Samstag, 6. Dezember 2014

Dëbimi i çamëve dhe kolonizimi i fshatrave

Sikur të mos mjaftonin vuajtjet e shumta të shqiptarëve në Çamëri, qeveria greke stisi edhe një masë tjetër djallëzore e tinëzare për të spastruar përfundimisht shqiptarët nga trojet e tyre autoktone, kolonizimin e fshatrave shqiptare. Këtë, qeveria greke e bën enkas një urdhër të veçantë për Çamërinë, ku sipas të cilit, çamët të shisnin tokat dhe të largoheshin në drejtim të Turqisë. E kjo, siç u vërtetua më pas, do të bëhej nëpërmjet dhunës. Përballë heshtjes së qeverive të Europës, agresionit e genocidit grek, çamët nisën të vetë organizohen.
Këtë situatë, nëpërmjet dokumenteve e dëshmive, e sjellë në vazhdim historiani Hajredin Isufi.


URDHËRI I QEVERISË GREKE 

Ministria greke e Bujqësisë kishte bërë një ligj, sipas të cilit lejonte shqiptarët çamë të shisnin pasuritë e tyre. “Me këtë ligj të bërë enkas për Çamërinë, informonte një diplomat shqiptar në Athinë, kuptohet qartë se qeveria greke po përdor çdo mjet për të përzënë minoritetin çam (Burimi: Raporti i Lec Kurtit, i ngarkuari me punë në Legatën shqiptare në Athinë, dërguar Hysen Vrionit, Ministër i Punëve të Jashtme në Tiranë, Athinë, 14 qershor 1926. Shih në: AQSH, F. 251, 1926, dos. 119, f. 23-25). Kështu, çamët do të shisnin pasuritë e tyre dhe do të iknin në Turqi.  Për blerjen e tokave bujqësore administrata lokale në Çamëri vuri në shënjestër të parë fshatrat me prona të mëdha në kazanë e Margëlliçit. Në Smokovinë, një fshat i përzierë në kazanë e Margëlliçit, jetonin 120 familje shqiptare bashkë me 200 familje të krishtera. Banka bujqësore dhe administratorët e Prevezës në pazarllëqet për shitje e blerje tokash, thuhet në një dokument, se kishin aktivizuar priftin e Karterës dhe një sekser mysliman nga ai fshat, i quajtur Beqo Hamiti.(Burimi:  Raporti i Maksut Hulsiut, Kryekonsull i mbretërisë shqiptare në Janinë, drejtuar Eqerem Bej Vlorës, Ministër i Punëve të Jashtme në Tiranë, Janinë 14 mars 1938. Shih në: AQSH, F. 251, 1938, dos. 108, f. 23-25). Ky i fundit, theksonin burimet diplomatike shqiptare, kishte marrë përsipër për t’u mbushur mendjen 30 familjeve shqiptare që t’u shisnin pronat e tyre të krishterëve dhe për shërbimet që kryente  kishte marrë premtim nga prifti se do të merrte shpërblim.


DREJT KOLONIZIMIT TË PLOTË 

Aksionin për shitjen  e tokave, qeveritarët grekë  me ndihmën e individëve të veçantë çamë e shtrinë edhe në fshatin e Volës, fshat që i përkiste juridiksionit të Gumenicës. Planet e Bankës bujqësore u menduan fillimisht se do të ishin të suksesshme për dy arsye. E para, se pronarët ishin të lodhur nga shtypja e vazhdueshme dhe pasiguria që kishin dhe, së dyti, kishin gjetur edhe mbështetës për këtë plan nga elementi shqiptar. Kështu në Volë, thuhet në dokument, ishte aktivizuar Emin Zëri, që t’u mbushte mendjen volotëve të shisnin ç’kishin e të niseshin për në Turqi. Sipas raportit diplomatik të cilit i referohemi, rreth 150 familje shqiptare në Smokovinë e në Volë kishin rënë pre e atyre makinacioneve dhe kishin bërë pazar për shitjen e pronave të tyre, megjithëse me vlera shumë më të ulëta se sa vlenin realisht. Ideja e shpërnguljes së çamëve po përhapej si kolerë jo vetëm në Margëlliç, por edhe në krahinat e tjera të Çamërisë. Athina me anën e Bankës bujqësore kishte akorduar një kredi prej 2 milion dhrahmish, që për kohën ishte një shumë e konsiderueshme. Këtë shumë e administronte prifti Papa Andrea i Karterës. Planet e Athinës për blerjen e pronave të shqiptarëve në radhë të parë synonin kolonizimin e fshatrave që ishin të banuara kryesisht nga shqiptarë. Greqia parashikonte që sapo të bliheshin pronat e shqiptarëve kjo do të sillte largimin e menjëhershëm të tyre drejt Turqisë. Në këtë mënyrë Athina bënte një spastrim etnik pa zhurmë e bujë dhe do të propagandonte se largimi ishte një zgjidhje me vullnet të lirë e vetë çamëve. Situata e rëndë që ishte krijuar i kishte alarmuar rrethet patriotike në Margëlliç. Ata shihnin se përballë gjendjes së rëndë që përjetonte popullsia shqiptare, shitja e pronave dhe largimi një orë e më parë për të shpëtuar jetën dhe nderin ishte një zgjidhje edhe pse me dhimbje.


VENDIMI ÇAM:JO SHITJES SË PRONAVE! 

Në këtë kohë Jasini vendosi të organizojë një mbledhje me parinë e fshatrave të kazasë së Margëlliçit për të frenuar shitjen e pronave dhe për të ngjallur besimin tek fshatarët dhe bindur të mos i shisnin pronat e të braktisnin vendin e tyre. Jasini mendoi ta shtronte këtë ide në një takim me përfaqësuesit e fiseve dhe pleqësinë e fshatrave të kazasë së Margëlliçit e më tej. Sipas dëshmisë që na sjell Avdullah Kasemi e bashkëkohës të tjerë, thuhet se vendi i takimit u caktua shtëpia e Osman Llugës. Aty u mblodhën nën hijen e një arre në një shesh të madh. Përveç parisë së Margëlliçit, ishin të pranishëm, si të ftuar: Bido Dulja nga Grava, B. Banushi dhe Mehmet Jaho nga Skopjona, Ahmet Abdurrahmani nga Arpica, si dhe paria e Mazerrekut: Ferhat Muhameti e Hamit Muhameti, Tahir Metja, Meto Osmani, Shaqir Sulejmani, Cen Veliu, Mulla Hamzai etj. Jasini në fjalën e shkurtër përpara të pranishmëve vuri theksin në veprimet që kishte ndërmarrë qeveria greke dhe mbështetjen që kishte gjetur ajo tek disa elementë të veçuar çamë. Në fund të fjalës së tij Jasini u bëri thirrje të pranishmëve se do të ishte një veprim patriotik që të punohej me fshatarët në mënyrë që ata të mos i shisnin pronat dhe nëse ndonjëri e kishte ndarë mendjen për ta shitur, t’ua blinin bashkëfshatarët. Ky ishte mesazhi që u përcolli të pranishmëve Jasin Sadiku. Haxhi Braho, në fjalën e tij tha:
“Qeveria na ka marrë edhe kopshtet dhe çdonjëri prej nesh këtu, mund ta quajë marrëzi të blejë sot prona. Unë dua t’i qetësoj këta zotërinj. Nëse sot për sot në pasuritë tona janë bërë pronarë bujqit e krishterë; ata janë të përkohshëm: ato kanë qenë dhe do të jenë tonat! Çamërinë do ta dënojmë me vdekje vetëm nëse shesim pronat në këto ditë të vështira e pastaj ajo të popullohet me grekë. Kjo s’duhet të ndodhë!”.  Me këto fjalë e përfundoi ligjëratën e tij atdhetari nga Margëlliçi. Këtë mendim kishin të gjithë të pranishmit.


SHKRIJNË PASURINË, BLEJNË PRONAT 

Nuk do të rendis pronat e shumta që blenë disa pronarë nga individë që kishin vendosur të largoheshin në kuadrin e shkëmbimit e në kohë e frenimit të kolonizimit të fshatrave shqiptare në Çamëri. Në këtë hark kohor rreth problemit që trajtojmë, Jasin Sadiku dha shembullin i pari duke blerë prona që bashkëqytetarët e tij ishin duke bërë pazar për t’ua shitur kush t’i dilte përpara. Jasini bleu dy çifligje, njërin nga bashkëqytetari i tij Sel Meleqi dhe më pas çifligun e Mulla Meçit. Vëllezërit Sadikaj pronat e tyre i kishin në Morf. Aty kishin toka arë dhe kullotat, ku në stinën e dimrit mund të dimëronin qindra kokë bagëti. Kjo kullotë ishte në vendin e quajtur Krakull. Këtë Jasini ua jepte vllehve për të nxjerrë nga dimri tufën e bagëtive, kundrejt pagesës. Ashtu si Jasini edhe Çaparenjtë blenë prona, jo se kishin nevojë për to, por për të ndalur kolonizimin e fshatrave. Blerje të tjera u bënë edhe në Mazerrek, ku Ahmet Abazi nga lagja “Haskar” bleu shtëpinë dhe tokat e Omer Isait, e në fshatra të tjera. Kjo ishte një periudhë që pati fluksin më të madh të emigracionit nga Çamëria.

Në korrik të vitit 1926 parlamenti grek kishte nxjerrë një amendament shtesë të nenit 119, sipas të cilit pronat bujqësore të bujqve që nuk kalonin 300 streme përjashtoheshin nga shpronësimet. Në fakt qeveria greke nuk i respektonte amendamentet, përkundrazi komisioni i shpronësimit i shpronësoi të gjithë pronarët, madje edhe ata që kishin 10-15 streme (Burimi: Gazeta “Bashkimi”, 16 shtator 1926, gazeta “Demokratia”, Gjirokastor, 32 nëntor 1931).


PASOJAT 

Kjo ishte goditja më e rëndë që pësuan pronarët e Margëlliçit dhe në të gjithë Çamërinë. Kështu, Hamza Rojba, pronari i çifligut në fshatin Koron të Frarit, prej të cilit merrte të ardhura të konsiderueshme, u shpronësua dhe s’mori asnjë dhrahmi në dorë. Edhe familjes së Jatrenjve të Margëlliçit iu shpronësuan shumë prona të mëdha në “Jonuz”, në “Trikopalluk” dhe në “Arez”. Të gjitha këto prona ishin në fushën e Frarit. Këto prona edhe pse u vlerësuan nga komisioni që pronari do të shpërblehej me 65% të vlerës, në fakt nuk morën asgjë. Të njëjtin fat pati edhe pronari i madh Musa Karanopulli nga Margëlliçi. Atij i morën çifligjet në “Kazantaq”. Nga furtuna e shpronësimeve nuk shpëtuan as vëllezërit Karameto. Atyre iu morën çifligjet në “Karava”, “tokat Cimidi”, në “Landorah”, në “Beshir”, etj. (Burimi, i cituar më sipër). Shpronësimet u shoqëruan me një varg protestash si në shtypin e kohës, ashtu dhe me ankesa në Lidhjen e Kombeve.


HIPOKRIZIA GREKE

Mihalokopoulis, Ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë, ankesave të shqiptarëve të Çamërisë iu përgjigj në Lidhjen e Kombeve se “sapo të kthehej në Athinë do të urdhëronte njohjen e të gjitha të drejtave të shqiptarëve si pakica shqiptare në Greqi”. (Burimi: Gazeta “Drita”, Gjirokastër, 22 mars 1928). Por edhe pas kthimit në Greqi nuk e mbajti premtimin e dhënë. Për situatën e trazuar që ishte krijuar korrespondenti i gazetës greke “Tahidhromos” që botohej në Egjypt, shtronte pyetjen: “Ç’duhet të bënte shteti grek për pakicat që gjendeshin në Greqi?”.  Një zyrtar i lartë grek, Dragumis, po në editorialin e asaj gazete, i përgjigjej: “Më parë të shohim se cilat pakica gjenden në Greqi, që të kuptojmë mirë se ç’duhet bërë për to. Në Greqi ndodhen myslimanë turk të Thrakës perëndimore, çifutët e Selanikut, sllavët me ndjenja bullgare, vllehtë e Maqedonisë me ndjenja rumune dhe shqiptarët çamë të Epirit. Këto pakica s’kanë rëndësi, se nuk e kalojnë një të njëzetën e popullsisë greke….

Ne duam që mësuesit dhe klerikët të jenë nën kontrollin e shtetit si gjithë punonjësit e tjerë të arsimit. Shteti grek ka të drejtë absolute dhe detyrë të godasë çdo lëvizje autonomiste ose shpirtërore nga pakicat, nga ana e pakicave, ose nga shtetet e huaja”. (Burimi: Gazeta e “Re”, Tiranë, 15 gusht 1929).

Ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë e hoqi veten si të paditur dhe bëri sikur u çudit në Gjenevë, kur Iliaz Vrioni, Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, u ankua për qëndrimet e Greqisë ndaj çështjes çame.(Burimi: Gazeta “Demokratia”, Gjirokastër, 17 dhjetor 1927).
Nga ana tjetër, përfaqësuesi i Greqisë në Shqipëri, Kokotakis, i mohoi të gjitha ato që thuheshin për vuajtjet e çamëve në Greqi dhe deklaroi se: “Ata i gëzojnë të gjitha të drejtat dhe janë minoriteti më i lumtur në botë”( Burimi: Po aty). Deklaratat e Ministrit të Jashtëm të Greqisë si dhe ajo e zyrtarit të lartë grek në Tiranë, ishin të qarta për të kuptuar hipokrizinë e Athinës dhe qëndrimin e pandryshuar të saj ndaj minoritetit shqiptar në Greqi.


MARRËVESHJA E ÇAMËVE 

Jasin Sadiku edhe me anën e miqve të tij që kishte në Filat dhe në Prevezë e merrte shtypin e përditshëm që dilte brenda e jashtë vendit, nëpërmjet të cilit merrte një informacion të bollshëm për qëndrimin e qeverisë greke ndaj shqiptarëve. Ai shihte se as qeveria shqiptare dhe as Lidhja e Kombeve, nuk kishte autoritetin për ta ndryshuar rrjedhën që kishin marrë ngjarjet në Çamëri. Agai i Margëlliçit kishte arritur në përfundimin se shqiptarët në Çamëri nuk kishin asnjë mbështetje për mbrojtjen e të drejtave të tyre mbi pronësinë. Në këto rrethana, paria e Margëlliçit shihte se pronarët po i lanin duart nga pronat e veta. Kjo situatë e dhimbshme bëri që ata të mendonin vetë një rrugë shpëtimi, e kjo do të ishte një marrëveshje me miqtë e tyre të krishterë, që i konsideronin jo vetëm miq por edhe të besës, me shpresën se jo vetëm do të merrnin ndonjë burim të ardhurash nga qeraja e tyre, por dhe do t’i shpëtonin ato nga grabitja e të krishterëve dhe e shtetit grek.


RRUGA E ZGJIDHJES PËR PRONAT 

Bejlerët e Margëlliçit nisën të vrasin mendjen e të përzgjedhin në radhët e miqve të krishterë se cilët do të bënin ortakë të pronave të tyre që me anën e dokumentacionit do të konsideroheshin “de facto” të ligjshëm. Lidhur me këtë nismë nga dëshmitë e kohës kemi dy raste në Margëlliç. Së pari, Jakup Çapari, kishte për vëllam një të krishterë nga një fshat i vogël në rrethinat e Prevezës. Beu i Luaratit shkoi te vëllami i tij dhe i tha se ishte gati t’i bënte prokurën e pronësisë së tij në zyrat e Prevezës, duke i treguar jo vetëm situatën në të cilën ndodhej, por edhe besimin që kishte tek krishteri. Vëllami i krishterë e pranoi propozimin e Jakupit dhe dha besën së prona sido që të rridhnin ngjarjet do të kishte pronar të ligjshëm, pronarin e vërtetë. Rasti i dytë është ai i Jasin Sadikut. Ky kishte një kullotë të madhe në Margëlliç që njihej me emrin “Krakulla”. Jasini, në mes miqve të shumtë të krishterë e vlleh, zgjodhi për t’i bërë nga halli, pronësinë  e “Krakullës” një miku të vjetër. Ai që përzgjodhi Jasini ishte çelniku, vllahu Nikolla Mano. Ai njeri si për Jasinin ashtu dhe për të tjerët që e njihnin kishte një emër të mirë dhe një rreth të gjerë miqsh si në komunitetin mysliman ashtu dhe në atë të krishterë. Jasini ia besoi pronësinë e kullotës së tij, sipas dëshmive të një pjese të madhe të margëlliçiotëve, bashkëkohës të Jasinit, Nikolla Manos, kundrejt një qeraje të arsyeshme, për të cilën kishin mbetur të kënaqur të dyja palët. Nikolla Mano për vite me radhë i qëndroi korrekt marrëveshjes së bërë dhe miqësia vazhdonte të ishte mes tyre korrekte dhe e qëndrueshme. Por, më vonë, vllehu Nikolla Mano, e preu në besë mikun e tij të vjetër Jasin Sadikun, duke refuzuar t’i jepte qeranë e madje për të mos e njohur si pronar të ligjshëm.

Huazuar nga Gazeta Dita 

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen