Hajredin Isufi ka lindur në Çamëri (në fshatin Rrezanj – Gumenicë) më 25 dhjetor 1935. Më 1962 u diplomua në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Histori – Filologji. Ka punuar si arsimtar. Që nga viti 1964, është marrë në vijimësi me studime për historinë e Çamërisë. Ka punuar si bashkëpunëtor i jashtëm në Institutin e historisë, Tiranë. Ka botuar librat: “Kryengritja e Kurbinit dhe Dom Nikollë Kaçorri”, “Studime Historike”, 1986, “Politika e shtetit grek për dëbimin e popullsisë çame në vitet 1914-1928”, “Studime Historike, 1993 (1-4), Tiranë 1997”, “Aneksimi i dhunshëm i Çamërisë nga Greqia dhe lufta e shqiptarëve për mbrojtjen e saj” (bashkautor me prof. Dr. Pëllumb Xhufin), etj.
Që nga viti 1965 e deri në vitin 1990 ka bashkëpunuar me të gjitha organet e shtypit shqiptar dhe ka shkruar qindra artikuj për ngjarje historike dhe figurat e shquara të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, Ndër ‘to mund të përmendim: “Një këngë të kohës së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit”, Drita, Tiranë, 15 mars 1981; “Çamëria, fakte të vërteta dhe të stisura”, Koha Jonë’, 13 tetor 2002 (replikë me historianin grek, Llambros Baliciotis); “Përgjigje greko-amerikanit (Geixh). Koha Jonë, 16 dhjetor 2002; “Musa Demi dhe qëndresa çame 1800-1947″, Tiranë 2002, është monografia e tij e parë; “Çamëria, studime historike-sociologjike”, Tiranë 2006; “Roli i Nikollë Kaçorrit dhe klerit katolik në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare” (në “Çështja Çame dhe integrimi evropian”, Tiranë 2005 (bashkautor), etj.
Hajredin Isufi gjithë jetën është marrë me Çamërinë: trevat, luftëtarët, patriotët, atdhetarët, kulturën, gjuhën, objektet e kultit dhe ato arsimore,fiset e mëdha dhe dyert më në zë, bashkëjetesën fetare, marrëdhëniet me Greqinë…I është dashur të mbajë qëndrim dhe t’u përgjigjet historianëve, gjuhëtarëve, akademikëve të huaj kryesisht grekë që qëllimisht shtrembëronin historinë dhe faktet historike. Kryeqendrat çame janë objekt më vete për studiuesin Hajredin Isufi. Ka përfunduar historikun për Margëlliq e Filat dhe ka në dorë Paramithinë. Në botim gjendet studimi historik me dokumentacion kryesisht të huaj (italian, grek, amerikan, anglez, austrohungarëz) dhe shqiptar për vitet e luftës 1939-1945 në Çamëri dhe rrethinat e saj.
Në Çamëri për herë të parë ka shkuar në vitin 1989. I pari studiues dhe i pari çam që kthehej për të parë trojet që nga koha dëbimit të dhunshëm. Hyri me pasaportë, ndryshe nga herët e tjera të mëpasme. Bashkëshortja shuante mallin, kurse studiuesi vëzhgoi, takoi, fotografoi dhe intervistoi sa mundi e ku mundi nëpër Çamëri. E shfrytëzoi këtë vizitë për tre muaj jo vetëm për të shkarkuar tërë atë mall çam të grumbulluar në krahëror, por edhe për t’i bërë një nga shërbimet më serioze historisë çame. E shfrytëzoi shumë mirë ftesën e një të krishteri shqiptar që jetonte në Çamëri dhe që ishte miku të atit të tij. Shkoi gjithandej, fshat më fshat e qytet më qytet, në çdo shtëpi e kullë deri në Sul. Isufi tregon se fshatra të tërë ishin shkretuar nga braktisja e madhe, shtëpitë e vjetra ishin shembur e djegur. Mbi 1000 foto dëshmojnë shumë. Ato e të tjera materiale do i duhen për punën e nisur, për shkrimin e historikut të çdo fshati, për evidentimin e shkatërrimeve të shtëpive, xhamive, puseve, sarajeve, kullave, krojeve. Premton se do të bëjë edhe një album.Këtë shumë shpejt. Është në dorën e fundit të sistemimit. Studiuesi thotë se në shtëpitë e të krishterëve në Çamëri ka gjetur foto e relike interesante, ndër ta ka mësuar vendin ku janë ekzekutuar shumë atdhetarë e patriotë të lëvizjes rilindase çame siç është vrasja e pabesë e figurës së shquar çame e Jasim Sadikut në vitin 1942.
Hajredin Isufi tërhoqi vëmendjen e studiuesve vendës e të huaj. Shumë aktiv në sesione shkencore në Tiranë, Durrës, Dibër, Gjirokastër, Arqipeshkvi. Gazeta, revista, radio, televizione të ndryshme brenda e jashtë Shqipërisë kanë qenë shumë të interesuara të dëgjojnë rrëfimet, gjykimet, hulumtimet, konkluzionet e studiuesit Hajredin Isufi. Ndërsa kjo ka bërë mirë dhe ka shëndoshur shumë gjëra të bërë keq në historinë e regjimit të kaluar apo edhe në gjykimet e njëanshme të kancelarive dhe akademive të huaja, për vet studiuesin pati anët e saj jo të mira. Isufi ka shkuar në Çamëri edhe pas vizitës së tij të parë, por me një ndryshim të madh nga ajo e vitit 1989.
Studiuesit i është dashur të ndjekë rrugë të fshehta, të udhëtojë drejt Italisë për të marrë lundrimin e gjatë nga Bari drejt Igumenicës dhe që andej për të hyrë në zemër të Çamërisë. Botimet studimore dhe tryezat në radio e televizione si dhe shkrimet reaguese ndaj nacionalizmave greke ia kanë mbyllur portën legale për të hyrë në vendlindje.
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen