Samstag, 6. Dezember 2014

Si e ndihmuan çamët M. Pezën dhe luftëtarët e tij?

Pushtimi i Çamërisë (vitet 1912-1913) dhe heshtja e ndërkombëtarëve, krijoi një situatë të rënduar për popullsinë çame. Në këto kushte tepër të rënda, paria çame synoi vetë organizimin dhe rezistencën kundër genocidit të pushtuesve. Njëkohësisht, paria çame nisi lidhjet me qarqet patriotike brenda e jashtë vendit, me objekt frenimin e masakrës masive. Një rol të rëndësishëm në këtë kohë, mes shumë figurave të njohura çame, luajti dhe patrioti Jahsin Sadiku. 
Në vazhdim, historiani Hajredin Isufi, sjellë dëshmi e dokumente të kohës për situatën në Çamëri.


LIDHJET ME QARQET PATRIOTIKE 

Në këtë situatë, Jasin Sadiku, lidhjet e tij me rrethet patriotike i kishte shtrirë që nga Margëlliçi në Filat, në Gumenicë, Paramithi, Pargë, Prevezë e deri tek atdhetarët e vërtetë që kishin emigruar përtej Atlantikut, në SHBA e në vende të tjera. Ata kishin emigruar të detyruar nga presionet e shtrëngimet e qeverisë greke, pas pushtimit të dhunshëm më armë të Çamërisë më 1912-1913. Midis të emigruarve, Jasin Sadiku kishte edhe shumë miq e bashkatdhetarë të tij margëlliçiotë e nga rrethinat si: Rexhep Koburin dhe Mit’hat Margëlliçin nga qyteti i Margëlliçit, Qamil Prevezën nga Preveza etj. Me këta të tre Jasini kishte njohje dhe lidhje të vjetra miqësie e bashkëpunimi. Kur ishte krijuar nga një grup atdhetarësh shoqëria “Çamëria” në SHBA, për të sensibilizuar opinionin e shëndoshë përtej Atlantikut e më tej për dramën që përjetonte popullsia shqiptare nën sundimin grek, miqtë bashkëqytetarë të Jasinit kishin qenë ndër mbështetësit kryesorë të saj. Madje, siç mësojmë nga shtypi i kohës, njëri prej tyre, Rexhep Koburi, shumë aktiv në mbrojtje të çështjes çame, ishte zgjedhur në vitin 1924 kryetar i shoqërisë “Çamëria. (Burimi: Gazeta “Dielli”, Boston, 16 shtator 1924; Gazeta “Albania”, 16 shkurt 1924). Rexhep Koburi, siç mësojmë nga shtypi i kohës jashtë vendit, në vitet 1925 e më pas ishte tepër aktiv në trajtimin e problemit çam në faqet e gazetës “Dielli” dhe “Immigranti”. Ai me shkrimet e tij problemore, bashkonte zërin  e protestës me bashkëqytetarët e tij në Margëlliç e të Çamërisë për keqtrajtimet që u bëheshin shqiptarëve myslimanë në Çamëri.(Burimi: Gazeta “Immigranti”, 2 tetor 1925).


NDËRKOMBËTARIZIMI I ÇËSHTJES ÇAME 

Rexhep Koburi e bashkëpunëtorët e tij asnjëherë nuk i shkëputën lidhjet e tyre me vendlindjen, miqtë e bashkëqytetarët e tyre. Ata gjenin mënyra të ndryshme për të komunikuar dhe sidomos për të marrë  e dhënë informacione që kishin karakter kombëtar. Njoftime më të hollësishme, ndonëse në formë kujtimesh, pas disa dekadash më vonë, për lidhjet e Jasin Sadikut me Rexhep Koburin, na i përcjell bashkëkohësi dhe një nga miqtë më të afërt të tij, Avdulla Kasemi. Ai tregon se Jasin Sadiku kishte krijuar lidhje të pandërprera me margëlliçiotët që ishin në Amerikë dhe në mënyrë të veçantë me Rexhep Koburin, që kishte dalë si mbrojtës i flaktë e i guximshëm i çështjes çame. Meqenëse korrespondencën dhe shkëmbimin e informacionit e kishte të vështirë ta mbante nëpërmjet Margëlliçit, për shkak të ndjekjeve të qeverisë greke e të censurimit të fortë që u bëhej postave, lidhjet me shqiptarët jashtë vendit ai i bënte nëpërmjet lidhjeve të shumta me miqtë e krishterë që kishte në Prevezë si dhe me tregtarët që bënin rrugën Prevezë-Itali. Kur ishte fjala për të marrë shtypin  shqiptar që botohej jashtë e për të dërguar informacione për situatën në Margëlliç e më tej, Jasini i përcillte në më të shumtat e rasteve me postë nëpërmjet Italisë. Thuhej se ai kishte raste që largohej me ditë të tëra nga Margëlliçi dhe kur kthehej sillte me vete një tufë me gazeta shqiptare duke u kujdesur shumë që të mos diktohej. Ato zakonisht ia sillnin në shtëpi miqtë e tij të krishterë nga Preveza ose njerëz që ishin jashtë vëmendjes së xhandarmërisë së Margëlliçit. “Shtypi që vinte nga përtej Atlantikut”, tregon Avdulla Kasemi, “i botuar në gjuhën shqipe, lexohej nga Jasin Sadiku në rrethe të ngushta, se ai ishte ndër të rrallët që lexonte rrjedhshëm dhe i komentonte me fjalët e tij ato çka lexonte”. Gazetat kalonin dorë më dorë dhe shqiptarët që kishin një mungesë të plotë informacioni mësonin shumë gjëra të reja e të panjohura. Jasini për Margëlliçin nuk ishte vetëm një shembull i qëndresës patriotike por edhe një burim i madh informacioni. Ai ishte i vetmi në Margëlliç që e luante atë rol të rëndësishëm për kohën.


LIDHJA ME MYSLYM PEZËN 

Në vitet ’30 të shekullit të kaluar, Myslim Peza me një rreth të ngushtë të njerëzve të tij ndiqej nga qeveria e Zogut, si kundërshtar politik. Midis grupit të të ndjekurve bënte pjesë edhe Shyqyri Peza, djali i xhaxhait të Myslimit, i cili, për t’i shpëtuar ndjekjeve dhe arrestimit, shpesh lëvizte nga një krahinë në tjetrën, duke gjetur strehë dhe mbrojtje tek miqtë e tij të shumtë që kishte edhe në Konispol. Thuhet se ai, pasi kishte arritur në Konispol, i rekomanduan për t’i shpëtuar rrezikut të arrestimit, të kalonte në Çamëri. Të vetmin person që  do të takonte dhe t’i kërkonte marrjen në besë atje i kishin rekomanduar Jasin Sadikun e Margëlliçit. Kalimi i Shyqyri Pezës në Çamëri nuk ishte një ndërmarrje e lehtë, por plot me rreziqe. Nëse do të kapej nga policia greke, pa as më të voglin dyshim do të konsiderohej se shkonte në Çamëri të bashkëvepronte me çamët e atjeshëm për të krijuar trazira kundër qeverisë greke. Këtë version Athina e kishte një tezë të sajën vetëm e vetëm që të justifikonte presionet dhe arrestimet që ndërmerrte ndër çamët. Nga Avdulla Kasemi kemi edhe disa njoftime të tjera të shprehura gojarisht tridhjetë vjet më parë.


ÇFARË MË THA ABDULLA KASEMI 

Shumë vite më parë, kur punoja si bashkëpunëtor i Institutit të Historisë, më interesonte të mblidhte të dhëna nga dëshmitarë okularë për ngjarjet dhe historinë e Çamërisë. Avdulla Kasemi më ka treguar se në atë kohë kishte mësuar nga goja e Jasin Sadikut se në rrethinat e Margëlliçit kishte vajtur një shqiptar përtej kufirit të Çamërisë, i shoqëruar nga tre veta. Shoqëruesit e tij ishin nga fshatrat e Konispolit dhe me njërin prej tyre Jasin Sadiku kishte njohje të vjetra. Miqtë, me anën e një çobani që kulloste tufën e bagëtive i dërguan fjalë Jasin Sadikut se e priste për një takim i njohuri nga Konispoli në afërsi të xhamisë. Fill pas njoftimit që kishte marrë, Jasin Sadiku shkon dhe takohet me të interesuarin në vendin e caktuar. Miku i tregoi Jasinit se ishte i dërguar nga miqtë e tij në Konispol për të përcjellë një të përndjekur nga qeveria e Zogut dhe i kërkonte që ta merrte në besë agai i Margëlliçit. Jasin Sadiku e kishte pyetur menjëherë konispolatin se cili ishte ai që bëhej fjalë dhe nëse ndiqej nga qeveria si kundërshtar politik apo si vrasës e kriminel. Duke u dhënë fund pyetjeve që i drejtoi mikut ai e preu shkurt “Nëse është vrasës dhe kriminel ai duhet menjëherë të largohet e nëse ishte kundërshtar politik i qeverisë dhe njeri i ndershëm, bujrum në besën time”. Pasi u sqarua se cili ishte personi për të cilin bëhej fjalë, Jasin Sadiku, pa asnjë hezitim, ia dha fjalën konispolatit se e merrte në mbrojtje me besa-besë dhe kështu ndodhi. Shyqyri Peza qëndroi rreth 7-8 muaj nën mbrojtjen dhe sigurinë e Jasin Sadikut e të besnikëve të tij. Shyqyri Peza, kur e kishte kapërcyer rrezikun, u përcoll nga njerëzit e Jasin Sadikut deri në kufirin shqiptar.


MIQËSIA ME PEZAKËT 

Pezaku i përndjekur mbeti mik për kokë me Jasinin. Të afërmit e familjes së Jasin Sadikut dhe bijtë e tij tregonin se vitin 1945 kur çamët kishin emigruar në Shqipëri, Shyqyri Peza e gjeti familjen e Jasin Sadikut dhe u ofroi ndihmën e duhur. Kur mësoi se miku i kohëve të vështira, Jasini, ishte vrarë nga grekët u dëshpërua shumë dhe shprehu një keqardhje të thellë.  Veprimtaria e Jasin Sadikut, duke dalur hapur kundër masave shtrënguese që kishte marrë qeveria greke ndaj çamëve, e kishte vënë në rreth të kuq patriotin e  Margëlliçit. Jasin Sadiku megjithëse ishte vënë në shënjestër nga qeveria greke dhe nga çasti në çast bëheshin plane për ta futur nëpër qelitë e burgjeve greke, gëzonte dashuri dhe respekt jo vetëm tek të krishterët çamë, por edhe tek grekët në rrethinat e Janinës e më tej. Ata e donin dhe përkujdeseshin që miku i tyre të mos pësonte asgjë. Ishte kjo arsyeja që një mik i tij, grek nga Janina, ish deputet me emrin Avini, sapo mësoi që komanda e lartë e policisë së Janinës do të ndërmerrte veprimet e saj për ta arrestuar, e sinjalizoi mikun e tij shqiptar, pra, Jasinin, të largohej menjëherë nga Çamëria sepse arrestimi i tij ishte vetëm punë ditësh.


NDËSHKIMI I PARISË ÇAME 

Në ato vite, burgimi i parisë së Çamërisë dhe akuzat e stisura kundër tyre, ishin të zakonshme. Mjafton të kujtojmë se në Margëlliç komandanti i xhandarmërisë dhe nënprefekti i atjeshëm me pretekstin e një komploti të paqenë arrestoi 60 vetë nga paria e Margëlliçit si Myfti Adem Efendiu, Ibrahim Rojba, Mehmet Buzi, Haxhi Braho e shumë të tjerë. Të gjithë i çuan në gjyqin ushtarak të Janinës dhe i burgosën. Të gjithë pjesëtarët e grupit që u arrestuan ishin miqtë dhe bashkëpunëtorët e Jasin Sadikut. Për këtë arsye Jasin Sadiku e vlerësoi si tepër serioz sinjalin që i vinte nga miku i tij grek.

Nuk ishte ky një rast i rrallë dhe i vetëm që grekët u dilnin në mbrojtje dhe mbështetje myslimanëve të Çamërisë dhe çamët e pafajshëm dhe të pambrojtur shpëtonin nga rreziku. Mjafton të kujtojmë se ashtu si veproi greku Avini ndaj Jasin Sadikut të njëjtin veprim kishte bërë edhe deputeti i Konicës Panajot Floros. Në saj të ndërhyrjes së tij deri në instancat më të larta greke u bë e mundur, me shumë vështirësi, lirimi nga burgu i Janinës të Ibrahim Rojbos dhe të shokëve të tij.


PARTITË POLITIKE NË GREQI DHE ÇAMËT 

Në këtë periudhë, në Greqi ishin dy  parti kryesore: Partia Liberale, që quhej ndryshe dhe partia venizelliste dhe Partia Popullore që ishte mbështetëse e mbretit. Përveç këtyre dy partive të mëdha ekzistonin dhe parti të vogla: Partia Agrare, Partia Përparimtare, Partia Komuniste dhe Partia Reformatore. Çamëria që para viteve ‘30 e në vazhdim varej administrativisht nga Janina dhe për drejtim politik nga prefektura e Prevezës. Politikanët e qarkut të Janinës që garonin për deputetë në Partinë Liberale ishin: Noti Boçari, Themistokli Luli, Aleksandër Millonaj dhe Aleksandër Melas; të Partisë Popullore ishin: Kostandin Kostandiniadhi, Jorgji Mullamidhi, Jorgji Kajos dhe Kristo Kristovasili. (Burimi: J. Sarras, Vep. Cit., f.166.). Secila nga partitë e mëdha kishte ngritur strukturat e saj në çdo fshat e qytet të Çamërisë e më tej. Partitokracia, para dhe pas viteve ’30, ishte shumë e dukshme. Partia që ishte në pushtet kishte ndikim të fuqishëm. Ajo hapte portat për përkrahësit e saj për punësim dhe përfitime. Kandidatët për deputetë në qarkun e Prevezës në fushatat elektorale ishin: Theohor Kavini i Partisë Liberale dhe Leonidha Çoku i Partisë Popullore. Të dy këta kandidatë për deputetë lëviznin nga një fshat në tjetrin në qarkun e Prevezës, sidomos në fushatat elektorale. Kavini kishte ndikim më të madh se kishte popullaritet në Prevezë. Ai në qeverinë e Venizellos kishte qenë edhe Ministër i Luftës. (Burimi, i sipërcituar). Vizitat e kandidatëve për deputetë në fshatrat myslimane e të krishtera në zonën e Prevezës, përfshi dhe kazanë e Margëlliçit, sidomos në fushatat elektorale bëheshin me kafshë dhe të shoqëruar nga miqtë dhe mbështetësit e tyre. Mbledhjet zakonisht bëheshin nëpër kafene dhe në sheshe dhe nga të pranishmit shtroheshin kërkesa, ndërsa kandidatët mbanin shënime dhe u bënin premtime të shumta.


ÇAMËT, TË NDARË NË PARTI 

Në çdo fshat mysliman a qytet të Çamërisë agallarët dhe paria ishin deklaruar publikisht mbështetës të një partie. Në qytetin e Filatit dy fiset më të mëdha, Dematë dhe Sejkatët mbështesnin parti të ndryshme. Dematë ishin mbështetës të partisë venizelliste, ndërsa Sejkatët të Partisë Popullore. Në Margëlliç, si Teodor Kavini ashtu dhe Leonidha Çoko kishin miqtë dhe fanatikët e tyre. Jasin Sadiku ishte mik edhe i Kavinit edhe i Leonidha Çokos, por më shumë dëshironte fitoren e Partisë Popullore, që kandidonte Çoko. Thuhet se agallarët e Margëlliçit ishin ndarë në dy grupe në fushatat elektorale. Jasini në grupimin e tij kishte Çaparenjtë, Buzët, Rojbatët, Husët, Karametot etj. Ai, gjithashtu, me popullaritetin që gëzonte dhe rrethin miqësor që kishte ndikonte edhe tek agallarët që ishin përkrahës të Kavinit, kur ai nuk kishte shanse për të fituar dhe në të njëjtën mënyrë vepronte edhe me mbështetësit e tij, kur shihte se Çokua nuk arrinte te fitonte shumicën e elektoratit për të dalë deputet.

Qëllonte shpesh gjatë fushatës nëpër mbledhjet që organizoheshin në Margëlliç e në fshatra nga Kavini e Çokua, për dreka e darka si dhe për të fjetur shkonin tek shtëpia e Jasin Sadikut. Ndodhte, gjithashtu, që nëpër mbledhje krijoheshin dhe konflikte dhe përplasje. Kështu, në një mbledhje të organizuar nga Kavini në një fshat të Margëlliçit, mbështetësit e tij fanatikë brohoritën “rroftë Kavini” e në kundërpërgjigje të atyre brohoritjeve, një mbështetës i Çokut mblodhi nja 15 gra të moshuara dhe i çoi afër sheshit ku fliste Kavini dhe ato filluan të brohorisnin në favor të rivalit të tij, Leonidha Çokut. Thuhet se mbështetja që i jepte Jasin Sadiku atij ishte përcaktues për të fituar mandatin e partisë së mbretit. Në një rast kur u shpall Leonidha Çoku deputet, i krishteri Andrea Pilua i kushtoi disa vargje humbjes e dëshpërimit të Kavinit. Edhe mbështetësit e Jasinit në fushatën elektorale për të fituar Çoku thurën vargjet: Vallë kush na qerdhesi/ Çokua, që ish komë(Parti) mbreti/ Kish taraf Jasin Haxhinë/ Xhaferin e Besimin. Thuhet se në një takim që kishte pasur Theodhor Çoku me disa përkrahës të tij në fushatën elektorale i ishte drejtuar me një respekt të thellë Jasin Sadikut, duke i thënë si me shaka: “Ç’të të bëj unë, or ti mik/ që e ke emrin Jasin Sadik!”

Ç’donte të thoshte deputeti grek me këto fjalë që iu drejtua mikut të tij, Jasin Sadiku? Fjalët që nxirrte nga goja e tij Çokua, që i buronin nga zemra, shprehnin një dilemë. Ai, duke njohur nga afër zgjuarsinë dhe aftësitë drejtuese dhe organizative të agait të Margëlliçit, popullaritetin e madh që gëzonte në masën e popullsisë pa dallime fetare a partiake, që e bënin Jasinin që të ishte një ndër kuadrot kryesorë në administratën vendore në Prevezë, por për deputetin grek kjo ishte e paarritshme, përderisa e kishte emrin Jasin Sadiku e megjithëse e kishte një mik shumë të aftë s’mund të bënte gjë për të.


QËLLIMI I NJË BASHKËPUNIMI 

Kur mësohet për mbështetjet që u jepnin agallarët e paria e Çamërisë dy partive të mëdha greke, që herë njëra e herë tjetra me politikat e tyre ishin sjellë shumë keq me popullsinë shqiptare dhe e kishin kërcënuar edhe deri në shfarosje të plotë, vetvetiu lind pyetja: Çfarë i shtynte çamët që i jepnin këtij apo atij kandidati për deputet mbështetje? Përgjigjen e kësaj pyetje e gjejmë të shprehur qartë në raportin që Xhemil Frashëri, konsulli i mbretërisë shqiptare në Janinë, i dërgonte Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë më 21 dhjetor 1936:”Krerët e Çamërisë të përpiqen me anën e miqve të tyre deputetë grekë, të cilëve u kishin dhënë votat, që të ndërmjetësonin ku duhej që fshatrat me rëndësi të Çamërisë, me populli thjesht shqiptare të qëndronin ashtu siç kanë qenë edhe më parë, qendra komunash dhe të mos përfshiheshin në planin satanik të autoriteteve, të cilat përpiqeshin natë e ditë të përçanin e zhduknin etninë çame.(Burimi: AQSH, F. 251, 1936, dos. 108). Lëvizjet e mençura dhe largpamëse të Jasin Sadikut kishin bërë, që në sajë të njohjeve dhe miqësisë që kishte krijuar me dy deputetet grekë të emërohej në Margëlliç kryeplak dhe më pas kryetar i komunës së Margëlliçit. Në sajë të mbështetjes që kishte dhënë paria e fshatit Luarat me pjesëmarrje në fushatë elektorale herë përkrah Çokut e herë përkrah Kavinit, kishte bërë që edhe Luarati të kishte për kryeplak një shqiptar, Alush Mehmet Buzën. Në Arpicë ishte zgjedhur për kryeplak Omer Haxhi Bajrami(AQSH, F. 251, 1936, dos. 131/1, f. 33-35. Arpiciotët ankesat kundër kryeplakut të tyre për veprimet e dhunshme që kishte ndërmarrë në mbështetje të komandantit të xhandarmërisë së zonës, i kishin ngritur edhe përpara Komisionit miks), por ky nuk ishte zgjedhur nga bashkësia e fshatit por sipas vullnetit të zyrtarëve të Prevezës, për ta pasur më vonë mbështetës në veprimet që do të ndërmerrnin kundër shqiptarëve. Fshatrat e Çamërisë duke pasur kryepleq bashkëfshatarët e vetë, shpëtonin në një masë të madhe nga presionet e angaritë, taksat e punët e tjera. Nëse do të kishin kryepleq të krishterë shqiptarët do të ishin vazhdimisht nën presione të forta dhe me taksa rënduese. Ky fenomen ishte tashmë prezent në ato fshatra ku kryepleqtë ishin të tillë.

Huazuar nga Gazeta Dita 
 

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen