Samstag, 6. Dezember 2014

Shpronësimet dhe spastrimi etnik i Çamërisë

Një skenar i parapërgatitur dhe i mirë organizuar kundër çamëve e Çamërisë nis të zbatohet që vitin 1923. Spastrimi etnik e i dhunshëm që do të pasoj, paraprihet me shpronësimet e banorëve çamë autoktonë.
Një urdhër absurd për të larguar 75% të banorëve nga shtëpitë e pronat e tyre, detyron parinë çame të ngrenë zërin e protestë dhe të bëjnë apel për ndihmë. Por apeli i tyre, bie në ‘veshë të shurdhër’. Në këto kushte të rënda, çamët nisin të vetë organizohen… Por skenari i dhunshëm nuk mund të evitohet.
Në vazhdim, historiani Hajredin Isufi sjellë dokumente të arkivave të kohës dhe dëshmi për çamët e Çamërinë në këtë periudhë kritike.
 
 
SHPËRNGULJA E POPULLSISË ÇAME

Strategjia greke e spastrimit etnik të popullsisë autoktone çame nisi me shpronësimet. Shqiptarët e Çamërisë ishin shumë të lidhur me trojet e tyre dhe pronën. Në kuadrin e shkëmbimit, një numër shumë i kufizuar myslimanësh fanatikë, ndoshta, donin të largoheshin për në Turqi, ndërsa të tjerët, të detyruar, largoheshin të dëshpëruar. Marrëveshja për shkëmbim kishte synime të qarta; ishte e prerë. Edhe pala greke dhe ajo turke, në përbërjen e komisionit ishin të prirë t’u mbushnin mendjen myslimanëve shqiptarë (edhe pse ishin të bindur që nuk ishin turq) të përfshiheshin në shkëmbim dhe të niseshin drejt Turqisë. Komisioni turk evitonte kontaktet me rrethet patriotike të Çamërisë. Të vetmin aleat kishin një grusht klerikësh myslimanë. Çështja se cila pjesë e popullsisë mund të konsiderohej shqiptare i mundonte shumë autoritetet greke. Athina, së fundi, përcaktoi si kritere vendimtare: vendbanimin në Greqi, besimin mysliman, por, me kushtin absurd që çamët të deklaronin e të vërtetonin që vendlindjen e kishin në Shqipëri(Burimi: Mark Mazoer, “Selaniku…”, Vep. cit., f. 449.). Ishin absurditet kërkesa të tilla për komunitetin çam, pasi çamët ishin autoktonë në trojet e tyre në Çamëri. Qeveria greke kishte lëshuar një urdhëresë për shqiptarët myslimanë për të liruar 75% të sipërfaqes së banesave të tyre, në mënyrë që aty të vendoseshin refugjatët grekë të sjellë nga Turqia.(Burimi: AQSH, F.251, 1924, dos. 81, K. Naska, “Dokumente…”, Vep. Cit. f. 124-125).


REZISTENCA ÇAME

Përballë kësaj mase shtrënguese, një përfaqësi e popullsisë së Çamërisë, mes tyre dhe disa figura nga paria e Margëlliçit shkuan në Athinë më 20 tetor 1923 dhe i dorëzuan gjeneral De Lares, kryetarit të komisionit miks, një peticion(Burimi: Ai i sipërcituar). Në të, veç të tjerash, i vinin në dukje se autoritetet greke në Çamëri kishin planifikuar dëbimin e popullsisë çame, duke i parashtruar deri në hollësi masat që kishte ndërmarrë Athina. “Tellalli dhe afishet e ngjitura në mure kanë njoftuar se të gjithë myslimanët do të dërgohen në Azi, pa veçuar që elementi shqiptar është mbajtur jashtë kësaj mase. E drejta e votës për zgjedhjet e ardhshme legjislative është hequr për ne, çka do të thotë se ne nuk na konsideroni më si qytetarë të Greqisë”. Dhe vazhdonte më tej: “Është dhënë urdhër që të lirohen 75% të shtëpive të myslimanëve për të vendosur refugjatët, kurse elementi i krishterë nuk ka dhënë as çerekun e këtyre banesave. Pasi u sekuestruan shtëpitë familjet tona mbetën në rrugë, me gjithë afrimin e dimrit. Shqiptarët myslimanë që prej shumë vitesh nuk e kanë të drejtën të shesin pasurinë e paluajtshme dhe ai që do të guxonte të shiste një pulë, një qilim apo një stoli të vjetër, për të plotësuar nevojat e familjes se vet, do të rrezikohej të merrte dënim. Fermerët ose qiramarrësit e një godine që u përket shqiptarëve kanë marrë urdhër të derdhin në arkën e shtetit shumën e kontratës dhe jo t’ia japin pronarit të vërtetë”.


PETICIONI ME KËRKESAT E ÇAMËVE

Peticioni kërkonte që kryetari i Komisionit miks të ndërhynte në emër të drejtësisë dhe të të drejtave të popullsisë çame që të gëzonte dhe ajo të drejtat si gjithë qytetarët e tjerë grekë.
Të dhëna burimore se kush janë firmëtarët e këtij peticioni nuk kemi, pasi emrat mungojnë në dokument. Nga dëshmi të besueshme kemi arritur të evidentojmë se firmëtarët e parisë së Margëlliçit kanë qenë gjashtë vetë: Abdi Rojba, Zija Kasemi, Haxhi Braho, Jasin Sadiku, Mehmet Buzi dhe Adem Efendiu, myftiu. Vetëm pak kohë pas dërgimit të atij peticioni, komandanti i postëkomandës së Margëlliçit, figurat që njiheshin si kundërshtarë të planeve greke i akuzoi për organizimin e një komploti të paqenë dhe nisi arrestimet. Abdi Rojba, Zija Kasemi, Haxhi Braho, Mehmet Buzi dhe Adem Efendiu, katër firmëtarët e peticionit, iu dorëzuan gjeneral De Lares. Të arrestuarit i dërguan në burgun e Janinës dhe pritej të dilnin në gjyq. Lirimi i tyre u bë falë ndërhyrjes së deputetëve grekë të Prevezës që kishin miqësi me ta dhe gëzonin dhe mbështetjen e tyre në fushatat elektorale.


KONTRIBUTI I JASIN SADIKUT

Jasin Sadiku në këtë kohë ishte bërë një zë i fuqishëm në radhët e rretheve patriotike në Margëlliç e rrethinat e tij. Ai konsiderohej si përfaqësuesi dhe drejtuesi kryesor i parisë së Margëlliçit në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve. Në Çamëri jeta e shqiptarëve ishte plot frikë. Ata jetonin plot ankth, brenga dhe pasiguri. Ndoshta, kjo e bënte përfaqësuesin e parisë së Margëlliçit më të vendosur e më të fortë në rrugën e idealeve të tij patriotike. Si bashkëqytetarët e tij, Jasini ishte shumë i lidhur me tokën e tij amtare, me historinë e traditat patriotike të Margëlliçit. Kjo frymëzonte tek ai dhe bashkëpunëtorët e tij kurajën e mosnënshtrimin ndaj së keqes. Jasin Sadiku ishte në ballë të rretheve patriotike dhe, si mund të ndodhte ndryshe e të largohej ai nga një përpjekje e tillë kur shihte para syve të tij se si grabiteshin pasuritë e shqiptarëve, si arrestoheshin bashkëqytetarët e tij, pa ditur pse burgoseshin! Sadikun e brengoste fati i hidhur i bashkëqytetarëve të tij, që e jetonin jetën me frikë dhe ishin nën kanosjet e vazhdueshme të bandave greke dhe të administratës vendore. Shpërngulja e dhunshme e popullsisë çame drejt një vendi të huaj për nga identiteti, gjuha dhe zakonet ishte një epidemi e vërtetë, dhe kalonte nga një vesh në tjetrin në çdo familje margëlliçiote. Jasini e përjetonte me dhimbje të thellë atë situatë dramatike dhe, siç do ta shohim në vazhdim, me kurajën që e karakterizonte ngriti zërin e protestës në instancat më të larta të qeverisë greke dhe të Lidhjes së Kombeve.


GENOCIDI GREK

Nga një informacion që vinte nga Greqia viheshin në pah masat shtrënguese që kishte marrë qeveria greke ndaj shqiptarëve të Epirit për të lënë vatrat e tyre. Dokumenti në fjalë vinte në dukje këto forma shtrënguese: “Në muajin shtator 1923, autoritetet e distriktit të Margëlliçit ndëshkuan një mënyrë çnjerëzore elementin shqiptar. Në krye të kësaj ekspedite ndëshkimore ishte postëkomandanti i Margëlliçit, kretasi Jani dhe bashkëqytetari i tij, xhandari Manolis. Rrahjet dhe torturat ndaj shqiptarëve postëkomandanti i filloi në fshatin Arpicë. Aty Janis dhe xhandari që e shoqëronte rrahën në mënyrë çnjerëzore: Omer Haxhi Veliun, Xhemal Beqirin, imam Mullah Besimin e shumë fshatarë të tjerë të fshatit. Ata u rrahën publikisht dhe më pas u arrestuan dhe u dërguan në burgun e Margëlliçit ku u mbajtën për dhjetë ditë e më pas u dërguan në Prevezë e pastaj në Janinë bashkë me 35 shqiptarë të tjerë.(Burimi: K. Naska, “Dokumente.”, Vep. Cit. f. 407-408; AQSH, F. 251, 1924, f.210-212). Të njëjtin fat pësuan në Margëlliç: Myftiu Adem Haxhi Abazi, Ahmet Aga Kasemi, Haxhi Braho, Ibrahim Rojba, Ibrahim Mullahu etj. Një pjesë e mirë e parisë së Margëlliçit me Jasin Sadikun në krye shpëtoi falë ndihmës që iu dha nga prifti i Margëlliçit, një mik e dashamirës i margëlliçiotëve, i cili kishte dhe lidhje gjaku me dy tri familje të qytetit. Ai sapo kishte mësuar veprimet e dhunshme të postëkomandantit në Arpicë, lajmëroi Jasinin dhe çdo njeri që gjeti nga paria e qytetit, që të largoheshin nga Margëlliçi. Edhe në fshatin Mazrrek u ushtrua dhunë ndaj shqiptarëve. Cen Veliun, banor të atij fshati, xhandarët pasi e torturuan e detyruan të ulej mbi një prush zjarr të madh. Ndërkohë bashkëfshatarin e tij, Saqe Meto, postëkomandanti Jani i vuri shkelmin në gjoks dhe më pas e vari nga këmbët në një pemë. Reprezaljet vazhduan: Familjet (gratë dhe fëmijët) e Mulla Musait, të Sako Metos, të Mato Osmanit etj, i burgosën për 24 orë në burgun e Margëlliçit.
Nga dëshmitë që kemi, mësojmë se Jasin Sadiku, nëpërmjet mikut të tij, deputetit grek nga Preveza, Kavini, nisi ankimet në shumë drejtime: në Komandën e Përgjithshme të xhandarmërisë në Janinë, tek prefekti i Prevezës, si dhe tek Lidhja e Kombeve. Kjo bëri që koloneli Aleksandër Sjeaks, komandant i përgjithshëm i xhandarmërisë njohu si fajtor Janin, të cilin e shkarkoi nga detyra e post komandantit, por në fakt ai mbeti në Margëlliç me detyrë dhe vazhdoi të terrorizonte shqiptarët. Si pasojë e keqtrajtimeve shumë fshatra u boshatisën. Gjithashtu, një arsye tjetër ishin dhe kërkesat e vazhdueshme që iu bënin xhandarët shqiptarëve për shpërblime të majme kundrejt mos arrestimit, pasi, sipas tyre, ata ishin të lidhur me Shqipërinë.


VIKTIMAT E ANADOLLIT…

Refugjatët grekë ishin viktimat e politikës së Megali Idesë. Ata nuk ishin një grup homogjen dhe e vetmja gjë që i bashkonte ishin vuajtjet dhe përndjekjet. Ata vinin nga vendet bregdetare, nga skelat kryesore dhe nga zonat e thella të Turqisë. Ishin të profesioneve të ndryshme: zejtarë, blegtorë, bujq, tregtarë, mjeshtër ndërtimi, gurgdhendës etj. Një pjesë e madhe e tyre kur u vendosën në Çamëri e në viset e tjera të Greqisë e kishin të vështirë të përshtateshin e të krijonin kushte për të jetuar. Ata erdhën në një vend të huaj, që nuk njihnin as gjuhën, as doket e zakonet. Madje ata e kishin të vështirë të komunikonin edhe me grekët, pasi dinin të flisnin vetëm turqisht e asnjë gjuhë tjetër. Të dy palët ishin të huaj, përveç fesë që e kishin të përbashkët. Refugjatët grekë vinin nga një vend, që të drejtat e tyre nuk ishin respektuar në krahasim me shtetasit e tjerë. Në Çamëri ata gjetën një komunitet ku shteti grek ushtronte një terror të egër, pothuaj të njëjtë si ai që ata kishin përjetuar në shtetin turk. Për ta ishte njerëzore të krijonin marrëdhënie të mira me banorët e fshatrave myslimane, ku shteti grek kishte vendosur t’i sistemonte dhe ku u mungonte çdo gjë, përfshirë dhe ushqimin e ditës. Refugjatët grekë në vend që të krijonin mirëkuptimin dhe zgjidhjen me arsye të një pjesë të nevojave të tyre, u kthyen në autorë të frikshëm krimesh. Ata fillimisht u caktuan nga administrata vendore greke të strehoheshin në shtëpitë e myslimanëve shqiptarë. Numri më i madh i tyre u caktua në Margëlliç. Kështu, për shembull, fshati i Arpicës nga 400 shtëpi që kishte, në 200 prej tyre ishin vendosur refugjatë. Myslimanët që iu ishin zënë shtëpitë u grumbulluan në 50 banesa, ku i shtrëngonte një jetë e tmerrshme dhe e padurueshme. Postëkomandanti i Margëlliçit urdhëroi shqiptarët e Arpicës që refugjatët t’i mbanin dhe me ushqime për muaj të tërë.


KONFLIKTE NGA TË SHPËRNGULURIT GREKË

Sikur të mos mjaftonin të gjitha këto shqetësime për shqiptarët, refugjatët u kthyen në burim konfliktesh. Ata përdorën dhunën e presionet kundër shqiptarëve që i mbanin me bukë e strehim, pasi menduan se në fshatrat e qytetet ku ishin strehuar, u bënë zot të  vendit e të pasurive të tjetërkujt. Të emigruarit nga Azia e Vogël të ndihmuar edhe nga postëkomanda dhe administratorët lokalë, zinin prita për të vrarë shqiptarët myslimanë në pabesi. Një ndër viktimat që u bë pre e këtyre sulmeve ishte Adem Shehri nga Shenica e Margëlliçit. Kur po kthehej në shtëpi, ai ndeshi në një pritë të përgatitur nga refugjatët, ku dhe mbeti i vrarë. Autoritetet greke në vend që të merrnin masa e të vendosnin rregull dhe qetësi, ankesave të shqiptarëve çamë u përgjigjeshin se zgjidhja e vetme ishte të iknin në Turqi, duke u justifikuar se qeveria greke nuk kishte mjete të frenonte refugjatët. Kjo nënkuptonte një paralajmërim për shqiptarët se refugjatëve nuk ua ndalte kush dorën. Lajmet që vinin nga Çamëria ishin tronditëse. Atje përjetohej një dramë e vërtetë. Në një raport që dërgonte zëvendës prefekti i Gjirokastrës Hil Mosi, Ministrisë së Punëve të Brendshme në Tiranë, më 28 nëntor 1924, shkruhej: “Refugjatët grekë, me qëllim që të nxirrnin çamët nga shtëpitë e tyre, hynin dhe rrihnin deri edhe fëmijët. Të rriturit të mbuluar me gjak, iu drejtuan autoriteteve lokale,por ishin rrahur edhe atje dhe nga autoritetet ishin pas kësaj ishin porositur që refugjatëve t’u jepnin të hanin dhe të pinin. Refugjatët ishin të armatosur me qëllim që të grabisnin shtëpitë”. (Burimi: K. Naska, “Dokumente…”, Vep. Cit. f. 495; AQSH, F. 251, 1924, dos. 119, f.210). Të gjitha këto masa, përfundonte raporti, bëheshin për të detyruar shqiptarët në Çamëri të linin atdheun e tyre. Siç shihet në Çamëri ushqehej një frymë antishqiptare.


SITUATË KRITIKE PËR ÇAMËT

Brutaliteti ndaj shqiptarëve jo vetëm që nuk ndërpritej, po bëhej më i thellë dhe shtrëngimet merrnin dhe karakter etnik e fetar. Çamër nëpër shtëpitë e tyre, rrinin me zemër të ngrirë e të pasigurt. Paria e Margëlliçit, duke parë se nuk kishin asnjë mbrojtje për të lehtësuar sado pak vuajtjet e tyre, menduan t’i drejtoheshin legatës shqiptare në Athinë, të cilën gjykonin se do ta ngrinte zërin e saj pranë qeverisë greke për të ndaluar veprimet e dhunshme në Çamëri. Në parashtresën e parisë së Margëlliçit thuhej: “Në 27 tetor 1924 në fshatin Luarat të Margëlliçit, fshat 15 minuta larg qytetit, muhaxhirët që gjendeshin aty rrahën keqas më tepër se 15-20 myslimanë të atij fshati pa asnjë shkak, vetëm e vetëm se banorët myslimanë të fshatit nuk lejuan të ndërhynin në pasuritë e tyre e tentuan të prisnin ullinjtë e pemët e tjera.  (Burimi: K. Naska, “Dokumente…”, Vep. Cit. dok. 205, f. 246-247). Në peticion vihej në dukje se dukuri të tilla kishin ndodhur edhe në fshatrat e tjera të kazasë së Margëlliçit, si në fshatrat: Vrastov, Kurtes, Mazrrek, Smokovinë e më tej. Peticioni përfundonte me lutjen që legata shqiptare në Athinë të ndërhynte pranë qeverisë greke për të ndërprerë veprimet e dhunshme. Firmëtarët e peticionit nga Margëlliçi ishin: Haxhi Braho, Mehmet Buzi, Tahir Mete, Abdi Rojba, Osman Husa, Qazim Rusi, Haxhi Kollovi, Osman Çapari, Abaz Saliu, Xhavit Husa, Damin Mete dhe Damin Muhameti, këta dy të fundit nga fshati Mazërrek. Në Luarat të Margëlliçit përhapeshin lajme se refugjatët grekë nën mbrojtjen e administratës kishin zaptuar kullotat e fshatit dhe fshatarët që kundërshtonin, pasi rriheshin arrestoheshin[1]. Shqiptarët në Çamëri krahas dhunës dhe terrorit që ushtronin bandat dhe forcat greke, përballeshin dhe me krime për jetën nga segmente të caktuara nga radhët e refugjatëve grekë. Burimet e kohës bëjnë të ditur se në mëngjesin e 26 qershorit 1923, myslimanët shqiptarë të Prevezës: Emin Mysliu, Ali Rizai etj. kishin gjetur poshtë dyerve të dyqaneve fletushka kërcënuese për jetën.


MEDIA PËR MASAKRAT MBI ÇAMËRINË

Shtypi shqiptar publikonte pareshtur informacione dhe ngjarje shqetësuese nga Çamëria. “Gazeta e Korçës” e datës 24 gusht 1923 njoftonte lexuesit e saj se në të gjithë Çamërinë grekët organizojnë vrasje të njerëzve të pafajshëm me qëllim që t’i detyrojnë ata të largohen. Pështjellimet e dhunës në Çamëri ishin të tmerrshme. Çamët ishin të shqetësuar për sa kohë si bandat ashtu dhe refugjatët grekë vepronin pa asnjë pengesë. Në një promemorie që i dërgonte legata shqiptare në Athinë mbi gjendjen e shqiptarëve në Epir, më 17 shkurt 1925, Komisionit miks në Stamboll, ndër të tjera vinte në dukje se: më 25 janar 1925 disa refugjatë grekë të sistemuar në shtëpitë e shqiptarëve, duke shkuar nga Margëlliçi në Arpicë takuan të riun Damin Haruni, 14 vjeçar, i biri i Mamo Harunit, që po ruante dhentë. Refugjatët deshën t’i merrnin pallton që mbante veshur Damini. Vëllezërit Velo dhe kushërinjtë e Harunit i shkuan menjëherë në ndihmë 14 vjeçarit, u përleshën me refugjatët dhe e shpëtuan. Refugjatët u ankuan pranë autoriteteve të Margëlliçit për këtë. Dy vëllezërit Velo u arrestuan dhe në fillim u dërguan në Prevezë, pastaj në Janinë. Ata u mbajtën të arrestuar për 35 ditë dhe më pas u lëshuan. Asnjë nga refugjatët agresorë nuk u dënua, qoftë edhe për t’u marrë në pyetje. Nga dhuna e presionet e refugjatëve vuanin gjithë fshatrat, por në veçanti: Mazerreku, Arpica, Luarati e Kurtesi. Ankesat nga Çamëria si dhe protestat e qeverisë shqiptare në Lidhjen e Kombeve kishin bërë që në maj të vitit 1924 të nisej drejt Prevezës Komisioni miks, për të kontaktuar me shqiptarët dhe për të njohur nga afër kërkesat dhe ankesat e tyre. Për shkak të pengesave që kishte krijuar qeveria greke me anën e xhandarmërisë, kontakti i shqiptarëve të Çamërisë me Komisionin bëhej i vështirë dhe gati i pamundur.

Huazuar nga Gazeta Dita
 

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen