Freitag, 5. Dezember 2014

Toleranca fetare në Çamëri

Toleranca fetare, martesat e ndërsjella mes dy besimeve, harmonia e ndihma për njëri-tjetrin, ishin ‘armët’ e efektshme që popullsia çame përdori kundër ndërrimit të dhunshëm të besimit fetar dhe shfrytëzimit nga pushtuesit. Uniteti çam, më shumë se kurrë, nis të reflektohet në gjithë aspektet e jetës së përditshme, në dasma, gëzime e hidhërime, në punë stinore e kudo… Historiani i njohur Hajredin Isufi, sjell dokumente e dëshmi të tolerancës fetare në Çamëri, trimërinë përballë pushtuesit për mbrojtjen e nderit dhe dinjitetit…


QËNDRESA E SULJOTËVE

Islamizimi në Çamëri mori përmasa të mëdha dhe arriti kulmin në 30 vjetët e para të shek. XVIII. Në vitin 1732, me urdhër të Portës së Lartë, u nis një ekspeditë ndëshkimore kundër suljotëve të “pabindur” e të rebeluar ndaj pushtuesit osman dhe agallarëve myslimanë vendas. Suljotët, qysh në fillimet e pushtimit osman ishin larguar nga ultësirat e Çamërisë për të ruajtur fenë e tyre të krishterë dhe ishin vendosur në lartësitë e maleve të Sulit, ku kishin krijuar vendbanimet e reja të tyre. Suli, një krahinë malore, bënte pjesë nga pikëpamja administrative në kazanë e Paramithisë. Ai ndodhej në juglindje të saj. Suljotët zotëronin toka të pakta bujqësore, prandaj në jetën e tyre ekonomike rolin kryesor e luante blegtoria, e përfaqësuar nga bagëtitë e imta, kryesisht dhia. Jeta ekonomike- shoqërore, politike dhe juridike e banorëve të saj rregullohej sipas të drejtës zakonore lokale. Pushtuesit osmanë u orvatën t’ua hiqnin suljotëve venomet tradicionale. Kjo ekspeditë u nxit edhe nga venecianët. (Burimi: Kr.Perevou. Istoria Souliou. Athinë. 1857). Ndërmarrja e forcave osmane nuk qe e suksesshme. Qëndresa e vendosur e suljotëve bëri që forcat e shumta ushtarake osmane të zmbrapsen, duke lënë nëpër honet e grykave e gërxheve të Sulit shumë të vrarë. 12 vjet më vonë, në vjeshtën e vitit 1759, komanda e lartë e ushtrisë osmane në Janinë, ndërmori një ekspeditë të re kundër suljotëve. Disfata që pësuan osmanët në ekspeditat ushtarake kundër Sulit e suljotëve, bëri që të ndërmarrin veprime të dhunshme ndaj fshatrave të krishtera në Çamëri, (sipas historianëve P. Aravantino, Spiro Muselimi, V. Krapsiti, K. Perovoi etj). Këto veprime bënë që shumë fshatra të krishtera në krahinën e Margëlliçit të pranonin fenë myslimane.(Burimi: P. Aravantinoi. Cronografia tis Ipeirou, Vol I, faqe 245-246). Islamizimi në Çamëri njohu shtrirje të dukshme pas ngjarjeve të Orvollit(1768-1774), Traktatit të Kyçuk-Kajanxhisë(1774, midis dy shteteve ndërluftuese, Rusisë dhe Perandorisë Osmane… 


TOLERANCA FETARE NË ÇAMËRI

Autorë të huaj, që e kanë vizituar Çamërinë në fillim të shek. XIX, dëshmojnë për tolerancë fetare të shqiptarëve çamë dhe indiferentizmin e tyre ndaj fesë. Lidhur me këtë, Bartoldy shkruan se shqiptarët e islamizuar nuk ishin në gjendje të shpjegonin se si kishin kaluar në fenë islame. Ai nënvizon se myslimanët e Paramithisë kanë shumë pak njohuri për fenë e tyre, gratë nuk i mbajnë të mbuluara me ferexhe, ata pinë verë e nuk e kanë për zor të bëjnë lidhje martesore me të krishterët.(Burimi: Eteria Ipirotikon Spoudan…, vep. E përm., f.212”.

I njëjti autor shtor se në qoftë se bashkëshortët janë të feve të ndryshme, gruaja, në të njëjtin tigan, skuq një copë mish dashi për njërin dhe një copë mist derri për tjetrin.(Burimi: J.L.S. Bartholdy, Voyage en Greece, Tom II, f243-245). Hjuzi(T.S. Hughes, Travels in Greece and Albania, London, 1830, bot. II, vëll.ll, f.lO5)ishte një klerik anglikan, që ka shëtitur nëpër Çamër në fillim të shek. XIX e ka dhënë disa shpjegime që shprehin qartë tolerancën fetare në atë krahinë. “Shqiptarët muhamedanë – shkruan ai, – me fenë e re që morën nuk i respektojnë doktrina fetare islamike”. Myslimani merr për bashkëshorte një grua të krishterë, i çon djemtë në xhami dhe i lejon vajzat ta shoqërojnë nënën e tyre në kishë.Përfundimet që kishin arritur nga afër dy studiuesit dhe vrojtuesit, që përmendëm më sipër, i shpie edhe më tej një autor tjetër, Montagy, e cila duke shpjeguar lidhjet dhe tolerancën fetare mes myslimanëve e të krishterëve tek shqiptarët, shkruan se myslimanët e të krishterët shqiptarë nuk ishin në gjendje të përcaktonin se cila prej feve të tyre ishte më e mira, prandaj të premten ata shkonin në xhami e të shtunën në kishë.(Burimi:Lady Mori Wartheley Montagy: Letra dhe vepra, Leret Warnhiffe, Filadelphie, 1837, vëll.I, f.252).Një aspekt tjetër të indiferentizmit fetar na e jep edhe oficeri francez, Adolf Carber nën emrin Ibrahim Mensur Efendiu. Ai ka qëndruar për shumë kohë pranë Ali Pashë Tepelenës. Në veprën e tij(Burimi: J.M. Efendi, Kujtime për Ali Pashën, Tiranë, 2003, f. 57.) shkruan se ata që njihen si muhamedanë, nuk dinë gjë tjetër, nga pikëpamja fetare, veçse të deklarojnë se janë turq, se fjalën mysliman nuk e njohin dhe akoma më shumë nuk njohin islamin. Ndërsa ata që e konsiderojnë veten të krishterë, vazhdon më tej ky autor, mjafton ta quajnë veten kaurë, që është një bastardim i fjalës turke ‘guyaur’, që do të thotë i pabesë, sipas riti të kishës greko-bizantine(Burimi: Ai i cituar më parë).


MUSA DEMI PËR  TOLERANCËN

Shembuj të tolerancës fetare në Çamëri na jep atdhetari i shquar Musa Demi nga Filati, në një artikull të botuar në gazetën “Dielli” të Bostonit, më 22 tetor të vitit 1909: “…përpara lirisë (lexo: përpara revolucionit xhonturk të vitit 1908), myslimanët e të krishterët kanë shkuar shumë mirë dhe si u shpall liria pa vështruar fe a din, të gjithë bashkë u puthën në xhami të Filatit, që të mos mbetej asnjë armiqësi e vogël midis tyre. Akoma edhe për të ngrirë fanatizmin e besës (besimit) në kishën e Filatit, që s’kishte kambanë, u zotuan myslimanët shqiptarë që të bien kambanën dhe kështu e prunë. Ditën që u var kambana, u mblodhëm në mitropoli më shumë se 150 myslimanë dhe hoxhë dhe e shpunë në kishë dhe repara (përpara) që e vuri dhe i ra qe hoxhë”. E më tej Musa Demi vijon duke thënë se me këtë parathënie “dua të them që fanatizëm bese (besimi) nuk ka”. Dhe ai shtronte pyetjen: “kur u shthurën myslimanët me ca të krishterë? Kur ne hapëm klubin dhe shkollën shqipe këtu dhe Ethniqi Eteria, i mbushi me armë dhe i këshilloi me anë të dhespotit të bashkohen me Greqinë e të punojnë për “Ethniqi Eterinë”. Kështu u derdhën kundër shqiptarëve saqë një shqiptar mysliman s’vij dot me një fshat të krishterë se pa dëm s’kthehej.


UNITETI MES ÇAMËVE

Në Çamëri, si në mbarë trojet shqiptare, marrëdhëniet midis myslimanëve e të krishterëve, nuk u karakterizuan asnjëherë nga urrejtja mes tyre. “Myslimanët e Çamërisë, – shkruan J. Sharra në veprën e tij(Burimi: J. Sarras, vep. e përm.,f,171)., – nuk vepruan kurrë me dëshirën e tyre kundër të krishterëve, përveç elementëve të veçantë dhe reagimeve momentale. Çdo veprim i dhunshëm që mund të kryhej, – thotë autori, – nxitej drejtpërdrejt sidomos nga nacionalistë e çifligarë”. Ata ruajtën me xhelozi traditën shqiptare: doket, zakonet, marrëdhëniet miqësore e vëllazërore mes tyre. Në ditë feste, shkruan historiania greke e ditëve tona Toula Mallakata, në veprën e saj “Margariti”(Burimi:T. Stefanidou Malakata, Margariti), “myslimanët e të krishterët festonin bashkë: Xhemua me violinë, Fantasi me lahutë, Xurri me def dhe Pulisi me klarinetë ekzekutonin melodi të bukura të këngës së ‘Minushit’ e këngë të tjera çame e të gjithë së bashku kalonin çaste të gëzuara”. Kjo studiuese në këtë vepër sjell një të dhënë interesante që tregon marrëdhëniet e mira mes myslimanëve e të krishterëve çamë. Ajo tregon se në vitet ’30 të shekullit të shkuar, në një kishë greke në periferi të Margëlliçit, kishte rënë një zjarr. Ndërkohë burrat ishin të gjithë në fusha e në pazar. Në kohën kur flakë dhe tymi doli nga çatia e kishës, të parat që i dalluan ishin gratë myslimane. Ato nisën menjëherë fëmijët për në pazar e në fusha të lajmëronin banorët e fshatit se kisha kishte marrë flakë. “Të parët qt mbërritën për të shuar flakët dhe luftonin me zjarrin, thotë autorja ishin myslimanët e Margëlliçit”, mes tyre ajo përmend Hasanin dhe Osmanin nga lagjja “Driza”. Më pas arritën edhe të tjerë, Taqi e Nikolla dhe që të gjithë së bashku, si vëllai me vëllanë, luftuan me flakët dhe arritën të shpëtonin kishën nga djegia.(Burimi: Ai i cituar më parë). Ajo gjithashtu tregon se, në ditët e krishtlindjeve, në meshën festive në kishën e fshatit Margëlliç, merrnin pjesë edhe shumë myslimanë margëlliçiotë si dëgjues në atë ceremoni të shënuar fetare. Gjithashtu autorja ve në dukje se të krishterët për pashkët zienin dhe ngjyrosnin shumë vezë të kuqe, se në shtëpitë e të krishterëve shkonin për urim shumë myslimanë dhe të gjithë qeraseshin veç të tjerave dhe me vezë të kuqe, jo vetëm për ata myslimanë që ishin për vizitë, por edhe për pjesëtarët e familjes.

Kur flitet për procesin e islamizimit në Çamëri, është e rëndësishme të theksohet dhe një dukuri tjetër interesante: të islamizuarit e dinin jo vetëm prejardhjen e tyre, por edhe origjinën e fshatit e të qytetit e të tyre, lidhjet fisnore që kishin me të islamizuarit, madje përafërsisht dhe kohën kur ishin bërë myslimanë(Burimi: Pouqueville, Voyage de la Grëce, vëll. I, f.259).Dinin dhe lidhjet farefisnore që kishin shumë familje myslimane e të krishtera midis tyre.”Besnikëria e myslimanëve shqiptarë ndaj Islamit nuk i përngjan aspak bindjeve kokëforta të muhamedanëve aziatikë”, thotë Dora d’Istria. Ajo vijon më tej: “Krenaria kombëtare ishte e gjallë te shqiptarët, saqë edhe ato që e kishin përqafuar Islamin, i përbuznin osmanët”.Burimet historike tregojnë se shqiptarët që mohuan krishterimin, kanë luajtur në Perandorinë Osmane një rol të rëndësishëm. Por këta shqiptarë që ishin në sferat e larta në Perandorinë Osmane, nuk pushuan së lëvizuri heshtazi për të krijuar një Shqipëri të pavarur.


LIDHJET E GJAKUT NË ÇAMËRI

Lidhjet e gjakut mes myslimanëve e të krishterëve çamër i dëshmojnë burime të shumta historike. Kjo tregon tek popullsia autoktone e asaj krahine, edhe pse u krye një përzierje fetare, lidhjet mes fiseve pa dallime fetare u ruajtën dhe u transmetuan në breza deri në ditët tona. Ato janë pasqyruar nga shumë autorë grekë dhe të huaj si dhe në dëshmitë autentike që japin vetë fiset myslimane e të krishtere për këto lidhje gjaku. Njeri nga autorët e krishterë çamë, Vasil Krapsiti nga Paramithia, në njerën nga veprat e ti(‘Vas Krapsites, Oi Mousulmanoi Tsamides tis Thesprotias), duke folur për këto lidhje shkruan se kujtonte nga fëmijëria e tij lidhjet fisnore midis banorëve të krishterë të fshatit Draganj me familje myslimane të fshatit mysliman Karbunarë. Po ky autor, në vijim të veprës së tij, jep shembuj konkretë të këtyre lidhjeve duke thënë: “Deri në vitet e fundit ka pasë myslimanë e të krishterë, që mes tyre kishin lidhje farefisnie si p.sh. Marazapulenjtë e Dhragomisë me Jasin Aliun e Gardhiqitose fisi i Dinenjve në fshatin Psakë (të Paramithisë) me familje myslimane të fshatit të Nikolicanjit”. Historiani paramithiot këto lidhje i shtrin edhe në fshatra të tjera. Sipas Krapsitit, Sako Xhaferri, nga fshati Koriqan, pasi u islamizua dhe mori emrin mysliman Sako, shkoi dhe u stabilizua në rrethin e tij të ngushtë në fshatin Dramës, një fshat fqinj me Koriqanin, që kishte nisur të popullohej kryesisht me të islamizuar. Këto lidhje, siç tregojnë të moshuarit, mes fisit të Sako Xhaferrit dhe të krishterëve të Koriqanit, ishin të vjetra dhe u ruajtën dhe u transmetuan nga brezi në brez deri në vitin 1944, kohë në të cilën u shpërngulën çamët me dhunë.


FISNIKËRI ÇAME

Një dëshmi tjetër interesante është edhe ajo e Jani Sharrës. Në veprën e tij ai na sjellë disa detaje interesante të lidhjeve farë e fisnore që ekzistojnë në mes të Sharrenjve të krishterë të fshatit Kastri (Gumenicë) dhe fisit të madh mysliman të Kleftatëve në fshatin Varfanj. Ja dhe një histori që sjellë ai: Një ditë, një nuse nga të familjes së Sharrenjve, shkoi tek kroi për të mbushur ujë. Nusja ishte një nga femrat më të bukura të fshatit. Bukuria e saj i kishte tërhequr vëmendjen kajmekamit turk. Ai, sa herë që shkonte nusja në krua, e vërente me kujdes dhe një ditë, duke menduar se e krishtera ishte pa mbrojtje, e provokoi në çështje nderi. Nusja e tronditur rëndë nga fjalët e pahijshme që dëgjoi nga goja e kajmekamit, lë shtambën në krua dhe shkon drejt e në shtëpi. Ajo e skuqur nga turpi dhe e përlotur i tregon vjehrrës se çfarë i kishte ndodhur. Plaka e shtëpisë, pa pritur që të kuvendonte me djemtë për fyerjen që i ishte bërë fisit të madh të Sharrenjve në çështje nderi, çohet menjëherë, merr nje sopatë të vogël, që e mbanin si mjet të mprehtë për të prerë mish, e ve atë nën sqetull, duke u maskuar që të mos shihej e shkon drejt e tek kajmejkami, që ishte duke kuvenduar me dy-tre burra në qendër të fshatit.
- Kamejkam efendi! Të kam të lutur të më afrohesh një dakike se kam pak punë me ju,- iu drejtua plaka.
Ai ktheu paksa kokën dhe u nis për tek gruaja e krishterë, që ishte shtatë-tetë metra larg tij. Sapo iu afrua, ajo i tha: “Zotrote je i dërguar i qeverisë në një vend ku çdo njeri prej nesh e ka nderin gjënë më të shtrenjtë dhe kush ia prek atë, e paguan me kokën e tij”. Dhe në mënyrë të rrufeshme, plaka nxjerr sopatën e vogël dhe me një të goditur e pret kokën e kajmekamit si të një pule…


HAKMARRJA DHE…ZGJIDHJA

Vrasja e kajmekamit nga një grua e krishterë bëri shumë bujë dhe u përhap menjëherë në të gjithë krahinën e Çamërisë. Menjëherë pas kësaj ngjarjeje, fisi i Sharrenjve të Varfanjit u largua brenda ditës për në fshatin Kastri (Gumenicë), ndërsa burrat dolën maleve për t’u shpëtuar ndjekjeve e burgimeve të rënda. Në Varfanj arriti menjëherë xhandarmëria e Margëlliçit. Akuza kundër fisit të Sharrenjve ishte tepër e rëndë: “Kundërshtarë të qeverisë turke, që kishin ngritur krye e vrarë kajmekamin”. Në ato rrethana njeri nga djemtë e fisit të Sharrenjve, i shoqi i nuses që ishte provokuar, vendosi të dorëzohet, duke pranuar fajin e rëndë që kishte kryer e për ta larë këtë, u deklaroi zyrtarëve turq se ishte gati të bëhej mysliman. Që nga çasti që ky pranoi të ndërronte fenë, pushoi çdo ndjekje ndaj familjes së tij. Në këtë mënyrë Sharrenjtë u shpallën të pafajshëm. Djali i Sharrenjve që u islamizua, u kthye në fshatin e tij në Varfanj dhe mori emrin mysliman. Bashkëfshatarët e tij e pagëzuan me epitetin “Kleftë”, që në gjuhën popullore do të thotë kaçak. Këtë fis, që nga fillimi i shekullit XVIII, kur ndodhi ngjarja e deri në ditët tona, e njohin me emrin “Kleftatë”.  Me kalimin e viteve fisi i Kleftatëve u shtua shumë dhe u bë ndër fiset me emër jo vetëm në Varfanj, por në të gjithë Çamërinë, që krahas Pronjatëve e Çaparenjve, Daljanenjëve, Dematëve e Sejkatëve, Husove të Margëlliçit e Zigurenjve, përmenden në shumë burime historike vendase e të huaja si një fis i fuqishëm, që ka nxjerrë shumë figura të shquara në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare.


TJETËR DËSHMI UNITETI

Sa të forta e të qëndrueshme kishin qenë lidhjet e gjakut mes të krishterëve e myslimanëve në Çamëri si dhe marrëdhëniet e bashkëjetesës në harmoni mes tyre, le t i kthehemi episodeve që na përcjell Jani Sharra përmes veprës së tij. Me ardhjen në fuqi të diktatorit Jani Metaksaj, për nder të tij, më 4 gusht, zhvilloheshin manifestime popullore jo vetëm në qendrat kryesore të Greqisë, por edhe në Çamëri, ku merrnin pjesë myslimanët dhe të krishterët. Një manifestim i tillë u zhvillua edhe në Filat, më 4 gusht të vitit 1937.

Manifestuesit nga krahina të ndryshme të Çamërisë, ishin mbledhur në qendër të Filatit tek një shesh i madh, që njihej me emrin “Pusi i Gjerë” i qytetit. Ky pus i madh në qendër të qytetit, verë dhe dimër i mbushur plot me ujë, shërbente edhe si burim kryesor uji për qytetin.

Gjatë ceremonisë festive të 4 gushtit aksidentalisht bije në pus një djalë i ri i familjes së Sharrenjve. Ishte Dhimitri, që nuk i kishte mbushur ende të njëzet vjetët, i cili për një çast u gjend në fund të pusit. Të gjithë të pranishmit mbetën të tronditur. Këngët dhe vallet pushuan. Djali luftonte me vdekjen në ujin e ftohtë të pusit të thellë. Një djalosh mysliman nga Filati, Sali Jonuzi, mori guximin dhe ashtu i veshur siç ishte, u hodh në thellësi të pusit, e rrëmbeu trupin e Dhimitrit nga fundi i pusit dhe me lëvizje të shpejtë të këmbëve, po ngjitej drejt sipërfaqes. Por për fat të keq Dhimitri nuk jetonte më. Vdekja e Dhimitrit u kthye në ditë zie e dhembjeje të thellë në familjen e Sharrenjve në Kastri. Shumë miq të fisit të Sharrenjve, myslimanë e të krishterë nga Varfanji, Gumenica, Filati, Paramithia e fshatra, shkuan në fshatin Kastri për ngushëllime. Dhoma e miqve të Sharrenjve ishte mbushur plot me burra të vjetër e të mençur, midis tyre ishte dhe Musa Demi nga Filati, Naif Vejseli, Isuf Izeti e Alush Ziguri nga Varfanji e shumë të tjerë nga paritë e fshatrave të Çamërisë. Burrat në dhomën e miqve thithnin cigaret dhe qëndronin të heshtur. Nuk gjenin fjalë për të ngushëlluar mikun e tyre Ilia Sharrën, që kishte humbur të birin. Si kudo bashkë, myslimanë e të krishterë, vëllezër të një gjaku.

Huazuar nga Gazeta Dita

Çamëria tokë e lashtë shqiptare

Çamët autoktonë, 
atdhetarë dhe fisnikë.

Çamët, një popull trim e fisnik, që ka provuar dhunën e pushtuesve turq e genocidin fashist grek deri në ikjen e dhunshme nga trojet e tyre shqiptare, ende vuajnë padrejtësitë që janë bërë në kurrizin e tyre. Ndonëse përballë një fati tragjik, ata kurrë nuk e kanë harruar dhe nuk reshtën së punuari e luftuari që dita e rikthimit në tokën e tyre të jetë sa më e afërt. Kjo dëshirë që nuk shuhet kurrë por shtohet çdo ditë, është dhe një apel për të ndrequr padrejtësitë ndaj shqiptarëve, një apel për ndërkombëtarët që heshtën përballë fatit tragjik të një populli dje, e nuk po bëjnë atë që duhet bërë sot, që minimalisht, atyre shqiptarëve fisnikë, tu jepen të drejtat elementare të mohuara. Historia e Çamërisë dhe çamëve, është një histori e pasur trimërie e qëndrese, është një histori dhimbje e shprese… Historiani i njohur Hajredin Isufi, nuk ka reshtur ndër dekada për të zbuluar të vërtetën e historisë çame që është e ‘gjallë’ dhe e pasur në arkivat vendase e të huaja, por dhe në kujtimet e pashlyera të atyre të moshuarve që provuan mbi shpinë genocidin e pa shembullt të shovinistëve grek.

ETNICITETI I POPULLSISË ÇAME

Për të përcaktuar etninë e shqiptarëve të Epirit, në radhë të parë duhen marrë në konsideratë përshkrimet për etnografinë e Epirit. Ato janë publikuar bollshëm, sidomos në fund të shek. XVIII, në shek. XIX e gjatë shek.XX. Kjo gjë mund t’i atribuohet më shumë famës së Ali Pashë Tepelenës si qeveritar i Epirit, vali i Janinës që në vitin 1778. Për të argumentuar këtë, po sjell disa dokumente zyrtare. “Çamëria është një krahinë që shtrihet në anën perëndimore të Epirit. Rrethet kryesore të saj janë Filati, Gumenica, Parga, Margëlliçi, Paramithia e Preveza. Në veri kufijtë e saj shkojnë deri në zonën e Delvinës, në jug kufizohet me gjirin e Artës (Prevezës), në perëndim laget nga deti Jon, kurse në lindje ndahet prej pellgut të Janinës nga malet e Olliçikës e të Llakës. Është një krahinë mjaft e begatë me fusha, si fusha e Frarit apo me kodra të buta e të përshtatshme për kultivimin e ullirit e të agrumeve”. (Burimi: Chr. Soulis, Tzamouria, “Megale Ellenike Enkyklopedia “Pyrsos”, vëll.23, Athinë, 1933, f.405; Fjalori Enciklopedik shqiptar, Tiranë, 1985, f. 149-150; A. Gobincau, Deux estudes sur la Grece moderne, Paris, 1905, f.113; V.Z. Mollossos, Dhromologion tes Hellenikes, Chresonesou, Tom.I, Athinë 1878 e pasim, f.4; A.Philippson, Thesalien und Epirus Reisen und Forschungen in ndrdlichem Griecheland, Berlin, 1878, f222-228; P. Xhufi – H. Isufi, Aneksimi i dhunshëm i Çamërisë nga Greqia dhe lufta e shqiptarëve për mbrojtjen e saj, në “Studime Historike”, Tiranë, 1996, nr.l-4,f.7; H. Holland, Thessaly, Macedonia, London, 1819. Vargun e dëshmive, që shkruajnë për shtrirjen e Shqipërisë së Poshtme, do ta mbyllim me dëshmitë e dijetarit anglez Ë.M. Leake, i cili ishte si konsull i Britanisë së madhe në Janinë në dhjetëvjetëshin e parë të shek.X!X, (1807- 1810), shkruante se “Kufijtë e Shqipërisë në bregdetin e Epirit arrijnë deri në Prevezë”. Ë.M. Leake, Researches in Greece, London, 1814, f. 156.’Sp. Mouselimi, Istorikoiperipatai ana ti Thesprotia, 1976, f.41).


TË HUAJT PËR ÇAMËRINË

Të huajt i tërhiqte një kureshtje e fortë drejt Epirit, për shkak të ngjarjeve që zhvilloheshin aty, nën frymëzimin e një qeveritari të ri dhe të një populli të vogël e të panjohur shumë deri atëherë. Të gjithë autorët që u morën me çështjen e çamëve, pohojnë prerazi se ata janë shqiptarë dhe i njësojnë me suliotët. Për të ilustruar këto pohime, do të përmendim një varg veprash të autorëve të huaj, disa prej të cilëve janë përkthyer pjesërisht e pasqyruar në revistën “Dituria” të Lumo Skëndos. Në atë revistë njihemi me një material të bollshëm si dhe shënime të nxjerra nga veprat e autorëve të huaj, ku pasqyrohet etnia shqiptare e banorëve të Çamërisë. Trajtimin e problemit etnik për popullsinë e Epirit në mesjetën e hershme për mungesë të dhënash burimore e vështirëson problemin. Midis burimeve historike që hedhin dritë për problemin që trajtojmë është me interes të përmendim një dokument venedikas të vitit 1210 i cili bën të njohur se kontinenti përballë Korfuzit banohej nga shqiptarë (arbanense).  Autorët e kësaj periudhe qofshin ato grekë apo të huaj shënojnë edhe për shtrirjen e Shqipërisë së Poshtme. Kur bëhet fjalë për Çamërinë, Thesprotinë e lashtë, në shek.XIII, burimet e kohës e evidentojnë me emrin “Vajenetia”. Çamëria më 1204 njihej si njësi e vogël administrative e Themës së Durrësit dhe e Arbërit dhe herë si Themë më vete.(Burimi: Shkëlzen Raça, Shtegtimet dhe ngulmimet e shqiptarëve në Greqi, shek.Xlll-XVl, Prishtinë, 2004, f. 70). Në fillim të shek.XIII, mitropoliti Naupaktet, Apokauki shënonte kufirin ndarës ku flitej gjuha greke, në veri deri në Grebene, sipas Apakaukut jetonin “bashorefenët”. Historianët e lashtë si Tuqidi, Efori, Straboni, Skimni e gjeografët e tjerë të lashtësisë kishin treguar, që kundrejt grekëve, epirotët ishin “barbarë” (jo helenë). Turqididi thotë dhe e përsërit pa pushim se epirotët janë “barbarë”, pra të huaj, se ata flasin një gjuhë të pakuptueshme për grekët. Anuk ishte Herodoti që i konsideronte epirotët dhe maqedonasit të huaj? Të njëjtën gjë ‘thonë dhe Straboni dhe Plutarku. Madje Demosteni lëshonte shigjeta therëse kundër ushtarëve të Filipit të Maqedonisë.(Burimi: Mithat Frashëri, Çështja e Epirit, Tiranë, 1998, f.30.). Gjeografi francez Malte Brum për Epirin thotë: “Epirin, të gjithë autorët grekë e përjashtojnë nga Greqia. Kantonet e tij kryesore, thotë Siraboni, kanë qenë në Kaoni, Thesproti dhe në Mollosi. Straboni dhe Plutarku na kujtojnë se epirotët flisnin një gjuhë të veçantë…”(Burimi: Rechus, Gjeografia Universale, Paris, 1875, vëll.l, f.185).  Shqipëria identifikohej pikërisht me Epirin dhe gjuha shqipe vetë thirrej gjuha epirote (lingua epirotika).
Më tej:”Është me rëndësi të theksohet se në gjysmën e parë të shek.XIV shqiptarët gjendeshin brenda Epirit të vjetër, krejt afër “Vajenetisë”, në Çamëri e Pargë dhe ata, popullonin hapësirën mes dy lumenjve Kalama-Aheron.(Po  aty).


KRONIKAT GREKE: ÇAMËRIA ËSHTË SHQIPTARE!

“Kronika e Janinës” dhe “Kronika e Tokove”, dy burime të çmuara për historinë e Epirit në shek.XIV-XV, i përmendin shqiptarët si element i vetëm masiv që popullojnë Epirin. Autori anonim i “Kronikës së lokove”, kur flet për zonat e banuara në të gjithë drejtimin e Pargës-Paramithi-Janinë apo Artë-Janinë shpreh qartë karakterin etnik shqiptar të popullsisë. Kujtojmë se si përfaqësues të etnisë shqiptare, familjet e mëdha shqiptare Shpatajt dhe Zenebishët në vitin 1304 pronat e tyre i shtrinin në brezin bregdetar midis Himarës, Gjirokastrës dhe Prevezës. Ndërsa si përfaqësues i etnisë shqiptare në fund të shek.XIV dhe në çerekun e parë të shek.XV përmenden dhe Mazarekët të vendosur në një vend në rrethinat e Margëlliçit. Një dokument nga arkivat e Perandorisë Osmane mbi regjistrimet e popullsisë në vitin 1431, përmendet edhe fshati Mazërrek, në afërsi të Margëlliçit në Çamëri me 25 shtëpi.(Burimi: Imalçik Halil Suret Defter-i Samak Arvanid, Lib.I, Ankara, 1954).


DËSHMI TË AUTOKTONISË

Mazarekët rreth vitit 1380 pasqyrohen në burimet historike si fis i fuqishëm politik dhe ushtarak. Pronat e tyre kishin një shtrirje të gjerë në hapësirën çame dhe juridiksioni i tyre që ishin nën kontrollin e Mazarekëve ishte ndërmjet Pargës dhe Ajdonatit (Paramithisë) Burimi: Shkëlzen Raça, Shtegtimet dhe ngulmimet e shqiptarëve në Greqi, shek.Xlll-XVl, Prishtinë, 2004, f. 79). Panajot Aravantinoi shkruan për Mazarekët se shquheshin si luftëtarë trima dhe kundërshtarë të vendosur kundër despotatit të Janinës, Izeu Boudelmontit, afer Dhivrit në Çamëri. (Burimi:Pan. Aravantinou, Hronographia…, Vëll.Il, f.44, 105). Siç shihet që në fillimet e shek. XIV formacionet e feudalëve shqiptare në Shqipërinë e Poshtme dhe prania e shqiptarëve në Epir ishte absolute. Karakterin etnik shqiptar të popullsisë së Epirit do ta pohojë edhe një dokument i fillimit të shek. XV në të cilin bëhej fjalë për gjendjen etnike të Epirit kur sundimtari i tij u bë konti italian Karl Toko. Aty ndër të tjera thuhet: “…sundoi ai në të gjitha anët e vendit (Epir), i cili në kohëra të vjetra ka qenë i ndarë në fise:Etolët, Akarnananët, Thesprotët, Mollosët, Kaonët… etj. Këta fise të vjetër e të shumtë që në të kaluarën kishin burra shumë trima, tani i ka pushtuar një varfëri… Por edhe tani ai (Epiri) banohet nga shqiptarët, popull i lirë, që jetojnë të shpërndarë në grupe të vogla ose në fshatra, por që të gjithë ndryshojnë prej grekëve, qoftë nga gjaku qoftë nga gjuha.(Burimi:P. Xhufi, artikull i përmendur). Viset në jug të maleve Akrokeraune e deri në gjirin e Artës, mbi bazën e përbërjes etnike shqiptare përfshiheshin nën emërtimin “Shqipëri” (Albania). Kështu, “Albania” e quajnë dokumentet e shek.XIV krejt pjesën kontinentale përballë ishujve të Korfuzit deri poshtë gjirit të Ambrakisë në derdhje të lumit Akeloos.(Burimi i mëparshëm).


DOKUMENTE TË VENEDIKUT

Emigrimi i shqiptarëve nga Epiri drejt tokave greke që nisi në gjysmën e parë të shek. XIV sado e madhe që të ketë qenë, shkruan Pëllumb Xhufi, Epiri prapëseprapë mbeti edhe pas kësaj treve shqiptare. Në vitin 1444 dokumentet venedikase flasin për një rimëkëmbje ekonomike shqiptare në Epir. Nga portet Epirote të Frarit, Pargës e Gumenicës niseshin drejt Venedikut e Raguzës sasi të mëdha gruri. Në këto dokumente popullsia e rretheve të Pargës, Margëlliçit dhe Janinës quhej shqiptare. (Burimi: Versuch einer Guschichte von Parga, Heinrich Mercy Sohn Verlang, Pragë, 1908, f.18,19, 21, 30: P.Xhufi, artikull i përmendur).
Në vitin 1555 Belon du Mans vizitoi vendet e Epirit dhe konstatoi popullsinë shqiptare të atij vendi. Së fundi, gjeografi i njohur turk Piri Reisi, i fundit të shek. XV – fillimi i shek. XVI duke përshkruar bregdetin Jonian, pohon qartë se popullsia e viseve të Pargës ku ai u ndal posaçërisht, ishte shqiptare.(Burimi:Dokumente dhe materiale sipas librit të udhëtimit të admiralit osman Piri Reis në: “Studime historike”, nr.3, 1981, f.224).


DEFTERI TURK

Përkatësia etnike e shqiptarëve në Çamëri e gjen pasqyrimin e vet në Defterin e hollësishëm osman të sanxhakut të Delvinës, të vitit 991 (1583), ku janë regjistruar emrat e kryefamiljarëve të qendrave të banuara, qyteteve e fshatrave. Duke shfletuar fletët e këtij defteri vihet re se shumë kryefamiljarë mbajnë emra të krishterë të fushës onomastike shqiptare, si: Lekë, Gjin, Zhupë, Gjon, Nik, Dedë, Gjeta, ose emra të krishterë të trajtës së shqiptarizuar si Pavël, Vasil, Kol, Pal, Jorgo, Kosta, Andrea, Dhimo etj..(Burimi: F. Duka, Realiteti etnik i Dropullit, në “Studime historike “, Tiranë, 1991, nr.3-4). Nga ky defter po publikojmë për herë të parë antroponiminë e disa fshatrave të qytetit të Filatit dhe Paramithisë. Në fshatin e Keskës 100% të kryefamiljarëve mbajmë antroponiminë shqiptare. Fshati Koskë(në Filat), në vitin 1583, kishte 182 kryefamiljarë, fshati Guyrrëz 34 kryefamiljrë, fshati Imlahor (varej nga Parithimia-Ajdonati), në vitin 1583 kishte 42 kryefamiljarë, etj…
Mund ta shtrinim edhe më shumë listën emërore të kryefamiljarëve në fshatrat e qytetet e Çamërisë nga defteri osman, por nuk e pamë të arsyeshme, sepse listat do të ishin të njëjta me emra të krishterësh katolikë në trajtën e shqiptarizuar. Sidoqoftë, prania në regjistrat osmane e emrave karakteristikë dhe ekskluzivisht shqiptarë, vërteton konkluzionin e përgjithshëm se popullsia e Çamërisë i përkiste etnisë shqiptare.


TOPONIME SHQIPTARE

Sipas këtyre regjistrimeve kadastrale të shek. XVI (Regjistrimi i Delvinës dhe Regjistrimi i Janinës i vitit 1583) del se shtrirja e vendbanimeve shqiptare ishte e dendur dhe me antroponimi të pastër shqiptare. Popullsia shqiptare në hapësirën e Çamërisë, krahas antroponimisë thjesht shqiptare, kishte krijuar dhe toponimi shqiptare dhe këtë e hasim në krahinën e Paramithisë, të Sulit, të Margëlliçit, të Gumenicës e të Pargës si në emërtimin e fshatrave ashtu dhe të vendeve si psh fshati Ledhës në Gumenicë, fshati Rrapëz e Zeri në Pargë, ose emrat e fshatrave: Gardhiq, Vreshta, Grikohor, Grika, Morfat, Spatharat, Sharat, Nëneshat, Lopës, Mazërrek, Kuç, Currile, Luarat, Ninat, Markat. Historiani grek, Jani Llambridis, kur shkruan për Sulin, shtrirjen dhe kufijtë e tij, përmend një varg toponimesh që janë thjeshtë shqiptare si fshati Vilë, Balla, Dora, Çifliku, Kukuli, Lugati, Birbili, Gorrica, Kodër, Qafaetj.(Burimi:(Jani Llambridis, Epirotika Meletimata, Athinë, 1904, f.7,8,9, 12 e në vazhdim). Gjuhëtarët kanë arritur në përfundimin se elementi fjalëformues ‘at’ lidhet me prapashtesën ‘ates’, e cila takohet në emra fisesh ilire si Labeates, Dokleates etj. Në disa fshatra të Çamërisë brez pas brezi në shekuj janë ruajtur toponime malesh, prenjsh, fushash, luginash e arash si toponime të pastra shqipe si p.sh. “Mali i Glatë” (në fshatin Dramës), “Lisi i Lorit”, “proi i Thellë”, “Palo Vreshtat”, “Gropa e Madhe”, “Bira e Vllahut”, “Nënshkëme”, “Hora”, “Guri i Bardhë”, “Bota e Bardhë”, “Burimet”, “Bregu i Angjelit”, “Klishëza”, “Mulliri i Fikut”, “Shegëza”, “Kodrëza e Vidhit” etj.


GENOCIDI FASHIST GREK

Në vitet që pasuan, Qeveria Greke, nisi t’i intensifikojë veprimet e saj antishqiptare në fillim pushtimin e Çamërisë me forcaushtarake dhe më pas me përpjekje për spastrimin etnik të shqiptarëve myslimanë nga Çamëria. Ndërkohë Athina pas shpërnguljes me dhunë të çamëve nga bandat e Napolon Zervës dhe të forcave qeveritare greke për të shuar e zhdukur çdo gjurmë të etnisë shqiptare në Çamëri, ka ndryshuar toponiminë e fshatrave  duke i zëvendësuar ato me emra grek. Kështu p.sh. fshatin Gurrëz e kanë emërtuar me emrin “Palokastro e Sipërme”, fshatin Picar në “Aetos”, Koriqanin në “Ahllavia”, Skupicën në “Kestrin”, Lopsin në “Asproklisi”, Spatarin në “Trikofor”, Galbaqin në “Elia”, Dolanin në “Jeroplatanos”, Peshtanin në “Kriovrisi”, Smokovinën në “Sikohor”, Salicën në “Llaka”, fshatin Vreshta në “Andelia”, Kuçin në “Poliner”, Arvenicën në “Argjirotopos”, Nistën në “Foskamilia”, Arpicën në “Perdhika”, Volën në “Sivota”, Rrëzanjin në “Shën Ajia”, Rrapëzën në “Ajthusa”, Vrastovën në “Palokastro”, Kurtesin në “Mesovun”, Mininën në “Nerajdha”, Curilën në “Kalithea”, Ledhëzën në “Lladohor”, Varfanjin në “Parapotam”, Koshovicën në “Shën Maria”, Luaratin në “Katovother” etj. Sado që të përpiqet administrata greke për të zëvendësuar onomastikën e emrave të fshatrave në Çamëri, që është aq e lashtë sa vetë autoktonia e shqiptarëve në ato troje, çami në breza do ta gjejë pa vështirësi tokën, fshatin e të parëve të tij, pavarësisht nga emërtimet që ka. Regjistri i Janinës (1583) e shtrin zonën e përhapjes së vëndbanimeve shqiptare dhe popullsinë e tyre autentike shqiptare edhe në zonat periferike të Epirit. Kështu p.sh. nga Defteri i Janinës mësojmë se në nahijen e Prevezës, që përfshinte dhe Prevezën, Kravarin me fshatrat e saj, antroponimia e vendeve si Zallonga, Shapata, Likursi, Karula, Zermeni, Nikolic, Zerni, Flambur, Poliofor, është një antroponimi e pastër dhe pa asnjë mëdyshje shqiptare. Të dhënat që përmendëm provojnë se Çamëria daton nga Mesjeta dhe hyri në kohën e re si një trevë thellësisht shqiptare.

Huazuar nga Gazeta Dita

Hajredin Isufi

Hajredin Isufi ka lindur në Çamëri (në fshatin Rrezanj – Gumenicë) më 25 dhjetor 1935. Më 1962 u diplomua në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Histori – Filologji. Ka punuar si arsimtar. Që nga viti 1964, është marrë në vijimësi me studime për historinë e Çamërisë. Ka punuar si bashkëpunëtor i jashtëm në Institutin e historisë, Tiranë. Ka botuar librat: “Kryengritja e Kurbinit dhe Dom Nikollë Kaçorri”,Studime Historike”, 1986, “Politika e shtetit grek për dëbimin e popullsisë çame në vitet 1914-1928”,  “Studime Historike, 1993 (1-4), Tiranë 1997”, “Aneksimi i dhunshëm i Çamërisë nga Greqia dhe lufta e shqiptarëve për mbrojtjen e saj” (bashkautor me prof. Dr. Pëllumb Xhufin), etj.

Që nga viti 1965 e deri në vitin 1990 ka bashkëpunuar me të gjitha organet e shtypit shqiptar dhe ka shkruar qindra artikuj për ngjarje historike dhe figurat e shquara të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, Ndër ‘to mund të përmendim: “Një këngë të kohës së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit”, Drita, Tiranë, 15 mars 1981; “Çamëria, fakte të vërteta dhe të stisura”, Koha Jonë’, 13 tetor 2002 (replikë me historianin grek, Llambros Baliciotis); “Përgjigje greko-amerikanit (Geixh). Koha Jonë, 16 dhjetor 2002; “Musa Demi dhe qëndresa çame 1800-1947″, Tiranë 2002, është monografia e tij e parë; “Çamëria, studime historike-sociologjike”, Tiranë 2006; “Roli i Nikollë Kaçorrit dhe klerit katolik në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare” (në “Çështja Çame dhe integrimi evropian”, Tiranë 2005 (bashkautor), etj.

Hajredin Isufi gjithë jetën është marrë me Çamërinë: trevat, luftëtarët, patriotët, atdhetarët, kulturën, gjuhën, objektet e kultit dhe ato arsimore,fiset e mëdha dhe dyert më në zë, bashkëjetesën fetare, marrëdhëniet me Greqinë…I është dashur të mbajë qëndrim dhe t’u përgjigjet historianëve, gjuhëtarëve, akademikëve të huaj kryesisht grekë që qëllimisht shtrembëronin historinë dhe faktet historike. Kryeqendrat çame janë objekt më vete për studiuesin Hajredin Isufi. Ka përfunduar historikun për Margëlliq e Filat dhe ka në dorë Paramithinë. Në botim gjendet studimi historik me dokumentacion kryesisht të huaj (italian, grek, amerikan, anglez, austrohungarëz) dhe shqiptar për vitet e luftës 1939-1945 në Çamëri dhe rrethinat e saj. 

Në Çamëri për herë të parë ka shkuar në vitin 1989. I pari studiues dhe i pari çam që kthehej për të parë trojet që nga koha dëbimit të dhunshëm. Hyri me pasaportë, ndryshe nga herët e tjera të mëpasme. Bashkëshortja shuante mallin, kurse studiuesi vëzhgoi, takoi, fotografoi dhe intervistoi sa mundi e ku mundi nëpër Çamëri. E shfrytëzoi këtë vizitë për tre muaj jo vetëm për të shkarkuar tërë atë mall çam të grumbulluar në krahëror, por edhe për t’i bërë një nga shërbimet më serioze historisë çame. E shfrytëzoi shumë mirë ftesën e një të krishteri shqiptar që jetonte në Çamëri dhe që ishte miku të atit të tij. Shkoi gjithandej, fshat më fshat e qytet më qytet, në çdo shtëpi e kullë deri në Sul. Isufi tregon se fshatra të tërë ishin shkretuar nga braktisja e madhe, shtëpitë e vjetra ishin shembur e djegur. Mbi 1000 foto dëshmojnë shumë. Ato e të tjera materiale do i duhen për punën e nisur, për shkrimin e historikut të çdo fshati, për evidentimin e shkatërrimeve të shtëpive, xhamive, puseve, sarajeve, kullave, krojeve. Premton se do të bëjë edhe një album.Këtë shumë shpejt. Është në dorën e fundit të sistemimit. Studiuesi thotë se në shtëpitë e të krishterëve në Çamëri ka gjetur foto e relike interesante, ndër ta ka mësuar vendin ku janë ekzekutuar shumë atdhetarë e patriotë të lëvizjes rilindase çame siç është vrasja e pabesë e figurës së shquar çame e Jasim Sadikut në vitin 1942. 

Hajredin Isufi tërhoqi vëmendjen e studiuesve vendës e të huaj. Shumë aktiv në sesione shkencore në Tiranë, Durrës, Dibër, Gjirokastër, Arqipeshkvi. Gazeta, revista, radio, televizione të ndryshme brenda e jashtë Shqipërisë kanë qenë shumë të interesuara të dëgjojnë rrëfimet, gjykimet, hulumtimet, konkluzionet e studiuesit Hajredin Isufi. Ndërsa kjo ka bërë mirë dhe ka shëndoshur shumë gjëra të bërë keq në historinë e regjimit të kaluar apo edhe në gjykimet e njëanshme të kancelarive dhe akademive të huaja, për vet studiuesin pati anët e saj jo të mira. Isufi ka shkuar në Çamëri edhe pas vizitës së tij të parë, por me një ndryshim të madh nga ajo e vitit 1989. 

Studiuesit i është dashur të ndjekë rrugë të fshehta, të udhëtojë drejt Italisë për të marrë lundrimin e gjatë nga Bari drejt Igumenicës dhe që andej për të hyrë në zemër të Çamërisë. Botimet studimore dhe tryezat në radio e televizione si dhe shkrimet reaguese ndaj nacionalizmave greke ia kanë mbyllur portën legale për të hyrë në vendlindje. 

Sonntag, 26. Oktober 2014

Romani i parë për Çamërinë pas 70 vitesh

Nga Petraq Bubari

(Refleksione për librin e Eneida Ali për librin “Bota çame në romanin e pare për Çamërinë") 
 
Të shkruash për shkrimtarin Kadri Ali nuk është e lehtë. Kushdo që merr përsipër të shkruaj për këtë shkrimtar do ndjejë impresion të dyfishtë, atë të vlerave që kanë librat e tij dhe admirimin për popullin çam. Rrallë herë e ndeshim këtë fenomen, ngacmimet e të cilit vinë në rritje sa më shumë njihesh me jetën dhe veprën e Kadri Aliut. Dhe ajo që të bën të ndjesh admirim për të është se ai të gjithë librat e tij ia ka kushtuar Çamërisë, andej ku ka dhe origjinën.
I lindur në Durrës në 6 maj 1953, Kadri Aliu përfundoi studimet në Universitetin e Tiranës, fakultetin e letërsisë në vitin 1974. Pasi ka kryer disa kohë detyrën e mësuesit në zona veriore të Shqipërisë, më saktë në Kukës, mbas ardhjes së demokracisë u muar me biznes të vetin.
I ingranuar fort në lëvizjen demokratike si shumë intelektualë të tjerë të bindur në veten e tyre. Kadri Ali zhvilloi një aktivitet të gjithëanshëm nëpërmjet detyrës së redaktorit të gazetës Çamëria”. Ai me një qartësi të madhe u përball me njerëz, grupe dhe ide të cilat në një farë mënyre dëmtonin çështjen e popullit çam.
Sot Kadri Ali është autor i nëntë librave artistikë, politikë, studimorë dhe publiçsitikë.
Por libri i fundit që u botua këto kohë “Trilogjia ”Çamëria ... klithmë e mbytur” me tingujt që emeton, depërtoi deri në zonat më të largëta të Veriut të tokave shqiptare, në Kosovën tashmë të çliruar.
Eshtë pikërisht ky libër që e bëri prof.Dr. Shefqet Sahit Canhasi nga Prishtina të mrekullohet e të ulet e të shkruaj me “breshëri” artikullin e tij elegant “Një roman historik – poezi dhimbjemadhe e Çamërisë”. Shkruar në një kohë rekord, studimi i këtij profesori nga Prishtina por që punon në Baden Baden, përbën dhe tharmin e këtij libri që kanë tashmë lexuesit në dorë.
Duke shkruar për romanin e Kadri Ali, Dr. Shefqet Sahit Canhasi, njëkohësisht ka shkruar për të gjitha historitë e popullit çam. Ai veçse fokuson gjërat më të rendësishme në kalvarin e mbetur pezull të vuajtjeve të këtij populli martir. Ndonëse shumë autorë të ndryshëm nga Shqipëria kanë shkruar vazhdimisht për krijimtarinë e shkrimtarit të dashur Kadri Ali, shkrimi studimor i profesorit nga Prishtina vishet me mantelin gati profetik e vjen në duart e lexuesve në mbarë trojet shqiptare si një lloj manifesti, manifest pamletik.
Në librin që po paraqesim janë sjellë shumë shkrime për veprën e shkrimtarit Kadri Ali. Emra të dëgjuar në botën shqiptare dhe më gjërë.
Resmi Osmani, Halim Maloku, Josif Doja, Sadik Përvetica, Llambi Kallço, i ndjeri Riza Lahi, Vladimir Muça, Agim Bajrami, Fatmir Minguli. Janë prononcuar në forma të ndryshme Jorgo Bllaci, Spiro Kristo dhe Visar Zhiti.
Për të ardhur në romanin trilogji “Çamëria…klithmë e mbytur” Kadri Ali – ut i është dashur të kalojë përvoja të tëra si shkrimtar, si gazetar, si studjues e si poet. Fillimet e tij të paraqitura në shtypin e kohës janë fill mbas vitit 1990, shkrime që janë pasqyruar me modesti në librin “Çamëria… sfidë pro paqes”.
Libri i parë me poezi ishte ai që tronditi aeralin qytetar jo vetëm në Shqipëri, por shumë më gjërë. Ky libër i vogël i botuar në vitin 1994 dhe i ribotuar në 2013, qe tharmi me të cilin u mbruajtën librat e mëvonshëm romani bashkohor “Labitinthi i një tranzicioni” dhe që u pasua me tregimet e bukura e mbresëlënëse në librin “Qorollepsja e të shtirurve”. Edhe në këtë libër me tregime e sheh embrionin e jetës së tij romani “Çamëria... klithmë e mbytur”. Libri i gjashtë i Kadri Ali – ut është me poezi dhe titullohet “Honet s’i mbush …kërkush”.
Këta libra kanë një tis mbështjellës sa mistik aq dhe afër realitetit. Në titujt e këtyre librave dallon tre pikëshi i reminishencës, çka tregon një ankth të madh, një tronditje, një ndalesë për të marrë pak frymë nga trysnia e asaj që i ndodhi popullit çam dhe asaj që po qorollepset sot.
Studimet e autorëve të ndryshëm që janë sjellë në këtë libër janë më se analitike. Ato me një finesë të dallushme fort bukur, janë një kornizë elegante për portretin e Kadri Ali –ut si atdhetar, si shkrimtar, si luftëtar i skalionit të parë për të drejtat e popullit të tij.
Ndryshe nga disa shkrime që qarkullojnë në faqet e portaleve elektronikë apo në faqet e fletoreve letrare, analizat e autorëve në këtë libër janë shumë konkrete, ku veç dashamirësisë dhe fisnikërisë që emetojnë japin të dhëna të vlefshme për aspekte të zhvillimit të letërsisë në Shqipëri e jashtë saj, në trojet shqiptare.
Secili autor në mënyrë të pavarur i ngjitet obeliskut të çështjes çame duke dhënë nga vetja kontributin e tij, obelisk që vetë autori, shkrimtari Kadri Ali e ka ngritur. Të gjithë librat e tij, përbëjnë një eksepsion të pastër, flasin vetëm për problemin e çështjes së popullit çam, për historinë e tij të dhimbshme. Në këtë mënyrë ai bëhet vit pas viti tepër i njohur në qarqet gazetareske, të lidhjes së Shkrimtarëve dhe të sferës politike.
Shumë sinjifikative është dhe intervista që bëri gazetarja e njohur Kozeta Mamaqi me Kadri Aliun në Radio Tirana, menjëherë pas botimit të vëllimit të parë me poezi të Kadriut.
Kjo vepër e Kadri Aliut, veçanarisht romani trilogjik “Çamëria…klithmë e mbytur” duhet propaganduar edhe në qarqet e caktuara të shtetit shqiptar, madje duhet çuar edhe në ambsadat e huaja në akredituara në Shqipëri.
E shoh me vend që të citoj një fragment i marrë nga libri në fjalë, shkëputur nga shkrimi i Fatmir Mingulit kushtuar pjesës së dytë të trilogjisë kadriane:
“ Autori luan me figurat kistorike ku në një sfond të qartë duken kapacitetet e mëdha të fantazisë të shkrimeve të Kadri Ali. Një stil elastik narrativ, i ngjashëm me grushtimet e boksierit me famë në Amerikë, Ago Ajdhonati, sjell në faqet e romanit ngjarjet e jetës së Agos në Amerikë, ngjarje që lexuesi do t’i gjejë tepër të këndëshme në shoqëri me shkencëtaren Parga Kuqi dhe të jatin e saj. Gjetja e bukur letrare, metaforike “grushtmbajtës “ si boksier e Agos është njëkohësisht dhe durimi i madh i popullit çam, që ashtu si në një ndeshje madhore boksi prêt fitoren e vet të pashmangëshme.“
Dhe si për ironi të fatit, mendja e shkrimatrit Kadri Ali e paralelizon ndeshjen e boksit me përpjekjet e popullit çam kundër „ boksierëve“ të ringut politik. E të mos harrojmë se vetë Kadri Ali , shkrimtari dora vetë është një boksier i lindur dhe i stërvitur për vite me rasdhë. Kjo tregon se fantazia e tij si krijues artistik i ka këmbët në tokë dhe kështu arrin të materializojë ne letrën e librit ato çka ai ka ndjerë dhe ndjen vazhdimisht.
Por nuk është kjo vetëm një formë që ai përdor në veprat e tij. Ashtu siç thotë e bija e tija tashmë e lauruar në Univeristet italian në parathnien modeste në kruen e librit në fjalë:
“Në atë ditë të promovimit të librit të atit tim, në sallën e mbushur plot e përplot, aktori i madh, i impresionuar nga forca magjepsëse e vargjeve s’i la radhë koleges së tij, aktores së Teatrit të Durrësit, Liri Dushi, e ftuar edhe ajo të recitonte vargje nga libri, por i recitoi një e nga një poezitë që nga vargu i parë deri te vargu i fundit i librit, duke u shtuar magjinë vargjeve me artin e tij të madh…
Me këtë imazh, ku aktori i madh Mirush Kabashi më parafytërohej duke recituar krijime të babait tim, e kam përcjellë në vite ecurinë artistike të tij .
Dhe ndjesitë që përjetoja vit pas viti, pak e nga pak u shndruan në krenari.
Krenari që kur shihja se arti i babait tim emociononte deri në impresion me qindra lexues. E këtë impresion që përcjell te çdokush, arti i babait tim e ka analizuar mjeshtërisht, studjuesi e njohësi i thellë i letërsisë shqipe, doktor profesor Shefqet Sahit Canhasi. Vlera të artit të tim eti kanë nxjerrë në pah profesor Resmi Osmani, Halim Maloku, Fatmir Minguli, Vladimir Muça, Riza Lahi, Josif Doja, Agim Bajrami si dhe gazetarët Sadik Përvetica dhe Llambi Kallço.
Ishin shkrimet e këtyre personaliteteve të botuara në faqet e shtypit periodik, që më nxitën e më lehtësuan punën për hartimin e këtij libri që shpresoj të mirëpritet nga lexuesit.”
Profecia ndodhi. Libri është shpërndarë e po lexohet gjithandej për të arritur dhe çastin e kalimit në trojet shqipatre si në Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi.

Sonntag, 5. Oktober 2014

Rrahim Sadiku - Me baladat ҫame

(Fragment nga romani “Andej kufirit të vdekjes”)
 
Nga pak jam edhe i zhgënjyer nga jeta, ndoshta pse më kujtohet zhgënjimi për të cilin më foli vetja ime, prej një të dashuruari të shkretë... I zhgënjyer në këtë jetë, që nuk më dha kurrgjë e për zbukurimin e së cilës unë dhashë çdo gjë.... Si ai rrëfyesi i ri, edhe unë e doja ende jetën. E doja, edhe pse nuk flisja më me entuziazëm për të. Doja të jetoja e ta hetoja atë në secilën fjalë që thosha, në secilin shikim që hidhja. Dhe, kujtesa apo rrëfimi vazhdonte: Isha i zhgënjyer për miqësinë e humbur e dashurinë e bjerrë pa e ndjerë ende si duhet dhe kund nuk gjeja qetësi. Natën nuk flija dot e ditën dilja e shëtisja pa ndonjë cak. Më shumë bredhja periferisë, ku nuk takoja të njohur dhe isha plotësisht i dhënë pas vetmisë sime. Zbulova në një kënd një kafene të qetë e të bukur dhe nisa të rrija gjithnjë e më shpesh aty e të pija. Në fillim hedhja nga dy tri gota, po nga dita në ditë ato po shtoheshin. Nisa të shkoja në dhomën time gati i dehur, për të vazhduar aty edhe me disa gota të tjera. Dikur isha bërë si i shtëpisë në atë kafene dhe kamerierja e bukur më sillte pijet ende pa e bërë porosinë, duke u munduar kështu të gjente shkas e të hapte bisedë. Ia prisja shkurt e tërë turinj dhe ajo largohej, për ta përsëritur të njëjtën gjë të nesërmen. E shihja se i vinte keq për mua. "Mos i mbyll vetes të gjitha rrugët, o djalosh - më tha një plak një ditë. Kështu si e ke nisur do të përfundosh keq."' "Eh, xhaxha - i thashë. Shumë të ngushta këto rrugët tona e sikur mbyllen prej vetvetiu. Po nuk do të lejoj të më mbyllen tërësisht, jo." Ai qeshi. Ishte një e qeshur e lodhur, e butë; me mallëngjimin e gjatë ngujuar brenda. "Urdhëro këto këngë e dëgjoi kur të shkosh në shtëpi...Bisedojmë nesër për mbresat që do të të lënë." Plaku më lëshoi në dorë një kasetë magnetofoni dhe u largua. Piva edhe një gotë e dola. Atë natë i dëgjova disa herë ato këngë dhembjeje, malli e nostalgjie pa fund. Ishin tone jugu, këngë të lashta e të reja çame. Balada çame. Disa prej tyre i kisha dëgjuar edhe më parë, po nuk i kisha përjetuar ashtu. Tërë tragjedia çame sikur ishte shkrirë aty. Në mëngjes u ula në kafene dhe e prita plakun. "Quhem Remzi, Remzi Sulo, një jetë të tërë i huaj edhe për veten. E kisha shtëpi të bukur, punë që e doja; farefis të gjerë e miqësi nga të gjitha anët. Kisha vajzën me të cilën njiheshim vite e vite dhe ishim fejuar e po mendonim për dasmën. Pata dalë për disa punë këndej kah Korça dhe më nuk u ktheva kurrë në vendlindje. Më treguan se prindërit m'i kishin vrarë, se të fejuarën time e kishin rrëmbyer dhe më nuk dinte kush gjë për të, se farefisi ishte shkrirë pothuaj i tëri e ata që kishin shpëtuar ishin shpërndarë kush kah kishte mundur...Fjalët se ajo vetëm ishte rrëmbyer, më dha për do kohë shpresë se mund t'u kishte ikur andartëve grekë e të kishte shpëtuar, po me kalimin e kohës shpresat bëheshin gjithnjë e më të pakta. Por, unë asnjëherë nuk mora guximin t'ia pohoja vetes se kisha mbetur pa Artën time, e ruaja kujtimeve, e gjallëroja shpresës dhe kështu kaluan muajt vitet dhe e pashë veten të plakur, pa arritur të gjej dashuri të re e krijoj familje... Me ëndrra e shpresa, po kam jetuar si njeri, nuk kam lejuar të më mundin të këqijat, të qaj e t'u rëndohem të tjerëve. As nuk jam dhënë pas pijes...Kurse ti nuk besoj t'i kesh përjetuar këto të këqija, Kosova nuk është djegur e braktisur si Ҫamëria, atje do të kthehet liria herët a vonë..." Nuk kisha fjalë që t'i përgjigjesha dhembjes dhe urtësisë së xha Remziut. Vetëm i shtrëngova dorën, si premtim që ndjeja atë që e mundonte atë dhe se këshillat e tij i merrja si të m´i kishte thënë babai im. Nuk po e kuptoja se ç'nevojë kisha pasur për ato dhembje të reja. Kisha ikur nga rreziku i arrestimit në vendlindjen time e po përjetoja shkatërrimin e gjithë atdheut. Ajo ishte më e rëndë se burgu, vetmia, ndoshta edhe se vetë robëria. Ne me robërinë e të huajin po përballeshim dhe gjithnjë e rrisnin shpresën se do ta flaknim tiraninë e të huajit. Po pjesa e atdheut që po mbushte gati një shekull çlirimi, ishte e robëruar e stërobëruar nga vetvetja. Asaj robërie si t'i bëhej? Ajo gjendje të prishte sytë, helmonte zemrën e të shtynte për ikje. Po ku të shkoje? Pafundësia e botës sikur shtyhej me shprishjen e ëndrrave e me hidhësinë e realitetit. O sa e hidhur ishte dita e nata, mëngjesi e mbrëmja, dhembja e shpresa. Një kokërr gruri në atë arë xhungël. Një mëngjesi trokiti dera dhe në hyrje e pashë Teftën. As tha se ku kishte qenë, as se ishte prekur për diçka nga unë e ishte larguar, as se kishte pasur ndonjë punë, as kërkoi e as mori mundin të fillonte bisedë për atë largim prej gati një muaji. Nuk më pyeti si kisha kaluar, në mos isha lënduar nga largimi i saj i papritur, po u ul si zakonisht, filluam të bisedonim dhe çdo gjë nisi nga e para. Një ditë e gjeta Teftën të larë në lot. Ishte hera e parë që po shihja lot në fytyrën e saj dhe u befasova. Disi kisha fituar bindjen se ajo nuk mund të qante për asgjë. - "Nuk të kam thënë asnjëherë më parë se vuaj shumë. Gjithnjë luftoj me veten para se të dal në rrugë. Tërë brengat e mundimet i lë prapa dhe qesh e flas e gëzohem sikur nuk jam pjesë e këtij mjerimi, e këtij monstruoziteti që më rrethon...Kam pas kujtuar se do t'më kuptosh pa t'i thënë këto, po ti as ke marrë mundimin të më shikosh nga kjo anë. Të prita shumë sot, më lodhi pritja e biseda me veten dhe nuk u përmbajta dot." - Mbeta si i nemitur. "Më duket se nuk je e kënaqur me mua - më tha papritur. Nëse do, të njoftoj me ndonjë shoqe timen, më të re e më të bukur se unë. Disa prej tyre më kanë thënë se kanë dëshirë të njihen me ty... Vetëm se mua nuk guxon të më harrosh. Miqësinë tënde e dua për vete dhe po veprove ndryshe, dije se të vrava." "Tefta?!" Ajo qeshi dhe më përqafoi. - "Unë kam koncepte të tjera për dashurinë. Nuk dua të të robëroj, të shkojmë bashkë e të më urresh. Të bësh dashuri me dikë nuk do të thotë ta duash dhe ta duash dikë nuk do të thotë domosdo edhe të bësh dashuri me të.." "Më thuaj të vërtetën cila je ti Tefta?" "Ende nuk e di kush jam?! E ke detyrë të më njohësh. Mendoj se unë të njoh ty dhe prandaj të flas lirisht. Beso se më je bërë i afërt si vetja ime... Ajo fliste e për mua bëhej gjithnjë e më e panjohur. Kishte ardhur të më vizitonte një studente nga fshati im. Po bisedonim e çmalleshim, kur trokiti dera. E hapa dhe Tefta hyri brenda me furi, me një mall ndaj meje që kurrë më parë nuk e kisha parë në fytyrën e saj. E kishte mbushur krahun me ëmbëlsira e pije dhe i lëshoi ato në tavolinë e u nis të më hidhej në përqafim. Me ta parë studenten sikur i ra pika, mbeti pa gjak në fytyrë, filloi të dridhej. Mbeta i habitur dhe nuk po dija çka të bëja, kur ajo erdhi në vete, u vërsul mbi studenten e papërgatitur për këtë dhe sa nuk ia nxori sytë. Mandej e la ashtu befas si i ishte sulur dhe u nis të dilte. Te dera u ndal dhe filloi të na shikonte. "Nëse nuk vjen këtë çast me mua të pimë diku diçka së bashku, dije se nuk do t'më shohësh kurrë më" - dhe e mbylli derën me rrapëllimë. I kërkova falje studentes dhe shkova pas Teftës. Nuk kam parë njeri më të lumtur se sa ishte ajo kur më ndjeu pranë. Po mandej u pendova për këtë dhe disa ditë ikja nga mundësia e takimit me Teftën. Ato ditë sa nuk u takuam, ndihesha si i marrë. Shëtisja rrugës dhe shikoja njerëzit. Më dukej se në fytyra, në sjellje, në hapa e në qëndrim ua lexoja marrëzinë. Marrëzia ishte bërë pjesë e të gjithëve dhe ne sikur ndjeheshim mirë në të. A nuk ishte edhe më marrëzi të ishe i dashuruar në këtë kohë marrëzie?! Derisa po thellohesha në këtë marrëzi të përgjithshme, ndjeva se dikush m´i mbylli sytë dhe njoha duart e Teftës. E kapa për qafe dhe duke e shikuar me ethet që më kishin kapluar, i thashë: "E ndjen se po bëjmë veprime të marra" Ajo nuk u përgjigj, po ndjeva se si u drodh i tërë trupi i saj në duart e mia. Pasoi një largim prej disa ditësh. Kisha udhëtuar zyrtarisht në një qytet malor dhe kur u ktheva, Tefta sikur ishte tretur. Nuk u befasova, po në zemër ndjeva dhembje. I thashë vetes: pse je shpirt i trazuar. I thashë asaj së largu: pse trazohesh kështu. I thashë dashurisë pse e ushqen marrëzinë. I thash marrëzisë: pse shndërrohesh në dashuri. Dhe fjalët nuk bënë asgjë. Asgjëja e atyre ditëve ishte gjithçka. Kur erdhi Tefta nuk i fola për vuajtjen. Ndarja sikur na kishte bërë edhe më të domosdoshëm për njëri tjetrin. Po bëheshim gjithnjë e më të pranishëm në qytetin e trazuar. Filluam të shkonim përditë në det e mbrëmjen ta kalonim duke shëtitur bulevardit. Sikur ishim bërë stoli e domosdoshme asaj monotonie të pathyeshme që mbretëronte kudo. Madje po më dukej sikur kishim fituar simpatinë e të gjithëve. Ishim çifti i vetëm që nuk e trazonin huliganët e shumtë që endeshin plazhit, që rrethonin shëtitoret, që i gjeje me shumicë ngado që të endeshe. Edhe nëse ndokush na lëshonte ndonjë fjalë a ngrihej të na bënte ndonjë proçkë, gjendej dikush që e ndalte dhe ne vazhdonim të ishim të qetë. Një kohë e mora këtë si mirëkuptim ndaj asaj afrie rinore që kishim, po duke e parë se shumë çifte më të përkushtuar se ne ndaj njëri tjetrit e më simpatik, trazoheshin e nuk u lihej kund vend. Më lindi dyshimi se Tefta kishte ndonjë ndikim në këtë. "Kë njeh nga udhëheqësit e huliganëve të qytetit që nuk na trazojnë kurrë" e pyeta një ditë, duke pritur që ajo të mohonte këtë. Po Tefta vetëm qeshi. "Kam njohur dikur atë që i ka në dorë të gjithë" - tha dhe më përqafoi. Mendimi se Teftën nuk e njihja aspak filloi të më mundonte përditë e më shumë. Një ditë, duke shfletuar disa revista të vjetra në shtëpinë e saj, gjeta një fotografi të Teftës, botuar diku në shtypin e huaj, ku ajo kishte dalë në përqafim të ngrohtë të një mashkulli dhe dukej tejet e lumtur. Ishte një fotografi që për mua fliste shumë, që hapte kaptinën e vlerës së dashurisë, kur dyshimi bëhej gërryes e kur disa gjëra të shtynin të mendoje se sa vlen një jetë njeriu. "Mos ke qenë edhe me këtë në prag të martesës" e pyeta Teftën, duke ia treguar njeriun në fotografi. Ajo qeshi "Jo, me të isha në pragun e dashurisë" -tha. "Dhe nuk e kalove dot?" "Po ta kisha kaluar, nuk do të isha sot me ty." "As unë, po ta kisha parë ato ditë që u njohëm këtë fotografi, nuk do të isha këtu." "Do të thotë se ke dëshirë të të jap llogari për të kaluarën time?!" "Jo, po sa herë ballafaqohem me të, më duket e bujshme dhe më del ashtu si nuk dukesh në jetë e më bëhesh gati enigmatike." "Pse flet marrëzira? Ajo që ka shkuar nuk zhbëhet dot dhe vetëm mund të na shqetësojë. Tani, kur të dua si e marrë, se ditëve të fundit gjithnjë e më shpesh po flasim për marrëzinë, nuk dua të kthehem as me kujtime kah e kaluara." Dhe u përqafuam e harruam fjalët. "Njeh dikë që merr para me kamatë?" pyeti Tefta një mëngjesi. "Pse, mos të është lajmëruar ndonjë xhaxha i humbur nga Amerika dhe të ka dërguar ndonjë grusht para?" - bëra shaka. "Nuk po tallem, dua t'i jap disa dollarë me kamatë, që t'i kem aq sa më duhen për përmbushjen e disa qëllimeve të mia." "Të tjerë janë ata që fitojnë nga kamatat Teftë. Po më dëgjove, ruaju nga ata kamatarë premtojnë shumë se mbetesh pa asgjë." E lamë atë bisedë. Ishte hera e parë dhe e fundit që paratë zinin vend në bisedat që bënim gjatë takimeve tona. Po bëheshin muaj që vetëm një pjesë të natës nuk e kalonim së bashku.

Agim Desku - Çamëria

 
ÇAMËRIA
 
Sonte...
Për çfarë të shkruaj
mbrëmjeve me zjarrr lirie
Çka i duhet pranverës ky zjarr
që vërbon sytë e nënave.
më thuaj Ti, Atdhe
ç`të shkruaj sonte
për lirinë time
pa Çamërinë
JO.
Nuk e nënshkruaj
kurrë pasaportën
pa miken çame.
Nuk e dua lirinë i vetmuar
pa flamurin kuq e zi
të valvitur me shqiponjë
në Çamëri.
As kokën pa tokën
denbabaden iliro-dardane
që ma vodhën zotnat e huaj.
Kur fjala kishte heshtur
diku në dhe e diku mbi të.
Sonte
jam zgjuar të shkruaj vargje
që ngacmojnë heshtjen
e njeriun tonë
ta zgjojnë
nga ëndrrat për pak liri.
Që na shtrohet pallateve
ngjyrë gri
Gjysmëgotash herë të zbrazura
metropoleve evropiane.
Të dehur ngrenë dolli
për fjalën tonë të heshtur
Sikur edhe unë i dehur
me shekuj
edhe pse i robëruar
me fjalë e me shpirt.
Sonte
kam të drejtë të jetoj
e të kërkoj liri për Iliri
ku denbabaden
isha zot vetë,
isha iliro-dardan
isha Çamëri,
isha Kosovë e Tetovë
isha Preshevë e Malësi
isha vetë Iliri
isha Shqipëri.
Sonte
jam vetë zot e Kastriot
jam Mic Sokol e Adem Jashar
jam Kosovë e Rugovë.
Sonte
jam Preshevë e Tetovë
jam Malësi e Çamëri
Sonte
jam shqiptar e jam Shqipëri.
Fjalë e pathënë
Në sytë e mi
kur bie shi pranverave
vijnë zotnat
të luftojnë me ëndrrat
që m`i vodhën buzëqeshjet
e vargut të lirë
për fjalën e pathënë
që s`ma kthyen kurrë
as kur isha roje
në Kullën e bacë Ademit.
Erdha në pritje të tim biri
që t`i gjëjnë gurët e Kosharës
e t`i kthejnë në murët e Rozafatit
aty ku ishin shekujt e Bogdanit
që gostitnin miqtë
në amfiteatrin e Apollonisë në Durrah
duke shijuar tragjeditë ilire
në skenat e Dardanisë
aty ku nuk bie kurrë përdja
e aktit të parë ,as të dytë.
Më thuaj zot për aktin e tretë
ku do të mbetem unë e ti.
Në cilin varg do të takohemi
me atdheun e brezave të mi.
Po , atdheu nuk vritet bre,
me asnjë çmim nuk matet.
Ai jeton në secilën zemër
të njeriut me plis të bardhë
nëpër secilën fole të shqipeve
deri në Çamëri,
ku zotnat do ta shkruajnë
emrin tim
në çdo faqe lapidari.
Sonte
a do të mësohem
me buzëqeshjet çame,
me këngët,me lotët
për pak liri,
për pak atdhe shqip,
për pak Shqipëri.
Për emrin Shqipërim
që lind çdo ditë
me flamur kuq e zi
Dhe vdekjen e kërkojnë
diku nëpër folet e shqipeve
Si fjalë të pathënë
për uratën e zotnave.
Në pritje të më bekojnë
me formulën e pagëzimit
me emrin e bijëve të mi ushtarë
që i thyen gurët në Koshare.
Të takohemi vetëm pranë luleve
që nuk dinë ç`është pikëllimi,
duke ngritur dolli
me verë dashurie
me miken time V(democraci)
Që të dytë vdesim ngapak
për atdhe
e për ma të bukurën e fjalës dashuri.
Edhe për diçka
që burimin e kanë
të krojet e zanave
aty ku pinte ujë
edhe bacë Ademi.
Ku Nënloket tona
rrisnin burra atdheu
e thurnin balada trimërie.
Për lirinë u zunë
me shekujt e djallit
pa lot në faqe
si shqipe mali.
Dhe kujtojnë fjalët e pathëna
me të vetmin emër,
lapidar e krenar
Nënë e Atdhe
që mundin çdo fjalë
e çdo dashuri.
 
 

Montag, 1. September 2014

Namik Selmani - Të fala nga Çamëria

  • Në vend të një eseje për ANTIHARRESËN çame
  
Kemi kohë që gojë pas goje, fjalë pas fjale, vit pas viti e ditë pas dite, presim të falat nga Çamëria. Të falat e memecëruara që duan të deshifrohen nga psikologë, politikanë, filozofë, sociologë e gjuhëtarë të llojllojshëm të të gjithë gjuhëve. Po kaq kohë kemi edhe ne që, me shumë dëshirë, duam që të dërgojmë në ato troje të falat tona. Edhe unë dua të dërgoj sa më shumë të fala në emrin tim e të atyre që shtrëngojnë bastunët në udhët që shkelin. Në emrin tim e të atyre që nuk munda t’ua regjistroj zyrtarisht në ndonjë letër, kasetë, a diktofon modern të gjitha amanetet e tyre të pathëna.
 
Me një Kryeamanet për të shkuar tek trojet prej nga lindën e donin të vdisnin qoftë edhe të varfër. Të atyre të gjallëve që shohin akoma me sytë e veshët e drejtuar nga e përpjeta e Mëllezit të Konispolit, nga ajo hyrje e Qafës së Botës me shpresë se një ditë do të shkojnë të zgjojnë djepet e fshehura mes gërmadhave, të zgjojnë mullinjtë e vajit dhe lëmenjtë e drithit. Që të zgjojnë dasmat e lindjet e fëmijëve. Që të zgjojnë zërat e ezaneve në faljen hyjnore të besimtarëve të shumtë. …Për të dërguar atje, te varret e të parëve, ca lule fjalësh, ca lule të freskëta nderimi e mirënjohjeje për atë që na dhanë më tepër forcë e kurajo në palcën e trupit, të kujtesës sonë kombëtare, në palcën e këngës e të valles, të bëmave e ndodhive të tjera që bëjnë së bashku zinxhirin e historisë së kombit tonë zulmëmadh atë që ata kishin më të mirë.. Më të bukur. E mjaftueshme që edhe të gjithë monumentet nuk i mbajnë dot.

Po heshtja akoma varet e trishtë dhe tragjikshëm në qiellin që na kaltëron të gjithë njëlloj viset e përbashkëta. Shumë më e trishtë se këpucët e mbetur te një prag pa patur mundësi që të marrin udhë të largëta, qoftë edhe mes tufanesh. Shtrihet në valët e Detit Jon dhe fëshfërima e ullinjve nuk e bën dot të gjallë. Heshtja varet akoma e trishtuar në komfortet e zyrave ajërngrohta e ajërftohta të shteteve, këtu, në Shqipëri, në Greqi, në Amerikë, në Evropën e madhe që kërkon sa më shpejt të bashkojë flamujt, paratë, gazet e hallet, të hapë sa më shpejt udhët, të ngrejë trarët e doganave ku kalojnë dashuri të reja , mallra nga më modernët , disqe këngësh ku me gjuhë simbolike thuren himne për paqen e luftrat e kaluara (por jo të harruara) e harrohet se ende në Jug të Ballkanit një e drejtë e madhe vazhdon të mohohet egërsisht.
 
Vite më pare, tek ndiqja linjën e historisë me anë të dokumentit e të gojëdhënës , me anë të këngës e legjendës, bashkë me të rejat që mora nga arkivat paksa të mykur, por dhe aq të mistershëm, jetova emocionalisht një fakt të bukur. Shumë madhështor. Shumë jetëgjatë në kujtesën individuale e kombëtare. Kur në Vlorë shpallej Mëvetësia bashkë me sinjalet e mekët të morsit që dërgonte në Shqipëri e në botë lajmin e gëzuar, populli i thjeshtë që nuk mund ta bënte këtë gjë, kishte vendosur që ta niste në mënyrë shumë origjinale këtë kumt gazi. Këtë kumt lavdie kombëtare . Edhe pse firmat e fuqive të kohës vendosnin në letrën e bardhë Firmat e Gjaku. Firmën e Copëtimit, të kafshimit të lukunive fqinje. Të bekuar nga më të mëdhenjtë e kohës. Për ta ndarë nga trojet amtare dhe nga trungu amë Çamërinë dhe Kosovën. Nga maja e Kaninës, në Shpirag, në Tomor, në malet e Librazhdit e të Gramshit deri tutje në Korçë e Devoll nisën të ndizeshin ca zjarre habertare. Ca zjarre me një Kod pagan por aq të njohur prej kohërash në këta male. Një kod që deshifrohej me gjuhën e zemrës e të qëndresës që kishte kah mot i gjallë në palcën e tokës shiptare. Në një farë mënyre zjarret ishin të fala që niseshin nga Vlora e tejmbushur me valë deti e gëzimi për trojet e tjera amtare deri larg në Kosovë. Me valë lotësh dhe dallgë këngësh të reja. Secila gjuhë e atyre zjarreve dukej sikur thoshte : “Të fala nga Vlora e Flamurit!”.
E më tej, meditimi për të falat njerëzore vjen e stiset në ca mure të lartë që të ndërtojnë njëherësh me një shpejtësi prej rrufeje Kalanë e Mallit, Kalanë e së Drejtës. Ashtu të ngritura përjetesisht që kur njeriu i gjallë u largua disi nga njeriu i tij i njohur e i dashur. Të fshehura në rrobat trupit, në samarët e kuajve apo në lakadredhat e trupit të gamileve sahariane që mërgonin sa në kurrizet e pjerrëta thikjane të maleve aq edhe në hapësirat e largëta të shkretëtirave pa anë fjalët e shtrenjta. Të fshehura në ca hejbe të leshta të hedhura në sup e të varura apo edhe në valixhet turistike e diplomatike.. Të futura në ca kupëza të drunjta ku gratë nikoqire kanë futur ca thella bakllavaje feste, një dorë me bajame të sapovjela, ca fiq të bluar, një shami të qëndisur nga duart e vashazve për larg,…një shami të bardhë për kokat e thinjura të gjysheve të kërrusura nga hallet. një liko Përmeti a Berati, pas të cilave do të shpërthenin si fontana nafte fjalët e lumtura e të dhembshura. Populli i kërkoi ndihmë korbave të zinj, pëllumbave, hënës, diellit, erës, valës së detit , gjemive që i çonin larg detet… Të gjithë kemi jetuar paksa në atmosferën e këngës së nizamit anonim që këndonte nga Qabeja e largët: “Falni me shëndet nënesë /Të dy të m’i shesë/T’i bëjë nigjah së resë “

Jetoi dhe jeton shumë vrullshëm edhe në ditë tona kjo Urë përshëndetjeje brezash sa në prehërin e nënave të mbushura me aromën e mollëve e të ftonjve aq edhe në fjalët e anonimta që jepeshin me një mijë e një amanete. Sa në dhuratat simbolike që vetëm një mall i patreguar mund ta sajonte aq bukur aq edhe në këngët dhimbjembushura, të cilat këngëtari popullor donte t’i niste për në udhët e largëta me flatrat e pëllumbave postjerë, apo me dallandyshet që stinonin rregullisht në vise të banuara e të pabanuara. Për të ardhur sot në epokat moderne ku mollëzat e gishtërinjve me shpejtësi e formulojnë në harkun e minutës urimin e mallin paçka se sytë fshehin tradhëtisht pikën e lotit të mallit.
Brenda këtj kumti njerëzor të falash përherë ka patur e do të ketë dy stacione . Dy porta të hapura, që i bashkon drithërima e malli. Ka kohë që me Çamërinë po prishet Ligji i përjetshëm i të falave. Ajo, si nënë e dhembshur e di shumë mirë këtë gjë. Nuk harron që ta futë në atë kujtesë të re. Ata që duan të falsfikojnë historinë e Çamërisë, duan ta kthejnë atë në një ishull robinsonian ku të përkundet thekshëm vetmia e drurëve, e shtëpive të rrëzuara, e udhëve që presin të shkelin ata që u rritën duke i përkëdhelur gur më gur e plis më plis nuk do të arrijnë kurrë që të bëjnë një gjë të tillë. Kam kumbar në këtë këtë betejë Antiharrese Të vërtetën e madhe që asnjë s’e mund dot në tapetin e diplomacive evropiane e botërore.
 
Pres e pres të fala nga Çamëria ashtu si dhe dua që t’ia dërgoj një shportë të madhe me këngë, ninulla të reja që lindën në këto 65 vjet, si dua t’i dërgoj fjalët e atyre që në tërë këto vite kanë gdhendur me durim dashuri, kuarajo fjalët e historisë së saj, tingujt e këngëve për të. Kanë gdhendur në fletët e mermerta të maleve në qytetet e Vendit amë që i priti i dha pjesën e kafshatës së tyre. Dua t’i dërgoj atë nderim që ajo Nanë e dhembshur golëmjaltë duhet të ketë për tërë ata që e kanë gdhendur shpirtin e saj në ngjyrat e telajeve të pikturave jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vendet e tjera të botës. Epoka e madhe e autostradave ajrore e hënore, e komunikimit mijërakilometërsh tokësor, kekurudhor, elektronik nuk ma ka fashitur atë që kam në Arkëzën e mallit për Çamërinë.
O, jo, kurrë në jetë të jetëve.