Samstag, 19. April 2014

Kultura çame dhe vlerat e saj

Shkruar nga Enver Kushi, gazeta Ballkan
 
Të flasësh për kulturën çame, rrënjët dhe vlerat origjinale të saj, nuk është e lehtë.E them këtë sepse vitet e fundit duke u marrë me këtë temë kam konstatuar një fakt të hidhur. Në relievin origjinal, të larmishëm e të çuditshëm të kulturës shqiptare, mungon edhe relievi po aq orgjinal, i larmishëm e i çuditshëm i kulturës çame. Fjalën e kam për etnokulturën që sipas prof. Selman Sheme “përbën një sistem të komplikuar dhe kompleks vlerash, veprimtarish e marrëdheniesh shoqërore të formuara dhe të zhvilluara historikisht në lidhje të ngushtë me jetën e bashkësisë sonë etnike e kombëtare”.

Para vitit 1990, por edhe pas këtij viti nuk është organizuar asnjë ekspeditë nga institucionet e specializuara shkencore as në zonat brenda territorit të Republikës së Shqipërisë ku u vendos popullsia çame e shpërngulur me dhunë në vitet 1944-1945, as në Çamërinë Veriore ose Gjeohapësirën e Konispolit. Aq me pak, nuk bëhet fjalë për ekspedita të tilla në Thesprotinë e sotme ku jeton dhe trashëgon këtë kulturë popullsia çame e krishterë. Në këtë lëmi, përpjekjet kanë qenë individuale si nga Fatos Mero Rropaj, Ibrahim Daut Hoxha, Qemal Haxhihasani, Ramadan Sokoli, Abas Dojaka, Hajredin Isufi etj. Nga ana tjetër mungojnë studimet e plota shkencore dhe botimet për kulturën çame. Flas për vepra të mirëfillta shkencore, sepse ka përpjekje për studime të pjesshmë apo shkrime të veçanta.
Është me interes të nënvizoj faktin se të huajt që kanë udhëtuar në viset e Çamërisë në fillim shekullin e 19-të e më pas, në veprat e tyre, krahas të dhënave për gjeografinë, historinë, të folmen kanë përshkruar edhe kostumet popullore, mënyrën e të kënduarit, vallet apo elementë të kulturës shpirtërore Çame. Ekspedita me frutdhënëse është ajo e vitit 1957, e organizuar ne Fier dhe Vlorë (Skelë dhe Babicë), nga studjues gjerman e shqiptare, përkatësisht Doris Stockmann, Wilfried Piedler, Erich Stocmann. Miku i vyer prof. Ramadan Sokoli, i cili shoqëronte studjuesit gjerman, sa ishte gjallë, më ka folur shpesh për ta si dhe për një këngë vaji të regjistruar në Babicë e që profesorit i kishte bërë përshtypje të veçantë. Ai, mbante mend deri edhe emrin e gruas, vargjet e vajit si dhe momentin kur ajo e ndërpreu vajin nga ngashërimi i thellë. Studjuesit gjermanë në vitin 1965 botuan në Berlin librin “Muzika popullore shqiptare –vëllimi I këngë të Çamëve, me 302 faqe. Vitet e fundit, me promovimin e kulturës çame në Francë, është marrë profesori francez, etnomuzikologu Bernard Lorta Zhakob. Ai në vitin 2005 ftoi në Paris disa nga interpretuesit më të mirë të këngës popullore çame si Refat Sulejmani, Shaban Zeneli, koncerti i të cilëve u dha direkt në një nga radiot me në zë evropiane, Radio France. Po ky etnomuzikolog, ka realizuar edhe filmin dokumentar “Këngë të një vendi të munguar”, ku krahas mallit dhe nostalgjisë të çamëve për Çamërinë, jep edhe pasurinë e këngëve dhe valleve çame.
 
 

Cilat janë disa nga veçoritë e kulturës çame?

Së pari, kultura çame është pjesë e kulturës shqiptare dhe si e tillë ajo mbart dhe trashëgon tiparet dhe vlerat e kulturës shqiptare në tërësi dhe siç do të shohim më poshtë, edhe ato regjionale në veçanti. Do të ishte gabim ta ndanim atë prej të tërës, pra asaj që quhet shqiptare ose ta trajtonim atë vetëm si kulturë regjionale, të një territori e popullsie që shtrihet e jeton në një teritor të caktuar.

Së dyti, kultura çame është shprehëse e vlerave të një popullsie me histori të lashtë, bart shtresësime të hershme, të formuara në epoka të ndryshme. Siç mund të jetë vënë në dukje nga studjuesit e ndryshëm, ajo është formuar nga elementë të lashtë parailirë (Pellazgë, Ilirë e që u trashëguan në mesjetën e hershme e në kohën e formimit të kombësisë shqiptare. Nuk është e rastit një nga përfundimet e studjuesve gjermanë në librin “Këngët e çamëve” se “ky gjurmim muzikologjik dhe tekstologjik dhe botimi i materialit të mbledhur na tregon qarta se te këngët çame kemi të bëjmë me një shtresë arkaike të muzikës shqiptare”. Atje ne trojet tona të braktisura, lëviz dhe gjallon shpirti i Çamërisë dhe i popullsisë së saj, gjallon bota e miteve, bota parapagane e pagane, bota e perëndive. Ato janë në shtëpitë e tyre dhe zota që nuk ka fuqi ti shpërngulë. Më besoni, në rrugëtimin e fillim majit të këtij vitit në Çamëri, unë kam ndjerë dhe prekur jo hijet e kësaj bote të lashtë thesprotë, por trupin dhe shpirtin e saj.

Së treti. Çamëria dhe kultura e saj, duke qenë në kufi me Greqinë ka dhënë dhe ka marrë me kulturën greke. Kulturat nuk kanë njohur e as njohin sinore, kufij apo barriera artificiale. Popujt e Ballkanit kanë ditur që përtej politikave ndarëse e urrejtjeve primitive të doktrinave famkeqe të shekullit XIX, të ndërtojnë ura miqësie dhe mirëkuptimi reciprok. Kulturat e larmishme e origjinale të Ballkanit kanë dhënë e marrë mes tyre. Unë jam njohës dhe admiruesi kulturës së madhe greke, e cila ka rrezatuar dhe vazhdon të rrezatojë prej shekujsh në Europë e botë. Nuk është e rastit që një nga vallet levende çame, është pjesë e pandarë e të gjitha koncerteve të ansambleve greke apo kostumi burrëror i Çamërisë, është bërë veshja e Gardës Kombëtare të Republikës së Greqisë.

Së katërti, kultura çame është kultura e një popullsie të zhvendosur me dhunë nga trojet e veta shekullore. Si e tillë ajo është bërë pjesë e pandarë e vitalitetit dhe ekzistencës së saj.
Popullsia çame, në rrugëtimin biblik për në Shqipëri, krahas imazheve të tmerrshme të krimeve, djegieve të shtëpive, grabitjes së pasurisë nga banditët famëkeq të Zërves, morën me vete, si ca gurë të rëndë, edhe mitet, legjendat, përrallat këngët dhe vallet mahnitëse, kostumet, epikën dhe lirikën e asaj pra gjithçka që unë do të quaja universi çam.Për fat të keq ky univers marramendës, me vdekjen e brezit të parë dhe të dytë, është mbuluar nga bota (dheu) e Vlorës, Durrësit, Elbasanit, Lushnjës, Fierit, Çerrikut, Rrogozhinës, Delvinës e Sarandës. Kultura Çame e zhvendosur në Shqipëri bashkë me bartësit e saj, është bërë mjet i fuqishëm vitaliteti, por edhe ekzistence të kësaj popullsie. Nga ana tjetër, kjo zhvendosje ka ndikuar në psiqikën e kësaj popullsiesi dhe kulturën e saj. Me të drejtë etnomuzikologu francez Bernard Lorta Zhakob, duke njohur nga afër këtë kulturë, shkruan: “Në ketë gjendje mërgimi, muzika çame karakterizohet nga një forcë shprehëse shumë e veçantë dhe ushqehet ende edhe sot nga një nostalgji e kudondodhur: ajo kujton mënxyrën e një populli që ka humbur tokat e veta, shtëpitë e veta, kullotat e veta. Ajo flet për dele të humbura, për dashuri të humbura, për jetë të këputura, të një kohe të kaluar mitike dhe të lavdishme”.

Së pesti, kultura çame është shprehëse ose më saktë është e lidhur ngushtë jo vetëm me historinë e Çamërisë e të popullsisë së saj, por në origjinalitetin, vlerat dhe veçoritë e saj, padyshim ndikim të madh ka edhe mjedisi ku ajo është krijuar e zhvilluar. Në Literaturën e sotme për kulturën, shumë studjues e kulturologë modern, vënë thekse edhe në rolin që luan natyra, mjedisi në psiqikën e popullsive e të kulturave të tyre. Universi i kulturës çame bota shpirtërore e çamëve, kultura shpirtërore e materiale çame, doket dhe zakonet, mënyra e jetesës etj.etj është i pashkëputur nga bukuritë dhe larmitë e natyrës së Çamërisë. “Çamëria e vendosur me fytyrë nga ishujt jonianë, shkruan Elena Gjika, nga qyteti magjik i Pargës tonë e një nga gratë më të kulturuara shqiptare e europiane të shekullit të 19-të, është nga krahinat më të këndshme në lindje. Unë nuk besoj se i bëj lëshime entuziazmit patriotik, kur ju mburr bukuritë e këtij vendi të mrekullueshëm. Në luginën e Akerusisë dhe nën lisnajat e Dodonës, mbretëron një pranverë e përjetshme. Në gjirin e pyjeve shekullorë avullojnë mijëra parfume, qarkullon gjatë verës një fllad i freskët që zbret nga majat me borë”.

Në ketë mjedis me pranverë të përjetshme e ku avullojnë mijëra parfume është krijuar kultura çame ose më saktë ka marrë vulën e vet origjinale kjo kulturë. Në këto hapësira të larmishme ngjyrash ku edhe mali, edhe kodrat e buta, edhe fushat pjellore, edhe lumenjtë mitikë Kalama dhe Akeron, edhe deti i Zonjës janë pjesë e pandarë e Çamërisë, kanë lindur doket, paragjykimet e lashta, është qendisur kostumi përrallor i burrave e grave, është kënduar dhe janë kërcyer vallet mahnitëse çame. Nga fëminia ime mbaj mend një ceremoni kuptimplotë e që studjuesi, Hajredin Isufi e ka përshkruar të plotë në librin “Çamëria studime historike –sociologjike, shek. XIII – XX” Po ta analizosh me detaje ceremoninë e mëposhtme, kupton jo vetëm lashtësinë e saj, por edhe ndikimin e mjedisit në të siç është pasuria, pjelloria e tokës çame si dhe fati i lidhur ngushtë me begatinë.

“Fëmijës së vogël i priteshin thonjtë, kur bëhej një vjeç. Para se tia prisnim, ia lyenin thonjtë me miell, që të kishte fat, madje ia hapnin pëllëmbën e dorës që të bëhej bujar, pastaj ia pritnin thonjtë. Thonjtë e prerë i mblidhnin me një shami të pastër dhe i vendosnin në një brimë muri, brenda avllisë së shtëpisë, që sipas tyre të mos dilte jashtë mbarësia”.
Kjo natyrë e mrekullueshme e Çamërisë padyshim ka ndikuar në levendërinë, bukurinë në lëvizje të valles çame, burrërinë dhe krenarinë e kërcimtarit të parë.

Edhe në kostumin e burrit apo gruas çame, në larminë e ngjyrave dhe harmoninë e përkryer të pjesëve të këtij kostumi, nuk ka si të mos ketë ndikuar larmia e ngjyrave dhe e dritës së tokës çame. Konsulli francez në Janinë, Pukëvili shkruan “ për ata burra të bukur çamë, me ato qendizma të bukura lara –lara të veshur me kostume të shkëlqyer dhe të ngarkuar me ar të çmueshëm, që ngjasin sikur të ishin një koloni ushtarësh të Pirros të pasur me plaçka të Trojës, që kanë zbarkuar sërish në Epir”.

Dhe në fund, më lejoni të bëj një apel për ruajtjen dhe mbrojtjen e kulturës çame në Thesprotinë e sotme. E kam fjalën jo vetëm për kulturën shpirtërore, por edhe për atë materiale. Kur kam lexuar pak vite më parë shkrimin e James Pettifer dhe Miranda Vickers “Sfida e ruajtjes së trashëgimisë çame”, jam tronditur nga të vërtetat e hidhura që ata parashtronin. Dhe kur në maj të këtij viti pata fatin të rrugëtoj nëpër Çamëri, tronditja ishte edhe më e madhe. Trashëgimia kulturore mijëravjeçare çame, është duke u rrënuar. Çduhet bërë në këtë kushte? Studjuesit anglezë me të drejtë i drejtohen qeverisë greke, strukturave të specializuara të shtetit grek, por edhe qeverisë shqiptare, për të marrë masat e duhura në mbrojtje të kësaj trashëgimisë. Jo vetëm kaq. Çështja e trashëgimisë çame në Greqi duhet ndërkombëtarizuar. Më duket i drejtë mendimi i studjuesve anglezë se “një rrugë e mundshme për ata që kërkojnë mbrojtjen e kësaj trashëgimia është të kërkojmë përfshirjen e institucioneve ndërkombëtare sikurse janë UNESCO dhe Monumentet në Rrezik apo organizata britanike Shpëtoni Trashëgiminë e Europës, për ta detyruar Greqinë ta njohë problemin dhe të ndërmarrë hapat e duhur për ta zgjidhur atë”. Ky apel duhet të jetë pjesë e veprimtarisë së organizmave e partive që përfaqësojnë interesat e komunitetit çam si shoqërisë “Çamëria”, Institutit të Studimeve për Çamërinë, PDI dhe PDU.
Ne duhet ti rikthejmë Çamërisë Zonjëllëkun, fisnikërinë,ta bëjmë që të flasë me gluhën e perëndive. Koha punon për të ardhmen europiane të Ballkanit dhe të ardhmen europiane të Çamërisë. Jam i bindur se kultura do të jetë e para që do ta bëjë këtë. Kthejani Çamërisë shpirtin e patjetërsueshëm të saj: kulturën dhe bëjeni të flasë me gluhën e perëndive.

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen