vihej re një grupim në bazë të lidhjeve familjare e fisnore, që qëndronin pranë njeri-tjetrit në beteja. Bartholdy është një ndër studiuesit e parë që na e përcjell të konkretizuar këtë dukuri. Ai thotë se në mbrojtjen e Artës dhe rrethinave e saj, ishte caktuar Sulejman Çapari, një burrë 85 vjeçar me shtat të lartë gjigant, që nuk kishte asnjë shenjë tjetër të pleqërisë, veçse mjekrën e bardhë si dëbora.  Bartholdy më tej shkruan: “Sulejman Çapari shoqërohej nga dymbëdhjetë djemtë e tij, që ishin nga 30 deri në 60 vjeç dhe që shquheshin të gjithë për shtatin e lartë sikur i ati, dhe po ashtu shquheshin për kurajon dhe forcën e tyre të jashtëzakonshme. Këta, vazhdon më tej Bartholdy, në luftë qëndronin gjithnjë pranë njeri-tjetrit, zakon ky që ishte i përgjithshëm tek ky popull, me qëllim që nëse njeri prej tyre vritej, të tjerët të kishin mundësi t’ia merrnin hakun e ta tërhiqnin të mos e zinte armiku. (Burimi: Bartholdy, vep. e përm., f. 243). Ata edhe në sulm, edhe në tërheqje ishin pranë njeri-tjetrit. Një dukuri e tillë si ajo që pamë tek Çaparenjtë e Luaratit, ishte e njëjtë edhe tek Daljanenjtë e Konispolit. Mehmet bej Daljani, nga paria e Konispolit, në mbrojtjen e Prevezës nga forcat e Ali Pashës, mbështetës kryesor të tij besnik e që kishte vendosur në pozicionet kyçe, kishte vëllanë e vet, Mehmet bej Daljanin me njerëzit e tij.


LUFTËTARËT SULJOTË 

I njejti zakon ishte edhe tek luftëtarët shqiptarë suliotë. Historiani grek i fundit të shek. XIX, Kr. Kristovasilis në veprën e tiJ (‘K. Kristovasilis’, The Eroika thainata ton Soulioten kai Souliotidhen, London, 1887) U tregon se forcat suliote sa herë që përballeshin me forcat e Ali Pashës, pjesëtarët me lidhje gjaku qëndronin pranë njeri-tjetrit. Historiani grek përshkruan një rast sesi njeri nga kapedanët e Sulit, Diamanti Mallami, përzgjodhi 100 trima suliotë nga të vetët dhe i vendosi në pararojë të suliotëve, që vinin nga Parga të ngarkuar me ushqime e armatime për të siguruar mbrojtjen e tyre nga forcat e Ali Pashës, që u kishin zënë të gjitha shtigjet nga mund të hyhej në Sul. Çamët pas betejave të suksesshme, kishin për zakon ta festonin fitoren mbi armikun me këngë e valle. Valltari i parë për të hedhur valle luftëtarët përzgjidhnin më trimin. Ai jo vetëm hiqte vallen çame, por ja thoshte edhe këngës. Trimi që këndonte kishte një zë të fuqishëm si një britmë luani e jo si zë njeriu. (Burimi: ‘K. Kristovasilis’, The Eroika thainata ton Soulioten kai Souliotidhen, London, 1887)


VESHJA KOMBËTARE 

Kur flasim për veshjen shqiptare, thotë Faik Konica, ka aq kostume shqiptare sa ka edhe krahina. Vizitorët e huaj, që e kanë shëtitur Shqipërinë e Poshtme, kanë vërejtur se kostumet popullore shqiptare janë të bukura e befasuese. Nuk mund të flitet për kostumet shqiptare në Çamëri, pa përmendur Çajrëllin. Ai ka qenë mes çamëve të krahinës së Margelliçit në vitin 1880. Ai përshkruan një veshje festive të çamëve, parë në një manifestim të madh popullor, që organizohej në fshatin Mazerrek. Ai në librin e tij shkruan për kostumin kombëtar çam, kontrastin e ngjyrave, që e bënte veshjen çame të bukur dhe madhështore. Lidhur me këtë Çajrëll shkruan: “Grupet piktoreske të malësorëve, kësulat e fustanellat e tyre, bënin kontrast me livadhin e gjelbër e me armët e tyre të çuditshme, që vezullonin në diell… Shqiptarët dalloheshin vetëm nga këmishët e kollarisura, nga shkëlqimi i xhaketave dhe madhështia e brezave, në të cilat kamat e pistoletat ishin të vëna në një nemur të madh, që nuk dalloheshin dot”. (Burimi: V.Chirol, vep. epërm., f.231-250). Është me interes të përmendim përshkrimin që i bën Pukvili veshjes çame dhe elegancën që u jep ajo banorëve të asaj krahine: “…Udhëtari që do të shikojë ata çamë, që do të kenë shpëtuar nga sundimi feudal i sovranit të Janinës dhe një rënie mortaje98, do të njohë me vështirësi ata burra të bukur, me ato qëndisma të bukura lara-lara të veshur me kostume të shkëlqyer dhe të ngarkuar me ar të çmueshëm, që ngjasin sikur të ishin një koloni ushtarësh të Pirros të pasur me plaçka të Trojës, që kanë zbarkuar sërish në Epir. (Burimi: Pouqueville, Voyage… vep. e përm., vëll. I,f 530). Kostumi kombëtar çam ka tërhequr vëmendjen jo vetëm të studiuesve të huaj, por edhe të historianëve grekë. Njëri prej tyre, Spiro Mela, në njërin nga librat e tij shkruan: “Çamët me rrobat e tyre elegante e luksoze, këmisha të bardha të gjata, të qëndisura anash me ar dhe fermelete, xhamadanët të shkurtër bojë vishnje me shirita të qëndisura me ar e të përpunuar me shije të hollë, me pistoleta të lara me argjend dhe thika të ngjeshura në brez e me guna të gjata”. (Burimi:Sp. Mela, To lintari… vep. epërm.,f. 274). 

Historiani çam Jani Sharra, kur flet për kostumin karakteristik çam,  “Veshja tradicionale çame, thotë autori, ishte kostumi kombëtar: fustanellat e bardha, kalcat e bukura dyngjyrëshe lidhur me fjongo me xhufkat e mëdha me ngjyrë të zezë, me këmisha të bardha e me mëngë të gjëra, me jelek të zi ose blu… të qëndisur me gajtan, me brezin në mes, ku vendosnin edhe koburen. Në kokë mbanin feste me xhufkë.

Përfaqësuesit e krahinës së Çamërisë e kishin për krenari të përfaqësonin atë krahinë në forumet më të larta të kohës. Kështu p.sh. dy nga figurat më të njohura të Çamërisë, Vejsel Bej Dino dhe Abedin Pashë Dino kishin shkuar në Kostandinopojë me kostumet e tyre kombëtare të qëndisur me ar.(Burimi: “Dokumente për Çamërinë…”, vep. e përm., dok.166, f-301). Veshja shqiptare në Çamëri, ashtu si në mbarë viset shqiptare, nuk ishte gjithnjë një veshje uniformë. Kostumet kombëtare, që kërkonin copa të shtrenjta dhe punim të hollë artistik, për shkak të gjendjes ekonomike, ishin në gjendje t’i përballonin vetëm klasat e pasura, bejlerët dhe agallarët e Paramithisë, të Margelliçit, të Filatit, të Lauaratit, të Konispolit, Delvinës, Prevezës, Pargës etj., shtresat e ulëta nuk mund të përballonin një veshje të kushtueshme. Shtrenjtësia, vë në dukje Heinrry Mercey, është një nga arsyet pse u zhduk kostumi kombëtar në Shqipëri. Heinrry Mercey në fillim të shekullit XX (1907) vuri re në Çamëri se në disa zona larmia shumëngjyrëshe e veshjeve kombëtare shqiptare dalëngadalë po tjetërsohej për shkak të civilizimit. Tek banorët e Pargës, thotë ai, veshja e tyre ndryshonte nga fqinjët e tyre shqiptarë: “Veshjen pjesërisht shqiptare e ruanin gratë çame vetëm në fshatin Rrapëz dhe Aija, ndërsa fustanella shqiptare vazhdonte të ruhej vetëm tek parganjotët e pasur. Ata që e ruanin veshjen tradicionale, theksonte autori, ishin me prejardhje nga Suli, Paramithia ose Arpica, ndërsa burrat shqiptarë të shtresave të ulëta i kishin qëndruar besnikë veshjes së thjeshtë shqiptare. (Burimi: Heinrry Mercy, Sohn Verlang, Pragë 1907, f. 18-22).


VALLJA ÇAME 

Vallja çame është vallja më përfaqësuese e fisit arbëror. Ajo shpreh më së miri shpirtin e çamit. Studiuesi arvanitas, Aristidh Kola, që është marrë me studimin, bukurinë dhe mjeshtërinë e valles çame, ve në dukje, se ajo shpreh dhe tregon figurën e shqiptarëve. Ajo me lëvizjet e saj jep krenari, bukurinë e virtytit dhe tregon se është një valle triumfale, që nuk e ka shoqen në botë. Tiparet karakteristike të bukurisë dhe madhështisë së valles çame, ia jep kërcimtari i parë, i cili mbahet me kujdes e mjeshtëri nga valltari i dytë, ndërsa kërcimtarët e tjerë i shoqërojnë dy të parët. Ata të gjithë së bashku krijojnë një ansambël të bukur dhe shprehës me lëvizjet e tyre. Në përgjithësi vallja çame është valle burrërore dhe kërcehet vetëm nga burrat. Ajo kërcehej në dasma e gosti, por ajo siç e kemi theksuar, kërcehej para se të fillonte beteja, pas betejës e fitores, por edhe gjatë armëpushimit. Sot vallja çame në Greqi është deformuar nga grekët. Kush do ta shohë origjinalitetin e valles çame, shkruan Aristidh Kola, si këndohet e kërcehet, të shkojë ta shohë tek çamët e krishterë të Çamërisë.


PARAGJYKIMET 

Gjarpri në ëndërr personifikonte hasmin. Një çami, kur i priste rrugën një gjarpër, e konsideronte prapsi dhe udhëtari kthehej nga kishte ardhur. Udhëtarit kur i priste rrugën një qen, ishte mbarësi.

Në Çamëri, si për myslimanin, ashtu edhe për të krishterin, ishte zakoni që të mos nxirrte nga shtëpia natën as vaj, as kripë dhe zjarr. Çami paragjykonte se nxjerrja jashtë shtëpisë e tyre natën, largonte mbarësinë e shtëpisë. Kur shtrohej sofra e bukës për të ngrënë, në fillim vendosej një copë buke, që donte të thoshte se ajo shtëpi të mos kishte kurrë zi buke. Fëmijës së vogël i priteshin thonjtë, kur bëhej një vjeç. Para se f ia prisnin, ia lyenin thonjtë me miell, që të kishte fat, madje ia hapnin pëllëmbën e dorës që të bëhej bujar, pastaj ia pritnin thonjtë. Thonjtë e prerë i mblidhnin me një shami të pastër dhe i vendosnin në një brimë muri, brenda avllisë së shtëpisë, që sipas tyre të mos dilte jashtë shtëpisë mbarësia. Fëmijës kur i dilte dhembi i parë, njeri nga pjesëtarët e familjes ia prekte me një monedhë floriri, që të mos i binin shpejt. Personi i parë që e diktonte dhëmbin e fëmijës, i bënte një dhuratë simbolike.

Kur një çifti nuk i rronin fëmijët, tek të dy besimet në Çamëri veprohej pothuaj në të njëjtën mënyrë: një javë pas lindjes së fëmijës, e merrnin atë dhe e nxirrnin në një rrugëkryq. Të krishterët e kishin për zakon që njeriu i parë që e gjente fëmijën, bëhej nun i tij, ndërsa myslimanët vepronin ndryshe: nuk nxirrnin fëmijën në rrugëkryq, por teshat e tij, që ia linin atje.


BESIMET TEK VENDET E SHENJTA 

Në Çamëri kishte shumë vende që i konsideronin të shenjta si myslimanët, ashtu edhe të krishterët. Ato shpesh frekuentoheshin nga pjesëtarë të familjeve e të sëmurët për të larguar nga vetja të ligat dhe sëmundjet. Në Margëlliç, në vendin e quajtur “Qerrakar” afër Spatharatit, ishin ca ullinj shekullorë. Midis tyre ishte edhe një ulli qindravjeçarë e mbahej si më i vjetri, me një trung shumë të trashë e me shumë tunele të vogla, që trupi i tij përshkohej tejpërtej. Vendasit besonin se një i sëmurë, kur e kalonte tri herë zgavrën e ullirit dhe kur dilte në anën tjetër ose po të linte plaçka nga të vetat, ai shërohej. Njerëzit e afërt, që e shoqëronin fëmijën a të sëmurin, pasi u jepnin pakëz ujë dhe e futnin dhe e nxirrnin tri herë nga zgavra e ullirit, largoheshin me bindjen e plotë se të keqen e kishin lënë tek zgavra e ullirit. Qerrakari frekuentohej dendur nga banorët e kazasë së Margëlliçit e rrethinat, sidomos ditën e enjte, që ishte edhe ditë pazari në Margelliç. Një vend që konsiderohej i shenjtë nga banorët e rrethinave të Filatit, ishte në fshatin Koskë. Në vendin e quajtur “Ujth”, ishte një brez shkëmbor i thepisur me një lartësi rreth 15m. Në faqet e lëmuara të këtij shkëmbi dukej sikur ishte skalitur në gurë një pëllëmbë e hapur e dorës së njeriut. Banorët e fshatrave për rreth atë shkëmb e kishin pagëzuar “Guri i shenjtë”. Myslimanët pëllëmbën e hapur të dorës, që iu dukej në shkëmb, e konsideronin dorën e shenjtores Fatime, ndërsa të krishterët atë pëllëmbë e quanin të shenjtorit Gjon. Nga faqja e shkëmbit, pranë “pëllëmbës së dorës”, verë e dimër, rridhte pa pushim një rrëkezëz e vogël uji. Ai vend, ditën e parë të muajit të majit, vizitohej kryesisht nga gra myslimane e të krishtera që nuk lindnin, të sëmurë me të meta mendore, të paralizuar. Të sëmurët, me ujin që rridhte nga faqja e shkëmbit, lanin duart dhe fytyrën, futeshin në nje zgavër të atij shkëmbi, ndërroheshin dhe plaçkat që hiqnin i linin aty.

Edhe në fshatin Reçat të Gumenicës, respektohej një vend i shenjtë. Ai ishte tek vendi i quajtur “Stani i Dashos”, që quhej ndryshe dhe “guri me birë”. Zakonisht atë vend e frekuentonin njerëzit që kishin sëmundje kronike. I sëmuri kalonte tri herë nëpër hapësirën që kishte zgavra e gurit dhe linin tesha nga ato që i hiqnin të sëmurit pranë gurit me birë, duke thënë: “lamë rrobat të na kthesh shëndetin”. Këtë refren i sëmuri ose të afërmit e familjes e përsërisnin tri herë.

Çamët, pa marrë parasysh besimin e tyre, kanë një respekt të madh për burimet e ujit. Ata jo vetëm që kujdesen për rregullimin dhe sistemin e tyre, duke u krijuar mundësi njerëzve të shuajnë etjen, por mes burimeve, ndonjërin e veçojnë si të shenjtë. Në atë burim ndërtojnë një kamare të vogël, thotë Pukëvili, vend i destinuar për të lënë kalimtarët të holla dhe dhurata simbolike. Asnjë njeri nuk kalonte në burimin që ishte në “Koqino Lithari” (Shkëmbi i Kuq), ose tek çezmja e Gravës në Gumenicë, pa lënë ndonjë dhuratë: për të prishur syrin e keq ose f i pushonin ethet ose ndonjë sëmundje tjetër, që i vuante pjesëtari i familjes së kalimtariT.(Burimi: Pouqueville, Voyage…, vëll.I, kap. 29). Në fshatin Gurëz të Filatit, në perëndim të tij, ishte një vend që quhej “Vulister” dhe pranë një are që quhej “Klisheza”, ishte një krua. Si kruan, ashtu edhe arën “Klisheza”, banorët e fshatrave të “Shkallës së Zorjanit” të Filatit, i quanin vende të shenjta. Tek kroi të krishterët ndiznin kandile me vaj, myslimanët hidhnin të holla. Në “Vulister” as myslimanët dhe as të krishterët, nuk prisnin dru dhe nuk punonin atje, se e quanin vend të shenjtë.


ZIJA 

Me gjithë presionet e kishës e të xhamisë, tek shqiptarët e Çamërisë, pa dallim feje, kishin mbetur të pandryshuara disa zakone në ditë zie ose morti në familje. Të vdekurin, si myslimanët edhe të krishterët, natën e parë e përgjonin të afërmit e familjes e të fisit, e ruanin mos ta kapërcente ndonjë mace. Ata besonin se ai do të shndërrohej në djall (shpirt i keq). Kur përcillej xhenazja nga shtëpia, atë ditë nuk fshihej shtëpia. Mendohej se po të përdorej fshesa, vdekja do të merrte edhe pjesëtarë të tjerë të familjes. Shtëpia që kishte humbur pjesëtarin e familjes, myslimanët, për dyzet ditë (natë e ditë), mbanin të ndezur një kandil edhe llambë me vajguri, ndërsa të krishterët qiririn.

Huazuar nga Gazeta Dita 

Lulzim Breznica - Rrugëtim me Çamërinë

 
RRUGËTIM ME ÇAMËRINË
 
Ti çdo natë më rri hije në një shtrat me mua
Rrotullohesh e përplitesh keq,e bukura ime
Në shpirt të godasin lotët e mbledhur krua...

E Nata e Bartolomeut grryen zemrën time
 
Mundohem të miklojë pak me vargjet e lira
Por..gjilpërë e helmuar ka sharruar në gjak
S'po mund të të prek, e ve ka mbet dëshira
E heshtja m'i ka lidh edhe gjymtyrët me lak.
 
Edhe pse plagët i kafshon qen i zi në pritë.
Në bark vlon llavë e zjarr të dal përjashta
Të ringjallemi bashkë,po të njëjtën ditë
Të mos vdesim më, nga e Bartolomeut Nata.

Kush i kreu masakrat në Çamëri?

O Zot! Sa të tmerrshëm, sa të neveritshëm gjakatarët, tiranët, paranoitikët që vunë popujt të vriten dhe nuk i lanë të rrojnë me dashurinë e zemrën për njëri-tjetrin. (Marrë nga libri i Tula Stefanidhu (Malakata): “Margariti”, Athinë, 1989, f. 125). Për të mos harruar 2771 shqiptarë të Çamërisë që u vranë nga forcat greke, ja një përmbledhje e raportimeve të burimeve shqiptare dhe atyre greke që vërtetojnë masakrat ndaj njerëzve të pafajshëm.

Para pak kohësh, duke lexuar librin “Margariti” (Athinë 1989, f. 125), shkruar nga Tula Stefanidhu (Malakata), më tërhoqi vëmendjen një letër tronditëse, e shkruar me dhimbje, dashuri e plot humanizëm… Është një letër-mesazh, ku shpaloset drama e popullsisë çame, që u bë pre e nacionalizmit ekstrem grek, që u penalizua në masë, që nga fëmija i pafajshëm e deri te plaku i pafuqishëm dhe i sëmurë. Tula Stefanidhu (Malakata) u flet bashkëkombësve të saj, troket në ndërgjegjen e trazuar të atyre që bënë krime monstruoze, apelon për drejtësi e humanizëm, rikujton të pafajshmen, motrën e saj çame, miqësitë e ndërprera nga dhuna mizore…
 
Ja përmbajtja e letrës, përkthyer nga historiani i ndjerë Petrit Demi:
 
“Bashkatdhetar që kthehesh nga Shqipëria! Mos ke mësuar vallë për motrën time? Si ne, çame, nga vendet tona është. Jam e pikëlluar. Asgjë nuk di pas kaq shumë vitesh që kanë kaluar. Bashkatdhetar! Ti, që je kthyer para do kohe nga Shqipëria, mos vallë e di nëse rron ende motra ime e dashur? Ishte truppakë, sygështenjë. E bukur. E martuar së vogli. Bijë e vetme mes katër vëllezërve. Dhe s’kishte mbushur motin që kishte lindur një vajzë. E pamësuar ishte me vështirësitë e jetës. Të vogla, ktheheshim në ovorua dhe loznim me guralecë. Në sterenë e madhe ulnim kokat dhe thërrisnim të dëgjonim jehonën e zërave tanë. Motmoti besimi nuk na ndante, kisha dhe xhamia na bashkonin. Një miqësi e lashtë i lidhte familjet tona.
 
- Ta ketë duruar rrugën e mërgimit?
 
- Mendoj se po, jeton – përgjigjet zemra e përmalluar. Por, vitet kalojnë pa lajme dhe gjithçka e bren dyshimi dhe ankthi.
 
Dhe ja, dyzet e ca vjet më pas, nga Shqipëria vjen një letër e përmortshme, bukur shkruar nga vëllai i madh.
 
Në fillim për të afërmit pyet: Kush rron? Kush nuk është më? Dhe në fund vijnë vuajtje pa fund:
 
“Sapo lamë vatrat tona, rrugës na vdiq motra jote. Ishte vetëm njëzet vjeç. Dhe nuk vonuan ta ndiqnin e bija dhe i shoqi.
 
Vdiq edhe i ndjeri baba me gjyshen. Të pambaruara qenë lotët e hidhërimit para se të arrinim të çlodheshim diku”. Letër e kobshme! Kaq vjet zemërdredhur, kaq vjet dyshimet largoja.
 
O Zot! Sa të tmerrshëm, sa të neveritshëm gjakatarët, tiranët, paranoitikët që vunë popujt të vriten dhe nuk i lanë të rrojnë me dashurinë e zemrën për njëri-tjetrin. (Marrë nga libri i Tula Stefanidhu (Malakata): “Margariti”, Athinë, 1989, f. 125).
 
Si u vranë 2771 shqiptarë të Çamërisë
 
Masakra më e egër ndaj shqiptarëve myslimanë u bë nga ushtarët grekë që nuk bënin më pjesë në formacionet ushtarake më 27 qershor 1944, në zonën e Paramithisë, ku forcat e Ligës Republikane Greke (EDES) të gjeneralit Zervas hynë në qytet dhe vranë rreth 600 shqiptarë myslimanë, burra, gra dhe fëmijë, shumë prej të cilëve u përdhunuan dhe u torturuan para vdekjes. Sipas dëshmitarëve okularë, të nesërmen, një batalion tjetër i EDES hyri në Parga, ku u vranë 52 shqiptarë të tjerë. Më 23 shtator 1944 u plaçkit qyteti Spatar dhe u vranë 157 veta. Gra të reja dhe vajza u përdhunuan dhe ata burra që mbetën gjallë u grumbulluan dhe u dërguan në ishujt e Egjeut. Në bazë të statistikave që jep shoqata “Çamëria” në Tiranë, gjatë goditjeve që janë bërë në vitet 1944-1945, në fshatrat çame janë vrarë gjithsej 2771 civilë shqiptarë dhe konkretisht si më poshtë: në Filat dhe rrethinat 1286, në Igumenicë dhe rrethinat 192, në Paramithia dhe rrethinat 673 dhe në Parga 620. Janë plaçkitur dhe djegur 5800 shtëpi në 68 fshatra. Në një listë të hollësishme të humbjeve materiale përfshihen 110.000 dele, 24.000 bagëti të trasha, 250000 kv grurë dhe 80.000 kv vaj ushqimor, të cilat arrijnë në 11 milionë kg grurë dhe 3 milionë kg vaj ushqimor. Si rezultat i këtyre goditjeve, llogaritet që 28.000 çamë të jenë larguar për në Shqipëri, ku u vendosën në periferi të Vlorës, Durrësit dhe Tiranës.
 
Kush i kreu masakrat në Çamëri?
 
Gjenocidi kundër popullsisë çame është një krim kundër njerëzimit, një spastrim i egër etnik, i cili jo vetëm nuk u ndëshkua asnjëherë, por u kalua në heshtje nga qarqet ndërkombëtare. Vetë ministri i Jashtëm grek, dikur Guvernator i Janinës, në verën e vitit 1913, deklaronte: “Mos ushqeni asnjë iluzion. Edhe në rast se do të jemi të detyruar (nga Fuqitë e Mëdha) të braktisim Epirin, ne nuk do të lëmë asgjë nga pas, veçse tokë djerrë. Çdo gjë që ngrihet mbi këtë tokë do të rrafshohet”. Pra ishte një strategji e mirëmenduar dhe obsesive. Qeveritarët dhe zyrtarët e lartë grekë justifikohen me të ashtuquajturin “bashkëpunim i çamëve me fashistët dhe nazistët”, por në fakt e kundërta është e vërtetë: Bashkëpunimi i forcave të djathta greke me nazistët. Ja faktet: Gjermanët ngritën në Athinë Qeverinë Kuislinge të Ralisit. Anglezi M. Mazower, në librin “Inside Hitler’s Greece 1941-‘44”, Londër 1993, thotë: “Në Athinë anëtarë të EDAS-it nën komandën e Zervës hynë në shërbim të batalioneve të shërbimit të krijuara nga gjermanët për të mbajtur rregullin e qetësinë. Anglezët këmbëngulën që Zerva të ndërpriste lidhjet me Qeverinë Kuislinge, por ai vazhdonte me ta. Në shtabin gjerman ai mbante një oficer ndërlidhës dhe bëri me gjermanët një armëpushim disamujor. Janë pikërisht këto veprime që Zerva kishte dorë të lirë për masakrat në Çamëri.
 
Nga disa autorë grekë pohohet se masakrat në Çamëri u kryen nga banda të armatosura dhe jo nga ushtri të rregullta. Por edhe bandat njiheshin nga qeveria greke. Kështu historiani grek Jorgos K. S. Kallanxhis, shprehet: “Çamët nuk u përndoqën dhe u vranë nga ushtri të ligjëruara të qeverisë greke, por nga forcat e andartëve grekë, të cilët dëgjuan dhe u udhëhoqën nga një komandë e frontit të Lindjes së Mesme. Këtu duhet të pranojmë që jo të gjithë çamët ishin bashkëpunëtorë të armikut, mirëpo qëndrimi i më të fortit dhe i shumicës mori poshtë edhe të tjerët. Pasuritë e çamëve u shtetëzuan, si parashikon ligji për bashkëpunëtorët, kurse të tjerët braktisën pasuritë”.
 
Carl Kalmer Hart, përfaqësues i SHBA-së në Tiranë më 1945, në përgjigje të letrës së ambasadorit grek, thotë: “Më tregoni një grek që ndien shqetësim për një shqiptar dhe unë do t’ia raportoj Muzeut të Historisë së Natyrës si specien më të rrallë antropologjike që ekziston”.
 
Joseph Jakobs, shef i Misionit Amerikan në Shqipëri (1945-1946), shkruan: “Në mars të vitit 1945, njësi të forcave të shpërndara të Zervasit kryen një masakër ndaj çamëve në zonën e Filatit dhe praktikisht e spastruan atë nga pakica shqiptare. Sipas të gjitha të dhënave, që kam mundur të mbledh mbi çështjen çame, në vjeshtën e 1944-s dhe gjatë muajve të parë të 1945-s, autoritetet e Greqisë veriperëndimore kryen goditje të egra, duke dëbuar rreth 25.000 çamë, banorë të Çamërisë, nga shtëpitë e tyre. Ata u ndoqën deri në kufi, mbasi iu grabit toka dhe prona. Autoritetet greke miratuan më pas një ligj që sanksiononte shpronësimin e pronave të çamëve, duke iu referuar bashkëpunimit të bashkësisë së tyre me forcat pushtuese të Boshtit, si një arsye kryesore për marrjen e këtij vendimi”.
 
Këto vitet e fundit, albanologu i shquar, Robert Elsie, në një pjesë studimi të botuar më titullin “Shqiptarët çamë të Greqisë sipas dokumenteve të panjohura”, shprehet: “Forcat britanike, për të siguruar bregdetin jonian për furnizimet e tyre ushtarake, lejuan komandantin vendas Zerva (1891-1957) të pushtonte rajonin”.
 
Le të sjellim në vëmendje disa nga studimet dhe qëndrimet e historianëve dhe studiuesve grekë.
 
Jani Sharra në librin “Istorias tis Periohis Igumenicas”, f. 642 (viti 1985), thotë: “ …Nuk kemi sot të drejtë të mos zbulojmë disa të vërteta të pakundërshtueshme dhe siç duam të dënojmë vrasjet dhe krimet e pushtuesit e të myslimanëve keqbërës, aq më shumë do të na duhet të dënojmë krimet dhe vrasjet e fuqive të ashtuquajtura të çlirimit si dhe keqbërjet e elementeve kristiane” (f. 629). Sharra shpreh edhe një zhgënjim të italianëve, të cilët mendonin se çamët do t’i kishin në krahë. Ai thotë: “Italianët u zhgënjyen me minoritetin shqiptar në Greqi. Shumë pak çamë u rreshtuan në njësitë fashiste italiane”,(f.603-4) kurse çamët u rreshtuan me forcat e ELLAS-it.
 
Jani. G. Sharra, në fq. 668 të këtij libri, shkruan: “Më 27.6.1944 andartët hynë në Paramithi; bishat përbërëse të tij u vërsulën bishërisht mbi popullatën e pambrojtur. Njerëzia ia dhanë vrapit të ndjekur nga breshëritë e plumbave; në mesditë rrugët, rrugicat, oborret dhe kopshtijet ishin mbuluar prej gati 700 kufomash, ndër to edhe ajo e myftiut, Hasan Abdullah Mulazimit, dhe burrave të tjerë më të rëndësishëm, ndër to edhe të plot e plot grave dhe vajzave. Urrejtja që vlonte brenda tyre shpërtheu egërsisht mbi gratë, fëmijët, pleqtë e të pafajshmit. Kërdia, dhunimet, plaçkitjet, djegiet e keqbërësitë e tjera vunë vulën e tyre në çdo vend të Çamërisë. Tërë ç’kishin arritur të mbeteshin gjallë – kryesisht femra, fëmijë e pleq e plaka – u rrasën gati një mbi një nëpër bodrume. Të nesërmen e gjëmës në Paramithi (27.6.1944), EOEA-sitët hynë në fshatin Karbunar. As atje s’lanë kënd të gjallë nga sa zunë. Tërë çamërit që u gjetën në Karbunar, u vranë dhe u hodhën nëpër hendeqe: një nënë me 7 fëmijë si edhe të vegjël të tjerë, tri vajzat e Muharrem Agushit, nusja e Hodos dhe Ajshe Agushi” (fq. 669). “Pas dy ditësh EOEA-sitët arritën në Margëllëç; “e plaçkitën egërsisht; të vetmit që s’kishin mundur të mërgoheshin, ishin plaku Qamil i paralizuar prej vitesh dhe e shoqja e tij; i therën të dy brenda shtëpisë së vet” (fq. 699). (J. G. SH., “Istoria…”, fq. 669). Në fshatin Livadhar vranë Izet Lovidhen, të birin, të shoqen dhe të bijën në bahçen ku punonin. Ditët e fundit të korrikut 1944 grinë të 58 vetët që gjetën në Pargë, përfshi edhe myderrizin e qytetit, tok me familjen e vet: dy të bijtë, të shoqen dhe të bijën. Në Volë vranë këdo që zunë, kurse në fshatin Skrropjonë të Margëllëçit femrat e familjes të Sako Banushit i përdhunuan dhe pastaj i thelëzuan. Në fshatin Kastrizë shuan të 16 pjesëtarët e 2 familjeve, të vetmet familje myslimane në atë fshat: të Halil Rustemit e Hasan Sulçes; grinë burrat dhe në vijim përdhunuan për tri ditë rresht vajzat dhe gratë, njëra nga të cilat disa muaj shtatzënë. Pasi ishin velur me kënaqësitë e veta shtazarake, gratë në fjalë dhe fëmijët e tyre i shpunë në vendin e quajtur “Tre Ullinjtë” dhe i vranë. “Haziz Hate Shabìnin, të vetmin që arritën të kapnin në fshatin Shulash, e pushkatuan aty pranë, në vendin e quajtur ‘Gropa e Mihailidhit’. Kufomën e Mehmet Abazit që kishte vdekur para dy muajsh e qitën nga varri dhe e tërhoqën zvarrë nëpër rrùgët e fshatit. (J. G. Shàrra, “Istoria tis….”, fq. 699). J. G. Sharra shkruan më poshtë: “Masakrat në Paramithi dhe thellimi i keqbërësive nuk linin asnjë dyshim se, po të donin të mbijetonin si popull, duhej të çrrënjoseshin”. Ndërsa në fq. 670 të “Istoria tis…” vëren: “Kush donte të jetonte, duhej të linte truallin e shenjtë të atdheut të vet, shtëpinë, pasurinë dhe të merrte rrugën e mërgimtarit”. Në fq. 665 të veprës së vet, po ky autor shkruan: “Tabloja që paraqitnin ishte rrëqethëse dhe e vajtueshme…mijëra vetë: burra, gra, fëmijë, pleq e plaka në një vargan kilometrash të ngjashëm me një gjarpër në lëvizje e arixhinj në pamje, me dhimbjen dhe keqardhjen në fytyrat e tyre, të ngarkuar me çka kishin mundur të merrnin me vete, ecnin nëpër udhën që koniunkturat fatkeqe me veprime të paramenduara u krijuan kaq pësime çnjerëzore dhe të ashpra”.
 
(J. G. SH., “Istoria tis…”, fq. 673). Ndërsa në fq. 670 të veprës së tij të përmendur Sharra shkruante: “Në Çamëri u shkelën ligjet e njerëzimit dhe u njollos historia e saj nga këto hordhi njerëzish të egër”; ndërsa në fq. 672 vëren: “Këto ishin përfundimet e politikës së urrejtjes së fesë dhe të politikës së çmendur të EDHES-it; ata, pasi vulosën me gjak, lot e rrënime fatin e të dy bashkësive, patën si përfundim çrrënjosjen e çamo-shqiptarëve nga toka e të parëve të tyre, nga shtëpitë e pasuritë e tyre…”.
 
Studiuesi tjetër i njohur, Niko Zhangu, në veprën e vet “Imperializmi anglez dhe qëndresa kombëtare 1940-1945”, shkruante: “Sikur shqiptarët çamë të ishin kriminelë, do të zhdukeshin të gjithë fshatrat e krishterë të Thesprotisë rreth fshatrave shqiptaro-çame”. Duke folur mbi masakrat në Paramithi, ndër të tjera ky autor vëren: “Barbarizëm në Paramithi. Historia ditët që vijuan fsheh fytyrën e vet nga turpi”. Niko Zhangua shënon: “…ata që kapeshin nëpër fshatra, kaloheshin në thikë; nuk bëhej përjashtim as për fëmijët, gratë e të sëmurët. Shpëtonin vetëm ca të pakë që kishin shumë para dhe lira flori, me të cilat riblenin jetën e tyre dhe iknin drejt kufìrit. Paturpësitë e poshtërsitë e EDHES-itëve vunë kudo vulën e njollës së zezë”.
 
“Erë e qelbur në shtëpitë e Sali Hafuzit, ku kishin mbyllur gra e fëmijë; vdekje fëmijësh, pamje rrëqethëse e grave myslimane që hiqeshin zvarrë e, edhe pse të uritura dhe të sfilitura, përdhunoheshin e rriheshin nga oficerët zervistë gjatë 6 muajve që u mbajtën të burgosura”. (“Actes agressifs du gouvernement manarcho-fasciste grecs contre l’Albanie”, Tiranë, 1947, kreu XIV, fq. 64-65).
 
Kronisti i Zervës: Mihal J. Miridhaqi, në librin “Agones tis Filisi i ethniqi Antistasi E DES-EQEA 1941-44 tomos B. J. Sidherisi”, Athinë 1952, tregon disa të vërteta p.sh.:
 
“Forcat e divizionit X kishin porosi të pastronin Çamërinë dhe njoftuan se si fillim ia arritën qëllimit, duke zënë Paramithinë” (f.191). “Për pastrimin e përgjithshëm nga çamët u ngarkua regjimenti i 40-të nën komandën e Agoros dhe Gallanit dhe 11 batalione të komandës së përgjithshme” (f.191). Më 7 gusht 1944, forcat e Divizionit X zunë fshatrat Margelleç dhe Mazrek, që ishin mbështetja kryesore e turko-çamëve” (f. 192) “Këto operacione spastrimi i vëzhgonin përfaqësuesit e shtabit të Mesdheut pranë Zervës, togeri skocez Graham” (f.192). “Më 11 gusht 1944, Reoartet EO e EDAS-it spastruan kryesisht Çamërinë nga forcat e armatosura të turko-çamëve” (f.193-4). Miridhaqi flet edhe për takimin e Zervës në Athinë, me ish- kryeministrin Plastria: “Takimi u bë në Megali Vretania. Zerva i tha Plastirës: ne këtu kryetar, bëmë EDES-in, ngritëm dhe trupat andarte të EDES-it. Nuk e di nëse jeni dakord për të gjitha këto? Atëherë Plastira përgjigjet: “Shërbimin politik (d.m.th EDES-in) duhej ta bënit dhe mirë bëtë që e bëtë, por trupat andarte ama e dëmtuan Greqinë…”. Dhe Zerva pyeti: ne e dëmtuam Greqinë? Plastrira iu përgjigj: EDAS-i, ju dhe të tjerët, sepse dogjët edhe fshatrat, vratë dhe njerëz” (f.291-92”)
 
Si krenohej Napoleon Zerva për mizoritë e tij në letrën që i shkruante një miku
 
N. Zerva krenohet për mizoritë e tij në gjenocidin ndaj shqiptarëve të Çamërisë. Në letrën që i shkruante mikut të tij Jani Dani Popovitit, më 4 gusht 1953, ai thoshte: “Bëjua të qartë njerëzve se ne e kryem detyrën që na ishte ngarkuar për spastrimin nga Atdheu ynë të çamëve myslimanë, të cilët qëndruan 500 vjet mbi qafë të helenizmoit dhe ua bëmë të mundur malësorëve të zbresin në fusha” (S.Muselimi. “Istoriko Peripato ana ti Thesprotia”, Janinë, 1974). Në qeverinë e Athinës ishte ministër edhe N. Zerva. Më pas, në sajë të presioneve ndërkombëtare, sidomos të SHBA, pasi u zbuluan lidhjet e tij me nazistët, Zerva u detyrua të japë dorëheqjen nga qeveria greke. Megjithatë ai mbeti një “figurë e nderuar” nga autoritetet greke. Statuja e tij, me fytyrë e duar të drejtuar nga Shqipëria, qëndron në qendër të një prej qyteteve të Çamërisë martire.
 
Bashkëpunimi i Zervës me gjermanët është i provuar nga dokumentet gjermane si dhe nga shtypi grek i kohës dhe i pasluftës, i cili ka dhënë dhjetëra dëshmi në këtë drejtim. Nga arkivat sekrete të Vermahtit gjerman për Greqinë, zbulohet një marrëveshje bashkëpunimi midis Zervës dhe pushtuesve gjermanë që të godiste grekët e tjerë. Autori që ka publikuar këtë marrëveshje shprehet se “ekzistonte në thellësi një miqësi me ujkun”. Në dokumentin gjerman thuhet: “Gjatë natës së 1-2 shkurtit 1944, Zerva i parashtroi Komandës së Korparmatës XXII malore, me anën e një oficeri të plotfuqishëm propozimin për bashkëpunim mbi bazat që vijojnë: armëpushim, bashkëpunim në luftën kundër ELAS-it në azhurnim të vazhdueshëm mbi qëllimet e tij, mbi vetë pozitën e tij si dhe mbi forcat armike”.
 
Propozimi i Zervës iu parashtrua dhe të Plotfuqishmëve të Posaçëm të Rajhut për Europën Juglindore, ministrit Nojbaher. Përgjigjja ishte: të vazhdojmë tratativat deri sa të merret vendimi përfundimtar. Më 9 Shkurt 1944 u arrit aprovimi për marrëveshje lokalisht të përkufizuar… Kjo situatë vazhdoi deri në fillim të korrikut 1944. Forcat e Zervës në mars 1944 ishin rreth 10000 luftëtarë. Sipas marrëveshjes me autoritetet gjermane duhej të mbetej e lirë nga ushtria e Zervës një rrip bregdetar prej 10 km. Mirëpo më 3 Korrik 1944, trupat e Zervës e pushtuan zonën bregdetare pranë Pargës. Po ashtu, gjatë natës 6-7 Korrik filluan në befasi veprimet luftarake të trupave të Zervës kundër reparteve gjermane në perëndim të Artës dhe në rrugët Janinë-Artë dhe Janinë-Gumenicë. Siç shpjegohet në dokument, “ndryshimi i qëndrimit të Zervës nga marrëveshja e arritur me gjermanët ndodhi si rezultat i ndërhyrjes së oficerëve të ndërlidhjes aleate, të cilët morën përsipër vetë udhëheqjen e ushtrisë së Zervës. Madje thuhet se edhe urdhrin për sulm kundër gjermanëve e dhanë oficerët ndërlidhës të aleatëve. Nisur nga ngjarje të tilla, as edhe gjermanët nuk ishin të qetë për marrëveshjen që nënshkruan. Lajmet e shërbimeve sekrete gjermane konstatonin që në rast zbarkimi të aleatëve, EDES-i do të luftojë kundër gjermanëve, duke iu referuar udhëheqësit të EDES-it Papajoanu. Në gusht 1944, forcat zerviste arrinin rreth 21000 vetë.
 
Bashkëpunimi i Zervës me gjermanët, ishte dëshmuar edhe në Senatin Amerikan nga oficeri i ushtrisë amerikane me origjinë greke, Kouvras, më 31 mars 1947, duke e cilësuar atë si një kolaboracionist. Kouvaras i paraqiti Senatit një dokument shumë komprometues, i cili provonte marrëveshjen që ekzistonte midis forcave të armatosura gjermane në Epir dhe EDES-it të Zervës. Ky dokument ishte një memorandum i Shtabit të Përgjithshëm të Korpusit të 22 të Ushtrisë Gjermane. Tezën greke e hedhin poshtë edhe dokumentet diplomatike angleze të kohës, të cilat nuk mund të dyshohen për ndonjë tendencë antigreke, por përkundrazi për tolerancë ndaj aleatëve të tyre dhe në radhë të parë ndaj forcave të së djathtës, të cilat ishin pikëmbështetja e tyre. Kështu, sipas dëshmive të njërit nga zyrtarët e lartë të misionit anglez në Shqipëri, majorit Palmer, i cili kreu një udhëtim eksplorues në Greqinë e Veriut, nuk mohohet fakti që pati edhe rreth 700 veta nga radhët e popullsisë çame që luftuan në radhët e ELLAS-it kundër gjermanëve. Gjenocidin zervist për spastrimin etnik në Çamëri e konfirmonte edhe koloneli Monague Woodhouse, ish-kryetar i Misionit Anglez në Greqi, i cili thotë se “Zerva i ndoqi çamët nga shtëpitë e tyre në 1944… Dëbimi u krye me gjakderdhje të madhe. Qëllimi ishte dëbimi i popullsisë së padëshirueshme shqiptare nga vendi i vet”. Palmeri vë në dyshim pretendimin se spastrimi etnik i Çamërisë u krye për shkak të bashkëpunimit të kësaj popullsie me gjermanët, por si pjesë e strategjisë shoviniste të Greqisë kundër shqiptarëve.
 
Në të vërtetë, armiqësitë dhe konflikti nacional në Çamëri, kishin filluar këtu me aneksimin e kësaj treve shqiptare nga Greqia gjatë Luftërave Ballkanike. Shkaku themelor ka qenë politika sistematike antishqiptare dhe shkombëtarizuese e qeverisë greke dhe organizmave të ndryshme të saj.
 
Studimet greke që kanë pranuar gjenocidin ndaj çamëve
 
Një studim i paraqitur në vitin 2008 në Universitetin Pandio të Greqisë, nga një grup profesorësh grekë të këtij universiteti, është i pari që tregon për gjenocidin mbi çamët, nga një grup nëpunësish grekë. Numri i çamëve të dëbuar dhe të vrarë, që paraqitet në studimin grek, është më i madh edhe se numri që paraqet zyrtarisht Shoqata Politike Atdhetare Çamëria në historikun e saj. Studimi, i cili solli të gjithë debatin në vendin fqinj, pranonte gjenocidin grek mbi popullsinë çame, duke thënë se 770 çamë të Paramithisë janë ekzekutuar nga forcat e EDHES-it, vetëm për shkak të kombësisë së tyre. Për më tepër, në këtë studim thuhet se “50 mijë çamë të Epirit janë dëbuar ose vrarë nga Ushtria Revolucionare Çlirimtare Greke (EDHES, forcat e djathta të Greqisë për çlirim, krahas ELAS-it, që ishte komunist, në radhët e së cilës kanë luftuar edhe rreth 200 çamë) gjatë periudhës së Luftës së Dytë Botërore”.
 
Me gjithë presionet, pedagogët nuk pranuan të ndryshonin asnjë presje në studimin e tyre. Konstandinos Ciceliqis, një ndër hartuesit, tha se “nuk po flasim për çështje kombëtare, por për çështje historike dhe për fakte të dokumentuara, të cilat sot po i paraqesim”.
 
Ky është studimi i dytë grek, që pranon gjenocidin e çamëve. I pari është hartuar nga profesori grek i Universitetit të Jeillit (Yale) në Shtetet e Bashkuara, z. Stathis Kalivas, i cili në studimin e tij thotë ndër të tjera se “ky rast është padyshim një gjenocid”.
 
***
 
Popujt tanë kanë nevojë për mesazhe si ajo e znj. Stefanidhu… E ardhmja u përket këtyre mesazheve. Jam i bindur se zëri i Tula Stefanidhut (Malakata) nuk është i vetëm në Greqinë fqinje. Ne, ballkanasit, kemi nevojë për këto zëra, kemi nevojë për kodet e mirëkuptimit të popujve tanë./standardi.eu

Freitag, 5. Dezember 2014

Toleranca fetare në Çamëri

Toleranca fetare, martesat e ndërsjella mes dy besimeve, harmonia e ndihma për njëri-tjetrin, ishin ‘armët’ e efektshme që popullsia çame përdori kundër ndërrimit të dhunshëm të besimit fetar dhe shfrytëzimit nga pushtuesit. Uniteti çam, më shumë se kurrë, nis të reflektohet në gjithë aspektet e jetës së përditshme, në dasma, gëzime e hidhërime, në punë stinore e kudo… Historiani i njohur Hajredin Isufi, sjell dokumente e dëshmi të tolerancës fetare në Çamëri, trimërinë përballë pushtuesit për mbrojtjen e nderit dhe dinjitetit…


QËNDRESA E SULJOTËVE

Islamizimi në Çamëri mori përmasa të mëdha dhe arriti kulmin në 30 vjetët e para të shek. XVIII. Në vitin 1732, me urdhër të Portës së Lartë, u nis një ekspeditë ndëshkimore kundër suljotëve të “pabindur” e të rebeluar ndaj pushtuesit osman dhe agallarëve myslimanë vendas. Suljotët, qysh në fillimet e pushtimit osman ishin larguar nga ultësirat e Çamërisë për të ruajtur fenë e tyre të krishterë dhe ishin vendosur në lartësitë e maleve të Sulit, ku kishin krijuar vendbanimet e reja të tyre. Suli, një krahinë malore, bënte pjesë nga pikëpamja administrative në kazanë e Paramithisë. Ai ndodhej në juglindje të saj. Suljotët zotëronin toka të pakta bujqësore, prandaj në jetën e tyre ekonomike rolin kryesor e luante blegtoria, e përfaqësuar nga bagëtitë e imta, kryesisht dhia. Jeta ekonomike- shoqërore, politike dhe juridike e banorëve të saj rregullohej sipas të drejtës zakonore lokale. Pushtuesit osmanë u orvatën t’ua hiqnin suljotëve venomet tradicionale. Kjo ekspeditë u nxit edhe nga venecianët. (Burimi: Kr.Perevou. Istoria Souliou. Athinë. 1857). Ndërmarrja e forcave osmane nuk qe e suksesshme. Qëndresa e vendosur e suljotëve bëri që forcat e shumta ushtarake osmane të zmbrapsen, duke lënë nëpër honet e grykave e gërxheve të Sulit shumë të vrarë. 12 vjet më vonë, në vjeshtën e vitit 1759, komanda e lartë e ushtrisë osmane në Janinë, ndërmori një ekspeditë të re kundër suljotëve. Disfata që pësuan osmanët në ekspeditat ushtarake kundër Sulit e suljotëve, bëri që të ndërmarrin veprime të dhunshme ndaj fshatrave të krishtera në Çamëri, (sipas historianëve P. Aravantino, Spiro Muselimi, V. Krapsiti, K. Perovoi etj). Këto veprime bënë që shumë fshatra të krishtera në krahinën e Margëlliçit të pranonin fenë myslimane.(Burimi: P. Aravantinoi. Cronografia tis Ipeirou, Vol I, faqe 245-246). Islamizimi në Çamëri njohu shtrirje të dukshme pas ngjarjeve të Orvollit(1768-1774), Traktatit të Kyçuk-Kajanxhisë(1774, midis dy shteteve ndërluftuese, Rusisë dhe Perandorisë Osmane… 


TOLERANCA FETARE NË ÇAMËRI

Autorë të huaj, që e kanë vizituar Çamërinë në fillim të shek. XIX, dëshmojnë për tolerancë fetare të shqiptarëve çamë dhe indiferentizmin e tyre ndaj fesë. Lidhur me këtë, Bartoldy shkruan se shqiptarët e islamizuar nuk ishin në gjendje të shpjegonin se si kishin kaluar në fenë islame. Ai nënvizon se myslimanët e Paramithisë kanë shumë pak njohuri për fenë e tyre, gratë nuk i mbajnë të mbuluara me ferexhe, ata pinë verë e nuk e kanë për zor të bëjnë lidhje martesore me të krishterët.(Burimi: Eteria Ipirotikon Spoudan…, vep. E përm., f.212”.

I njëjti autor shtor se në qoftë se bashkëshortët janë të feve të ndryshme, gruaja, në të njëjtin tigan, skuq një copë mish dashi për njërin dhe një copë mist derri për tjetrin.(Burimi: J.L.S. Bartholdy, Voyage en Greece, Tom II, f243-245). Hjuzi(T.S. Hughes, Travels in Greece and Albania, London, 1830, bot. II, vëll.ll, f.lO5)ishte një klerik anglikan, që ka shëtitur nëpër Çamër në fillim të shek. XIX e ka dhënë disa shpjegime që shprehin qartë tolerancën fetare në atë krahinë. “Shqiptarët muhamedanë – shkruan ai, – me fenë e re që morën nuk i respektojnë doktrina fetare islamike”. Myslimani merr për bashkëshorte një grua të krishterë, i çon djemtë në xhami dhe i lejon vajzat ta shoqërojnë nënën e tyre në kishë.Përfundimet që kishin arritur nga afër dy studiuesit dhe vrojtuesit, që përmendëm më sipër, i shpie edhe më tej një autor tjetër, Montagy, e cila duke shpjeguar lidhjet dhe tolerancën fetare mes myslimanëve e të krishterëve tek shqiptarët, shkruan se myslimanët e të krishterët shqiptarë nuk ishin në gjendje të përcaktonin se cila prej feve të tyre ishte më e mira, prandaj të premten ata shkonin në xhami e të shtunën në kishë.(Burimi:Lady Mori Wartheley Montagy: Letra dhe vepra, Leret Warnhiffe, Filadelphie, 1837, vëll.I, f.252).Një aspekt tjetër të indiferentizmit fetar na e jep edhe oficeri francez, Adolf Carber nën emrin Ibrahim Mensur Efendiu. Ai ka qëndruar për shumë kohë pranë Ali Pashë Tepelenës. Në veprën e tij(Burimi: J.M. Efendi, Kujtime për Ali Pashën, Tiranë, 2003, f. 57.) shkruan se ata që njihen si muhamedanë, nuk dinë gjë tjetër, nga pikëpamja fetare, veçse të deklarojnë se janë turq, se fjalën mysliman nuk e njohin dhe akoma më shumë nuk njohin islamin. Ndërsa ata që e konsiderojnë veten të krishterë, vazhdon më tej ky autor, mjafton ta quajnë veten kaurë, që është një bastardim i fjalës turke ‘guyaur’, që do të thotë i pabesë, sipas riti të kishës greko-bizantine(Burimi: Ai i cituar më parë).


MUSA DEMI PËR  TOLERANCËN

Shembuj të tolerancës fetare në Çamëri na jep atdhetari i shquar Musa Demi nga Filati, në një artikull të botuar në gazetën “Dielli” të Bostonit, më 22 tetor të vitit 1909: “…përpara lirisë (lexo: përpara revolucionit xhonturk të vitit 1908), myslimanët e të krishterët kanë shkuar shumë mirë dhe si u shpall liria pa vështruar fe a din, të gjithë bashkë u puthën në xhami të Filatit, që të mos mbetej asnjë armiqësi e vogël midis tyre. Akoma edhe për të ngrirë fanatizmin e besës (besimit) në kishën e Filatit, që s’kishte kambanë, u zotuan myslimanët shqiptarë që të bien kambanën dhe kështu e prunë. Ditën që u var kambana, u mblodhëm në mitropoli më shumë se 150 myslimanë dhe hoxhë dhe e shpunë në kishë dhe repara (përpara) që e vuri dhe i ra qe hoxhë”. E më tej Musa Demi vijon duke thënë se me këtë parathënie “dua të them që fanatizëm bese (besimi) nuk ka”. Dhe ai shtronte pyetjen: “kur u shthurën myslimanët me ca të krishterë? Kur ne hapëm klubin dhe shkollën shqipe këtu dhe Ethniqi Eteria, i mbushi me armë dhe i këshilloi me anë të dhespotit të bashkohen me Greqinë e të punojnë për “Ethniqi Eterinë”. Kështu u derdhën kundër shqiptarëve saqë një shqiptar mysliman s’vij dot me një fshat të krishterë se pa dëm s’kthehej.


UNITETI MES ÇAMËVE

Në Çamëri, si në mbarë trojet shqiptare, marrëdhëniet midis myslimanëve e të krishterëve, nuk u karakterizuan asnjëherë nga urrejtja mes tyre. “Myslimanët e Çamërisë, – shkruan J. Sharra në veprën e tij(Burimi: J. Sarras, vep. e përm.,f,171)., – nuk vepruan kurrë me dëshirën e tyre kundër të krishterëve, përveç elementëve të veçantë dhe reagimeve momentale. Çdo veprim i dhunshëm që mund të kryhej, – thotë autori, – nxitej drejtpërdrejt sidomos nga nacionalistë e çifligarë”. Ata ruajtën me xhelozi traditën shqiptare: doket, zakonet, marrëdhëniet miqësore e vëllazërore mes tyre. Në ditë feste, shkruan historiania greke e ditëve tona Toula Mallakata, në veprën e saj “Margariti”(Burimi:T. Stefanidou Malakata, Margariti), “myslimanët e të krishterët festonin bashkë: Xhemua me violinë, Fantasi me lahutë, Xurri me def dhe Pulisi me klarinetë ekzekutonin melodi të bukura të këngës së ‘Minushit’ e këngë të tjera çame e të gjithë së bashku kalonin çaste të gëzuara”. Kjo studiuese në këtë vepër sjell një të dhënë interesante që tregon marrëdhëniet e mira mes myslimanëve e të krishterëve çamë. Ajo tregon se në vitet ’30 të shekullit të shkuar, në një kishë greke në periferi të Margëlliçit, kishte rënë një zjarr. Ndërkohë burrat ishin të gjithë në fusha e në pazar. Në kohën kur flakë dhe tymi doli nga çatia e kishës, të parat që i dalluan ishin gratë myslimane. Ato nisën menjëherë fëmijët për në pazar e në fusha të lajmëronin banorët e fshatit se kisha kishte marrë flakë. “Të parët qt mbërritën për të shuar flakët dhe luftonin me zjarrin, thotë autorja ishin myslimanët e Margëlliçit”, mes tyre ajo përmend Hasanin dhe Osmanin nga lagjja “Driza”. Më pas arritën edhe të tjerë, Taqi e Nikolla dhe që të gjithë së bashku, si vëllai me vëllanë, luftuan me flakët dhe arritën të shpëtonin kishën nga djegia.(Burimi: Ai i cituar më parë). Ajo gjithashtu tregon se, në ditët e krishtlindjeve, në meshën festive në kishën e fshatit Margëlliç, merrnin pjesë edhe shumë myslimanë margëlliçiotë si dëgjues në atë ceremoni të shënuar fetare. Gjithashtu autorja ve në dukje se të krishterët për pashkët zienin dhe ngjyrosnin shumë vezë të kuqe, se në shtëpitë e të krishterëve shkonin për urim shumë myslimanë dhe të gjithë qeraseshin veç të tjerave dhe me vezë të kuqe, jo vetëm për ata myslimanë që ishin për vizitë, por edhe për pjesëtarët e familjes.

Kur flitet për procesin e islamizimit në Çamëri, është e rëndësishme të theksohet dhe një dukuri tjetër interesante: të islamizuarit e dinin jo vetëm prejardhjen e tyre, por edhe origjinën e fshatit e të qytetit e të tyre, lidhjet fisnore që kishin me të islamizuarit, madje përafërsisht dhe kohën kur ishin bërë myslimanë(Burimi: Pouqueville, Voyage de la Grëce, vëll. I, f.259).Dinin dhe lidhjet farefisnore që kishin shumë familje myslimane e të krishtera midis tyre.”Besnikëria e myslimanëve shqiptarë ndaj Islamit nuk i përngjan aspak bindjeve kokëforta të muhamedanëve aziatikë”, thotë Dora d’Istria. Ajo vijon më tej: “Krenaria kombëtare ishte e gjallë te shqiptarët, saqë edhe ato që e kishin përqafuar Islamin, i përbuznin osmanët”.Burimet historike tregojnë se shqiptarët që mohuan krishterimin, kanë luajtur në Perandorinë Osmane një rol të rëndësishëm. Por këta shqiptarë që ishin në sferat e larta në Perandorinë Osmane, nuk pushuan së lëvizuri heshtazi për të krijuar një Shqipëri të pavarur.


LIDHJET E GJAKUT NË ÇAMËRI

Lidhjet e gjakut mes myslimanëve e të krishterëve çamër i dëshmojnë burime të shumta historike. Kjo tregon tek popullsia autoktone e asaj krahine, edhe pse u krye një përzierje fetare, lidhjet mes fiseve pa dallime fetare u ruajtën dhe u transmetuan në breza deri në ditët tona. Ato janë pasqyruar nga shumë autorë grekë dhe të huaj si dhe në dëshmitë autentike që japin vetë fiset myslimane e të krishtere për këto lidhje gjaku. Njeri nga autorët e krishterë çamë, Vasil Krapsiti nga Paramithia, në njerën nga veprat e ti(‘Vas Krapsites, Oi Mousulmanoi Tsamides tis Thesprotias), duke folur për këto lidhje shkruan se kujtonte nga fëmijëria e tij lidhjet fisnore midis banorëve të krishterë të fshatit Draganj me familje myslimane të fshatit mysliman Karbunarë. Po ky autor, në vijim të veprës së tij, jep shembuj konkretë të këtyre lidhjeve duke thënë: “Deri në vitet e fundit ka pasë myslimanë e të krishterë, që mes tyre kishin lidhje farefisnie si p.sh. Marazapulenjtë e Dhragomisë me Jasin Aliun e Gardhiqitose fisi i Dinenjve në fshatin Psakë (të Paramithisë) me familje myslimane të fshatit të Nikolicanjit”. Historiani paramithiot këto lidhje i shtrin edhe në fshatra të tjera. Sipas Krapsitit, Sako Xhaferri, nga fshati Koriqan, pasi u islamizua dhe mori emrin mysliman Sako, shkoi dhe u stabilizua në rrethin e tij të ngushtë në fshatin Dramës, një fshat fqinj me Koriqanin, që kishte nisur të popullohej kryesisht me të islamizuar. Këto lidhje, siç tregojnë të moshuarit, mes fisit të Sako Xhaferrit dhe të krishterëve të Koriqanit, ishin të vjetra dhe u ruajtën dhe u transmetuan nga brezi në brez deri në vitin 1944, kohë në të cilën u shpërngulën çamët me dhunë.


FISNIKËRI ÇAME

Një dëshmi tjetër interesante është edhe ajo e Jani Sharrës. Në veprën e tij ai na sjellë disa detaje interesante të lidhjeve farë e fisnore që ekzistojnë në mes të Sharrenjve të krishterë të fshatit Kastri (Gumenicë) dhe fisit të madh mysliman të Kleftatëve në fshatin Varfanj. Ja dhe një histori që sjellë ai: Një ditë, një nuse nga të familjes së Sharrenjve, shkoi tek kroi për të mbushur ujë. Nusja ishte një nga femrat më të bukura të fshatit. Bukuria e saj i kishte tërhequr vëmendjen kajmekamit turk. Ai, sa herë që shkonte nusja në krua, e vërente me kujdes dhe një ditë, duke menduar se e krishtera ishte pa mbrojtje, e provokoi në çështje nderi. Nusja e tronditur rëndë nga fjalët e pahijshme që dëgjoi nga goja e kajmekamit, lë shtambën në krua dhe shkon drejt e në shtëpi. Ajo e skuqur nga turpi dhe e përlotur i tregon vjehrrës se çfarë i kishte ndodhur. Plaka e shtëpisë, pa pritur që të kuvendonte me djemtë për fyerjen që i ishte bërë fisit të madh të Sharrenjve në çështje nderi, çohet menjëherë, merr nje sopatë të vogël, që e mbanin si mjet të mprehtë për të prerë mish, e ve atë nën sqetull, duke u maskuar që të mos shihej e shkon drejt e tek kajmejkami, që ishte duke kuvenduar me dy-tre burra në qendër të fshatit.
- Kamejkam efendi! Të kam të lutur të më afrohesh një dakike se kam pak punë me ju,- iu drejtua plaka.
Ai ktheu paksa kokën dhe u nis për tek gruaja e krishterë, që ishte shtatë-tetë metra larg tij. Sapo iu afrua, ajo i tha: “Zotrote je i dërguar i qeverisë në një vend ku çdo njeri prej nesh e ka nderin gjënë më të shtrenjtë dhe kush ia prek atë, e paguan me kokën e tij”. Dhe në mënyrë të rrufeshme, plaka nxjerr sopatën e vogël dhe me një të goditur e pret kokën e kajmekamit si të një pule…


HAKMARRJA DHE…ZGJIDHJA

Vrasja e kajmekamit nga një grua e krishterë bëri shumë bujë dhe u përhap menjëherë në të gjithë krahinën e Çamërisë. Menjëherë pas kësaj ngjarjeje, fisi i Sharrenjve të Varfanjit u largua brenda ditës për në fshatin Kastri (Gumenicë), ndërsa burrat dolën maleve për t’u shpëtuar ndjekjeve e burgimeve të rënda. Në Varfanj arriti menjëherë xhandarmëria e Margëlliçit. Akuza kundër fisit të Sharrenjve ishte tepër e rëndë: “Kundërshtarë të qeverisë turke, që kishin ngritur krye e vrarë kajmekamin”. Në ato rrethana njeri nga djemtë e fisit të Sharrenjve, i shoqi i nuses që ishte provokuar, vendosi të dorëzohet, duke pranuar fajin e rëndë që kishte kryer e për ta larë këtë, u deklaroi zyrtarëve turq se ishte gati të bëhej mysliman. Që nga çasti që ky pranoi të ndërronte fenë, pushoi çdo ndjekje ndaj familjes së tij. Në këtë mënyrë Sharrenjtë u shpallën të pafajshëm. Djali i Sharrenjve që u islamizua, u kthye në fshatin e tij në Varfanj dhe mori emrin mysliman. Bashkëfshatarët e tij e pagëzuan me epitetin “Kleftë”, që në gjuhën popullore do të thotë kaçak. Këtë fis, që nga fillimi i shekullit XVIII, kur ndodhi ngjarja e deri në ditët tona, e njohin me emrin “Kleftatë”.  Me kalimin e viteve fisi i Kleftatëve u shtua shumë dhe u bë ndër fiset me emër jo vetëm në Varfanj, por në të gjithë Çamërinë, që krahas Pronjatëve e Çaparenjve, Daljanenjëve, Dematëve e Sejkatëve, Husove të Margëlliçit e Zigurenjve, përmenden në shumë burime historike vendase e të huaja si një fis i fuqishëm, që ka nxjerrë shumë figura të shquara në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare.


TJETËR DËSHMI UNITETI

Sa të forta e të qëndrueshme kishin qenë lidhjet e gjakut mes të krishterëve e myslimanëve në Çamëri si dhe marrëdhëniet e bashkëjetesës në harmoni mes tyre, le t i kthehemi episodeve që na përcjell Jani Sharra përmes veprës së tij. Me ardhjen në fuqi të diktatorit Jani Metaksaj, për nder të tij, më 4 gusht, zhvilloheshin manifestime popullore jo vetëm në qendrat kryesore të Greqisë, por edhe në Çamëri, ku merrnin pjesë myslimanët dhe të krishterët. Një manifestim i tillë u zhvillua edhe në Filat, më 4 gusht të vitit 1937.

Manifestuesit nga krahina të ndryshme të Çamërisë, ishin mbledhur në qendër të Filatit tek një shesh i madh, që njihej me emrin “Pusi i Gjerë” i qytetit. Ky pus i madh në qendër të qytetit, verë dhe dimër i mbushur plot me ujë, shërbente edhe si burim kryesor uji për qytetin.

Gjatë ceremonisë festive të 4 gushtit aksidentalisht bije në pus një djalë i ri i familjes së Sharrenjve. Ishte Dhimitri, që nuk i kishte mbushur ende të njëzet vjetët, i cili për një çast u gjend në fund të pusit. Të gjithë të pranishmit mbetën të tronditur. Këngët dhe vallet pushuan. Djali luftonte me vdekjen në ujin e ftohtë të pusit të thellë. Një djalosh mysliman nga Filati, Sali Jonuzi, mori guximin dhe ashtu i veshur siç ishte, u hodh në thellësi të pusit, e rrëmbeu trupin e Dhimitrit nga fundi i pusit dhe me lëvizje të shpejtë të këmbëve, po ngjitej drejt sipërfaqes. Por për fat të keq Dhimitri nuk jetonte më. Vdekja e Dhimitrit u kthye në ditë zie e dhembjeje të thellë në familjen e Sharrenjve në Kastri. Shumë miq të fisit të Sharrenjve, myslimanë e të krishterë nga Varfanji, Gumenica, Filati, Paramithia e fshatra, shkuan në fshatin Kastri për ngushëllime. Dhoma e miqve të Sharrenjve ishte mbushur plot me burra të vjetër e të mençur, midis tyre ishte dhe Musa Demi nga Filati, Naif Vejseli, Isuf Izeti e Alush Ziguri nga Varfanji e shumë të tjerë nga paritë e fshatrave të Çamërisë. Burrat në dhomën e miqve thithnin cigaret dhe qëndronin të heshtur. Nuk gjenin fjalë për të ngushëlluar mikun e tyre Ilia Sharrën, që kishte humbur të birin. Si kudo bashkë, myslimanë e të krishterë, vëllezër të një gjaku.

Huazuar nga Gazeta Dita

Çamëria tokë e lashtë shqiptare

Çamët autoktonë, 
atdhetarë dhe fisnikë.

Çamët, një popull trim e fisnik, që ka provuar dhunën e pushtuesve turq e genocidin fashist grek deri në ikjen e dhunshme nga trojet e tyre shqiptare, ende vuajnë padrejtësitë që janë bërë në kurrizin e tyre. Ndonëse përballë një fati tragjik, ata kurrë nuk e kanë harruar dhe nuk reshtën së punuari e luftuari që dita e rikthimit në tokën e tyre të jetë sa më e afërt. Kjo dëshirë që nuk shuhet kurrë por shtohet çdo ditë, është dhe një apel për të ndrequr padrejtësitë ndaj shqiptarëve, një apel për ndërkombëtarët që heshtën përballë fatit tragjik të një populli dje, e nuk po bëjnë atë që duhet bërë sot, që minimalisht, atyre shqiptarëve fisnikë, tu jepen të drejtat elementare të mohuara. Historia e Çamërisë dhe çamëve, është një histori e pasur trimërie e qëndrese, është një histori dhimbje e shprese… Historiani i njohur Hajredin Isufi, nuk ka reshtur ndër dekada për të zbuluar të vërtetën e historisë çame që është e ‘gjallë’ dhe e pasur në arkivat vendase e të huaja, por dhe në kujtimet e pashlyera të atyre të moshuarve që provuan mbi shpinë genocidin e pa shembullt të shovinistëve grek.

ETNICITETI I POPULLSISË ÇAME

Për të përcaktuar etninë e shqiptarëve të Epirit, në radhë të parë duhen marrë në konsideratë përshkrimet për etnografinë e Epirit. Ato janë publikuar bollshëm, sidomos në fund të shek. XVIII, në shek. XIX e gjatë shek.XX. Kjo gjë mund t’i atribuohet më shumë famës së Ali Pashë Tepelenës si qeveritar i Epirit, vali i Janinës që në vitin 1778. Për të argumentuar këtë, po sjell disa dokumente zyrtare. “Çamëria është një krahinë që shtrihet në anën perëndimore të Epirit. Rrethet kryesore të saj janë Filati, Gumenica, Parga, Margëlliçi, Paramithia e Preveza. Në veri kufijtë e saj shkojnë deri në zonën e Delvinës, në jug kufizohet me gjirin e Artës (Prevezës), në perëndim laget nga deti Jon, kurse në lindje ndahet prej pellgut të Janinës nga malet e Olliçikës e të Llakës. Është një krahinë mjaft e begatë me fusha, si fusha e Frarit apo me kodra të buta e të përshtatshme për kultivimin e ullirit e të agrumeve”. (Burimi: Chr. Soulis, Tzamouria, “Megale Ellenike Enkyklopedia “Pyrsos”, vëll.23, Athinë, 1933, f.405; Fjalori Enciklopedik shqiptar, Tiranë, 1985, f. 149-150; A. Gobincau, Deux estudes sur la Grece moderne, Paris, 1905, f.113; V.Z. Mollossos, Dhromologion tes Hellenikes, Chresonesou, Tom.I, Athinë 1878 e pasim, f.4; A.Philippson, Thesalien und Epirus Reisen und Forschungen in ndrdlichem Griecheland, Berlin, 1878, f222-228; P. Xhufi – H. Isufi, Aneksimi i dhunshëm i Çamërisë nga Greqia dhe lufta e shqiptarëve për mbrojtjen e saj, në “Studime Historike”, Tiranë, 1996, nr.l-4,f.7; H. Holland, Thessaly, Macedonia, London, 1819. Vargun e dëshmive, që shkruajnë për shtrirjen e Shqipërisë së Poshtme, do ta mbyllim me dëshmitë e dijetarit anglez Ë.M. Leake, i cili ishte si konsull i Britanisë së madhe në Janinë në dhjetëvjetëshin e parë të shek.X!X, (1807- 1810), shkruante se “Kufijtë e Shqipërisë në bregdetin e Epirit arrijnë deri në Prevezë”. Ë.M. Leake, Researches in Greece, London, 1814, f. 156.’Sp. Mouselimi, Istorikoiperipatai ana ti Thesprotia, 1976, f.41).


TË HUAJT PËR ÇAMËRINË

Të huajt i tërhiqte një kureshtje e fortë drejt Epirit, për shkak të ngjarjeve që zhvilloheshin aty, nën frymëzimin e një qeveritari të ri dhe të një populli të vogël e të panjohur shumë deri atëherë. Të gjithë autorët që u morën me çështjen e çamëve, pohojnë prerazi se ata janë shqiptarë dhe i njësojnë me suliotët. Për të ilustruar këto pohime, do të përmendim një varg veprash të autorëve të huaj, disa prej të cilëve janë përkthyer pjesërisht e pasqyruar në revistën “Dituria” të Lumo Skëndos. Në atë revistë njihemi me një material të bollshëm si dhe shënime të nxjerra nga veprat e autorëve të huaj, ku pasqyrohet etnia shqiptare e banorëve të Çamërisë. Trajtimin e problemit etnik për popullsinë e Epirit në mesjetën e hershme për mungesë të dhënash burimore e vështirëson problemin. Midis burimeve historike që hedhin dritë për problemin që trajtojmë është me interes të përmendim një dokument venedikas të vitit 1210 i cili bën të njohur se kontinenti përballë Korfuzit banohej nga shqiptarë (arbanense).  Autorët e kësaj periudhe qofshin ato grekë apo të huaj shënojnë edhe për shtrirjen e Shqipërisë së Poshtme. Kur bëhet fjalë për Çamërinë, Thesprotinë e lashtë, në shek.XIII, burimet e kohës e evidentojnë me emrin “Vajenetia”. Çamëria më 1204 njihej si njësi e vogël administrative e Themës së Durrësit dhe e Arbërit dhe herë si Themë më vete.(Burimi: Shkëlzen Raça, Shtegtimet dhe ngulmimet e shqiptarëve në Greqi, shek.Xlll-XVl, Prishtinë, 2004, f. 70). Në fillim të shek.XIII, mitropoliti Naupaktet, Apokauki shënonte kufirin ndarës ku flitej gjuha greke, në veri deri në Grebene, sipas Apakaukut jetonin “bashorefenët”. Historianët e lashtë si Tuqidi, Efori, Straboni, Skimni e gjeografët e tjerë të lashtësisë kishin treguar, që kundrejt grekëve, epirotët ishin “barbarë” (jo helenë). Turqididi thotë dhe e përsërit pa pushim se epirotët janë “barbarë”, pra të huaj, se ata flasin një gjuhë të pakuptueshme për grekët. Anuk ishte Herodoti që i konsideronte epirotët dhe maqedonasit të huaj? Të njëjtën gjë ‘thonë dhe Straboni dhe Plutarku. Madje Demosteni lëshonte shigjeta therëse kundër ushtarëve të Filipit të Maqedonisë.(Burimi: Mithat Frashëri, Çështja e Epirit, Tiranë, 1998, f.30.). Gjeografi francez Malte Brum për Epirin thotë: “Epirin, të gjithë autorët grekë e përjashtojnë nga Greqia. Kantonet e tij kryesore, thotë Siraboni, kanë qenë në Kaoni, Thesproti dhe në Mollosi. Straboni dhe Plutarku na kujtojnë se epirotët flisnin një gjuhë të veçantë…”(Burimi: Rechus, Gjeografia Universale, Paris, 1875, vëll.l, f.185).  Shqipëria identifikohej pikërisht me Epirin dhe gjuha shqipe vetë thirrej gjuha epirote (lingua epirotika).
Më tej:”Është me rëndësi të theksohet se në gjysmën e parë të shek.XIV shqiptarët gjendeshin brenda Epirit të vjetër, krejt afër “Vajenetisë”, në Çamëri e Pargë dhe ata, popullonin hapësirën mes dy lumenjve Kalama-Aheron.(Po  aty).


KRONIKAT GREKE: ÇAMËRIA ËSHTË SHQIPTARE!

“Kronika e Janinës” dhe “Kronika e Tokove”, dy burime të çmuara për historinë e Epirit në shek.XIV-XV, i përmendin shqiptarët si element i vetëm masiv që popullojnë Epirin. Autori anonim i “Kronikës së lokove”, kur flet për zonat e banuara në të gjithë drejtimin e Pargës-Paramithi-Janinë apo Artë-Janinë shpreh qartë karakterin etnik shqiptar të popullsisë. Kujtojmë se si përfaqësues të etnisë shqiptare, familjet e mëdha shqiptare Shpatajt dhe Zenebishët në vitin 1304 pronat e tyre i shtrinin në brezin bregdetar midis Himarës, Gjirokastrës dhe Prevezës. Ndërsa si përfaqësues i etnisë shqiptare në fund të shek.XIV dhe në çerekun e parë të shek.XV përmenden dhe Mazarekët të vendosur në një vend në rrethinat e Margëlliçit. Një dokument nga arkivat e Perandorisë Osmane mbi regjistrimet e popullsisë në vitin 1431, përmendet edhe fshati Mazërrek, në afërsi të Margëlliçit në Çamëri me 25 shtëpi.(Burimi: Imalçik Halil Suret Defter-i Samak Arvanid, Lib.I, Ankara, 1954).


DËSHMI TË AUTOKTONISË

Mazarekët rreth vitit 1380 pasqyrohen në burimet historike si fis i fuqishëm politik dhe ushtarak. Pronat e tyre kishin një shtrirje të gjerë në hapësirën çame dhe juridiksioni i tyre që ishin nën kontrollin e Mazarekëve ishte ndërmjet Pargës dhe Ajdonatit (Paramithisë) Burimi: Shkëlzen Raça, Shtegtimet dhe ngulmimet e shqiptarëve në Greqi, shek.Xlll-XVl, Prishtinë, 2004, f. 79). Panajot Aravantinoi shkruan për Mazarekët se shquheshin si luftëtarë trima dhe kundërshtarë të vendosur kundër despotatit të Janinës, Izeu Boudelmontit, afer Dhivrit në Çamëri. (Burimi:Pan. Aravantinou, Hronographia…, Vëll.Il, f.44, 105). Siç shihet që në fillimet e shek. XIV formacionet e feudalëve shqiptare në Shqipërinë e Poshtme dhe prania e shqiptarëve në Epir ishte absolute. Karakterin etnik shqiptar të popullsisë së Epirit do ta pohojë edhe një dokument i fillimit të shek. XV në të cilin bëhej fjalë për gjendjen etnike të Epirit kur sundimtari i tij u bë konti italian Karl Toko. Aty ndër të tjera thuhet: “…sundoi ai në të gjitha anët e vendit (Epir), i cili në kohëra të vjetra ka qenë i ndarë në fise:Etolët, Akarnananët, Thesprotët, Mollosët, Kaonët… etj. Këta fise të vjetër e të shumtë që në të kaluarën kishin burra shumë trima, tani i ka pushtuar një varfëri… Por edhe tani ai (Epiri) banohet nga shqiptarët, popull i lirë, që jetojnë të shpërndarë në grupe të vogla ose në fshatra, por që të gjithë ndryshojnë prej grekëve, qoftë nga gjaku qoftë nga gjuha.(Burimi:P. Xhufi, artikull i përmendur). Viset në jug të maleve Akrokeraune e deri në gjirin e Artës, mbi bazën e përbërjes etnike shqiptare përfshiheshin nën emërtimin “Shqipëri” (Albania). Kështu, “Albania” e quajnë dokumentet e shek.XIV krejt pjesën kontinentale përballë ishujve të Korfuzit deri poshtë gjirit të Ambrakisë në derdhje të lumit Akeloos.(Burimi i mëparshëm).


DOKUMENTE TË VENEDIKUT

Emigrimi i shqiptarëve nga Epiri drejt tokave greke që nisi në gjysmën e parë të shek. XIV sado e madhe që të ketë qenë, shkruan Pëllumb Xhufi, Epiri prapëseprapë mbeti edhe pas kësaj treve shqiptare. Në vitin 1444 dokumentet venedikase flasin për një rimëkëmbje ekonomike shqiptare në Epir. Nga portet Epirote të Frarit, Pargës e Gumenicës niseshin drejt Venedikut e Raguzës sasi të mëdha gruri. Në këto dokumente popullsia e rretheve të Pargës, Margëlliçit dhe Janinës quhej shqiptare. (Burimi: Versuch einer Guschichte von Parga, Heinrich Mercy Sohn Verlang, Pragë, 1908, f.18,19, 21, 30: P.Xhufi, artikull i përmendur).
Në vitin 1555 Belon du Mans vizitoi vendet e Epirit dhe konstatoi popullsinë shqiptare të atij vendi. Së fundi, gjeografi i njohur turk Piri Reisi, i fundit të shek. XV – fillimi i shek. XVI duke përshkruar bregdetin Jonian, pohon qartë se popullsia e viseve të Pargës ku ai u ndal posaçërisht, ishte shqiptare.(Burimi:Dokumente dhe materiale sipas librit të udhëtimit të admiralit osman Piri Reis në: “Studime historike”, nr.3, 1981, f.224).


DEFTERI TURK

Përkatësia etnike e shqiptarëve në Çamëri e gjen pasqyrimin e vet në Defterin e hollësishëm osman të sanxhakut të Delvinës, të vitit 991 (1583), ku janë regjistruar emrat e kryefamiljarëve të qendrave të banuara, qyteteve e fshatrave. Duke shfletuar fletët e këtij defteri vihet re se shumë kryefamiljarë mbajnë emra të krishterë të fushës onomastike shqiptare, si: Lekë, Gjin, Zhupë, Gjon, Nik, Dedë, Gjeta, ose emra të krishterë të trajtës së shqiptarizuar si Pavël, Vasil, Kol, Pal, Jorgo, Kosta, Andrea, Dhimo etj..(Burimi: F. Duka, Realiteti etnik i Dropullit, në “Studime historike “, Tiranë, 1991, nr.3-4). Nga ky defter po publikojmë për herë të parë antroponiminë e disa fshatrave të qytetit të Filatit dhe Paramithisë. Në fshatin e Keskës 100% të kryefamiljarëve mbajmë antroponiminë shqiptare. Fshati Koskë(në Filat), në vitin 1583, kishte 182 kryefamiljarë, fshati Guyrrëz 34 kryefamiljrë, fshati Imlahor (varej nga Parithimia-Ajdonati), në vitin 1583 kishte 42 kryefamiljarë, etj…
Mund ta shtrinim edhe më shumë listën emërore të kryefamiljarëve në fshatrat e qytetet e Çamërisë nga defteri osman, por nuk e pamë të arsyeshme, sepse listat do të ishin të njëjta me emra të krishterësh katolikë në trajtën e shqiptarizuar. Sidoqoftë, prania në regjistrat osmane e emrave karakteristikë dhe ekskluzivisht shqiptarë, vërteton konkluzionin e përgjithshëm se popullsia e Çamërisë i përkiste etnisë shqiptare.


TOPONIME SHQIPTARE

Sipas këtyre regjistrimeve kadastrale të shek. XVI (Regjistrimi i Delvinës dhe Regjistrimi i Janinës i vitit 1583) del se shtrirja e vendbanimeve shqiptare ishte e dendur dhe me antroponimi të pastër shqiptare. Popullsia shqiptare në hapësirën e Çamërisë, krahas antroponimisë thjesht shqiptare, kishte krijuar dhe toponimi shqiptare dhe këtë e hasim në krahinën e Paramithisë, të Sulit, të Margëlliçit, të Gumenicës e të Pargës si në emërtimin e fshatrave ashtu dhe të vendeve si psh fshati Ledhës në Gumenicë, fshati Rrapëz e Zeri në Pargë, ose emrat e fshatrave: Gardhiq, Vreshta, Grikohor, Grika, Morfat, Spatharat, Sharat, Nëneshat, Lopës, Mazërrek, Kuç, Currile, Luarat, Ninat, Markat. Historiani grek, Jani Llambridis, kur shkruan për Sulin, shtrirjen dhe kufijtë e tij, përmend një varg toponimesh që janë thjeshtë shqiptare si fshati Vilë, Balla, Dora, Çifliku, Kukuli, Lugati, Birbili, Gorrica, Kodër, Qafaetj.(Burimi:(Jani Llambridis, Epirotika Meletimata, Athinë, 1904, f.7,8,9, 12 e në vazhdim). Gjuhëtarët kanë arritur në përfundimin se elementi fjalëformues ‘at’ lidhet me prapashtesën ‘ates’, e cila takohet në emra fisesh ilire si Labeates, Dokleates etj. Në disa fshatra të Çamërisë brez pas brezi në shekuj janë ruajtur toponime malesh, prenjsh, fushash, luginash e arash si toponime të pastra shqipe si p.sh. “Mali i Glatë” (në fshatin Dramës), “Lisi i Lorit”, “proi i Thellë”, “Palo Vreshtat”, “Gropa e Madhe”, “Bira e Vllahut”, “Nënshkëme”, “Hora”, “Guri i Bardhë”, “Bota e Bardhë”, “Burimet”, “Bregu i Angjelit”, “Klishëza”, “Mulliri i Fikut”, “Shegëza”, “Kodrëza e Vidhit” etj.


GENOCIDI FASHIST GREK

Në vitet që pasuan, Qeveria Greke, nisi t’i intensifikojë veprimet e saj antishqiptare në fillim pushtimin e Çamërisë me forcaushtarake dhe më pas me përpjekje për spastrimin etnik të shqiptarëve myslimanë nga Çamëria. Ndërkohë Athina pas shpërnguljes me dhunë të çamëve nga bandat e Napolon Zervës dhe të forcave qeveritare greke për të shuar e zhdukur çdo gjurmë të etnisë shqiptare në Çamëri, ka ndryshuar toponiminë e fshatrave  duke i zëvendësuar ato me emra grek. Kështu p.sh. fshatin Gurrëz e kanë emërtuar me emrin “Palokastro e Sipërme”, fshatin Picar në “Aetos”, Koriqanin në “Ahllavia”, Skupicën në “Kestrin”, Lopsin në “Asproklisi”, Spatarin në “Trikofor”, Galbaqin në “Elia”, Dolanin në “Jeroplatanos”, Peshtanin në “Kriovrisi”, Smokovinën në “Sikohor”, Salicën në “Llaka”, fshatin Vreshta në “Andelia”, Kuçin në “Poliner”, Arvenicën në “Argjirotopos”, Nistën në “Foskamilia”, Arpicën në “Perdhika”, Volën në “Sivota”, Rrëzanjin në “Shën Ajia”, Rrapëzën në “Ajthusa”, Vrastovën në “Palokastro”, Kurtesin në “Mesovun”, Mininën në “Nerajdha”, Curilën në “Kalithea”, Ledhëzën në “Lladohor”, Varfanjin në “Parapotam”, Koshovicën në “Shën Maria”, Luaratin në “Katovother” etj. Sado që të përpiqet administrata greke për të zëvendësuar onomastikën e emrave të fshatrave në Çamëri, që është aq e lashtë sa vetë autoktonia e shqiptarëve në ato troje, çami në breza do ta gjejë pa vështirësi tokën, fshatin e të parëve të tij, pavarësisht nga emërtimet që ka. Regjistri i Janinës (1583) e shtrin zonën e përhapjes së vëndbanimeve shqiptare dhe popullsinë e tyre autentike shqiptare edhe në zonat periferike të Epirit. Kështu p.sh. nga Defteri i Janinës mësojmë se në nahijen e Prevezës, që përfshinte dhe Prevezën, Kravarin me fshatrat e saj, antroponimia e vendeve si Zallonga, Shapata, Likursi, Karula, Zermeni, Nikolic, Zerni, Flambur, Poliofor, është një antroponimi e pastër dhe pa asnjë mëdyshje shqiptare. Të dhënat që përmendëm provojnë se Çamëria daton nga Mesjeta dhe hyri në kohën e re si një trevë thellësisht shqiptare.

Huazuar nga Gazeta Dita

Hajredin Isufi

Hajredin Isufi ka lindur në Çamëri (në fshatin Rrezanj – Gumenicë) më 25 dhjetor 1935. Më 1962 u diplomua në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Histori – Filologji. Ka punuar si arsimtar. Që nga viti 1964, është marrë në vijimësi me studime për historinë e Çamërisë. Ka punuar si bashkëpunëtor i jashtëm në Institutin e historisë, Tiranë. Ka botuar librat: “Kryengritja e Kurbinit dhe Dom Nikollë Kaçorri”,Studime Historike”, 1986, “Politika e shtetit grek për dëbimin e popullsisë çame në vitet 1914-1928”,  “Studime Historike, 1993 (1-4), Tiranë 1997”, “Aneksimi i dhunshëm i Çamërisë nga Greqia dhe lufta e shqiptarëve për mbrojtjen e saj” (bashkautor me prof. Dr. Pëllumb Xhufin), etj.

Që nga viti 1965 e deri në vitin 1990 ka bashkëpunuar me të gjitha organet e shtypit shqiptar dhe ka shkruar qindra artikuj për ngjarje historike dhe figurat e shquara të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, Ndër ‘to mund të përmendim: “Një këngë të kohës së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit”, Drita, Tiranë, 15 mars 1981; “Çamëria, fakte të vërteta dhe të stisura”, Koha Jonë’, 13 tetor 2002 (replikë me historianin grek, Llambros Baliciotis); “Përgjigje greko-amerikanit (Geixh). Koha Jonë, 16 dhjetor 2002; “Musa Demi dhe qëndresa çame 1800-1947″, Tiranë 2002, është monografia e tij e parë; “Çamëria, studime historike-sociologjike”, Tiranë 2006; “Roli i Nikollë Kaçorrit dhe klerit katolik në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare” (në “Çështja Çame dhe integrimi evropian”, Tiranë 2005 (bashkautor), etj.

Hajredin Isufi gjithë jetën është marrë me Çamërinë: trevat, luftëtarët, patriotët, atdhetarët, kulturën, gjuhën, objektet e kultit dhe ato arsimore,fiset e mëdha dhe dyert më në zë, bashkëjetesën fetare, marrëdhëniet me Greqinë…I është dashur të mbajë qëndrim dhe t’u përgjigjet historianëve, gjuhëtarëve, akademikëve të huaj kryesisht grekë që qëllimisht shtrembëronin historinë dhe faktet historike. Kryeqendrat çame janë objekt më vete për studiuesin Hajredin Isufi. Ka përfunduar historikun për Margëlliq e Filat dhe ka në dorë Paramithinë. Në botim gjendet studimi historik me dokumentacion kryesisht të huaj (italian, grek, amerikan, anglez, austrohungarëz) dhe shqiptar për vitet e luftës 1939-1945 në Çamëri dhe rrethinat e saj. 

Në Çamëri për herë të parë ka shkuar në vitin 1989. I pari studiues dhe i pari çam që kthehej për të parë trojet që nga koha dëbimit të dhunshëm. Hyri me pasaportë, ndryshe nga herët e tjera të mëpasme. Bashkëshortja shuante mallin, kurse studiuesi vëzhgoi, takoi, fotografoi dhe intervistoi sa mundi e ku mundi nëpër Çamëri. E shfrytëzoi këtë vizitë për tre muaj jo vetëm për të shkarkuar tërë atë mall çam të grumbulluar në krahëror, por edhe për t’i bërë një nga shërbimet më serioze historisë çame. E shfrytëzoi shumë mirë ftesën e një të krishteri shqiptar që jetonte në Çamëri dhe që ishte miku të atit të tij. Shkoi gjithandej, fshat më fshat e qytet më qytet, në çdo shtëpi e kullë deri në Sul. Isufi tregon se fshatra të tërë ishin shkretuar nga braktisja e madhe, shtëpitë e vjetra ishin shembur e djegur. Mbi 1000 foto dëshmojnë shumë. Ato e të tjera materiale do i duhen për punën e nisur, për shkrimin e historikut të çdo fshati, për evidentimin e shkatërrimeve të shtëpive, xhamive, puseve, sarajeve, kullave, krojeve. Premton se do të bëjë edhe një album.Këtë shumë shpejt. Është në dorën e fundit të sistemimit. Studiuesi thotë se në shtëpitë e të krishterëve në Çamëri ka gjetur foto e relike interesante, ndër ta ka mësuar vendin ku janë ekzekutuar shumë atdhetarë e patriotë të lëvizjes rilindase çame siç është vrasja e pabesë e figurës së shquar çame e Jasim Sadikut në vitin 1942. 

Hajredin Isufi tërhoqi vëmendjen e studiuesve vendës e të huaj. Shumë aktiv në sesione shkencore në Tiranë, Durrës, Dibër, Gjirokastër, Arqipeshkvi. Gazeta, revista, radio, televizione të ndryshme brenda e jashtë Shqipërisë kanë qenë shumë të interesuara të dëgjojnë rrëfimet, gjykimet, hulumtimet, konkluzionet e studiuesit Hajredin Isufi. Ndërsa kjo ka bërë mirë dhe ka shëndoshur shumë gjëra të bërë keq në historinë e regjimit të kaluar apo edhe në gjykimet e njëanshme të kancelarive dhe akademive të huaja, për vet studiuesin pati anët e saj jo të mira. Isufi ka shkuar në Çamëri edhe pas vizitës së tij të parë, por me një ndryshim të madh nga ajo e vitit 1989. 

Studiuesit i është dashur të ndjekë rrugë të fshehta, të udhëtojë drejt Italisë për të marrë lundrimin e gjatë nga Bari drejt Igumenicës dhe që andej për të hyrë në zemër të Çamërisë. Botimet studimore dhe tryezat në radio e televizione si dhe shkrimet reaguese ndaj nacionalizmave greke ia kanë mbyllur portën legale për të hyrë në vendlindje.