Freitag, 20. November 2015

Fatime Kulli - Katër poezi


NË TOKAT E MIA DJERRË
(unë, jam çami më i vjetër)

Vitet ikin të prerë me thikë,
lulegjembat thonë: Prit, prit, prit!
Eh, po pres me torbë varur në shpirt 
dhe ti hije zuzare, shpresën mos ma vrit!

Oh, klithma ime fatzezë,
këmbëvrarë mbi malin e shkelur,
ofshamë tragjedie e kope e therur
lulebardhat çelin në pus të harrimit,
ullinj dhe klumusht gjirit.

Oh, dashuria ime e pashkelur,
psherëtimë në qiellzë të lotit...
Identitet varur n’bastun udhëkryqesh,
ku kryqëzohen dashuritë
…lulëzojnë ligësitë.

Oh, mëshirë e pamëshirshme,
në tokat e mia djerrë, 
Unë jam çami më i vjetër, 
mbi kufomën e gjunjëzimit, shkel.



PËR ERËN E MALIT

Shkel mbi malin e shkelur
dhe mbledh ofshama në erë
me këmbë varur në letër...

Sa mirë kur ofshama përplaset 
në faqet e malit të “fantazuar”, 
si ndër skenat e teatrove....

Sa keq,
kur shkel mbi malin e shkelur
dhe erërat më shpojnë 
në fushë të minuar tallazesh...

Barërat helmojnë ajrin e shpirtit,
dashuria ime në reanimacion
për erën e malit, për aromën e ujit
të lumit Kalama...



GUR I KONAKUT

Krahu i zemrës
më zgjoi nga dehja 
e shembjes së kullës së vjetër,
ngulur gozhdë e vjetër
thellë nën shkëmb...

Zemra e lotit
mbeti Rob nën çatinë e ullirit
më të lasht në Gumenicë,
klithmat me oii
dëgjohen ende 
te guri i konakut....



NDËR BUZË QËNDIS POEZINË

Jam gur i vdekur, rri strukur 
Nën ahet e zhveshura shekullore 
Ku dielli lind e perëndon me dritë të vakët 
Dhe vesa pikon gjak mbi gjethet e shkruara 
Ndër sirtarët e sharruar nga druvarët shenjtorë... 
E tinguj mortor rrëshqasin fletëve të zverdhura....

Jam gur varri, kam çelur hijeve dritë-verdha 
Në trupin tim kam veshur xhubleta me ojna dielli 
Të ndjell zgjoje bletësh në kohë stuhish... 
Ëndërrimtarët i zu trishtimi në qoshe të konakut, 
nga përgjumja dimërore, koha i kryqëzoi dashuritë...

Jam gur varri, fle dhe zgjohem në copëza shkretëtirash 
me gishtat e zgjimit mbështjell fytyrën 
për të lindur foshnjën në djep baladash 
që të këndojë këngën e përjetshme, në krahë të lirisë: 
"O sa mirë me ken shqiptar, o hej, o hej, o heeeej!"

Jam gur i vdekur, fryma m’lëshon zaaaaaaaaaaaaaa 
N’jele të historisë... 
IDENTITETIN ma lidhën me zinxhirë n’gijotinë, 
legjenda u përlot dhe veshi kostumin më të bukur 
me plagët e marra në telat e lahutës 
që shëtisnin honeve në vendet e qytetëruara.

Të gjitha sprovat i kanë bërë në trupin tim, 
por unë marr frymë me mushkri të reja dashurie, 
edhe pse ajri ashtë copëtua mes trëndafilash të plagosur, 
në dheun e ashpër dhe të dashur fisnikërisht, 
tingujt lëshonin dhe përthithnin hire drite...

Sot jetojmë me kohën, në botën moderne 
edhe pse mbi krye më valëviten dy flamuj, në një trung… 
Unë gjunjëzohem deri në amshim 
para flamurit tim ku më buzëqesh flokëbardhi, Ismail Qemali. 
e prapë jam gur i vdekur... që shoh, dëgjoj, ulërij e brohoras: 
"O sa mirë me ken shqiptar, o hej, o hej, o heeeej"

E tash, në shekullin e XXI 
buzëqeshim austradave të botës, me emrin emigrant 
jetojmë në kohë moderne, ajrin e arnojmë me fijet e diellit 
të mos zbulojë botën e hipokrizisë, 
bukurinë e gënjeshtër, mosmirënjohjen, marrëzitë…

Mbi kokën time dëgjoj hënën që lëngon 
duke parë shtojzovallet trotuareve të Evropës... 
Yjet kryqëzohen ngricave të traditës dhe moralit të pështirë 
që m’janë lidh për fyt si kocka të helmuara... 
dhe krekosen kurriz-shtrirë, 
se paraja është më e rëndësishme se identiteti dhe liria!

Jam gur i vdekur, frymoj në botën moderne, 
ndër buzë qëndis poezinë....

(Maj 2010)

1 Kommentar: