Samstag, 19. April 2014

Poezi kushtuar Çamërisë

 
Nga NAMIK MANE

ÇAMËRISË

Këtë natë të ftohtë shkurti, 1)
U ngarkova:
Plot me farëza lirie
Dhe u nisa për tek ty,
Që të mbjell në tokën tënde,
Këto farëza, Çamëri...


Nga Kosova fishekzjarret
Dritë, ditë, ma bëjnë rrugën,
Ndaj dhe unë nuk njoh pengesa,
Shpejt e shpejt, po vij tek ty,
Moj dhimbshuria ime,
E pathinjura, Çamëri.

Më djeg gjoksi prej shumë vitesh
Nga një mall që s'ka përmasa…
Dhe në u thafshin oqeanet
Se nxëjnë dot këtë mallin tim,
Vetëm ti mund ta mbash brenda,
Në gjoksin tënd, moj Çamëri.

Hapi krahët, prite birin,
Po të vjen…
Do shkëmbejmë ne të dy,
Fjalë bese, këtë mbrëmje:
Do t'i mbush unë gjithë kullotat,
Plot e plot, me klumushtore,
Se të pjellat, do i kemi,
Shumë të mbara këtë vit,
Dil, moj Çamëri, më prit!

1). 17 shkurt 2008, dita e Pavarësisë së Kosovës.

 
 
 
Nga FATMIR TERZIU

EDHE GURËT NËN LUMË PIKOJNË GJAK

Ende gurgullimat e Lumit të Fëmijëve janë veshëve të botës
Lumit Kalamai, që u shndërrua në lumë lotësh
Lumit që i rrijnë qindra krenari kurorëgjelbërta sipër kokës
Lumi që ende ka nder nurin e moçëm rrethues e joshës.

Lumi Kalamai, ka mbetur dëshmitar i zjarrtë...
Ai është i zgjuar, kurrë nuk fle lumi
Mban strukur historinë e popullit Kryelartë
Në çdo kthenajë e në çdo sjellnajë që koha i pruni.

Ca njolla gjaku kur nuk u fshinë nën lumë
Si tufa lulëkuqesh përflaken ditën
Dhe kur tërë Çamëria është disi në gjumë
Ata ngrenë kokat të lëshojnë dritën.

Një këngë Çame ka kohë që s'pushon
Aty anës lumit durimtar, Lumit Kalamai
Ka kohë që mijëra zemra mallkojnë
'Djallin' që nga vatra shekullore i largoi.

Dhe kënga pastaj oshëtin Gjirit të Prevezës
Maleve krenare gri e flokëthinjur
Deri sa nata lëshon kthetrat e së zezës
Dhe drita është gati duke ikur.

Refren i një kohe të gjatë
Kjo këngë e Lumit plak
Që dirigjohet me ditë e me natë
Aty ku edhe gurët nën lumë pikojnë gjak…
 
 
Nga MEHMET ISMAIL SEJKO

Çamëri, Vendlindja ime

Çamëri, vendlindja ime,
Në ëndërr po të shoh shpesh,
Më dalin para vegime:
Shtëpitë tona bërë shesh.

Bërë shesh, rrafshuar farë,...
Prishur qivure e varre,
Shembur xhami e minare,
Nga ajo klikë gjakatare.

Lotët po më rrjedhin lumë,
Nga malli që kam për ty,
Jemi dëshiruar shumë,
Të të shoh prapë me sy…
 
 
Nga ABDULLAH ZENDELI

ÇAMËRI!

Elegji...

Qamë i vjetër qamë i ri
Qamë kur sekush tha ik
Qamë se s’mbet njeri...
       Atje në të largtën Çamëri

Qamë me lotin e mbramë
Qamë me syrin shterë
Qamë nën retë sterrë
      Atje në të largtën Çamëri

Qamë për varret me kryq e hënë
Qamë për djepin dhepërmbysur
Qamë për pragun mbuluar ferrishte
      Atje në të largtën Çamëri

Qamë Faik e Ali, Boçar e Bubulinë
Qamë Janinë, Artë e Konicë
Qamë Dodonë dhe Sulin e patrembur
       Atje në të largtën Çamëri

Qamë kolonat e pafundme deshë e dathë
Qamë nënën që foshnjën nuk e di ku e la
Qamë për kërthirin që prindin nuk di ku e ka
Atje në të largtën Çamëri

Ç’qamë kur të çanë Çamëri!
Po ti rron si sot si dje si gjithmonë
Edhe kur të tjerët të kanë mëri
      Atje në të largtën Çamëri

 
 
 
Nga ILIRIANA SULKUQI

Çamëri, dritë syri

Ma plasën dritën e syrit
Thërrime ma bënë historinë…
Nuk e di
ku linda,
u rrita-...
Shqipëria m’ësht’nënë
a djep, Çamëria?
M’u plas drita e syrit,
Duke parë ëndrra përtej ëndrrës…

Vatra ime
që zjarrin ta ftohën,
Po më ndez me prushin e tokës!

-maj, 2000-



 
Marko Boçari

(Në Hanià – Kretë, një rrugë mban emrin e tij)

Se ku më ike,
Marko Boçari….
Se ku të mërguan,
pa më thënë!

Të dashuruar me idhujt
e tokës sonë-
                   tokën,
nga zilia,
na e ndanë...
Të erdha mërgimthi
               Gjeneral Marko Boçari,
kaq pranë.

-Kretë, 1997-
 

Nga HAXHI MUHAXHERI
 
 Çamëria

Çamëria
Është Lumi i Loteve që nuk shteron
Malli i të dëbuarve që përvelon
Kënga e Shpresës që gjallëron

Çamëria
Është ora e lutjeve që nuk mbaron

Çamëria
Është ëndrra jonë e përnatshme
Amaneti i shenjtë i etërve
Emblema e krenarisë së emrit

Çamëria
Është damari i ngushtuar i atdheut

Çameria
Është tregimi për barbarinë
Plaga ime e pashëruar
Libri i papërfunduar i historisë

Çamëria
Është kodi i pazbërthyer i perëndisë

29.04.2013

 
 
Irisa Ruci

Per ty Cameri...!

Sa vargje me vijne tashme nder mend
per ty vendi im,
dhe ngaterrohen mes emocionesh qe fjalet m'i mpijne...
Germat humbasin ne rrugicat e mallit
arratisen me gjurmet e kohes e rendin ne token e te pareve te mi;
deshirova qe neper rreshta te pasqyroja historine tende,...

por historine ma vure me vete ti, moj Cameri...!

Ma shkrove fatin e jetes vite me pare
ne ato hapa qe rendonin token, mbi ate toke qe rendonte vdekjen,
sot me pafuqine time mundem te te dhuroj vec lotet
qe marrin formen e hartes
e me rrefejne udhen qe gjysherit e mi ndoqen...

Sa e brishte eshte poezia kur ndjenjen e pershkruan me imagjinate
sa te pafjala mbeten fjalet kur u kerkohet te fjalosin nje brenge te shpirtit
sa strofa shkrova, i fshiva e rishkrova te tjera
sa te veshtire e paskam te shkruaj per ty Cameri...
se te shkruaj me dashurine e gjysme - zemres
ngaqe gjysmen tjeter e lashe peng tek ti...!

Je "toka e ndaluar" qe kurre nuk te kam pare
por njoh cdo truall tendin,
me shfaqesh kaq e afert, perfytyruar ne syte e mi;
je rrefenjat qe gjysherit m'i kane treguar ne cdo kohe
je amaneti qe ata me lane para se te mbyllnin sy...

Je cdo shprehje qe shqiptoj ne dialektin tim
je gjuha qe flas cdo dite, je malli qe me roberon perjetimet
je loti qe per vite kane derdhur gjysherit e mi
histori e ngritur brenda meje je Cameri...!

Vjen si lutje e shenjteruar ne bekimet hyjnore
je besimi qe mban gjalle ate enderr
kthyer ne retorike njerezimi;
je mit i thurur neper kohe, ne ate kohe qe te rriti brenda nesh
je krijese malli, fantazi, perjetim, imagjinate, dhembje
je shprese qe shpreson se shpresa vdes e fundit,
"molle e ndaluar" je, na shfaqesh si perralle foshnjore
e te ushqejme me dashurine qe kujtim na le.

Je aroma e gjelles qe gatuan gjyshja ime
je tingujt qe ajo shqipton ne te bukurin dialektin cam
je nikoqirlleku qe ajo kujdeset te ma mesoje
je neper zakonet qe une me fanatizem deshiroj t'i mbaj gjalle.

Je gjithcka tek une, shenjterine prej teje kam marre
nje copez Cameri fle brenda shpirtit tim,
je pasuria qe gjysherit e mi si enderr ma trasheguan
je endrra qe nje dite si pasuri do le trashegim...

 
______________
Poezite u moren nga faqe te ndryeshme ne internet

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen