Samstag, 6. Dezember 2014

Me armë kundër fashistëve dhe gjenocidit grek

Çamëria me armë kundër fashistëve italianë e genocidit grek (1940-1941)

Tremujori i fundit i vitit 1940, shënon nisjen e sulmit fashist të Italisë ndaj Greqisë, duke përdorur si rrugë kalimi Shqipërinë. Italia sulmin e parë e drejtoi me artileri të rëndë kundër Filatit, në paraditen e 28 tetorit 1940. Pra, toka shqiptare e Çamërisë dhe banorët e kësaj treve të lashtë, ishin viktimat e para të pa fajshme të këtij agresioni… Në këtë situatë, burrave e grave të Çamërisë  u duhej që të përballonin njëkohësisht si shtypjen barbare të strukturave të shtetit grek, ashtu dhe pushtimin fashist. Djemtë trima të Çamërisë dhe parisë u duhej që të forconin unitetin mes tyre, si dhe të luftonin me armë në dorë kundër pushtuesve.
Në vazhdim, historiani Hajredin Isufi, sjellë dokumente të arkivave të kohës dhe dëshmi rreth ngjarjeve të kësaj periudhe në Çamëri.


SITUATA 

Situata në Çamëri, në prag e në fillim të Luftës së Dytë Botërore bëhet më e rëndë se kurrë. Qeveria fashiste e Metaksait e injoroi traditën e hershme të bashkëpunimit të grekëve me çamët myslimanë në luftëra të përbashkëta. Ajo, në vend të bashkëpunimit dhe të afrimit në ato ditë të vështira, shkallëzoi veprime të pashembullta të dhunës shtypëse ndaj atij minoriteti, duke mobilizuar 1500 çamë si krah pune për ti përdorur si stallierë, për hapje rrugësh të reja e ndërtim urash. Ka arsye të mendohet se nëse qeveria do t’i kishte mobilizuar në radhët e ushtrisë greke çamët, padyshim situata në Çamëri do të kishte pasur rrjedha të tjera.


FILLIMI I LUFTËS 

Italia sulmin e parë e drejtoi me artileri të rëndë kundër Filatit, në paraditen e 28 tetorit 1940. Kjo bëri që administrata lokale e qytetit, komanda e xhandarmërisë greke dhe arkivat e administratës, me ndihmën e çamëve t’i largojë nga qyteti për në vende ku ishin vendosur forcat greke të rezistencës, kryesisht ne rrethinat e qytetit të Paramithisë. Ndërkohë po atë ditë, Zambeta, komandanti i xhandarmërisë së Filatit dhe postëkomanda të tjera në Çamëri, kishin marrë urdhër që të arrestonin në çdo qendër të Çamërisë e fshat mysliman, parinë më të përzgjedhur të shqiptarëve çamë. (Burimi: Jani Sarras, Istoria tis periohis Igumenitsis 1500-1950, Athinë, 1985). Ky veprim i Metaksait ishte një tjetër gabim i rëndë, që u pasua nga veprime të gjithëfarë llojshme e të pakuptimta. 


KUNDËR PËRÇARJES MYSLIMANË-TË KRISHTERË 

Por të mos harrojmë, shovinizmi grek, në përmbushje të objektivit të vënë, në këtë kohë, kishte futur një përçarje të theksuar midis të krishterëve dhe myslimanëve çamë. Në fillim të qershorit të vitit 1941, kur kaosi dhe anarkia po përhapej si epidemi e rëndë në Çamëri dhe armiqësia mes myslimanëve dhe të krishterëve nxiteshin si nga qarqet shoviniste greke, ashtu dhe nga propaganda fashiste, e kishte trazuar së tepërmi klimën politike, sigurinë e jetës, të nderit e të pasurisë tek të dy komunitetet. Në këtë kohë Jasin Sadiku në bashkëveprim me parinë e qytetit të Margëlliçit dhe të rrethinave ndërmorën disa veprime konkrete, me qëllim që të ndërpriteshin sulmet hakmarrëse ndaj fshatrave të krishtera në përgjithësi dhe ndaj  fshatit të krishterë të Spatharatit në veçanti. Për këtë qëllim pleqësia e fshatrave të Margëlliçit, organizoi një takim në xhaminë e fshatit Karbunar. Në atë takim që përfaqësohej nga burrat më në zë të kazasë së Margëlliçit, u shtrua që të ruheshin lidhjet e vjetra që kishin ekzistuar mes myslimanëve e të krishterëve dhe t’i pritej rruga çdo veprimi të dhunshëm që mund të ndërmerrej nga elementë të çamëve myslimanë.


TAKIMI NË KARBUNAR TË MARGËLLIÇIT 

Në takimin e bërë në Karbunarë, Jasin Sadiku, në emër të parisë, u kujtoi të pranishmëve se vendimi që rekomandohej të merrej nuk ishte gjë tjetër veçse rikthimi i asaj besëlidhjeje të fortë që ishte bërë mes myslimanëve e të krishterëve të kazasë së Margëlliçit në prag të luftës italo-greke. Ai e përfundon fjalën duke thënë: “Le të japim ne, myslimanët, të parët shembullin që duam afrim dhe bashkëjetesë me dashuri dhe mirëkuptim me të krishterët. Secili nga ne këtu duhet ta ketë të qartë se grabitjet dhe përdhunimet që patën familjet tona, kur ato ishin të pambrojtura, nuk i kreu masa e të krishterëve. Ato i bënë elementë keqbërës të krishterë, që u ngjajnë disa individëve të veçuar nga radhët e myslimanëve që kanë dalë sot nëpër fshatrat e krishtera e ndërmarrin sulme kundër individëve të pafajshëm të krishterë duke u grabitur bagëtinë ose u marrin fëmijët peng kundrejt ndonjë shpërblimi në të holla, në dorë ose në bereqet”. Dhe në mbyllje të fjalës së tij iu drejtua të pranishmëve duke u thënë: “Nëse ne do të bëhemi sehirxhinj dhe do të heshtim për gjithçka të shëmtuar dhe të turpshme që bëhet para syve tanë, turpi do të bjerë mbi të gjithë ne që jemi këtu. Prandaj është detyra jonë t’u presim rrugën keqbërësve dhe të mos pajtohemi me të keqen, se e keqja pjell të keqen. Të krishterët, fqinjët tanë, miqtë tanë, sot ata sytë i kanë të drejtuar nga ne dhe kërkojnë përpjekjet tona t’u kthejmë qetësinë dhe në shembullin tonë t’i bëjmë të veprojnë dhe ata”. Mbledhja në xhaminë e Karbunarit qe e suksesshme. Të pranishmit ishin të gjithë në një mendje për normalizimin e situatës dhe siç u theksua në fjalën e tij nga kreu i parisë së Karbunarit, Tofik Qemali, nga përçarjet, grindjet dhe armiqësitë asnjëra palë nuk dilte e fituar. Në atë mbledhje, gjithashtu u vendos që vendimet që kishte marrë kryepleqësia myslimane e kazasë së Margëlliçit, t’u bëheshin të njohura edhe pleqësive të fshatrave të krishtera të asaj kazaje e më tej. Punët kishin hyrë në rrugë të mbarë. Ishte e natyrshme se masa e dy komuniteteve kërkonte t’u kthehej siguria dhe qetësia dhe veçanërisht të krishterët që e ndjenin veten të pambrojtur.


ARRESTIMET E PARISË ÇAME 

Qeveria e Mataksa-s, nuk u mjaftua me kaq në ndëshkimin kundër çamëve. Arrestimet e parisë çame fillimisht filluan në Filat dhe menjëherë u pasuan në të gjithë rajonin e Çamërisë. Të arrestuarit e parë nga paria e Çamërisë ishin figura që kishin treguar se ishin antifashistët e orëve të para, si Musa Demi, Shuaip Metja, Myftiu i Filatit: Mehmet Zeqirjai, Sako Braho, Samet Murati, Shaban Demi, Gali Xhaferri, të gjithë këta nga Filati. Po kështu në Paramithi nga fisi i Pronjatëve u arrestua dhe tregtari Hajredin Mergjyshi, Omer Murati, Qazim Reçi, Agim Reçi, në Gumenicë arrestuan Bido Dulen, në Grikohor Ahmet Muhon, Mahmut Male etj. Kështu u veprua me parinë e fshatin Varfanj, Margëlliç, Volë, Arpicë, Karbunar, Skopjone atj. Ato u motivuan në opinionin e krishterë si përkrahës e bashkëpunëtorë të fashizmit italian.


ÇAMËT DHE LUFTA 

Përfitojmë nga rasti për të nënvizuar me bindje se janë krejtësisht pa asnjë bazë shpifjet se çamët kanë bashkëpunuar me pushtuesin, fashizmin italian dhe nazizmin gjerman. Është tamam i njohur fakti se komandanti i Divizionit VII të Epirit, gjeneral Kaçimitro, pyeti në një rast çamët e mobilizuar për punë, por të pa armatosur, kur kishte filluar lufta italo-greke, nëse ata do të bashkëpunonin me ushtrinë greke në luftë për të mbrojtur vendin. Çamët e mobilizuar, njëzëri dhe me vetëdije të plotë iu përgjigjën se ishin gati të luftonin kundër armikut të përbashkët. Pohimet që u përhapën në atë kohë nga qarqe të caktuara greke e që kanë ardhur deri në ditët tona, nëpërmjet shkrimeve të papërgjegjshme greke në librat e shkrimet e tyre, për bashkëpunimin e çamëve me pushtuesin, me sa duket kanë qëllime të caktuara dhe shtrembërojnë në mënyrë flagrante të vërtetat historike. Në këtë përfundim ka arritur edhe historiani grek Niko Ziagkos (Zhanga), kur nënvizon: “Sikur shqiptarët çamë të ishin vrasës e kriminelë, do të ishin të zhdukur gjithë fshatrat e krishtere të Çamërisë, që ishin rreth fshatrave myslimanë”.(Burimi: Nik. G.Ziagkos, Anglikos…, vell.I,f,146). Ky qëndrim dhe këto dëshmi i kanë deklaruar shumë çamë që në vitin 1940 ishin mobilizuar nga qeveria greke për punë angari. Por plani i qeverisë greke ishte i qartë, synonte shkombëtarizimin e Çamërisë dhe largimin e tyre nga trojet e të parëve. Kështu, oficeri i xhandarmërisë së Filatit, në korrik të vitit 1940, i rrihte shqiptarët në mes të pazarit të Filatit, duke i akuzuar si agjentë të italianëve dhe i kërcënonte se nuk do të linte këmbë çami të gjallë”(Burimi: AMPJ, Tiranë, dosja nr. 42, viti 1944, f.87).


HEROIZMI ÇAM NË LUFTË 

Akuzat dhe motivet e arrestimit të parisë çame, bien ndesh me traditën historike të çamëve dhe besnikërinë që treguan ata në mbrojtje të krishterëve si dhe renditjen e qindra djemve çamë në Luftën Antifashiste. Kështu Muharrem Demi, Petri Musa Demi, Dervish Dajaka, Mustafa Dauti, Qamil Izeti, Ismail Hamiti, Gani Demi etj, u inkuadruan që në fillim në batalionin miks e shumë djelmosha çamë të tjerë u rreshtuan në formacionet e para të Luftës Antifashiste mes të cilëve do të veçonim: Taho Sejkon, Teme Sejkon, Hilmi Seitin, Tahir Demin, Vehip Demin, Heroin e Popullit Ali Demi, dëshmorin Bido Sejko etj.
Opinioni i shëndoshë grek në Çamëri, që i njihte nga afër çamët, nuk pajtohej as me veprimet e qeverisë dhe të administratës lokale për veprimet e dhunshme, që kishte filluar ndaj çamëve, as me shpiijet dhe akuzat pa bazë që hidheshin në adresë të shqiptarëve. Një ndër figurat më të njohura vllehe në Gumenicë, që ishte i njohur e kishte emër të mirë në të gjithë Çamërinë e më tej, ishte Kristo Pituli. Ai, protestoi kundër qeveritarëve lokalë për gjuetinë e shtrigave që kishte ndërmarrë kundër çamëve të pafajshëm.


KUNDËR SHOVINIZMIT GREK 

Një rol të rëndësishëm kundër ‘Gjuetisë së shtrigave’, goditjen e qeverisë greke ndaj çamëve, luajtën paria dhe patriotët vendas. Ndër ‘ta, është dhe patrioti i njohur Kristo Petuli. Kur po hulumtoja për grumbullim të dhënash për të trajtuar figurën e nderuar të Kristo Dhimo Pitulit, pjesëtarët e familjes vllahe të Pitulenjve në Gumenicë, më ofruan disa fotografi nga ato pak materiale që u kishin shpëtuar pa u djegur në vitet e Luftës së Dytë Botërore, kur ishin djegur shtëpitë dhe dyqanet e tyre nga pushtuesit fashist e bashkëpunëtorët e tyre. Ndër materialet e ofruara, ishin dy fotografi që më tërhoqën vëmendjen se hidhnin dritë për historinë e lavdishme të familjes së Pitulenjve 100 vjet më parë, në luftërat ballkanike. Ato jo vetëm për mua por për çdo studiues ishin dokumente autentike shumë të rralla dhe në mungesë të një dokumentacioni të plotë për fisin e Pitulenjve, marrin vlera të veçanta informuese dhe e vendosin këtë fis të komunitetit vllah në piedestal nderi në histori si në përpjekjet e tij me përkushtim kundër sundimit osman, ashtu dhe për lidhjet e tyre me çetat shqiptare për lirinë dhe pavarësinë e kombit shqiptar.


HISTORIA NËPËRMJET FOTOGRAFIVE 

Dhe tani le të kthehemi te përmbajtja historike njëqindvjeçare e fotografive. Në njërën prej tyre paraqitet një grup luftëtarësh shqiptarë dhe vllahë në një marshim që i prin vllahu plak Dhimo Pituli, i veshur me kostumin karakteristik të një arhondi vllah. Përmbajtjen historike të kësaj fotografie ma zbërtheu Arkile Pituli, djali i vëllait të Kristo Pitulit. Arkileja, megjithëse i ka kaluar të 85- vjetët, është shumë i kthjellët dhe me logjikë të fortë. Fotografinë për të cilën bëhet fjalë, e shpjegoi në këtë mënyrë:
“Fotografia i takon fillimit të shekullit XX, afërsisht viteve 1902-1903. Në atë kohë Pitulenjtë ishin një fis i madh me emër dhe me besë. Ata kishin tufa të mëdha bagëtish dhe shumë miq myslimanë e të krishterë në krahinën e Korçës, në Kolonjë e Leskovik, në Konispol, Delvinë, në Përmet dhe në të gjithë hapësirën çame. Dhimo ishte i pari i fisit të Pitulenjve. Ai i kishte kaluar të gjashtëdhjetat, por ishte tepër i fuqishëm dhe energjik. Ai kishte krijuar lidhje të hershme jo vetëm me parinë e krahinave që përmendëm, por edhe me njerëzit e thjeshtë. Ai i mbante dhe i respektonte miqtë dhe kjo kishte bërë që të gëzonte besimin dhe respektin e të gjithë atyre, që e kishin njohur. Ai ishte në lidhje të vazhdueshme me shqiptarët agallarë, se prej tyre blente çdo vit kullotat për të dimëruar tufat e bagëtive, kur zbrisnin në vjeshtë nga malet”. Kuptohet se ishin këto marrëdhënie korrekte që kishte krijuar Dhimo Pituli me shqiptarët, që në përbërjen e çetës së tij të armatosur kundër forcave osmane, të kishte pas vetes edhe shumë shqiptarë. 


PËR ÇAMËT, JETA-LUFTË… 

Fotografia e dytë daton vitet 1910-1912. Ajo paraqet në sfondin e parë katër luftëtarë të armatosur. Ata janë djemtë e Dhimo Pitulit, Jorgji Pituli, Kristo Pituli, Ndin Pituli dhe Thoma Pituli. Po të vrojtosh me kujdes fotografinë pas katër vëllezërve Pituli janë kasollet “shtëpi” të Pitulenjve që verojnë e dimërojnë në to si nomadë e që shtegtojnë tufat e bagëtive të tyre, aty ku sigurojnë kullotat për to.

Për problemin historik që trajtojmë në studimin tonë, kjo foto merr vlera të veçanta dhe plotëson një dokument autentik në mungesë të informacioneve për historinë e familjes së Pitulenjve. Kjo foto plotëson një kuadër të plotë, që shpreh lidhjet e Pitulenjve me shqiptarët në kryengritjen e përgjithshme anti osmane në vitet 1910-1912. Rreth kësaj fotoje me përmbajtje historike, Arkile Pituli më dha këto shpjegime: “Dhimo Pituli me djemtë e tij asnjëherë nuk i uli armët, derisa u përmbys pushtimi osman në Ballkan. Në vitet 1910-1912, gjyshi im Dhimua, ishte plakur dhe nuk mund të rendte më maleve me çetat kryengritëse anti osmane. Rrugën e tij e ndoqën të katër djemtë e tij. Ata ishin kudo mes çetave kryengritëse në Shqipërinë e Jugut. Thoma Pituli, që ishte dhe djali i tretë i Dhimos, ishte pjesëtar i çetës së Gani Butkës dhe në fillimet e verës së vitit 1911 kur ishte kthyer Themistokli Gërmeni në rrethet e Korçës nga Korfuzi përmes Çamërisë për të organizuar kryengritjen e Përgjithshme Shqiptare, Thomai ishte një luftëtar aktiv në çetat shqiptare në Shqipërinë e Jugut, përkrah Gani Butkës e Themistokli Germenit”. Kjo histori e shkurtër e fisit të Pitulenjve në përgjithësi dhe e Dhimo Pitulit e djemve te tij në veçanti, që zenë një vend të nderuar në historinë e luftërave ballkanike, përkrah forcave kryengritëse shqiptare kundër sundimit osman, si dhe lidhjet e kahershme të tyre me shqiptarët, kërkon hulumtime të mëtejshme dhe një objekt studimi të veçantë.
 
Huazuar nga Gazeta Dita
 

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen