Freitag, 13. November 2015

Fyelli i burgosur në Çamëri

Poezi nga Agim Bajrami

(Në kohën e masakrave greke në Çamëri një çoban e fshehu fyellin nën themele dhe u kthye për ta marrë mbas 60 vjetësh)

Me tinguj të vrarë
Të kthyer në hije
Gjashtëdhjetë vjet burgosur
Nën një rrënjë shtëpie.

Gjashtëdhjetë vjet nën tokë
Nga shikimet fshehur
A thua se ishe
Ndonjë i pandehur?

Të kish bërë yt zot
Tufës t’i këndonit
Se kurrë s’e pandehte
Ardhjen e ciklonit.

Nuk të zgjati shumë
Ah, ty lumturia
Se me re të murrme
U mbush Çamëria.

Re që s’sillnin shira
Por klithma dhe varr
Ta therën kopenë
Ta poqën në zjarr.

Mëngjezet dhe mbrëmjet
I shkuan nën thikë
Ty t’u trembën tingujt
Dhe zëri t’u fik.

Një si makth i zi
Përmbi trup t’u ngjit
Vallë ç’ishte ky tmerr
Që të shihnin sytë?

Iknin njerëzit iknin
Pa e kthyer kokën
Orët ndillnin vaje
Plumbat mbillnin tokën.

O Zot çfarë llahtare
Ke parë atëherë
Erërat çirrnin faqet
Dhe pse ishte verë.

Erëra Epiriote
Erëra Çamërie
Për kafka lehonash
Dhe zemrash fëmije.

Dhe ti do të kishe
Një fat me të tjerë
Ishte kohë vandalësh
Vitesh erë kolerë.

Nëse s’do të vrisnin
Do të hidhnin lakun
Zëri yt vandalëve
Keq ua ngrinte gjakun.

Ndaj e mbylle veten
Nën shtëpinë e vjetër
Kolerat do iknin
Do kishe kohë tjetër.

Gjashtëdhjetë vite mbyllur
Nëpër baltë e lot
Gjersa erdh një ditë
Të erdh prapë yt zot.

Kish kaluar tela
Plumba dhe ushtarë
Të jetonit bashkë
Sërish si më parë.

Fyell i ç’burgosur
Me trup Çamërie
Psherëtima jote
Drithërimë më shtie.

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen