Mittwoch, 18. November 2015

Haxhi Mehmet Dalani i Konispolit

Legjendari Haxhi Mehmet Dalani (1775-1828), biri i Çamërisë nga Konispoli – Heroi i Libanit dhe i Kretës. Shkrimtari i madh grek, Niko Kazanzaqi, i rrëmbeu kombësinë bashkë me emrin dhe e quan atë grek, si pa gjë të keq, e nuk ka kush t’i thotë ndal. Kazanzaqi i kushton librin voluminoz “Ja vdekje ja liri” Por autori i ndryshoi këtij personazhi madhor emrin dhe kombësinë, nga Mehmet, në Mihal dhe nga shqiptar në grek. Zakoni grek ky: I pabësë, gënjeshtar, rrëmbyes, vjedhës, vrasës dhe zhdukës. Ndërsa, udhëheqësi i revolucionit grek, Dhimitër Ipsilanti, u drejtohej figurave të spikatura të Çamërisë: “Shumë të nderuar kurajozë kryetarë: Dalani, Çapari dhe Pronjo si dhe gjithë Çamëve, ju përshëndes! Unë dhe atdheu ju falënderojmë. Dhe tani, duke u bashkuar me ne për liri, konsideroheni si vëllezërit tanë. (J. Filimennos, Dokimion historiku epirot Elenikis Epanast…1858).

Haxhi Mehmet Dalani i Konispolit, vlerësohet si heroi i Kretës. Sipas dokumenteve arkivore të dijetarit anglez William Martin Lik dhe Pukëvili, në botimet e tyre përmendet: “Mehmet Dalani i Konispolit” si një nga krerët e Çamërisë, që ishin kundër pashallëkut të Janinës. Ky me Islam Pronjon e Paramithisë, me 1500 çamë marshuan drejt maleve të Sulit, ndihmuan suljotët të dilnin nga rrethim i Pashait të Janinës. Pukëvili shkruan në vëllimin e III, f. 212: “Shqiptarët duket se janë destinuar të mbulojnë Helladën, me një popullsi superiore në fuqi dhe gjallëri, kundrejt grekëve, të cilët po shuhen pak nga pak” 

Haxhi Mehmet Dalani shkoi në ndihmë të kryengritjes “grekë”, në krye të 800 kalorësve nga qyteti dhe krahina e Konispolit, me kuaj të fortë e të shpejtë që rriteshin në fushën e Vrinës. (Emri Konispol, vjen nga sllavishtja Konj – polja, fusha e kuajve, shën im). Në vitin 1826, guvernatori i Libanit, Hamit Bekiri, bëri thirrje për ndihmë të gjithë atyre që luftonin kundër Turqisë. Ndër të parët që arritën deri në Bejrut, Ishte Haxhi Mehmet Dalani me 800 kaloresit e tij dhe me tre anije, të cilët luftuan me trimëri bashkë me forcat e Hamit Bekirit. Heroizmi i Dalanit u përjetësua në librat dhe në folklorin e Libanit. Ai u kthye prapë në Greqi me kalorësit e tij, sipas thirrjes së kryeministrit grek Kapodistria. 

Av.Hajri Zejno shkruan: “Haxhi Mehmet Dalani, grumbulloi djem çam të krahinës së Konispolit në lulen e trimërisë, u nisën për luftë në Kretë, kundra forcave turke me të 800 kaloresit, dhe u bashkua me forcat e vendit që arrinin në 2000 veta, për të luftuar kundër armatës turke prej 8000 ushtarësh. Në kështjellën Frangokastello, gjeti vendin e përshtatshëm nga ku do të luftonte. Brenda në kështjellë kishte njerëz të uritur, të sëmurë, pleq, gra, fëmijë të pafajshëm. Para kësaj gjendjeje, Haxhi Mehmeti u ngrit në këmbë e deklaroi: “Ne na duhet bukë, na duhen armë, e vetmja pasuri që kemi është urrejtja shekullore kundër robërisë”. “Beteja ishte shumë e ashpër në këtë kështjellë të ndërtuar në kohën e venecianëve. Osmanëve u kushtoi mbi 3000 të vrarë dhe shumë të plagosur. Dalani qëndroi heroikisht deri në momentin e fundit, gati vetëm. I propozuan të dorëzohej, me kusht që t’i falnin jetёn, por ai nuk pranoi. Në një çast, kur beteja e pabarabartë qe thërrmuar e copëtuar drejt fundit, u gjend i rrethuar sy më sy nga 400 osmanë të tërbuar. Kapedani legjendar luftoi deri sa u vra. “I prenë kokën, por lavdia mbeti te i zoti, të cilit ia mban peng historia. Mes tymit e gjakut që mbulonte ngado muret e kështjellës, shqiptarët dëgjuan se mbetën pa komandantin e tyre, por mohuan ftesën për dorëzim e falje. Luftuan si të hidhnin vallen e fundit konispolate të Osman Takës dhe u vranë të gjithë me dritë lirie në sy”. (Agim Shehu).

Shkrimtarja greke, Kleopatra Prifti, nga ishulli i Kretës, shkruan: “Në Hajna të Kretës, në qendër të qytetit, është një rrugë që mban emrin Haxhi Mihal Dalani…shqiptari që dha jetën për lirinë tonë”. Në qendër të Kretës, në Greqi, është ngritur prej shumë kohësh një bust i veçantë i një luftëtari të shquar në të cilin është shkruar në gjuhën greke. “Strategu Haxhi Dalani nga Konispoli (Epiru) rënë në maj 1828”. Vallë, a nuk duhet të vendoset një bust në Konispol, edhe për të sfiduar grekët e pabesë?!…
______________________________________
Huazuar nga pashtriku.org /Autor: Rasim Bebo/

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen